ATV

Category: Lajme

  • Ministri i Mbrojtjes i Izraelit thotë se vendi është “i përgatitur të veprojë me forcë” nëse Irani e sulmon

    Ministri i Mbrojtjes i Izraelit thotë se vendi është “i përgatitur të veprojë me forcë” nëse Irani e sulmon

    Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, thotë se operacioni i vendit të tij në Liban ka shkaktuar një “goditje shumë të fortë përballë Hizbollahun, duke e lënë të tronditur dhe të hutuar nga thellësia e depërtimit dhe përmasa e goditjes”.

    Ministri i mbrojtjes thotë se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit janë “të përgatitura dhe gati të veprojnë me forcë nëse Irani sulmon Izraelin”, raporton BBC, transmeton Sinjali.

    Për kujtesë, zyrtarët iranianë kanë thënë se sulmet izraelite mbi Libanin janë shkelje e marrëveshjes së armëpushimit – dhe presidenti ka paralajmëruar se duart e Iranit do të “mbeten mbi shkrepëse”.

    Katz thotë se mbi 200 persona, të cilët ai i përshkruan si terroristë, u vranë të mërkurën në Liban, duke e çuar numrin total të të vrarëve gjatë operacionit mbi 1,400.

    Më herët, ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se 203 persona u vranë në sulmet izraelite të së mërkurës – dhe zyrtarët kanë thënë se më shumë se 1,700 persona janë vrarë që kur Izraeli nisi fushatën e fundit në Liban muajin e kaluar.

  • Çmimi i naftës rritet sërish në 100 dollarë

    Çmimi i naftës rritet sërish në 100 dollarë

    Kontratat e së ardhmes për naftën në SHBA u rikthyen me shpejtësi drejt nivelit prej 100 dollarësh për fuçi sot, pasi armëpushimi me Iranin ende nuk ka sjellë rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit.

    West Texas Intermediate (WTI), standardi amerikan për naftën bruto, u rrit me 5.5% duke arritur në 99.61 dollarë për fuçi në tregtimet e fundit, shkruan CNN.

    Nafta u tregtua deri në 100.29 dollarë për fuçi të enjten në mëngjes, duke u rikthyer në nivele treshifrore për herë të parë që nga shpallja e armëpushimit.

    Kjo rritje vjen vetëm një ditë pasi kontratat e naftës në SHBA pësuan një rënie të fortë prej 16%, ose 18.54 dollarë, të mërkurën. Ishte rënia më e madhe ditore në vlerë dollarësh që nga nisja e tregtimit të kontratave në mars 1983 dhe rënia më e madhe në përqindje që nga pandemia e Covid-19 në vitin 2020.

  • Konjufca në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Serbia të përballet me realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran

    Konjufca në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Serbia të përballet me realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran

    Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i ka bërë thirrje Serbisë që të pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

    Konjufca ka theksuar se pengesa kryesore për normalizimin e raporteve është Serbia.

    “Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore, megjithatë pengesë ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia që as nuk është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as të hyjë në BE. I bëjmë thirrje Serbisë të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos mbajë peng të gjithë rajonin të një hegjemonie”, ka deklaruar Konjufca.

    Ai ka shtuar se, përkundër lulëzimit të demokracisë në Kosovë, Beogradi ka vazhduar përpjekjet për të mbajtur një rol destruktiv, duke ndërhyrë në zgjedhje dhe duke mbështetur Listën Serbe.

    “Beogradi ka vazhduar të luajë rolin e vet destruktiv duke u përpjekur të ndërhyjë në zgjedhje, duke u përpjekur për ta mbështetur Listën Serbe në zgjedhjet në Kosovë, duke synuar ta reflektojë drejtimin e vet me një parti në pushtet. Ne kemi penguar ndërhyrje të tilla të huaja dhe kemi arritur të ruajmë dinjitetin e institucioneve tona demokratike”, ka shtuar ai.

    LEXONI EDHE:

    Shefi i UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit: Sulmuesit e Banjskës dhe Ibër-Lepencit të mbahen përgjegjës

     

     

  • Gjuriq pretendon se serbët në Kosovë po përballen me diskriminim

    Gjuriq pretendon se serbët në Kosovë po përballen me diskriminim

    Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka ngritur pretendime të forta në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, duke thënë se serbët në Kosovë po diskriminohen dhe sulmohen, pa ofruar prova konkrete.

    “Të drejtat e serbëve gryhen çdo ditë, hap pas hapi, vendim pas vendimi. Padrejtësia kudo, është kërcënim ndaj drejtësisë gjithkund. Ajo që diskutojmë nuk është temë rajonale, por prek të drejtat e njeriut. Bashkësia ndërkombëtare ka investuar me dekada në ndërtimin e mekanizmave për mbrojtjen e komuniteteve, dhe sundimin e ligjit. Tejkalimi i këtyre rrethanave ka precedent të rrezikshëm. Serbët në Kosovë etiketohen si të tjerët, identiteti i tyre përdoret si bazë për kufizimin e lirisë së lëvizjes, dhe shënjestrimin e tyre. Arrestimet arbitrare e sulmet nuk janë të izoluara, ato përbëjnë diçka sistematike që nuk mund, nuk duhet ta injorojmë”, tha Gjuriq.

    LEXONI EDHE:

    Shefi i UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit: Sulmuesit e Banjskës dhe Ibër-Lepencit të mbahen përgjegjës

  • Shefi i UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit: Sulmuesit e Banjskës dhe Ibër-Lepencit të mbahen përgjegjës

    Shefi i UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit: Sulmuesit e Banjskës dhe Ibër-Lepencit të mbahen përgjegjës

    Udhëheqësi i Misionit të UNMIK-ut, Peter Due, në raportin e tij gjashtëmujor që prezantoi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të enjten, ka theksuar nevojën që sulmuesit e Banjskës dhe Ibër-Lepencit të mbahen përgjegjës.

    Në raportin e lexuar në fillim të mbledhjes, Due ka thënë se OKB-ja është e gatshme për bashkëpunim me Beogradin dhe Prishtinën që përgjegjësit të mbahen përgjegjës.

    Ai ka vlerësuar gjithashtu procesin e zgjedhjeve të dhjetorit në Kosovë, duke theksuar se momentumi është vënë në provë me ngecjen e zgjedhjes së presidentit të ri.

    “Le të shpresojmë që dallimet të kapërcehen, të zgjidhet një President i ri dhe të shmangen zgjedhjet e reja legjislative. Kjo do të ndihmonte që institucionet të mbeten të përqendruara në interesin e përgjithshëm publik dhe në nevojat e qytetarëve”, ka deklaruar ai.

    Due ka vlerësuar edhe rikthimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri, duke theksuar se ky hap ishte i rëndësishëm për ri-angazhimin në institucionet lokale, por që procesi ka pasur sfida.

    “Në veri të Kosovës, rikthimi i kryetarëve të komunave me shumicë serbe shënoi një hap të rëndësishëm drejt ri-angazhimit në institucionet lokale. Megjithatë, ky proces nuk ka qenë pa sfida. Në takimet e mia të fundit me disa prej këtyre kryetarëve, dëgjova shqetësime lidhur me dorëzimet e pjesshme, boshllëqet administrative dhe barrierat gjuhësore”, ka shtuar ai.

    Ai ka theksuar rëndësinë e kontaktit midis nivelit qendror dhe atij lokal në veri, duke vlerësuar progresin e arritur edhe në dialogun e fundit.

    “Është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina ta shfrytëzojnë këtë moment, duke avancuar edhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Shpresoj që një takim i nivelit të lartë ndërmjet presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti të zhvillohet në një të ardhme të afërt”, deklaroi ai.

    Due ka vlerësuar gjithashtu mënyrën se si është gjetur zgjidhja për çështjen e Ligjit për të huajt, duke bërë thirrje për ruajtjen e pavarësisë së gazetarëve.

    Ai ka theksuar rëndësinë e zbatimit të ligjeve për gjuhët dhe emërimin e një Komisioneri për Gjuhët, si një element thelbësor për promovimin e përfshirjes dhe garantimin e ushtrimit të plotë të të drejtave për të gjitha komunitetet.

  • Sorensen pas takimeve në Beograd: U avancuan diskutimet për çështjet kyçe të dialogut

    Sorensen pas takimeve në Beograd: U avancuan diskutimet për çështjet kyçe të dialogut

    Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka qëndruar gjatë ditës së sotme në Beograd, ku ka zhvilluar takime me presidentin e këtij vendit, Alleksandar Vuçiq dhe me kryenegociatorin Petar Petkoviq.

    Në një postim në “X” pas këtyre takimeve, Sorensen tha se u avancuan diskutimet për çështjet kyçe të dialogut.

    “Takime të mira me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq, dhe kryenegociatorin Petar Petkoviq, duke avancuar diskutimet për çështjet kyçe të dialogut dhe duke shqyrtuar progresin në zbatimin e Ligjit për të Huajt. U pajtuam për nevojën që të mbetemi të angazhuar dhe të punojmë së bashku për përfitime konkrete për të gjithë”, tha Sorensen.

  • Irani kufizon kalimin e anijeve në Hormuz, s’do të lejojë më shumë se 15 anije në ditë

    Irani kufizon kalimin e anijeve në Hormuz, s’do të lejojë më shumë se 15 anije në ditë

    Irani nuk do të lejojë më shumë se 15 anije në ditë të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, sipas marrëveshjes së armëpushimit të dakorduar me SHBA-në, raporton The Guardian, duke cituar agjencinë ruse të lajmeve “Tass”.

    Ngushtica e Hormuzit, 34 kilometra e gjerë mes Iranit dhe Omanit, ofron kalim nga Gjiri Persik në Oqeanin Indian dhe është rruga kryesore për një të pestën e furnizimeve botërore me naftë dhe mallra të tjera.

    Ajo ishte mbyllur nga Irani që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit, duke shkaktuar rritje të çmimeve të naftës në botë. Marrëveshja e armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, e arritur të mërkurën, parashikon rihapjen e Ngushticës, por pas vazhdimit të bombardimeve të Libanit nga Izraeli, kalimi është pezulluar sërish.

  • Kriza me çmime të naftës, Bajrami akuzon Qeverinë për abuzim ndaj qytetarëve: Shfrytëzim i krizës për mbushje të buxhetit

    Kriza me çmime të naftës, Bajrami akuzon Qeverinë për abuzim ndaj qytetarëve: Shfrytëzim i krizës për mbushje të buxhetit

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për mosveprimin ndaj çmimeve të naftës, duke e quajtur këtë “abuzim ndaj qytetarëve”. Ajo tha se çmimi i naftës u rrit menjëherë pas lajmit për mbylljen e ngushticës së Hormuzit, por nuk ra kur bursat ndërkombëtare regjistruan ulje si pasojë e arritjes së armëpushimit SHBA-Iran.

    “Në momentin që u raportua për mbylljen e ngushticës së Hormuzit, çmimet në Kosovë u rritën menjëherë, por kur situata dje u qetësua dhe çmimet ranë në bursë, tek ne mbetën të njëjtat. Pra, për t’u rritur çmimi mjafton një lajm por për t’u ulur, duhet ‘kohë’. Kjo nuk është logjikë tregu, ky është abuzim ndaj qytetarëve”, tha Bajrami.

    Ajo kritikoi masat e Qeverisë për vendosjen e tavanit të çmimit dhe theksoi mungesën e vullnetit për të mbrojtur qytetarët.

    “E vërteta është që kjo situatë po tolerohet nga Qeveria, e cila në vend që të mbrojë qytetarët, po e shfrytëzon krizën për të mbushur buxhetin. Kemi thënë vazhdimisht: kjo nuk zgjidhet me marzha e çmime tavan që nuk kontrollohen dot. Problemi është shumë më i thellë: mungesë vullneti për të ulur taksat, mungesë menaxhimi dhe mungesë analizë të të dhënave. Sot, nuk ka as të dhëna bazike: Sa naftë ka në tregun vendor kur rriten çmimet? Me çfarë çmimi është importuar dhe a po shitet më shtrenjtë?”, tha ajo.

    Bajrami tha se Qeveria duhet të dijë saktësisht stoqet e naftës dhe çmimin e importit, të dhëna që ekzistojnë në Doganë, por nuk përdoren në vendimmarrje.

    “Kjo do të thotë se vendimet nuk bazohen në të dhëna, por në reagime të vonuara dhe selektive. Ndërkohë që Qeveria vendos marzhat dhe garanton fitimin për tregtarë, refuzon të ulë TVSH-në dhe akcizën, dy komponentët kryesorë të çmimit. Sa më i lartë çmimi, aq më shumë para mbledh shteti. Sot, për çdo litër naftë, buxheti merr 13–15 cent më shumë taksa sesa para krizës. Ky është ‘fitimi’ i Qeverisë nga kriza”, tha ajo.

    Deputetja propozoi disa masa për stabilizimin e çmimeve: raportim ditor për stokun dhe çmimin e importit, reflektim real i çmimeve në kohë, ulje e TVSH-së dhe akcizës.

    “Nafta është burim inflacioni. Nëse nuk e stabilizon çmimin e saj menjëherë, çdo ndihmë pas inflacionit vetëm e ushqen këtë të fundit. Po një gjë duhet të dihet qartë se problemi nuk është mungesa e mjeteve për reagim, problemi është mungesa e vullnetit”, përfundoi Bajrami.

  • Pezheskian: Irani nuk do ta braktisë popullin e Libanit

    Pezheskian: Irani nuk do ta braktisë popullin e Libanit

    Presidenti iranian, Massoud Pezheskian, tha sot se sulmet izraelite ndaj Libanit shkelin marrëveshjen e armëpushimit të arritur midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit të martën, duke rrezikuar që negociatat të bëhen të pakuptimta. 

    Ai tha se Irani nuk do ta braktisë popullin libanez.

    Sulmet e vazhdueshme izraelite kundër Hezbollahut në Liban do të kenë “pasoja të qarta dhe reagime të ashpra”, paralajmëroi kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, duke këmbëngulur se armëpushimi dyjavor i njoftuar të martën vlen edhe për Libanin diçka që si Izraeli ashtu edhe SHBA-ja e mohojnë.

    “Shkeljet e armëpushimit do të kenë përgjigje të qarta dhe të ashpra”, shkroi ai. “Shuajeni zjarrin menjëherë”.

  • Katër kineze arrestohen në Durrës për prostitucion, i dyshuar edhe një person nga Kosova

    Katër kineze arrestohen në Durrës për prostitucion, i dyshuar edhe një person nga Kosova

    Katër shtetase kineze kanë përfunduar në prangat e Policisë së Durrësit, pasi dyshohet se kishin marrë me qira dy ambiente dhe i kishin përshtatur për ushtrim prostitucioni.

    Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa në kuadër të këtij rasti janë proceduar edhe katër shtetas nga Durrësi, Kavaja, Shijaku dhe Kosova.

    Sipas raportimeve, të dyshuarat kishin marrë me qira dy ambiente në zonën e Golemit dhe te Shkëmbi i Kavajës, të cilat i kishin përshtatur për prostitucion.

    “Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se këto shtetase e ushtronin aktivitetin në dy ambiente të marra me qira, në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe të Golemit, Durrës, duke i përshtatur për prostitucion. Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Prostitucioni”, edhe 4 shtetas nga Durrësi, Kavaja, Shijaku dhe Kosova.”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Në cilësinë e provës materiale, autoritetet kanë sekuestruar katër pasaporta dhe një shumë parash, ndërsa materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.