ATV

Category: Lajme

  • Gërvalla: Sa më shumë e forcojmë ushtrinë, aq më larg qëndrojnë ata që na kërcënojnë me luftë

    Gërvalla: Sa më shumë e forcojmë ushtrinë, aq më larg qëndrojnë ata që na kërcënojnë me luftë

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se fuqizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është garanci për sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e vendit, duke theksuar se Kosova nuk ka synime ndaj asnjë shteti fqinj, raporton Ekonomia Online. 

    Në aktivitetet për shënimin e Ditës së Forcës, Gërvalla ka thënë se forcimi i ushtrisë është mesazhi më i fuqishëm për realizimin e amanetit të atyre që ranë për lirinë e Kosovës.

    “Ne sot kemi ardhur që ta shohim nga afër realitetin e krijuar në vendin tonë, dhe nuk ka pasqyrë më të qartë dhe nuk ka mesazh më të fuqishëm për realizimin e amanetit të të gjithë atyre që ranë për lirinë e vendit tonë sesa ky realitet i ri i krijuar. Sa më shumë që e forcojmë forcën e sigurisë, ushtrinë e Republikës së Kosovës, aq më larg qëndrojnë të gjithë ata të cilët na kërcënojnë me luftë dhe konflikt. Nuk kemi ndërmend të sulmojmë askënd, nuk kemi synime ndaj asnjë fqinji. Duam vetëm t’i forcojmë kufijtë tanë, ta forcojmë sigurinë e qytetarëve të Republikës sonë dhe vendin tonë”, tha Gërvalla.

    Gërvalla ka përgëzuar komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe pjesëtarët e Forcës për angazhimin e tyre në rritjen e sigurisë në vend.

    Ajo ka ritheksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet synim i institucioneve të vendit.

    “Prandaj, përgëzoj nga zemra komandantin Bashkim Jashari, ministrin e mbrojtjes e Ejup Maqedonci, dhe të gjithë ata të cilët çdo ditë, çdo orë dhe çdo minutë e investojnë për ta bërë qytetarin e Kosovës të ndihet më i sigurt dhe të flejë më qetë me gjithë konfliktet që kanë shpërthyer në të katërt anët e botës, edhe me gjithë kërcënimet e vazhdueshme që marrim nga fqinji ynë. Kosova, Republika e Kosovës, anëtare e NATO-s, është synimi të cilin nuk e fshehim dhe për të cilin e shohim që çdo ditë punohet këtu”, shtoi ajo.

  • Haradinaj: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, rëndësi jetike për sigurinë dhe paqen

    Haradinaj: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, rëndësi jetike për sigurinë dhe paqen

    Deputeti i Alencës, Ramush Haradinaj, me rastin e shënimit të “Ditës së Forcës”, ka theksuar rëndësinë strategjike të anëtarësimit të Kosovës në NATO për garantimin e sigurisë së vendit dhe rajonit, si dhe për kontributin në paqen globale.

    Haradinaj ka vlerësuar rolin dhe përkushtimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se dyert e hapura të FSK-së u japin qytetarëve mundësinë të njihen më nga afër me jetën ushtarake dhe sukseset e vajzave dhe djemve që shërbejnë në mbrojtje të vendit.

    “Dyert e hapura sot në FSK mundësojnë të kuptojmë më shumë për jetën ushtarake dhe sukseset e vajzave dhe djemve, ndër më të mirët e atdheut, të cilët me përkushtim dhe vendosmëri janë në ballë të mbrojtjes së lirisë së fituar me gjak dhe sakrificë dhe të ruajtjes së paqes” , tha Haradinaj. 

    Ai ka theksuar se pjesëtarët e FSK-së, me vendosmëri dhe përkushtim, janë në ballë të mbrojtjes së lirisë së Kosovës, të fituar me gjak dhe sakrificë, si dhe të ruajtjes së paqes.

    Në fund, Haradinaj ka përcjellë urimet për të gjithë pjesëtarët e FSK-së dhe qytetarët me rastin e “Ditës së Forcës”.

  • Tarifa e Presidentit Trump dhe beteja për rendin ekonomik botëror

    Tarifa e Presidentit Trump dhe beteja për rendin ekonomik botëror

    AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    Propozimi i administratës “Trump”, i shpallur më 25 nëntor, për tarifa të reja ndaj 14 partnerëve të mëdhenj tregtarë, përfshirë Kinën, Bashkimin Evropian dhe Japoninë, e rikthen politiken e tarifave dhe tregtinë në qendër të vemendjes ndërkombëtare. Një offensive e re tregtare pritet të fillojë. Arsyetimi zyrtar është se subvencionet dhe kapacitetet e tepërta industriale të këtyre ekonomive shtrembërojnë konkurrencën dhe dëmtojnë prodhimin amerikan. Por iniciativa ka një domethënie më të gjerë: Uashingtoni kërkon ta përdorë peshën e tregut të vet për të riformuluar kushtet e marrëdhënieve ekonomike me pjesën tjetër të botës.

    Në këtë politikë të re duhet të dallojmë problemin nga instrumenti. Praktikat që cenojnë konkurrencën mund të kërkojnë ndërhyrje, por kjo nuk do të thotë se mund të përdoret dhe të jetë efektive në çdo rast. Kur nisi kjo politikë e re?

    Fillimet i përkasin mandatit të parë. Në vitin 2018 administrata “Trump” vendosi tarifa mbi mallra kineze me vlerë miliardash dollarësh. Si arsye shfaqi transferimin e detyruar të teknologjisë dhe cenimin e pronësisë intelektuale. Mosmarrëveshja ishte më e madhe se bilanci tregtar: Uashingtoni dyshonte se Pekini po ndërtonte epërsi në industritë e së ardhmes me ndihmën e shtetit.

    Këtë dyshim nuk e ndan vetëm Presidenti Trump. Administrata ‘Biden’ i mbajti tarifat ndaj Kinës dhe në vitin 2024 shtoi të tjera, mes të tjerash për automjetet elektrike, qelizat diellore dhe gjysmëpërçuesit. Ndryshonte mënyra e zbatimit. Biden kërkoi marrëveshje me aleatët, për shembull kuota për çelikun dhe aluminin evropian, ndërsa Trump shpesh i trajtoi partnerët si konkurrentë.

    Pas rikthimit në pushtet në janar 2025, Trump e zgjeroi shtrirjen e tarifave. Në fillim të vitit vendosi tarifa për Kanadanë, Meksikën dhe Kinën, duke përmendur fentanilin dhe migracionin. Më 2 prill, në ceremoninë që e quajti “Dita e Çlirimit”, shpalli tarifa për pothuajse të gjitha vendet. Më pas vijuan tarifat për çelikun, aluminin dhe automjetet, të justifikuara me sigurinë kombëtare. Sipas Tax Foundation, politika tarifore amerikane ka ndryshuar më shumë se 50 herë që nga janari 2025.

    Në shkurt 2026, Gjykata e Lartë vendosi se ligji i emergjencave ekonomike, mbi të cilin ishin ngritur tarifat e përgjithshme, nuk e lejon presidentin t’i vendosë ato. Administrata përdori për disa muaj një tarifë të përkohshme globale prej 10%, e lejuar nga një nen tjetër. Tarifat sektoriale mbetën në fuqi, sepse mbështeten në ligje të tjera. Paketa e re lindi nga nevoja për një bazë ligjore që gjykata të mos e rrëzojë.

    ÇFARË PËRMBAN PROPOZIMI I RI?

    Zyra e Përfaqësuesit Amerikan të Tregtisë e mbështet paketën te neni 301 i ligjit të tregtisë të vitit 1974, pas një hetimi tetëmujor për kapacitetet e tepërta. Procedura kërkon dëgjesa dhe konsultime, prandaj tarifat nuk hyjnë në fuqi menjëherë. Dëgjesa publike pritet në janar, dhe zbatimi mund të vijë në shkurt ose mars te vitit pasues.

    Për Kinën propozohet një normë shtesë prej 20%, që do t’u shtohej tarifave ekzistuese. Për Bashkimin Evropian, Japoninë, Korenë e Jugut, Tajvanin dhe Zvicrën parashikohet një tavan prej 15%, duke përfshirë detyrimet që ekzistojnë tashmë. Vendet e Azisë Juglindore përballen me norma rreth 18-20%, ndërsa Vietnami dhe India mund të paguajnë më shumë nëse nuk arrijnë marrëveshje. Për gjysmëpërçuesit dhe disa produkte të tjera teknologjike janë paraparë përjashtime. Shifrat e sakta mund të ndryshojnë gjatë konsultimit.

    Tavanet janë të lidhura me marrëveshjet që disa partnerë kanë nënshkruar gjatë vitit të kaluar. Kjo e bën tarifën një mjetnegocimi: partneri që pranon kushtet amerikane paguan më pak, ai që reziston paguan më shumë.

    KUSH E PAGUAN FATURËN?

    Në fjalimet politike tarifa paraqitet shpesh si taksë që paguan vendi eksportues. Në praktikë e paguan importuesi në doganë, dhe kostoja ndahet mes kompanisë, furnizuesit të huaj dhe blerësit përfundimtar. Analizat e mëparshme për tarifat e çelikut e të aluminit treguan se pjesa më e madhe e kostos kaloi në çmimet që paguan ekonomia amerikane.

    Kjo e ndërlikon qëllimin e mbrojtjes industriale. Një prodhues çeliku mund të përfitojë nga tarifa, por fabrika që e blen çelikun për të ndërtuar makineri paguan më shumë dhe bëhet më pak konkurruese. Për këtë arsye numri i vendeve të punës të ruajtura në një sektor nuk mjafton për të vlerësuar politikën. Duhet parë edhe ç’humbet në sektorët që përdorin lëndët e para dhe te konsumatorët.

    Për paketën e fundit, ekonomistët nuk presin goditje të madhe në çmime, pasi një pjesë e tarifave zëvendëson masa ekzistuese. Goldman Sachs llogarit se norma mesatare tarifore amerikane do të ngrihej nga 7,8% në 9,2%, me efekt të vogël në inflacion. Janë parashikime dhe jo rezultate të matura. Tax Foundation vlerëson se tarifat në tërësi do ta ulin prodhimin e brendshëm bruto afatgjatë me rreth 0,4%.

    Edhe pritshmëria për rikthimin e fabrikave kërkon vemendje. Kur tarifa e bën më të shtrenjtë importin nga Kina, blerësit shpesh kalojnë te një furnizues tjetër, në Vietnam, Meksikë ose Indi, dhe prodhimi nuk kthehet domosdoshmërisht në Amerikë. Fabrikat kërkojnë punonjës të kualifikuar, energji të lirë dhe investime shumëvjeçare. Tarifa vetë nuk i siguron këto.

    POLITIKA E BRENDSHME DHE ALEATËTI NENESHTROHEN.

    Politikisht tarifat kanë një tërheqje të qartë. Fabrika që mbyllet është e dukshme, ndërsa përfitimi i çmimeve të ulëta shpërndahet te miliona njerëz dhe nuk vihet re. Por i njëjti votues është edhe punëtor edhe konsumator, dhe kostoja e jetesës ishte një nga temat që peshuan në zgjedhjet e nëntorit. Demokratët kontrollojnë tani Kongresin, megjithatë shqetësimi për kapacitetet kineze ndahet edhe nga shumë republikanë, prandaj heqja e tarifave nuk është e sigurt.

    Për aleatët situata është e vështirë. Një front i përbashkët me Evropën, Japoninë dhe Korenë e Jugut do ta forconte presionin mbi Kinën. Por këto vendei neneshtrohen tarivae edhe vetë, dhe marrëveshjet e nënshkruara nuk u japin siguri se kushtet nuk do të ndryshojnë përsëri. Pasiguria ka kostot e veta: kompanitë shtyjnë investimet, qeveritë kërkojnë tregje të reja dhe varësia nga tregu amerikan fillon të shihetme risk. Me Kinën, armëpushimi tregtar skadon më 10 janar. Në tryezë janë edhe mineralet e rralla dhe blerjet kineze të prodhimeve bujqësore amerikane. Përjashtimet për teknologjinë e lartë tregojnë se edhe Uashingtoni ka kufij: nuk mund t’i ndërpresë furnizimet që i duhen vetë industrisë së tij.

    NJË GLOBALIZIM MË I POLITIZUAR.

    Tarifat e reja nuk do ta ndalojnë globalizimin. Do ta shtyjnë drejt një forme ku zinxhirët e furnizimit përzgjidhen edhe sipas vendit të origjinës, kontrollit të teknologjisë dhe besueshmërisë politike, jo vetëm sipas çmimit. Rregullat e përbashkëta, që prej dekadash e mbanin tregtinë të parashikueshme, po zëvendësohen pjesërisht nga marrëveshje dypalëshe të negociuara, jo rrallë edhe nën presion.

    Ekonomitë e vogla e ndiejnë më shumë këtë ndryshim, sepse kanë më pak fuqi për të kërkuar përjashtime. Shqipëria nuk është në listën e 14 vendeve dhe efekti i drejtpërdrejtë në ekonominë tonë është i kufizuar. Ndikime të tërthorta mund të vijnë nëpërmjet ngadalësimit të ekonomive evropiane, partnerëve tanë kryesorë. Këtë e them si skenar dhe jo si pasojë të matur.

    Muajt në vijim do të tregojnë drejtimin. Dëgjesa e janarit dhe afati i 10 janarit me Kinën do të vendosin nëse tarifat shërbejnë për të arritur marrëveshje më të qëndrueshme ose bëhen një gjendje e përhershme presioni. Për shumë vende, përgjigjja do të përcaktojë nëse tregu amerikan mbetet pjesë e një sistemi me rregulla të përbashkëta ose nëse ato do të ndërtojnë gradualisht lidhje alternative.

  • Kos-Kurtit: Në dhjetor vij në Kosovë, të avancojmë procesin dhe të përfitojmë nga fondet e BE-së

    Kos-Kurtit: Në dhjetor vij në Kosovë, të avancojmë procesin dhe të përfitojmë nga fondet e BE-së

    Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, gjatë fjalimit të saj në Samitin e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Tiranë, iu drejtua edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

    Kos ka thënë se formimi i institucioneve të reja në Kosovë përbën një mundësi të re për rifokusimin e vendit në rrugën drejt integrimit evropian, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të reformave që parashihen në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së.

    Ajo bëri të ditur gjithashtu se planifikon të vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit, ku do të diskutojë me institucionet për hapat e mëtejmë në këtë proces.

    “Në Kosovë, i dashur Albin, qeveria e re është gjithashtu mundësi e re për të pasur një fokus të ri për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. Kjo është një mundësi për të arritur reformat që ofrohen nga Plani i Rritjes dhe për të marrë më shumë fonde. Me shumë kënaqësi do të vij në Kosovë në fillim të dhjetorit për të folur se si mund ta çojmë më tej këtë proces dhe se si mund ta zgjerojmë. Tashmë ju i keni të gjitha institucionet e formuara”, tha Kos.

  • Të dielën testohen kandidatët për prokurorë të shtetit, KPK fton monitoruesit e procesit

    Të dielën testohen kandidatët për prokurorë të shtetit, KPK fton monitoruesit e procesit

    Kandidatët që synojnë të bëhen prokurorë të shtetit do t’i nënshtrohen testit me shkrim të dielën, më 29 nëntor 2026, në ambientet e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.

    Sipas njoftimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), regjistrimi i kandidatëve do të zhvillohet nga ora 11:00 deri në orën 11:30, ndërsa testi pritet të fillojë në orën 12:00.

    Në kuadër të këtij procesi të rekrutimit, KPK-ja ka ftuar të gjithë të interesuarit që të marrin pjesë në monitorimin e zhvillimit të testit.

    Monitoruesit janë udhëzuar që gjatë këtij procesi t’u përmbahen rregullave dhe udhëzimeve të përcaktuara nga Këshilli Prokurorial.

    Testimi me shkrim përbën një nga fazat e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për prokurorë të rinj në sistemin prokurorial të Kosovës.

  • Presidentja Shiroka Pula në Ohër takon presidentin Begaj: Kosovën dhe Shqipërinë nuk ka asgjë që i ndan, jemi në mendje dhe një komb

    Presidentja Shiroka Pula në Ohër takon presidentin Begaj: Kosovën dhe Shqipërinë nuk ka asgjë që i ndan, jemi në mendje dhe një komb

    Në kuadër të takimit të liderëve të Procesit Brdo–Brijuni, që po mbahet në Ohër, Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, takoi Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

    Presidentja Shiroka Pula theksoi se Kosova dhe Shqipëria kanë lidhje të veçanta, të rrënjosura në histori, gjuhë, kulturë dhe ndjenjën e përkatësisë së përbashkët. 

    Ajo nënvizoi se nuk ka asgjë që i ndan dy shtetet, të cilat janë një zemër, një mendje dhe një komb, të bashkuara nga e njëjta frymë në të dy anët e kufirit.

    Presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës dhe theksoi se forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është përgjegjësi e përbashkët, që duhet të udhëhiqet nga afërsia dhe vullneti për të ndërtuar së bashku të ardhmen.

    Në takim u diskutua edhe për orientimin strategjik të të dyja vendeve.

    Presidentja Shiroka Pula theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian mbeten ndër prioritetet kryesore të vendit. 

    Në këtë drejtim, ajo vlerësoi përvojën e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe përparimin e saj në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit më të ngushtë, si dhe të shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy vendeve.

    Presidentja Shiroka Pula vlerësoi se marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të vazhdojnë të përkthehen në bashkëpunim konkret në të gjitha fushat me interes të përbashkët. 

    Ajo theksoi se Shqipëria është vendi me të cilin Kosova ka nënshkruar numrin më të madh të marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit, një pjesë e konsiderueshme e të cilave tashmë po zbatohen. /Telegrafi/

  • Shiroka-Pula në Ditën e Forcës: Ushtria jonë mishëron aspiratën e brezave për një Kosovë të lirë dhe të sigurt

    Shiroka-Pula në Ditën e Forcës: Ushtria jonë mishëron aspiratën e brezave për një Kosovë të lirë dhe të sigurt

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka uruar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës me rastin e Ditës së Forcës, duke vlerësuar kontributin e tyre në mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

    Në mesazhin e saj, Shiroka-Pula theksoi se FSK-ja mishëron aspiratën e brezave për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të sigurt, ndërsa rrënjët e saj lidhen me sakrificën e popullit dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në cilësinë e Presidentes dhe Komandantes Supreme, ajo tha se mbetet e përkushtuar në forcimin e ushtrisë, avancimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe mbështetjen e pjesëtarëve të saj.

    Shiroka-Pula theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë strategjikë, me synimin për të ndërtuar një forcë moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s.

    Ajo shtoi se FSK-ja duhet të jetë e gatshme për mbrojtjen e territorit të Republikës së Kosovës, por edhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

    Në këtë ditë, Presidentja përkujtoi edhe Komandantin Legjendar Adem Jashari, familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit, duke e cilësuar sakrificën e tyre si burim të përhershëm frymëzimi dhe përgjegjësie.

    “Liria që trashëguam është amanet. Mbrojtja e saj është detyrë. Shërbimi ndaj atdheut është misioni ynë i përbashkët”, thuhet në mesazhin e saj.

  • Aksident masiv në Zvicër: Përfshihen 37 automjete, 10 persona dërgohen në spital

    Aksident masiv në Zvicër: Përfshihen 37 automjete, 10 persona dërgohen në spital

    Një përplasje zinxhirore në afërsi të Kemptthalit, mes Effretikonit dhe Winterthur-Töss, ka shkaktuar bllokimin e autostradës A1 në drejtim të St. Gallenit. Dyshohet se shkak i aksidentit ishte ngrica në rrugë.

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të premten në mëngjes, më 27 nëntor, në autostradën A1 në Zvicër, në afërsi të Kemptthalit, në kantonin e Cyrihut. Në aksident janë përfshirë gjithsej 37 automjete, ndërsa dhjetë persona janë dërguar në spital për trajtim mjekësor, transmeton albinfo.ch.

    Sipas informacioneve të publikuara nga mediat zvicerane, në përplasjen zinxhirore janë përfshirë 23 vetura, gjashtë furgonë dhe tetë kamionë. Gjashtë nga personat e lënduar kanë pësuar lëndime të lehta, ndërsa katër të tjerë lëndime të shkallës së mesme.

    Dyshohet se shkaku i aksidentit ishte ngrica në rrugë, e cila kishte krijuar kushte të rrezikshme për qarkullimin e automjeteve në orët e para të mëngjesit.

    Si pasojë e aksidentit, autostrada A1 në drejtim të St. Gallenit është mbyllur plotësisht në segmentin ndërmjet Effretikonit dhe Winterthur-Töss. Policia Kantonale e Cyrihut u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që ta shmangin këtë zonë dhe të përdorin rrugë alternative.

    Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar ekipet e policisë dhe shërbimet e emergjencës. Për shkak të numrit të madh të automjeteve të përfshira dhe vështirësive gjatë largimit të tyre, punimet për pastrimin e rrugës pritet të zgjasin.

    Deri në momentin e raportimit, nuk ishte bërë e ditur se kur do të rihapej autostrada për qarkullim.

  • Kurti udhëton drejt Tiranës, merr pjesë në Samitin e Liderëve për Planin e Rritjes në Ballkanin Perëndimor

    Kurti udhëton drejt Tiranës, merr pjesë në Samitin e Liderëve për Planin e Rritjes në Ballkanin Perëndimor

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Tiranës, ku sot do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    Samiti do të mbahet në Pallatin e Brigadave, ku pritet të mblidhen liderët e vendeve të rajonit për të diskutuar për përshpejtimin e reformave, zbatimin e Planit të Rritjes dhe prioritetet e reja strategjike.

    Një nga temat kryesore të diskutimit do të jetë integrimi ekonomik i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

    Sipas agjendës, takimi do të nisë në orën 10:00, me mbërritjen e liderëve, ndërsa në orën 12:30 është paraparë konferenca e përbashkët për media e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

    Takimi në Tiranë po mbahet dy ditë pas samitit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ku presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi mundësinë e disbursimit të një kësti të ri financiar për tri vende të rajonit.

    Samiti pritet të shërbejë si platformë për koordinimin e hapave të mëtejshëm drejt zbatimit të reformave dhe afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

  • Reshitaj: 650 mjekë e kanë lëshuar Kosovën në 5 vitet e fundit

    Reshitaj: 650 mjekë e kanë lëshuar Kosovën në 5 vitet e fundit

    Deputetja e LDK-së, Albena Reshitaj, ka thënë se në pesë vitet e fundit 650 mjekë e kanë lëshuar Kosovën.

    Ajo në emisionin Compass me Ilir Berishën, tha se kjo është shqetësuese, teksa shtoi se përpos mjekëve, 2 mijë infermierë janë larguar nga Kosova.