ATV

Category: Lajme

  • Haxhiu bën homazhe në Koshare

    Haxhiu bën homazhe në Koshare

    Kryetarja e Kuvendit, njëherësh ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu bashkë me kabinetin qeveritar dhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë homazhe në Koshare, për të përkujtuar dëshmorë që ranë në vitin 1999 për çlirimin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Më 9 prill 1999, para 27 vjetësh luftëtarët e UÇK-së, të udhëhequr nga Brigada 138 “Agim Ramadani”, arritën të thyejnë kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke hapur rrugën për furnizimin me armatim dhe mbështetje logjistike.

  • OVL-UÇK për Betejën e Koshares: Kjo ditë shënon një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë çlirimtare

    OVL-UÇK për Betejën e Koshares: Kjo ditë shënon një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë çlirimtare

    Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, ka ndëruar dëshmorët e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, në 27-vjetorin e rënies së tyre.

    Sipas tyre, kjo ditë shënon një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë çlirimtare.

    Postimi i plotë:

    Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, sot me respekt dhe përulje, nderuan dëshmorët e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të cilët prehen të qetë në Kompleksin Memorial në Koshare, pikërisht në përvjetorin e fillimit të Betejës së Koshares.

    Kjo ditë shënon një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë çlirimtare, ku bijtë më të mirë të kombit dhanë jetën për lirinë që gëzojmë sot.

    Lavdi e përjetshme trimave që ranë në këtë betejë!

  • Irani: SHBA duhet të zgjedhë midis luftës dhe armëpushimit

    Irani: SHBA duhet të zgjedhë midis luftës dhe armëpushimit

    Zëvendësministri i jashtëm i Iranit deklaroi se SHBA-të duhet të zgjedhin nëse duan luftë apo paqe.

    “Ata nuk mund t’i kenë të dyja në të njëjtën kohë. Ato përjashtojnë njëra-tjetrën, është mjaft e qartë”, theksoi ai.

    Saeed Khatibzadeh tha se sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Liban janë një “shkelje e rëndë” e armëpushimit SHBA-Iran.

    “Irani u kërkon “të gjithëve në Lindjen e Mesme t’i përmbahen kësaj marrëveshjeje… dhe ne presim që amerikanët të bëjnë të njëjtën gjë me aleatët e tyre”, deklaroi Khatibzadeh, shkruan Abcnews.al.

    I pyetur nëse Irani do të tërhiqet nga negociatat nëse sulmet izraelite vazhdojnë, ai tha: “Ne po përqendrohemi shumë në mirëqenien e të gjithë Lindjes së Mesme”.

  • Varka fundoset në Kanalin Anglez, katër emigrantë të vdekur

    Varka fundoset në Kanalin Anglez, katër emigrantë të vdekur

    Katër persona kanë vdekur në brigjet e Francës veriore pasi u përpoqën të kalonin Kanalin Anglez.

    Autoritetet franceze thanë se viktimat ishin dy burra dhe dy gra. Varka e emigrantëve u fundos në tentativë për të kaluar në Britaninë e Madhe, ndërsa një operacion kërkim-shpetimi nisi pas incidentit në brigjet e Boulogne në jug të Calais.

    Sipas mediave lokale rreth 30 persona janë nën kujdesin e shërbimeve të emergjencës.

    Pas javësh me kushte të vështira, moti në Kanal ka qenë i qetë gjatë ditëve të fundit, teksa kalimet kanë tendencë të rriten në muajt e verës.

    Gjatë tre viteve të fundit, kalimet në Kanal janë rritur, me 41,472 njerëz që kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla në vitin 2025.

    Gjatë vitit të kaluar, kontrabandistët e njerëzve kanë përdorur barka motorike përgjatë pjesëve të bregdetit verior francez dhe belg, duke mbledhur emigrantë përgjatë bregut

    Midis 1 janarit dhe 26 marsit 2026, një total prej 4,441 personash kaluan Kanalin Anglez me varkë të vogël nga Franca.

    Kjo shifër është 33% më e ulët se numri i atyre që kishin arritur në Mbretërinë e Bashkuar deri në këtë pikë në vitin 2025, megjithëse kushtet e motit mund të kenë luajtur një rol.

  • Vrasja e 38 vjeçares nga Kosova, Ish-kancelari austriak Kurz thirrje për të ndihmuar familjen e viktimës

    Vrasja e 38 vjeçares nga Kosova, Ish-kancelari austriak Kurz thirrje për të ndihmuar familjen e viktimës

    Tronditja pas vrasjes së 38-vjeçares nga Kosova, nënës së katër fëmijëve në Sooß, Austri e Ulët, është ende e thellë. Ish-kancelari Sebastian Kurz në rrjetet sociale, ka shprehur gjithashtu ngushëllimet e tij dhe ka shpërndar një apel për donacione për familjen e viktimës.

    Ngjarja tragjike e cila ndodhi të dielën e kaluar në qytetin Sooß, në Austri, ka tronditur opinionin e gjerë austriak dhe komunitetin shqiptar, raporton albinfo.at

    Vrasja mizore e gruas (38) nga ish-bashkëshorti (të dy nga Kosova), është lajmi kryesor i këtyre ditëve në mediat austriake.

    Pas këtij rasti, komuna e qytetit Soß, ka hapur një xhirollogari donacionesh për t’iu dal në ndihmë familjes së prekur, e në veçanti, katër fëmijëve të mitur që humbën nënën e tyre.

    “Akti i tmerrshëm i dhunës që ndodhi në Sooß të dielen e Pashkëve na ka tronditur thellësisht të gjithëve. Mendimet tona janë me fëmijët dhe familjet e tyre”, tha në një deklaratë të martën kryebashkiaku Hermann Rauch, transmeton albinfo.at

    Më tej thuhet: “E megjithatë: vetëm fjalët për fat të keq nuk janë të mjaftueshme. Nevojitet ndihmë konkrete dhe mbështetje financiare., ka vijuar ai.

    “Bashkia e Sooß dëshiron ta mbështesë familjen në këto momente të vështira. Donacionet do të ndihmojnë në mbulimin e kostove të akomodimit për fëmijët, shpenzimeve të funeralit dhe kostove të tjera të papritura. Ne po mbështetemi përsëri në gatishmërinë e qytetarëve tanë për të ndihmuar, të cilën e kanë demonstruar kaq shpesh më parë, dhe po dërgojmë një mesazh se jemi aty për njëri-tjetrin dhe nuk do t’i braktisim fëmijët tanë. Çdo kontribut, sado i vogël, ka rëndësi”, ka nënvizuar, Hermann Rauch.

    Tutje, kryebashkiaku Rauch është lutur që të shpërndahet ky apel për donacione në mënyrë që sa më shumë njerëz të kenë mundësinë të ndihmojnë

    Përveç qytetarëve të shumtë, në mbështetje të këtij aksioni është solidarizuar edhe ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz. Në rrjetet e tij sociale, përpos ngushëllimeve, ai ka shpërndar apelin duke kërkuar donacione për familjen dhe fëmijët jetim.

    Apeli për donacione, i cili përfshinë të dhënat bankare, është shkruar në emër të kryetarit të bashkisë së Sooß-it, Hermann Rauch

    Hier kann geholfen werden!

    Spendenkonto:

    Marktgemeinde Sooß
    IBAN: AT19 3204 5000 0509 5120
    BIC: RLNWATWWBAD
    Unterstützung Femizid Sooß

  • Këshilli i Sigurimit të OKB-së sot mban seancë, Kosovën e përfaqëson Konjufca

    Këshilli i Sigurimit të OKB-së sot mban seancë, Kosovën e përfaqëson Konjufca

    Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka udhëtuar për një Nju Jurk të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    Kryediplomati Konjufca, njëherësh zëvendëskryeministër i parë, do ta përfaqësojë Kosovën në këtë mbledhje, që pritet të mbahet pasdite, sipas orës lokale në Kosovë.

    “Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës,  Glauk Konjufca ka udhëtuar për Nju Jork të SHBA-së për të përfaqësuar Kosovën në seancën e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Seanca e Këshillit të Sigurimit do të mbahet sot nga ora 10:00 sipas kohës lokale, kurse në Kosovë do të jetë ora 16:00.”, ka njoftuar zyra për media e MPJD-së.

  • Dronët e marinës amerikane monitorojnë Ngushticën e Hormuzit

    Dronët e marinës amerikane monitorojnë Ngushticën e Hormuzit

    Një dron i marinës amerikane është parë duke ndjekur fluturimet mbi Ngushticën e Hormuzit sot.

    Northrop Grumman MQ-4C Triton shkoi nga baza ajrore Sigonella në Siçili. Marina amerikane ka një prani në bazën ajrore italiane.

    Të dhënat në Flightradar24 tregojnë se ai kaloi më shumë se dy orë mbi Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit.

    Trump paralajmëron Iranin: Sulmet e ardhshme do të jenë më të fortat që keni parë ndonjëherë

    Siç raportohet, Irani ka ndaluar trafikun detar në ngushticë në shenjë hakmarrjeje për sulmet ajrore të Izraelit në Liban dje.

    Organizata detare e Iranit ka paralajmëruar gjithashtu për “përplasje të mundshme me mina detare”.

    Ndërkohë, pesë transportues mallrash me shumicë dhe asnjë cisternë nafte ose gazi kaluan nëpër ngushticë dje, sipas të dhënave të gjurmimit detar nga Kpler. /Telegrafi/

  • Abdixhiku: Kushtetuta është dokumenti themelor që vulosi shtetësinë e vendit tonë

    Abdixhiku: Kushtetuta është dokumenti themelor që vulosi shtetësinë e vendit tonë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka uruar Ditën e Kushtetutës.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka shkruar se Kushtetuta është dokumentit themelor që vulosi shtetësinë, sovranitetin dhe rendin demokratik të vendit tonë.

    Sipas tij Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është vetëm akti më i lartë juridik, por është udhërrëfyesi ynë në rrugën e shtetndërtimit, në përforcimin e sundimit të ligjit dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

    Me rastin e 18 vjetorit të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku dërgon këtë mesazh:

    “Sot, bëhen 18 vite nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dokumentit themelor që vulosi shtetësinë, sovranitetin dhe rendin demokratik të vendit tonë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është vetëm akti më i lartë juridik, por është udhërrëfyesi ynë në rrugën e shtetndërtimit, në përforcimin e sundimit të ligjit dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. E po ashtu është zotimi ynë kolektiv për një të ardhme më të mirë, për një shtet të drejtë e të barabartë për të gjithë”, tha ai.

    Tutje kreu i LDK-së në këtë 18 vjetor, kujtojë sakrificën dhe vendosmërinë e popullit tonë që i hapi rrugë krijimit të këtij dokumenti historik, si dhe të gjithë qytetarëve tanë që me përkushtim punuan dhe kontribuuan në ndërtimin e institucioneve dhe forcimin e shtetit tonë, mbi vlerat demokratike.

    “Le të shërbejë kjo ditë si frymëzim për të vazhduar angazhimin tonë për një Kosovë demokratike, të zhvilluar dhe euroatlantike. Urime, Dita e Kushtetutës”, u shpreh Abdixhiku tutje.

  • Vuçiq: Dialogu mbetet rruga e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Kosovën

    Vuçiq: Dialogu mbetet rruga e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Kosovën

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, priti të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, me të cilin, siç tha, diskutoi për çështjet që rëndojnë marrëdhëniet në rajon.

    “Në fokus të bisedës ishte situata në ‘Kosovë dhe Metohi’, veçanërisht siguria e popullsisë serbe dhe pasiguria e madhe që ajo përjeton, për shkak të aplikimit selektiv të ligjeve dhe diskriminimit të dukshëm në shumë fusha të jetës”, shkroi Vuçiq në Facebook.

    Ai tha se masat e njëanshme të Prishtinës dhe zbatimi i ligjeve pa marrëveshje në Bruksel, krijojnë presion serioz mbi popullin serb dhe “institucionet jetike serbe” në Kosovë.

    Vuçiq, mësa duket, iu referua Ligjit për të huajt dhe atij për automjete, që nisën të zbatohen në Kosovë nga 15 marsi, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Vuçiq shtoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si rruga e vetme e qëndrueshme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

    Ai tha se ka kërkuar angazhimin konkret të aktorëve në Prishtinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Ai, po ashtu, paralajmëroi se “veprimet e njëanshme nga Prishtina” rrisin tensionet dhe cenojnë stabilitetin e brishtë në terren, duke dëmtuar procesin e dialogut.

    “Kam përsëritur se angazhimi i fortë dhe i vazhdueshëm i BE-së është thelbësor për të parandaluar aktivitete të tilla dhe për të siguruar që asnjë veprim të mos ketë për qëllim pengimin e dialogut, por, përkundrazi, krijimin e kushteve për zhvillimin e tij të qetë dhe konstruktiv”, shkroi Vuçiq në rrjetet sociale.

    Muajin e kaluar, Sorensen u prit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.

    Pas atij takimi, Qeveria e tij u ofroi disa lehtësira të përkohshme qytetarëve serbë në Ligjin për të huajt.

    Një ditë më herët, gjatë një vizite në Mitrovicë të Veriut, Kurti tha se institucionet e shtetit funksionojnë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

    Sorensen takoi së voni edhe zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, me të cilët tha se ka siguruar harmonizim për hapat e ardhshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Një takim të nivelit të lartë mes përfaqësuesve të këtyre dy vendeve nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023, edhe pse BE-ja ka shprehur gatishmërinë për të organizuar një të tillë./REL

  • Emisari i BE’së në Beograd, Vuçiq ia kërkon themelimin e Asociacionit

    Emisari i BE’së në Beograd, Vuçiq ia kërkon themelimin e Asociacionit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar për një takim që pati me emisarin e BE-së, Peter Sorensen, në zyrën e tij në Beograd.

    Ai tha se me të pati një “bisedë të thelluar” për “çështjet kyçe që rëndojnë marrëdhëniet në rajon”.

    Vuçiq tha se ia ka shprehur “shqetësimet” e tij për për situatën aktuale në Kosovë “me fokus të veçantë te siguria e popullit serb, si dhe te pasiguria e madhe në të cilën ata jetojnë, duke pasur parasysh zbatimin selektiv të rregullave të ndryshme dhe diskriminimin e dukshëm në pothuajse të gjitha sferat e jetës”.

    Presidenti serb akuzoi Kosovën për “masa të njënashme” dhe tha se “zbatimi i rregullave pa marrë parasysh rrethanat reale në terren dhe pa marrëveshje në Bruksel, krijojnë presion serioz ndaj popullit serb dhe institucioneve jetike serbe në Kosovë”.

    Vuçiq i kërkoi edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një temë që duket se u zbeh së fundi nga ana e BE’së, e cila më parë kishte këmbëngulur vazhdimisht në themelimin e tij, raporton Gazeta Express.

    “Nënvizova se Serbia mbetet e përkushtuar fort ndaj dialogut si e vetmja rrugë e qëndrueshme për zgjidhjen e çështjeve të hapura, por gjithashtu presim angazhim konkret nga aktorët në Prishtinë për zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura. Veçanërisht theksova rëndësinë e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si një element kyç për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së popullit tonë, një obligim që duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”.

    Vuçiq gjithashtu pretendoi se “veprimet e njëanshme të Prishtinës vazhdojnë të rrisin më tej tensionet dhe të rrezikojnë stabilitetin e brishtë në terren, duke minuar drejtpërdrejt procesin e dialogut”.

    “Përsërita se një angazhim i fortë dhe i qëndrueshëm i Bashkimit Europian është thelbësor për të parandaluar aktivitete të tilla dhe për të siguruar që asnjë veprim të mos jetë i drejtuar drejt pengimit të dialogut, por drejt krijimit të kushteve për zhvillimin e tij të qetë dhe konstruktiv”.

    Në fund, ai pretendoi se vendi i tij është “i përkushtuar” ndaj dialogut dhe tha se do të veprojë me përgjegjësi e konstruktivitet, “duke ruajtur interesat e saj kombëtare, por edhe duke kontribuar në stabilitetin e të gjithë rajonit”.

    “Shpreha bindjen se komunikimi i hapur dhe i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë është thelbësor për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata në interes të paqes, sigurisë dhe të ardhmes së të gjithë qytetarëve”.