ATV

Category: LAJME

  • Protesta popullore në Prishtinë, Policia me njoftim për angazhimin në mbarëvajtje të sigurisë

    Protesta popullore në Prishtinë, Policia me njoftim për angazhimin në mbarëvajtje të sigurisë

    Policia e Kosovës, lidhur me vazhdimin e protestës së paralajmëruar për sot, në sheshin ‘Skënderbeu’ pranë objekteve shtetërore në Prishtinë, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e protestës para, gjatë dhe deri në përfundimin e saj.

    Në njoftim thuhet se në vazhdimësi, Policia e Kosovës, sipas Ligjit mbi tubimet publike, e njeh të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë përmes tubimeve e protestave të qeta dhe sipas detyrës zyrtare angazhohet që mbarëvajtja e protestës të kalojë e qetë dhe që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore.

    “Varësisht nevojës operative policore dhe zhvillimeve në terren, mund të ketë kufizime apo ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në rrugët përreth lokacionit ku zhvillohet protesta, andaj Policia ka paraparë edhe angazhime të njësive policore, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu siç bëhet e ditur: “Referuar situatës dhe zhvillimeve të ndodhura në protestën e mbrëmshme, ku disa protestues në vazhdimësi kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarrë e mjete të forta, ndaj objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë, Policia e Kosovës, me qëllim të vënies së situatës nën kontroll, mundësimit të lirisë së lëvizjes dhe parandalimit të eskalimit të mëtejme të situatës, është detyruar të veprojë ndaj personave që kanë shfaqur dhunë, duke përdorur mjetet e ligjshme policore, sprejin, gazin lotsjellës si dhe topin e ujit për shpërndarje të turmës”.

    Tutje thuhet se bazuar në raportet zyrtare, për mosrespektim të thirrjeve të vazhdueshme policore për qetësi dhe rënies ndesh me ligjin, janë arrestuar tre persona ku dy prej tyre me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt.

    “Si pasojë e zhvillimeve dhe sulmeve me mjete të ndryshme, 20 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor. Ndërsa ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 qytetarë/protestues dhe një gazetar të cilët poashtu kanë pranuar tretman mjekësorë.

    “Policia e Kosovës duke qenë institucion demokratik dhe llogaridhënës, sipas detyrës zyrtare pas çdo planifikimi operacional, bën vlerësimet pasoperacionale të veprimeve policore në terren dhe varësisht nga të gjeturat mbi veprimet dhe dyshimet e mundshme për tejkalim të autorizimeve policore, ka njoftuar IPK-në si autoritet kompetent. Policia e Kosovës, vazhdon të falënderoj qytetarët për bashkëpunim dhe njëherit ju bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestë, që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe demokratike, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë në interes të sigurisë së përgjithshme. Në menaxhim dhe koordinim të situatës kanë kontribuar edhe institucionet tjera emergjente si ekipet mjekësore, zjarrfikësit dhe të tjera”.

    Policia e Kosovës me zyrtarët e saj do të jetë e pranishme në terren, për të garantuar rendin kushtetues, sigurinë publike, sigurinë e qytetarëve, lirinë e lëvizjes dhe mbarëvajtjen e protestës, të cilat mbesin prioritet i Policisë së Kosovës. /Telegrafi/

  • Haziri para nisjes së protestës kundër Speciales: Duam drejtësi të bazuar në prova e fakte

    Haziri para nisjes së protestës kundër Speciales: Duam drejtësi të bazuar në prova e fakte

    Organizatori i iniciativës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka thënë se sot iu është bashkuar protestës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas thirrjes së tyre për protestë.

    Haziri ka bërë të ditur se iniciativa “Jo në emrin tim” ka thirrur protestë gjithëpopullore për orën 12:00, duke theksuar se këto dy protesta nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.

    “Unë sot u bashkova bashkë me veteranët, pasi ishte një thirrje e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për protestë dhe tani u bashkuam. Ndërsa ‘Jo në emrin tim’ kemi thirrur protestë gjithëpopullore për orën 12:00. Kjo nuk i përjashton protestat njëra-tjetrën. Jemi të gjithë bashkë këtu në sheshin ‘Skënderbeu’, tash e 21 ditë”, ka deklaruar Haziri.

    Ai ka thënë se protesta po mbahet para institucioneve të Republikës së Kosovës, me kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    “Para institucioneve të Republikës së Kosovës, me një kërkesë të thjeshtë: ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Përmes kësaj kërkese dhe këtij ndryshimi, ne nuk mendojmë dhe as besojmë të ikim nga drejtësia, por përmes këtij ligji kërkojmë drejtësi të drejtë, të bazuar në prova dhe fakte”, ka thënë Haziri.

  • Tahiri u bën thirrje deputetëve: Kthehuni në Kuvend dhe votojeni Ligjin për Dhomat e Specializuara

    Tahiri u bën thirrje deputetëve: Kthehuni në Kuvend dhe votojeni Ligjin për Dhomat e Specializuara

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, u ka bërë thirrje deputetëve që të kthehen në Kuvend dhe ta votojnë Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se kanë mbetur edhe 13 orë deri në përfundimin e afatit, raporton Ekonomia Online.

    Tahiri tha se votimi i këtij ligji është i rëndësishëm edhe për konstituimin e plotë të institucioneve, ndërsa u bëri thirrje deputetëve që, siç tha ai, të bashkohen në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Është ora 11:00 dhe jemi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kur kanë mbetur vetëm edhe 13 orë deri në votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe konstituimin e plotë të institucioneve. Ju bëjmë thirrje kolegëve deputetë: ejani në Kuvend ta votojmë Ligjin për Dhomat e Specializuara, të bashkohemi sot, gjithmonë në anën e drejtë të historisë, rreth UÇK-së, vlerës më të lartë të kombit. Kosova na thërret”, tha ai.

  • PK: 20 policë të lënduar, 12 protestues dhe një gazetar kërkuan ndihmë mjekësore

    PK: 20 policë të lënduar, 12 protestues dhe një gazetar kërkuan ndihmë mjekësore

    Policia e Kosovës ka njoftuar për masat që ka marrë për protestën e paralajmëruar sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ndërsa ka dhënë detaje edhe për zhvillimet e mbrëmshme.

    Sipas Policisë, gjatë protestës së kaluar disa pjesëmarrës kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe mjete të forta në drejtim të objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë.

    Policia ka thënë se, për ta kontrolluar situatën, ka përdorur sprej, gaz lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.

    Tre persona janë arrestuar, sipas njoftimit. Dy prej tyre janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

    Sipas Policisë, 20 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë marrë trajtim mjekësor. Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 qytetarë/protestues dhe një gazetar.

    Policia ka bërë të ditur se pas vlerësimit të veprimeve policore gjatë protestës, për dyshimet e mundshme për tejkalim të autorizimeve është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

    Për protestën e sotme, Policia ka paralajmëruar angazhim të njësive policore dhe ka bërë të ditur se mund të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në rrugët përreth sheshit “Skënderbeu”, varësisht nga situata në terren.

    Ndërkohë, Policia u ka bërë thirrje protestuesve që të shprehin pakënaqësitë në mënyrë të qetë dhe demokratike, duke respektuar ligjin dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë.

    Protesta e sotme lidhet me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkesat për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

  • Musliu-Shoshi: Edhe pak orë kemi mundësi për unitet

    Musliu-Shoshi: Edhe pak orë kemi mundësi për unitet

    Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka bërë thirrje për unitet politik, duke thënë se ende kanë mbetur pak orë për një qëndrim të përbashkët.

    Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se çelësi për zgjidhjen e çështjes është në duart e kryeministrit Albin Kurti.

    “Edhe pak orë kemi mundësi për unitet. Mos t’i kënaqim armiqtë tanë! Çelësin e ka vetëm Albin Kurti në dorë: të VOTOHEN ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Kaq e thjeshtë. Uniteti kërkon veprim, jo fjalë!”, ka shkruar Musliu-Shoshi.

  • 12 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, njëri prej tyre polic

    12 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, njëri prej tyre polic

    Drejtori i Emergjencës, Naser Syla ka bërë të ditur se 12 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve në protestën e sotme.

    Prej të lënduarve një është zyrtar policor ndërsa 11 të tjerë janë protestues.

    Syla ka bërë të ditur gjithashtu se gjendja e tyre është stabile dhe pas trajtimit janë lëshuar në shtëpi. Nga të lënduarit, tre janë trajtuar prej plagëve prerëse.

  • Tahiri: LVV-ja të kthehet në Kuvend për ta votuar Ligjin për Dhomat e Specializuara

    Tahiri: LVV-ja të kthehet në Kuvend për ta votuar Ligjin për Dhomat e Specializuara

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, dhe deputeti Altin Krasniqi kanë dalë në sheshet e Prishtinës për t’u përshëndetur me protestuesit që po kërkojnë miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Tahiri ka theksuar nevojën për miratimin e ligjit, duke kërkuar që kjo çështje të mos lidhet me zgjedhjen e presidentit.

    “Kanë mbetur edhe disa orë. Ajo që po kërkojmë është që Vetëvendosja dhe Albin Kurti të kthehen në Kuvend dhe ta votojnë ligjin. Ligji është obligim kombëtar i të gjithëve ne dhe duhet të kthehemi në Kuvend. Ligjin me presidentin nuk duhet me lidh. Ligji është obligim kombëtar, presidenti është përgjegjësi politike. Ata tentojnë ta lidhin me çështjen e presidentit, por këto tema nuk lidhen”, tha ai.
    Ndërkaq, deputeti Altin Krasniqi ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të mos ndërhyjë në mënyrë brutale ndaj protestuesve.

    “Kjo çështje nuk është e një partie, por e popullit. Kjo protestë nuk duhet të luftohet në këtë mënyrë brutale”, tha Krasniqi.

  • Ramush Haradinaj hyn në mesin e protestuesve: Shpresuam që po votojmë sonte, po na dhimbeni ju, vendi dhe ata atje

    Ramush Haradinaj hyn në mesin e protestuesve: Shpresuam që po votojmë sonte, po na dhimbeni ju, vendi dhe ata atje

    sh-kryetari i Aleancës, Ramush Haradina i është bashkuar protestuesve që po protestojnë pranë Kuvendit të Kosovës.

    Haradinaj, duke iu drejtuar protestuesve, ka thënë se Ligji për Dhomat e Specializuara mund të ishte miratuar edhe në leximin e dytë, ashtu siç ishte votuar në leximin e parë.

    Ai gjithashtu e ka konsideruar këtë si një situatë të dhimbshme.

    “Ashtu siç u votua në lexim të parë, mundem ta kryenim edhe në lexim të dytë. Është e dhimbshme. Po na dhimbseni edhe ju, po na dhimbset vendi, po na dhimbsen ata që janë atje”, u shpreh Haradinaj.

  • Kontejnerë duke u djegur, kjo është gjendja aktuale në rrugën “Agim Ramadani”

    Kontejnerë duke u djegur, kjo është gjendja aktuale në rrugën “Agim Ramadani”

    Ka eskaluar protesta në Prishtinë, ku po kërkohet të kalohet ndryshim-ligji për Gjykatën Speciale.

    Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës, ndërkaq janë parë edhe kontejnerë të djegur.

    Disa protestues kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore pas hedhjes së gazit lotsjellës.

  • PDK: Qeveria të ndalë dhunën ndaj protestuesve

    PDK: Qeveria të ndalë dhunën ndaj protestuesve

    Partia Demokratike e Kosovës, në një reagim, “dënon ashpër përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve që po protestojnë për miratimin e ligjit që mbron UÇK-në. PDK kërkon nga Qeveria përgjegjësi të menjëhershme dhe nga organet shtetërore ndaljen e çdo veprimi joproporcional që po cenon rëndë të drejtën e qytetarëve për protestë”.

    Tutje, në reagimin e PDK-së thuhet:

    “Lufta e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK-ja, ka qenë e drejtë, e pastër dhe e pashmangshme. UÇK-ja dhe lufta e saj çlirimtare janë pjesë e pandashme e historisë, identitetit dhe lirisë së Kosovës. Mbrojtja e kësaj trashëgimie është përgjegjësi qytetare dhe shtetërore që lidhet me të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

    PDK rithekson se nuk ka asnjë pengesë ligjore për miratimin e ligjit që mbron UÇK-në dhe përmbylljen e këtij procesi. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Qeveria në opinionin e saj. Prandaj, zvarritja e mëtejshme është e pajustifikueshme dhe përbën shpërfillje të drejtpërdrejtë të kërkesës së qytetarëve.

    Qytetarët, fëmijët e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, po protestojnë me një kërkesë të qartë për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin. Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe të marrë përgjigje përmes veprimeve konkrete institucionale. Qeveria nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë për vendimmarrje me përdorimin e forcës ndaj qytetarëve.

    PDK kërkon nga organet shtetërore të ndalin dhunën ndaj protestuesve. Masat e përdorura ndaj një proteste që ka qenë e qetë për 20 ditë me radhë janë tërësisht joproporcionale dhe të papranueshme. Qëndresa e qytetarëve nuk mund të trajtohet si kërcënim dhe as të përdoret si pretekst për ushtrim dhune.

    Është e papranueshme që institucionet e sigurisë po përdoren skajshmërisht për qëllime politike apo për ta shtypur me dhunë revoltën e arsyeshme të qytetarëve. Ato kanë për detyrë t’u shërbejnë qytetarëve dhe të mbrojnë të drejtat e tyre. Çdo përpjekje për t’i vënë në shërbim të interesave të pushtetit përbën abuzim të rëndë me përgjegjësinë shtetërore.

    Asnjë urdhër politik nuk mund ta justifikojë dhunën ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën për protestë“.

    PDK u bën thirrje të gjitha grupeve parlamentare dhe deputetëve që të veprojnë pa vonesë dhe ta përmbyllin miratimin e ligjit që mbron UÇK-në.

    “Përgjegjësia institucionale në këtë moment kërkon vendimmarrje, respekt për qytetarët dhe mbrojtje të dinjitetit të çlirimtarëve“.