ATV

Category: Lajme

  • Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, në rendit dite çështja e çmimit të naftës

    Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, në rendit dite çështja e çmimit të naftës

    Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në seancë plenare. Në seancën që pritet të fillojë në ora 10:00, në rend të ditës do të jenë 12 pika.

    Seanca do të fillojë me miratimin e procesverbalit nga seanca e mëparshme për të vazhduar me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

    Në rend të ditës në seancën e sotme do të jetë edhe votimi i Propozim-Rezolutës për rritjen e çmimeve të naftë, mungesa e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në koston e jetesës si dhe stabiliteti ekonomik i vendit, që nxiti debate të ashpra pozitë-opozitë, në seancën e kaluar.

    Sot po ashtu pritet të bëhet Shqyrtimi i “Propozim-Rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999”.

    Rendi i ditës

    1. Miratimi i rendit të ditës,

    2. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

    3. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    4. Pyetjet parlamentare,

    5. Votimi i Projektligjit nr. 10/L-015 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës,

    6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-016 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika,

    7. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-017 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW, Frankfurt am Main, për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika në sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën,

    8. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-018 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0,

    9. Votimi i Propozim-Rezolutës për rritjen e çmimeve të naftë, mungesa e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në koston e jetesës si dhe stabiliteti ekonomik i vendit,

    10. Zgjedhja e 1 (një) anëtari Joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës,

    11. Shqyrtimi i “Propozim-Rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999”,

    12. Propozimi i grupeve parlamentare të PDK-së dhe AAK-së për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

    Vendi: Salla e Kuvendit
    Koha: 10:00

  • Azemi: KEDS dhe Ministria po i fshehin provat për njehsorët elektrikë

    Azemi: KEDS dhe Ministria po i fshehin provat për njehsorët elektrikë

    Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, e ka akuzuar Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë bashkë me KEDS-in se po i fshehin provat lidhur me skandalin e njehsorëve elektrikë.

    Azemi ka thënë se KEDS-i bashkë me ministrinë kanë dalë në terren dhe i kanë hequr njehsorët që kanë matur gabimisht energjinë elektrike.

    Ai më tej ka thënë se me këto veprime, ata po kryejnë vepër penale.

    “KEDS-i bashkë me ministrinë po i fshehin provat, kanë dalë në terren me shpejtësi dhe i kanë hequr njehsorët që kanë matur gabimisht, ato prova i kanë dërguar diku ku ne nuk e dimë, në disa njoftime që unë i kam parë të lëshuara në fatura nga KESCO, iu është ndërruar njehsori, shkruan që njehsorin e kanë marrë për ta verifikuar dhe më pas tregojnë nëse u kanë borxh ose jo. Unë fshehjen e gjurmës e njoh si vepër penale. Prandaj, kjo është një prej gjërave që duhet ta ndalin menjëherë këtë fshehje”, ka thënë Azemi në Interaktiv të KTV.

  • 19 maji afati i fundit i Gjyqtarëve të Speciales u mbeten edhe 40 ditë për vendimin në rastin e krerëve të UÇK-së

    19 maji afati i fundit i Gjyqtarëve të Speciales u mbeten edhe 40 ditë për vendimin në rastin e krerëve të UÇK-së

    Kanë kaluar 50 ditë prej kur gjyqtarët e Dhomave të Specializuara të Hagës janë tërhequr për të kvuenduar rreth vendimit të madh në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Sipas Rregullores së Gjykatës Speciale, gjyqtarët kanë kohë 90 ditë për të marrë vendimin. Kjo përveçse në raste të jashtëzakonshme, kur ata mund të kërkojnë edhe 60 ditë të tjera.

    Prej 19 shkurtit kur ka përfunduar gjykimi, e deri më sot (9 prill), janë saktësisht 50 ditë. Pra, kanë mbetur edhe 40 ditë të tjera që gjyqtarët ta marrin vendimin, raporton Nacionale.

    Sipas kalendarit, i bie që data e fundit kur vendimi mund të shpallet, në rast se nuk shfrytëzohet ky 60-ditëshi, është 19 maji.

    Deri më tash, Gjykata Speciale ka bërë të ditur se nuk ka asnjë vendim që tregon se gjyqtarët kanë kërkuar kohë shtesë. Pra, mbetet në fuqi afati 90-ditor, më saktë, data e fundit 19 maj.

    “Siç e dini, Trupi Gjykues ka deri në 90 ditë për të marrë një vendim dhe nëse i duhet më shumë kohë, këto 90 ditë mund të zgjaten. Bazuar në dosjet publike, aktualisht nuk ka asnjë vendim apo dosje tjetër që tregon nëse do të kërkohet kohë shtesë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale për Nacionalen.

    Në Rregulloren e Procedurës dhe Provave të Gjykatës Speciale, jepen detaje se gjyqtarët vendosin për secilën akuzë veç e veç.

    Në raste të rralla kur atyre iu duhet kohë shtesë, mund ta përdorin edhe afatin prej 60-ditësh shtesë.

    “Vendimi i gjykimit shqiptohet brenda nëntëdhjetë (90) ditësh pas mbylljes së çështjes gjyqësore sipas rregullës 136, dhe në të mund të përfshihet edhe një vendim sipas nenit 22(7) të Ligjit. Në qoftë se rrethanat e çështjes kërkojnë zgjatje të mëtejshme të afatit, kjo nuk shkon më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë përveçse kur është absolutisht e nevojshme. 3Vendimi për zgjatjen e afatit është publik dhe palët e Mbrojtësi i Viktimave informohen në lidhje me të. 4Për zgjatjen e afatit jepen arsyet përkatëse”, thuhet në Rregullore.

    Pavarësisht përfundimit të procesit, Prokuroria e Hagës ka dërguar prova të reja në procedurë.

    Për këtë u ankua mbrojtja e Hashim Thaçit, dhe gjyqtarët vendosën në favor të Prokurorisë.

    Sipas vendimit të Speciales, Prokuroria ka dorëzuar materiale më 4 dhe 10 mars, por që sipas vendimit, nuk ka prova të reja në procedurë.

    “Paneli vëren se Mbrojtja e Thaçit e ngre këtë argument për herë të parë në Përgjigjen e saj dhe, në kundërshtim me Rregullin 76, këto argumente nuk adresojnë asnjë çështje të ngritur nga PSP-ja në Përgjigje. Sidoqoftë, Paneli vëren se Rregulli 139 përcakton qartë cilat prova do të shqyrtojë Paneli për qëllimet e vendimit dhe siç u tha nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake, një panel Gjyqtarësh profesionistë mund të vlerësojë vetëm provat e pranuara para tij në gjyq. Nëse ato janë, siç pretendohet nga Mbrojtja, inkriminuese apo, siç etiketohen nga PSP-ja, shfajësuese, është pra e parëndësishme dhe Mbrojtja nuk ka arritur të tregojë ndonjë paragjykim që do të kërkonte një lehtësim. Prandaj, këto argumente hidhen poshtë”, thuhet në vendim.

    “Për dallim nga parashtrimet e Mbrojtjes, Paneli gjen se dorëzimi nuk përbën parashtrim apo prova drejtuar Panelit në kuadër të këtij Rregulli”, thuhet më tutje.

    Pavarësisht përfundimit të procedurës, krerët e UÇK-së po vazhdojnë të mbahen në paraburgim. /Demokracia

  • Melania mohon çdo marrëdhënie me Epstein dhe Maxwell: Nuk jam viktimë e tij – nuk më prezantoi ai me Trump

    Melania mohon çdo marrëdhënie me Epstein dhe Maxwell: Nuk jam viktimë e tij – nuk më prezantoi ai me Trump

    Zonja e Parë e ShBA’së, Melania Trump, ka deklaruar sot para gazetarëve se ajo “nuk ka pasur kurrë një marrëdhënie” me abuzuesin seksual, Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxwell, raporton “The Guardian“, përcjell Reporteri.net.

    Ajo mohoi të ketë pasur raport shoqëror me Epstein.

    “Nuk kam qenë kurrë mike me Epsteinin…Unë nuk jam viktimë e Epsteinit. Epstein nuk më prezantoi me Donald Trumpin”, ka deklaruar Melania.

    Zonja e Parë vazhdoi duke thënë se ajo dhe presidenti ishin të ftuar në të njëjtat festa si Epsteini “nga koha në kohë”, pasi “bashkimi i rrethit social është i zakonshëm në New York dhe Palm Beach”.

    Në deklaratën e saj, Zonja e Parë sqaroi se ajo takoi Epsteinin për herë të parë vetëm në vitin 2000, në një festë ku ishte e ftuar së bashku me bashkëshortin e saj. Në atë kohë ajo njihej si Melania Knauss.

    “Nuk kisha takuar kurrë Epsteinin dhe nuk kisha dijeni për aktivitetet e tij kriminale,” tha ajo.

    “Një numër i madh i fotografive dhe deklaratave të rreme për Epsteinin dhe për mua janë shpërndarë me qëllim në rrjetet sociale për vite me radhë. Kini kujdes për atë që besoni”, deklaroi ajo.

  • Parashikimi i motit për të premten

    Parashikimi i motit për të premten

    Të premten parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell në orët e mëngjesit, më pas gjatë ditës pritet gradualisht shtim i vranësirave, të cilat vonë në mbrëmje pritet të gjenerojnë reshje të pakta lokale shiu.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-49 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej -2 deri në 2°C, ndërsa ato maksimale prej 12 deri në 17°C.

  • Haxhiu: Jam plagosur në vijë të frontit, jam krenar me atë që kam bërë për vendin tim

    Haxhiu: Jam plagosur në vijë të frontit, jam krenar me atë që kam bërë për vendin tim

    Ish-deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, për herë të parë ka folur rreth plagëve të tij të marra gjatë ballafaqimit me forcat serbe në vijën e frontit.

    Ai deklaroi se askush nuk mund ta degradoj atë pasi ndihet krenar me atë se çka ka bërë për vendin e tij.

    “Prej se mbajë mend edhe di me logjiku, jam krenar për çdo hap të jetës time që kam bërë. Individë tillë nuk më ndalin veç më shtynë të punojë edhe më shumë”, deklaroi Haxhiu në Klan Kosova.

    Haxhiu theksoi se atakimet nga pushteti e kanë motivuar të punojnë më shumë.

  • Kusari paralajmëron zhvillime në Kuvend: Dinamika është ‘crazy’, mezi po e ndjekim

    Kusari paralajmëron zhvillime në Kuvend: Dinamika është ‘crazy’, mezi po e ndjekim

    Juristja e medias, Flutura Kusari, ka paralajmëruar një ditë të ngarkuar në Kuvendin e Kosovës, me mbledhje të rëndësishme që lidhen me çështjet e mediave dhe rregullimit të tyre.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ajo ka bërë të ditur se gjatë ditës së nesërme do të mbahen dy mbledhje me rëndësi.

    “Në ora 9, mbledhja e komisionit ad hoc për KPM – hapen dosjet e aplikuesve. Në ora 13, mbledhja e komisionit për media, shqyrtohet raporti vjetor i KPM – (o la la la)”, ka shkruar Kusari.

    Kusari ka komentuar edhe ritmin e punës në Kuvend, duke e cilësuar atë si shumë intensiv.

    “Ta dini, dinamika osht crazyyyy në parlament, mezi pe njeki. Amo s’bon mu dorëzu”, ka shtuar juristja e medias.

  • Bajqinovci i quan gënjeshtra raportimet për shtëpi në Mal të Zi

    Bajqinovci i quan gënjeshtra raportimet për shtëpi në Mal të Zi

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i ka demantuar raportimet për një shtëpi të deputetit në Mal të Zi.

    Bajqinovci i ka cilësuar si shqetësuese raportimeve, për të cilat tha se ishin të pavërteta.

    “Sqarim: Të njëjtat media që me herët shpifën se kinse e kam punësuar vëllanë në KEK, pastaj u morën me gruan, dje paskan “cituar qytetarë” kinse kam shtëpi në Mal të Zi.
    Une nuk kam asnjë shtëpi, asnjë pronë dhe asgjë jashtë Kosovës. Është shqetësuese se si disa media citojnë burime anonime pa bërë verifikimin më bazik, pa më kontaktuar fare për të pyetur nëse kjo është e vërtetë. Kjo nuk është gazetari, por shpërndarje e qëllimshme e rrenave. Nacionale, Insajderi etjj mund të citojnë këdo, por pa e marrë përgjigjen time kanë plasuar gënjeshtra rreth një prone që nuk ekziston”, thuhet në reagimin e deputetit Bajqinovci.

    Ai ka shtuar se nuk ka asnjë pronë jashtë Kosovës.

    “Ju them me plotë përgjegjës se asnjë pronë, shtëpi apo banesë nuk posedoj jashtë Kosovës. Pra, të gjitha janë gënjeshtra”, përfundon reagimi i tij.

    Ish-militanti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albert Shabani, e akuzoi deputetin Bajqinovci dje se kishte punuar në ndërtimin e shtëpisë së tij në Mal të Zi.

  • Irani s’do të lejojë më shumë se 15 anije në ditë të kalojnë nëpër Hormuz

    Irani s’do të lejojë më shumë se 15 anije në ditë të kalojnë nëpër Hormuz

    Irani nuk do të lejojë më shumë se 15 anije në ditë që të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, sipas marrëveshjes së armëpushimit të dakorduar me SHBA-në, përcjell The Guardian nga agjencia ruse e lajmeve “Tass”.

    Ngushtica 34 kilometra e gjerë mes Iranit dhe Omanit ofron kalim nga Gjiri Persik në Oqeanin Indian dhe është rruga kryesore për një të pestën e furnizimeve botërore me naftë dhe mallra të tjera.

    Ajo ishte mbyllur nga Irani që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit, duke çuar në ngritje të çmimeve të naftës në botë. Marrëveshja e armëpushimit të mërkurën mes SHBA-së dhe Iranit, parashihet rihapjen e Ngushticës, por pas vazhdimit të bombardimit të Libanit nga Izraeli, ajo është mbyllur.

  • Lideri suprem i Iranit flet për herë të parë pas armëpushimit me SHBA-në

    Lideri suprem i Iranit flet për herë të parë pas armëpushimit me SHBA-në

    Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është deklaruar për herë të parë pas shpalljes së armëpushimit mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani, duke theksuar se populli iranian ka dalë fitues nga përballja dhe se vendi do të kërkojë dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara.

    Në një mesazh të transmetuar në televizion shtetëror iranian, Khamenei nënvizoi se kjo periudhë përfaqëson një moment të rëndësishëm për vendin, ndërsa paralajmëroi edhe ndryshime në mënyrën e menaxhimit të Ngushtica e Hormuzit, një nga pikat më strategjike në botë për transportin e naftës.

    “Sot, në këtë fazë të epopesë së Mbrojtjes së Tretë të Shenjtë, mund të thuhet me bindje se ju, populli heroik i Iranit, jeni fituesi vendimtar në këtë përballje. Për të ndërtuar një ‘Iran të fortë’, është thelbësore prania dhe angazhimi i vazhdueshëm i qytetarëve tanë, ashtu siç është dëshmuar gjatë këtyre dyzet ditëve të fundit”, u shpreh ai, shkruan timesofisrael.

    Ai u drejtua iranianëve duke theksuar se nuk duhet të mendohet se me paralajmërimin për negociata me armikun, pjesëmarrja qytetare në rrugë dhe hapësira publike nuk është më e nevojshme.

    “Pavarësisht nëse, për shembull, shfaqet një periudhë qetësie në fushëbetejë, përgjegjësia e atyre që mund të jenë të pranishëm në sheshe, në lagje dhe në xhami bëhet edhe më e rëndësishme se më parë. Pa dyshim, thirrjet dhe aktiviteti juaj në hapësira publike ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin e negociatave”, u shpreh Mojtaba Khamenei.

    Khamenei theksoi se Irani nuk ka kërkuar kurrë luftë, por nuk do të heqë dorë nga të drejtat e tij legjitime në asnjë rrethanë, duke konsideruar të gjithë frontin e rezistencës si një tërësi të bashkuar.

    “Me lejen e Zotit të Madhërishëm, nuk do të lejojmë që agresorët kriminalë të mbeten të pandëshkuar. Pa dyshim, do të kërkojmë dëmshpërblim për çdo dëmtim të shkaktuar, kompensim për dëshmorët dhe invalidët e kësaj lufte, dhe do ta çojmë menaxhimin e Ngushtica e Hormuzit në një nivel të ri”, u shpreh ai.

    Ai pati edhe një mesazh të qartë për fqinjët jugorë të Iranit.

    “Jeni dëshmitarë të një mrekullie, prandaj shikoni me kujdes, kuptoni dhe qëndroni në anën e duhur. Ruhuni nga premtimet e rreme të djajve të këqij. Ne ende presim një reagim të duhur nga ju, në mënyrë që të tregojmë vëllazërinë dhe qëllimet tona të mira; kjo nuk mund të ndodhë përveçse nëse largoheni nga fuqitë arrogante”, përfundoi Mojtaba Khamenei.

    Ndryshe, SHBA-ja dhe Irani do të nisin të shtunën negociatat për arritjen e paqes pasi tashmë në fuqi është një armëpushim dy-javor.