ATV

Category: Lajme

  • Kompanitë ajrore paralajmërojnë për mungesë karburanti, fluturimet në Europë rrezikohen nga fundi i majit

    Kompanitë ajrore paralajmërojnë për mungesë karburanti, fluturimet në Europë rrezikohen nga fundi i majit

    Kompanitë ajrore kanë paralajmëruar se fluturimet në Europë mund të përballen me anulime nga fundi i majit për shkak të mungesës së karburantit për avionë, duke u bërë thirrje qeverive të përgatisin plane emergjente për racionim.

    Sipas Willie Walsh nga International Air Transport Association, mungesa e karburantit tashmë po ndihet në disa pjesë të Azisë dhe mund të përhapet edhe në Evropë në javët në vijim. Ai theksoi se autoritetet duhet të kenë plane të qarta dhe të koordinuara në rast se racionimi bëhet i domosdoshëm.

    Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka paralajmëruar se Europa ka rezerva për vetëm rreth gjashtë javë, një situatë që e bën krizën potenciale edhe më serioze raporton CNN.

    Një nga arsyet kryesore të kësaj krize është mbyllja e ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin global të karburantit, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e furnizimit me karburant për avionë drejt Evropës.

    Rritja e çmimeve, që janë pothuajse dyfishuar gjatë konfliktit me Iranin, po i detyron disa kompani ajrore të reduktojnë fluturimet, ndërsa situata mbetet e pasigurt nëse furnizimi nuk stabilizohet së shpejti.

  • I burgosuri tenton të kërcejë nga vetura, kapet nga Policia e Kosovës

    I burgosuri tenton të kërcejë nga vetura, kapet nga Policia e Kosovës

    Një i burgosur ka tentuar të largohet nga vetura e Policisë së Kosovës mirëpo i njejti është kapur menjëherë nga organet e rendit.

    Në pamjet e sigurura nga Indeksonline, ngjarja ka ndodhur afër objekt të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

    Indeksonline po ashtu mëson se i dyshuari në këtë rast është një 50 vjeçar.

    Pamje nga momenti:

  • “Mëditje 10 mijë e 300 euro”, çfarë pasurie deklaroi ish-Presidentja Vjosa Osmani

    “Mëditje 10 mijë e 300 euro”, çfarë pasurie deklaroi ish-Presidentja Vjosa Osmani

    Ish-Presidentja Vjosa Osmani, në deklarimin vjetor të pasurisë, ka deklaruar mëditje në vlerë 10 mijë e 305 euro, nga udhëtimet zyrtarë jashtë vendit, krahas pagës në vlerë 33 mijë e 248 euro që e merrte si Presidente.

    Tek pasuritë e paluajtshme, nuk ka ndonjë ndryshim. Në pronësi të saj ka deklaruar një arë në vlerë 35 mijë euro, ndërsa në pronësi të përbashkët një shtëpi në vlerë 208 mijë euro.

    Pronat tjera, një banesë në vlerë 60 mijë euro, shtëpi në Australi në vlerë 510 mijë euro, shtëpi tjetër në Australi në vlerë 170 mijë euro dhe një garazh kolektiv në vlerë 5 mijë euro, Osmani i ka deklaruar në emër të bashkëshortit.

    Si para të gatshme, Osmani ka deklaruar 3 mijë e 115 euro nga pagat dhe mëditjet, ndërsa në emër të bashkëshortit rreth 750 euro.

    Si detyrime financiare, kanë renditur 9 mijë euro si këste të pa paguara për punët shtesë të shtëpisë nga kompani të ndryshme, dhe 20 mijë e 500 euro tjera si huamarrje për pagesën e banimit në Melbourne.

    Tek të hyrat vjetore të bashkëshortit, Osmani ka renditur 11 mijë e 350 euro nga paga dhe 11 mijë dollarë nga qiraja në Australi.

    Vjosa Osmani-Sadriu

  • Albulena Haxhiu bleu sivjet banesë në vlerë 128 mijë euro, kjo është pasuria që deklaroi

    Albulena Haxhiu bleu sivjet banesë në vlerë 128 mijë euro, kjo është pasuria që deklaroi

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes, njëherit Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka blerë sivjet banesë në vlerë 128 mijë e 740 euro bashkë me bashkeshortin e saj, sipas deklarimit të pasurisë të publikuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

    Haxhiu ka deklaruar se këtë banesë, me sipërfaqe prej 128.74 metër katror, e kanë blerë me kredi. Tek detyrimet financiare figuron një kredi në vlerë 160 mijë euro në emër të saj, ku vlera e mbetur është 159 mijë e 89 euro.

    Në emër të bashkëshortit, i cili është anëtar i VV’së në KQZ, ka deklaruar një banesë në vlerë 60 mijë euro dhe një tokë 15 mijë euro.

    Tek pasuritë e luajtshme, Haxhiu ka deklaruar një veturë në vlerë 9 mijë e 700 euro, në pronësi të përbashkët.

    Si para të gatshme, Haxhiu i ka deklaruar 1 mijë e 531 euro.

    Tek detyrimet financiare, ka renditur edhe 1 mijë e 100 euro, në emër të bashkëshortit.

    Si të hyra vjetore, Haxhiu ka renditur pagën nga Kuvendi në vlerë 22 mijë e 658 euro, mëditje në vlerë 234 euro, 1 mijë e 140 euro tjera nga shtesat dhe kompenzimet tjera.

    Ndërkohë në emër të bashkëshortit figuron paga në vlerë prej 16 mijë e 739 euro nga KQZ, dhe mëditje në vlerë 1 mijë e 747 euro nga udhëtimet jashtë vendit.

    Albulena Haxhiu

  • Kurti kujton viktimat e Masakrës së Poklekut: U vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur

    Kurti kujton viktimat e Masakrës së Poklekut: U vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar viktimat e Masakrës së Poklekut.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se në këtë masakër mbetën të vrarë 53 civilë shqiptarë të moshave të ndryshme, përfshirë edhe gra shtatzëna.

    “Në Poklek të Drenicës, në shtëpinë e familjes Muqolli, më 17 prill 1999, u vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga 75 vjeç deri te foshnje 6 muajshe, përfshirë edhe gra shtatzëna. U vranë dhe më pas trupat e tyre u dogjën nga forcat e armatosura të Serbisë, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit”, ka shkruar ai.

    Postimi i plotë:

    Në Poklek të Drenicës, në shtëpinë e familjes Muqolli, më 17 prill 1999, u vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga 75 vjeç deri te foshnje 6 muajshe, përfshirë edhe gra shtatzëna. U vranë dhe më pas trupat e tyre u dogjën nga forcat e armatosura të Serbisë, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.

    Sot, kujtimi për ta ruhet në shtëpinë-muze të familjes Muqolli në Poklek, e mbështetur institucionalisht nga Republika e Kosovës. Aty ruhen dëshmi dhe histori familjare që e bëjnë të prekshme përmasën njerëzore të humbjes dhe obligimin tonë për të mos harruar.

    Në Korroticë të Poshtme ruhen kujtimet për poetin e fëmijëve Ymer Elshani, i vrarë atë ditë bashkë me më të dashurit e tij.

    Në Çikatovë të Vjetër të Drenicës, civilë të tjerë shqiptarë u vranë dhe trupat e disa prej tyre u zhvendosën në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi.

    Përkujtimi i tyre është obligim institucional dhe shoqëror. Dokumentimi i krimeve dhe ruajtja e dëshmive janë thelbësore për të vërtetën historike dhe për drejtësinë. Krimet e luftës nuk parashkruhen, dhe drejtësia për viktimat mbetet kërkesë e pandërprerë.

    Me respekt të thellë për të vrarët dhe me solidaritet me familjarët e tyre, riafirmojmë përkushtimin tonë për të vërtetën, kujtesën dhe drejtësinë.

    I përjetshëm qoftë kujtimi për të vrarët në Poklek e Çikatovë të Vjetër të Drenicës!

    Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të lirisë!

  • Gjykata ndalon ndërtimin e sallës së vallëzimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë

    Gjykata ndalon ndërtimin e sallës së vallëzimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë

    Një gjykatës ka ndaluar ndërtimin e sallës së vallëzimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

    Të gjitha punimet mbi tokë në projektin prej 400 milionë dollarësh të presidentit amerikan duhet të ndërpriten pas vendimit të gjyqtarit të distriktit Richard Leon.

    Por puna nëntokësore mund të vazhdojë në një bunker dhe “objekte të tjera të sigurisë kombëtare” në vend, ku dikur ndodhej Krahu Lindor i Shtëpisë së Bardhë, tani i shembur.

    Kjo do të thotë që ndërtuesit janë të lirë të vazhdojnë me ndërtimin e çdo bunkeri, instalimi ushtarak dhe objekti mjekësor poshtë sallës së planifikuar të vallëzimit.

    Presidenti amerikan ka përdorur rrjetet sociale për të shprehur pakënaqësinë e tij ndaj vendimit të gjyqtarit.

    Ai tha se Leon “ka bërë çmos për të minuar Sigurinë Kombëtare dhe për t’u siguruar që kjo Dhuratë e Madhe për Amerikën të vonohet ose të mos ndërtohet”.

    Avokatët e qeverisë argumentuan se projekti përfshin karakteristika kritike sigurie për t’u mbrojtur nga një sërë kërcënimesh të mundshme, duke përfshirë dronët, raketat balistike dhe rreziqet biologjike.

    Por gjykatësi nuk u pajtua.

    Administrata Trump njoftoi se do ta çojë vendimin në Gjykatën e Apelit të SHBA-së që Qarku i Distriktit të Kolumbias ta shqyrtojë.

  • Djegia e ndërtesës pranë QSUT-së, lirohen katër të arrestuarit

    Djegia e ndërtesës pranë QSUT-së, lirohen katër të arrestuarit

    Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masat e sigurimit detyrim paraqitje për 4 të arrestuarit për zjarrin tek pallati afër farmacisë numër 10.

    Togat e zeza liruan nga qelia Razie Sula, Agron Cara, Enver Ademi dhe Altin Furtuna, raporton A2CNN.

  • Kurti deklaron se i ka veç 16 euro e 41 centë në bankë dhe se i është ngritur edhe çmimi i qirasë

    Kurti deklaron se i ka veç 16 euro e 41 centë në bankë dhe se i është ngritur edhe çmimi i qirasë

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar deklarimin vjetor të pasurisë së Kryeministrit Albin Kurti. Nga deklarimi shihet se atij i është shtrenjtuar qiraja e banesës për 100 euro, teksa i kanë rënë kursimet.

    Tek pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme nuk ka ndonjë ndryshim. Si pasuri të paluajtshme, Kurti ka përmendur banesën e bashkëshortes, në vlerë 530 mijë euro.

    Para të gatshme në emër të tij i ka deklaruar 16.41 centë, në emër të bashkëshortes 19 mijë e 500 me prejardhje nga paga dhe trashëgimi nga prindi, 2 mijë euro kursime të vajzës dhe 50 euro tjera të vajzës, që thotë se e kanë prejardhjen nga familjarët.

    Vjet ai i kishte deklaruar si kursime 1800 euro.

    Si borxhe, ka deklaruar kredinë e bashkëshortes në vlerë të mbetur 160 mijë euro, dhe ka renditur qiranë e banesës që tash e paguan 350 euro, nga 250 sa e paguante vjet.

    Tek të hyrat vjetore, Kurti ka renditur 21 mijë e 315 euro nga paga si Kryeministër dhe 51 mijë euro të bashkëshortes.

    Albin-Kurti

  • Shpallja e aktgjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt bëhet të martën e ardhshme

    Shpallja e aktgjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt bëhet të martën e ardhshme

    Gjykata ka caktuar shpalljen e aktgjykimit për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt për të martën e ardhshme, më 21 prill, në ora 13:30.

    Vendimi pritet të merret pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, ku palët sot kanë paraqitur fjalët përfundimtare dhe kanë dhënë qëndrimet e tyre lidhur me provat dhe përgjegjësinë penale të të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Prokuroria ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për të akuzuarit, duke pretenduar se vrasja është organizuar dhe kryer në mënyrë të planifikuar.

    Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarve ka kundërshtuar akuzat, duke theksuar mungesë të provave direkte dhe duke kërkuar vendim të bazuar vetëm në prova.

  • Ky është ushtari i FSK-së që e fitoi vendin e parë në “Garën e Ushtarit më të Mirë 2026”

    Ky është ushtari i FSK-së që e fitoi vendin e parë në “Garën e Ushtarit më të Mirë 2026”

    Në Kazermën “Adem Jashari”, përmes një ceremonie solemne, është shpallur fituesi i “Garës së Ushtarit më të Mirë 2026”.

    Vendin e parë në këtë garë e rrëmbeu Elvis Qitaku, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Vendin e dytë e zuri Ismail Ahmeti, ndërsa vendi i tretë i takoi Sead Veselit.

    Në garë morën pjesë gjithsej 44 pjesëtarë, prej tyre 22 nga vendet partnere të Kosovës dhe 22 nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

    Ekipet pjesëmarrëse në garën për “Ushtarin më të Mirë 2026” iu nënshtruan 10 disiplinave të ndryshme.