ATV

Category: Lajme

  • Në një pompë në Kosovë, çmimi i naftës shkon mbi 2 euro për litër

    Në një pompë në Kosovë, çmimi i naftës shkon mbi 2 euro për litër

    Pas rritjes së fundit, çmimi i naftës në Kosovë ka shkuar nga 1.82 euro për litër dje në 2.03 euro për litër sot.

    Kjo ngritje e shpejtë ndikon drejtpërdrejt në qytetarë dhe biznese, duke rritur kostot e jetesës dhe operimit.

    Autoritetet po monitorojnë situatën dhe kërkojnë furnizime të qëndrueshme në treg.

  • Kurti: Javën e ardhshme takimet me opozitën për presidentin

    Kurti: Javën e ardhshme takimet me opozitën për presidentin

    Kreu i Qeverisë së Kosovës dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se do të ketë takime javën e ardhshme për çështjen e presidentit.

    Kurti duke shkuar për në seancë të Kuvendit ka thënë se është në kontakt edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe me kreun e PDK-së, Bedri Hamza.

    “Do të ketë takime në javën e ardhshme”, ka thënë Kurti.

    Gjykata Kushtetuese u ka dhënë kohë ligjvënësve të Kosovës mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi e rrëzoi një dekret të presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, më 25 mars për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjedhjes së presidentit në një seancë më 5 mars.

    Negociatat mes LVV-së dhe partive opozitare për gjetjen e një emri për president kishin dështuar pavarësisht takimeve të shumta. Kurti ndërkohë nuk ka pranuar që ta kandidojë edhe për një mandat, Vjosa Osmanin, gjë që ka çuar në një përplasje në mes të kabinetit të Vjosa Osmanit dhe kabinetit të Kurtit.

    Kësisoj, në seancën e 5 marsit, partia në pushtet i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën. Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.

    Një ditë pas ndërprerjes së seancës më 5 mars, Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

    Nëse procesi i zgjedhjes së presidentit dështon brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë, vendi shkon në zgjedhje.

  • Nga tregtia te siguria ushqimore – Kosova dhe Shqipëria thellojnë bashkëpunimin strategjik në bujqësi

    Nga tregtia te siguria ushqimore – Kosova dhe Shqipëria thellojnë bashkëpunimin strategjik në bujqësi

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka pritur sot në takim Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Andis Salla, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit bilateral në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

    Sipas një njotimi për media thuhet se gjatë takimit, Muja shprehu gatishmërinë e plotë për të avancuar dhe zgjeruar bashkëpunimin me Shqipërinë, duke theksuar se bashkërendimi i politikave dhe projekteve të përbashkëta është kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit agro-ushqimor në të dy vendet.

    “Në fokus të diskutimeve ishin lehtësimi i tregtisë ndërmjet dy vendeve dhe reduktimi i barrierave administrative, si dhe mbështetja e eksporteve dhe qasja në tregjet ndërkombëtare. Po ashtu, u diskutua edhe për tema të tjera në fushën e promovimit të përbashkët”, thuhet në njoftim.

    Tutje siç thuhet në njoftim, palët diskutuan gjithashtu për realizimin e projekteve të përbashkëta dhe forcimin e bashkëpunimit me donatorë ndërkombëtarë, me qëllim rritjen e investimeve dhe zhvillimin e kapaciteteve në sektorin bujqësor.

    “Në kuadër të sigurisë ushqimore, u theksua rëndësia e forcimit të rolit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), si dhe nevoja për njohjen dhe unifikimin e certifikatave dhe procedurave ndërmjet dy vendeve. Po ashtu, u diskutua identifikimi i laboratorëve dhe metodave për akreditim reciprok, si dhe shkëmbimi i informatave për nevojat e akreditimit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB). Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua edhe shërbimeve këshillimore në bujqësi, përmes Qendrave për Transfer të Teknologjisë Bujqësore (QTTB), si dhe avancimit të digjitalizimit dhe inovacionit në sektorin e bujqësisë dhe pylltarisë”, thuhet në njoftim.

  • Faton Peci tha se u hodh poshtë kallëzimi penal ndaj tij për grantet në bujqësi, Prokuroria Speciale e demanton

    Faton Peci tha se u hodh poshtë kallëzimi penal ndaj tij për grantet në bujqësi, Prokuroria Speciale e demanton

    Ish-ministri i Bujqësisë dhe aktualisht kryetar i Mitrovicës, Faton Peci, tha se Prokuroria Speciale e ka hedhur poshtë kallëzimin penal ndaj tij për grantet në bujqësi sa ishte në krye të kësaj ministrie. Por, këtë e ka demantuar Prokuroria Speciale e cila tha se rasti i cili është hedhur poshtë ka të bëjë me çështjen e ushtrimit të dy funksioneve në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.

    “Prokuroria e Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik se rasti për të cilin po raportohet se është hedhur kallëzimi penal ndaj F.P., nuk ndërlidhet me hetimet që janë duke u zhvilluar lidhur me dyshimet për keqpërdorim të granteve në sektorin e bujqësisë. Rasti në fjalë ka të bëjë me një kallëzim penal të paraqitur nga subjekti politik LDK, i cili ndërlidhet me çështjen e ushtrimit të dy funksioneve në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës tha se “mbetet e përkushtuar për të informuar drejt opinionin publik, duke respektuar parimin e transparencës, si dhe duke ruajtur integritetin e procedurave hetimore”.

    Hidhet poshtë kallëzimi penal i LDK-së kundër Faton Pecit për grantet në bujqësi

  • Rreth 25 shtëpi të përmbytura në Greqi, shkak rreshjet e mëdha të shiut

    Rreth 25 shtëpi të përmbytura në Greqi, shkak rreshjet e mëdha të shiut

    Moti i keq i quajtur “Erminio” ka goditur disa zona të Greqisë gjatë 48 orëve të fundit, me erëra të forta dhe stuhi intensive, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, veçanërisht në ishullin Poros.

    Banorët e ishullit përballen me pasojat e stuhisë, ndërsa të mërkurën, ura në rrugën kryesore bregdetare të Askelit, pranë Panagitsa, u shemb për shkak të presionit të ujit dhe peshës së materialeve të transportuara nga stuhia.

    Për të vlerësuar dëmet dhe për të monitoruar situatën, Zëvendësministri i Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, Konstantinos Katsafados, do të vizitojë ishullin mesditën e sotme dhe do të kryejë një inspektim të zonave të prekura.

  • Çfarë mund të tregojë aroma juaj natyrale për shëndetin tuaj

    Çfarë mund të tregojë aroma juaj natyrale për shëndetin tuaj

    Shpesh e shohim aromën e trupit si një bezdi – diçka që duhet mbuluar me deodorant ose një dush të shpejtë. Megjithatë, aromat që prodhon trupat tanë në fakt mund të zbulojnë shumë gjëra të habitshme rreth shëndetit tonë.

    Nga vjen aroma e trupit?

    Aroma jonë fillon me djersën – por jo të gjitha janë njësoj. Shumica e aromave të trupit ndodhin kur bakteret reagojnë me sekrecionet e gjëndrave apokrine, të cilat ndodhen kryesisht në sqetulla dhe ijë, raporton Science Focus .

    Këto gjëndra sekretojnë një lëng më të trashë dhe të pasur me proteina, i cili në vetvete ka një erë shumë të lehtë. Megjithatë, kur zbërthehet nga bakteret në lëkurë, krijon një erë të fortë dhe të veçantë nën sqetulla.

    Në të kundërt, gjëndrat ekrine, të cilat janë të shpërndara pothuajse në të gjithë trupin, sekretojnë një përzierje të holluar uji dhe kripe. Zakonisht nuk ka erë të fortë, por mund të kontribuojë në një erë të pakëndshme kur bakteret shumohen në lëkurë.

    Çfarë mund të thotë aroma e trupit për shëndetin?

    Ndryshimet delikate në aromë ndonjëherë mund të tregojnë probleme shëndetësore. Për shembull, diabeti i kontrolluar dobët mund të shkaktojë një erë të ëmbël frutash ose erë lëkure, e cila shpesh përshkruhet si erë karameli ose acetoni.

    Kjo mund të jetë një shenjë e ketoacidozës diabetike, një gjendje emergjente në të cilën ketonet grumbullohen në gjak për shkak të mungesës së insulinës.

    Në mënyrë të ngjashme, sëmundja e mëlçisë është shoqëruar prej kohësh me një erë karakteristike të ndenjur ose “fekale”, ndërsa dështimi i veshkave mund të shkaktojë një erë të ngjashme me amoniakun pasi trupi nuk arrin të nxjerrë substancat e dëmshme.

    Infeksionet gjithashtu mund të ndryshojnë erën, ashtu si edhe ndryshimet hormonale si shtatzënia, periudha pas lindjes, cikli menstrual dhe menopauza.

    Është interesante që shkencëtarët po hetojnë nëse nuhatja e njeriut mund të ndihmojë në diagnostikimin më të hershëm dhe më të saktë të sëmundjeve.

    Hulumtimet e fundit, për shembull në sëmundjen e Parkinsonit, kanë treguar se disa komponime organike të paqëndrueshme të lëshuara përmes lëkurës mund të ndryshojnë shumë kohë përpara se të shfaqen simptomat e dukshme neurologjike.

    Kjo fushë kërkimi u frymëzua pjesërisht nga njerëz me një shqisë shumë të zhvilluar të nuhatjes – përfshirë një grua që vuri re një erë specifike myshku tek burri i saj vite para se ai të diagnostikohej me sëmundjen e Parkinsonit.

    Stili i jetesës, ushqyerja dhe gjenetika

    Sigurisht, jo të gjitha aromat janë shkak për shqetësim. Ushqime si hudhra, qepa dhe salca me salcë kerri përmbajnë përbërës të paqëndrueshëm që ekskretohen nëpërmjet djersës. Alkooli, kafeina dhe ilaçe të ndryshme gjithashtu mund të ndryshojnë aromën e trupit.

    Edhe stresi mund të ndikojë në mënyrën se si nuhasim, përmes ndryshimeve në përbërjen e djersës.

    Mikrobioma natyrale e lëkurës – bashkësia e baktereve që jetojnë në lëkurën tonë – luan gjithashtu një rol të rëndësishëm, prandaj disa njerëz kanë një erë më të fortë se të tjerët.

    Çfarë mund të bëni nëse era e trupit është shqetësuese?

    Higjiena e mirë është më e rëndësishmja. Larja e rregullt me ​​sapun, veçanërisht në zonat e trupit me shumë gjëndra apokrine, zvogëlon numrin e baktereve që zbërthejnë djersën.

    Antiperspirantët zvogëlojnë sekretimin e djersës, ndërsa deodorantët maskojnë erën.

    Veshja e rrobave që marrin frymë, siç janë pambuku ose materialet që thithin lagështinë, mund të kufizojë rritjen e baktereve, veçanërisht gjatë ushtrimeve. Hidratimi i mjaftueshëm dhe një dietë e ekuilibruar gjithashtu mund të zvogëlojnë erën.

    Nëse ndryshimet në erë janë afatgjata, të pashpjegueshme ose të shoqëruara me simptoma të tjera – veçanërisht diabeti, sëmundja e mëlçisë ose e veshkave – duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

  • Nga sot Wizz Air korrigjon emrin e destinacionit, nga “Priština” në “Prishtina”

    Nga sot Wizz Air korrigjon emrin e destinacionit, nga “Priština” në “Prishtina”

    Kompania ajrore Wizz Air ka korrigjuar përkatësinë e destinacionit Prishtinë, duke e ndryshuar nga “Priština” në “Prishtina” ose “Pristina”. Lajmin e ka dhënë ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

    “Falë reagimit të qytetarëve tanë dhe angazhimit tonë diplomatik, kompania ajrore Wizz Air ka korrigjuar përkatësinë e destinacionit Prishtinë, duke e ndryshuar nga “Priština” në “Prishtina” ose “Pristina”.

    Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete.

    Nëse hasni ndonjë institucion apo kompani gjermane ku Republika e Kosovës apo qytetet tona nuk paraqitet në mënyrë korrekte, ju lutemi të na shkruani në [email protected], duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse, në mënyrë që këto pasaktësi të adresohen dhe korrigjohen” shkruan Ajeti në njoftim.

  • Miratohet projektligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

    Miratohet projektligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës të mbajtur sot (e premte), 3 prill 2026, ka miratuar Ligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

    Miratimi i projektligjit për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” shënon një hap të rëndësishëm për Kosovën në drejtim të zhvillimit sportiv dhe afirmimit ndërkombëtar. Institucionet e vendit e kanë cilësuar këtë nismë si një projekt me rëndësi të veçantë publike dhe kombëtare, që pritet të ndikojë në ekonomi, infrastrukturë dhe në imazhin e shtetit në arenën ndërkombëtare.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar rëndësinë e këtij projektligji, duke theksuar bazën e tij dhe standardet që synon të garantojë.

    “Ky projektligj i bazuar në marrëveshjen e arritur për organizimin e Lojërave Mesdhetare në Republikën e Kosovës “Prishtina” 2030 është projekt me interes të lartë publik dhe kombëtar. Ai garanton që organizimi i kësaj ngjarje madhore të bëhet me përgjegjësi të plotë institucionale me standarde të larta transparence integriteti dhe menaxhimi efikas të fondeve publike. Përmes këtij investimi strategjik ne jo vetëm që forcojmë infrastrukturën sportive dhe zhvillimin ekonomik por e vendosim Kosovën në hartën ndërkombëtare si vend që organizon ngjarje të mëdha me dinjitet dhe profesionalizëm. Ky është një investim në rinin tonë në sportin tonë dhe në imazhin ndërkombëtar të shtetit. Kjo është një dëshmi e besimit në potencialin tonë dhe vizionit për një Kosovë që konkurron dhe përfaqësohet denjësisht në skenën ndërkombëtare”, tha Kurti.

    Nga ana tjetër, ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka dhënë detaje mbi aspektin financiar dhe organizativ të projektit, duke sqaruar burimet dhe strukturën e financimit.

    “Përmes këtij ligji qeveria do të miratojë shfrytëzimin e fondeve publike për organizimin e Lojërave Mesdhetare në shumën prej të paktën 253 milionë euro. Ky projekt ligj rregullon gjithashtu kompetencat e Komunitetit Olimpik të Kosovës të komunës së Prishtinës si dhe komunave të tjera të cilat do të përmbushin obligimet e tyre në raport me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Në përputhje me mbështetjen financiare të garantuar nga qeveria e Republikës së Kosovës në dokumentin e kandidaturës, burimi kryesor i financimit për organizimin e Lojërave Mesdhetare do të jetë buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës. Gjithashtu konsiderojmë se përmes këtij projektligji do të lejohen mekanizma adekuat për organizimin e ngjarjeve sportive duke paraparë bashkëpunimin institucional dhe duke siguruar që do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për realizimin sa më të suksesshëm të tyre”, tha Gashani.

    Projektligji i miratuar përcakton qartë rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore, përfshirë Komitetin Olimpik të Kosovës dhe komunat përkatëse, duke krijuar një kornizë të plotë ligjore për organizimin e kësaj ngjarjeje madhore. Pas votimit në Kuvend, hapet rruga për nisjen e përgatitjeve konkrete për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, të cilat synojnë ta vendosin Kosovën në mesin e organizatorëve të rëndësishëm të ngjarjeve sportive ndërkombëtare.

  • “Bllokada” për Presidentin, Kusari-Lila ia ngarkon opozitës: Po e ngushtojnë hapësirën për konsensus

    “Bllokada” për Presidentin, Kusari-Lila ia ngarkon opozitës: Po e ngushtojnë hapësirën për konsensus

    Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, në konferencën e sotme pas mbledhjes së Qeverisë bëri deklarata të ngjashme si të kryeministrit Albin Kurti dje në foltoren e Kuvendit, i cili akuzoi partitë opozitare se po punojnë për zgjedhje për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri.

    Edhe Kusari-Lila tha se opozita po e ngushton hapësirën për konsensus, ndërsa për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka propozuar dy anëtarë të saj të partisë për President, tha se po i radhitin lart prioritetet e qytetarëve.

    “Kostoja oportune e shkuarjes në zgjedhje versus mos-shkuarjes në zgjedhje është e lartë dhe në kurriz të qytetarëve të Republikës. Sot kur kemi një seancë të jashtëzakonshme në raport me ngritjen e çmimeve dhe kërkesat e vazhdueshme për lehtësira që do të mund të lënë zbrazëtira në buxhetin e Kosovës, me vetëdije të plotë po angazhohen ose po punohet që të krijohet edhe një vakum tjetër në raport me procesin zgjedhor. Ajo çfarë pamë dje për prioritet e qytetarëve nuk përkonte me atë çka thuhej dhe me sjelljet që i patën disa përfaqësues të partive opozitare. Prej largimit nga salla të subjektit më të madh opozitar tek qasja dhe komunikimi i një drejtuesit të një subjekti tjetër opozitar tek mosvotimi i katër marrëveshjeve tjera ndërkombëtare disi nuk po e lënë përshtypjen e hapësirës dhe diskursit për bashkëpunim”.

    “E kuptojmë dhe jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë e Grupit më të madh Parlamentar, Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Kurti, por në rast të cenimit të këtij raporti në atë formë dhe mënyrë, hapësira për të pasë një konsensus të përbashkët po ngushtohet. Por, jo në kurriz të forcave politike, së pari të qytetarëve. Ne po mundohemi që t’i ngrisim më lart prioritet dhe për çfarë qytetarët kërkojnë nga ne të veprojmë, në këtë rast janë projektligjet dhe vendimet”.

  • Kina kundërshton rezolutën e OKB-së për Hormuzin

    Kina kundërshton rezolutën e OKB-së për Hormuzin

    Këshilli i Sigurimit të OKB do të votojë një rezolutë të propozuar nga Bahreini për mbrojtjen e rrugës së përdorur në ngushticën e Hormuzit nga anijet transportuese.

    Sipas Reuters, lajmi është bërë i ditur sot (e premte), megjithatë Kina me të drejtë vetoje, e bëri të qartë se kundërshtona fuqishëm autorizimin të përdorimit të forces në atë pjesë.

    Takimi i Këshillit të Sigurisë dhe votimi i rezolutën pritet të zhvillohet mëngjesin e së shtunës, dhe jo të premten siç ishte planifikuar fillimisht.

    Bahreini, kryesuesi aktual i Këshillit të Sigurisë, finalizoi draft rezolutën e cila do të autorizojë “të gjitha mjetet e nevojshme mbrojtëse’’ në kalimin detar.