ATV

Category: Lajme

  • “Mos të ndodh me u çu pa ta japë fjalën”, tensione në Kuvend mes Haxhiut dhe Ferat Shalës, afrohen tek kryetarja Tahiri e Nagavci

    “Mos të ndodh me u çu pa ta japë fjalën”, tensione në Kuvend mes Haxhiut dhe Ferat Shalës, afrohen tek kryetarja Tahiri e Nagavci

    Diskutimi për çështjen e energjisë ka nxitur përplasje në mes të kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe deputetit të PDK-së, Ferat Shala.

    Shala ka dashur që ta marrë fjalën pas një diskutimi që ka mbajtur ministrja, Artane Rizvanolli, megjithatë Haxhiu ka insistuar se ai s’mund të flasë pa ia dhënë fjalën kryetarja e Kuvendit.

    “Mos të ndodh me u çu pa ta jep fjalën se s’e merr”, thotë Haxhiu.

    Megjithatë Ferat Shala pozicionohet tek foltorja e Kuvendit dhe pastaj afrohet tek kryetarja e Kuvendit për të diskutuar.

    Tek kryetarja e Kuvendit janë afruar më pas edhe shefat e GP të LVV-së dhe PDK’së.

  • Prokurorja kërkon burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë

    Prokurorja kërkon burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë

    Prokurorja Javorka Perlinqeviq ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

    Sipas Perlinqeviq, është vërtetuar se Naim Murseli ka vepruar për përfitim financiar apo moral, duke e simuluar një grabitje në të cilën viktima është trajtuar si “dëm kolateral”, ndërsa sipas pretendimeve të aktakuzës, ai ka marrë pjesë në organizimin dhe planifikimin e vrasjes.

    Në seancë është theksuar se vrasja është kryer nga i akuzuari Granit Plava, i cili ka shtënë me armë që dyshohet se është siguruar përmes Naim Murselit, ndërsa një tjetër i akuzuar ka ndërmjetësuar në sigurimin e armës dhe kontaktin mes personave të përfshirë.

    Ajo thekson se të akuzuarit ngarkohen edhe për moslajmërim të veprës penale dhe kryerësve të saj, sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Në kërkesën përfundimtare, Perlinqeviq i ka propozuar gjykatës shpalljen fajtorë të të akuzuarve, duke vlerësuar se veprimi, mënyra e kryerjes, sjellja pas ngjarjes dhe tentativat për manipulim publik rëndojnë pozitën e tyre, ndërsa sipas saj nuk ekzistojnë rrethana lehtësuese.

    Prokurorja ka kërkuar që të shqiptohet dënimi maksimal i paraparë për veprën penale “vrasje e rëndë”, respektivisht burgim i përjetshëm./BetimipërDrejtësi/

  • Fahri Fazliu lejohet ta takojë babain e tij, Fadil Fazliu pas 1 viti e 4 muajsh ndalesë nga Specialja

    Fahri Fazliu lejohet ta takojë babain e tij, Fadil Fazliu pas 1 viti e 4 muajsh ndalesë nga Specialja

    Fahri Fazliu është lejuar ta takoj babain e tij, Fadil Fazliu, pas një ndalese prej 1 viti e 4 muajsh nga Gjykata Speciale.

    Fadil Fazliu është i akuzuar në gjyqin e dytë të ish-presidentit, Hashim Thaçi për administrim të drejtësisë.

    Në postimin e bërë, Fahri Fazliu tha se kjo ndarje ishte e padrejtë.

    Postimi i plotë:

    Pas 1 viti e 4 muajsh të ndarë padrejtësisht nga njëri-tjetri, babë e bir, sot, nesër e gjithmonë bashkë, babloki im, Fadil Fazliu.

    Sprovat nuk të thyen asnjëherë, përkundrazi, të bënë edhe më të fortë.

    Qëndrove ballëhapur, kokëlart e me dinjitet, ashtu siç të ka hije.

    Ti je frymëzim dhe krenari për familjen, për të gjithë ne dhe për mbarë kombin shqiptar.

    Krenar me ty gjithmonë, babloki jem!

  • Prokurorja: Tre versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit synojnë shmangien e përgjegjësisë penale

    Prokurorja: Tre versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit synojnë shmangien e përgjegjësisë penale

    Prokurorja Javorka Perlinqeviq, në fjalën përfundimtare, tha se pas zhvillimit të procedurës së provave, ku janë paraqitur të gjitha provat materiale të grumbulluara gjatë hetimit, janë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët relevantë që kishin njohuri lidhur me sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe pas paraqitjes së mbrojtjes nga të akuzuarit, po përmbyllet një proces gjyqësor që, sipas saj, ka sqaruar një krim makabër – vrasjen e Liridona Ademajt Murseli, të kryer më 29.11.2023 para fëmijëve të saj të mitur, të cilët në kohën e ngjarjes kanë pasur 4 dhe 6 vjet.

    Perlinqeviq tha se në këtë fjalë përfundimtare fokusi do të jetë në faktet e paraqitura nga dëshmitarët dhe rrethanat e shqyrtuara gjatë gjykimit, dhe jo në procedurën paraprake.

    Sipas saj, djali i madh, në prani të psikologut, ka deklaruar: “hajni e futi dorën dhe ia bëri mamit ban”. Gjithashtu, ajo përmendi dëshminë e Leonardit, sipas së cilës fëmijët e kanë sqaruar qartë ngjarjen dhe nuk dëshirojnë të komunikojnë me babain e tyre, të akuzuarin Naim Murseli, duke refuzuar edhe thirrjet telefonike të mundësuara përmes Qendrës për Punë Sociale në Suedi.

    Prokurorja theksoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë paraqitur tre versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit, të cilat, sipas saj, paraqesin përpjekje për shmangie të përgjegjësisë penale dhe bartje të fajit te të tjerët, duke e quajtur këtë “tre skenarë të ndryshëm të një ngjarjeje”.

    Ajo shtoi se, sipas provave të administruara, i akuzuari Naim Murseli ka kaluar pasditen e ditës kritike me të akuzuarin Granit Plava, me të cilin dyshohet se ka blerë armën e përdorur në kryerjen e veprës, si dhe ka përdorur veturë të huazuar në atë periudhë. Sipas saj, këto rrethana nuk përputhen me deklarimet e mbrojtjes dhe analizat e videoincizimeve tregojnë lëvizje të koordinuara të automjeteve.

    Po ashtu, Perlinqeviq përmendi se në qershor të vitit 2022 familja Murseli në Suedi kishte paguar një policë sigurimi në emër të viktimës Liridona Ademaj, dhe se sipas saj, pas kësaj, i akuzuari Naim Murseli i kishte kërkuar të akuzuarit Kushtrim Kokalla të gjejë mënyrën për vrasjen e saj.

  • Zgjedhja e presidentit, Haziri: LDK dhe VV janë në konsultime për një marrëveshje

    Zgjedhja e presidentit, Haziri: LDK dhe VV janë në konsultime për një marrëveshje

    Deputeti i LDK-së Lutfi Haziri, ka deklaruar para nisjes së seancës së Kuvendit se LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje janë në konsultime për një marrëveshje lidhur me zgjedhjen e presidentit.

    Sipas tij, qëllimi është arritja e një marrëveshjeje sa më shpejt për të siguruar funksionalitet institucional, raporton Klankosova.

    “Jemi në konsultime aktive, kryetari i LDK-së është duke punuar për t’i dhënë një mundësi marrëveshjes mes LDK-së dhe VV-së. Qëllimi ynë është që shteti të jetë funksional dhe të kemi organin më të lartë përfaqësues sa më shpejt. Jemi në 11 ditët e fundit dhe ky afat duhet të na obligojë që sa më shpejt t’i japim vendit një marrëveshje”, ka deklaruar Haziri.

  • Politikani amerikan vret gruan dhe më pas veten, detajet e para

    Politikani amerikan vret gruan dhe më pas veten, detajet e para

    Ish-nënkryetari i guvernatorit të Virxhinias, Justin Fairfax, një yll në ngritje në Partinë Demokratike derisa akuzat për sulm seksual e shkatërruan politikisht, vrau gruan e tij dhe më pas veten.

    Oficerët e thirrur në shtëpinë në periferi të Annandale në Uashington, gjetën trupat e Fairfax, 47 vjeç, dhe gruas së tij, Dr. Cerina Fairfax, 49 vjeç, ka njoftuar shefi i policisë së qarkut Fairfax, Kevin Davis.

    Justin Fairfax qëlloi për vdekje gruan e tij, një dentiste e suksesshme, në bodrum përpara se të shkonte në një dhomë gjumi në katin e sipërm dhe të vriste veten, sipas Davis.

    Djali i tyre telefonoi policinë, shkruan AP.

    Një nga miqtë e Fairfax tha se ai u bë gjithnjë e më i dëshpëruar pasi gruaja e tij paraqiti kërkesë për divorc vitin e kaluar.

    Gjykatësi që mbikëqyrte divorcin shkroi së fundmi se “izolimi, pirja e alkoolit dhe mungesa e pjesëmarrjes në jetën familjare janë manifestime të asaj që duket të jetë një ndjenjë humbje shprese”.

    Ndryshe, më pak se një dekadë më parë, karriera politike e Justin Fairfax po merrte hov. Ai fitoi garën për zëvendësguvernator në vitin 2017 dhe dukej se ishte gati të bëhej guvernatori i dytë me ngjyrë i Virxhinias dy vjet më vonë, kur guvernatori demokrat Ralph Northam u përball me thirrje të shumta për të dhënë dorëheqjen.

    Fairfax do të ishte bërë guvernator nëse Northam do të kishte dhënë dorëheqjen.

    Por dy gra dolën hapur duke e akuzuar se i kishte sulmuar seksualisht vite më parë.

    Ai u përpoq të kandidonte për guvernator në vitin 2021, por u shmang kryesisht nga demokratët e Virxhinias dhe u mund në zgjedhjet paraprake demokrate.

    Cerina Fairfax tha në dosjet gjyqësore se ajo dhe bashkëshorti i saj u ndanë gati dy vjet më parë. Por ata ende jetonin në të njëjtën shtëpi me dy fëmijët e tyre adoleshentë, të cilët ishin të dy në shtëpi kur ndodhën vdekjet.

    Dosjet tregojnë se Justin Fairfax pati sfida financiare pas akuzave për sulm seksual, të cilat çuan në dorëheqjen e tij si partner në një firmë prestigjioze ligjore.

  • “Hajni e futi dorën dhe ia bëri mamit bam” – Prokurorja tregon çfarë ka thënë djali i madh i Liridona Ademajt në prani të psikologut

    “Hajni e futi dorën dhe ia bëri mamit bam” – Prokurorja tregon çfarë ka thënë djali i madh i Liridona Ademajt në prani të psikologut

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur sot seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ku pritet të jepen fjalët përfundimtare.

    Në sallën e gjyqit, nën masa të rrepta sigurie dhe me pranga në duar, janë futur të akuzuarit Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

    Në seancë po merr pjesë edhe prokurorja Javorka Perlinçeviq, e cila e ka cilësuar vrasjen e Liridona Ademajt si “krim makabër”.

    Gjatë fjalës së saj, ajo ka sjellë edhe deklarime që lidhen me fëmijët e viktimës, të dhëna gjatë një vizite të njërit prej djemve në Suedi, në prani të psikologes.

    Sipas prokurores, djali i madh ka deklaruar, “Hajni i futi dorën dhe i bëri mamasë bam”.

    Po ashtu, është theksuar se fëmijët refuzojnë thirrjet telefonike të mundësuara nga Qendra për Punë Sociale në Suedi për kontakt me Naim Murselin.

    Prokurorja ka shtuar se Leonardi ka treguar se fëmijët dëshmojnë se si Naim Murseli e ka mbajtur Liridonën në njërin krah në momentin e ngjarjes. /KlanKosova

  • Reagojnë organizatat monitoruese: Procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK’së është i komprometuar

    Reagojnë organizatat monitoruese: Procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK’së është i komprometuar

    Organizatat e jo-qeveritare, Lëvizja FOL, IKD, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe juristja Flutura Kusari kanë nxjerrë një komunikatë të përbashkët pas monitorimit që i kanë bërë procesit të intervistimit të kandidatëve për Bord të RTK’së dhe kanë konstatuar se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së është i komprometuar.

    Në komunikatë thuhet se procesi nuk i plotëson as standardet minimale të vlerësimit.

    “Pas monitorimit të procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës vlerësojmë se ky proces është haptazi i komprometuar, i cili proces nuk plotëson standardet minimale përmes të cilit duhet të rekomandohen emrat e anëtarëve të Bordit të RTK-së. Mungesa e standardeve themelore të transparencës, barazisë dhe rregullsisë procedurale janë arsyet krysore të kompromentimit të këtij procesi. Prandaj, rekomandojmë që kandidatët e përzgjedhur nga Komisioni Ad Hoc të mos procedohen për votim në seancë plenare”, thuhet në reagim.

    “Ne vlerësojmë se procesi ka dështuar për arsyet në vijim: insistimi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ky proces të përmbyllej brenda një afati të shkurtër dhe koha e pamjaftueshme në dispozicion, organizimi i çrregullt si pasojë e presionit kohor, cenimi i trajtimit të barabartë të kandidatëve, metodologjia e paqartë dhe transparente sidomos me vendimin që poentimi i kandidatëve të mos bëhet pas secilës intervistë, si dhe shmangia nga standardet e vendosura në vitin 2021 gjatë procesit të rekrutimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së”, vazhdon reagimi.

  • Çfarë dihet për kartelin ballkanik të drogës, anëtarë të të cilit u arrestuan në Mal të Zi?

    Çfarë dihet për kartelin ballkanik të drogës, anëtarë të të cilit u arrestuan në Mal të Zi?

    Dymbëdhjetë arrestime, operacione në disa shtete, veprimtari në pesë kontinente dhe sekuestrim i 4.2 tonëve drogë. Ky është epilogu i një aksioni ndërkombëtar policor, të zhvilluar në Mal të Zi dhe në Gjermani.

    Ndër të arrestuarit në Mal të Zi është edhe S.F., për të cilin policia e këtij vendi bëri të ditur se është një nga drejtuesit e kartelit ballkanik.

    Mediat malazeze e identifikuan si Svetisllav Fillipoviq dhe ai dyshohet për prodhim, posedim dhe shpërndarje të paligjshme të narkotikëve.

    Ai përballet me një dënim deri në 15 vjet burg dhe, përveç kësaj, akuzohet edhe për tregti të paligjshme të armëve dhe materialeve shpërthyese.

    Për të nuk ka shumë informacione, ndërsa gjatë publikimit të të dhënave për aksionin, policia evropiane, Europol, tha se në Mal të Zi është arrestuar një person me rrezikshmëri të lartë.

    Ai vjen nga Podgorica dhe është 47 vjeç, ndërsa që nga viti 2002 figuron si drejtor i kompanisë “Spectacular”, sipas regjistrit publik të të dhënave të biznesit “Company wall”.

    Kjo kompani, deri më tani, ka pranuar 139 dërgesa nga 16 vende, përfshirë Ekuadorin, Ukrainën dhe Kolumbinë, tregojnë të dhënat e platformës Volza, e cila mbledh informacione për tregtinë globale.

    Sipas saj, kompania ka importuar banane, shalqinj, fruta të thata dhe arra, ndërsa ndër furnizuesit e saj figuron edhe një kompani nga Hong Kongu.

    Në vitin 2023, “Spectacular” gjeneroi të ardhura totale prej 664.206 eurosh.

    Fillipoviq është gjithashtu një nga bashkëpronarët e kompanisë “Europayment”.

    Llogaritë e të dyja kompanive janë bllokuar.

    Përveç arrestimeve në Mal të Zi, katër persona u arrestuan edhe në Gjermani, por ende nuk ka shumë informacione rreth tyre.

    Sipas policisë ndërkombëtare, Interpol, në Gjermani veprojnë disa grupe globale të krimit të organizuar, të cilat merren me një gamë të gjerë krimesh, si: trafikim i drogës, krime kundër pronës dhe kontrabandë e qenieve njerëzore.

    “Të rrënjosur fort” në rrugët e trafikimit të kokainës

    Të arrestuarit më 15 prill akuzohen për dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika e Jugut në vendet e Bashkimit Evropian, tha drejtori i Drejtorisë së Policisë në Mal të Zi, Llazar Shqepanoviq.

    Sipas tij, ky grup kriminal siguroi dhe ndërmjetësoi shitjen e kokainës dhe kanabisit, si në Mal të Zi ashtu edhe në vende të tjera, si: Gjermania, Holanda, Belgjika, Bolivia dhe Tajlanda.

    Ky operacion konfirmon se, pavarësisht goditjeve të shkaktuara nga operacionet e mëparshme, grupet ballkanike nuk janë zhdukur, por vazhdojnë aktivitetet e tyre, duke i përshtatur dhe rindërtuar zinxhirët e tyre logjistikë, thotë Sasha Gjorgjeviq nga Iniciativa Globale për Luftën kundër Krimit të Organizuar Transnacional.

    “Grupet kriminale ballkanike mbeten të rrënjosura fort në rrugët tradicionale të trafikimit të kokainës, veçanërisht në linjën Amerikë Latine-Evropë, me Gjermaninë që është ende një nga tregjet kryesore”, thotë Gjorgjeviq.

    Grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor janë identifikuar nga organizatat ndërkombëtare, si Europol dhe Interpol, si aktorë kryesorë në kontrabandën e kokainës nga vendet e Amerikës Latine – si Brazili, Kolumbia dhe Ekuadori – drejt tregjeve kryesisht të Evropës Perëndimore.

    Por, përveç kokainës, u kontrabandua edhe kanabis – rreth 1.5 ton u gjet nga 12 sekuestrime të ndryshme.

    Kanabisi, siç tha Europol-i, u kontrabandua në Bashkimin Evropian nga dhe përmes Shqipërisë, Tajlandës dhe Shteteve të Bashkuara.

    Prania e kanabisit, shpjegon Gjorgjeviq, tregon se grupet kriminale të Ballkanit nuk specializohen vetëm në kokainë.

    “Ato tashmë po veprojnë në mënyrë oportuniste dhe po hyjnë në tregje të tjera, ku ofrojnë një kanal të sigurt dhe fitime të mira”, shton ai.

    Rreth 100 oficerë policie morën pjesë në operacionin e fundit dhe, përveç institucioneve gjermane dhe malazeze, mbështetje dhanë edhe Austria, Spanja dhe Europol-i.

    Transporti me avion

    Pas arrestimeve në Mal të Zi dhe në Gjermani, Zyra e Prokurorit të Lartë të Shtetit në Podgoricë ngriti aktakuzë kundër dhjetë personave.

    Padia penale i ngarkon të dyshuarit me shitje, transportim dhe ndërmjetësim të përsëritur në shitjen e drogave narkotike – kokainë dhe kanabis – ndërsa një grup prej katër të dyshuarve akuzohet edhe për veprën penale të organizimit kriminal.

    “Një i dyshuar urdhëroi dhe organizoi transportin detar ose ajror të ngarkesave me sasi të mëdha drogash narkotike – kokainë, kanabis dhe hashash – në Podgoricë, Gjermani, Bolivi, Tajlandë, Belgjikë dhe Republikën Dominikane”, deklaroi Zyra e Prokurorit.

    Europol-i tha gjithashtu se grupi ka përdorur edhe trafikun ajror, përveç rrugëve detare.

    Gjorgjeviq thotë se kjo tregon se këto rrjete po i përshtatin vazhdimisht metodat e tyre dhe po kërkojnë kanale të reja për kontrabandë.

    “Përdorimi i trafikut ajror, duke përfshirë korrierët dhe aviacionin e përgjithshëm, shkakton shqetësim prej kohësh, por shkalla e tij ende nuk është e qartë plotësisht”, thotë Gjorgjeviq.

    Përveç metodave të reja të transportit, grupet po i ndryshojnë edhe rrugët.

    Kështu, një hulumtim i Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, vitin e kaluar, tregoi se grupet e krimit të organizuar, anëtarët e të cilëve kanë origjinë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përdorin një rrugë të re për të kontrabanduar kokainë nga Amerika Latine në Evropë, përmes vendeve të Afrikës Perëndimore.

    Mali i Zi është strehë e dy klaneve kriminale, Kavaç dhe Shkalar, të cilat janë në konflikt që nga viti 2014, kur disa qindra kilogramë kokainë u zhdukën në Valencia.

    Më shumë se 70 persona janë vrarë në konfliktet e tyre deri më tani.

    Vitin e kaluar, ky vend u rendit i dhjeti në Evropë në Indeksin Global të Krimit të Organizuar.

    Përveç tij, Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina janë gjithashtu në dhjetë vendet e para.

    Indeksi Global i Krimit të Organizuar vlerëson nivelin e krimit dhe rezistencën ndaj krimit të organizuar në 193 vende të botës./REL/

  • Sekuestrohet mall i kontrabanduar, arrestohet një person për ‘kalim të paautorizuar të kufirit’

    Sekuestrohet mall i kontrabanduar, arrestohet një person për ‘kalim të paautorizuar të kufirit’

    Policia e Kosovës ka sekuestruar mall të kontrabanduar si dhe ka arrestuar një person për ‘kalim të paautorizuar të kufirit’

    Policia e Kosovës, ekipet patrulluese të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë-NjNSh Veri, Departamenti për Kufi, në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme policore, në ruajtjen e kufirit shtetëror dhe parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare, me datën 16.04.2026 rreth orës 20:05, në rrugën ilegale ndërmjet fshatrave Beluqe-Rvatska -Leposaviq kanë parandaluar një rast të kontrabandës me mallra nga territori i Serbisë, duke ndaluar automjetin me vozitës P. S. (2002), të ngarkuar me mallra të ndryshme:

    – 38 pako me gjithsej 760 shishe me pije alkoolike/birra,

    – 2 pako pije,

    – 2 pako korneta.

    Sipas njoftimin, me autorizim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti ‘kalim i paautorizuar i vijës kufitare’, kurse automjeti dhe malli i kontrabanduar janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë, për procedura të mëtejshme doganore nga Dogana e Kosovës.

    Personi i dyshuar lirohet pas intervistimit dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.