ATV

Category: Lajme

  • Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, dekorohet me medaljen “Nderi i Forcave të Armatosura” në Shqipëri

    Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, dekorohet me medaljen “Nderi i Forcave të Armatosura” në Shqipëri

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, është dekoruar me medaljen “Nderi i Forcave të Armatosura” gjatë një vizite zyrtare në Republikën e Shqipërisë.

    Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Jashari u prit me nderime ushtarake nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), gjenerallejtënant Arben Kingji.

    Në takimin mes dy gjeneralëve u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në rajon dhe më gjerë, si dhe për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

    Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij dhe angazhimin në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy forcave, komandanti i FSK-së u nderua me medaljen “Nderi i Forcave të Armatosura”.

    Ky dekorim vlerësohet si shprehje e marrëdhënieve të ngushta të bashkëpunimit ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë. /Telegrafi/

  • D+ kërkon anulimin e tenderit 253 mijë euro për angazhimin e 12 konsulentëve në MMPH, përmes kontratave mbi vepër

    D+ kërkon anulimin e tenderit 253 mijë euro për angazhimin e 12 konsulentëve në MMPH, përmes kontratave mbi vepër

    Demokraci Plus (D+) kërkon nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) anulimin e tenderit në vlerë prej 253,440 eurosh, i cili parasheh angazhimin e 12 konsulentëve përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), të njohura ndryshe si “kontrata mbi vepër”.

    Sipas dosjes së tenderit me numër 210-26-10149-2-1-1, konsulentët parashihen të angazhohen për 24 muaj, ndërsa për disa pozita kërkohet edhe orar i plotë pune prej 40 orësh në javë.

    “Detyrat e tyre përfshijnë ofrimin e këshillave juridike, hartimin e shkresave zyrtare dhe trajtimin e ankesave, hartimin dhe monitorimin e politikave për menaxhimin e mbeturinave, mbledhjen e të dhënave dhe përgatitjen e dokumenteve për menaxhimin e ujërave, pjesëmarrjen në inspektimet mjedisore e ndërtimore, si dhe përgatitjen e materialeve për publikim.

    Natyra e këtyre punëve, së bashku me kohëzgjatjen dhe mënyrën e angazhimit, tregon se bëhet fjalë për nevoja të vazhdueshme të institucionit dhe jo për shërbime të veçanta profesionale që kërkojnë kontraktim përmes MShV-ve. Për më tepër, këto detyra mbivendosen me funksionet e pozitave të rregullta të parapara në strukturën ekzistuese të Ministrisë”, thotw D+.

    Neni 57 i Rregullores për Prokurimin Publik përcakton kushtet për angazhimin e konsulentëve përmes MShV-ve, për shërbime profesionale specifike dhe afatshkurtëra që nuk mund të sigurohen përmes stafit ekzistues ose procedurave të rregullta të rekrutimit.

    Duke pasur parasysh këto, D+ i bën thirrje MMPH-së ta anulojë këtë procedurë të prokurimit. Marrëveshjet për Shërbime të Veçanta nuk duhet të përdoren si zëvendësim i rekrutimit të rregullt të personelit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.

  • Përplasje mes Nagavcit dhe Musliut për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së

    Përplasje mes Nagavcit dhe Musliut për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së

    Në Kuvendin e Kosovës është duke u shqyrtuar pika për zgjedhjen e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet joshumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

    Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, gjatë prezantimit të raportit ka bërë të ditur se procesi i intervistimit nuk ka prodhuar kandidatë të propozuar për votim, për shkak të mosparaqitjes së tyre në intervista.

    “Gjatë intervistave që janë zhvilluar, nuk kemi arritur të kemi kandidatë që plotësojnë kriteret për t’u prezantuar këtu në seancë. Do të vazhdojmë me propozimet vetëm për anëtarët nga komunitetet joshumicë, jo shqiptarë dhe jo serbë”, deklaroi Nagavci.

    Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se problemi nuk qëndron te mos përmbushja e kritereve, por te tërheqja e kandidatëve nga procesi i konkurrimit.

    “Nuk është që nuk i kanë plotësuar kriteret, por janë tërhequr të gjithë nga gara dhe nuk është paraqitur asnjëri prej tyre në intervistim. Kjo çështje duhet të na shqetësojë të gjithëve. Ne duhet të krijojmë kushte dhe të inkurajojmë profesionistët dhe njerëzit që mund të kontribuojnë në këtë fushë, që të mos frikësohen dhe procedurat të vazhdojnë pa ndikime politike”, tha Musliu.

    Ajo kërkoi gjithashtu që raporti të pasqyrojë në mënyrë të saktë rrjedhën e procesit, duke theksuar se asnjëri nga kandidatët që kishin aplikuar nuk ishte paraqitur në intervistë.

    Në replikën e saj, Arbërie Nagavci sqaroi se gjashtë kandidatë i kishin plotësuar kriteret për të kaluar në fazën e intervistimit, por vetëm njëri kishte njoftuar se nuk mund të merrte pjesë për shkak se ndodhej jashtë vendit, ndërsa pesë të tjerët nuk ishin paraqitur fare.

    “Është e vërtetë që kanë qenë gjashtë kandidatë që i kanë plotësuar kriteret për të qenë pjesë e intervistave. Njëri është lajmëruar se nuk mund të vijë pasi ishte jashtë vendit, ndërkaq pesë kandidatët e tjerë nuk kanë marrë pjesë fare në intervistë. Andaj nuk kemi propozime për seancë dhe besoj se do të rishpallet konkursi”, deklaroi Nagavci. /kp/

  • “E di se kush ia ka vrarë babën”, Besian Mustafa i përgjigjet Xhavit Halitit

    “E di se kush ia ka vrarë babën”, Besian Mustafa i përgjigjet Xhavit Halitit

    Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa i është përgjigjur Xhavit Halitit pasi ky i fundit në emisionin “Context” në ATV ka thënë se “Besian Mustafa e din se kush ia ka vrarë babain”.

    Mustafa para hyrjes në sallën e Kuvendit ka folur për këtë deklaratë, duke thënë se familja e tij dhe e gjithë Kosova presin drejtësi për Xhemajl Mustafën nga gjykatat vendore dhe jo nga studiot televizive.

    “Unë për vrasjen e babës dhe i gjithë populli i Kosovës kërkon e pret drejtësi nga gjykatat vendore e jo në studiot televizive, aq më pak nga z.Xhavit Haliti, ky është i vetmi koment”, ka thënë Mustafa.

  • Haxhiu: Krerët e UÇK-së edhe këtë nëntor po mbahen padrejtësisht në Hagë

    Haxhiu: Krerët e UÇK-së edhe këtë nëntor po mbahen padrejtësisht në Hagë

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në një adresim në Parlament para fillimit të seancës ka kujtuar ngjarjet dhe personalitetet që, sipas saj, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e lirisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Ajo ka folur edhe për Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se rrënjët e saj lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e dëshmorëve.

    “Jemi në ditët e rëndësishme të nëntorit. Nesër është Dita e FSK-së, një forcë që i ka rrënjët te UÇK-ja, te sakrifica e dëshmorëve dhe te përpjekjet e brezave që dhanë gjithçka që ne sot të jetojmë të lirë në Republikën tonë”, ka deklaruar Haxhiu.

    Ajo ka kujtuar gjithashtu ngjarjet e fundit të nëntorit, të cilat, sipas saj, shënuan kalimin e rezistencës së armatosur në luftë të hapur kundër forcave serbe.

    Haxhiu ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, duke kërkuar drejtësi dhe lirimin e tyre.

    “Teksa kujtojmë ngjarjet, jemi pranë krerëve të UÇK-së, luftëtarëve të lirisë, të cilët edhe këtë nëntor po mbahen padrejtësisht në Hagë. Vendi i tyre është në Kosovë. Ne vazhdojmë angazhimin tonë që drejtësia të vihet në vend dhe të lirohen sa më parë”, ka thënë Haxhiu.

  • Ndoti rrugën në Prizren, 1100 euro gjobë për kompaninë dhe shoferin e kamionit

    Ndoti rrugën në Prizren, 1100 euro gjobë për kompaninë dhe shoferin e kamionit

    Një kompani dhe drejtuesi i një kamioni janë gjobitur me gjithsej 1 mijë e 100 euro nga Policia e Kosovës, pasi kamioni kishte ndotur rrugën në fshatin Landovicë të Prizrenit.

    Sipas njoftimit të Policisë, rasti është evidentuar më 25 nëntor, gjatë patrullimit të rregullt nga zyrtarët e Stacionit Policor Prizren-Veri.

    Gjatë kontrollit në terren është konstatuar se drejtuesi i kamionit nuk i kishte pastruar rrotat e automjetit para se të dilte nga një vendpunishte me baltë në rrugën e asfaltuar.

    “Pas verifikimeve në vendin e ngjarjes, është konstatuar se drejtuesi i kamionit nuk kishte pastruar rrotat e automjetit para se të dilte nga terreni me baltë në rrugën e asfaltuar. Si pasojë, është ndotur rruga dhe është rrezikuar siguria e pjesëmarrësve në komunikacion. Për këtë shkelje, personit juridik, përkatësisht kompanisë pronare të kamionit, i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 1,000 euro, ndërsa drejtuesit të kamionit 100 euro” – thuhet në njoftim.

    Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë ndërmarrjen e masave për parandalimin e shkeljeve që rrezikojnë sigurinë në komunikacion dhe jetën e qytetarëve.

  • Trump dhe kreu i NATO-s i bëjnë thirrje Rusisë të mos e zgjerojë luftën në Ukrainë

    Trump dhe kreu i NATO-s i bëjnë thirrje Rusisë të mos e zgjerojë luftën në Ukrainë

    Rusia duhet të shmangë veprimet që mund ta zgjerojnë luftën në Ukrainë, deklaruan Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pas një takimi në Florida. Ata diskutuan gjithashtu për luftën që përfshin Iranin, ndonëse nuk dhanë detaje lidhur me këtë pjesë të bisedës së tyre.

    “Ne diskutuam gjithashtu rëndësinë që Rusia të shmangë çdo veprim që mund të çojë — qëllimisht ose pa dashje — në zgjerimin e luftës, si dhe rëndësinë e arritjes së një zgjidhjeje paqësore sa më shpejt të jetë e mundur,” thanë ata në një deklaratë të përbashkët.

    Takimi u zhvillua pasi Trump u takua javën e kaluar në Azi me Presidentin rus Vladimir Putin dhe udhëheqësin kinez Xi Jinping, duke iu referuar atyre si “miqtë” e tij. Takimi me Putinin shkaktoi kritika nga demokratët në SHBA dhe nga aleatët evropianë, të cilët këmbëngulin të përfshihen në negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Rutte vuri në dukje se është normale që fuqitë e mëdha bërthamore të takohen. Ai diskutoi gjithashtu me Trumpin nevojën për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, si dhe për investime brenda SHBA-së dhe shteteve të tjera anëtare të NATO-s.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy — të cilin Trump e ka kritikuar më parë — deklaroi se Evropa duhet të përfshihet në negociatat e paqes.

    Trump shpesh i kritikon aleatët perëndimorë lidhur me kontributet e tyre në NATO, tarifat tregtare dhe atë që ai e quan mbështetje të pamjaftueshme për luftën kundër Iranit.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Prishtinë

    Gjendet pa shenja jete një person në Prishtinë

    Një person është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në Prishtinë.

    Sipas raportit 24-orësh të policisë, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

    Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Aksion në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, arrestohen tre persona-sekuestrohet pasuri mbi një milionë euro

    Aksion në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, arrestohen tre persona-sekuestrohet pasuri mbi një milionë euro

    Tre persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash, gjatë një aksioni policor të zhvilluar të mërkurën në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

    Operacioni është realizuar më 25 nëntor 2026, në katër lokacione të ndryshme, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës. Në aksion kanë marrë pjesë hetuesit e Policisë së Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, Njësitë Speciale FIT dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

    Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë, gjashtë telefona, pesë kompjuterë, gjashtë USB, si dhe 4 mijë e 95 euro para të gatshme. Po ashtu, janë gjetur 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike dhe dokumente të ndryshme që lidhen me rastin.

    Sipas hetimeve preliminare, tre të dyshuarit dyshohet se përmes sistemeve kompjuterike, komunikimeve elektronike dhe telefonike kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, duke i mashtruar dhe nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi.

    Përmes kësaj skeme, viktimat dyshohet se janë vënë në lajthitje dhe janë shtyrë të ndërmarrin veprime që kanë dëmtuar pasurinë e tyre.

    Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit dhe dokumentimit të dyshimeve për veprimtari kriminale.

  • Kosova e Shqipëria kryesojnë në rajon për jetëgjatësinë

    Kosova e Shqipëria kryesojnë në rajon për jetëgjatësinë

    Shqipëria kryeson në Ballkanin Perëndimor për nga jetëgjatësia, me një mesatare prej 80.1 vjetësh, sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara.

    Ndërkaq, sa i përket renditjes globale, Shqipëria pozicionohet në vendin e 61-të, mes 237 vendeve të tjera.

    Kosova renditet e dyta pas Shqipërisë, me një jetëgjatësi mesatare prej 78.6 vjetësh.

    Të dhënat aktuale, krahasuar me ato të vitit 1950, tregojnë se Shqipëria ka shënuar një rritje të dukshme të jetëgjatësisë, prej 35 vjetësh. Ndërkaq, sociologët kanë ngritur edhe çështjen e lidhjes mes zhvillimit intelektual dhe jetëgjatësisë, raporton Top Channel.

    “Është e vërtetuar shkencërisht që intelektualët, profesorët dhe nobelistët kanë jetëgjatësi më të lartë se populli në përgjithësi. Unë kam bërë një studim me akademikët burra dhe më ka rezultuar se mesatarisht jetojnë shtatë vjet më shumë se burrat e tjerë, për shkak të zhvillimit të trurit”, është shprehur sociologu Zyhdi Dervishi.

    Monako është renditur si vendi me jetëgjatësinë më të lartë në botë, me një mesatare prej 86.7 vjetësh.