ATV

Category: Lajme

  • Vance: Topi është në fushën e Teheranit pas “përparimit” në bisedime

    Vance: Topi është në fushën e Teheranit pas “përparimit” në bisedime

    Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, tha se topi tani është në fushën e Iranit, pasi bisedimet për paqe, fundjavën e kaluar në Islamabad, shënuan “shumë përparim”.

    Duke folur në një intervistë për Fox News, Vance tha se gjatë bisedimeve të paqes, të cilat zgjatën rreth 20 orë, “ne, në fakt, e bëmë shumë të qartë se cilat ishin vijat tona të kuqe”.

    “Unë me të vërtetë mendoj se topi është në fushën e Iranit, sepse ne kemi vënë shumëçka në tryezë”, tha Vance.

    Ai shtoi se gjatë bisedimeve u bë e qartë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk ka fleksibilitet në lidhje me uraniumin e pasuruar të Iranit, të cilin Uashingtoni duhet ta ketë, dhe mekanizmin e verifikimit që do të siguronte që Teherani të mos zhvillonte armë bërthamore në të ardhmen.

    “Është një gjë për iranianët të thonë se nuk do të kenë armë bërthamore, është një gjë tjetër për ne të vendosim mekanizmin për të siguruar që kjo nuk do të ndodhë”, tha Vance.

    Vance, po ashtu, akuzoi Qeverinë iraniane për përfshirje në një “akt terrorizmi ekonomik” duke bllokuar trafikun përmes Ngushticës së Hormuzit.

    Nëse iranianët “angazhohen në terrorizëm ekonomik”, SHBA-ja do t’i përmbahet parimit se “asnjë anije iraniane nuk do të dalë”.

    Nga 13 prilli, SHBA-ja nisi zbatimin e një bllokade detare ndaj anijeve që hyjnë në portet dhe zonat bregdetare të Iranit, pasi bisedimet e javës së kaluar për paqe nuk prodhuan rezultate konkrete.

    Anijet që shfrytëzojnë Ngushticën e Hormuzit për në dhe nga portet joiraniane, nuk do të pengohen, tha ushtria amerikane.

    Ky veprim shihet si përpjekja e fundit e presidentit Trump për ta detyruar Iranin të bëjë lëshime.

    Dy vendet dhe Izraeli, nga 9 prilli, janë në armëpushim dyjavor, pas gati gjashtë javësh luftime.

  • Komisioni miraton dërgimin e FSK-së në Gaza për misione humanitare dhe siguri

    Komisioni miraton dërgimin e FSK-së në Gaza për misione humanitare dhe siguri

    Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar me të gjitha votat për vendimin e Qeverisë për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se ky vendim dëshmon pjekurinë e shtetit dhe kapacitetin e FSK-së për të marrë përgjegjësi ndërkombëtare.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës, për ushtarin e Kosovës, është një strukturë serioze, profesionale dhe gjithmonë më e gatshme që të marrë përgjegjësi përtej kufijve të vendit. Kërkesa e FSK-së për pjesëmarrje në operacione jashtë vendit, e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është në proces shqyrtimi në Kuvend; është një hap i rëndësishëm që tregon pjekurinë e shtetit tonë dhe besimin që kemi ndërtuar në kapacitetet tona mbrojtëse. Mbështetja e FSK-së në këtë rrugëtim duhet të jetë e plotë dhe pa dilema, prandaj edhe në emër të Partisë Demokratike të Kosovës ofrojmë mbështetje të plotë, duke besuar fuqishëm që aty ku është Forca e Sigurisë së Kosovës, është dinjiteti, profesionalizmi dhe disiplina”, tha ajo, raporton EO.

    Ndërsa deputetja e VV-së, Shqipe Selimi, theksoi se FSK-ja është e gatshme të kontribuojë në misione paqeruajtëse krah aleatëve ndërkombëtarë.

    “Forcës së Sigurisë së Kosovës që tashmë është e gatshme të jetë partnere dinjitoze krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj në një mision paqeje në Gaza, por jo vetëm atje, por është e gatshme që të jetë kontribuese në të gjithë botën kudo që është e nevojshme. Ne si shtet, si kuvend, jemi të detyruar që t’i sigurojmë ligje dhe marrëveshje ndërkombëtare të cilat i mbrojnë ata, nuk e cenojnë integritetin e tyre. Jemi përgjegjës që tashmë edhe e kemi bërë si kuvend dhe si qeveri që të mbështeten financiarisht me mjete, të kenë trajnime dinjitoze. Këtë po e bëjmë dhe do ta bëjmë në vazhdimësi. Dhe edhe njëherë i mbështesim të gjithë ata ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që do të jenë në një mision paqeje”, tha ajo.

    Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Fadil Hadergjonaj, e cilësoi si lajm të mirë për Kosovën pjesëmarrjen në këtë mision, duke kërkuar mbështetje të plotë për pjesëtarët e FSK-së.

    “Të gjithë sfidave në vazhdimësi qoftë individualisht qoftë si ekip në gara të ndryshme, stërvitje të ndryshme, në aspektin e edukimit profesional dhe herë, dhe është një lajm i mirë për vetë Kosovën por natyrisht edhe për forcën e sigurisë së Kosovës, e cila do të prezantojë në këtë mision që është domethënë hera e parë që ne marrim pjesë në një mision të kësaj natyre, të paqes, ku janë edhe në kuadër të shumë ushtrive të tjera. Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës mbështesim këtë mision, mbështesim FSK-në, në të njëjtën kohë kërkojmë që këta pjesëtarë që do të zbarkojnë në këtë forcë, në kuadër të forcës stabilitetit në Gaza, ta kenë mbështetjen e plotë qoftë në aspektin logjistik qoftë aspektin e pajisjeve”, tha ai.

  • Transport ilegal i druve në Viti, lëndohen dy policë gjatë arrestimit të dyshuarit

    Transport ilegal i druve në Viti, lëndohen dy policë gjatë arrestimit të dyshuarit

    Një rast i transportit ilegal të druve dhe moszbatimit të urdhrave të personit zyrtar është regjistruar në fshatin Binq të Vitisë, ku një person ka kundërshtuar urdhrat policorë dhe ka shkaktuar lëndimin e dy zyrtarëve.

    Sipas njoftimit, njësiti policor kishte ndaluar një automjet me targa lokale që drejtohej nga një i dyshuar mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut.

    Gjatë kontrollit është konstatuar se i njëjti po transportonte dru në mënyrë të kundërligjshme.

    Policia e kishte urdhëruar të dyshuarin që automjeti të shoqërohej në zyrat e pylltarisë, mirëpo ai ka refuzuar dhe ka kundërshtuar urdhrat zyrtarë.

    Gjatë tentativës për arrestimin e tij, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore.

    Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.

  • Qorrolli u ngrit në këmbë kur Gërvalla u largua nga mbledhja, Tahiri e ngacmon: Duhet me u çu se përndryshe…

    Qorrolli u ngrit në këmbë kur Gërvalla u largua nga mbledhja, Tahiri e ngacmon: Duhet me u çu se përndryshe…

    Komisioni miraton Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë

    Sot, ka mbajtur mbledhje Komisioni për Legjislacion, ku e pranishme ka qenë edhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.

    Kur kjo e fundit është larguar nga mbledhja e komisionit, deputeti i VV’së, Vigan Qorrolli, është ngritur në këmbë.

    Me këtë veprim të Qorrollit, ka ironizuar deputeti i AAK’së, Besnik Tahiri, i cili ka thënë se ‘’duhet me çu në këmbë, se me bo mos me u çu në këmbë të vrasin atje’’.

  • Tahiri: Byroja s’duhet të bëhet instrument partiak

    Tahiri: Byroja s’duhet të bëhet instrument partiak

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësime serioze gjatë mbledhjes së Komisionit për Legjislacion lidhur me projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

    Gjatë diskutimit, Tahiri theksoi tri çështje kryesore që, sipas tij, bien ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardet ligjore në fuqi.

    Ai vuri në dukje se projektligji nuk i është nënshtruar konsultimit publik, një obligim i qartë që buron nga Rregullorja e Punës së Qeverisë, konkretisht neni 49. Sipas tij, kjo përbën shkelje procedurale dhe cenon transparencën në hartimin e ligjeve.

    Tahiri kritikoi faktin që Byrosë dhe Drejtorit të saj u jepet e drejta që procedurat e verifikimit t’i rregullojnë përmes akteve nënligjore. Ai theksoi se kjo është në kundërshtim me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi çështje të tilla duhet të përcaktohen drejtpërdrejt në ligj dhe jo të delegohen.

    Ai ngriti shqetësimin për parashikimin e retroaktivitetit në projektligj, duke theksuar se kjo bie ndesh me disa ligje aktuale dhe cenon sigurinë juridike.

    Në përmbyllje, Tahiri theksoi se ky projektligj nuk duhet të krijojë një strukturë paralele institucionale apo një “tigër prej letre”, por një institucion funksional që i shërben drejtësisë.

    “Sot është një parti në pushtet, nesër mund të jetë një tjetër; prandaj institucionet duhet të jenë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve, jo të subjekteve politike”, u shpreh ai.

  • Irani kërkon kompensim nga vendet arabe për sulmet ShBA-Izrael

    Irani kërkon kompensim nga vendet arabe për sulmet ShBA-Izrael

    Irani ka kërkuar kompensim nga pesë vende arabe, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Katarin dhe Jordaninë, duke i akuzuar ato për përfshirje në sulmet e përbashkëta amerikano-izraelite kundër territorit iranian.

    Në një letër të dërguar të hënën drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe Presidentit të Këshillit të Sigurimit, Jamal Fares Alrowaiei, përfaqësuesi i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, deklaroi se këto shtete kanë “shkelur detyrimet ndërkombëtare” duke lehtësuar, sipas tij, sulmet e ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.

    Ai theksoi se vendet në fjalë duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të paguajnë kompensim për dëmet dhe humbjet e shkaktuara gjatë konfliktit.

    Tensionet në rajon u rritën ndjeshëm pas sulmeve të përbashkëta të nisura nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli më 28 shkurt, të cilat shkaktuan mijëra viktima mes të vrarëve dhe të plagosurve.

    Si kundërpërgjigje, Irani ndërmori sulme ndaj objektivave në Izrael, Irak, Jordani dhe vende të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane. Një armëpushim dyjavor u shpall javën e kaluar, duke sjellë një qetësim të përkohshëm të situatës.

  • Rushiti: Ende mijëra viktima të dhunës seksuale nuk flasin dhe kanë frikë nga stigma dhe paragjykimi

    Rushiti: Ende mijëra viktima të dhunës seksuale nuk flasin dhe kanë frikë nga stigma dhe paragjykimi

    Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) theksoi sot se 14 prilli shënon memorien kolektive të Kosovës, ku nderohen mijëra viktima të dhunës seksuale.

    Rushiti pas homazhe në memorialin “Heroinat” tha se kjo ditë kondicion me datën e Vasfije Krasniqit ku si e re i është nënshtruar torturës masive në vendin ku i ka ndodh krimi.

    “Nga ai vend vite më parë Vasfija ka kërkuar që kjo ditë të jetë ditë institucionale memoriale për të mbijetuarit e dhunës seksuale”, tha ajo.

    Tutje Rushiti theksoi se ende qindra e mijëra të mbijetuar nuk flasin dhe kanë frikë nga stigma dhe paragjykimi që historitë e tyre t’i ndajnë në publik.

  • Kalon në lexim të parë të komisionit, Ligji i pasurisë së pajustifikueshme!

    Kalon në lexim të parë të komisionit, Ligji i pasurisë së pajustifikueshme!

    Ka kaluar në lexim të parë Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

    Me 7 vota pro, projektligji kaloi në parim.

    Komisioni për legjislacion ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën është shqyrtuar Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

    Gjatë mbledhjes, anëtarët e komisionit diskutuan për përmbajtjen dhe rëndësinë e këtij projektligji, i cili synon forcimin e mekanizmave ligjorë në luftën kundër korrupsionit dhe pasurimit të paligjshëm.

    Pas shqyrtimit, projektligji ka kaluar në lexim të parë, duke hapur rrugë për procedurat e mëtejshme parlamentare.

  • Nafta sot më lirë për gjashtë centë sesa dje

    Nafta sot më lirë për gjashtë centë sesa dje

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës (MINT) ka bërë të ditur çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të jenë në fuqi për datën 14 prill 2026.

    Nafta sot do të shitet me çmimin 1.78 centë sipas vendimit të publikuar nga MINT, 6 centë më lirë sesa ditën e djeshme

    Në vendimin e publikuar, çmimi maksimal i lejuar për benzinë është 1.44 centë, kurse për gazin 89 centë.

  • 51 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë, mbi 2 mijë gjoba të shqiptuara në trafik

    51 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë, mbi 2 mijë gjoba të shqiptuara në trafik

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24-të orëve të fundit janë shkaktuar 51 aksidente trafiku ku prej tyre 1 me fatalitet, 19 me të lënduar, dhe 31 me dëme.

    Më tutje bëhet e ditur se janë shqiptuar 2172 gjoba trafiku.

    22 persona janë arrestuar, 18 në mbatje dhe 1 në ndalim policor.