ATV

Category: Lajme

  • Kusari-Lila: Kudo që nafta po shitet 2 euro për litër sot në Kosovë, raportojeni menjëherë

    Kusari-Lila: Kudo që nafta po shitet 2 euro për litër sot në Kosovë, raportojeni menjëherë

    Gjatë ditës së sotme u raportua se çmimi i naftës në disa pompa të benzinës ka shkuar në 2.03 euro për litër sot.

    Ministrja Mimoza Kusari-Lila nga seanca e jashtëzakonshme që po mbahet pikërisht për çështjen e çmimit të naftës, bëri thirrje që qytetarët të raportojnë operatorët që kanë bërë shkelje të vendimit të Ministrisë.

    Ajo tha se sipas marzhës së përcaktuar, nafta sot mund të shihet me çmimin më të lartë 1,83 cent. Kusari-Lila tha se çdo çmim mbi 1,83 cent duhet të raportohet.

    “Zyrtarisht sot nafta sipas marzhës së përcaktuar, mund të shitet me çmimin më të lartë 1,83 cent. Kudo që nafta është dy euro ju ftoj ta raportoni menjëherë, një fotografi e thjeshtë kryen punë për të pasë dënimin dhe sanksionin që këta operatorë kanë bërë shkelje të vendimit të Ministrisë”, tha Kusari Lila.

  • Rritja e madhe e çmimit të naftës, në Gjermani po kërkohet të merret një vendim “drastik” për vozitjen në autostrada

    Rritja e madhe e çmimit të naftës, në Gjermani po kërkohet të merret një vendim “drastik” për vozitjen në autostrada

    Në Gjermani ka përsëri një debat nëse duhet të kufizohen të paktën përkohësisht kufijtë e shpejtësisë në autostrada për të kursyer karburant.

    Duke pasur parasysh rritjen e ndjeshme të çmimeve të karburantit, ekonomistja Veronika Grimm është e hapur ndaj futjes së kufizimeve të shpejtësisë. “Nuk do të ishte turp – ndoshta edhe një sinjal i zgjuar për t’i bërë njerëzit të kuptojnë seriozitetin e situatës”, tha për gazetën Rheinische Post një anëtar i Këshillit të Ekspertëve të Zhvillimit Ekonomik të qeverisë gjermane.

    Grimm beson se masat e marra deri më tani nuk janë veçanërisht efektive: “Qeveria duhet t’i lërë çmimet të funksionojnë për të ulur kërkesën për energji.” Subvencionet shtetërore të karburantit, kufizimet administrative të çmimeve dhe një taksë mbi fitimet e tepërta të kompanive të naftës janë, sipas mendimit të saj, “rruga e gabuar”, shkruan Deutsche Welle.

    Grimm përmendi gjithashtu “vendet në jugun global”. Atje, tha ajo, “po zbatohen masa drastike, të tilla si puna e detyrueshme nga shtëpia dhe kufizimet në përdorimin e automjeteve”. “Sa më shumë shpenzojmë, aq më keq përfundon për ato vende”, shpjegoi Grimm.

    Presidenti i të Gjelbërve , Felix Banaszak, kërkoi futjen e një kufizimi të përkohshëm të shpejtësisë. Kjo, siç i tha ai revistës Spiegel, “zvogëlon menjëherë konsumin e karburantit, ul çmimet dhe në solidaritet dhe thjesht ndihmon të gjithë ata që varen nga një makinë për punë”. Kolegia e tij e partisë Ricarda Lang, në gazetën e grupit mediatik Funke, kërkoi të drejtën për të punuar nga shtëpia në mënyrë që të lehtësonte punën e punonjësve.

    Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka këshilluar tashmë masa për të ulur konsumin e karburantit në dritën e krizës së naftës të shkaktuar nga sulmi ndaj Iranit. Sipas IEA-s, masa të tilla si më shumë punë nga shtëpia, kufizime shpejtësie dhe kalimi në transportin publik mund të jenë të dobishme.

    Kufizimet e shpejtësisë në autostrada janë diskutuar disa herë më parë në Gjermani — duke përmendur mbrojtjen e mjedisit ose sigurinë në trafik. SPD, të Gjelbrit dhe të Majtët janë në favor të kufizimit, ndërsa Unioni, AfD dhe FDP janë kundër tij. Ministri gjerman i Transportit Patrick Schnieder tha së fundmi në stacionin ARD se kufizimi i shpejtësisë “nuk është ndonjë gjë e madhe” në masat shtrënguese: “Në kontekstin e përgjithshëm është mjaft i vogël”, tha politikani i CDU-së. “Ne duhet të propozojmë masa që njerëzit mund t’i pranojnë, që mund t’i përballojnë dhe që janë ekonomikisht të qëndrueshme.”

    Gjermania është praktikisht i vetmi vend në të cilin nuk ka kufizim të përgjithshëm shpejtësie në autostrada, domethënë i vetmi me një rrjet autostradash prej mbi 13 mijë kilometrash pa asnjë kufizim të përgjithshëm shpejtësie. Megjithatë, kufizimet e shpejtësisë vendosen në një pjesë të madhe të këtij rrjeti për arsye të tjera, dhe dendësia e trafikut rrallë lejon drejtimin vërtet “të lirë”. /Reporteri.net/

  • Arben Mustafa: Rritja e çmimeve po ndodhë si pasojë e mosveprimit nga Qeveria

    Arben Mustafa: Rritja e çmimeve po ndodhë si pasojë e mosveprimit nga Qeveria

    Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, për çmimet e derivateve të naftës foli deputeti Arben Mustafa, raporton Ekonomia Online.

    Mustafa në foltoren e Kuvendit tha se rritja e çmimeve po vjen si pasojë e mosveprimit nga qeveria.

    “Po kalojmë në një valë të re të rritjes së çmimeve. Dhe kjo rritje e çmimeve nuk po vjen vetëm nga jashtë, po vjen nga brenda si pasojë e mosveprimit të kësaj qeverie. Dhe kjo nuk është hera e parë. Ngjashëm ka ndodhur në vitin 2022. Edhe atëherë e lat inflacionin të shpërthejë lirshëm, ndërsa qytetarët i latë të vetëm të ballafaqohen me rritjen e çmimeve.

    Çmimi i naftës ka rritur rreth 1.80 cent për litër me sa i pashë disa raportime edhe me 2 euro. Për një ndër vendet më të varfra në Evropë, ky çmim i naftës është i papërballueshëm. Por problemi nuk qëndron vetëm te nafta. Kur rritet çmimi i naftës, rritet kostoja e transportit, rritet kostoja e prodhimit, kostoja e furnizimit, dhe si rezultat rriten çmimet e të gjitha produkteve që qytetarët i konsumojnë. Por në këtë rritje zinxhirore, shteti nuk është vetëm spektator, shteti është edhe përfitues. Është përfitues për shkak se nga 1 euro e 80 për një litër naftë që paguan qytetari, rreth 60 cent janë taksa që i merr shteti nga qytetarët. Pra përherë që një qytetar furnizohet me naftë, ai nuk paguan vetëm karburantin, por paguan edhe taksat për buxhetin e shtetit.

    Kjo do të thotë se sa më shumë që rritet çmimi i naftës, aq më shumë rriten edhe të hyrat e shtetit. Dhe përderisa familjet detyrohen të reduktojnë shpenzimet bazike, përderisa bizneset përballen me kosto më të larta dhe bujqit hyjnë në sezon me kosto të rënduara financiare, përfituesja e vetme e kësaj rritje të çmimeve është qeveria të cilës i rriten të hyrat buxhetore. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi kryesor“, tha Mustafa.

  • Tahiri: A jemi vendi më i pasur në Evropë që s’po marrim veprime për çmimin e naftës

    Tahiri: A jemi vendi më i pasur në Evropë që s’po marrim veprime për çmimin e naftës

    Shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka kritikuar Qeverinë gjatë seancës të jashtëzakonshme në Kuvend të thirrur për të diskutuar mbi çmimin e naftës.

    Ai tha se, ndryshe nga shumë vende të botës që po ndërmarrin masa për të zbutur efektet e krizës globale, Kosova po qëndron pa veprime konkrete.

    “Italia ka marrë vendim për pako mbështetëse, Spanja gjithashtu. Kanë marrë veprime edhe vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria. A mund të dimë vëlla pse ne jo? A jemi ne vendi më i pasur në Evropë që nuk po marrim veprime?” tha Tahiri.

  • Sa mund të zgjasin rezervat e naftës të BE-së?

    Sa mund të zgjasin rezervat e naftës të BE-së?

    Bashkimi Evropian ka liruar 92 milionë fuçi naftë nga rezervat emergjente për të përballuar rritjen dramatike të çmimeve të energjisë, pas ngushtimit të furnizimeve globale nga lufta në Lindjen e Mesme.

    Analistët thonë se kjo naftë mund të zgjasë rreth 5 muaj, duke mbështetur pjesërisht konsumimin e 10.5 milionë fuçive në ditë nga vendet e BE-së, raporton Euronews.

    Rezervat strategjike dhe magazinat e vendosura nga vendet anëtare, si Franca, Gjermania dhe Italia, po përdoren gjithashtu për të shmangur mungesat e karburanteve kryesisht për dizel dhe avionë. Ekspertët paralajmërojnë se këto burime janë të kufizuara dhe, nëse konflikti në Lindjen e Mesme zgjat, mungesa e naftës mund të rritet ndjeshëm.

    Përveç përdorimit të rezervave ekzistuese, industria evropiane po shqyrton rihapjen e depozitimeve të naftës së papërdorur dhe eksplorime të reja në Detin Mesdhe dhe Detin e Zi, si një “rrjet sigurie” për furnizimet e ardhshme. Ndërkohë, BE-ja po inkurajon qytetarët të reduktojnë përdorimin e makinave dhe të përmirësojnë eficiencën e energjisë në shtëpi dhe ndërtesa.

  • Papa Leo bën thirrje për dialog mes Izraelit dhe Iranit

    Papa Leo bën thirrje për dialog mes Izraelit dhe Iranit

    Papa Leo i ka kërkuar presidentit izraelit, Isaac Herzog, rifillimin e dialogut diplomatik me Iranin për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme.

    Deklarata e Vatikanit vjen në një periudhë të tensionuar në rajon, ku përplasjet ushtarake mes Izraelit dhe Iranit kanë shkaktuar viktima dhe kanë rritur pasigurinë për banorët lokalë.

    Vatikani thekson nevojën për një zgjidhje paqësore mes përplasjeve në rritje në rajon.

  • OSBE publikon udhëzime për të ndihmuar zbatimin e ligjit të ri për rininë dhe themelimin e Këshillave Rinorë në Kosovë

    OSBE publikon udhëzime për të ndihmuar zbatimin e ligjit të ri për rininë dhe themelimin e Këshillave Rinorë në Kosovë

    Për të mbështetur zbatimin e kornizës së re ligjore për rininë, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka lansuar dy publikime të ndërlidhura, Dokumentin për Avokim “Nga Qëllimi në Ndikim – Zbatimi i Ligjit të ri për Rininë” dhe Doracakun “Themelimi dhe Menaxhimi i Këshillave Rinorë”.

    Këto publikime ofrojnë rekomandime mbi politikat dhe mjete praktike për t’u ndihmuar institucioneve dhe të rinjve ta zbatojnë në praktikë Ligjin e ri për Rininë dhe Rregulloren për Këshillat Rinorë, që përbëjnë një kornizë të re për pjesëmarrje të rinisë në nivel qendror dhe komunal.

    Mbi bazën e hulumtimeve, konsultimeve me palë interesi, dhe aktiviteteve informuese në 26 komuna, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka identifikuar disa sfida në zbatim, përfshirë mangësi në koordinim gjatë tranzicionit nga strukturat e mëhershme rinore, nivel të ulët ndërgjegjësimi te të rinjtë, mekanizma të paqartë financimi, pengesa për përfshirjen e të rinjve të margjinalizuar, dhe shqetësime të lidhura me qëndrueshmërinë e angazhimit vullnetar.

    Rekomandimet kryesore për institucionet janë:

    Forcimi i koordinimit ndërmjet Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, Agjencisë për Zhvillimin e Rinisë, komunave, këshillave rinorë dhe shoqërisë civile;

    Fillimi i zbatimit të programeve të strukturuara të trajnimit dhe mentorimit për ngritje të kapaciteteve të këshillave rinorë;

    Sigurimi i transparencës dhe gjithëpërfshirjes në proceset e përzgjedhjes, veçanërisht për të rinjtë nga radhët e komuniteteve joshumicë dhe për personat me aftësi të kufizuara.

    “Këto dy publikime, të përgatitura si pjesë e mbështetjes më të gjerë të Misionit të OSBE-së për forcimin e qeverisjes demokratike dhe gjithëpërfshirëse, ndihmojnë që korniza e re të përkthehet në pjesëmarrje kuptimplote të rinisë në vendimmarrje,” tha Pascale Roussy, Drejtoreshë e Departamentit të Demokratizimit në Misionin e OSBE-së në Kosovë.

    Doracaku shoqërues ofron udhëzime hap pas hapi për themelimin e Këshillave Rinorë dhe i përkthen dispozitat ligjore në instrumente, modele dhe shembuj të qasshëm që të ndihmojnë përfaqësuesit rinorë, autoritetet komunale dhe institucionet qeveritare në zbatimin e kornizës së re në mënyrë transparente dhe konsistente.

    Gjatë këtij viti, Agjencia për Zhvillimin e Rinisë, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, do ta prezantojë doracakun në aktivitete promovuese nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

    Dokumenti për Avokim dhe Doracaku janë në dispozicion këtu:

    https://omik.osce.org/sq/mission-kosovo/662578

  • Gjendet një granatë në një podrum të në ndërtese në veri, ekipet e deminimit e largojnë në mënyrë të kontrolluar

    Gjendet një granatë në një podrum të në ndërtese në veri, ekipet e deminimit e largojnë në mënyrë të kontrolluar

    Një mjet i cili dyshohet të jetë granatë, është gjetur sot rreth orës 11:15 në rrugën “Milan Shuflai” në Mitrovicë të Veriut.

    Lajmi është konfirmuar nga shefi i planifikimit në kuadër të operativës rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Erduan Baliu.

    “Dyshohet për një mjet të dyshimtë (granatë)”, ka deklaruar Baliu.

  • Kusari-Lila: Ulja e akcizës për naftën vendim i lehtë, me dëm të madh

    Kusari-Lila: Ulja e akcizës për naftën vendim i lehtë, me dëm të madh

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka kritikuar propozimin e opozitës për uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën.

    Kusari-Lila në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, tha se vendimi për ulje të akcizës dhe TVSH-së është vetëm vendim i lehtë dhe i shpejtë, por me dëm të madh.

    “Kërkesat kryesor në raport me heqje të akcizës dhe TVSH-së, të cilat po konsistojnë në vazhdimësi duke u përsëritur, janë e para vetëm të lehta dhe mendimi se kemi bërë diçka, por nuk është ideja për të sjellë vetëm vendime të shpejta e të lehta me dëm të madh. Ideja është për të bërë analiza të mirëfillta dhe për të ruajtur mirëqenien e atyre që kanë nevojë të ruhen më së shumti me mekanizma shtetëror”, tha Kusari-Lila.

    Edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kjo masë do të kishte efekt shumë të vogël për qytetarët, por humbje të mëdha për buxhetin e shtetit.

  • Kollçaku: Jam kandidate për presidente

    Kollçaku: Jam kandidate për presidente

    Deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, tha se vazhdon të jetë kandidate për presidente.

    Në një përgjigje për RTV21, deputetja Kollçaku e la të hapur mundësinë që, nëse arrihet marrëveshje politike, të heqë dorë nga kandidatura.

    “Deri tani jam, por jemi në pritje të opozitës se çfarë do të na propozojë. Krejt çka është në të mirë të Kosovës.”, tha ajo.