ATV

Category: Lajme

  • Tentuan të hyjnë në Britani të fshehur në kamion, arrestohen dy shqiptarë

    Tentuan të hyjnë në Britani të fshehur në kamion, arrestohen dy shqiptarë

    Dy shqiptarë janë vënë në pranga, ndërsa janë kapur teksa tentonin të futeshin në Angli të fshehur në kamionë.

    Sipas mediave britanike, shqiptarët janë arrestuar nga policia franceze në Calais të premten, ndërsa kamioni me të cilin po udhëtonin po përgatitej të hipte në një traget.

    “Njëri mbante një pistoletë me silenciator”, tha një burim për Daily Mail.

    “Ekziston frika se shqiptarët mund të jenë gangsterë që kishin ndërmend të takoheshin me figura të tjera të botës së krimit shqiptar në Britani”, thuhet më tej.

    Numri i shqiptarëve që hynë në Britani nëpërmjet rrugës së Kanalit u rrit ndjeshëm në vitin 2022, me më shumë se 17,000 individë që aplikuan për azil, transmeton TopChannel.

    Deri në vitin 2024, kjo shifër kishte rënë nën 3,000, sipas analizës së Observatorit të Migracionit të numrave të Ministrisë së Brendshme në tetor.

  • Parlamenti izraelit miraton dënimin me vdekje për terroristë

    Parlamenti izraelit miraton dënimin me vdekje për terroristë

    Parlamenti izraelit miratoi një projektligj për vendosjen e dënimit me vdekje për terroristët. 62 nga 120 deputetët e Knesetit votuan pro kësaj nisme shumë të diskutueshme të partisë Otzma Jehudit, e cila udhëhiqet nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir. 48 deputetë votuan kundër, ndërsa pjesa tjetër mungoi ose abstenoi. Pro projektligjit votoi edhe kryeministri konservator Benjamin Netanjahu.

    De facto preken vetëm palestinezët
    Kritikët e konsiderojnë ligjin si racist, pasi në praktikë prek kryesisht palestinezët. Sipas projektligjit palestinezët që dënohen nga gjykatat ushtarake në territoret e pushtuara për vrasje me motiv terrorist, mund të përballen me dënim me vdekje, pasi gjyqtarët do të detyrohen ta shqiptojnë atë në raste të tilla. Vendimi mund të apelohet. Në rast dënimi, ekzekutimi duhet të kryhet brenda 90 ditëve me varje nga një roje burgu.

    Sipas projektligjit një person i dënuar për vrasje me motiv terrorist me qëllim shkatërrimin e shtetit të Izraelit mund të dënohet në gjykatat civile në Izrael me vdekje, ose me burgim të përjetshëm.

    Izraeli e kishte shfuqizuar dënimin me vdekje për vrasje në vitin 1954. Megjithatë ligji izraelit vazhdonte ta lejonte këtë dënim në raste të caktuara, si p.sh. për kriminelët nazistë ose për tradhti gjatë luftës. Ekzekutimi i kriminelit nazist gjerman Adolf Eichmann në vitin 1962 ishte rasti i fundit kur u zbatua një dënim me vdekje i dhënë nga një gjykatë në Izrael.

    Thirrjet e ministrave evropianë pa efekt
    Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, dhe homologët e tij nga Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar shprehën në një deklaratë të përbashkët të dielën (29.03.) “shqetësim të thellë” për këtë projektligj.

    “Dënimi me vdekje është një formë çnjerëzore dhe poshtëruese ndëshkimi, pa asnjë efekt parandalues,” thuhej në deklaratë. “Prandaj ne e kundërshtojmë dënimin me vdekje në mbarë botën, në çdo rrethanë.” Berlini, Parisi, Roma dhe Londra u bënë thirrje autoriteteve izraelite që të heqin dorë nga këto plane.

  • Kroacia ndalon historianin serb, Radman mesazh Vuçiqit: Kemi të drejtë sovrane, “egërsia” ishte agresioni juaj mbi Kroacinë

    Kroacia ndalon historianin serb, Radman mesazh Vuçiqit: Kemi të drejtë sovrane, “egërsia” ishte agresioni juaj mbi Kroacinë

    Aleksandar Vuciq ka akuzuar Kroacinë për “sjellje të egër” pasi autoritetet kroate ndaluan hyrjen në vend të historianit serb Milosh Kovic, duke paralajmëruar se Qeveria e Serbisë do t’i dërgojë Zagrebit një notë proteste.

    Koviç, profesor në Fakultetin Filozofik në Beograd, i cili po udhëtonte drejt Bosnje e Hercegovinës për të marrë pjesë në promovimin e librit “Tesla, serb jam”, deklaroi se të premten i ishte ndaluar hyrja në Kroaci me arsyetimin se “përbën kërcënim për rendin publik, sigurinë e brendshme dhe shëndetin publik”.

    Sipas raportimeve të HRT, Koviç konsiderohet figurë kontroverse në qarqet nacionaliste serbe. Ai ka qenë edhe dëshmitar i mbrojtjes së Ratko Mladic në Hagë në vitin 2015.

    Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlic Radman, mbështeti vendimin e policisë kroate, duke theksuar se institucionet kanë vepruar mbi baza të arsyeshme.

    Ai deklaroi se Kroacia, përveç mbrojtjes së interesave të saj kombëtare, mbron edhe kufijtë e Bashkimit Evropian, dhe se çdo person që dëshiron të hyjë në territorin e saj duhet të respektojë ligjet në fuqi.

    Grlic Radman hodhi poshtë akuzat e Vuçiqit për “sjellje të egër”, duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për refuzim hyrjeje, që është e drejtë sovrane e çdo shteti.

    Ai shtoi se termi “sjellje e egër” lidhet me ngjarje të së kaluarës, duke përmendur agresionin serb në Kroaci, përfshirë shkatërrimin e Vukovarit, deportimin e civilëve në kampe dhe dëmtimin e trashëgimisë kulturore dhe historike. /Vijesti

  • Rekord rritja e çmimit të naftës në Kosovë, 1 euro e 82 centë një litër

    Rekord rritja e çmimit të naftës në Kosovë, 1 euro e 82 centë një litër

    Rritja e çmimit të naftës në Kosovë gjatë dy javëve të fundit ka qenë e ndjeshme, duke arritur sot deri në 1.82 euro për litër, transmeton IndeksOnline.

    Ky nivel i lartë po ndikon drejtpërdrejt në buxhetin e qytetarëve, duke rritur kostot e përditshme.

    Si një vend që varet kryesisht nga importi, Kosova mbetet e ekspozuar ndaj luhatjeve në tregjet ndërkombëtare. Zhvillimet globale, veçanërisht tensionet në Lindjen e Mesme, reflektohen shpejt në çmimet vendore.

    Për qytetarët, këto dinamika përkthehen në shpenzime më të larta në jetën e përditshme. Ndërkohë, ekspertë të ekonomisë kanë propozuar që, si masë lehtësuese, të pezullohet përkohësisht akciza për disa ditë.

    Screenshot
  • Mijëra parashutistë të ushtrisë amerikane mbërrijnë në Lindjen e Mesme

    Mijëra parashutistë të ushtrisë amerikane mbërrijnë në Lindjen e Mesme

    Mijëra ushtarë nga Divizioni i 82-të Ajror, një njësi elitare e Ushtrisë Amerikane, kanë mbërritur në Lindjen e Mesme, bëjnë të ditur dy zyrtarë amerikanë. Ky zhvillim vjen në një kohë kur presidenti i ShBA-së, Donald Trump po shqyrton hapat e ardhshëm në përballjen me Iranin.

    Që prej 18 marsit, administrata Trump ka analizuar mundësinë e dërgimit të mijëra trupave shtesë në rajon, një veprim që do të zgjeronte opsionet ushtarake, përfshirë edhe mundësinë e vendosjes së forcave brenda territorit iranian.

    Parashutistët, me bazë në Fort Bragg, Karolina e Veriut, i bashkohen mijëra marinarëve, marinsave dhe forcave të Operacioneve Speciale që tashmë janë dislokuar në rajon. Gjatë fundjavës, rreth 2,500 marinsa të tjerë mbërritën në Lindjen e Mesme.

    Zyrtarët, që folën në kushte anonimiteti, nuk dhanë detaje të sakta për vendndodhjen e dislokimit të trupave, por theksuan se ky ishte një zhvillim i pritshëm.

    Forcat shtesë të Ushtrisë përfshijnë elementë të selisë së Divizionit të 82-të Ajror, njësi logjistike dhe mbështetëse, si dhe një ekip luftarak të nivelit brigade.

    Deri më tani nuk është marrë asnjë vendim për dërgimin e trupave në Iran, por këto forca synojnë të rrisin kapacitetet për operacione të mundshme në të ardhmen në rajon, tha një nga burimet, shkruan euronews, trabsneton KosovaPress.

    Sipas të njëjtave burime, trupat mund të përdoren për një sërë operacionesh në kuadër të përballjes me Iranin, përfshirë edhe një ndërhyrje të mundshme në ishullin Kharg, që përbën qendrën e rreth 90% të eksporteve të naftës së Iranit.

  • Goditi veturën e tyre dhe i lëndoi dy policë, arrestohet i dyshuari në Ferizaj

    Goditi veturën e tyre dhe i lëndoi dy policë, arrestohet i dyshuari në Ferizaj

    Një person është arrestuar në Ferizaj nën dyshimin për sulm ndaj personit zyrtar, pas një incidenti të ndodhur mbrëmjen e së dielës.

    Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 30 mars 2026 rreth orës 20:03, kur i dyshuari raportohet se ka goditur me veturën e tij një automjet zyrtar policor.

    Pas goditjes, ai është larguar nga vendi i ngjarjes.

    Si pasojë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.

    I dyshuari është arrestuar më vonë nga autoritetet, ndërsa me vendim të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti në procedurë të rregullt.

  • Qeveria merr kredi 47 milionë euro nga Banka Botërore, planifikon punësimin e 15 personave

    Qeveria merr kredi 47 milionë euro nga Banka Botërore, planifikon punësimin e 15 personave

    Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka marrë një kredi prej 47 milionë eurosh nga Banka Botërore për financimin e Projektit për Reformën e Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë.

    Sipas dokumentit zyrtarë, projekti synon përmirësimin e sistemit të ndihmës sociale, përfshirë identifikimin më të saktë të familjeve në nevojë dhe integrimin e përfituesve në tregun e punës.

    Në kuadër të kësaj kredie, ministria ka hapur procedurat për angazhimin e 15 këshilltarëve të punësimit, të cilët do të punojnë në Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës, me qëllim rritjen e kapaciteteve në zbatimin e programit pilot për aktivizimin e përfituesve të ndihmës sociale.

    Punësimet pritet të shpërndahen në disa komuna të Kosovës, përfshirë Artanën, Graçanicën, Istogun, Rahovecin, Skenderajn, Vushtrrinë dhe të tjera.

    Sipas njoftimit, këshilltarët do të kenë rol në orientimin e të papunëve drejt tregut të punës, këshillimin për mundësi punësimi, si dhe bashkëpunimin me bizneset për identifikimin e vendeve të lira të punës.

    Kontratat e tyre pritet të zgjasin deri në fund të vitit 2026, me mundësi vazhdimi, ndërsa paga mujore bruto është përcaktuar 561 euro.

    Ky projekt financohet nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), në kuadër të reformës së sistemit të asistencës sociale në vend.

  • I riu që vdiq tragjikisht në Austri s’ishte shtetas kosovar – policia jep detaje

    I riu që vdiq tragjikisht në Austri s’ishte shtetas kosovar – policia jep detaje

    18 vjeçari i cili vdiq tragjikisht pas një aksidenti në Zwettl an der Rodl, në rajonin Urfahr-Umgebung, është shtetas austriak.

    Kështu ka konfirmuar për Klankosova policia austriake, e cila shtoi se viktima kishte lindur në Linz, dhe i njëjti jetonte aty.

    Nga ky aksident, lëndime kanë pësuar edhe persona të tjerë.

    Lidhur me rastin tashmë kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarje tragjike. Lajmi vjen pasi dje u raportua se i aksidentuari i cili vidq, ishte me prejardhje nga Kosova.

  • 901 zyrtarë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë, afati përfundon sot

    901 zyrtarë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë, afati përfundon sot

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka njoftuar se procesi i deklarimit vjetor të pasurisë po zhvillohet sipas afateve ligjore, me shumicën e zyrtarëve publikë që tashmë kanë përmbushur obligimin.

    Sipas të dhënave të fundit, 79.79% e zyrtarëve (8276 persona) kanë deklaruar pasurinë, 11.52% janë ende në proces, ndërsa 8.69% nuk e kanë nisur ende këtë procedurë. Afati përfundimtar për deklarimin është 31 mars 2026, deri në mesnatë, dhe nuk parashihet shtyrje pa pasoja juridike, përveç rasteve të veçanta teknike.

    APK paralajmëron masa ndëshkuese për zyrtarët që nuk respektojnë afatin, përfshirë gjoba në vlerë prej 30% të pagës mujore. Në rast të mosdeklarimit edhe pas masave administrative, çështja mund të procedohet më tej me kallëzime penale në prokurori.

    Verifikimi i pasurisë bëhet përmes shortit të rastësishëm ose bazuar në informacione nga qytetarët, mediat dhe institucionet. Ndërkohë, deklarimi i rremë ose i paplotë mund të çojë në pasoja ligjore, përfshirë hetime dhe njoftim të institucioneve relevante si Administrata Tatimore apo Dogana./Front Online

  • KMDLNJ: Pensionistët e Kosovës janë lënë në harresë nga Qeveria

    KMDLNJ: Pensionistët e Kosovës janë lënë në harresë nga Qeveria

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar atë për neglizhencë ndaj pensionistëve dhe kategorive më të ndjeshme të shoqërisë.

    Në reagimin e tij, KMDLNJ vlerëson se ekzekutivi po ndan mjete buxhetore për kategori të ndryshme, ndërsa, sipas tyre, pensionistët, përfituesit e skemave sociale, veteranët dhe invalidët e luftës po përballen me vështirësi serioze për mbijetesë.

    Sipas KMDLNJ-së, rritja e çmimeve dhe kostos së jetesës është në shpërputhje të madhe me mundësitë financiare të shumicës së familjeve në Kosovë. Organizata thotë se përkundër rritjes së vazhdueshme të çmimeve, pensionet gjatë gjashtë viteve të fundit janë rritur vetëm 20 për qind, apo mesatarisht rreth 3.25 për qind në vit.

    KMDLNJ ka kritikuar gjithashtu vendimin për ndarjen e pagesës së 13-të për shërbyesit civil dhe mbështetjen financiare prej 500 mijë eurosh për futbollistët e Kombëtares së Kosovës, duke thënë se këto masa nuk kanë prekur shtresat më të rrezikuara të shoqërisë.

    “Me këto pensione nuk mund të sigurohet as një vdekje dinjitoze, e lëre më një jetë dinjitoze”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

    Po ashtu, kjo organizatë ka ngritur shqetësime edhe për çështjen e tarifave të energjisë elektrike, duke pretenduar se qytetarët e Kosovës janë dëmtuar rëndë ndër vite nga politikat e faturimit dhe nga rritja e çmimeve të energjisë.

    KMDLNJ vlerëson se Qeveria ka dështuar të mbrojë të drejtat e njeriut për grupet më të cenueshme dhe më kontributdhënëse të shoqërisë, duke ua mohuar, sipas tyre, një jetë të dinjitetshme përmes pensioneve dhe pagesave të arsyeshme.

    Në fund, KMDLNJ thekson se në vendet e rajonit pensionet dhe skemat sociale janë rritur disa herë, ndërsa në Kosovë, sipas tyre, ka pasur vetëm improvizime dhe manipulime pa efekt real për qytetarët në nevojë.

    Sot, qeveria e Kosovës ka ndarë pagën e 13-të për zyrtarët publikë në vend.