ATV

Category: Lajme

  • SHBA-ja propozon ushtarakun Eric Wendt si ambasador në Shqipëri

    SHBA-ja propozon ushtarakun Eric Wendt si ambasador në Shqipëri

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, propozoi emërimin e ish-gjeneralit amerikan në NATO, Eric Wendt, si ambasador të ri të SHBA-së në Shqipëri.

    Sipas një njoftimi për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, në kuadër të nominimeve dhe tërheqjeve të dërguara në Senat, Wendt u propozua për të drejtuar misionin diplomatik amerikan në Tiranë.

    “Eric Wendt, nga Kalifornia, të emërohet Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

    Emërimi i tij pritet të shqyrtohet nga Senati amerikan, i cili duhet të japë miratimin përfundimtar.

    Aktualisht, SHBA-ja nuk ka ambasador me mandat të plotë në Shqipëri.

    Nancy VanHorn shërben si e ngarkuar me punë që nga viti 2024.

    Kush është Wendt?

    Wendt ka një karrierë të gjatë mbi tri dekada në ushtri dhe në struktura ndërkombëtare të sigurisë.

    Ai është oficer i pensionuar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara me mbi 34 vjet shërbim.

    Ai ka shërbyer si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe ka mbajtur poste kyç në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.

    Gjatë karrierës së tij, Wendt ka qenë koordinator i Sigurisë i SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez në periudhën 2017–2019, si dhe shef i Shtabit në Komandën e Paqësorit të SHBA-së.

    Wendt është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Shkollën Pasuniversitare Detare./REL/

  • Shtatë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

    Shtatë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

    Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve në Kosovë.

    DHUNË NË FAMILJE

    · Prishtinë 29.03.2026-14:00. Me 13.04.2026 është iniciuar rasti i lartcekur , pasi që më parë i dyshuari mashkull kosovar kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    · Prishtinë 13.04.2026-05:30. Është raportuar se viktima mashkull kosovar, pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga vëllai i tij i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit të palëve me vendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    · Prishtinë 13.04.2026-17:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit ka fyer dhe sulmuar bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    DHUNË NË FAMILJE

    Kaçanik 13.04.2026 – 13:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    DHUNË NË FAMILJE & MBAJTJE NË PRONËSI KONTROLL APO POSEDIM I PA AUTORIZUAR I ARMËS

    Pejë 13.04.2026-17:45. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka kanosur djalin e tij viktimën mashkull kosovar dhe ka shfaqur agresivitet ndaj familjareve tjerë. Viktima ka deklaruar se prindi posedon edhe armë dhe gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri AK/47 me një karikator me 8 fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    DHUNË NË FAMILJE

    · Pejë 13.04.2026–11:30. Është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare, pasi që kishte ushtruar dhunë ndaj viktimës mashkull kosovar, me të cilin ishte duke bashkëjetuar. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    · Deçan 13.04.2026-18:00. Raportohet se dy të dyshuar, një mashkull shtetas i Shqipërisë dhe një femër kosovare-çift bashkëshortor, pas një mosmarrëveshje janë përleshur fizikisht në mes vete. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit, pas intervistimit të palëve rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

  • Vdekjet në vendin e punës, nis aksioni 15 ditor i inspektimeve në gjithë Kosovën – çka përfshin vendimi

    Vdekjet në vendin e punës, nis aksioni 15 ditor i inspektimeve në gjithë Kosovën – çka përfshin vendimi

    Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka njoftuar se ka marrë vendim të menjëhershëm që në të gjithë territorin e Kosovës të fillojë një aksion i jashtëzakonshëm i inspektimeve, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë.

    Sipas vendimit të nxjerrë nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare më 13 prill, Inspektorati Qendror i Punës obligohet të hartojë një plan emergjent dhe të fillojë menjëherë një aksion të jashtëzakonshëm kombëtar të inspektimeve. Ky aksion do të zhvillohet në të gjithë territorin e vendit për një periudhë 15-ditore, me fokus në kantieret ndërtimore dhe aktivitetet me rrezik të lartë.

    Inspektimet do të realizohen në mënyrë intensive, përfshirë edhe gjatë ditëve të festave dhe jashtë orarit të rregullt të punës. Në rastet kur konstatohet mosrespektimi i masave bazike të sigurisë dhe shëndetit në punë, subjektet do të përballen me ndalim të menjëhershëm të aktivitetit, vendosje të shenjave bllokuese, si dhe masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi. Gjithashtu, parashihen procedura për pezullim të përkohshëm të veprimtarisë dhe masa të tjera ligjore, deri në përmbushjen e kërkesave të rekomanduara, thuhet në vendim.

    Vendimi parasheh organizimin e punës së inspektorëve në terren me dy ndërrime ditore, me qëllim rritjen e mbulimit gjatë gjithë ditës, përfshirë edhe gjatë festave. Po ashtu, urdhërohet rrotacion i detyrueshëm i inspektorëve ndërmjet komunave dhe rajoneve.

    Në kuadër të masave, formohet një Task-Forcë e përkohshme ndërinstitucionale për sigurinë dhe shëndetin në punë në sektorin e ndërtimtarisë, e përbërë nga përfaqësues të Inspektoratit të Punës, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera relevante. Detyra e saj është koordinimi i veprimeve në terren dhe mbështetja në zbatimin e masave ndëshkuese.

    Gjithashtu, krijohet një ekip ad hoc për analizimin e rasteve të fundit të aksidenteve në punë, i cili do të shqyrtojë rastet e fundit dhe ato të ndodhura gjatë 12 muajve të fundit, si dhe do të japë rekomandime për masa parandaluese dhe përmirësimin e sistemit të inspektimit. Ky ekip obligohet që brenda një muaji të dorëzojë raport përfundimtar.

    Vendimi obligon Inspektoratin e Punës që çdo 48 orë të publikojë të dhëna për numrin e inspektimeve të realizuara, ndalimet e aktiviteteve dhe masat ndëshkuese të shqiptuara, në faqen zyrtare dhe rrjetet sociale.

  • Ish-shefi i inteligjencës braziliane arrestohet nga ICE në Shtetet e Bashkuara

    Ish-shefi i inteligjencës braziliane arrestohet nga ICE në Shtetet e Bashkuara

    Ish-shefi i inteligjencës braziliane Alexandre Ramagem është ndaluar nga ICE në Shtetet e Bashkuara, raportoi agjencia në faqen e saj të internetit të hënën, pasi ai u largua nga Brazili në shtator pas dënimit të tij për komplotimin e një grusht-shteti me presidentin Jair Bolsonaro.

    Ramagem, një ish-inspektor i policisë federale, u dënua me mbi 16 vjet burg për rolin e tij në një komplot për të përmbysur fitoren zgjedhore të udhëheqësit të majtë Luiz Inacio Lula da Silva në vitin 2022 ndaj Bolsonaros.

    Paulo Figueiredo, një aleat i Bolsonaros që jeton në SHBA, tha në X se Ramagem u arrestua për një shkelje të vogël të rregullave të trafikut.

    Reuters nuk mundi të verifikonte arsyen e arrestimit të tij, ose nëse kjo lidhej me kërkesën e Brazilit për ta ekstraduar atë.

    Rasti kundër Bolsonaros, një udhëheqës i ekstremit të djathtë, shkaktoi zemërimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili e përdori atë për të justifikuar tarifat e larta mbi importet braziliane vitin e kaluar.

    Reagimi i Trump bëri pak për të prishur çështjen, e cila përfundoi në shtator të vitit të kaluar me 29 dënime, përfshirë atë të Bolsonaros, i cili tani po vuan një dënim me 27 vjet burg. Trump më vonë hoqi shumë nga tarifat që kishte vendosur.

    Si kreu i agjencisë së inteligjencës së Brazilit nën administratën e Bolsonaros, duke filluar nga viti 2019, Ramagem u akuzua për hetimin e kritikëve të ish-presidentit dhe ofrimin e informacionit për ta ndihmuar atë të diskreditonte sistemin zgjedhor të Brazilit.

  • Përlotet Krasniqi-Goodman: 16-vjeçare isha në dorën e armikut, sot kam shqiptarët pas vetes

    Përlotet Krasniqi-Goodman: 16-vjeçare isha në dorën e armikut, sot kam shqiptarët pas vetes

    E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës, Vasfije Krasniqi-Goodman është përlotur para mediave kur kujtoi se si 16-vjeçare ishte në dorën e armikut.

    Ajo tha se e ka të vështirë sa herë vjen kjo ditë, megjithatë u shpreh e lumtur se sot pas 27 vitesh, ka popullin e Kosovës pas vetes.

    “Kur isha 16-vjeçare isha në dorën e armikut, por sot jam këtu për të folur për drejtësinë, dhe kam gjithë popullin shqiptar pas vetes. Falënderoj edhe institucionet”.

    Krasniqi-Goodman u bëri thirrje viktimave që t’u bashkëngjiten për të folur publikisht dhe për të kërkuar drejtësi.

    “Kjo është diçka që nuk i falet Serbisë”, theksoi ajo.

    Vasfije Krasniqi-Goodman në shoqërinë e u.d. e presidentes, Albulena Haxhiu dhe kryeministri Albin Kurti, bëri homazhe tek memoriali “Heroinat”, në ditën e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

  • Rama: Projekti për Sazanin ka ndryshuar, nuk e mbyllim ishullin

    Rama: Projekti për Sazanin ka ndryshuar, nuk e mbyllim ishullin

    Investimi i dhëndrit të Presidentit të SHBA, Donald Trump, në ishullin e Sazanit është ende në fazën e negociatave me shtetin shqiptar, por ajo çfarë zbuloi kryeministri Edi Rama nga Vlora është që projekti i ndërtimit ka pësuar ndryshime.

    “Nuk e kemi përfunduar negociatën për Sazanin. Shteti shqiptar do të jetë pjesë e kompanisë së përbashkët që do të investojë dhe administrojë ishullin. Projekti ka ndryshuar si projekt ndërtimi. Do të ketë shumë pak ndërtime”, tha Rama, shkruan A2.

    Operatorët turistikë pyetën Ramën nëse Sazani do të jetë ekskluziv për Jared Kushner dhe Ivanka Trump apo do të kenë mundësi që ishulli të vizitohet edhe nga turistë të tjerë: “Thonë që qeveria ia ka shitur ishullin familjes Trump. Është e pavërtetë. Nuk bëhet fjalë për të mbyllur ishullin. Nuk do të jetë një resort i mbyllur sepse nuk do bëhet rezervat i privilegjuar”.

    Nga ana tjetër, në prag të sezonit turistik veror, kryeministri u kërkoi përfaqësuesve të bizneseve në Vlorë që të bëjnë kujdes me çmimet, pasi mund të përballen me braktisje të turistëve. Për të mos u përballur me një situatë të tillë, Rama i këshilloi që çmimet të mos jenë në disbalancë me shërbimin.

    Qyteti duhet të jetë i pastër, për këtë duket që nuk mjafton vetëm puna e bashkisë, për këtë arsye ai u kërkoi bizneseve që të pastrojnë edhe jashtë murit të tyre. Rama iu dha edhe këshilla biznesi, sipas tij tashmë në Vlorë më fitimprurëse se sa hotelet është një tjetër investim, parkingjet.

    Sipas shefit të qeverisë, ka një rritje të numrit të investitorëve, blerësve dhe turistëve, ndërsa parashikon që në 5 vitet e ardhshme vlera e pronës në Vlorë do të rritet.

  • Aleatët e NATO-s refuzojnë të përfshihen në bllokadën e porteve iraniane të vendosur nga Trump

    Aleatët e NATO-s refuzojnë të përfshihen në bllokadën e porteve iraniane të vendosur nga Trump

    Aleatët e NATO-s thanë të hënën se nuk do të përfshiheshin në planin e presidentit të SHBA-së Donald Trump për të bllokuar portet iraniane, duke propozuar të ndërhyjnë vetëm pasi të mbarojnë luftimet, në një veprim që ka të ngjarë ta zemërojë Trumpin dhe të rrisë tensionet në aleancë.

    Trump tha se ushtria amerikane do të eliminojë çdo anije iraniane që do t’i afrohej bllokadës që filloi të hënën, pasi bisedimet e fundjavës dështuan të arrinin një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit gjashtë-javor me Iranin, shkruan Reuters.

    Trump fillimisht theksoi se SHBA-të do të punonin me vendet e tjera për të bllokuar anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, por ushtria amerikane më vonë specifikoi se bllokada do të zbatohej vetëm për anijet që shkojnë në ose nga portet iraniane.

    Që kur filloi lufta më 28 shkurt, Irani ka bllokuar kryesisht rrugën ujore për të gjitha anijet përveç të vetave.

    Ai ka kërkuar ta bëjë kontrollin e tij mbi ngushticën të përhershëm dhe ndoshta të mbledhë taksa nga anijet që e përdorin atë.

    “Bllokada do të fillojë së shpejti. Vende të tjera do të përfshihen në këtë bllokadë”, tha Trump në një postim në Truth Social të dielën.

    Por aleatët e NATO-s, përfshirë Britaninë dhe Francën, thanë se nuk do të “tërhiqeshin në konflikt” duke marrë pjesë në bllokadë, duke thënë se në vend të kësaj po punonin për një iniciativë për të hapur ngushticën, përmes së cilës normalisht kalon një e pesta e furnizimeve globale me naftë.

    Dhe sipas Reuters, refuzimi i tyre për të marrë pjesë është një tjetër pikë fërkimi me Trump, i cili ka kërcënuar të tërhiqet nga aleanca ushtarake dhe po shqyrton tërheqjen e disa trupave amerikane nga Evropa pasi disa vende u mohuan avionëve ushtarakë amerikanë përdorimin e hapësirës së tyre ajrore për sulme ndaj Iranit.

  • Vdekjet në vendin e punës, Shoqata e ndërtimtarëve: Të forcohet zbatimi i standardeve të sigurisë në çdo vendpunishte

    Vdekjet në vendin e punës, Shoqata e ndërtimtarëve: Të forcohet zbatimi i standardeve të sigurisë në çdo vendpunishte

    Një person ka humbur jetën pasi ka rënë nga një objekt në ndërtim në rrugën “Remzi Hoxha” në Ferizaj.

    Rasti ka ndodhur më 13 prill 2026 rreth orës 11:45, kur policia ka pranuar informatën për një person që kishte rënë nga një ndërtesë në ndërtim.

    E pas këtij rasti kanë reaguar nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës.

    “Sektori i ndërtimit përfaqëson një nga shtyllat themelore të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit në vend, duke kontribuar drejtpërdrejt në transformimin dhe modernizimin e infrastrukturës kombëtare. Në këtë kontekst, siguria në vendin e punës mbetet një prioritet i panegociueshëm që kërkon angazhim të vazhdueshëm, standarde të larta profesionale dhe bashkërendim efektiv institucional.

    Humbja e 7 punëtorëve vetëm gjatë muajve të parë të vitit 2026 përbën një tregues serioz dhe një thirrje të qartë për veprim të menjëhershëm në drejtim të forcimit të zbatimit të standardeve të sigurisë në çdo vendpunishte, pa përjashtim”, thuhet në reagim.

    Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.

    “Në të njëjtën kohë, theksojmë se trajtimi i këtyre rasteve duhet të bazohet në analiza profesionale, të balancuara dhe të çliruara nga çdo tendencë për përgjithësim apo fajësim të njëanshëm të sektorit. Ndërtimtarët, kompanitë dhe investitorët janë drejtpërdrejt të interesuar në garantimin e kushteve të sigurta të punës dhe nuk mund të trajtohen si burim i rrezikut, por si partnerë kyç në menaxhimin dhe minimizimin e tij”, thuhet në njoftim.

    Tutje në reagim thuhet se fokusi duhet të orientohet në mënyrë të qartë drejt zbatimit rigoroz të standardeve të sigurisë dhe përgatitjes së plotë teknike dhe organizative të çdo kantieri ndërtimor, në përputhje me legjislacionin dhe normat profesionale në fuqi.

    “Po aq e rëndësishme është edhe përgjegjësia individuale në vendin e punës. Shoqata apelon që çdo punëtor të respektojë në mënyrë rigoroze rregullat e sigurisë dhe të përdorë pajisjet mbrojtëse personale në çdo moment, si një element thelbësor për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të tij.

    Në këtë drejtim, Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës kërkon intensifikim të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me institucionet relevante, në veçanti me Inspektoratin e Punës, për të ndërtuar një qasje të përbashkët dhe të qëndrueshme që promovon standarde reale sigurie në praktikë.

    Qasja jonë është e qartë dhe e vendosur: jo fajësim, por parandalim, ku mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve është prioritet absolut”, thuhet në reagim.

    Tutje, Shoqata e ndërtimtarëve thekson se siguria në punë nuk mund të reduktohet në masa ndëshkuese; ajo ndërtohet mbi përgjegjësi profesionale, përgatitje të duhur dhe bashkëpunim të sinqertë ndërmjet kompanive, punëtorëve dhe institucioneve.

  • Inspektorati në Gjilan gjobit një biznes për ndotje të rrugës dhe dëmtim të trotuarit

    Inspektorati në Gjilan gjobit një biznes për ndotje të rrugës dhe dëmtim të trotuarit

    Inspektorët e Komunës së Gjilanit kanë shqiptuar gjobë ndaj një subjekti afarist, pasi kamionët e tij kanë ndotur rrugën dhe kanë dëmtuar trotuarin në rrugën “Marie Shllaku”.

    Sipas njoftimit të Drejtorisë së Inspekcionit, veprimet janë ndërmarrë pas ankesave të qytetarëve, të cilët kanë raportuar për bartje të baltës nga kamionët, duke shkaktuar ndotje të rrugës dhe dëmtime në anësore dhe trotuar.

    Autoritetet komunale bëjnë të ditur se inspektorët kanë konstatuar shkeljet në terren dhe kanë ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj subjektit përkatës.

    “Ftojmë të gjithë shoferët dhe operatorët që të respektojnë detyrimet ligjore dhe të tregojnë kujdes të shtuar në ruajtjen e mjedisit dhe pastërtisë publike. Rrugët dhe hapësirat publike janë pasuri e përbashkët dhe mirëmbajtja e tyre është përgjegjësi e secilit prej nesh”, thuhet në njoftim.

    Drejtoria e Inspekcionit ka theksuar se inspektorët do të vazhdojnë kontrollet në terren dhe do të shqiptojnë gjoba ndaj të gjithë atyre që cenojnë mjedisin dhe hapësirat publike.

  • Gënjeu policinë për një aksident që nuk kishte ndodhur, hapet rast për vepër penale

    Gënjeu policinë për një aksident që nuk kishte ndodhur, hapet rast për vepër penale

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një rast i raportuar si aksident trafiku në Prishtinë ka rezultuar të jetë i rremë, pas verifikimeve të kryera nga njësitet policore.

    Sipas njoftimit, gjatë ditës së djeshme policia ka pranuar informatën për një aksident në kryeqytet, me ç’rast njësitet kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes dhe duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

    Pas ekzaminimit të vendit dhe analizimit të provave, përfshirë kamerat e sigurisë, njësitet e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë kanë konstatuar se nuk kishte ndodhur asnjë aksident trafiku dhe se rasti ishte raportuar në mënyrë të rreme.

    Personi i dyshuar është intervistuar nga organet e rendit, ndërsa në koordinim me Prokurorin e Shtetit ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “Deklarim i rremë”.

    Policia ka rikujtuar se raportimet e rreme përbëjnë shkelje ligjore dhe pengojnë angazhimin e resurseve në raste reale që kërkojnë ndërhyrje urgjente.