ATV

Category: Lajme

  • Naim Murseli dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt

    Naim Murseli dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt

    Me burgim të përjetshëm është dënuar Naim Murseli, për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademajt, më 29 nëntor 2023.

    Vendimi vjen pas një procesi gjyqësor të zhvilluar mbi akuzat se vrasja e Ademajt, bashkëshortes së Murselit, ishte kryer në mënyrë të planifikuar dhe me paramendim. Prokuroria, në fjalët përfundimtare, kishte kërkuar dënimin maksimal për të akuzuarit, duke argumentuar se bëhej fjalë për një krim të organizuar.

    Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarve kishte kundërshtuar akuzat, duke deklaruar se nuk ekzistojnë prova të drejtpërdrejta që lidhin Naim Murselin, si dhe të akuzuarit e tjerë, me kryerjen e veprës penale.

    Pavarësisht këtyre pretendimeve, trupi gjykues vendosi ta shpallë fajtor Murselin dhe ta dënojë me burgim të përjetshëm, duke e cilësuar rastin si një nga krimet më të rënda të viteve të fundit në vend.

     

     

  • Familjarët e Liridona Ademajt të pranishëm në Gjykatë, pas pak vendimi për krimin makabër

    Familjarët e Liridona Ademajt të pranishëm në Gjykatë, pas pak vendimi për krimin makabër

    Familjarët e Liridona Ademajt janë të pranishëm në Gjykatë ku pas pak pritet të jepet fjala përfundimtare për të akuzuarit në vrasjen e saj.

    Ish-burri i saj, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën akuzohen se kanë organizuar dhe kryer vrasjen e Liridona Ademajt për motive deri më tani të panjohura.

  • Ymeri: Vëllai i Kurtit është në zyrën ku bëhet faturimi i energjisë elektrike

    Ymeri: Vëllai i Kurtit është në zyrën ku bëhet faturimi i energjisë elektrike

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri ka folur në seancën e jashtëzakonshme lidhur me çmimin e energjisë elektrike.

    Ymeri tha se pikërisht në zyrën ku bëhet faturimi i energjisë elektrike punon vëllai i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

    “E para për energjinë, çka dimë ne është që është rritur kostoja në masa të paparashikueshme më herët. Kjo ka ndodhur edhe pse prodhimi është rritur, por kohëve të fundit është rritur dhe çmimi në qiell. Në këtë skemë, të cilën unë e kam potencuar edhe më herët, kërkesa për vlerë është gjithmonë më e madhe, edhe tashmë veç e kemi tejkaluar një miliard euro. Tash, unë po du me i sqaru anën tjetër të kësaj çfarë po thuhet, që çmimi i importit është rritur nga pandemia, por kohëve të fundit është rritur sasia në masë të paparashikueshme për shkak të rënieve të blloqeve dhe mos planifikimit të prodhimit nga KEK-u. Gjithashtu, është mirë me ju tregu që energjia elektrike këtë vit është shtrenjtuar, por nuk do të thotë që nuk rritet.

    Edhe këtë vit, edhe vitin e kaluar, nuk kemi pasur asnjë lloj shkaku ne që me e pagu aq shtrenjtë energjinë elektrike. Ka qenë keqmenaxhimi i sektorit, i komplet sektorit energjetik, duke filluar nga prodhimi e deri te inkriminimi i ZRRE-së. Zyra e Rregullatorit për Energji, çka është thënë nga zyrtarët, në anën zyrtare, si përfaqësues të kuvendit, nuk më përgjigjen në pyetjen më të thjeshtë për maminë energjetike. Jo që janë të kapur, por ky pushtet e ka kolaboruar komplet sektorin e energjisë elektrike. Për me potencu këtë, për me tregu më shumë për këtë, ku mund të jetë një sektor i pavarur, ku në zyrat ku rritet edhe ku bëhet faturimi i energjisë elektrike, është edhe bilanci, është edhe vetë vëllai i kryeministrit, në të njëjtën zyre. Ky specialist për çështje ekonomike, le të mos merremi me këto fjalë të tjera, ku vetë kryeministri e ka vëllaun”, tha Ymeri.

    Ajo e konsideroi “maxhe” të madhe të parasë publike dhe hajnisë e cila menaxhohet nga familjarët e pushtetit.

    “Kjo maxhe e madhe, e parës së madhe, e hajnisë, është mirë menaxhuar edhe me familjarë të tjerë, të cilët janë më qendrorë, nga vëllezërit, nga familjarët e deputetëve të caktuar të Lëvizjes Vetëvendosje. Po ashtu, KEK-u është e vërtetë që nuk importon energji elektrike, mirëpo e eksporton. Në vitin 2024, janë eksportuar 150 miliardë euro energji elektrike, sa ne na është që kemi importuar, dhe në fund të përfundojmë që kemi importuar energji elektrike shumë dhe na duhet me e pagu.

    Prokuroria, gjithashtu Prokuroria Speciale, ka pasur ekspertë të antikorrupsionit si kryetar bordi dhe anëtar bordi në korporatën energjetike të Kosovës. Pra, duke nisur nga vetë Prokuroria Speciale, është mirë të merret, të ndahet kjo punë, ku të niset një hetim. Përndryshe, një sektor i energjisë elektrike që ka familjarë të pushtetit, që ka pasur në kohë të caktuar, në vitin 2022-2023 anëtarë të Prokurorisë Speciale, pavarësisht se është ekspert i antikorrupsionit, atëherë është mirë të bëhet një hetim i pavarur plotësisht, që është i ç’kapur edhe nga pushteti, që është i ç’kapur edhe nga ndikimi i mundshëm i prokurorisë që unë po them që është, sepse ka qenë anëtar edhe kryetar bordi në Korporatën Energjetike të Kosovës.

    Pra, në rast se kemi të bëjmë me një hetim, duhet të jetë plotësisht i pavarur sepse ZRRE-ja ka qenë pjesë e kësaj, e këtij skenari ku të gjithë kemi vazhduar me i paguar. Gjithashtu ka prova faktike, të pakontestueshme, që janë bërë, ka pasur dallim të pagesave që janë bërë për importin e energjisë elektrike apo shitjen e energjisë elektrike jashtë kontratave me entitete të caktuara të biznesit. Ky favorizim ka ndodhur në vitet 2021-2022, edhe këtë është mirë Prokuroria Speciale me e hetu, duke u ndarë plotësisht nga ky hetim, e që do të zbardhte krejt çka ka ndodhur në sektorin e energjisë elektrike”, tha Ymeri në seancën e Kuvendit.

  • Rrëzohet vinçi në Dragodan, lëndohet një person

    Rrëzohet vinçi në Dragodan, lëndohet një person

    Një vinç është rrëzuar në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

    Një punëtor është lënduar i cili po merr trajtim në Emergjencen QKUK-së.

    Doktoresha në Emergjencë, Dafina Basholli tha për teve1.info se pacinetit po i bëhen ekzaminimet radiologjike.

    Jemi duke realizuar ekzaminimet radiologjike, për momentin situata e tij është stabile. Pas ekzaminimeve do të shohim”, tha ajo.

    Policia ka dal në vendin e ngjarjes dhe ka vendosur shiritat e sigurisë.

  • Pse s’po heq dorë nga presidenti? Kurti në ‘hall’: Çka të bëj që m’i kanë dhanë 51.1%

    Pse s’po heq dorë nga presidenti? Kurti në ‘hall’: Çka të bëj që m’i kanë dhanë 51.1%

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në një paraqitje para gazetarëve, pas qëndrimeve të PDK-së dhe LDK-së, ndaj ofertave të tij për çështjen e presidentit, është deklaruar i ‘çuditur’ për refuzimet.

    Ai është sfiduar me pyetjen se pse është kaq e rëndësishme pozita e presidentit për Vetëvendosjen, ndaj të cilës nuk po lëshojnë pe, edhe pse kërkuan një marrëveshje për pozitën e kryetarit të shtetit.

    “Ama veç pak, çka të bëj me rezultatin zgjedhor, që m’i kanë dhanë 51.1%. Ata s’i kanë votat as me ia mbledhë nënshkrimet një kandidati.” – tha Kurti.

    Ndërsa kur u pyet se gara e tij më 28 dhjetor ka qenë për kryeministër e jo për president, kështu u përgjigj ai.

    “Veç një moment. Me ia dhanë atij, kur s’ia ka dhanë populli. Demokracia nënkupton vullnetin e popullit. Unë jom super gjeneroz. Duhet t’i pyesni që me këta numra bëjnë refuzime.”

  • ‘‘E nderuara kryetare e teatrit të përrallave’’, tensione mes Musliut e Albulena Haxhiut

    ‘‘E nderuara kryetare e teatrit të përrallave’’, tensione mes Musliut e Albulena Haxhiut

    Sot është duke u mbajtur seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për çmimet dhe faturimin e rrymës për konsumatorët.

    Gjatë kësaj seance, ka pasur një debat mes deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliut, dhe, kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiut.

    ‘’E nderuara kryetare e teatrit të përrallave, zonja Albulena Haxhiu’’, ka thënë Musliu.

    ‘’Faleminderit Gane, jam e nderuar’’, i është përgjigjur Haxhiut.

    Gjatë këtij momenti, një deputet i VV’së dëgjohet teksa i thotë Haxhiut ‘’merrja fjalën’’.

    ‘’Një sqarim kryetare, përderisa një ministre e frustruar del dhe iu thotë deputetëve po tregoni përralla’’, ka shtuar Musliu.

    ‘’Kujdes fjalorin, nuk keni të drejtë me quajt të frustruar askënd, kujdes fjalorin se të merret fjala, kujdes se si sillesh ndaj ministrave e deputetëve ’’ , ka thënë Haxhiu.

  • Partitë pa marrëveshje për presidentin, Hamza: U kry ajo punë

    Partitë pa marrëveshje për presidentin, Hamza: U kry ajo punë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se për partinë që ai e drejton çështje e presidentit është “është kryer”.

    I pyetur nëse LVV-ja do të ua kërkonte PDK-së ta propozonin presidentin, a do ta pranonin këta të fundit, Hamza tha: “U kry ajo punë”.

    “Është diskutu gjërë e gjatë kjo temë, është konstatu se nuk ka pasur vullnet nga partia fituese dhe Kurti që vendit ti japë president”, tha Hamza sot në një deklaratë për mediat.

    Hamza, ka përsëritur se për partinë që ai e drejton procesi i zgjedhjes së presidentit konsiderohet i mbyllur. Këtë tha se e ka vendosur Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës në mbledhjen që e ka mbajtur.

    Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka sulmuar sot opozitën në lidhje me çështjen e presidentit. Kurti ka thënë se e problemi për çështjen e presidentit, është se si opozita me kaq pak numra ka refuzuar ofertën “gjeneroze” të tij. Ai ka thënë se nuk mund t’i japë një post dikujt, që nuk e ka marrë nga populli.

    “Çka të bëj me rezultatin zgjedhor që mi kanë dhënë 51.1%. Ata nuk i kanë votat as për t’i mbledhur nënshkrimet për një kandidat. 22 deputetë të PDK-së nuk mjaftojnë as të aplikojnë. Për shembull a keni aplikuar për punë ju ndonjëherë? Paramendoje të mos i kesh dokumentet… e po thua a hy në punë, por ti s’i ke as dokumentet të aplikosh. Me ja dhënë atij po thua, por s’ia ka dhënë populli o vëlla, qysh me ia dhënë unë kur s’ia ka dhënë populli”, ka thënë Kurti.

  • Tahiri e pyet qeverinë për kompaninë e oligarkut Gjonaj: ‘Kur PDK-ja të vije në pushtet…’

    Tahiri e pyet qeverinë për kompaninë e oligarkut Gjonaj: ‘Kur PDK-ja të vije në pushtet…’

    Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri e ka ngritur si çështje në Kuvendin e Kosovës ngritjen e jashtëzakonshme financiare të kompanisë “ETMT Energy”, në pronësi të oligarkut shqiptar Marin Gjonaj.

    Në seancën e jashtëzkaonshme parlamentare për çështjen e faturimit të energjisë elektrike, Tahiri e pyeti qeverinë dhe deputetët e shumicës që të tregojnë haptasi për lidhjen e deputetëve të pushtetit me kompaninë në fjalë.

    Ai aludoi te deputeti Ejup Ahmeti, i cili është ortak me Marin Gjonajn në një biznes në Shqipëri.

    “Unë po e pyes shumë konrektisht deputetin por po ju pyes edhe juve, qeverinë: Kush është Noa Energy Trade? Kush është kompania ETMT Energy? Cila është lidhja e saj me deputetë të pushtetit? Sa janë duke paguar qytetarët e Kosovës sot energjinë elektrike? Kush është Dejona Mihali që i shkruan një drejtori të Korporatës së Energjike të Kosovës dhe i thotë ‘hajde me kapuç’”, tha ai.

    Tahiri tha se një ditë kur “PDK-ja të vije në pushtet, të gjithë këta keqbërës do të dalin para drejtësisë”.

    “Tl gjitha këto elemente abuzive do të zbardhen dhe do t’i servohen publikut”, tha Tahiri.

  • Kryetari i Bujanocit zbulon kërkesat në takimin me Vuçiqin

    Kryetari i Bujanocit zbulon kërkesat në takimin me Vuçiqin

    Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciv, të cilin e cilësoi si një “bisedë të hapur” mbi çështje të rëndësishme për komunën dhe qytetarët e saj.

    Sipas tij, gjatë këtij takimi janë adresuar një sërë kërkesash konkrete që lidhen me zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në Bujanoc.

    Ai bëri të ditur se ndër kërkesat kryesore kanë qenë rritja e mjeteve nga transferi qendror, rinovimi urgjent i dy shkollave shqipe, si dhe sigurimi i një mbështetjeje ad hoc për një projekt të ujit të pijshëm.

    Në përmbyllje të takimit, ai theksoi se të dy palët janë pajtuar që çështjet e diskutuara të kenë afate konkrete për zbatim në praktikë dhe që të angazhohen resurset e të gjitha niveleve të pushtetit për realizimin e tyre. Po ashtu, është rënë dakord që takime të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me pjesëmarrjen e ministrave nga kabineti qeveritar, si dhe pa përjashtuar praninë e përfaqësuesve ndërkombëtarë.

  • Goditet grupi i drogës në Berat, tre në pranga ndërsa një në arrest shtëpie

    Goditet grupi i drogës në Berat, tre në pranga ndërsa një në arrest shtëpie

    Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar pas një hetimi 6-mujor ka çuar në goditjen e një grupi kriminal që merrej me shitjen e drogave të forta në qytetin e Beratit.

    Aksioni, i koduar “Prova”, është finalizuar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në koordinim me Prokurorinë e Beratit, me qëllim dokumentimin e aktivitetit kriminal të disa personave që vepronin në mënyrë të organizuar.

    Si rezultat i operacionit, janë arrestuar tre persona, ndërsa për një tjetër është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Të gjithë të dyshuarit janë banues në lagjen “Çlirim” në Berat.

    Sipas hetimeve, katër personat siguronin dhe shpërndanin lëndë narkotike, kryesisht kokainë, në doza të vogla në zona të ndryshme të qytetit.

    Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre dhe në një automjet, policia ka sekuestruar sasi kokaine të ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje, si dhe 7 telefona celularë dhe një automjet.

    Ndaj të dyshuarve rëndon vepra penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa materialet janë referuar në Prokurorinë e Beratit për procedura të mëtejshme.