ATV

Category: Lajme

  • Shpëtoi një grua në Liqenin e Livoçit, qytetari nderohet nga Komuna e Gjilanit

    Shpëtoi një grua në Liqenin e Livoçit, qytetari nderohet nga Komuna e Gjilanit

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në takim qytetarin Faton Tahiri, i cili ditë më parë ka shpëtuar jetën e një gruaje që kishte rënë me automjet në Liqenin e Livoçit.

    Në shenjë vlerësimi për veprimin e tij, Hyseni i ka ndarë atij mirënjohje komunale për, siç u tha, trimërinë dhe reagimin e shpejtë në një situatë të rrezikshme.

    “Sot prita në takim bashkëqytetarin tonë, Faton Tahirin, i cili me një akt heroik e të jashtëzakonshëm shpëtoi pak ditë më parë jetën e një gruaje që kishte rënë me veturë në liqenin e Livoçit”, ka thënë Hyseni.

    Ai ka shtuar se veprimi i Tahirit përbën një shembull të solidaritetit qytetar dhe humanizmit në situata emergjente.

    “Fatoni është shembulli i qytetarit që na bën krenarë të gjithëve. Veprime të tilla humane janë dëshmia më e mirë e solidaritetit që na bashkon në momente të vështira. Mirënjohje dhe respekt i pafund”, ka deklaruar kryetari i Gjilanit.

  • Komisioni për Ekonomi shtyn shqyrtimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit

    Komisioni për Ekonomi shtyn shqyrtimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit

    Komisioni për Ekonomi ka shtyrë shqyrtimin e vendimit të Presidentes për kthimin në rishqyrtim të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, për shkak të nevojës për konsultime shtesë, raporton Ekonomia Online.

    Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të komisionit, ku u bë e ditur se kjo çështje do të trajtohet në një mbledhje tjetër, pas përfundimit të konsultimeve të nevojshme.

    Në të njëjtën mbledhje, Komisioni për Ekonomi ka themeluar edhe një grup pune për shqyrtimin e Projektligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

  • Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë kërkesën e Ilir Metës për lirimin nga burgu, caktohet data

    Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë kërkesën e Ilir Metës për lirimin nga burgu, caktohet data

    Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesën e ish presidentit dhe kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta më datë 23 prill, raporton Euronewsalbania.

    Meta ka bërë kërkesë për lirimin nga burgu dhe është drejtuar disa herë me kërkesë Shkallës së parë dhe të dytë të gjyqësorit, por që i janë rrëzuar.

    Sipas mbrojtjes së Ilir Metës, rrethanat kanë ndryshuar pasi dosja ndaj tij ka kaluar për gjykim.

    Rekusi i Metës do të shqyrtohet nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Genta Shala.

    Meta akuzohet për veprat penale “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.

     

  • “Kur flas unë, ti ndalesh”, përplasje mes Musliut dhe Kryeziut në Komisionin për Bordin e RTK-së

    “Kur flas unë, ti ndalesh”, përplasje mes Musliut dhe Kryeziut në Komisionin për Bordin e RTK-së

    Në Komisionin Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, është përplasur me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu.

    Përplasja nisi pasi Musliu shprehu shqetësimin se qytetarët që kanë aplikuar duhet të njoftohen më herët, ndërsa Kryeziu reagoi duke theksuar se ata janë kandidatë dhe jo qytetarë.

    “A janë kandidatët qytetarë, apo pjesë e grupit tuaj parlamentar?”, vazhdoi me pyetje deputetja e PDK-së.

    Musliu më pas i tha Kryeziut: “Kur të flas unë, ti ndalesh, nuk të intereson se si drejtohem. Nëse janë anëtarë të Vetëvendosjes, kallxona, menjëherë kallxona””.

  • Armend Muja i hedh poshtë raportimet për avancim të bashkëshortes – është e punësuar në Ministri nga viti 2020

    Armend Muja i hedh poshtë raportimet për avancim të bashkëshortes – është e punësuar në Ministri nga viti 2020

    Gazetari Lirim Mehmetaj në një intervistë në emisionin FRONTAL të T7 të hënën ka thënë se ministri i Bujqësisë, Armend Muja, pasi është bërë ministër, e ka bërë edhe gruan e tij drejtoreshë në Ministri të Tregtisë.

    “Veç sot e publikum, Armend Muja që u bo ministër, e ka bo grunë drejtoresh në Ministri”, ka deklaruar Mehmetaj.

    Ministri i Bujqësisë, Armend Muja ka dërguar në adresën e Gazetës Expres dhe T7 reagimin e tij duke thënë se deklarimet e gazetarit Mehmetaj janë pretendime të vjetra dhe gjë e pavërtetë.

    Muja në reagim ka thënë se gruaje e tij punon në shërbim civil që nga viti 2014, dhe se deklarime e raportime për punësimin e saj ka pasur edhe në vitin 2020, kur s’ka qenë pjesë e politikës.

    “Dje u përsërit një pretendim i vjetër, i pavërtetë: se “Armend Muja e ka bërë gruan e tij drejtoreshë”. Kjo është shpifje.Faktet janë të thjeshta dhe të verifikueshme: bashkëshortja ime është në shërbim civil që nga viti 2014, përmes programit të Bashkimit Evropian “Young Cell Scheme”, shumë përpara çdo angazhimi tim politik. Ajo është Drejtore Divizioni që nga viti 2018 dhe vetëm në raste të caktuara, sipas ligjit, ka ushtruar përkohësisht detyrën e u.d. Drejtorit të Departamentit kur pozita ka qenë vakante. Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga ana ime”, ka shkruar Muja në reagim.

    “Narrativa që lidhet me “momentum politik” apo me “rritje të standardit të jetesës” nuk ka asnjë bazë faktike – është një përpjekje e qëllimshme për të krijuar perceptim të rremë dhe për të njollosur reputacionin tim përmes familjes sime.Këto akuza nuk janë të reja. Janë ngritur edhe në vitin 2020, kur nuk kam qenë pjesë e politikës. Sot po riciklohen me të njëjtin qëllim: dezinformiminE kuptoj interesin publik për zyrtarët, por ai nuk e justifikon shpifjen dhe shkeljen e standardeve minimale të gazetarisë. Ftoj këdo që ka dyshime ta verifikojë këtë çështje – e vërteta është e njëjtë dhe e qartë”, ka thënë Muja tutje.

    Ai ka thënë se nuk ndërhyn në karrierën e gruas së tij, duke paralajmëruar veprime ligjor nëse vzhdojnë pretendimet.

    “Si parim, nuk ndërhyj në karrierën e bashkëshortes sime dhe nuk kam lejuar që ajo të përfitojë nga pozita ime publike.Shpifjet kanë pasoja. Nëse këto pretendime vazhdojnë, do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore të nevojshme”, ka përfunduar Muja.

  • Rama: Sot Shqipëria është vendi ku askush s’është mbi ligjin, e ardhmja evropiane në tryezë

    Rama: Sot Shqipëria është vendi ku askush s’është mbi ligjin, e ardhmja evropiane në tryezë

    Kryeministri i Shqipwrisw Edi Rama në Samitin IV të Diasporës në Tiranë, tha se Shqipëria është sot vendi ku askush s’është mbi ligjin dhe drejtësia është e pavarur siç nuk ka qenë që prej kohës së pavarësisë në 1912-ën.

    Kreu i qeverisë shqiptare po ashtu vuri në dukje se Shqipëria ka hapur të gjithë grup-kapitujt në një kohë rekord dhe sot ka ambicien të përmbyllë negociatat në 2027-ën.

    “Sot pandëshkueshmëria është një mit i të kaluarës në Shqipëri dhe sot Shqipëria është vendi ku askush s’është mbi ligjin dhe drejtësia është e pavarur, siç nuk ka qenë qysh në krye të herës, që nga 1912-ta, deri kur ne me vullnet të plotë i dorëzuam shpatën që i takon vetëm duarve të saj, për të bërë drejtësi të barabartë, për të gjithë, pa kursyer askënd. Atëherë Shqipërisë i mbyllej rregullisht dera e negociatave për anëtarësim në BE, sot i kemi çelur të gjithë grup-kapitujt, në një kohë rekord, për vetëm 11 muaj. Njësoj si ju kur ju mbyllej dera në fytyrë në ato hapa të parë në rrugët e botës dhe askush s’kishte kohë, besim, dhe vëmendje, për t’ju dëgjuar dhe kuptuar se sa vlenit, por ju këmbëngulnit, dhe pasi fshihnit lotët nga poshtërimi i ditës, riktheheshit në mëngjes duke qenë në pritje për të qenë gati për derën kur të hapej. Në Samitin e parë, e ardhmja europiane ishte aspirata që mbetej larg, sot është një tryezë ku jemi të ulur bashkërisht, ballë për ballë, me ambicien për të mbyllur negociatat në 2027-ën”, tha Rama, raporton A2CNN.

    Ai tha se sot Shqipëria ka dy gjëra që sipas tij s’i ka patur kurrë.

    “Sot kemi Shqipërinë e besuar nga bota dhe shqiptarët e botës me besimin te Shqipëria”, deklaroi Rama.

  • Hoxha nga samiti i Diasporës: Shqipëria dhe Kosova po ecin drejt së ardhmes europiane

    Hoxha nga samiti i Diasporës: Shqipëria dhe Kosova po ecin drejt së ardhmes europiane

    Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha këtë të martë në ditën e dytë të Samitit të Diasporës e ka hapur me një fjalim lidhur me aktivitetin.

    Hoxha ka thënë se Shqipëria po ecën drejt së ardhmes evropiane, e pas ka vijuar duke thënë se kësaj rruge po i afrohet dhe Kosova.

    “Sot nuk mblidhemi për në takim të radhës, si çdo herë kur bëhemi bashkë, dot në këtë sallë rreh një zemër e madhe, që e bën këtë qytet më shumë se vetëm kryeqytetin e Shqipërisë, e bën një shtëpi të përbashkët për të gjithëve. Samiti vjen në një moment kyç, Shqipëria po ecën drejt të ardhmes evropiane dhe të njëjtën gjë mund të them dhe për Kosovën. Diaspora nuk është thjeshtë jashtë, jo një adresë kur drejtohemi kur kemi nevojë, por një dimension plotësues i identitetin tonë kombëtar.

    Gjuha shqipe është ADN jonë, është kujtesë, identitet, vazhdimësi. Pa gjuhën do në na mbetej vetëm trupi. Përpjekjet për gjuhën, në rajon e diasporë, janë përpjekjet për të qenë vetvetja. Nëse gjuha jonë që i ka rezistuar shekujve, dobësohet sot kur jemi më të ditur e më të lidhur, përgjegjësia është vetëm e jona. Gjuhën shqipte ta çojmë në vendin që meriton, në familjen e madhe evropiane. Nga brezi i par që u largua me pak shpresë, por shumë kurajo, ju keni ndërtuar një kapitull të ri të Shqiptarisë globale. Edhe nga larg ju keni gjithmonë afër. Sot në kohë zhvillimi ju duam partnerë. Atdheu kudo ku është, atdheu ku ka shqiptarë. Përmes rrënjëve lartësohemi, përmes dijeve forcohemi”, tha Hoxha.

  • Të shtëna me armë në një shkollë në Turqi – raportohet për 16 të plagosur

    Të shtëna me armë në një shkollë në Turqi – raportohet për 16 të plagosur

    Një ish-nxënës hapi zjarr në ish-shkollën e tij të mesme të martën në Turqi, ku të shtënat në shkollë janë të rralla, duke plagosur 16 persona, përfshirë nxënës, përpara se të vriste veten, thanë zyrtarët.

    Forcat speciale të sigurisë u vendosën në shkollën në provincën Sanliurfa të Turqisë juglindore, ku nxënësit u evakuuan, u tha gazetarëve guvernatori lokal, Hasan Sildak, shkruajnë mediat e huaja.

    Ndërkohë, imazhet treguan ambulanca që qëndronin pranë jashtë shkollës në rrethin Siverek, ndërsa nxënësit iknin nga ndërtesa në panik.

    Sildak e identifikoi sulmuesin si një ish-nxënës në shkollë, i lindur në vitin 2007.

    “Ai i mori jetën vetes kur u rrethua nga policia”, ka thënë guvernatori.

    “Ne e kemi evakuuar shkollën dhe do të kryejmë një hetim të plotë për këtë incident tragjik”, ka shtuar ai.

    Mediat lokale kanë raportuar se shumica e të plagosurve ishin nxënës.

  • Anulohen seancat e planifikuara për këtë javë në gjykimin e Thaçit kundër administrimit të drejtësisë

    Anulohen seancat e planifikuara për këtë javë në gjykimin e Thaçit kundër administrimit të drejtësisë

    Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Klajt dhe Hajredin Kuçit, janë anuluar seancat e planifikuara për këtë javë.

    Nuk është bërë e ditur arsyeja e anulimit, mirëpo u tha se ato ishin planifikuar të mbahen në rast se ishte e nevojshme.

    Seancat e anuluara janë nga 14 deri më 17 prill 2026.

    Vlen të theksohet se kur u mbajtë konferenca përgatitore në këtë çështje u tha se këto seanca mund të mbahen në rast që do të refuzohej kërkesa që një dëshmitarit t’i pranohej dëshmia me shkrim.

    Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

    Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.

    Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars.

    Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. /Betimi për Drejtësi

  • Miratimi në Komision i Projektligjit për Byronë, Gërvalla: Çdo pasuri e pajustifikueshme do t’i kthehet shtetit dhe qytetarëve

    Miratimi në Komision i Projektligjit për Byronë, Gërvalla: Çdo pasuri e pajustifikueshme do t’i kthehet shtetit dhe qytetarëve

    Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Byronë për Konfiskimin dhe Sekuestrimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke i hapur rrugë procedimit të mëtejmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Para anëtarëve të Komisionit për Legjislacion, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi rëndësinë e këtij projektligji si një ndër mekanizmat kyç në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

    “Përmes këtij projektligji vendosim një standard të qartë dhe të pakontestueshëm që nuk do të ketë tolerancë ndaj pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme e të pajustifikueshme ndërsa qeverisja e përgjegjshme dhe transparenca nuk janë opsionale por detyrë shtetërore. Byroja shtetërore është garanci e pa kompromis për drejtësi, integritet dhe besim të pakushtëzuar të çdo qytetari të Republikës së Kosovës”, tha Ministrja Gërvalla.

    Tutje ajo potencoi që ky ligj shkon përtej një mandati qeveritar dhe përtej një partie politike andaj sipas saj është e rëndësishme që deputetët e Kuvendit ta miratojnë atë si garanci e prekshme për qytetarët dhe reformën në drejtësi.

    Ministrja Gërvalla po ashtu sqaroi gjithashtu rolin dhe funksionimin e Byrosë, duke theksuar se ajo nuk merr vendime për konfiskim.

    “Byroja nuk konfiskon. Ajo mbledh, verifikon dhe analizon informacionin, ndërsa vendimi për konfiskim merret nga gjykata. Procedurat iniciohen mbi bazë të informatave të besueshme dhe fokusi është te mospërputhjet substanciale financiare”, u shpreh ajo.

    Sipas Ministres Gërvalla, ky projektligj garanton të drejtat e palëve në çdo fazë të procedurës, përfshirë qasjen në dokumentacion, të drejtën për t’u dëgjuar, përfaqësimin dhe mjetet juridike.

    Në fund, Gërvalla u bëri thirrje anëtarëve të Komisionit dhe deputetëve që të mbështesin këtë projektligj në fazat e mëtejme.

    “Çdo pasuri e pajustifikueshme, e krijuar në mospërputhje me të ardhurat e ligjshme, përmes mekanizmave kushtetues dhe ligjor do të rikthehet tek shteti dhe qytetarët. Ky projektligj vendos një standard të qartë se nuk do të ketë tolerancë ndaj pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme”, përfundoi ajo.