ATV

Category: Lajme

  • Haradinaj dorëzon kërkesë në Kuvend për organizimin e një ceremonie përkujtimore  në nder të Eliot Engel

    Haradinaj dorëzon kërkesë në Kuvend për organizimin e një ceremonie përkujtimore në nder të Eliot Engel

    Kreu i AAK-së. Ramush Haradinaj, tha se sot ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën në Kuvendin e Kosovës për organizimin e një ceremonie përkujtimore në nder të ish-kongresistit amerikan, Eliot Engel, të cilin Haradinaj e quajti mik të madh të shqiptarëve.

    “Përmes kësaj iniciative, si Kuvend do të shprehim mirënjohjen tonë institucionale për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në mbështetje të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Eliot Engel ishte një nga zërat më të fuqishëm në momentet më vendimtare të historisë sonë, duke ndihmuar në ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e politikës amerikane në përkrahje të kauzës sonë të drejtë”.

    Propozimi përfshin mbajtjen e një seance të veçantë përkujtimore, si dhe krijimin e një çmimi vjetor “Eliot Engel” dhe një memoriali të përhershëm brenda hapësirave të Kuvendit, tha Haradinaj.

    “Besoj fuqishëm se nderimi i miqve të Kosovës është detyrim institucional dhe kombëtar. Kjo iniciativë është një hap i rëndësishëm për të ruajtur kujtesën historike dhe për të forcuar aleancën tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

  • Dështon mbledhja e Komisionit për anëtar të KPM-së

    Dështon mbledhja e Komisionit për anëtar të KPM-së

    Ka dështuar mbledhja e Komisionit Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të KPM-së si pasojë e mungesës së kourumit, raporton Ekonomia Online.

    Anëtaret e Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës dolën nga mbledhja ende pa nisur ajo, pasi mungonin anëtarët nga partitë tjera.

    Në këtë mbledhje ishte e paraparë shqyrtimi i listës së kandidatëve.

    Kryetari i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Bajrami tha se do të tentojnë që gjatë ditës të mbajnë mbledhjen.

    “Në rëndësinë e procesit, po e shtymë që me mundësi me u mbledhë gjatë ditës. Për fat të keq, mbrëmë kemi mbetur deri vonë në trajtimin e konkursit të bordit të RTK-së, edhe kjo ka ndikuar paksa te anëtarët që me mundë me mbërri në kohë. Një lloj mirëkuptimi ndoshta me mund me gjetë. Ju njoftojmë monitoruesve dhe mediave për afatin e ri gjatë ditës”, tha Gashi.

  • Haxhiu nga Çikatova e Vjetër: U vranë 24 civil të paarmatosur, trupat e tyre u dërguan në Rashkë për t’u fshehur krimi

    Haxhiu nga Çikatova e Vjetër: U vranë 24 civil të paarmatosur, trupat e tyre u dërguan në Rashkë për t’u fshehur krimi

    U.D.Presidentja e Kosovës, njëherit kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Çikatovë të Vjetër.

    Ajo, tha se në këtë vend u vranë 24 civil të paarmatosur me bomba dore.

    “Trupat e tyre përveç se u sulmuan me bomba dore dhe armë automatike u dogjën, u dogjën disa herë me qëllim që të fshehin krimin. U vranë 24 civil të paarmatosur dhe pasi u vranë trupat e tyre u dërguan në Rashkë të Serbisë për tu fshehur krimi….Si institucione jemi angazhuar që të shtojmë edhe kapacitete edhe në Polici edhe në Prokurori Speciale kemi miratuar institutin e krimeve të luftës që të dokumentohen të gjitha krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë. Jemi pranë familjeve në këto kohë të vështira…. Dhimbja mbetet e madhe edhe pas 27viteve”, ka thënë ajo.

  • Pacolli: Jemi të gatshëm për kompromise për presidentin, opozita po dëshiron zgjedhje

    Pacolli: Jemi të gatshëm për kompromise për presidentin, opozita po dëshiron zgjedhje

    Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka thënë se dëshirojnë vazhdimin e qeverisjes dhe se po bëjnë maksimumin për të arritur një marrëveshje për presidentit.

    Pacolli ka thënë se janë të gatshëm për të bërë kompromise dhe këtu ka përmendur edhe deklaratën e zëvendëskryeministrit të parë, Glauk Konjufca, i cili tha se do të tërhiqej nga kandidatura për president, nëse arrihet marrëveshje për një kandidat konsensual.

    “Si LVV nuk jemi të interesuar për shkuarjen ne zgjedhje, po provojmë po tentojmë, po bëjmë maksimumin tonë për gjetur një zgjidhje. Në interesin tonë është që të vazhdojmë qeverisjen. Jemi të gatshëm të bëjmë kompromise, gjithmonë kemi bërë për hir të ecjes përpara, kështu që edhe tani mund t’i bëjmë këto kompromise”, ka thënë ajo në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

    Por, ajo ka akuzuar paritë opozitare që sipas saj nuk duan marrëveshje dhe janë të interesuar në zgjedhje.

    Pacolli ka vlerësuar se opozita pret që të rritë ketë rritje elektorale në zgjedhje, por sipas saj e kanë gabim.

    “Partitë opozitare nuk kanë vullnet për me zgjidh ketë problem, sepse ata po mendojnë që nëse shkojmë në zgjedhje do të sigurojnë përqindje më të lartë, por që e kanë gabim, kështu menduan edhe para disa muajve. Ne parashikojmë që nëse shkojmë në zgjedhje do të kemi rritje. Ne u themi partive opozitare që të ulemi dhe të bashkëpunojmë dhe të vazhdojmë të qeverisim, sepse prapë se prapë do të jemi në një situatë të njëjtë dhe nuk do të ketë zgjidhje përfundimtare”, ka thënë Pacolli.

    Kryeministri Kurti ka thënë se është në kontakt me partitë opozitare.

    Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, 28 prilli është dita e fundit për votimin e presidentit në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

  • Nisin punimet në ndërtimin e rrethrrotullimit në magjistralen Gjilan-Prishtinë

    Nisin punimet në ndërtimin e rrethrrotullimit në magjistralen Gjilan-Prishtinë

    Kanë nisur punimet në ndërtimin e rrethrrotullimit në kryqëzimin e rrugës transit në dalje të Gjilanit për Prishtinë, e cila qytetarëve u ka krijuar vështirësi në lëvizjen e lirë të mjeteve.

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se kryqëzimi në magjistralen Gjilan-Prishtinë nuk do të jetë më pikë bllokimi.

    “Pas përfundimit të procedurave administrative dhe lidhjes së kontratës, kemi nisur me intervenimet e para në terren”, tha kryetari i Gjilanit.

    Hyseni tha se rrethrrotullimi i ri do të zgjidhë problemin e kolonave të përditshme, duke lehtësuar qarkullimin për të gjithë udhëtarët.

    Ndërsa drejtori i Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimi, tha se ky kryqëzim ka shkaktuar kolona të gjata të mjeteve dhe tashmë po i vjen fundit dhe do të zgjidhet problemi.

    “Problemet janë evituar, kontrata është nënshkruar dhe kemi nisur punimet dhe së shpejti do të kemi rreth rrotullimin”, tha Ibrahimi.

  • Këta janë emrat e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së që shkojnë për votim në Kuvend

    Këta janë emrat e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së që shkojnë për votim në Kuvend

    Pasi Komisioni Ad-hoc ka intervistuar gjithsej 61 kandidatë për anëtarë në Bordin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), nga ky proces do të përzgjidhen 6 anëtarë shqiptarë, 1 nga komuniteti serb dhe 1 nga komunitetet tjera joshumicë.

    Për votim në seancë plenare do të paraqiten 12 kandidatë shqiptarë me më së shumti pikë nga radhët e kandidatëve shqiptarë, 2 nga komuniteti serb dhe 2 nga komunitetet tjera joshumicë.

    Votimi nuk do të mbahet në seancën e sotme të Kuvendit, por në një seancë tjetër.

    Anëtarët që morën pjesë në këtë proces nga ky komision janë: Arbërie Nagavci – kryetare; Arbëreshë Kryeziu Hyseni; Fitim Haziri; Nezir Kraki; Alban Bajrami; Ganimete Musliu; Armend Zemaj – zëvendëskryetar i parë; Slavko Simiq dhe Emilija Rexhepi – zëvendëskryetare e dytë.

    Kandidatët shqiptarë që do të paraqiten për votim në seancë plenare janë: Arbërore Riza, Gëzim Brahaj, Valmire Thaqi, Fatos Mustafa, Lulzim Beqiri, Flokart Aliu, Fatmir Podrimaj, Ilirjan Himaj, Xheraldina Çernobregu, Anita Toçi, Avni Zuka, Njomza Beqiri Novosella.

    Ndërsa kandidatët nga radhët e komunitetit serb: Vidosav Kostovic dhe Ivana Milic. Kurse, nga komunitetet tjera joshumicë: Anesa Colakovic dhe Aldin Sabani.

    Ndryshe, në këtë proces Komisioni Ad-hoc ka zhvilluar 53 intervista me kandidatë shqiptarë: Arbërore Riza; Armend Kubati; Rasim Çubolli; Hazir Reka; Gëzim Brahaj; Valmire Thaqi; Ali Misimi; Mimoza Vila; Dafina Boja; Enver Gashi; Gasper Konami; Fatos Mustafa; Rahmi Limani; Fadil Lepaja; Kujtim Nushi; Visar Berisha; Lutfi Bilalli; Fatbardha Osmani Jashari; Shukrije Rama; Bardhyl Plakolli; Bajram Koqinaj; Lulzim Beqiri; Vlera Kastrati; Florije Manaj Zogaj; Besart Hyseni; Besa Maxhuni; Jehona Murati Dugolli; Avni Dalipi; Flokart Aliu; Dhurata Prokshi; Fatmir Podrimaj; Adriana Sedaj; Genc Berisha; Majlindë Leci; Gëzime Pacolli Pllana; Ilirjan Himaj; Isuf Berisha; Erza Shala; Halit Veliu; Sadik Ahmetaj; Vegim Kraja; Fatime Buzolli; Melihate Zeqiri; Afërdita Camaj Isa; Shqipe Ahmeti Berisha; Eljesa Elezi Daka; Xheraldina Çernobregu; Anita Toçi; Arta Jashari; Avni Zuka; Dardana Goranci Iliyaz; Demir Reshiti; Njomza Beqiri Novosella.

    Mirëpo, për disa prej tyre u konstatua se largohen nga gara për shkak se kanë ndalesa.

    Po ashtu, janë intervistuar 3 kandidatë nga radhët e komunitetit serb: Vidosav Kostovic, Ana Ameti Kostic dhe Ivana Milic. Kurse, 5 kandidatë nga radhët e komuniteteve tjera joshumicë: Anesa Colakovic, Mediha Yarimhoro, Zylerha Ustaibo Mecihan dhe Amanda Toska. /Betimi për Drejtësi

  • Tragjedi në Indonezi, rrëzohet helikopteri – 8 të vdekur

    Tragjedi në Indonezi, rrëzohet helikopteri – 8 të vdekur

    Një helikopter që fluturonte midis plantacioneve në ishullin Borneo, Indonezi, u rrëzua, duke vrarë tetë personat në bord.

    Airbus H130 në pronësi të PT Matthew Air Nusantara humbi kontaktin të enjten, pesë minuta pasi u ngrit nga distrikti Melawi në provincën West Kalimantan.

    Ai ishte duke udhëtuar drejt një plantacioni të vajit të palmës në distriktin Kubu Raya.

    Sipas Agjencisë Kombëtare të Kërkimit dhe Shpëtimit dhe Ministrisë së Transportit, ekipet e kërkimit më vonë gjetën rrënojat dhe trupat e dy anëtarëve të ekuipazhit dhe gjashtë pasagjerëve në pyjet e dendura në distriktin Sekadau.

    Njëri nga të vrarët ishte malajzian.

    Indonezia, një arkipelag i gjerë me rreth 270 milionë banorë, është përballur me aksidente transporti, duke përfshirë rrëzime aeroplanësh dhe helikopterësh dhe fundosje tragetesh.

  • “2.1 milionë euro për softuerë që propagandojnë”, Kica-Xhelili flet për “linçin online” të VV-së

    “2.1 milionë euro për softuerë që propagandojnë”, Kica-Xhelili flet për “linçin online” të VV-së

    Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka akuzuar partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se kjo e fundit po përdor softuerë të avancuar për propagandë në rrjetet sociale.

    Në Debat Plus, Kica-Xhelili deklaroi se bëhet fjalë për një vlerë prej rreth 2.1 milionë eurosh të shpenzuara për softuerë që, sipas saj, shërbejnë për manipulim të opinionit publik në hapësirën online.

    Ajo tha se ekzistojnë sisteme që gjenerojnë automatikisht komente dhe profile të rreme, të cilat aktivizohen në varësi të përmbajtjes që publikohet në rrjete sociale.

    “Janë 2.1 milionë euro të softuerëve që po blihen për të propaganduar online. Softuerë në vit… Ekzistojnë dhe na është bërë e ditur, fatkeqësisht për shkaqe konfidenciale të marrëveshjeve kontraktuale nuk ka u është dhënë asnjëherë dëshmia që do të mund ta shfrytëzonim. Por, po ekzistojnë softuerë, të cilët gjenerojnë komente dhe profile fallco… ta thjeshtoj në qoftë se e publikohet një video e Lumir Abdixhikut duke thënë diçka, në momentin që boti e identifikon fjalën Lumir, e ka për detyrim t’i gjenerojë 200 komente në atë postim”, ka thënë Kica-Xhelili.

    Kujtojmë se disa ditë më parë në Debat Plus ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi, ka folur në lidhje me atë që ai e përshkroi si një strukturë të organizuar për sulme online.

    Krasniqi pretendoi se gjatë kohës sa ishte pjesë e kësaj partie, kishte kontribuar financiarisht në krijimin e një infrastrukture që, sipas tij, përdorej për ofendime dhe linçime në rrjetet sociale.

  • “Ndoshta e bëj sot”, mesazhi rrëqethës i 14-vjeçarit në Turqi pak para se të vriste nëntë persona brenda një shkolle

    “Ndoshta e bëj sot”, mesazhi rrëqethës i 14-vjeçarit në Turqi pak para se të vriste nëntë persona brenda një shkolle

    Detaje të rënda kanë dalë në dritë nga sulmi tragjik në një shkollë në Kahramanmaraş, Turqi, ku një nxënës 14-vjeçar hapi zjarr duke vrarë 9 persona, mes tyre 8 nxënës dhe një mësues.

    Pak para sulmit, i mituri kishte postuar një mesazh shqetësues në një bisede online në anglisht, ku shkruante: “Mund ta bëj sot tek nxënësit e klasës së tretë, të pestë dhe të gjashtë, përgatituni, ndihem shumë i lodhur sot”.

    Fillimisht u raportua se autori kishte kryer vetëvrasje, por hetimet mjeko-ligjore tregojnë një tjetër version. Sipas raportit, ai ka ndërruar jetë nga gjakderdhja e pakontrolluar pas një plage të shkaktuar nga një objekt i mprehtë në këmbën e djathtë, që i kishte këputur një enë të madhe gjaku.

    Plaga dyshohet se është shkaktuar gjatë përpjekjeve për ta neutralizuar, kur prindër dhe stafi i shkollës ndërhynë për ta ndalur. Në trupin e tij u gjetën gjurmë gjaku të tharë, ndërsa në duar kishte qese mbrojtëse najloni dhe në shpinë katër elektroda.

    Një nga dëshmitarët, Necmettin Bekçiu, baba i dy nxënësve, deklaroi se hyri në shkollë sapo dëgjoi të shtënat dhe pa mësuesit që përpiqeshin ta ndalonin autorin në shkallë. Ai tha se ndërhyri duke përdorur një thikë për ta ndaluar.

    “Qëllimi im ishte ta pengoja të arratisej dhe të dëmtonte të tjerët”, u shpreh ai.

    Sipas familjes, 14-vjeçari ishte i izoluar dhe kalonte shumë kohë në internet dhe duke luajtur videolojëra me armë. Babai i tij, ish-oficer policie, deklaroi se djali kishte ndjekur një psikolog për dy muajt e fundit.

    Një video e publikuar tregon se dy ditë para sulmit, babai e kishte çuar të birin në poligon qitjeje dhe i kishte dhënë këshilla për përdorimin e armës. Armët e përdorura në sulm rezultojnë të kenë qenë të babait, i cili tashmë është arrestuar.

    Gjithashtu, hetimet tregojnë se i mituri ishte i ndikuar nga figura të dhunshme, duke përdorur në profilin e tij një referencë ndaj Elliot Rodger, autor i një masakre në SHBA në vitin 2014.

    Ngjarja e rëndë ka prekur thellë opinionin publik në Turqi edhe për shkak të aktit heroik të mësueses së matematikës, Ayla Kara, 56 vjeç, e cila humbi jetën duke u përpjekur të mbronte nxënësit.

    Sipas raportimeve, ajo vrapoi drejt klasës së pestë sapo dëgjoi të shtënat dhe u përpoq t’i mbulonte fëmijët me trupin e saj, duke marrë plagë fatale. Mësuesja, nënë e tre fëmijëve, ishte shumë e dashur nga nxënësit dhe kolegët.

    Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në Turqi dhe më gjerë, duke rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë në shkolla dhe ndikimin e dhunës tek të miturit.

  • Mblidhet Kuvendi i Kosovës – FSK në Gaza, propozimi i dy kandidatëve për në Kushtetuese e Byroja e konfiskimit në rend dite

    Mblidhet Kuvendi i Kosovës – FSK në Gaza, propozimi i dy kandidatëve për në Kushtetuese e Byroja e konfiskimit në rend dite

    Kuvendi i Kosovës do zhvillojë seancë, duke filluar nga ora 10:00.

    Në njoftimin për media, Kuvendi ka bërë të ditur edhe se në rend dite janë 6 pika.

    4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme; Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë se Republikës se Kosovës nr.07/07, dt.30.03.2026 për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, dhe; Propozimi i dy (2) kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, janë tri nga pikat e rendit të ditës.

    Njoftimi:

    Data: 17 prill 2026

    Dita: E premte

    · Vendi: Seanca plenare

    · Koha: 10:00

    Rendi i ditës

    1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

    2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    3. Pyetjet parlamentare,

    4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-019 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,

    5. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë se Republikës se Kosovës nr.07/07, dt.30.03.2026 për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza,

    6. Propozimi i dy (2) kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.