ATV

Category: Lajme

  • Byroja Shtetërore, Reshitaj: Ky ligj është kundër çdo pasurie pa djersë

    Byroja Shtetërore, Reshitaj: Ky ligj është kundër çdo pasurie pa djersë

    Deputetja e Kosovës nga radhët e grupit parlamentar LVV, Albena Reshitaj ka thënë se Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme nuk është kundër askujt, por është kundër pasurisë pa djersë.

    Reshitaj në foltoren e Kuvendit të Kosovës tha se ky ligj është kundër çdo zyrtari që është pasuruar në mënyrë të pandershme.

    “Ky ligj nuk është kundër askujt, por është kundër çdo pasurie pa djersë, kundër çdo privilegji të ndërtuar mbi padrejtësi, kundër çdo zyrtari që e ka parë shtetin si plaçkë. Ky ligj është kundër një mentaliteti që e ka dëmtuar vendin për vite, pasuri pa djersë, pa llogari pa nder. Jemi një popull që kemi përjetuar shumë padrejtësi, shumë dhimbje, prandaj kemi detyrim moral të mos lejojmë që sakrifica të kthehet në biznes, liria të kthehet në monedhë dhe shteti të kthehet në pronë private”, tha Reshitaj.

  • Rudina Jasini largohet nga ekipi mbrojtës i Rexhep Selimit

    Rudina Jasini largohet nga ekipi mbrojtës i Rexhep Selimit

    Juristja shqiptare Rudina Jasini nuk do të jetë më pjesë e ekipit të Mbrojtjes së Rexhep Selimit në procesin gjyqësor ndaj tij, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Vendimi është marrë nga udhëheqësi i mbrojtjes së Selimit, Geoffrey Roberts më 27 mars.

    “Më 27 mars 2026, mbrojtësi i Rexhep Selimit, Z. Geoffrey Roberts, i ka dërguar një letër udhëheqësit të zyrës së mbrojtjes duke deklaruar se ka vendosur t’ia ndërpres kontratën Znj. Jasini si bashkëmbrojtëse e Z. Selimi me efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e Regjistrit.

    Angazhimi i Jasinit në Dhomat e Specializuara, përfundoi zyrtarisht më 7 prill, 2026.

    Jasini, studiuese e specializuar e të drejtës penale ndërkombëtare dhe profesoreshë në Oksford, është avokatja e parë shqiptare në Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, në rastin Haradinaj.

    Pas pesë vitesh angazhim në mbrojtjen e dhjetëshit të luftës së UÇK-së, Jasini ndau përshtypjet e saj mbi procesin e madh të Speciales duke e cilësuar teatër absurditeti dhe tentim për rishkrimin e historisë.

    “Ky proces gjyqësor që u kthye në teatrin e absurditetit, ku një Prokurori është përpjekur të rishkruaj historinë e UÇK-së dhe luftën për pavarësi përmes akuzave të shtrembëruara. Por historia nuk mund të shkruhet as në atë sallë gjyqi dhe as në sallonet e Brukselit dhe Uashingtonit. Ajo është shkruar me sakrificën e qytetarëve të Kosovës, me gjakun e luftëtarëve të lirisë dhe me jetën e dëshmorëve”, shkruante Jasini një ditë para fjalëve përfundimtare të Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit.

  • Bie faqja e Antikorrupsionit: S’ka qasje në deklarimin e pasurisë së politikanëve

    Bie faqja e Antikorrupsionit: S’ka qasje në deklarimin e pasurisë së politikanëve

    Vetëm brenda një kohe të shkurtër nga publikimi i deklarimeve të pasurisë së politikanëve dhe zyrtarëve tjerë shtetërorë, faqja e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë ka rënë nga funksioni.

    Kjo faqe, ku janë publikuar me mijëra formularë të dekarimit të financave, aktualisht është e paqasshme për publikun.

  • Gruda liston vërejtjet e PDK-së për Byronë: Nëse s’përmirësohen, s’kemi se si ta përkrahim

    Gruda liston vërejtjet e PDK-së për Byronë: Nëse s’përmirësohen, s’kemi se si ta përkrahim

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ku po bëhet leximi i parë i Projektligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ka listuar disa prej vërejtjeve që ka lidhur me Projektligjin.

    Gruda ka thënë se gabimi i parë ka qenë fakti që s’ka pasur konsultim publik. Ai ka thënë se i ka propozuar ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, që të ketë një konsultim publik legjislativ në mes të leximit të dytë dhe të tretë.

    “S’ka pasur konsultim publik, duhej të vihej në konsultim publik para miratimit në Qeveri. Një ligj kaq i ndjeshëm duhet t’i nënshtrohet një debati nga profesionistët. Duhej t’i jepej mundësi secilit qytetar që të japë mendimin për këtë ligj. Është standard që kërkohet. Ka qenë një lëshim që s’do të duhej të ndodhte”, ka thënë Gruda.

    “Mund të organizojmë mes dy leximeve, konsultim publik për legjislacion, ia kam propozuar edhe ministres. Mendoj se është rruga se si ta bëjmë ligjin në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Gruda tutje.

    Ai ka thënë se edhe lënia e disa çështjeve për t’u rregulluar me akte nën-ligjore është përsëri problematike, meqë Kushtetuesja ka sqaruar se gjithçka duhet të rregullohet me Ligj.

    “Vërejtja e dytë. Kushtetuesja ka bërë vërejtje për ligjin se asgjë s’mund të rregullohet me akte nën-ligjore, por me ligj. Ajo dispozitë që i është lënë drejtorit për veprime me disa akte-nënligjore duhet të fshihet”, ka thënë Gruda, raporton Express.

    Deputeti i PDK-së ka folur edhe për mungesën e mekanizmit të kompensimit, duke thënë se një mekanizëm i tillë është i nevojshëm për ta bërë Byronë më efikase. Sipas Grudës, kompensimi duhet të jetë më i lartë, në mënyrë që Byroja të mos trajtojë çfarëdo rasti.

    “Mungesa e mekanizmit për kompensim efikas. Ky mekanizëm e bën byronë më efikase, për të mos u marrë me çfarëdo rasti”, ka thënë ai tutje.

    Gruda ka thënë se Projektligji ka edhe probleme në mënyrën se si është shkruar, duke thënë se s’është shkruar me gjuhë juridike.

    “Ligji s’është shkruar në gjuhë juridike”, ka thënë Gruda tutje.

    Ai ka kritikuar edhe emrin e Projektligjit, duke thënë se në përmbajtje nuk pasqyrohet, meqë Byroja nuk konfiskon pasuri, por Gjykata.

    |”Byroja nuk konfiskon pasuri. Titulli i Ligjit nuk e reflekton përmbajtjen e Ligjit. Gjykata vendos për konfiskimin”, ka thënë Gruda.

    Ai ka thënë se sot PDK-ja do të abstenojë në lexim të parë, me qëllim të krijimit të hapësirës për të pasur konsultime legjislative në mes të leximeve për të adresuar vërejtjet.

    Gruda ka thënë se nëse ato ndryshime s’do të ndodhin, PDK nuk ka se s’i ta përkrah një Ligj të tillë.

    “Që ligji të kalojë duhet t’i jepet shans përmirësimit”, është shprehur Gruda.

  • Sot protesta e opozitës, Berisha zbulon skenarët e protestës pak orë para nisjes së saj

    Sot protesta e opozitës, Berisha zbulon skenarët e protestës pak orë para nisjes së saj

    Këtë të premte disa orë para protestës ka folur kreu i Partisë Demokratike lidhur me skenarët e zhvillimit të sotëm opozitar. Berisha tha se lëvizja e sotme do të jetë një nga protestat më të fuqishme sipas tij dhe ndryshe nga protestat e mëparshme.

    “Kryengritjen e tyre paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria. Ngrihen mbi dhunën, për të mbrojtur nderin e çdo shqiptari ndaj një agresioni të rëndë, të një organizatë kriminale të drejtuar nga Rama. Akti i fundit i Ramës, është akti më armiqësor që ka ndërmarrë në serinë e akteve armiqësore. Bllokimi i heqjes së imunitetit nga Edi Rama ishte një mburojë për veten e tij pasi në dosjen e Ballukut Rama është aksionet me 60% të veprave kriminale që mban ajo dosje”, tha Berisha.

    Ndërkohë sipas tij një tjetër arsye për t’u ngritur në protestë është dhe çmimi i naftës.

    “Të gjitha vendet në Europë dyfishuan subvencionet për naftën për fermerët, Rama me një akt të papërgjeshmërisë absolute e hoqi dhe atë pak që jepte”, tha Berisha.

    Skenari i kësaj protestë sipas Berishës do të jetë kryengritje paqësore, por që asnjë forcë në botë nuk do ta ndalë.

    “Kryengritja paqësore e opozitës nuk ndalet dhe nuk ka forcë në botë që ta ndalë, kjo kryengritje është jetike”, tha ai

  • Abdixhiku publikon pasurinë vjetore: Rritje e pasurive të paluajtshme dhe detyrime kreditore mbi 150 mijë euro

    Abdixhiku publikon pasurinë vjetore: Rritje e pasurive të paluajtshme dhe detyrime kreditore mbi 150 mijë euro

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dorëzuar deklarimin e tij të rregullt vjetor të pasurisë, të cilin Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka filluar ta publikojë sot.

    Sipas të dhënave të deklaruara, Abdixhiku këtë vit ka shtuar dy pasuri të paluajtshme në krahasim me vitin e kaluar. Mes tyre është një banesë me vlerë rreth 120 mijë euro, e regjistruar në emër të bashkëshortes dhe e përfituar si trashëgimi nga prindërit. Po ashtu, ai ka deklaruar edhe një tjetër banesë në pronësi të bashkëshortes, me vlerë 100 mijë euro, gjithashtu e trashëguar.

    Në listën e pasurive përfshihet edhe një shtëpi në bashkëpronësi me vlerë 200 mijë euro, si dhe një banesë tjetër e blerë me kredi bankare në vlerë 265 mijë euro, po ashtu e deklaruar si pronë e përbashkët. Gjithashtu është përfshirë një shtëpi prej 200 m², e trashëguar dhe e vlerësuar rreth 150 mijë euro.

    Sa i përket pasurisë së luajtshme, ai ka deklaruar një veturë Mercedes-Benz të vitit 2019, me vlerë rreth 25 mijë euro, në pronësi të bashkëshortes.

    Në pjesën e aksioneve, bashkëshortja e tij figuron me 25% të pronësisë në kompaninë “AMPERA GROUP”, pa u deklaruar vlera financiare e tyre.

    Në llogaritë bankare, Abdixhiku ka raportuar 386 euro kursime, si dhe 4,915.36 euro të ardhura nga paga, ndërsa bashkëshortja ka deklaruar 4,293.40 euro nga paga dhe kursimet.

    Sa u përket detyrimeve, ai ka deklaruar kredi për renovim shtëpie me mbetje prej 32,502 euro dhe kredi për blerje banese me detyrim të mbetur 126,020.40 euro.

    Në të ardhurat vjetore, Abdixhiku ka raportuar 19,904 euro nga funksioni i deputetit dhe 24 mijë euro nga angazhimi në Kolegjin Riinvest.

  • Muharremi: Kosovari me 500 euro po e përballon krizën si amerikani por me 10 herë më pak të ardhura

    Muharremi: Kosovari me 500 euro po e përballon krizën si amerikani por me 10 herë më pak të ardhura

    Eksperti i ekonomisë, Shenoll Muharremi, ka ngritur alarmin për rritjen e çmimeve dhe presionin financiar që po përballojnë qytetarët në Kosovë, duke e krahasuar situatën me atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sipas tij, rreth 50 për qind e amerikanëve kanë vështirësi për t’i përballuar çmimet e rritura të ushqimit, pavarësisht se të ardhurat e tyre janë shumë më të larta.

    Muharremi thekson se, ndonëse paga mesatare në SHBA është rreth 10 herë më e lartë se në Kosovë, çmimet e produkteve ushqimore nuk dallojnë shumë, pasi Kosova importon shumicën e tyre.-Advertisement-

    “Sipas një matje më të re, rreth 50% e amerikanëve kanë telashe me i përballu çmimet e rritura të ushqimit. Edhe ata që kanë paga më të larta, kogja po e ndiejnë presionin. E në SHBA ndoshta paga mesatare është 10x më e lartë se në Kosovë, po çmimet në markete nuk dallojnë shumë”, ka shkruar ai.

    Ai shton se qytetarët e Kosovës, me paga prej 500 deri në 600 euro, e ndiejnë edhe më rëndë këtë krizë, por sipas tij, nuk ka reagim të mjaftueshëm institucional.

    “Po kosovari, me 500-600 euro pagë, a po e ndien këtë presion? Me gjasë e ndien tepër shumë, po sikur nuk ka gojë me tregu, se të ardhurat këtu janë vetëm 10-20% krahasuar me amerikanin për çmime të ngjashme të ushqimit”, ka theksuar Muharremi.

    Ai ka kritikuar edhe mungesën e reagimit nga institucionet, duke thënë se burimi kryesor i inflacionit mbeten çmimet e energjisë, ndërsa nuk po ndërmerren masa konkrete.

    “Burim kryesor i inflacionit janë çmimet e energjisë. E ne as nuk ndërtojmë kapacitete të reja të energjisë e as nuk e ulim TVSH-në e akcizën gjatë krizës së naftës. Derisa inflacioni ka shku 45% në mars 2026 në produkte/shërbime specifike, asnjë reagim, as edhe një diskutim të vetëm nga qeveria”, ka deklaruar ai.

    Sipas Muharremit, kjo situatë tregon për një mungesë serioze të reagimit institucional ndaj krizës ekonomike që po rëndon mbi qytetarët.

  • Ambasada franceze prezanton Kështjellën e Rambouillet, rikujtojnë konferencën për Kosovën aty

    Ambasada franceze prezanton Kështjellën e Rambouillet, rikujtojnë konferencën për Kosovën aty

    Ambasada e Francës në Kosovë në një postim në X ka prezantua Kështjellën e Rambouillet, për të cilën tha se ajo shërbeu si vendtakim i diplomacisë.

    Këtu ambasada kujtoi edhe Konferencën për Kosovën, e cila u mbajt në këtë kështjellë.

    “E ndërtuar në shekullin XIV, Kështjella e Rambouillet përfaqëson një vend të rëndësishëm të trashëgimisë dhe diplomacisë ndërkombëtare. Fillimisht rezidencë mbretërore e më pas perandorake, në vitin 1895 u bë rezidencë presidenciale, simbol i një pushteti njëkohësisht diskret dhe strategjik. Një vend i takimeve diplomatike ndërkombëtare, ku është mbajtur ndër të tjera edhe Konferenca e paqes për Kosovën në vitin 1999”, shkroi ambasada.

    Konferenca e Rambujesë për Kosovën u mbajt në shkurt–mars 1999 dhe ishte përpjekja e fundit diplomatike para ndërhyrjes ushtarake të NATO’s për të ndalë spastrimin etnik në Kosovë, e cila çoi në çlirimin e saj.

  • Gjykata e Apelit ua njeh kategorive ta dala nga lufta edhe të drejtën e realizimit të pensionit të moshës

    Gjykata e Apelit ua njeh kategorive ta dala nga lufta edhe të drejtën e realizimit të pensionit të moshës

    Avokati Nazmi Sallahu ka njoftuar se ka fituar edhe një betejë ligjore në lidhje me pensionet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

    Ai ka bërë me dije se Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin të gjithë përfituesve të pensioneve nga lufta u njihet e drejta për pension bazik, në të cilin përfshihet edhe atë të moshës.

    Në profilin e tij në Facebook, ai ka publikuar aktgjykimin t të Apelit, ku tregohet se kjo gjykatë ka refuzuar ankesën e Ministrisë së Financave dhe klientit të tij i është njohur e drejta të përfitojë njëkohësisht pension nga kategoria e luftës dhe pensionin e moshës.

    “Vërtetohet… Gjykata e Apelit heq të gjitha dilemat dhe mundëson realizimin e pensioneve te të gjitha kategorive të dala nga lufta, pra vërteton aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Administrativ”, ka shkruar Sallahu.

  • ​Nufi: S’ka ndryshim në planet e KFOR-it për Kosovën

    ​Nufi: S’ka ndryshim në planet e KFOR-it për Kosovën

    Nuk ka asnjë ndryshim të planeve të sigurisë së KFOR-it në Kosovë, ka deklaruar ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi.

    Një gjë e tillë, ai tha se i është konfirmuar në takimet që ka pasur në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte por edhe me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Giuseppe Vaco Dragone.

    Në këto takime, ai shtoi se ka ngritur shqetësimin për nivelin e sigurisë në Kosovë por edhe rajon.

    Këto deklarime ai i bëri pas vizitës dhe takimit me homologun e tij nga Kosova, Ejup Maqedonci.

    Pas takimit, ministri Maqedonci tha se kanë diskutuar për ndërtimin e kapaciteteve ushtarake dhe bashkëpunimit në aspektin e mbrojtjes me Shqipërinë, raporton kp.

    “Diskutuam edhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit edhe në fushat tjera duke përfshirë industrinë e mbrojtjes, një sektor jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për kohët ku po jetojmë dhe në ditët në vijim, në muajt në vijim do të punojmë më gjerësisht edhe më thellësisht në identifikimin e mundësive për bashkëpunim në këtë fushë. Unë jam falënderues ndaj ministrit për gjithë gatishmërinë, për të mbështetur Kosovën edhe në rrugën e integrimit në NATO për promovimin e Kosovës në kuadër të NATO-s dhe organizmave tjerë që e bën Shqipëria, por në veçanti ministri i Mbrojtjes, si dhe në bashkëpunimin që kemi regjional edhe me Kroacinë edhe me Shqipërinë në këtë aspekt”, ka thënë ai.

    Ai ka folur se cili mund të jetë bashkëpunimi me Shqipërinë sa i përket fushës së industrisë ushtarake.

    “Ne kemi bërë tashmë një kontratë për një fabrikë për prodhimin e municioneve, jemi gjithashtu në koordinim me partnerët tjerë për çështjen e bashkëprodhimit. Kur flasim për bashkëpunimin me Republikën e Shqipërisë, në fushën e industrisë së mbrojtjes po flasim për dy drejtime. Është bashkëprodhimi do të shikojmë mundësitë se në cilat fusha mund të bashkëprodhojnë dhe kjo do të bëhet në periudhën në vazhdim kur do të krijojmë edhe grupet edhe ekipet që do të punojnë në identifikimin se çka mund të bashkëprodhojmë bashkë, në mënyrë që të jemi edhe të ndërveprueshëm në aspektin operacional edhe në bashkëprokurim të sistemeve të cilat na bëjnë të ndërveprueshëm”, shtoi ai.

    Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi tha se “Republika e Shqipërisë qëndron krah për krah me Kosovën”. Ai tha se bashkëpunimi me Kosovën është thelbësor për rritjen e kapaciteteve dhe garantimin e sigurisë së të dyja vendeve.

    Po ashtu, foli edhe për nivelin e sigurisë në Kosovë, për çka tha se një gjë e tillë i është garantuar në takimet që ka pasur në Bruksel.

    “Shqipëria e ka ngritur shqetësimin e sigurisë në rajon, veçanërisht sigurisë në Kosovë, kemi shprehur shqetësimet tona në raport me situatën e sigurisë, duke e theksuar që situata e sigurisë në Kosovë është drejtpërdrejt situatë e sigurisë për Republikën e Kosovës dhe çdo zhvillim dhe çdo implikim i mundshëm në Kosovë sjell një shqetësim në Republikën e Shqipërisë në aspektin e sigurisë. Në të dyja takimet, si me zotëri Rutte si me zotëri Dragone u konfirmua që nuk ka një ndryshim të paktën deri më sot të planeve të sigurisë së KFOR-it për sa i përket angazhimit të KFOR-it në Republikën e Kosovës. Besoj që të gjitha zhvillimet tjera do të adresohen në kuadër të bashkëpunimit që ne kemi në kemi në aleancë. Besoj që situata e sigurisë në Kosovë, për sa kohë ne i bëjmë të gjitha detyrat e shtëpisë, si në Kosovë por edhe si në kuadër të aleancës vazhdon të ngelet e qëndrueshme. Shqetësimet patjetër që i kemi përcjell, jemi shpresëplotë dhe të sigurt që vëmendja është e plotë për situatën e sigurisë në rajon por edhe situatën e sigurisë në rajon por edhe situatën e sigurisë në Kosovë”, ka thënë ai.

    Ministrisë i Mbrojtjes së Shqipërisë u pyet edhe për armatimin e Serbisë nga Kina, për çka tha se kjo i takon këtij vendi.

    “Republika e Serbisë i vendos vet çështjet e armatimit apo jo apo se si i konsideron çështjet e sigurisë së saj. Shqipëria si anëtare e NATO-s por edhe Kosova për sa kohë kemi misionin KFOR edhe qasja dhe vet evokimi që vet Qeveria e Kosovës ka në lidhje me sigurinë, besoj që të gjitha strategjitë e sigurisë i ka në përputhje dhe koordinim të plotë me NATO-n që është edhe gur themeli i garancisë së sigurisë jo vetëm në Kosovë por edhe rajon, për sa kohë që shumica e shteteve në rajon janë shtete anëtare të NATO-s”, u shpreh ai.

    Kosova dhe Shqipëria do të dërgojnë trupat e tyre në Gaza, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese të paraparë me themelimin e Bordit të Paqes, të presidentit amerikan, Donald Trump.

    Ministri Nufi tha se ende nuk është përcaktuar numri i trupave që do të dërgohen në Gaza.

    “Shqipëria por edhe Kosova kanë marrë përsipër që do të jenë pjesë në Gaza. Jemi në faza shumë të hershme, jemi akoma duke e shqyrtuar dhe duke e vëzhguar territorin ku mund të vendosën trupat tona. Besoj që në të ardhmen do të jemi në gjendje të ju japim edhe një përgjigje të saktë se sa trupa do të shkojnë, si do të shkojnë. Shqipëria ka një eksperiencë tash shumëvjeçare në angazhimin e misioneve ndërkombëtare, duke filluar nga Afganistani, Iraku, Bosnja e shumë vende të tjera”, tha ai.

    Me ceremoni ushtarake e ka pritur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci homologun e tij shqiptar, Ermal Nufi.

    Pas pritjes ata kanë zhvilluar një takim në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes. /kp/