ATV

Category: Lajme

  • Fjala përfundimtare: Dalin para gjykatës tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt

    Fjala përfundimtare: Dalin para gjykatës tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt

    Ka filluar senaca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, raporton Ekonomia Online.

    Sot në këtë seancë pritet që të dëgjohen fjalët përfundimtare për këtë rast.

    Pkuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj tyre dhe ndaj Tom Dodajt.

    Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

    I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

    Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

    Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij.

    Në aktakuzë thuhet se pas datës 25 qershor 2022, kur është paguar polica e sigurimit jetësor në emër të Liridona Murselit me kompaninë Folksam, në shumën prej 3.000.000 kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, Naimi të pandehurit të tretë (Kushtrim Kokalla), ia ka shpalosur planin e likuidimit të bashkëshortes së tij dhe nga ai ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj.

    Aktakuza thotë se fillimisht, Kokalla ka refuzuar e më pas ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin dhe që të tre janë dakorduar që Graniti të kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’ia paguajë kompensimin në shumën prej 30 mijë euro.

    Ndërsa, Naimi më 29 nëntor 2023, thuhet se ka siguruar armën e zjarrit dhe 20 fishekë, të cilat i ka blerë rreth orës 14:00 po të njëjtën ditë nga i pandehuri i katërt Tom Dodaj në shumën prej 280 euro, e të cilën armë ia ka dhënë të pandehurit të dytë- Granit Plavës.

    Granit Plava, thuhet se armën në fjalë e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona. Vrasje kjo e kryer në të njëjtën ditë në orët e mbrëmjes, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në ora 20:18 në vendin për të cilin është dakorduar me Naimin, duke e inskenuar që të duket si grabitje, ndërsa Naimi në mënyrë dinake me dorën e tij të djathtë ka mbajtur Liridonën në krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, për çka Naimi me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

    Plava thotë se për vrasjen kishte marrëveshje me Murselin: Më tha që edhe Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni për këtë rast.

    Me këtë, Naim Murseli akuzohet se në bashkëkryerje me të akuzuarit Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1., pika 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal.

    Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2023, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në 20:18 në fshatin Bërnicë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, i pandehuri i parë Naim Murseli me veturë në të cilën ka qenë tani e ndjera Liridona dhe fëmijët e tyre të moshës 4 dhe 6 vjeç, pas marrëveshjes paraprake, i ka dhënë shenjë me drita të veturës të pandehurit Plava, për çka ai befas ka dalë përpara veturës me maskë në kokë dhe pistoletë në duar, derisa i pandehuri Murseli, ka ndaluar dhe ka fikur motorin e veturës dhe me dorën e tij e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Naim Murseli thotë që s’e di si iu shkaktuan Liridonës lëndimet në dorën e majtë

    Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Granit Plava për kompensim në shumën prej 30 mijë euro, nga afërsia e drejtpërdrejtë përmes dritares gjysmë të hapur nga ana e pasagjerit, ka shtënë një fishek nga pistoleta në drejtim të Liridonës dhe e qëllon në kokë, në pjesën prapa veshit të djathtë, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, ku për pasojë ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Vdekja e saj, sipas raportit të autopsisë erdhi si rezultat i gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme.

    Me këtë, Granit Plava akuzohet se në bashkëkryerje me Naim Murselin dhe Kushtrim Kokallën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.6 lidhur me nenin 31 dhe 34 të Kodit Penal.

    Në pikën e tretë të aktakuzës, Granit Plava ngarkohet se nga 29 nëntori 2023 rreth orës 14:00 deri më 1 dhjetor 2023 rreth orës 16:15, ku është kryer bastisja në shtëpinë e tij në Cërmjan, Komuna e Gjakovës, ku është gjetur arma, pa autorizim dhe në kundërshtim me Ligjin për armë, ka poseduar pistoletën së bashku me 19 fishekë, me të cilën ka kryer veprën, e të cilën armë Naimi e ka blerë më 29 nëntor 2023 rreth orës 14:00 nga i pandehuri i katërt Tom Dodaj në shumën prej 280 euro.

    Me këtë, Plava akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

    Kushtrim Kokalla njoftoi Granit Plavën me Naim Murselin dhe u dakorduan që Graniti ta kryejë vrasjen për 30 mijë euro.

    Në aktakuzë thuhet se pasi që i pandehuri i parë Naim Murseli ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që të gjejë mundësi për vrasjen e bashkëshortes së tij- Liridona Murselit dhe i njëjti ka refuzuar, Kushtrimi ka gjetur të pandehurin e dytë Granit Plava me të cilin e ka njoftuar Naimin dhe të tretë janë dakorduar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’i paguajë kompensim shumën prej 30 mijë euro.

    Sipas aktakuzës, Naimi më 29 nëntor 2023 ka siguruar armën dhe 20 fishekë të cilat i ka blerë të njëjtën ditë rreth orës 14:00 nga Tom Dodaj për 280 euro, ia ka dhënë Plavës i cili armën e përmendur e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona.

    Me këtë, Kushtrim Kokalla akuzohet se në bashkëkryerje me Naim Murselin dhe Granit Plavën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.13 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal.

    Kokalla s’e lajmëroi vrasjen, edhe pse Naimi e kishte pranuar në dhomën e hotelit.

    Kokalla po ashtu akuzohet se edhe pse menjëherë pas kryerjes së vrasjes së tani të ndjerës Liridona ka pasur njohuri që veprën penale e kanë kryer i pandehuri Naim Murseli (i cili këtë e ka pranuar derisa kanë qenë në dhomën e hotelit të njëjtën natë pas vrasjes së kryer) dhe i pandehuri i dytë Granit Plava, i pandehuri Kokalla nuk i ka lajmëruar kryerësit e as veprën penale vrasje për planifikimin e kryerjes së të cilës ka marrë pjesë në mënyrë aktive së bashku me Murselin e Plavën, e të cilin rast organet kompetente fillimisht e kanë hetuar si grabitje deri dy ditë më vonë kur është arrestuar (më 1 dhjetor 2023).

    Me këtë, Kushtrim Kokalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre” nga neni 378, par.1, pika 1.1 lidhur me nenin 34 të Kodit Penal.

    Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se qeveria është duke përgatitur një paketë të re financiare për të përballuar rritjen e inflacionit dhe për të zbutur ndikimin e krizës ekonomike tek qytetarët.

  • Rasti tragjik në Malishevë, trupat e pajetë dërgohen në IML

    Rasti tragjik në Malishevë, trupat e pajetë dërgohen në IML

    Një rast i rëndë ka ndodhur të enjten në Malishevë, ku tre persona kanë humbur jetën pasi zjarri ka përfshirë banesën ku jetonin.

    Rasti ka ndodhur në lagjen “Mirdita” në Malishevë, të enjten në ora 12:55.

    Në raportin 24 orësh bëhet e ditur se me vendim të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    “Është raportuar se është përfshirë nga zjarri një banesë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi zjarrfikës ka lokalizuar zjarrin. Pas kontrollit brenda në banese janë gjetur tre persona, dy meshkuj dhe një femër (dy të mitur) të cilët janë dërguar në Qendrën Emergjente ku është konstatuar vdekja e tyre. Me vendim të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Digjet një shtëpi në Miradi të Epërme, i dyshuari përfundon në mbajtje

    Digjet një shtëpi në Miradi të Epërme, i dyshuari përfundon në mbajtje

    Një shtëpi është përfshirë nga flakët paraditen e së enjtes në fshatin Miradi e Epërme të Fushë Kosovës, duke shkaktuar dëme materiale, por pa raportime për të lënduar.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 16 prill 2026 rreth orës 10:39, kur është raportuar se një shtëpi, pronë e një burri kosovar, është kapluar nga zjarri. Dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një person i dyshuar, i cili sipas autoriteteve ka aftësi të kufizuara mendore.

    I dyshuari fillimisht është dërguar për trajtim dhe kontroll mjekësor në repartin e psikiatrisë. Pas vlerësimit mjekësor, me vendim të prokurorit, ai është ndaluar dhe dërguar në mbajtje.

    “Fshati Miradi e Epërme, Fushë Kosovë 16.04.2026-10:39. Raportohet se është përfshirë nga zjarri shtëpia pronë e ankuesit mashkull kosovar. Zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga i dyshuari mashkull kosovar me aftësi të kufizuara mendore. I dyshuari fillimisht është dërguar në psikiatri për kontroll mjekësore, e më pas me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

  • Burri dëbon gruan nga shtëpia, arrestohet nga policia

    Burri dëbon gruan nga shtëpia, arrestohet nga policia

    Një burrë është arrestuar në Podujevë pas një rasti të dhunës në familje, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

    Sipas raportit zyrtar, ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 10:30, ku i dyshuari, mashkull kosovar, pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshorten e tij, e ka dëbuar atë nga shtëpia.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    “Podujevë 16.04.2026-10:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka dëbuar nga shtëpia bashkëshorten e tij. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt”.

  • Dy punëtorë lëndohen rëndë në vendin e punës në veri, një person arrestohet

    Dy punëtorë lëndohen rëndë në vendin e punës në veri, një person arrestohet

    Dy punëtorë të një kompanie private kanë pësuar lëndime trupore gjatë punës në fshatin Ceraj të Mitrovicës së Veriut.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, punëtorët janë rrëzuar nga një mjet pune dhe kanë pësuar lëndime të rënda trupore.

    Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

    Ndërkohë, një i dyshuar mashkull kosovar është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ka bërë të ditur PK.

  • Osmani: Në këte përvjetor të masakrave në Poklek e Çikatovë, kujtojmë e nuk harrojmë kurrë

    Osmani: Në këte përvjetor të masakrave në Poklek e Çikatovë, kujtojmë e nuk harrojmë kurrë

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar të rënët me rastin e 27 vjetorit të masakrave në Poklek, e Çikatovë.

    Sipas Osmanit kushdo që thotë se në Kosovë nuk është kryer gjenocid, duhet të shkojë në Poklek e në çdo pjesë të Kosovës.

    Ajo thotë se dëshmitë e holokaustit të kryer në Kosovë janë akoma të freskëta.

    Postimi i plotë:

    Liri Muqolli ishte 6 muajshe kur së bashku me 53 anëtarë të familjes, kryesisht fëmijë e gra, u ekzekutuan, u dogjën njëherë, pastaj u dogjën sërish.

    Liri kishte emrin, por lirinë nuk e arriti kurrë.

    Kushdo që thotë se në Kosovë nuk është kryer gjenocid, le të shkojë në Poklek e në çdo pjesë të Kosovës. Dëshmitë e holokaustit të kryer në Kosovë janë akoma të freskëta.

    Në këte përvjetor të masakrave në Poklek e Çikatovë, kujtojmë e nuk harrojmë kurrë.

    Lavdi e përjetshme të gjithë martirëve të lirisë.

  • Gjermania kërkon ekstradimin e dy kosovarëve të dyshuar për tentimvrasje në Augsburg

    Gjermania kërkon ekstradimin e dy kosovarëve të dyshuar për tentimvrasje në Augsburg

    Policia në Augsburg të Gjermanisë ka identifikuar dy persona të dyshuar për të shtënat që kanë ndodhur rreth 1 vit më parë në një bar.

    Sipas mediave gjermane, dy të dyshuarit janë nga Kosova dhe dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri në restorantin “Loco” në rrugën Donauworther të Augsburgut.

    Ky veprim është klasifikuar si tentim vrasje.

    Një grup special hetues i quajtur “Hettenbach” është krijuar për të sqaruar rastin.

    Si pjesë e hetimeve, një bastisje ka ndodhur tetorin e vitit 2025, e cila rezultoi me arrestimin e disa personave për trafikim ilegal të drogës.

    “Të dyshuarit janë në Kosovë, dhe zyra e prokurorit publik ka lëshuar kërkesë për ekstradim”, ka raportuar “RadioFatansy” e Gjermanisë.
    Policia nuk ka ofruar informacione nëse të dyshuarit janë ndaluar në Kosovë.

    Një gjykim i menjëhershëm në Gjermani nuk pritet të ndodhë për shkak të kompeksitetit të procedurave të ekstradimit.

    Hetimet mbi motivet e rastit janë duke vazhduar.

    Ndërkaq, “Augsburger Allgemeine” ka dhënë detaje mbi rastin e ndodhur në majin e vitit 2025.

    “Një shpërthim u dëgjua teksa raketat e fishekzjarrëve ngriheshin në ajër aty pranë. Në zonën e Urës Wertach në Oberhausen, fishekzjarrët tradicionalë të festës Plarrer dëgjohen gjithmonë me zhurmë të madhe. Por zhurmat që kalimtarët dëgjuan në një mbrëmje të majit 2025 nuk vinin vetëm prej tyre”.

    “Në atë kohë, dy burra qëlluan me armë drejt një lokali në rrugën Donauworther. Predhat goditën fasadën dhe pjesën ballore me xhama. Brenda në ‘Loco Bar’ kishte mysafirë, ndërsa edhe jashtë, në trotuar, ndodheshin njerëz, por fatmirësisht askush nuk u lëndua”.

    “Tani, Prokuroria dhe Departamenti i Hetimeve Kriminale në Augsburg thonë se kanë identifikuar personat që qëndrojnë pas kësaj ngjarjeje, të cilën hetuesit e cilësojnë si tentim vrasjeje”.

    Ky medium thotë se ka shumë gjasë që rasti të jetë konflikt mes bandave.

  • Përleshje mes dy vëllezërve në Podujevë, njëri dërgohet në mbajtje

    Përleshje mes dy vëllezërve në Podujevë, njëri dërgohet në mbajtje

    Dje në Podujevë, rreth orës 05:00, janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj shtetas të Kosovës, të cilët janë vëllezër.

    Sipas autoriteteve, pas një mosmarrëveshjeje mes tyre, të dy janë përfshirë në një përleshje fizike

    Të dyshuarit kanë marrë trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.

    Raporti i plotë:

    Podujevë 16.04.2026-05:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë-vëllezër, pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë përleshur fizikisht në mes vete. Të dyshuarit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit, me vendim të prokurorit një i dyshuar dërgohet në mbajtje, ndërsa tjetri lirohet në procedurë të rregullt.

  • Gjenden eshtra në Negroc të Drenasit, dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës

    Gjenden eshtra në Negroc të Drenasit, dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në fshatin Negroc të Komunës së Drenasit, gjatë një aksioni gërmimi dhe eksumimi janë hasur mbetje mortore që dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998/1999.

    Sipas raportit policor, me 16.04.2026, njësitë përkatëse kanë realizuar veprimin hetimor në lokacionin e varrezave të dëshmorëve në këtë fshat.

    Gjatë gërmimeve janë gjetur eshtra që dyshohet se i përkasin së paku një personi

    Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për ekzaminime të mëtejshme mjeko-ligjore dhe identifikim.

    Rasti po trajtohet nga organet kompetente.

  • Trump reagon pas njoftimit për armëpushim midis Izraelit dhe Libanit

    Trump reagon pas njoftimit për armëpushim midis Izraelit dhe Libanit

    Në një postim të shkurtër në Truth Social, presidenti amerikan Donald Trump ka përshëndetur atë që ai e quan “një ditë historike për Libanin” pasi armëpushimi 10-ditor midis Izraelit dhe Libanit hyri në fuqi.

    Kjo vjen pasi presidenti i Libanit, Joseph Aoun, dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu arritën marrëveshjen pas diskutimeve me Trumpin, deklaroi presidenti amerikan.

    Megjithatë, vetëm pak orë pas ndërprerjes së dukshme të armiqësive, ushtria libaneze akuzoi Izraelin për “shkelje” të armëpushimit.

    Sipas Trumpit, zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i shtetit Marco Rubio tani do të punojnë me të dy vendet “për të arritur një PAQE të qëndrueshme”.

    Ndërkohë, SHBA ka bërë të ditur gjashtë pika të armëpushimit Izrael-Liban.

    Luftimi do të ndërpritet në orën 17:00 EST (ora 23:00 sipas kohës në Kosovë) për 10 ditë si një “gjest vullneti të mirë” nga Izraeli;

    Kjo periudhë mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë nëse bëhet përparim në negociata dhe nëse Libani “demonstron në mënyrë efektive aftësinë e tij për të pohuar sovranitetin e tij” – një referencë e dukshme për përballjen me Hezbollahun;

    Izraeli ka të drejtë të “marrë të gjitha masat e nevojshme për vetëmbrojtje në çdo kohë”, por “përveç kësaj”, nuk do të kryejë sulme;

    Gjatë armëpushimit, me mbështetje ndërkombëtare, Libani do të ndërmarrë “hapa kuptimplotë” për të ndaluar Hezbollahun dhe “grupet e tjera të armatosura jo-shtetërore” nga kryerja e sulmeve ndaj Izraelit;

    Të gjitha palët i njohin forcat e sigurisë së Libanit si përgjegjëse ekskluzive për sovranitetin dhe mbrojtjen kombëtare të Libanit – jo ndonjë grup tjetër;

    Izraeli dhe Libani kërkojnë që SHBA-të të lehtësojnë negociatat e mëtejshme të drejtpërdrejta midis dy vendeve.

    Siç theksohet në fund, teksti u miratua nga qeveritë e të dy palëve, tha departamenti.