ATV

Category: Lajme

  • Antimafia çmonton organizatën shqiptare të drogës në Itali, 28 arrestime

    Antimafia çmonton organizatën shqiptare të drogës në Itali, 28 arrestime

    Që nga orët e para të së martës, (14 prill), Operacioni “Daku” ka qenë në zhvillim e sipër, me 28 masa paraprake të ekzekutuara nga Policia e Shtetit në Itali, në provinca të ndryshme, ku pjesa më e madhe e të ndaluarve janë shqiptarë.

    Operacioni, i koordinuar Antimafia dhe nga Operacionalja e Trentos, përfshinte gjithashtu personel nga Seksioni Hetimor i Shërbimit Qendror të Operacioneve në Trieste. Bastisja u përqendrua në një komplot të trafikimit të drogës në provincën e Bolzanos.

    Organizata ishte e dedikuar në aktivitetin e trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, teksa aksioni është ende aktiv dhe pritet të zbardhen detaje të reja.

    Operacioni e ka marrë emrin “Daku” për shkak të nofkës shqip apo pseudonimit që shumë nga të dyshuarit shqiptarë thërrisnin njëri-tjetrin.

    Masat paraprake kundër njëzet e tetë të dyshuarve, kryesisht shqiptarë, po ekzekutohen nga hetuesit e Skuadrës Fluturuese të Bolzanos, së bashku me kolegët nga Belluno, Trento, Venecia, Verona dhe Vicenza, dhe nga njësitë SISCO të Breshias, Trentos, Triestes dhe Venedikut, të bashkuara në kryeqytetin e Tirolit të Jugut nga Shërbimi Qendror i Operacioneve, si dhe Njësitë e Parandalimit të Krimit të Milanos dhe njësitë e qenve të Ankonës, Milanos dhe Padovës.

    Dhjetë nga të dyshuarit janë burgosur, tetë janë nën arrest shtëpiak dhe dhjetë prej tyre janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, informon media italiane.

    Provincat e Barletta-Andria-Trani, Brescia, Monza Brianza, Pordenone dhe Sondrio janë gjithashtu të prekura në këto raste të fundit.

  • Bajqinovci e ka gati rrëfimin nëse vendi shkon në zgjedhje për shkak të Presidentit: Opozita fajtore

    Bajqinovci e ka gati rrëfimin nëse vendi shkon në zgjedhje për shkak të Presidentit: Opozita fajtore

    Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, tha se nëse dështon zgjedhja e Presidentit “faji dhe turpi” do të jetë i opozitës.

    Duke u përpjekur t’ia lë fajin opozitës, ai po ashtu përdori frazën “nëse opozita na çon në zgjedhje”, ndërsa nuk dha ndonjë përgjigje mbi përgjegjësinë e Vetëvendosjes për të dalë nga kjo situatë si grupi më i madh parlamentar në Kuvend. Këtu ai përmendi ftesat e shefit të tij, Albin Kurti, për takime me partitë opozitare dhe kërkesat për dërgim të emrave.

    Sidoqoftë, Lëvizja Vetëvendosje s’ka lëvizur nga propozimet e saj për President, dy anëtarët e saj, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

    “Opozita duhet të reflektojë dhe jo vetëm të shkojë në takime, por edhe të ketë dëshirë të bëjë zgjidhje. E në këtë rast zgjidhja është të bëhet presidenti i Kosovës”.

    Ai tha se opozita duhet të ketë “dëshirë” dhe jo të bëjë deklarata që “ne duhet të shkojmë në zgjedhje”.

    “Kjo s’është e mirë sepse vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje për shkak se i ka institucionet stabile dhe nuk duhet populli të maltretohet çdo gjashtë muaj në zgjedhje”, tha ai për RTV 21.

    I pyetur se në cilën parti këmbëngul më shumë Vetëvendosja për bashkëpunim, Bajqinovci, tha se nuk ka ndonjë parti politike opozitare që ka “kërkesë të bashkëpunojmë më shumë a më pak”.

    “Iu kemi dërguar ftesa, por po shihni se shpesh ka deklarata se “vetëm zgjedhje dhe nuk ka tjetër”. Pra, nuk ka reflektim nga opozita”.

    Bajqinovci gjithashtu e cilësoi si “absurde të shkohet në zgjedhje kur dihet se sapo kemi dalë me një rezultat prej 51.1% për Lëvizjen Vetëvendosje”.

    I pyetur se me dy anëtarët partiakë të propozuar për pozitën e Presidentit, Vetëvendosje po synon të dështojë këtë proces, Bajqinovci sërish akuzoi opozitën.

    “Ata nuk i kanë dërguar emrat. Faji dhe turpi është te opozita. Kërkimi i emrave është bërë publik disa herë”.

    Megjithatë, ai tha se është i bindur se do të ketë zgjidhje sepse në të kundërtën opozita “e di” fatin e saj.

    “Shumë i bindur jam që do të ketë zgjidhje për çështjen e Presidentit. Në bazë të asaj që po e shoh. Unë besoj se do të ketë reflektim, sepse nëse opozita na çon në zgjedhje dihet se cili do të jetë fati i tyre”.

  • Ish-kryetari i Nju Jorkut pasi mori pasaportën shqiptare, regjistrohet edhe si banor i Tiranës

    Ish-kryetari i Nju Jorkut pasi mori pasaportën shqiptare, regjistrohet edhe si banor i Tiranës

    Ish-kryebashkiaku i New Yorkut, Eric Adams është zyrtarisht banor i Njësisë Administrative Nr. 2 në Tiranë.

    Pak ditë më parë Adams mori nënshtetësinë shqiptare.

    Sipas njoftimit të bërë publik, Adams ka kryer procedurat e regjistrimit si rezident në kryeqytet dhe, sipas fotove të publikuara, ka aplikuar gjithashtu edhe për pajisjen me pasaportë shqiptare.

    Kreu i Njësisë Nr. 2, Florian Pullazi,i cili ka ndarë foto në rrjetin e tij social Facebook, e ka cilësuar Adams si “banorin më të ri të njësisë”, duke e pritur atë në ambientet e institucionit lokal.

    “Eric Adams, banori më i ri i njësisë nr. 2 në Tiranë!

    Me kënaqësi mikprita sot në ambientet e njësisë administrative nr. 2 në Tiranë, ish-kryetarin e bashkisë së Nju-Jorkut dhe ish-senatorin e njohur, Eric Adams.

    Eric Adams është një mik i madh i shqiptarëve – sot, shqiptar me pasaportë – përveçse një politikan i njohur për fokusin tek çështjet e sigurisë publike, si ish-kapiten i Departamentit të Policisë së Nju-Jorkut.

    Siç e thotë edhe vetë ai, marrja e shtetësisë shqiptare është edhe reflektim i lidhjes së gjatë dhe të thellë mes qytetit të Nju-Jorkut dhe komunitetit shqiptar në SHBA.

    Kënaqësi që, nga sot, e kemi banor të njësisë nr. 2 në kryeqytet”, shkruan ai.

  • Tahiri: Nuk do të dorëzohem derisa të ketë drejtësi

    Tahiri: Nuk do të dorëzohem derisa të ketë drejtësi

    “Historia kurrë nuk vdes, ne do të vdesim”, ka thënë gruaja e parë që e dorëzoi publikisht kallëzim penal për rastin e saj pranë Prokurorisë Speciale.

    E mbijetuara e dhunës seksuale, Shyhrete Tahiri u bëri thirrje të gjithë grave dhe burrave që ende hezitojnë t’i qasen drejtësinë duke thënë “le ta kthejmë frikën tonë në guxim”.

    Ajo tha se asnjëherë nuk do të dorëzohet derisa ta gëzojë drejtësinë, raporton kp.

    Ky mesazh i saj u dha pikërisht në Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.

  • Sulmi me 16 të plagosur në Turqi, identifikohet autori – zbulohet mesazhi ku kishte paralajmëruar aktin

    Sulmi me 16 të plagosur në Turqi, identifikohet autori – zbulohet mesazhi ku kishte paralajmëruar aktin

    Detaje të reja janë zbardhur lidhur me sulmin e armatosur të regjistruar paraditen e kësaj të marte në Turqi. Autori i sulmit është identifikuar si Omer Ket. Sipas raportimeve ai ishte një ish-nxënës i shkollës ku u krye sulmi teksa la pas 16 të plagosur.

    Këtë mësohet se kishte postuar një mesazh në llogarinë e tij në Instagram para sulmit, ku shkruhej: “Përgatituni, do të ketë një sulm në këtë shkollë brenda pak ditësh, përgatituni”.

    Pas aktit të rëndë, autori i ka dhënë fund jetës. Ngjarja ndodhi në një shkollë të mesme në Siverek, Sanlıurfa. Nxënës dhe mësues u plagosën në sulm, dhe një numër i madh personeli mjekësor dhe policor i operacioneve speciale u dërguan në zonë.

    Një dëshmitar deklaroi se sulmuesi, i përshkruar si 18-19 vjeç, fillimisht hapi zjarr në oborrin e shkollës përpara se të hynte në shkollë dhe të vazhdonte të qëllonte.

    “Ai ishte 17 ose 18 vjeç. Sapo hyri nga dera e përparme, nxori armën e tij me tytë të gjatë. Filloi të qëllonte majtas e djathtas dhe drejt shkollës. Pastaj hyri brenda në shkollë dhe filloi të qëllonte. I dëgjova nxënësit duke bërtitur ndërsa ai qëllonte mbi këdo që haste. Pastaj mbërriti policia”, tha ai.

    Një deklaratë nga Ministria e Brendshme tha se mes të plagosurve janë 10 nxënës, 4 mësues, 1 oficer policie dhe 1 punonjës mense.

  • Dhuna seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi: 14 prilli ma prishi jetën dhe fëmijërinë

    Dhuna seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi: 14 prilli ma prishi jetën dhe fëmijërinë

    “14 prilli për shumë prej juve është një ditë në kalendar, për mua është një ditë që ma prishi jetën dhe fëmijërinë”.

    Kështu u shpreh gruaja e parë që rrëfeu publikisht në vitin 2018 tmerrin e përjetuar gjatë luftës.

    Vasfije Krasniqi në Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale ka folur pikërisht në ditën që përkon me përvjetorin e ditës së tmerrit për të.

    Ajo tha se si 17 vjeçare e raportoi rastin pranë institucioneve të atëhershme të drejtësisë, por përjetoi padrejtësinë.

    Krasniqi bëri thirrje që këto raste të trajtohen me prioritet duke shtuar se “shpirti im do të ketë paqe kur të ketë drejtësi”, raporton kp.

    “Ambasadorja e Guximit” ka folur në konferencën rajonale në shënim të 14 prillit me temën “Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës: Përgjegjësia penale dhe e drejta për kompensim”.

  • Miratohet projektligji për menaxhimin e ujërave dhe banimin e përballueshëm social

    Miratohet projektligji për menaxhimin e ujërave dhe banimin e përballueshëm social

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë dy projektligje të propozuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që kanë të bëjnë me menaxhimin e resurseve ujore dhe banimin social.

    Sipas njoftimit, bëhet fjalë për Projektligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore dhe Projektligjin për banim të përballueshëm dhe social, të cilat synojnë të përmirësojnë politikat publike në dy fusha me rëndësi të veçantë për qytetarët.

    “Projektligji për financimin e menaxhimit të resurseve ujore synon krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe efikas për mbrojtjen, zhvillimin dhe menaxhimin e ujërave në vend. Përmes tij parashihen mekanizma të qartë financiarë që sigurojnë investime afatgjata në këtë sektor, me ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin publik”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, Projektligji për banim të përballueshëm dhe social synon të adresojë nevojat e qytetarëve për strehim të dinjitetshëm.

    Ai krijon bazën ligjore për zhvillimin e politikave që mbështesin familjet në nevojë dhe kategoritë e cenueshme, duke rritur qasjen në banim të përballueshëm në nivel vendi.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se këto projektligje pritet të kalojnë edhe fazat e tjera të shqyrtimit në Kuvend para hyrjes në fuqi.

  • Krasniqi: Byroja për konfiskimin e pasurisë po shndërrohet në rrjet politik

    Krasniqi: Byroja për konfiskimin e pasurisë po shndërrohet në rrjet politik

    Rrezarta Krasniqi nga LDK përmes një postimi në “Facebook”, ka reaguar ndaj nismës për krijimin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si po prezantohet dhe funksionon kjo iniciativë.

    Ajo ka deklaruar se kjo byro po shitet si “luftë kundër korrupsionit”, por sipas saj, në realitet po merr formë tjetër, atë të përndjekjes politike dhe kapjes së shtetit.

    Krasniqi ka theksuar se krijimi i institucioneve për të sistemuar militantë partiakë nuk përbën reformë, por përkundrazi paraqet degradim të demokracisë.

    Ajo ka shtuar se konfiskimi i pasurisë së paligjshme duhet të bëhet pa kompromis, por jo me standarde të dyfishta dhe jo në funksion të interesave të një partie apo militantëve të saj.

    “Drejtësia nuk mund të jetë vegël e pushtetit”, ka deklaruar ajo, duke e cilësuar këtë nismë si rrezik për demokracinë dhe si një mënyrë për rehatimin e militantëve partiakë.

  • Komisioni “ad hoc” cakton intervistat për anëtarët e Bordit të RTK-së

    Komisioni “ad hoc” cakton intervistat për anëtarët e Bordit të RTK-së

    Komisioni “ad hoc” për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së ka miratuar shqyrtimin e listës së kandidatëve të propozuar, ndërsa është caktuar dita e intervistimit.

    Dita e intervistimit është caktuar dita e mërkurë ndërsa opozita pati kundërshtime për këtë ditë.

    Madje deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu doli nga mbledhja.

    Intervistat për anëtarët e Bordit të RTK-së do të mbahen nga ora 09:00 gjatë ditës së nesërme.

    Ndërkaq shqyrtimi i listës së kandidatëve është mbyllur për media.

  • HRW: Sulmet e Izraelit ndaj depove të naftës në Iran mund të jenë krime lufte

    HRW: Sulmet e Izraelit ndaj depove të naftës në Iran mund të jenë krime lufte

    Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW), tha se sulmet ajrore izraelite në depot e naftës përreth Teheranit në muajin mars, mund të kenë shkaktuar dëme serioze afatgjata për civilët dhe mund të përbëjnë krime lufte.

    Në një raport të publikuar më 13 prill, organizata tha se sulmet ndaj infrastrukturës që është kryesisht civile në natyrë, “janë shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar” dhe “ka të ngjarë të jenë krime lufte”, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Sulmet ndodhën më 7 mars, kur Izraeli shënjestroi katër depo nafte në zonën e Teheranit.

    Autoritetet iraniane raportuan të nesërmen se “katër lokacione të përdorura për ruajtjen dhe shpërndarjen e produkteve të naftës dhe një qendër transporti për produkte të naftës… u sulmuan nga avionët armiqësorë”.

    Në të njëjtën ditë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan se kishin goditur “disa komplekse të magazinimit të karburanteve” në Teheran, që i përkisnin Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

    HRW-ja tha se sulmet mund të kenë pasoja të rënda afatgjata për ata që jetojnë në Iran.

    Sulmet “mund të kenë pasoja shkatërruese në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve për shumë vite dhe ka të ngjarë të përbëjnë krime lufte”, shkroi studiuesja e HRW-së, Bahar Saba.

    “Forcat izraelite nuk duket se e kanë marrë parasysh dëmin e parashikueshëm afatgjatë… dhe duhet të mbahen përgjegjëse”, shtoi ajo.

    Organizata tha se i bazoi gjetjet e saj në intervista me tetë persona në Teheran dhe Karaj, në konsultime me nëntë ekspertë mjedisorë dhe shëndetësorë dhe në analizë të imazheve satelitore dhe videove të verifikuara.

    HRW-ja u shkroi edhe autoriteteve izraelite dhe iraniane më 26 mars, për të kërkuar sqarime.

    Zyrtarët iranianë nuk u përgjigjën, ndërsa zyrtarët izraelitë u përgjigjën më 30 mars, duke thënë se sulmet “u kryen në përputhje me parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masave paraprake”.

    Ata shtuan se objektet e shënjestruara ishin “për të siguruar karburante direkt për njësitë në forcat e armatosura të regjimit… duke përfshirë aviacionin, UAV-të dhe anijet detare”.

    HRW-ja tha se ka konfirmuar se depot e naftës u përdorën për “qëllime civile”, por vuri në dukje se nuk mund të përcaktonte nëse ato u përdorën edhe për mbështetje ushtarake.

    Një burim i informuar i tha organizatës se “depot e naftës përmbanin vetëm benzinë dhe naftë… nuk përdoren për aviacion, UAV ose anije detare”.

    Grupi i të drejtave të njeriut arriti në përfundimin se, duke pasur parasysh dëmin e parashikueshëm mjedisor dhe shëndetësor, sulmet ngrenë shqetësime serioze sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe mund të përbëjnë krime lufte./REL