ATV

Category: Lajme

  • 6 raste të dhunës në familje brenda 24-orëve

    6 raste të dhunës në familje brenda 24-orëve

    Gjatë 24-orëve të fundit në vendin tonë janë shënuar gjashtë raste të dhunës në familje

    Rastet e raportuara janë nga Mitrovica, Vushtria, Drenasi, Podujeva,Kamenica e Peja.

    Rastet e raportuara:

    Mitrovicë-Jugu 08.04.2026-23:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti nën ndikim të alkoolit kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    Vushtrri 2.04.2026-13:00. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Viktima nuk ka pranuar trajtim mjekësor. Rasti vazhdon të hetohet.

    Gllogoc 09.04.2026-21:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje dyshohet se ka kanosur dhe sulmuar viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.

    Podujevë 08.04.2026 – 16:48. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar , pasi që ai dyshohet se kishte kryer veprën e lartcekur ndaj viktimave kosovare. Pas intervistimit i dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje për 48 orë.

    Kamenicë 09.04.2026-01:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, ai dyshohet se kishte kryer veprat e lartcekura ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Pejë 09.04.2026-12:30. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer vepren e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

  • Pëson lëndime të rënda me motor, vdes shtetasi i huaj në Prizren

    Pëson lëndime të rënda me motor, vdes shtetasi i huaj në Prizren

    Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti me motor në Prizren.

    Sipas raportimeve, viktima, mashkull shtetas i huaj, ka pësuar lëndime vdekjeprurëse pasi motori me të cilin po lëvizte është rrokullisur.

    Vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

    Rasti është cilësuar si “hetim i vdekjes”.

    Raporti i plotë i policisë për këtë rast:

    HETIM I VDEKJES

    Prizren 09.04.2026. Raportohet se si pasojë e rrokullisjes së motorit viktima mashkull shtetas I huaj kishte pësuar lëndime vdekjeprurëse. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Në vendngjarje kanë dalur njësitet përkatëse, ndersa me vendim të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në obduksion.

  • Policia në Mitrovicë konfiskon dy armë zjarri, nisin procedura penale ndaj dy personave

    Policia në Mitrovicë konfiskon dy armë zjarri, nisin procedura penale ndaj dy personave

    Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Jugut ka konfiskuar dy armë zjarri gjatë 24 orëve të fundit, në kuadër të aktiviteteve për rritjen e sigurisë publike.

    Sipas njoftimit zyrtar, konfiskimi është realizuar në kohë dhe lokacione të ndryshme, gjatë kontrolleve të automjeteve, ku armët janë gjetur tek dy persona të dyshuar.

    Po ashtu, me urdhër të prokurorit është kryer edhe një kontroll në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, në kuadër të hetimeve për rastin.

    Lidhur me këto raste, janë iniciuar procedura penale për veprën ,,armëmbajtje pa leje”, ndërsa me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Vdes ish-ministri i Jashtëm iranian pas plagëve të marra në sulmet izraelito-amerikane

    Vdes ish-ministri i Jashtëm iranian pas plagëve të marra në sulmet izraelito-amerikane

    Ish-ministri i Jashtëm i Iranit, Kamal Kharazi, ka vdekur dje si pasojë e plagëve të rënda të marra gjatë sulmeve të kryera më 1 prill nga SHBA dhe Izraeli, raportojnë mediat iraniane.

    Sipas këtyre raporteve, Kharazi, 81 vjeç, ishte duke u trajtuar për lëndimet e marra në një sulm që Teherani e ka cilësuar si “terrorist”.

    Ai kishte mbajtur postin e kreut të Këshillit Strategjik për Marrëdhënie Ndërkombëtare, një organ që funksionon në kuadër të Ministrisë së Jashtme iraniane dhe që merret me hartimin e politikave të jashtme.

    Agjencitë iraniane Mehr dhe ISNA raportojnë se diplomati veteran “i plagosur në një sulm të kryer nga armiku amerikano-sionist disa ditë më parë, ka vdekur duke u konsideruar martir”.

    Këto deklarata pasqyrojnë gjuhën zyrtare të përdorur nga mediat shtetërore iraniane për sulmet dhe figurat e larta politike, raporton timesofisrael.

    Sipas raportimeve të mëhershme, në sulmin ndaj banesës së tij në Teheran ka humbur jetën edhe bashkëshortja e Kharazit, duke e bërë incidentin edhe më tragjik për familjen e tij.

    Kamal Kharazi ka qenë një figurë e rëndësishme e diplomacisë iraniane për dekada. Ai shërbeu si përfaqësues i Iranit në Kombet e Bashkuara në New York, ndërsa më pas mbajti postin e ministrit të Jashtëm nga viti 1997 deri në vitin 2005, gjatë presidencës së Mohammad Khatamit, një periudhë e njohur për përpjekjet për reforma dhe hapje diplomatike të Iranit ndaj Perëndimit.

    Vdekja e tij vjen në një moment tensionesh të larta rajonale dhe pritet të rrisë më tej debatet dhe reagimet politike në lidhje me sulmet dhe situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme.

  • Sot bëhet hapja e nënstacionit policor në Komoran

    Sot bëhet hapja e nënstacionit policor në Komoran

    Policia e Kosovës do do të bëjë hapjen e nënstacionit policor në Komoran, në komunën e Drenasit.

    Në këtë event pritet të marrin pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci si dhe eprorë e zyrtarë të PK-së.

    Eventi do të zhvillohet nga ora 10:00.

  • Përplasjet diplomatike dhe mesazhi amerikan për “liderë që shohin nga e ardhmja”- çka u tha në Këshill të Sigurimit

    Përplasjet diplomatike dhe mesazhi amerikan për “liderë që shohin nga e ardhmja”- çka u tha në Këshill të Sigurimit

    Kosova dhe Serbia kanë drejtuar akuza ndaj njëra-tjetrës në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Kosovën, të mbajtur të enjten në New York. Kosova u përfaqësua nga kryediplomati, Glauk Konjufca, ndërsa Serbinë e ka përfaqësuar ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq.

    Kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca në fjalën e tij, i ka bërë thirrje Serbisë që të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të mos e mbajë peng integrimin e rajonit në struktura euroatlantike.

    “I bëjmë thirrje Serbisë që të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran, duke mos e mbajtur peng gjithë shoqërinë e rajonin të një hegjemonie të tillë”.

    “ Beogradi ka vazhduar të luajë rolin e vet destruktiv duke u përpjekur që të ndërhyjë në zgjedhje duke u përpjekur për ta mbështetur Listën Srpska në zgjedhjet në Kosovë. Ne kemi penguar ndërhyrjet e tilla të huaja dhe kemi arritur ta ruajmë integritetin”, tha ai.

    Kryediplomati kosovar potencoi se Serbia është ajo që pengon paqen mes dy shteteve fqinje.

    “Jemi shtet paqedashës, asnjëherë s’kemi ndërhyrë në shtetet e tjera apo në politikat e tyre të brendshme. Përkundër agresionit të Serbisë dhe kërcënimeve të tyre hibride ndaj shoqërisë dhe institucioneve të saj, Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet e veta ndërshtetërore, fqinjësore. Megjithatë, pengesa ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia që as nuk është e interesuar të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as ti bashkohet BE-së. Ata përpiqen t’i mohojnë rajonit tonë stabilitetin e integrimin e plotë këtij rajoni në struktura euroatlantike”.

    Konjufca po ashtu demantoi pretendimet e kryediplomatit serb Marko Gjuriq për shkeljen e të drejtave e “persekutimin e popullit serb” cenimin e të drejtave të serbëve, duke thënë se Kosova ka mekanizmat më të avancuar në Europë për mbrojtjen e pakicave.

    Në fjalën e tij, kryediplomati kosovar potencoi se çelësi për paqe dhe stabilitet në Ballkan mbetet tek njohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO’së.

    Konjufca ka përmendur njohjet e fundit që i kanë ardhur Kosovës nga katër shtete të OKB’së, derisa u ka bërë thirrje vendeve tjera që pa vonesa ta njohin Kosovën.

    “U jemi mirënjohës 121 shteteve anëtare të OKB-së të cilat zyrtarisht e kanë njohur pavarësinë dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës. Unë u bëj thirrje shteteve të tjera të OKB-së që pa vonesë të mëtejshme, ta njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, dhe të hapin rrugë për miqësi dhe bashkëpunim të ri për përfitim të ndërsjellë”, ka deklaruar Konjufca.

    Serbinë e ka përfaqësuar ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, i cili e ka nisur fjalën e tij, duke thënë se Serbia “nuk është pjesë e problemit, por pjesë e zgjidhjes”.

    Më vonë, Gjuriq ka thënë në takim se flet “në emër të atyre që mbahen nën presion në Kosovë”, dhe ka pretenduar se për serbët lokalë në Kosovë, identiteti është kthyer në burim të pasigurisë, pasi “nën regjimin” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, serbët identifikohen si “të tjerët” dhe që arrestimet, sulmet arbitrare dhe “eksodi i serbëve”, nuk mund të injorohen. Ai nuk i ka mbështetur pretendimet e tij me diçka konkrete.

    Sipas Gjuriqit, Ligji për të Huajt ka shkaktuar brenga të mëdha për serbët në Kosovë.

    “Ka pasur rrezik real që njerëzit të cilët kanë punuar me dekada, do të trajtoheshin si të huaj, duke humbur të drejtën e tyre për qëndrim apo për të jetuar në shtëpitë e tyre. Masat e tyre jo vetëm që janë të paqarta ligjërisht, por tregojnë për një vazhdimësi të riformimit të situatës. Serbët përballen me pengesa të shumta administrative e ligjore që ua bëjnë jetën më të vështirë, nga qasja në shërbime publike, deri te ushtrimi i drejtave themelore”.

    Mes tjerash, ministri serb ka kërkuar që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sepse, sipas tij, serbët “kanë mbetur pa kornizën ligjore që u është premtuar”.

    SHBA në OKB: Trump pret zotim të qartë nga Kosova dhe Serbia se do të punojnë së bashku

    Përfaqësuesja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Tammy Bruce, në seancën e mbajtur për Kosovën të enjten ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump pret që Kosova dhe Serbia të punojnë së bashku drejt normalizimit.

    “Presidenti [amerikan, Donald] Trump dhe amerikanët po dëgjojnë me kujdes që ju të zotoheni qartë për të punuar dhe për të prosperuar së bashku. Ne shpresojmë që të dyja palët do t’i ulin tensionet dhe do të ulen në tavolinë. Ne do të punojmë nga afër me liderë që shohin nga e ardhmja, e jo kah e kaluara. Me dialog të vërtetë dhe jo teatër”, ka thënë zëvendëspërfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Tammy Bruce, duke përsëritur se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur stabilitetin në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të ruhet stabiliteti në rajonin e Ballkanit.

    “Populli i Kosovës dhe populli i Serbisë janë miqtë tanë. Ata meritojnë të ardhme që përkufizohet nga siguria, mundësitë ekonomike dhe marrëdhëniet fqinjësore, jo me tensione politike apo me probleme të ricikluara”, ka thënë mes tjerash ajo.

    Franca dhe Britania kërkojnë që autorët e Banjskës të përballen me drejtësinë

    Përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Jennifer MacNaughtan, i ka bërë thirrje Serbisë që ta vë para organeve të drejtësisë, kryeterroristin Milan Radojçiq dhe pjesëmarrësit tjerë në sulmin e Bansjkës, shkruan Reporteri.net.

    Ajo i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese dhe të zgjidhin mospajtimet përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Pas më shumë se dy vitesh nga sulmi në Banjska ne përsërisim thirrjen tonë për Serbinë që të vë para përgjegjësisë autorët, përfshirë Radojicicin”, ka deklaruar MacNaughtan.

    “Vazhdojmë t’iu bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të implementojnë marrëveshjet ekzistuese dhe t’i zgjidhin mospajtimet përmes dialogut të BE-së”, ka thënë ajo.

    MacNaughtan ka bërë thirrje që sa më shumë anëtarë të OKB-së ta njohin Kosovën si shtet, duke thënë se njohja e Kosovës është esenciale për stabilitet afatgjatë.

    Këtë kërkesë e pati edhe përfaqësuesi i Francës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Jérôme Bonnafon. Ai ka thënë se është e papranueshme që dy vite pas sulmit në Banjskë, autorët janë ende të lirë.

    Paraprakisht, edhe Mbretëria e Bashkuar i bëri thirrje Serbisë që ta vë para organeve të drejtësisë, kryeterroristin Milan Radojçiq dhe pjesëmarrësit tjerë në sulm, shkruan Reporteri.net.

    “Dy vite pas sulmit në Banjska, është e pranueshëmem që autorët të mos kapen”, ka thënë Bonnafont.

    Bonnafont ka folur edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të fundit lokale duke thënë se Franca “duartroket” për mënyrën se si janë mbajtur ato.

    Ai ka prekur edhe temën e dialogut, duke bërë thirrje për Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë procesin e normalizimit.

  • Çështja e Presidentit, Haziri tregon se çka u fol në takimin Kurti–Abdixhiku

    Çështja e Presidentit, Haziri tregon se çka u fol në takimin Kurti–Abdixhiku

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se në ciklin e dytë të takimeve mes Kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK’së, Lumir Abdixhikut, për çështjen e presidentit, është diskutuar për marrëveshje mes këtyre dy partive.

    Sipas Hazirit, takimi i parë ka qenë konstruktiv dhe se bisedimet do të vazhdojnë.

    “Abdixhiku ka pas takime me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, në rastin e parë është biseduar për një proces konsensual e në rastin dytë po flitet për një marrëveshje LDK-LVV. Takimi i parë ka qenë në frymë konstruktive edhe në mundësi që roli jonë si LDK, si grup parlamentar me u afrua, konfirmon ftesës që Kurti e ka bë. Ftesa e njëjtë është thënë se do t’i përcillet edhe PDK-së dhe cikli i ri i takimeve do të vazhdojnë”, ka thënë Haziri.

    Haziri ka thënë se nëse arrihet marrëveshje, LDK e zbaton, por ai ka thënë se insistimi i Kurtit se duhet një marrëveshje me mbi 84 deputetë, tregon për mosbesim të deputetëve brenda Grupit Parlamentar të LVV-së.

    “Këtu është një problem i madh, mosbesim në deputetë jo të LDK-së, por brenda grupit më të madh politik. A ka deputet brenda grupit të Lëvizjes Vetëvendosje që janë shpreh kundra një procesi të ndërtuar me LDK-në?”, ka thënë Haziri në Tëvë1.

    Ai është shprehur se për një marrëveshje për presidentin është vonë dhe sipas tij kjo do duhej të arrihej në muajin janar.

    “ Nëse me pyetni mua, ne jemi vonë. Çështja e presidentit ka mundur të definohet në janar. Na po flasim përtej mandatit ku kemi një ushtrues detyre tani dhe ku ka vullnet politik është dashur të kryhet me grupe politike në janar”, ka thënë Haziri.

    Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka thënë se do ta thërras seancën sapo të krijohen kushtet.

    “Tash i kemi më pak se 20 ditë në dispozicion, është shumë e rëndësishme që të përpiqemi të gjejmë zgjidhje. Do ta thërras seancën e Kuvendit, sapo të kemi plotësim të kushteve…Lehtësimin e takimeve mund ta bëjë, por nuk mund të ndërhyjë në qëndrimet e partive politike”, ka deklaruar Haxhiu.

  • Benzina dhe nafta në Evropë – Ku janë çmimet më të larta dhe më të ulëta?

    Benzina dhe nafta në Evropë – Ku janë çmimet më të larta dhe më të ulëta?

    Ekzistojnë dallime të mëdha në çmimet e karburanteve midis vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa në disa raste çmimet e dizelit janë rritur edhe deri në 30 për qind.

    Rritja e çmimeve është nxitur kryesisht nga zhvillimet gjeopolitike, veçanërisht tensionet dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, që kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të naftës.

    Si pasojë, çmimet e derivateve të naftës janë rritur ndjeshëm në të gjithë Evropën, shkruan euronews.

    Megjithatë, rritja nuk është e njëjtë në të gjitha vendet. Në disa shtete anëtare, çmimet janë rritur vetëm pak, ndërsa në të tjera janë rritur shumë më tepër. Kjo krijon dallime të mëdha mes vendeve të BE-së.

    Një nga arsyet kryesore për këto dallime janë politikat fiskale kombëtare. Taksat mbi karburantet, përfshirë TVSH-në dhe taksat për emetimet e CO₂, ndryshojnë nga një vend në tjetrin dhe ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin final që paguajnë qytetarët.

    Në disa vende, si Gjermania apo Holanda, çmimet janë ndër më të lartat në Evropë, pjesërisht për shkak të taksave më të larta dhe politikave mjedisore më të rrepta.

    Nga ana tjetër, vende të tjera kanë arritur të mbajnë çmime më të ulëta falë taksave më të ulëta ose ndërhyrjeve të qeverisë për të kufizuar rritjen e çmimeve.

    Në përgjithësi, tregu evropian i karburanteve po përballet me një periudhë paqëndrueshmërie, ku faktorët globalë dhe politikat kombëtare po krijojnë dallime të mëdha në çmime nga një vend në tjetrin.

    Ndryshe, të mërkurën, Ministria e Tregtisë vendosi shifrën maksimale prej 1.89 euro për litër për shitjen e naftës, derisa ai i benzinës qëndroi i njëjtë me një ditë përpara, 1.46 euro.

  • Pashkët Ortodokse: Rusia dhe Ukraina bien dakord për armëpushim

    Pashkët Ortodokse: Rusia dhe Ukraina bien dakord për armëpushim

    Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për një armëpushim për Pashkët Ortodokse, me Vladimir Putinin që tha se u ka urdhëruar trupave ruse të ndalojnë zjarrin “në të gjitha drejtimet” këtë fundjavë.

    Deklarata nga Moska erdhi pasi Volodymyr Zelensky bëri thirrje të përsëritura për armëpushim, të cilat u injoruan nga Kremlini, shkruan BBC.

    Tani Putini ka njoftuar një armëpushim nga ora 16:00 sipas kohës lokale (14:00 BST) të shtunën, 11 prill, deri të dielën e Pashkëve, duke shtuar se priste që Ukraina të “ndiqte shembullin” e Rusisë. Ai urdhëroi forcat e tij të jenë të gatshme për të kapur “provokimet e mundshme të armikut” dhe çdo “veprim agresiv”.

  • Trupi i shtetasit amerikan që vdiq në Prevallë nxirret katër orë pas aksidentit, Policia jep detaje

    Trupi i shtetasit amerikan që vdiq në Prevallë nxirret katër orë pas aksidentit, Policia jep detaje

    Një shtetas amerikan i moshës 24-vjeçare është vetëaksidentuar sot në Prevallë, ku ka mbetur i vdekur.

    Aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:00, teksa trupi i viktimës nuk është arritur që të nxirret deri në orën 21:00, ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit.

    Ai tha se në operacion kanë kontribuar zjarrfikësit, ekipet e emergjencës mjekësore, si dhe vullnetarë – motoristë me ATV.

    “Ju informojmë se rreth orës 21:00 është arritur të nxirret trupi i pajetë i viktimës, mashkull 24 vjeçar, shtetas i ShBA-s. Në vendngjarje, në mënyrë të koordinuar dhe me angazhim të përbashkët, kanë marrë pjesë dhe kanë ofruar ndihmë njësi të ndryshme policore, përfshirë komandantin e Stacionit Policor në Prizren dhe Njësinë Rajonale të Trafikut. Gjithashtu, në operacion kanë kontribuar zjarrfikësit, ekipet e emergjencës mjekësore, si dhe vullnetarë – motoristë me ATV, të cilët kanë ndihmuar në mënyrë aktive në nxjerrjen e trupit. Në konsultim me prokurorin, do të ndërmerren veprimet e tjera hetimore, në përputhje me procedurat”, ka deklaruar Bytyqi.