ATV

Category: Lajme

  • Magyar i dërgon mesazh Serbisë: E di shumë mirë se kush e “kumbaron” miqësinë midis Vuçiqit dhe Orbanit

    Magyar i dërgon mesazh Serbisë: E di shumë mirë se kush e “kumbaron” miqësinë midis Vuçiqit dhe Orbanit

    Qeveria në të cilën Tisza do të ketë shumicën do të hetojë përpjekjen e dyshuar për të sulmuar tubacionin e gazit pranë Kanjizhës, tha fituesi i zgjedhjeve të së dielës në Hungari dhe kreu i partisë Peter Magyar.

    Duke iu përgjigjur pyetjes së N1 , ai tha se është e rëndësishme për të që marrëdhëniet midis Serbisë dhe Hungarisë të mbeten të mira, kryesisht për shkak të hungarezëve të Vojvodinës, megjithëse ai tha se e di se kush është “në krye” të miqësisë së ngushtë midis Aleksandar Vuçiq, Viktor Orbán dhe Robert Fico .

    Ai shtoi se nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të Serbisë, por se mund t’i thotë popullit serb të “nxjerë forcë nga zgjedhjet në Hungari”.

    Gjatë fushatës zgjedhore, të dielën e Pashkëve ndodhi një veprim që i ngjante një operacioni të ashtuquajtur “flamur i rremë”, kur u planifikua një përpjekje e supozuar për të sulmuar tubacionin e gazit, për të cilin kryeministri Viktor Orbán kishte folur tashmë një javë më parë, duke njoftuar një skenar të tillë, kujtoi Magyar.

    “Mund të them se u krye mjaft ngadalë dhe ishte e qartë se organizatorët u tërhoqën dhe nuk shkuan deri në fund siç prisnin eprorët e tyre nga Rusia dhe Viktor Orbán. Mendoj se ata bënë gjënë e duhur, sepse qeveria e Tiszës do të hetojë se çfarë ndodhi saktësisht dhe nëse kishte një rrezik të vërtetë – sepse është e mundur që të ketë pasur. Por nëse kishte një rrezik të vërtetë, kryeministri duhet të drejtonte vendin dhe jo të merrte pjesë në një shfaqje siç bëri Viktor Orbán të dielën e Pashkëve, kur fluturoi me një helikopter dhe mblodhi të gjithë propagandën hungareze me helmeta dhe uniforma për të ‘trembur’ së bashku”, tha ai.

    Në një situatë të tillë, kryeministri duhet të garantojë sigurinë e shtetit, shtoi Magyar.

    “Qytetarët e Hungarisë, ashtu si qytetarët e Serbisë, me të drejtë presin që udhëheqja e tyre të sigurojë siguri, zhvillim dhe paqe. Nën qeverinë tonë, do të ketë rend, paqe, siguri dhe zhvillim në Hungari – kjo është ajo që mund të them, deklaroi ai.

    “Unë e di saktësisht se çfarë po ndodh në Serbi dhe çfarë lidhjesh kanë ekzistuar, ekzistojnë dhe mund të ekzistojnë midis qeverisë së Orbanit dhe Serbisë së udhëhequr nga Vuçiq, si dhe çfarë lidhjesh ekzistojnë midis Sllovakisë së Robert Ficos dhe Viktor Orbanit, dhe e di përafërsisht se kush qëndron pas këtyre marrëdhënieve, kush është ‘kumbari’ i këtyre miqësive të mëdha”, tha ai.

  • Detaje të reja nga aksioni në Ferizaj ku u sekuestrua heroinë, shkon në katër numri i të arrestuarve

    Detaje të reja nga aksioni në Ferizaj ku u sekuestrua heroinë, shkon në katër numri i të arrestuarve

    Një operacion i gjerë antidrogë është realizuar dje në Ferizaj nga Departamenti i Hetimeve, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Në raportin 24 orësh policia ka dhënë detaje tjera shtesë rreth këtij operacioni, ku fillimisht mbrëmë u tha se janë arrestuar dy persona dhe janë sekuestruar rreth 15 kilogramë heroinë.

    Policia ka njoftuar se lidhur me këtë rast janë arrestuar katër persona të dyshuar dhe heroina e sekuestruar është 17 kilogramë.

    Sipas njoftimit zyrtar, pas një pune hetimore, autoritetet kanë zbatuar një plan taktik, gjatë të cilit janë kontrolluar katër shtëpi banimi së bashku me objektet përcjellëse të tyre.

    Gjatë kontrollit, në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar 34 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, me peshë të përgjithshme prej 17 kilogramë e 910 gramë.

    Po ashtu, janë konfiskuar edhe dy vetura, nëntë telefona mobilë, dy iPad dhe dy pajisje DVR.

    Me vendim të prokurorit kompetent, katër të dyshuarit meshkuj shtetas të Kosovës janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

  • KFOR zhvilloi patrulla këmbësorie me mbështetjen e njësive K9.

    KFOR zhvilloi patrulla këmbësorie me mbështetjen e njësive K9.

    Ekipet e inxhinierisë të KFOR-it nga Komanda Rajonale Perëndim, sot zhvilluan patrulla këmbësorie në zonën e përgjegjësisë së kësaj komande rajonale.

    Për këto aktivitete ka njoftuar KFOR-i në Facebook.

    Ato janë zhvilluar me mbështetjen e qenve posaçërisht të trajnuar (njësitë K9).

    Këto patrulla të rregullta, theksojnë ata, u mundësojnë pjesëtarëve të KFOR-it të vlerësojnë dhe të kontrollojnë rrugët, duke identifikuar rreziqe të mundshme, ndërsa integrimi i njësive K9 përmirëson aftësinë e tyre për zbulimin e kërcënimeve.

    “Nëpërmjet aktiviteteve të tilla, pjesëtarët e KFOR-it ruajnë ndërgjegjësimin situacional dhe kontribuojnë në stabilitetin në të gjithë rajonin, gjë që pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

    “Me qëllim që të kontribuojë në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si forca të sigurisë”, kanë bërë të ditur nga KFOR-i.

  • Arratiset një person nga stacioni policor në Prishtinë

    Arratiset një person nga stacioni policor në Prishtinë

    Një person i privuar nga liria ka arritur të arratiset nga Stacioni Policor në Prishtinë.

    Sipas raportit zyrtar, bëhet fjalë për një të dyshuar mashkull shtetas i Kosovës, i cili është larguar nga ambientet e stacionit policor rreth orës 16:10, në rrethana që ende nuk janë bërë të ditura.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e arratisjes dhe për të siguruar kapjen e personit në fjalë.

    Policia pritet të ndërmarrë masa shtesë për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, ndërkohë që rasti mbetet në procedurë hetimore.

  • S’ka kuorum, dështon sërish zgjedhja e kryesuesit të ri të KGJK-së

    S’ka kuorum, dështon sërish zgjedhja e kryesuesit të ri të KGJK-së

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka dështuar sërish të zgjedhë kryesuesin e ri, për shkak të mungesës së kuorumit.

    Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi, i cili është edhe njëri prej kandidatëve për kryesues, ka ngritur shqetësime lidhur me mungesën e kuorumit.

    “Siç jeni në dijeni, unë jam një nga kandidatët për kryesues të KGJK-së dhe për mua nuk është fare e rëndësishme se a do të zgjidhem unë apo dikush tjetër për kryesues të KGJK-së, por është shumë e rëndësishme dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që të zgjidhet kryesuesi i KGJK-së. Nëse e shikojmë në retrospektivë mënyrën e veprimit të KGJK-së, rezulton se në këtë institucion nuk ka qenë e zakonshme dështimi i takimeve në mungesë kuorumi. Dhe besoj thellë që ne, të gjithë anëtarët e KGJK-së, mbajmë përgjegjësi për dështimin e takimeve dhe komplet procesin për emërimin e kryesuesit të KGJK-së. Unë besoj që zgjedhja e kryesuesit duhet të jetë një aspekt krejtësisht meritokratik, sepse KGJK-ja është një organ kolegjial ku puna dhe proceset duhet të jenë transparente, votimi duhet të jetë i lirë dhe demokratik, ndërsa të zgjedhurit duhet të jenë të legjitimuar nga shumica e anëtarëve të KGJK-së, të cilët sipas bindjes dhe vullnetit të lirë e të papandikuar votojnë për një kandidat”, tha Thaqi.

    Sipas tij, sinkronizimi i veprimeve me struktura politike, me grupe të interesit dhe persona të tjerë nënkupton saktësisht dështimin e procesit të zgjedhjes së kryesuesit të KGJK-së.

    “Kjo nënkupton se procesi i zgjedhjes së kryesuesit para së gjithash varet nga vota jonë, e cila duhet të jetë e rregullt, e lirë dhe e pakushtëzuar në frymën e procesit për avancimin e sistemit gjyqësor dhe njëkohësisht për të drejtuar çështjet e rëndësishme që janë në pritje në këtë institucion. Sot nuk po them asgjë të panjohur nëse zgjedhja e kryesuesit është një proces që i intereson jashtëzakonisht politikës dhe grupeve të caktuara të interesit. Por kjo nuk është çudi dhe kjo nuk është pengesë. Mirëpo është dhe do të jetë krejtësisht e panjohur, e paparë deri më tani dhe e papranueshme nëse ne, anëtarët e KGJK-së, sinkronizojmë veprimet me struktura politike apo grupe të interesit për të ndikuar jo vetëm në procesin e zgjedhjes së kryesuesit, por edhe në sigurimin dhe promovimin e pavarësisë së KGJK-së dhe gjyqësorit në përgjithësi. Për të qenë edhe më i qartë, sinkronizimi i veprimeve me struktura politike, me grupe të interesit dhe persona të tjerë nënkupton saktësisht dështimin e procesit të zgjedhjes së kryesuesit të KGJK-së; çdo tendencë për të influencuar anëtarët aktualë të KGJK-së, çdo tendencë për të favorizuar disa anëtarë të KGJK-së dhe njëkohësisht çdo tendencë e presionit nga brenda apo jashtë sistemit mbi anëtarët e KGJK-së”, u shpreh ai.

    Anëtari Artan Abazi pati kritika ndaj mungesave të gjyqtarëve në takim.

    “Secili anëtar i Këshillit Gjyqësor duhet të mbajë përgjegjësi, duhet ta dijë çfarë detyre ka marrë, duhet ta respektojë këtë detyrë, sepse nëse nuk e respekton, nënkuptohet se çka nënkupton mosrespektimi i detyrës zyrtare. Dhe çka më shtyn të mendoj kështu siç po them, është fakti që e-mail-i për mbledhjen e sotme është dërguar me 8 prill. Domethënë pesë ditë para se anëtari, gjyqtari Fahret Velija, të mungojë në mbledhjen e sotme, me 8 prill është bërë kërkesa për me u mbajt kjo mbledhje. Gjyqtari konkret, Fahret Velija, ka pritur pesë ditë për të na treguar neve 12 orë para takimit që: ‘unë nuk do të mund të marr pjesë sepse kam gjendje shëndetësore dhe jam jashtë vendit, në Shqipëri’. Ne, po e ceku edhe njëherë, i dëshirojmë sukses, jemi për t’i ndihmuar për gjendjen e tij shëndetësore, mirëpo çështja është ne duhet të bindemi me fakte. Ai ka pasur mundësi që pesë ditë, nëse e ka pasur gjendjen e tillë, të na njoftojë me kohë, jo 12 orë para”, Abazi.

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 12 mars shpalli konkurs për kryesues të ri, i cili ishte i hapur deri më 26 mars 2026.
Dy gjyqtarët që po kandidojnë për pozitën e të parit të Këshillit Gjyqësor janë anëtarë të këtij institucioni. Thaqi është gjyqtar në Gjykatën Supreme, kurse Bislimaj gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

    Sipas Rregullores mbi Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në pikën 6 përcaktohet se “Pozita e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit duhet të plotësohet brenda tridhjetë (30) ditëve, prej ditës që këto pozita mbeten të lira“./EO/

  • Administrata Trump komenton humbjen e Orbanit në zgjedhje, Vance: Nuk jemi të befasuar

    Administrata Trump komenton humbjen e Orbanit në zgjedhje, Vance: Nuk jemi të befasuar

    Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance tha të hënën në mbrëmje se ishte “i trishtuar”, por jo shumë i befasuar që kryeministri hungarez Viktor Orban humbi garën për rizgjedhje, duke theksuar se vendimi i tij për të bërë fushatë së bashku me të në Budapest javën e kaluar kishte më shumë të bënte me mbështetjen ndaj një aleati besnik sesa me ndihmën për ta çuar drejt fitores.

    “Ne nuk shkuam sepse prisnim që Viktor Orban të fitonte lehtësisht zgjedhjet,” tha Vance gjatë një interviste në Fox News. “Shkuam sepse ishte gjëja e duhur për të qëndruar pas një personi që ka qëndruar pranë nesh për një kohë shumë të gjatë”, u shpreh ai, transmeton në shqip gazeta online Reporteri.net.

    Këto komente shënuan komentimin e parë nga Shtëpia e Bardhë për humbjen e Orbanit në zgjedhjet në Hungari.

    “Trashëgimia e tij në Hungari është transformuese — 16 vite, duke e ndryshuar thelbësisht atë vend,” tha Vance, duke shpjeguar se vendimi i tij për të bërë fushatë me Orbán javën e kaluar “nuk ishte sepse nuk dimë të lexojmë sondazhet. Ne e dinim se kishte një mundësi shumë të madhe që Viktor të humbte zgjedhjet. E bëmë sepse ai është një nga të paktët liderë evropianë që kemi parë që ka qenë i gatshëm t’i kundërvihet burokracisë në Bruksel”, u shpreh ai.

  • Aksion kundër call centerave të paligjshëm në Tiranë: 4 të arrestuar, sekuestrohen 500 mijë euro

    Aksion kundër call centerave të paligjshëm në Tiranë: 4 të arrestuar, sekuestrohen 500 mijë euro

    Një aksion i gjerë kundër mashtrimeve online po zhvillohet mbrëmjen e së hënës në Tiranë, ku janë goditur disa call center-a të dyshuara për mashtrimin e qytetarëve europianë.

    Prokuroria ka lëshuar gjithsej 9 masa sigurie për të përfshirët në këtë skemë kriminale, prej të cilave 7 “arrest me burg” dhe 2 “detyrim paraqitjeje”. Deri më tani janë arrestuar 4 persona, ndërsa të tjerët janë ende në kërkim.

    Gjatë operacionit janë sekuestruar mbi 500 mijë euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.

    Aksioni po vazhdon në disa zona të kryeqytetit dhe autoritetet pritet të dalin me detaje shtesë në vijim.

  • Ushtria nigeriane godet aksidentalisht një treg gjatë një sulmi ajror, duke vrarë 200 persona

    Ushtria nigeriane godet aksidentalisht një treg gjatë një sulmi ajror, duke vrarë 200 persona

    Një sulm i Forcave Ajrore Nigeriane që synonte rebelët xhihadistë goditi një treg lokal në verilindje, duke vrarë deri në 200 civilë, raportoi të hënën një kryetar lokal.

    Zyrtarët konfirmuan një shkrepje të gabuar, por nuk dhanë detaje të mëtejshme.

    Amnesty International citoi të mbijetuarit të kenë thënë se të paktën 100 persona u vranë në sulmin ajror të shtunën në një fshat në shtetin Yobe, pranë kufirit me shtetin Borno, i cili është epiqendra e kryengritjes që ka shkatërruar rajonin për më shumë se një dekadë.

    “Ne kemi fotografitë e tyre dhe ato përfshijnë fëmijë”, tha Isa Sanusi, drejtori i Amnesty International për Nigerinë, duke iu referuar viktimave.

    “Ne jemi në kontakt me njerëzit që janë atje, kemi folur me spitalin. Ne kemi folur me personin përgjegjës për viktimat dhe kemi folur me viktimat”, shtoi ai.

    Një punonjës në spitalin e përgjithshëm Geidam në Yobe, tha se të paktën 23 persona të plagosur në incident po merrnin trajtim. Punonjësi foli në mënyrë anonime pasi nuk ishte i autorizuar të fliste me median.

    Shkelje të tilla zjarri janë të zakonshme në Nigeri, ku ushtria shpesh kryen sulme ajrore për të luftuar grupet e armatosura që kontrollojnë enklava të gjera pyjore.

    Të paktën 500 civilë kanë vdekur që nga viti 2017 në shkëmbime të tilla zjarri, sipas një numri të vdekjeve të raportuara të kryera nga agjencia e lajmeve AP.

    Analistët e sigurisë tregojnë për boshllëqe në mbledhjen e inteligjencës, si dhe koordinim të pamjaftueshëm midis trupave tokësore, aseteve ajrore dhe palëve të interesuara.

    Tregu i madh dhe i largët i vendosur pranë kufirit Borno-Yobe dihet se përdoret shpesh nga militantët e Boko Haram për të blerë furnizime ushqimore.

    Abdulmumin Bulama, një anëtar i një grupi sigurie civile që punon me ushtrinë nigeriane në verilindje, tha se kishte inteligjencë se terroristët e Boko Haram ishin mbledhur shumë afër tregut dhe po planifikonin një sulm ndaj komuniteteve aty pranë.

    “Informacioni u nda dhe avioni i Forcave Ajrore veproi bazuar në informacionin e besueshëm”, tha Bulama.

    Qeveria e Shtetit Yobe konfirmoi në një deklaratë se një sulm ushtarak nigerian po synonte një fortesë të grupit xhihadist Boko Haram në zonë, dhe se “disa njerëz që shkuan në tregun javor Jilli u prekën”.

    Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave të Shtetit Yobe pranoi gjithashtu se kishte ndodhur një incident që rezultoi në “viktima që prekin disa tregtarë”, dhe tha se kishte dërguar ekipe reagimi në zonë.

  • Stërvitje ushtarake e FSK-së në Cerrnushë të Mitrovicës, kërkohet shmangia e zonës

    Stërvitje ushtarake e FSK-së në Cerrnushë të Mitrovicës, kërkohet shmangia e zonës

    Komuna e Mitrovicës ka njoftuar qytetarët se gjatë periudhës 14 deri më 17 prill 2026 do të zhvillohen aktivitete ushtarake në poligonin manovrues të fshatit Cerrnushë, nga Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Sipas njoftimit, këto aktivitete do të realizohen në kuadër të angazhimeve të rregullta të FSK-së, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje për kujdes dhe bashkëpunim gjatë kësaj periudhe.

    Autoritetet komunale kërkojnë nga qytetarët që të shmangin lëvizjen në zonën ku do të zhvillohen aktivitetet, të mos përdorin rrugët që çojnë drejt poligonit dhe lapidarit të UÇK-së, si dhe të respektojnë udhëzimet e personelit në terren.

    Ky njoftim, sipas komunës, ka për qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe zhvillimin e mbarë të aktiviteteve të planifikuara.

  • SHBA-ja propozon ushtarakun Eric Wendt si ambasador në Shqipëri

    SHBA-ja propozon ushtarakun Eric Wendt si ambasador në Shqipëri

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, propozoi emërimin e ish-gjeneralit amerikan në NATO, Eric Wendt, si ambasador të ri të SHBA-së në Shqipëri.

    Sipas një njoftimi për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, në kuadër të nominimeve dhe tërheqjeve të dërguara në Senat, Wendt u propozua për të drejtuar misionin diplomatik amerikan në Tiranë.

    “Eric Wendt, nga Kalifornia, të emërohet Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

    Emërimi i tij pritet të shqyrtohet nga Senati amerikan, i cili duhet të japë miratimin përfundimtar.

    Aktualisht, SHBA-ja nuk ka ambasador me mandat të plotë në Shqipëri.

    Nancy VanHorn shërben si e ngarkuar me punë që nga viti 2024.

    Kush është Wendt?

    Wendt ka një karrierë të gjatë mbi tri dekada në ushtri dhe në struktura ndërkombëtare të sigurisë.

    Ai është oficer i pensionuar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara me mbi 34 vjet shërbim.

    Ai ka shërbyer si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe ka mbajtur poste kyç në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.

    Gjatë karrierës së tij, Wendt ka qenë koordinator i Sigurisë i SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez në periudhën 2017–2019, si dhe shef i Shtabit në Komandën e Paqësorit të SHBA-së.

    Wendt është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Shkollën Pasuniversitare Detare./REL/