ATV

Category: Lajme

  • Zviceranët mbledhin 5 mijë nënshkrime – ndalohet ndërtimi  i xhamisë së planifikuar në një fshat nga disa shqiptarë

    Zviceranët mbledhin 5 mijë nënshkrime – ndalohet ndërtimi i xhamisë së planifikuar në një fshat nga disa shqiptarë

    Një xhami në mes të fshatit? Shumë njerëz në Siebnen nuk e donin këtë. Tani ata e kanë arritur qëllimin, raporton SRF. Komuniteti Musliman Shqiptar, i cili donte ta shndërronte shtëpinë historike në sheshin kryesor të fshatit në një qendër kulturore islamike, po braktis planet e tij për momentin, transmeton albinfo.ch

    5,000 nënshkrime e bënë komunitetin të rishqyrtojë vendimin

    “Ne nuk duam të përçajmë popullsinë,” është shprehur kryetari i komunitetit musliman, Sinan Sadriu për programin “Rundschau”. Ai tha gjithashtu se nuk donte të përballej me sharje.

    Komuniteti shqiptar tani po kërkon një vend tjetër për xhaminë.

    Rezistenca ishte e konsiderueshme: SVP lokale mblodhi rreth 5,000 nënshkrime kundër planeve të komunitetit Mysliman Shqiptar. Një xhami “nuk i përket mesit të fshatit,” shpjegon Rita Rutz, pronare e një dyqani thurjeje përballë shtëpisë që ishte planifikuar të bëhej xhami.

    Rezistenca në Siebnen nuk është një rast i izoluar.

    Ideja e xhamive në rajon nuk është një rast i izoluar. Kohët e fundit, për shembull, rezistenca ndaj projekteve të tilla u ngrit edhe në periferi të Bernës (Wittigkofen) dhe në St. Gallen. Argumenti i përmendur shpesh është se “kultura e huaj” nuk përshtatet me Zvicrën.

  • I pakënaqur me pagën, punonjësi i vë flakën magazinës gjigante në SHBA

    I pakënaqur me pagën, punonjësi i vë flakën magazinës gjigante në SHBA

    Një punonjës është arrestuar nën dyshimin për zjarrvënie pasi flakë gjigante shkatërruan një magazinë në Ontario, Kaliforni.

    Zjarri shpërtheu gjatë natës dhe përfshiu një qendër shpërndarjeje të mbushur me produkte letre, si letra higjienike, duke u përhapur me shpejtësi të jashtëzakonshme.

    Më shumë se 170 zjarrfikës u angazhuan për të vënë nën kontroll flakët, të cilat vazhduan për orë të tëra dhe shkaktuan shembjen e çatisë së ndërtesës.

    Autoritetet identifikuan si të dyshuar një 29-vjeçar, i cili ishte punonjës i objektit.

    Ai u arrestua dhe përballet me disa akuza të rënda për zjarrvënie.

    Sipas hetimeve, zjarri u konsiderua i dyshimtë që në fillim për shkak të përhapjes së shpejtë dhe mundësisë së disa pikave ndezjeje.

    I dyshuari ka postuar edhe video në rrjete sociale ku shihet duke ndezur zjarrin, duke përmendur pakënaqësi për pagën.

    Fatmirësisht nuk pati viktima, por dëmet materiale janë të mëdha dhe shumë punonjës mbetën pa punë pas shkatërrimit të plotë të magazinës.

  • Dita e Kushtetutës, Vlora Çitaku shkruan për kontributin e Hajredin Kuçit: Njerëz që ndërtuan nga hiçi

    Dita e Kushtetutës, Vlora Çitaku shkruan për kontributin e Hajredin Kuçit: Njerëz që ndërtuan nga hiçi

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka vlerësuar figurën e Hajredin Kuçit në kontributi për Kushtetutën e Kosovës.

    Kosova sot shënoi përvjetorin e Kushtetutës, si aktin më të lartë juridik.

    E Çitaku përmendi Hajredin Kuçin i cili ishte kryetar i Komisionit për hartimin e Kushtetutës.

    Ajo kishte fjalët më të mëdha për të, duke thnëë se Kuçi dhe të tjerët ishin njerëz që ndërtuan nga hiçi.

    Postimi i plotë:

    Sot ndjeva një mirënjohje të thellë. Jo vetëm për një njeri, por për një kohë. Për një frymë. Për një përgjegjësi që dikur peshohej ndryshe.

    Hajredin Kuçi, Profa ynë, ishte ndër ata që nuk e panë shtetin si privilegj, por si detyrim. Si mision. Si Kryetar i Komisionit për Hartimin e Kushtetues, Profa u angazhua e punoi pa ndalë, me maturi, profesionalizëm, duke kërkuar konsensus gjithmonë.

    Në ditën e miratimit të Kushtetutës, Kosova nuk po votonte thjeshtë vetëm një dokument. Po ia vendoste themelet vetes si shtet. Dhe këtë e bënë njerëz që e patën Kosovën të parën.

    Njerëz që ndërtuan nga hiçi.

    Që nuk u fshehën pas justifikimeve.

    Që nuk kërkuan fajtorë, por rrugë.

    Sepse kishin vizion.

    Sepse kishin guxim.

    Sepse besonin.

    Sot, më shumë se kurrë, na duhet ajo frymë.

    Ai seriozitet.

    Ai përkushtim ndaj shtetit.

    Sepse Kushtetuta nuk është vetëm tekst.

    Është kontratë me të ardhmen.

    Urime Dita e Kushtetutës.

    Ne ende besojmë.

  • Kurti nis vizitën në Londër, flet për “kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia” dhe tri parakushtet për vazhdim të dialogut

    Kurti nis vizitën në Londër, flet për “kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia” dhe tri parakushtet për vazhdim të dialogut

    Kryeministri Albin Kurti ka nisur vizitën e tij zyrtare në Londër, ku është pritur në takim nga Sekretarja për Punë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

    Kurti ka thënë se Kosova është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë “nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht obliguese të bazuar në njohje të ndërsjellë”, teksa i ka përmendur asaj tri parakushtet për vazhdimin e dialogut, si dorëzimi i Milan Radojçiqit, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, shkruan Reporteri.net.

    Në njoftimin e lëshuar nga ZKM thuhet se Kurti e ka informuar Sekretaren Cooper edhe “për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, me mbështetjen e Rusisë, përfshirë operimin me 48 bazat ushtarake të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën”.

    Sipas Kurtit, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian, janë thelbësore për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë.

    Ata kanë folur edhe për investimet në fushën e mbrojtjes, ushtrimet e përbashkëta dhe bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar për të ofruar trajnime dhe mbështetje për Ukrainën.

    Kurti ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar është partner kyç strategjik i Kosovës.

    “Kosova është partnere e besueshme për Mbretërinë e Bashkuar dhe për sigurinë e rajonit”, thuhet në njoftim.

  • Të dënuar për një vrasje në vitin 1999, arrestohen dy vëllezërit shqiptarë në Itali

    Të dënuar për një vrasje në vitin 1999, arrestohen dy vëllezërit shqiptarë në Itali

    Janë arrestuar në Itali dy vëllezër të dënuar për vrasje. Ngjarja kishte ndodhur në vitin 1999, ku në Lushnjë, të dy kanë vrarë me armë zjarri shtetasin që kishte vrarë vëllain e tyre.

    Vëllezërit, të dënuar me 32 vjet burgim, kishin siguruar leje qëndrimi në Itali duke përdorur identitete false.

    Identifikimi i tyre është rezultat i përdorimit të teknologjisë “Facial Recognition”, tashmë në dispozicion të Interpol Tiranës, thonë autoritetet.

    “Në kuadër të operacioneve ndërkombëtare të njëpasnjëshme, të finalizuara si rezultat i bashkëpunimit dhe besueshmërisë së strukturave të Policisë së Shtetit ndaj homologëve dhe partnerëve evropianë, Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSh, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, siguruan informacion për vendndodhjen në Itali, të dy vëllezërve të dënuar për vrasje. Informacioni u shkëmbye mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, me koordinimin e Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit. Si rezultat, u arrestuan në Itali shtetasit Artur Mehilli, 60 vjeç, dhe Arben Mehilli, 54 vjeç”, tha policia.

    Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2001, i ka dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, konkretisht:

    -shtetasin Artur Mehilli, me 15 vjet e 6 muaj burgim;

    -shtetasin Arben Mehilli, me 16 vjet e 6 muaj burgim.

    Më datë 12.09.1999, në Lushnjë, dy shtetasit vranë, për motive gjakmarrjeje, shtetasin R. M., i cili në vitin 1997 kishte vrarë vëllanë e tyre, shtetasin S. M.

    Të arrestuarit, pas kryerjes së krimit, janë larguar në Itali duke përdorur pasaporta me gjeneralitete false (shtetasi Artur Mehilli përdorte gjeneralitetet Artur Davidhi, ndërsa shtetasi Arben Mehilli përdorte gjeneralitetet Arben Gjermeni), nëpërmjet të cilave kishin siguruar dokumentet e nevojshme për qëndrim në Itali.

    Identifikimi i tyre u mundësua si rezultat i një pune intensive, duke përdorur teknologjinë më të fundit të identifikimit biometrik “Facial Recognition”, nga specialistët e Drejtorisë së Interpolit.

    Vijon bashkëpunimi me homologët italianë për të finalizuar procedurën e ekstradimit të dy shtetasve, në Shqipëri./A2CNN

  • Përfaqësuesi i Francës: Është e papranueshme që autorët e Banjskës të jenë në liri

    Përfaqësuesi i Francës: Është e papranueshme që autorët e Banjskës të jenë në liri

    Përfaqësuesi i Francës në Kombet e Bashkuara, Jérôme Bonnafont, ka theksuar se është e papranueshme që dy vite pas sulmit në Banjska, autorët të mbesin të lirë.

    “Gati 2 vjet e gjysmë pas aktit të Banjskës, është e papranueshme që ata që janë përgjegjës, të jenë në liri. Ata duhet të vihen para drejtësisë dhe të japin llogari. Franca vazhdon të mbështes përpjekjet e UNMIK-ut në koordinim më KFOR-in dhe misionin e EULEX-it, mandati i UNMIK-ut është pandashëm i ndërlidhur me marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.” tha ai.

    Bonnafont ka vlerësuar gjithashtu zhvillimin e zgjedhjeve lokale të fundit, duke thënë se Franca “duartroket” për mënyrën se si janë mbajtur ato.

    Ai ka folur edhe për Dialogun, duke bërë thirrje për Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve në kuadër të Dialogut të Brukselit.

  • Operacioni antidrogë godet VIP-at në Turqi: 11 persona të ndaluar, 3 në kërkim

    Operacioni antidrogë godet VIP-at në Turqi: 11 persona të ndaluar, 3 në kërkim

    Autoritetet turke kanë lëshuar urdhër ndalimi për 14 të dyshuar në një operacion antidrogë që përfshin figura të njohura publike dhe personazhe të famshëm. Deri tani, 11 prej tyre janë ndaluar, 2 janë në kërkim, ndërsa 1 person ndodhet jashtë vendit.

    Ndër të ndaluarit janë emra të njohur si aktori Hafsanur Sancaktutan, këngëtari Emir Can İğrek, këngëtari dhe modeli Burak Deniz, si dhe këngëtari Mert Demir.

    Prokuroria Kryesore e Anadollit në Stamboll bëri të ditur se urdhrat e ndalimit janë lëshuar për persona të dyshuar për veprat penale “blerje, pranimi ose posedimi i drogës apo substancave stimuluese për përdorim, ose përdorimi i tyre”, si dhe “furnizimi me drogë apo substanca stimuluese”. Hetimi po zhvillohet në bashkëpunim me Drejtorinë e Luftës kundër Narkotikëve të Xhandarmërisë së Stambollit.

    Përveç emrave të lartpërmendur, në mesin e të ndaluarve përfshihen edhe Serra Pirinç, Ogün Alibaş, Utku Ünsal, Elif Büşra Pekin, Emre Öztürk (Fel), Ender Eroğlu dhe Enes Güler.

    Ndërkohë, vazhdojnë përpjekjet për arrestimin e Somer Sivrioğlu, Sinem Özenç Ünsal dhe Ahsen Eroğlu, për të cilët është lëshuar gjithashtu urdhër ndalimi.

    Këngëtari Yusuf Güney, i cili ishte ndaluar më parë dhe kishte rezultuar pozitiv në test, është ndaluar sërish nën akuzën e nxitjes së përdorimit të drogës.

  • Danimarka në KS të OKB-së: Serbia t’i sjellë kryesit e sulmit të Banjskës para drejtësisë

    Danimarka në KS të OKB-së: Serbia t’i sjellë kryesit e sulmit të Banjskës para drejtësisë

    Përfaqësuesja e Danimarkës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Christina Markus Lassen, gjatë mbledhjes për punën e UNMIK-ut, ka kërkuar që Serbia të përmbahet nga pengimi i Kosovës për t’u përfshirë në organizata ndërkombëtare.

    Ajo theksoi se marrëveshjet duhet të zbatohen me mirëbesim dhe kërkoi hapa konkretë nga Serbia për të siguruar llogaridhënie, duke i dërguar para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë.

    “Për Serbinë kërkohet që të përmbahet nga pengimi i Kosovës që të përfshihet në organizata ndërkombëtare. Marrëveshjet duhet të zbatohen në mirëbesim. Dhe kërkohen hapa konkretë nga Serbia për të siguruar llogaridhënie duke i sjellur kryesit e sulmit të Banjskës para drejtësisë. Kjo është një çështje që vazhdon të ndikojë negativisht”, tha Lassen.

    Lassen inkurajoi gjithashtu organizimin e një takimi të nivelit të lartë për të vazhduar dialogun dhe për të arritur rezultate konkrete.

  • Britania e Madhe kërkon njohjen e Kosovës dhe dënimin e Radojiçiqit

    Britania e Madhe kërkon njohjen e Kosovës dhe dënimin e Radojiçiqit

    Përfaqësuesja e Britanisë së Madhe në Këshillin e Sigurimit ka bërë thirrje për njohjen e Kosovës dhe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ajo theksoi se autorët e sulmit në Banjska, përfshirë Milan Radoiçiqin, duhet të mbahen përgjegjës.

    “Vazhdojmë t’iu bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të implementojnë marrëveshjet ekzistuese dhe t’i zgjidhin mospajtimet përmes dialogut të BE-së”, tha përfaqësuesja britanike.

    “Pas më shumë se dy vitesh nga sulmi në Banjska ne përsërisim thirrjen tonë për Serbinë që të vë para përgjegjësie autorët, përfshirë Radojicicin”, shtoi ajo.

  • Bruce: Trump dhe amerikanët presin zotime që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet

    Bruce: Trump dhe amerikanët presin zotime që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet

    Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Tammy Bruce, ka përsëritur qëndrimin e SHBA-së për mbylljen e misionit të UNMIK-ut.

    Ajo ka theksuar se udhëheqja nga institucionet e Kosovës dhe prania ndërkombëtare po e çojnë vendin drejt të njëjtit përfundim: UNMIK-ut i ka ardhur fundi.

    “UNMIK-u është krijuar më 1999 në bazë të Rezolutës 1244 për të ofruar një prani ndërkombëtare për të ndihmuar në stabilizimin e mjedisit pas luftës në Kosovë. Ky ka qenë moment tjetër, mision tjetër dhe Kosova ka qenë vend tjetër. Tani kjo nuk është realiteti në terren. Nuk ka arsyetim që Kosova të trajtohet më 2026 sikur ishte në vitin 1999. Sot KFOR-i ndihmon që të ruhet siguria në rajon. UNMIK-u nuk luan më rol as qeverisës, as ushtarak e as të ndërmjetësimit. Nuk po adreson as sigurinë e as paqeruajtjen dhe nuk po e avancon as normalizimin”, ka thënë ajo.

    Bruce ka shtuar se shtetet që financojnë UNMIK-un duhet të shqyrtojnë për çfarë po paguajnë në këtë mision.

    “Rruga e vetme përpara është normalizimi. Presidenti Trump dhe amerikanët po dëgjojnë me kujdes që ju të zotoheni qartë për të punuar dhe për të prosperuar së bashku. Shpresojmë që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, të dyja palët të ulin temperaturën dhe do të bëjnë deeskalim e do të ulen në tavolinë, do të punojmë për së afërmi me liderë që shohin nga e ardhmja, jo nga e kaluara, me një dialog të vërtetë e jo teatër”, ka deklaruar ajo.