ATV

Category: Lajme

  • Kuvendi i Kosovës miraton dërgimin e FSK-së në mision ndërkombëtar stabilizues në Gaza

    Kuvendi i Kosovës miraton dërgimin e FSK-së në mision ndërkombëtar stabilizues në Gaza

    Kuvendi i Kosovës ka vendosur për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

    Vendimi kaloi me 89 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim.

    Për të hyrë në fuqi, ky vendim tani duhet të nënshkruhet nga presidenti i Kosovës, në këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e cila vjen nga partia në pushtet.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të Kosovës, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe vendosë vendin në mesin e shteteve, që jo vetëm që përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar.

    “Përmes këtij angazhimi, Kosova dëshmon që është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë, mbrojtjes ë civileve dhe mandateve ndërkombëtare”, tha ministri Maqedonci.

    Më 30 mars, Qeveria e miratoi propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në Gazë.

    Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

    Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

    Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktësisht do të ndodhë dislokimi i trupave dhe sa do të jetë numri i tyre.

    Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka qenë ndër themelueset e Bordit të Paqes, e ka mbështetur publikisht këtë nismë.

     

  • Maqedonci kërkon nga deputetët të mbështesin vendimin për dërgimin e FSK-së në Gaza

    Maqedonci kërkon nga deputetët të mbështesin vendimin për dërgimin e FSK-së në Gaza

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë pro dislokimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza, në kuadër të një misioni ndërkombëtar.

    Gjatë prezantimit para deputetëve të vendimit të Qeverisë për dërgimin e FSK-së jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, ai ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së këtij vendimi, duke nënvizuar se pjesëmarrja në operacione të tilla rrit besimin e aleatëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës.

    “Më datën 30 mars të këtij viti, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të 197-të ka aprovuar propozim-vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.

    “Ministria e Mbrojtjes mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike për bashkëpunim me shtetet aleate, mbi bazën e ftesës së pranuar nga Komanda Qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të nënshkruar me datë 8 dhjetor e e pranuar me datën 10 dhjetor 2025 në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe që i referohet Rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vullnetit politik të shprehur në botën e paqes, si dhe ligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, ka iniciuar procedurat për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht si pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza”, është shprehur Maqedonci.

  • Çmimet e naftës bien ndjeshëm pas hapjes së Ngushticës së Hormuzit

    Çmimet e naftës bien ndjeshëm pas hapjes së Ngushticës së Hormuzit

    Çmimet e naftës kanë shënuar rënie të fortë pas njoftimit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për anijet tregtare.

    Nafta Brent po tregtohet rreth 91 dollarë për fuçi, duke rënë me 8.3%, ndërsa nafta amerikane WTI ka zbritur në rreth 85 dollarë për fuçi, me një rënie mbi 9%.

    Vendimi për hapjen e përkohshme të ngushticës u bë i ditur nga ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, në kuadër të armëpushimit të shpallur, duke lejuar kalimin e anijeve tregtare në këtë rrugë strategjike detare.

  • Punëtori bie nga kati i dytë në Ferizaj, dërgohet me urgjencë në QKUK

    Punëtori bie nga kati i dytë në Ferizaj, dërgohet me urgjencë në QKUK

    Një punëtor ka rënë nga një objekt në ndërtim në rrugën “Uran Tinova” në Ferizaj dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente, e më pas në QKUK në Prishtinë.

    Rasti është konfirmuar për Sinjalin nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:40 dhe i lënduari është një punëtor 46-vjeçar.

    Sipas tij, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe hetimore, ndërsa janë njoftuar edhe inspektori i punës dhe prokurori i shtetit. Hetimet për rastin janë duke vazhduar.

  • Kuvendi miraton në parim projektligjin për byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë me 81 vota pro

    Kuvendi miraton në parim projektligjin për byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë me 81 vota pro

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

    81 deputetë votuan për, asnjë kundër dhe 25 abstenime.

    Ky projektligj duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u bërë ligj.

  • OKB: Mesatarisht 47 gra dhe vajza vriten çdo ditë gjatë luftës në Gaza

    OKB: Mesatarisht 47 gra dhe vajza vriten çdo ditë gjatë luftës në Gaza

    Mesatarisht të paktën 47 gra dhe vajza vriteshin çdo ditë gjatë luftës në Gaza , sipas shifrave të publikuara nga UN Women të premten, dhe agjencia paralajmëroi se vdekjet kanë vazhduar gjashtë muaj pas një armëpushimi të brishtë.

    Më shumë se 38,000 gra dhe vajza u vranë në Gaza midis tetorit 2023 dhe dhjetorit 2025, sipas raportit të UN Women, një agjenci që përqendrohet në barazinë gjinore.

    “Gratë dhe vajzat përbënin një përqindje shumë më të lartë të vdekjeve sesa ato të vërejtura në konfliktet e mëparshme në Gaza”, u tha gazetarëve në Gjenevë Sofia Calltorp, drejtuese e veprimeve humanitare të agjencisë, shkruan Reuters.

    “Ata ishin individë me jetë dhe me ëndrra”, shtoi ajo.

    Agjencia shprehu shqetësim se vrasja e grave dhe vajzave ka vazhduar që nga armëpushimi i tetorit, megjithëse nuk e di saktësisht se sa kanë vdekur për shkak të mungesës së të dhënave të agreguara sipas gjinisë.

  • Erdogan dhe zonja Emine i çojnë ftesë Vjosa Osmanit

    Erdogan dhe zonja Emine i çojnë ftesë Vjosa Osmanit

    Presidenti i Recep Tayyip Erdoğan dhe Zonja e Parë Emine Erdoğan i kanë dërguar një ftesë ish- presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të marrë pjesë në edicionin e radhës të Forumit Diplomatik të Antalias.

    Në një postim publik, ish-presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj për këtë ftesë dhe për mbështetjen e vazhdueshme nga Turqia.

    “Falënderoj presidentin Erdoğan dhe zonjën e parë Emine Erdoğan për përkrahjen e vazhdueshme dhe ftesën e tyre që sërish sivjet të jemi pjesë e Forumit Diplomatik të Antalias”, ka shkruar Osmani.

  • OVL e UÇK-së paralajmëron protesta: S’kemi pranuar përgjigje nga Kurti e Haxhiu për Ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës,

    OVL e UÇK-së paralajmëron protesta: S’kemi pranuar përgjigje nga Kurti e Haxhiu për Ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës,

    OVL e UÇK-së tha se deri më tani nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga Kryeministri i Kosovës dhe Kryeparlamentarja lidhur me kërkesat e tyre për hartimin dhe miratimin e Ligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së, si dhe për garantimin e të drejtave të veteranëve që u takojnë me ligj.

    Organizata tha se kjo kërkesë është drejtuar zyrtarisht më datë 20 shkurt 2026.

    “Pavarësisht pritjes dhe gatishmërisë sonë për bashkëpunim institucional, mungesa e reagimit nga institucionet përkatëse është shqetësuese dhe e papranueshme për një kategori që ka dhënë gjithçka për lirinë e këtij vendi”.

    OVL e UÇK-së tha se nëse nuk ndërmerren hapa konkretë dhe të menjëhershëm për adresimin e këtyre “kërkesave “ dhe për përmirësimin e statusit të veteranëve, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së “do të detyrohet të ndërmarrë veprime konkrete, përfshirë organizimin e protestave”.

    “Qëllimi ynë mbetet i pandryshuar: mbrojtja e vlerave të luftës çlirimtare, ruajtja e dinjitetit të veteranëve dhe garantimi i të drejtave që u takojnë me meritë”.

  • Komisioni Ad hoc përfundon intervistimin e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së, 12 emra të propozuar

    Komisioni Ad hoc përfundon intervistimin e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së, 12 emra të propozuar

    Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së ka përmbyllë procesin e intervistimit të kandidatëve.

    Në një njoftim, Kuvendi i Kosovës tha se “i gjithë procesi ka qenë i hapur, transparent dhe është monitoruar nga shoqëria civile dhe i njëjti është zhvilluar brenda afate të përcaktuara ligjore”.

    Për gjashtë pozita për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, komisioni ka propozuar për votim në seancë plenare dymbëdhjetë kandidatë: Valmirë Thaqi, Flokart Aliu, Gëzim Brahaj, Fatos Mustafa, Arbërore Riza, Xheraldina Cërnobregu, Njomza Beqiri Novosella, Anita Toqi, Lulzim Beqiri, Fatmir Podrimaj, Ilirjan Himaj dhe Avni Zuka.

    Prej dymbëdhjetë kandidatëve të propozuar Kuvendi zgjedh gjashtë anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

    Për një pozitë për anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb, komisioni ka propozuar për votim dy kandidatë: Ivana Milić dhe Vidosav Kostović, ndërsa për një pozitë për anëtar të Bordit nga radhët e komuniteteve të tjera jo shumicë, janë propozuar kandidatët Anesa Čolaković dhe Aldin Šabani.

  • Pensionohet Valdete Daka

    Pensionohet Valdete Daka

    Është pensionuar nga detyra e gjyqtarës Valdete Daka.

    Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Gjykata Supreme e Kosovës.

    Pas një karriere të gjatë, mbi 30-vjeçare në sistemin gjyqësor, prej të cilave 16 vite në Gjykatën Supreme, gjyqtarja Valdete Daka ka arritur moshën e pensionimit.