ATV

Category: Lajme

  • Maqedonci: Një përfaqësues i SHBA-së na ka ndihmuar në përgatitjen e FSK-së për misionin në Gaza

    Maqedonci: Një përfaqësues i SHBA-së na ka ndihmuar në përgatitjen e FSK-së për misionin në Gaza

    Kosova ka shprehur gatishmërinë për të dërguar disa dhjetëra pjesëtarë të forcave të saj të sigurisë në një mision ndërkombëtar në Gaza, si pjesë e një iniciative të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas armëpushimit të arritur mes Izraelit dhe Hamasit vitin e kaluar.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi për AP se Kosova po hyn në një fazë të re, duke kaluar nga një përfituese e sigurisë ndërkombëtare në një kontribuese aktive.

    Ai theksoi se kontingjenti kosovar do të përbëhet nga disa dhjetëra ushtarë, përfshirë ekspertë të çminimit, të cilët do të angazhohen në mbështetje humanitare dhe detyra të tjera sipas mandatit të misionit.

    “Deri më tani kemi qenë konsumues të sigurisë, pasi NATO ka kontribuar për sigurinë tonë. Tani po bëhemi ofrues të sigurisë,” u shpreh Maqedonci, duke shtuar se përgatitjet janë në fazën përfundimtare dhe se një përfaqësues amerikan ka ndihmuar në proces, përfshirë vaksinimin e trupave dhe procedurat teknike.

    ”Një përfaqësues i SHBA-së ka ndihmuar me përgatitjen, duke përfshirë vaksinimin e trupave, lëshimin e vizave dhe rregullime të tjera teknike”

    Pjesëmarrja në këtë mision shihet në Kosovë si dëshmi e progresit të vendit që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, pavarësi e cila ende nuk njihet nga Serbia.

    Ndërkohë, tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdojnë të mbeten të pranishme, pavarësisht përpjekjeve të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat së fundmi kanë ngecur.

    Kosova aktualisht ka rreth 4,000 pjesëtarë në Forcën e Sigurisë, e cila synon të shndërrohet në një ushtri profesionale në përputhje me standardet e NATO-s.

    Vendimi për të kontribuar në Gaza është mirëpritur nga qytetarë të ndryshëm, të cilët e shohin këtë si një mënyrë për të kthyer ndihmën që Kosova ka marrë ndër vite nga komuniteti ndërkombëtar.

  • Ndryshime në trupën diplomatike-Presidenti Begaj liron nga detyra 5 ambasadorë, dy emërime të reja

    Ndryshime në trupën diplomatike-Presidenti Begaj liron nga detyra 5 ambasadorë, dy emërime të reja

    Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar këtë të premte (17 prill) lirimin nga detyra të pesë ambasadorëve shqiptarë në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit si dhe dy emërime të reja në shërbimin diplomatik.

    Sipas vendimit, nga detyra janë liruar Riza Poda, ambasador në Kinë dhe një sërë vendesh të tjera jo rezidente; Bardhyl Canaj, ambasador në Serbi; Sami Shiba, ambasador në Egjipt dhe disa vende të tjera të rajonit; Vasilika Hysi, përfaqësuese në OKB në Gjenevë; si dhe Albana Dautllari, ambasadore në Belgjikë dhe në Luksemburg.

    Ndërkohë, Presidenti ka dekretuar emërimin e Gazmend Barbullushi si ambasador në Belgjikë, si dhe në Luksemburg (jo rezident).

    Po ashtu, Albana Dautllari është emëruar ambasadore e Shqipërisë pranë Bashkimi Evropian.

    Njoftimi i plotë:

    Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekretoi sot lirimin nga detyra të:

    Z. Riza Poda, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Bangladeshit, në Republikën Popullore Demokratike të Koresë, në Republikën Socialiste të Vietnamit, në Mongoli dhe në Mbretërinë e Tajlandës, jo rezident;

    Z. Bardhyl Canaj, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Serbisë, rezident;

    Z. Sami Shiba, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Arabe të Egjiptit, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Arabe të Sirisë, në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, Shtetin e Libisë, Shtetin e Palestinës, Republikën Libaneze dhe në Republikën e Sudanit, jo rezident;

    Znj. Vasilika Hysi, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të Tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, rezident;

    Znj. Albana Dautllari, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Dukatin e Madh të Luksemburgut, jo rezident.

    Gjithashtu, Presidenti i Republikës dekretoi emërimin e:

    Z. Gazmend Barbullushi në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, rezident, si dhe Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Dukatin e Madh të Luksemburgut, jo rezident;

    Znj. Albana Dautllari në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, rezident.

  • Vrasja e Liridonës, Naim Murseli: Behgjet Pacolli s’ka lidhje me rastin, emri i është përmendur padrejtësisht

    Vrasja e Liridonës, Naim Murseli: Behgjet Pacolli s’ka lidhje me rastin, emri i është përmendur padrejtësisht

    I akuzuari për vrasjen e gruas së tij, Naim Murseli, ka mohuar përfshirjen në këtë rast, duke deklaruar se nuk ka organizuar dhe as nuk ka marrë pjesë në vrasjen e Liridona Ademajt.

    Gjatë fjalës së tij përfundimtare në gjykatë, ai tha se në momentin e vrasjes nuk ka qenë në vendin e ngjarjes dhe se bashkë me fëmijët ishte duke u larguar.

    “Unë gjatë këtyre viteve prej ngjarjes jam akuzuar për një krim shumë të rëndë, të cilin nuk e kam kryer. Unë nuk kam organizuar kurrfarë vrasje, as nuk kam marrë pjesë në vrasje, madje as nuk e kam parë vrasjen, as unë as fëmijët, sepse në momentin e vrasjes unë dhe fëmijët e mi kemi qenë duke ikur. Këtë e tregon edhe Leonardi në deklaratën e tij. Mund t’i shihni intervistat, ku ai shumë drejt dhe saktë tregon atë se çfarë i kanë treguar fëmijët dhe ai vërtetë është që unë dhe fëmijët kemi vrapuar nga makina”, tha ai.

    Ai gjithashtu reagoi për përmendjen e emrave të tjerë gjatë procesit gjyqësor, duke përmendur Behgjet Pacollin dhe duke theksuar se ato janë bërë padrejtësisht.

    “Pastaj në këtë proces gjyqësor pa të drejtë shumë herë është përmendur edhe Behgjet Pacolli, i cili fare nuk ka lidhje me këtë rast dhe padrejtësisht i është përmendur emri dhe kisha të nevojshme që ta sqaroj se ndjej keqardhje sa herë është përmendur emri i tij sepse është e padrejtë. Ju do të merrni vendim së shpejti për këtë rast, ne kemi propozuar një CD ku shihet komunikimi me fëmijët dhe e vetmja arsye pse nuk kam komunikuar me fëmijët është se gjendem në paraburgim, jo pse fëmijët nuk dëshirojnë të flasin. Është e ulët që të citohen rrejshëm fëmijët e mi”, tha ai.

    Në fund, ai deklaroi se nuk ka pasur rol në organizimin apo realizimin e vrasjes, duke kërkuar një vendim të drejtë nga gjykata.

    “Natën e vrasjes ia dorëzova fëmijët familjes Ademaj, po të kisha për të fshehur nuk do t’i dorëzoja… Ju betohem që Naim Murseli nuk ka qenë afër në veturë në momentin e vrasjes, ju betohem Naim Murseli nuk ka paguar për vrasjen, kjo është e vërtetë. Unë pa të drejtë jam akuzuar, targetuar nga mediat, nga kjo sallë, por e vërteta është krejtësisht ndryshe. Ju do të vendosni fatin tim, fatin e fëmijëve të mi dhe nga ju pres vetëm një dënim të drejtë, pres nga ju që vërtetë të ketë drejtësi për Liridonën, sepse kjo Liridona meriton drejtësi të plotë”, tha ai./EO/

  • Tahiri kërkon nga Qeveria që të kompensojë ushtarët e FSK-së për orët shtesë

    Tahiri kërkon nga Qeveria që të kompensojë ushtarët e FSK-së për orët shtesë

    Shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të kompensohen ushtarët e FSK-së për orët shtesë.

    Gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës, në seancën e sotme të Kuvendit, ai ka thënë se është e papranueshme që kjo çështje bëhet objekt të gjykatave.

    Sipas tij, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, duhet ta marr seriozisht këtë çështje.

    “Si ka mundësi qe ministria te mos i kompensojë ushtarët tanë për orët shtesë dhe një çështje e tillë të bëhet subjekt i trajtimit në Gjykata. Kjo është në pozicionet më të vështira që një person që është në uniformë të detyrohet ta lypë të drejtën e vetë në gjykatë e të mos mbrohet nga institucioni. Merreni këtë punë seriozisht i bëj thirrje qeverisë dhe ministrit të Mbrojtjes të bëjë kompensimin e duhur”, ka theksuar Tahiri.

  • Rasti në Malishevë, Krasniqi: Dy fëmijët e tjerë janë në kujdesje të gjyshërve

    Rasti në Malishevë, Krasniqi: Dy fëmijët e tjerë janë në kujdesje të gjyshërve

    Pasditen e së enjtes kanë vdekur dy fëmijë e babai i tyre nga shpërthimi i një bombole gazi në Malishevë.

    Lidhur me këtë rast nënkryetari i komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi për rtv21 ka bërë të ditur se dy fëmijët e mbijetuar nga zjarri janë në kujdesje të gjyshërve, duke shtuar se ata kanë qenë jashtë shtëpisë.

    “E kanë axhën afër dhe gjyshin, janë nën mbikëqyrje të tyre. Jemi marrë me dy fëmijët të cilët kanë mbijetuar, djali katër vjeçar ka qenë në çerdhe dhe vajza 13 vjeçare ka qenë jashtë në lodra. Ne si komunë, sot jemi kujdesur me pako ushqimore, kemi ofruar ndihmën tonë”, tha ai.

  • Naim Murseli në fjalën përfundimtare: Nuk e kam kryer vrasjen, pres vendim të drejtë

    Naim Murseli në fjalën përfundimtare: Nuk e kam kryer vrasjen, pres vendim të drejtë

    Në fjalën përfundimtare në gjykimin për vrasjen e Liridona Ademajt, i akuzuari kryesor, Naim Murseli ka thënë se nuk e ka kryer, e as organizuar vrasjen e ish-bashkëshortes së tij.

    Murseli në fjalën e tij para gjykatës, madje tha se nuk e ka parë vrasjen, sepse në atë moment ka qenë duke ikur bashkë me dy fëmijët e tij.

    Ai tha se pret nga trupi gjykues “vendim të drejtë”.

    “Gjatë këtyre viteve jam akuzuar për një krim kaq të rëndë, të cilin nuk e kam kryer. Unë nuk kam organizu kurrfarë vrasje, as nuk kam marrë pjesë në vrasje, unë madje as nuk e kam parë vrasjen sepse në atë moment, unë dhe fëmijët e mi kemi qenë duke ikur.

    Pres nga ju që vërtetë të ketë drejtësi për Liridonën sepse mbi të gjitha kjo është për çka jemi këtu. Unë nuk kam kryer vrasje, por Liridona meriton drejtësi të plotë. Por ju lutem të keni parasysh që integriteti dhe profesionalizmi juaj të jetë në nivelin më të lartë. Kjo është çfarë pres nga ju i nderuar trup gjykues.

  • Shtetësia e Kosovës, Rrahmani: Shqiptarët e Luginës po mbeten ligjërisht “joekzistentë”

    Shtetësia e Kosovës, Rrahmani: Shqiptarët e Luginës po mbeten ligjërisht “joekzistentë”

    Në Kuvendin e Kosovës, Eman Rrahmani nga PDK ka deklaruar se qytetarët shqiptarë në Luginën e Preshevës tash e më shumë se 20 vite përballen me probleme serioze në marrjen e shtetësisë së Kosovës.

    Ai theksoi se kjo situatë po prodhon pasoja të rënda dhe të drejtpërdrejta në jetën e tyre.

    Rrahmani bëri thirrje që të zgjidhet, sipas tij, kjo padrejtësi historike dhe administrative ndaj qytetarëve të Luginës së Preshevës.

    “Qytetarët shqiptarë në Luginën e Preshevës tash e 20 vite përballen me probleme serioze në marrjen e shtetësisë së Kosovës. Kjo situatë prodhon pasoja të rënda dhe të drejtpërdrejta në jetën e tyre. Shumë prej tyre nuk mund të rinovojnë dokumentet në vendet ku jetojnë dhe mbeten ligjërisht joekzistentë,. Nuk mund të punësohen ligjërisht dhe nuk kanë qasje të plotë në shërbimet shëndetësore, ndihmat sociale dhe skemat e mirëqenies”, tha Rrahmani.

  • Kadriaj ironizon: VV e ka çliru Mitrovicën duke i pranu strukturat e Serbisë, e pranuan Zajednicën e ia falën 10 hektarë Manastirit

    Kadriaj ironizon: VV e ka çliru Mitrovicën duke i pranu strukturat e Serbisë, e pranuan Zajednicën e ia falën 10 hektarë Manastirit

    Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, i është përgjigjur në Kuvend deputetit të VV-së, Artan Abrashi, i cili ka folur për vendimet e Qeverisë Kurti lidhur me Veriun e ngjarjet që kanë ndodhur në atë pjesë të vendit.

    Kadriaj ka thënë se deputeti i VV’së po flet për Veriun, por s’po tregon se Kosovës i janë vendosur sanksione për shkak të veprimeve atje.

    “Parafolësi i parë nga LVV foli për ngjarjet e mëdha që kanë ndodhë nga VV. Sovranitet, integritet. Foli edhe për rezultatin e mirë kur i kanë heq targat. Por çfarë ka sjellë heqja e atyre targave, ka sjellë sanksione dhe targat përsëri janë kthy”, ka thënë Kadriaj.

    Ajo tutje ka thënë se Qeveria Kurti i ka pranuar strukturat paralele dhe dokumentet e tyre.

    “E kanë çlirua Mitrovicën, sepse tash i kanë pranuar edhe strukturat paralele e dokumentet e tyre. Edhe marrëveshjen tjetër e kanë pranu, Zajednicën që kanë luftu shumë”, ka shtuar tutje Kadriaj.

    Kadriaj ka thënë se Kurti ia ka dhënë edhe dhjetë hektarë tokë dhuratë një ministri serb

    “Kanë luftu edhe për tokat e Manastirit të Deçanit, kanë ardhë prej Prishtinë në Deçan e janë shkrry, e nfund i dhanë 10 hektarë tokë dhuratë një ministri serb”, ka thënë ajo.

  • Bekë Berisha me syze të diellit në Kuvend: Masë e rekomanduar nga mjekët, mos e interpretoni ndryshe

    Bekë Berisha me syze të diellit në Kuvend: Masë e rekomanduar nga mjekët, mos e interpretoni ndryshe

    Deputeti i AAK’së, Bekë Berisha, tha se mbajtjen e syzeve të diellit brenda Kuvendit të Kosovës e ka me rekomandim të mjekut për shkak të një ndërhyrje me laser në sy.

    Ai kërkoi që të mos interpretohet ndryshe, derisa vetë publikoi një fotografi nga seanca e sotme.

    “Së fundmi kam kryer një ndërhyrje me laser në sy dhe, për shkak të procesit të rikuperimit, jam i detyruar që përkohësisht të mbaj syze edhe gjatë seancave plenare. Kjo është një masë e rekomanduar nga mjekët dhe e domosdoshme për shërimin e plotë. I lus mediat që të mos e interpretojnë ndryshe!”.

  • Zemaj ia rikthekson Qeverisë: Rregullojeni rrugën Pejë-Bjeshkët e Rugovës

    Zemaj ia rikthekson Qeverisë: Rregullojeni rrugën Pejë-Bjeshkët e Rugovës

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kërkuar ndërhyrjen e qeverisë për rrugën Pejë-Bjeshkët e Rugovës.

    Ai tha se ajo rrugë është bërë vështirë e kalueshme, dhe po ndikon edhe në turizëm, përpos te qytetarët që jetojnë atje.

    “Ka disa vite që ajo rrugë është bërë vështirë e kalueshme, si për banorët, ashtu edhe për turistët. Kërkoj urgjentisht që qeveria të ndërhyjë në këtë pjesë në rregullimin e rrugës”, tha ai mes tjerash.