ATV

Category: Lajme

  • “Kam me ta ba si Naim Murseli që ia ka ba gruas së vet”, gruaja nga Peja rrëfen kërcënimet nga ish-bashkëshorti, thotë se i është drejtuar 6 herë Policisë

    “Kam me ta ba si Naim Murseli që ia ka ba gruas së vet”, gruaja nga Peja rrëfen kërcënimet nga ish-bashkëshorti, thotë se i është drejtuar 6 herë Policisë

    Një grua 54-vjeçare nga Peja pretendon se është kërcënuar nga ish-bashkëshorti i saj, duke deklaruar se për këtë çështje i është drejtuar gjashtë herë Policisë së Kosovës.

    Sipas rrëfimit të saj në ATV, ish-bashkëshorti e ka kërcënuar duke iu referuar rastit të Naim Murselit.

    Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i dyshuari, i cili jeton në Gjermani, dyshohet se e ka kanosur gruan përmes telefonit.

    “Me vendim të prokurorit, rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • 61 mijë euro buxheti i Komisionit që do të hetojë vrasjen e Arlinda Zekajt

    61 mijë euro buxheti i Komisionit që do të hetojë vrasjen e Arlinda Zekajt

    Një buxhet prej 61 mijë eurosh është paraparë për Komisionin që do të merret me hetimin e rrethanave të vrasjes së Arlinda Zekajt.

    Komisioni pritet të ketë një rol në shqyrtimin dhe trajtimin e rrethanave që lidhen me këtë rast, ndërsa ndarja e këtij buxheti ngre interesim lidhur me mënyrën se si do të shfrytëzohen mjetet financiare dhe cilat do të jenë detyrat konkrete të tij.

    Shuma prej 61 mijë eurosh përbën buxhetin e paraparë për funksionimin e këtij komisioni, i cili do të ketë për detyrë të merret me zbardhjen e rrethanave të rastit.

    Në kuadër të hetimeve për vrasjen e Arlinda Zekajt, të martën janë arrestuar edhe katër persona të tjerë. Në mesin e tyre janë edhe ish-vjehrra dhe ish-kunati tjetër që dyshohen për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë. E dy personat tjerë të arrestuar dyshohen se ndihmuan kryesin të largohet e të strehohet, pasi e ka vrarë Zekajn.

  • Ismail Dibrani i jep fund drejtimit të Shërbimit Korrektues

    Ismail Dibrani i jep fund drejtimit të Shërbimit Korrektues

    Ismail Dibrani ka njoftuar për përfundimin e angazhimit të tij në krye të Shërbimit Korrektues të Kosovës, për të vazhduar karrierën profesionale në një institucion tjetër.

    Përmes një mesazhi lamtumirës, Dibrani ka falënderuar zyrtarët korrektues, institucionet vendore, partnerët ndërkombëtarë dhe mediat për bashkëpunimin ndër vite.

    Dibrani ka përmendur edhe disa nga arritjet gjatë udhëheqjes së tij, përfshirë rekrutimin e mbi 400 zyrtarëve korrektues, përfshirjen e më shumë se 5 mijë të burgosurve në programe rehabilituese, avancimin e infrastrukturës dhe anëtarësimin e Kosovës në Rrjetin Evropian të Shërbimeve Korrektuese dhe Burgjeve (EuroPris).

    “Jam krenar që po largohem duke lënë pas rezultate konkrete, kapacitete të fuqizuara, bashkëpunime të konsoliduara dhe një institucion që ka dëshmuar se mund të jetë i barabartë me institucionet më të avancuara ndërkombëtare”, ka shkruar Dibrani.

    Ai u ka uruar suksese të gjithë punonjësve të Shërbimit Korrektues, duke i ftuar të ruajnë profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin ndaj institucionit.

  • Presidentja në kremtimin e Ditës së Falënderimeve në Bondsteel: Mirënjohje e përhershme për miqësinë dhe mbështetjen amerikane

    Presidentja në kremtimin e Ditës së Falënderimeve në Bondsteel: Mirënjohje e përhershme për miqësinë dhe mbështetjen amerikane

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, së bashku me të ngarkuarën me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati mori pjesë në kremtimin e Ditës së Falënderimeve në kampin Bondsteel, raporton Ekonomia Online.

    “Në fjalën e saj, Presidentja Shiroka Pula theksoi se Dita e Falënderimeve simbolizon mirënjohjen, solidaritetin dhe vlerat e përbashkëta. Ajo ritheksoi mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në ditët më të vështira të historisë së vendit, në rrugën drejt lirisë dhe në ndërtimin e shtetit”, thuhet në njoftim të presidencës.

    Sipas njoftimit, Presidentja shprehu falënderim të veçantë për gratë dhe burrat e ushtrisë amerikane, të cilët prej afro tri dekadash kontribuojnë në sigurinë dhe paqen e Kosovës, duke shërbyer larg familjeve të tyre.

    “Ajo theksoi se edhe Kosova i konsideron pjesëtarët e ushtrisë amerikane pjesë të familjes dhe se përkushtimi e sakrifica e tyre kanë krijuar lidhje të veçanta me vendin dhe qytetarët. Në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidentja Shiroka Pula i falënderoi për shërbimin, përkushtimin dhe sakrificën, duke ritheksuar se miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një vend të përhershëm në zemrat e qytetarëve të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

  • OSBE nis nismën e re për sigurinë në Kosovë, Prishtina komuna e parë ku do të zbatohet

    OSBE nis nismën e re për sigurinë në Kosovë, Prishtina komuna e parë ku do të zbatohet

    Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë ka iniciuar një rrjet të ri për sigurinë në komunitet, që synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve, komunave, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera.

    Sipas njoftimit të OSBE-së, kjo nismë ka për qëllim identifikimin dhe trajtimin e përbashkët të shqetësimeve që lidhen me sigurinë në nivel lokal.

    Rrjeti do të mbështetet në mekanizmat ekzistues të sigurisë në bashkësi, përfshirë Këshillat Komunalë për Siguri në Bashkësi dhe Komitetet Lokale për Siguri Publike.

    Përmes takimeve të rregullta mujore dhe identifikimit të përbashkët të prioriteteve, synohet të gjenden zgjidhje praktike, të qartësohen përgjegjësitë institucionale dhe të përcillet zbatimi i veprimeve të dakorduara.

    Ambasadori Gerard McGurk, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, tha se siguria në komunitet kërkon angazhimin e të gjithë akterëve.

    “Siguria në komunitet është përgjegjësi e përbashkët dhe asnjë institucion nuk mund ta sigurojë atë i vetëm”, deklaroi McGurk.

    Ai shtoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve mund të sjellë rezultate konkrete për qytetarët.

    Nisma do të zbatohet fillimisht në Komunën e Prishtinës gjatë vitit 2027, ku do të testohet dhe përsoset kjo qasje përpara se të shqyrtohet mundësia e shtrirjes së saj në tërë Kosovën.

    Ndërkaq, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Viktor Buzhala, tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për trajtimin e çështjeve që lidhen me sigurinë në komunitet.

    “Besojmë se një shoqëri e sigurt ndërtohet përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, identifikimit me kohë të shqetësimeve dhe zbatimit të masave konkrete për adresimin e tyre”, deklaroi Buzhala.

    Gjatë fazës pilotuese, OSBE-ja do të ofrojë ekspertizë profesionale dhe mbështetje për lehtësimin e procesit, ndërsa institucionet dhe komunitetet pjesëmarrëse do të kenë përgjegjësi për zbatimin e kësaj qasjeje. /Telegrafi/

  • Rrezikohej siguria e punëtorëve, pezullohen punimet në një objekt ndërtimi në Mitrovicë

    Rrezikohej siguria e punëtorëve, pezullohen punimet në një objekt ndërtimi në Mitrovicë

    Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në një kantier ndërtimi në Mitrovicë, pasi gjatë inspektimit ka evidentuar parregullsi në zbatimin e masave për sigurinë dhe shëndetin në punë.

    Sipas njoftimit të Inspektoratit, punimet në këtë objekt do të mbeten të pezulluara deri në eliminimin e mangësive të konstatuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për punëtorët.

    Institucioni ka theksuar se siguria dhe shëndeti i punëtorëve nuk janë çështje kompromisi, duke bërë të qartë se aktivitetet ndërtimore nuk mund të vazhdojnë pa u garantuar kushtet e nevojshme të sigurisë.

  • “Tallava patriotike në Kuvend”, Haradinaj: Pushteti i përjashtoi veteranët nga paga minimale, ndërsa sot shfaqi videon e UÇK-së

    “Tallava patriotike në Kuvend”, Haradinaj: Pushteti i përjashtoi veteranët nga paga minimale, ndërsa sot shfaqi videon e UÇK-së

    Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj ka kritikuar pushtetin për, siç tha, mospërputhje mes deklarimeve patriotike dhe veprimeve ndaj veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Pas shfaqjes në Kuvend të videos së daljes publike të UÇK-së, Haradinaj tha se të njëjtit që shfaqin këtë video, së bashku me Listën Serbe, i kanë përjashtuar veteranët nga përfitimi i pagës minimale.

    Ai i ka cilësuar këto veprime si mashtrim dhe ka thënë se veteranët janë lënë në gjendje të rëndë ekonomike.

    “Edhe sot e pamë edhe e vërtetuam një tallava, patriotike. Pra, në Kuvend u shfaq videoja e daljes publike të UÇK-së, nga ata që bashkë me listën serbe i kanë përjashtuar veteranët e UÇK-së nga paga minimale. Pra, kuptoni pse po reagoj, edhe të dashur qytetarë të vendit, këta janë mashtrues. Pra, e shfaqin videon, e daljes publike të UÇK-së, në të njëjtën kohë këta së bashku me listën serbe i kanë përjashtuar veteranët nga paga minimale dhe i kanë lënë në mjerim. Le ta besojnë të gjithë, pra, këtë pafytyrësi edhe këtë mashtrim të tyre”, deklaroi Haradinaj, raporton kp.

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka rikthyer në vëmendje sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kontributin e saj në rrugën drejt lirisë, duke shprehur njëkohësisht mbështetje për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.

    Haxhiu në adresimin e saj në Kuvend, tha se Dita e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila shënohet më 27 nëntor, lidhet drejtpërdrejt me trashëgiminë e UÇK-së dhe sakrificën e dëshmorëve.

  • Parlamenti Evropian miraton rezolutë për Vukovarin, i kërkon Serbisë të hapë arkivat për personat e zhdukur

    Parlamenti Evropian miraton rezolutë për Vukovarin, i kërkon Serbisë të hapë arkivat për personat e zhdukur

    Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë me rastin e 35-vjetorit të rënies dhe shkatërrimit të Vukovarit, përmes së cilës nderohen viktimat, dënohet glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe i bëhet thirrje Serbisë të hapë arkivat e saj për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë Luftës së Atdheut në Kroaci.

    “Kujtimi për Vukovarin nuk i përket vetëm Kroacisë, por edhe Evropës në tërësi. Ai shërben si një kujtesë e përhershme se mbrojtja e paqes, të drejtave të njeriut dhe vlerave themelore evropiane kërkon vigjilencë të vazhdueshme, sakrificë, guxim politik dhe dialog”, thuhet në rezolutën e miratuar të enjten në seancën plenare në Strasburg.

    Dokumenti u nënshkrua nga të gjithë eurodeputetët kroatë, si dhe nga pesë parlamentarë të tjerë nga Suedia, Gjermania, Spanja, Austria dhe Belgjika, transmeton Telegrafi.

    Votimin nga galeria e vizitorëve e ndoqën banorë të Vukovarit, familjarë të personave të vrarë dhe të zhdukur, si dhe ish-të burgosur të kampeve të përqendrimit. Ata kishin mbërritur një ditë më parë në Strasburg me ftesë të eurodeputetit Karlo Ressler. Pothuajse të gjithë parlamentarët i përshëndetën me duartrokitje, në një moment të rrallë uniteti në Parlamentin Evropian.

    Lilana Alvir, kryetare e Asociacionit të Shoqatave të Familjeve të Mbrojtësve Kroatë të Burgosur dhe të Zhdukur, kishte deklaruar një ditë më parë për agjencinë Hina se rezoluta sjell “një shpresë të vogël të re” për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.

    Kroacia ende është në kërkim të 1.725 personave të zhdukur nga Lufta e Atdheut, ndërsa një pjesë e madhe e tyre lidhet me rajonin e Vukovarit dhe Sllavonisë Lindore.

    Përmes rezolutës, Serbisë i kërkohet të hapë arkivat dhe të bashkëpunojë për gjetjen e personave të zhdukur.

    Në dokument, Vukovari përshkruhet si një qytet me trashëgimi të pasur multikulturore, ku kanë bashkëjetuar komunitete të ndryshme etnike dhe fetare.

    Ai cilësohet gjithashtu si qyteti i parë evropian pas Luftës së Dytë Botërore që u shkatërrua pothuajse tërësisht nga bombardimet gjatë një rrethimi ushtarak që zgjati afro tre muaj.

    Rezoluta nderon të gjitha viktimat e Vukovarit dhe personat që pësuan krime gjatë agresionit serbomadh të regjimit të Sllobodan Millosheviqit kundër Kroacisë dhe luftërave që shoqëruan shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë.

    Homazhe u kushtohen edhe mbrojtësve të Kroacisë, të plagosurve, të zhvendosurve, familjeve të të vrarëve dhe të zhdukurve, si dhe viktimave civile të luftës, pavarësisht përkatësisë së tyre.

    “Rasti i Vukovarit na kujton se premtimi ‘kurrë më’, i lindur pas shkatërrimeve të Luftës së Dytë Botërore dhe që qëndron në thelb të projektit evropian, nuk mund të merret kurrë si i mirëqenë”, thuhet në tekst.

    Rezoluta përmend krimet e kryera në Ovçara, si dhe kampet e burgimit të administruara nga Ushtria Popullore Jugosllave në Serbi, përfshirë ato në Stajiçevo, Begejcë, Nish, Beograd, Novi Sad dhe Sremska Mitrovicë. Gjithashtu përmendet edhe kompleksi Velepromet në Vukovar.

    Dokumenti kritikon retorikën ultranacionaliste të autoriteteve serbe dhe të Sllobodan Millosheviqit, për të cilën thuhet se nxiti tensionet etnike dhe normalizoi dhunën.

    Në këtë kontekst përmendet edhe fjalimi i Millosheviqit në Gazimestan në vitin 1989, ku ai paralajmëroi konflikte të ardhshme, si dhe koncepti i Serbisë së Madhe.

    Rezoluta përmend gjithashtu kërkimfaljen e ish-presidentit serb Boris Tadiq në vitin 2010 për krimet e kryera në Ovçara, si dhe procesin paqësor të riintegrimit të Sllavonisë Lindore, Baranjës dhe Sremit Perëndimor.

    Parlamenti Evropian dënon ashpër të gjitha format e mohimit, minimizimit apo glorifikimit të krimeve të luftës, përfshirë nderimin publik dhe rehabilitimin e personave të dënuar për krime lufte në rajon.

    Në dokument përmendet konkretisht nderimi i Ratko Mlladiqit, ish-komandantit ushtarak të dënuar për gjenocid, gjatë ceremonive të varrimit të tij në Beograd në shtator të këtij viti.

    Në fund, presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, i kërkohet që rezolutën t’ia përcjellë Këshillit të BE-së, Komisionit Evropian, si dhe qeverive dhe parlamenteve të vendeve anëtare dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.

    Krahas propozimit të eurodeputetëve kroatë, të iniciuar nga Karlo Ressler, liberalët kishin paraqitur edhe një rezolutë alternative, të hartuar nga austriaku Helmut Brandstätter.

    Këtë version e kishin mbështetur disa organizata joqeveritare nga Kroacia dhe Ballkani Perëndimor, përfshirë Documenta – Qendrën për Përballje me të Kaluarën, Rrjetin e Pajtimit REKOM dhe Shoqatën për Hulumtime Sociale dhe Komunikim (UDIK).

    Organizatat kishin argumentuar se e mbështesnin rezolutën alternative, pasi ajo u bënte thirrje të gjitha shteteve të rajonit, dhe jo vetëm njërit prej tyre, që të zbardhnin fatin e personave të zhdukur dhe të hapnin arkivat.

    Ndërkaq, përfaqësuesit kroatë në Strasburg e kishin interpretuar versionin e Brandstätterit si përpjekje për barazimin e përgjegjësisë dhe zbutjen e përmbajtjes së dokumentit.

    Në fund, liberalët hoqën dorë nga rezoluta e tyre pas disa ndryshimeve të vogla në propozimin fillestar të paraqitur nga grupet e ndryshme politike. Edhe Brandstätter u bë nënshkrues i rezolutës së miratuar të enjten.

    Ndër ndryshimet e përfshira ishte edhe pjesa ku theksohet se “familjet e personave të zhdukur të të gjitha kombësive presin gjithashtu përgjigje”, si dhe përmendja e kërkimfaljes së ish-presidentit serb Boris Tadiq. /Telegrafi/

  • Haxhiu për rrezikun e humbjes së fondeve nga Plani i Rritjes: Po bëjmë përpjekje maksimale që kjo të mos ndodhë

    Haxhiu për rrezikun e humbjes së fondeve nga Plani i Rritjes: Po bëjmë përpjekje maksimale që kjo të mos ndodhë

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se institucionet e Kosovës po bëjnë përpjekje maksimale për të mos humbur fondet nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, në rast të mos përmbushjes së kritereve të përcaktuara, raporton Ekonomia Online.

    Haxhiu ka thënë se pas dy vitesh bllokadash politike dhe zgjedhjesh që, sipas saj, të paktën dy prej tyre kanë qenë të panevojshme, Kuvendi dhe Qeveria kanë vazhduar me adresimin e obligimeve që dalin nga agjenda evropiane dhe Plani i Rritjes.

    Ajo ka theksuar se menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, zgjedhjes së Qeverisë dhe votimit të presidentes, institucionet kanë rifilluar punën për përmbushjen e këtyre obligimeve.

    “Ne kemi pasur dy vite bllokada. Fatkeqësisht, domethënë, nuk kemi arritur që të shmangim zgjedhjet që i kemi pasur të panevojshme, të paktën dy prej tyre kanë qenë të panevojshme. Me këtë rast, sapo ne kemi konstituuar Kuvendin, kemi zgjedhur Qeverinë dhe kemi votuar presidenten e vendit, ne kemi vazhduar obligimet që dalin nga agjenda evropiane dhe nga Plani i Rritjes”, ka deklaruar Haxhiu.

    Ajo ka bërë të ditur se Kuvendi ka dy obligime kryesore në kuadër të kësaj agjende, përkatësisht Komisionin për Ndihmë Shtetërore dhe Kodin Etik për deputetët, të cilat, sipas saj, janë adresuar me hapa të shpejtë.

    “Kuvendi i Republikës së Kosovës i ka dy obligime kryesore, që është Komisioni për Ndihmë Shtetërore dhe në anën tjetër edhe Kodi Etik për deputetët, prandaj me shpejtësi të paparë, me hapa të shpejtë ne kemi vazhduar punën në obligimet që kemi”, është shprehur ajo.

    Haxhiu ka përmendur edhe projektligjet e tjera që janë pjesë e agjendës legjislative, duke thënë se Qeveria ka premtuar adresimin e tyre, ndërsa një pjesë tashmë është proceduar dhe miratuar në Kuvend.

    “Në anën tjetër janë shumë projektligje që janë në agjendën legjislative, të cilat Qeveria ka premtuar që t’i adresojë, shumë prej tyre i ka proceduar dhe i kemi votuar, por megjithatë i kemi edhe disa obligime të tjera”, ka thënë Haxhiu.

    Ajo ka theksuar se është e rëndësishme që Kosova të mos humbë fondet e Bashkimit Evropian që janë pjesë e Planit të Rritjes, duke shtuar se institucionet po angazhohen maksimalisht për të shmangur një mundësi të tillë.

    “Është e rëndësishme që të mos humbim fonde nga Bashkimi Evropian që dalin nga Plani i Rritjes e megjithatë po bëjmë përpjekje maksimale që kjo të mos ndodhë”, tha Haxhiu.

  • Haxhiu për ligjin e Speciales: Fokusi duhet të vendoset te strategjia, jo te nismat me efekt politik

    Haxhiu për ligjin e Speciales: Fokusi duhet të vendoset te strategjia, jo te nismat me efekt politik

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se fokusi për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë duhet të vendoset te hartimi i një strategjie, duke vlerësuar se nismat ligjore duhet të kenë efekt juridik dhe jo vetëm politik, raporton Ekonomia Online.

    Haxhiu ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës tashmë ka themeluar grupin për hartimin e strategjisë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, i cili ka zhvilluar disa takime dhe pritet që strategjia të publikohet së shpejti.

    “Ne kemi thënë në vazhdimësi që fokusi do duhej të vendosej te strategjia. Dhe pikërisht për këtë arsye Qeveria e Republikës së Kosovës e ka themeluar grupin për strategjinë, për hartimin e strategjisë, i cili tashmë ka mbajtur disa takime dhe nga i cili do të dalë shumë shpejt, pra, strategjia për mbrojtje të atyre që po mbahen padrejtësisht në Hagë, pra në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.

    Ajo ka thënë se gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe propozime e qëndrime të tjera, të cilat kanë kërkuar adresimin e çështjes përmes ndryshimeve ligjore.

    Sa i përket ligjit për Gjykatën Speciale, Haxhiu ka deklaruar se e kanë mbështetur, por nuk kanë besuar se kjo nismë do të kishte ndonjë efekt juridik në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

    “Megjithatë, gjatë kësaj kohe ka pasur, si me thënë, edhe propozime të tjera dhe qëndrime të tjera që duhet të adresohen edhe përmes ligjeve, përkatësisht përmes ndryshimeve të ligjeve. Sa i përket qëndrimit tonë për ligjin, ju e dini, ne e kemi mbështetur, ndonëse nuk kemi besuar që ajo është rruga që do të ketë ndonjë efekt juridik në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së”, ka thënë ajo.

    Haxhiu ka bërë të ditur se ligji, pas kthimit nga presidentja, ka mbetur ende në procedurë në Kuvend, ndërsa kanë pranuar një opinion nga zyra ligjore e Kuvendit, sipas të cilit çështja duhet të trajtohet në seancë plenare.

    “Siç e dini tashmë, jemi në rrethanën kur ai ligj ka mbetur, përkatësisht pas kthimit të presidentes, ende në procedurë. Ne kemi pranuar një opinion nga zyra ligjore e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili thekson që duhet të adresohet në seancën plenare dhe pastaj seanca plenare të vendosë mbi veton e presidentes. Sigurisht që qëndrimet për këtë do t’i japim në seancën plenare”, është shprehur Haxhiu.

    Ndërkaq, lidhur me mundësinë e propozimit të një ligji të ri, kryetarja e Kuvendit ka thënë se, sipas informacioneve që kanë, pritet të propozohet një tjetër nismë ligjore, por ajo ende nuk është e informuar për përmbajtjen e saj.

    “Sa i përket ligjit të ri, ne sipas informacioneve që i kemi pasur, një ligj tjetër, prapë ligj përkatësisht, do të propozohet. Megjithatë, nuk jam në dijeni për përmbajtjen e tij, sapo të jemi në dijeni për përmbajtjen e tij, ne do t’i japim qëndrimet tona”, ka deklaruar ajo.

    Haxhiu ka theksuar se në takimet e vazhdueshme me përfaqësues të PDK-së ka insistuar që përpjekjet të përqendrohen në çështje që kanë efekt juridik, duke argumentuar se nismat me efekt politik mund të adresohen përmes rezolutave dhe deklaratave të Kuvendit.

    “Është shumë e rëndësishme, këtë ua kam thënë edhe që, si me thënë, si qëndrim edhe PDK-së në takimet e vazhdueshme që kam pasur me ta, që fokusi duhet të vendoset tek çështje të cilat kanë efekte juridike. Nuk kemi nevojë për nisma të cilat kanë efekt politik, për shkak se për efekt politik janë rezolutat dhe deklaratat e Kuvendit”, ka thënë Haxhiu.

    Ajo ka bërë thirrje që të gjitha palët të angazhohen për hartimin e një strategjie sa më efektive për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, duke mos i lënë të vetëm ata që, sipas saj, po mbahen padrejtësisht në Hagë.

    “Prandaj po e konsideroj të rëndësishme që të theksoj që të gjithë bashkë duhet t’i japim përpjekjet që ta kemi një strategji sa më të mirë dhe që të mos i lëmë vetëm ata të cilët padrejtësisht po mbahen në Hagë”, shtoi Haxhiu.