ATV

Category: Lajme

  • Zyrtarizohet marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e Akademisë së Turizmit në Kosovë

    Zyrtarizohet marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e Akademisë së Turizmit në Kosovë

    Gjatë Panairit Ndërkombëtar të Turizmit në Kosova është zyrtarizuar një marrëveshje bashkëpunimi mes Unionit të Turizmit të Kosovës dhe institucionit britanik Stirling Centre for Strategic Learning and Innovation.

    Sipas njoftimit të Unioni i Turizmit të Kosovës, ky partneritet është pjesë e një konsorciumi ndërkombëtar dhe synon transformimin e arsimit në fushën e turizmit dhe mikpritjes, duke e orientuar atë drejt praktikës dhe standardeve bashkëkohore.

    “Ky partneritet synon të transformojë arsimin në turizëm dhe mikpritje duke krijuar një sistem modern, inovativ dhe të orientuar drejt praktikës në përputhje me kërkesat e shekullit 21”, thuhet në njoftim.

    Në fokus të marrëveshjes është krijimi i Akademisë së Turizmit, e cila pritet të sjellë qasje të re në përgatitjen profesionale në këtë sektor.

    “Fuqizimi i të rinjve me aftësi praktike dhe të kërkuara në treg, mbështetja e bizneseve vendore me staf të kualifikuar, rritja e cilësisë së shërbimeve dhe promovimi i turizmit shëndetësor janë ndër objektivat kryesore”, theksohet më tej.

    Sipas Unionit të Turizmit të Kosovës, iniciativa synon gjithashtu të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe në rritjen e konkurrueshmërisë së vendit si destinacion turistik.

    “Ky është më shumë se një partneritet — është një investim në njerëz, në dije dhe në të ardhmen e turizmit në vend”, përfundon njoftimi.

  • Pajtohen familjet Bajraktari dhe Krasniqi në Junik, me ndërmjetësimin e Daut Haradinajt

    Pajtohen familjet Bajraktari dhe Krasniqi në Junik, me ndërmjetësimin e Daut Haradinajt

    Në Junik është arritur një pajtim i rëndësishëm mes familjes së Januz Bajraktarit dhe familjes së Isuf Musë Krasniqit, një akt që rikthen në vëmendje vlerat më të mira të traditës shqiptare.

    Për këtë ngjarje ka njoftuar Daut Haradinaj, i cili ka theksuar se ndjenja e bashkimit dhe besimit mbetet themel i fortë i Junikasve.

    Ai është shprehur krenar që, së bashku me miq të shumtë, kanë arritur të pajtojnë dy familjet, duke dëshmuar se fryma e mirëkuptimit dhe faljes vazhdon të jetojë ndër shqiptarë.

    “Kur vlera shqiptare mbetet themeli i junikasve, është ndjenjë e veçantë kur burra të çmuar të Bajraktarëve të vlerësojnë dhe të besojnë. U ndjeva krenar që, bashkë me shumë miq, i pajtuam familjen e Januz Bajraktarit dhe familjen e Isuf Musë Krasniqit”, ka deklaruar Haradinaj.

  • Mic Sokoli nderohet në 145-vjetorin e rënies heroike

    Mic Sokoli nderohet në 145-vjetorin e rënies heroike

    Në fshatin Slivovë të Ferizajt janë zhvilluar homazhe në nder të 145-vjetorit të rënies së heroit kombëtar Mic Sokoli.

    Kjo ngjarje u organizua nga Komuna e Ferizaj, në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve dhe Dëshmorëve të Tropojë.

    Gjatë aktivitetit u vendosën kurora lulesh dhe u bënë homazhe në nderim të figurës së Mic Sokoli, i cili njihet për aktin e tij heroik në Beteja e Slivovës, ku sakrifikoi jetën për lirinë e vendit.

    “Përkujtimi shërbeu si një moment reflektimi mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë historike dhe vlerave kombëtare, duke u bërë njëkohësisht edhe një thirrje për edukimin dhe frymëzimin e brezave të rinj me shembujt e sakrificës dhe atdhedashurisë”, thuhet në njoftimin e komunës.

  • Policia zbulon laborator të drogës në Graçanicë

    Policia zbulon laborator të drogës në Graçanicë

    Policia e Kosovës së fundi ka zhvilluar disa aksione në drejtim të luftimit të narkotikëve.

    E së fundi, Policia ka zbuluar një laborator të drogës në Graçanicë.

    Siç njoftohet ky laborator i zbuluar tanimë dyshohet të jetë përdorur për kultivimin e bimëve narkotike.

    Bazuar në njoftimin zyrtar, rasti i zbuluar të martën në mbrëmje dhe është ende nën hetime.

    “Njësitë policore kanë kontrolluar një objekt të pa banuar ku kanë has në një laborator i cili dyshohet se ishte përdorur për kultivimin e bimëve narkotike. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftim.

  • Rasti ndaj ish-krerëve të UÇK’së: Pas vdekjes së një viktime, dy të afërm të tij vazhdojnë procedurën

    Rasti ndaj ish-krerëve të UÇK’së: Pas vdekjes së një viktime, dy të afërm të tij vazhdojnë procedurën

    Në rastin gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit me të akuzuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, një viktimë ka vdekur.

    Kjo viktimë ishte pranuar në këto procedura me 12 dhjetor 2022, ndërsa për vdekjen e saj, trupi gjykues u njoftua nga mbrojtësi i viktimave me 4 mars 2026.

    Rrjedhimisht, mbrojtësi i viktimave ka kërkuar nga trupi gjykues që dy të afërm të kësaj viktime të marrin pjesë në procedurat që i ka nisur viktima e cila ka ndërruar jetë.

    Vec kësaj, vlen të theksohet se kjo viktimë e kishte statusin e dyfishtë edhe si dëshmitar.

    Ndërsa, për të afërmit që do ë vazhdojnë procedurat, u mor vendim që emri i tyre mos të bëhet i ditur as për palët dhe as për publikun.

    “MIRATON Kërkesën dhe lejon që Të Afërmit të vazhdojnë veprimin e V072/06 si viktima pjesëmarrëse në këtë procedurë; b) URDHËRON që masat mbrojtëse të anonimitetit t’u jepen Të Afërmve për qëllimet e pjesëmarrjes së tyre si viktima në procedurë; c) URDHËRON që emrat dhe të dhënat identifikuese të Të Afërmve të mbahen të fshehta nga Palët dhe publiku; dhe d) URDHËRON që: (i) pseudonimi V072A/06 t’i caktohet [REDACTED] të V072/06; dhe (ii) pseudonimi V072B/06 t’i caktohet [REDACTED] të V072/06 për qëllimet e kësaj procedure”, thuhet në vendim.

    Përveç kësaj, në vendim thuhet se kjo viktimë kishte vdekur para se trupi gjykues ta mbyllte çështjen në këtë rast gjyqësor.

    Ndryshe, fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

    Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e vazhdoi edhe më 12 shkurt. Po atë ditë e nisi fjalën përfundimtare mbrojtja e Selimit dhe e përfundoi me 13 shkurt, datë në të cilën më pas i nisi deklarimet mbrojtja e Krasniqit. Kjo e fundit përfundoi deklaratat përmbyllëse më 16 shkurt, seancë e cila vazhdoi me pyetjet e trupit gjykues dhe përgjigjet e mbrojtjes dhe Prokurorisë.

    Ndërsa, me 18 shkurt dhanë fjalën e tyre të akuzuarit. Hashim Thaci tha se i vetmi pushtet që kishte ishte ai i zërit të tij dhe se UÇK-ja nuk ishte shteti, ishte organizim popullor për mbrojtje nga agresori. Kurse, Kadri Veseli tha se nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka kryer krim dhe se e ka ndërgjegjen e pastër.

    Gjatë fjalës së tij, Rexhep Selimi tha se akuzat ndaj tyre janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta si dhe janë përpjekje për të njollosur luftën e tyre. Përveç kësaj, ai tha se shpreson që drejtësia do i kthej në atdhe.

    Kurse, Jakup Krasniqi u shpreh se i është mohuar e drejta për liri si një njëri në fazën e fundit të jetës. Ai shtoi se ka kaluar rreth 16 vjet burg vetëm se luftoi për popullin e tij. Veç kësaj, Krasniqi tha se “nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet”.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./Betimi për Drejtësi

  • Humbja e jetës në vendin e punës, Hoti takohet me Shoqatën e Ndërtimit në Kosovë

    Humbja e jetës në vendin e punës, Hoti takohet me Shoqatën e Ndërtimit në Kosovë

    Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka filluar takimin me Shoqatën e Ndërtimit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë takim do të diskutohet situata aktuale në sektorin e ndërtimit, me fokus të veçantë në rastet e fundit të humbjeve të jetës në vendin e punës dhe sigurinë në punë.

    Pas takimit do të ketë deklaratë për media.

  • ​Haziri akuzon Kurtin për dështimin e zgjedhjes së presidentit

    ​Haziri akuzon Kurtin për dështimin e zgjedhjes së presidentit

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e dërgon vendin në zgjedhje të reja.

    Sipas tij, lideri i LVV-së është fajtori kryesor pse po dështon zgjedhja e presidentit.

    Këto komente ai i dha pas mbledhjes së komisionit për punë të jashtme.

    Ai tha se Kurti po dëshiron që presidenti i ri ta jete dorë e zgjatur e qeverisë, raporton KosovaPress.

     

  • Haziri për Kurtin: Po e çon qëllimisht vendin drejt zgjedhjeve të reja, e ka ndryshuar vetëm formën dhe metodën

    Haziri për Kurtin: Po e çon qëllimisht vendin drejt zgjedhjeve të reja, e ka ndryshuar vetëm formën dhe metodën

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja.

    Sipas Hazirit, vendi rrezikon të shkojë në disa palë zgjedhje për shkak të veprimeve të Kurtit, për të cilat ai tha se janë të qëllimshme.

    “Kurti po e ndryshon vetëm formën dhe metodën. Vitin e kaluar u pozicionua për kryetar të Kuvendit dhe e çoi vendin në zgjedhje. Sivjet, për çështjen e presidentit, po synon të shkaktojë zgjedhje dhe të arrijë qëllimin e tij. Por ne duam t’i shmangim zgjedhjet, sepse herën tjetër mund të vijë një kryeministër tjetër…”, u shpreh Haziri.

    Ai shtoi se ideja për një figurë konsensuale për president ka dështuar, pasi sipas tij Kurti nuk ka paraqitur asnjë propozim konkret.

    Sipas Hazirit, Kurti do të duhej të ofronte zgjidhje që do ta thyenin këtë cikël të mbyllur krizash politike.

    Këto komente ai i bëri pas mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme. /rtv21

  • AGK: VV synon kapjen e KPM’së- Luljeta Aliu e Besnik Berisha kanë histori problematike, rikthimi i tyre vë në rrezik komisionin

    AGK: VV synon kapjen e KPM’së- Luljeta Aliu e Besnik Berisha kanë histori problematike, rikthimi i tyre vë në rrezik komisionin

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka deklaruar se partia në pushtet, Vetëvendosja, ‘’ synon vazhdimin e kapjes së KPM-së nëpërmjet dy ish-anëtarëve që e dëmtuan më herët institucionin’’.

    Nga AGK është thënë edhe se, përzgjedhja e anëtarëve të KPM’së, është proces i cili ‘’ është haptazi i komprometuar dhe nuk përmbush standardet minimale për të siguruar që përbërja e re’’ të këtij komisioni.

    Nga AGK shtohet se, komisioni Ad Hoc ka rekomanduar emra për votim në seancën e Kuvendit të Kosovës, të cilët janë dëshmuar me vendime të gjykatave të rregullta se kanë cenuar ose shkelur Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media, apo persona që janë të njohur si propagandues të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Këtu, AGK, ka përmendur dy emra të cilët ‘’kanë histori problematike me KPM-në’’, e që janë, Besnik Berisha dhe Luljeta Aliu Krasniqi.

    ‘’ Rrjedhimisht, konsiderojmë që rikthimi eventual i ish-kryetarit të kundërligjshëm Besnik Berisha dhe mbështetëses së pushtetit Luljeta Aliu Krasniqi e vendos KPM-në në rrezik të drejtpërdrejtë të presionit politik dhe krijon precedent që persona që kanë shkelur ligjin të favorizohen sërish politikisht’’, është thënë mes tjerash nga AGK.

    Postimi:

    VV-ja synon vazhdimin e kapjes së KPM-së nëpërmjet dy ish-anëtarëve që e dëmtuan më herët institucionin

    Ne, të poshtëshënuarit, pas monitorimit të procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), vlerësojmë se procesi është haptazi i komprometuar dhe nuk përmbush standardet minimale për të siguruar që përbërja e re e KPM-së do të garantojë rregullim dhe pluralizëm të mediave në Kosovë.

    Komisioni Ad Hoc ka rekomanduar emra për votim në seancën e Kuvendit të Kosovës, të cilët janë dëshmuar me vendime të gjykatave të rregullta se kanë cenuar ose shkelur Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media, apo persona që janë të njohur si propagandues të Lëvizjes Vetëvendosje. Një qasje e tillë cenon integritetin e procesit dhe besueshmërinë e publikut në pavarësinë dhe paanshmërinë e KPM-së, nëse këta persona potencialisht emërohen në KPM.

    Në këtë drejtim, i rekomandojmë Komisionit Ad Hoc që ky proces të mos procedohet tutje dhe të kthehet në pikën zero për këto arsye:

    Legjitimiteti i institucionit të KPM-së garantohet vetëm përmes një procesi të përzgjedhjes së anëtarëve të bazuar në ligj dhe me integritet. Ky proces nuk e ka garantuar këtë parim. Moszbatimi i këtij standardi cenon besueshmërinë e publikut dhe mediave që vendimet e KPM-së të perceptohen si të drejta dhe të pranueshme.

    Në proces kanë aplikuar gjithsej 30 individë për gjashtë pozita të lira. Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së është zhvilluar ndërmjet datave 17 dhe 20 prill, që përfshin gjithsej dy ditë pune, duke marrë parasysh fundjavën. Më 17 prill janë shqyrtuar dosjet e kandidatëve dhe është diskutuar metodologjia e intervistimit, ndërsa më 20 prill janë mbajtur 23 intervista. Procesi ka përfunduar rreth orës 19:30 të mbrëmjes së datës 20 prill. Paraprakisht, Komisioni Ad Hoc kishte dështuar të mblidhej për shkak të mungesës së kuorumit të plotë më 10 dhe 14 prill.

    Ky proces i kontestuar cenon rëndë pavarësinë institucionale të KPM-së, duke pasur parasysh që ky institucion rregullon sektorin mediatik në Kosovë dhe është thelbësore që anëtarët e tij të mos zgjidhen përmes ndikimeve politike apo interesave partiake.

    Barazia dhe meritokracia: Ky proces është zhvilluar brenda një afati të shkurtër kohor dhe me metodologji të kontestuar. Edhe përkundër faktit se kryetari i Komisionit Ad Hoc, z. Alban Bajrami, ka bërë përpjekje që ky proces të zhvillohet mbi bazën e kritereve të qarta dhe të njëjta për të gjithë kandidatët, kjo në praktikë nuk është zbatuar drejt, duke cenuar parimin e barazisë dhe meritokracisë.

    Mungesa e zbatimit të parimit të barazisë dhe meritokracisë cenon rëndë cilësinë e përbërjes së KPM-së dhe ka kufizuar profesionalizmin dhe konkurrencën e ndershme. Procesi është karakterizuar nga organizim i çrregullt, i ndikuar nga insistimi i partisë në pushtet që ai të përfundonte brenda një kohe shumë të shkurtër. Të gjitha takimet kanë nisur me vonesë, për shkak se deputetët kishin angazhime të tjera në të njëjtën kohë brenda parlamentit. Po ashtu, deputetët i kanë pranuar dosjet me vonesë dhe, nga momenti i pranimit të tyre deri në fillimin e intervistave, kanë pasur shumë pak kohë për shqyrtimin e rreth 30 dosjeve, të cilat përmbajnë qindra faqe. Në këto rrethana, nuk është realiste të pritet një shqyrtim i plotë dhe cilësor i këtij dokumentacioni brenda kësaj periudhe kohore.

    Integriteti i procesit mbron transparencën dhe llogaridhënien. Edhe përkundër faktit se procedura e vlerësimit ka qenë deri diku e hapur, ajo nuk ka qenë e dokumentuar dhe e arsyetuar. Ky kufizim nuk u ka mundësuar palëve të interesuara dhe publikut të kuptojnë se si janë poentuar kandidatët, meqë procesi është shoqëruar me mungesë transparence në poentim. Vlerësimi i kandidatëve u bë vetëm pasi përfunduan të gjitha 23 intervistat dhe jo pas secilës intervistë, siç parashikojnë standardet minimale. Deputetët nuk kanë ofruar arsyetim për pikët e dhëna, duke u fshehur pas anonimitetit. Votimi është bërë në mënyrë anonime, duke mos lejuar asnjë formë monitorimi dhe rrjedhimisht është bërë e paqartë se sa pikë ka dhënë secili deputet për kandidatët. Se poentimi ka qenë i parregullt shihet edhe nga fakti se disa nga kandidatët, nga disa deputetë, u poentuan me 100 pikë, ndërsa i njëjti kandidat u poentua nga një deputet tjetër me 0 pikë, gjë që dëshmon se në këto raste kemi pasur vlerësim politik dhe jo profesional.

    Po ashtu, është vërejtur sjellje joserioze e shumicës së deputetëve gjatë zhvillimit të intervistave, të cilët, përveç që nuk merrnin fare shënime, qëndronin në telefona edhe kur kandidatët ishin duke dhënë përgjigje. Kjo sjellje rrit edhe më shumë dyshimet rreth cilësisë së vlerësimit të kandidatëve.

    Ky proces, për dallim nga procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të RTK-së, është zhvilluar në atmosferë më të rregullt falë përkushtimit të kryetarit të komisionit, Alban Bajrami.

    Komisioni Ad Hoc ka rekomanduar këta kandidatë për seancë plenare: Drita Morina, Besnik Berisha, Majlinda Aliu, Petrit Hasanaj, Vjona Sylejmani Shabani, Luljeta Aliu Krasniqi, Vlora Berisha, Hysni Mustafa. Për pozitat nga komunitetet janë propozuar Fatih Basha, Suada Dzogovic, Serpin Emrusi Halce dhe Ajten Kodraci.

    Disa nga shkeljet kryesore të evidentuara gjatë procesit të monitorimit, të cilat e kanë bërë këtë proces të komprometuar, janë si në vijim:

    Mungesa e metodologjisë

    Një ndër shqetësimet kryesore në lidhje me këtë proces ka të bëjë me mungesën e një metodologjie të qartë, gjë që ka krijuar hapësirë që procesi të komprometohet në tërësi.

    Metodologjia e intervistimit është diskutuar në takimin e parë më 17 prill, mirëpo në atë takim nuk është finalizuar. Diskutimet për metodologjinë kanë vazhduar edhe në ditën e intervistave, vetëm pak minuta para ardhjes së kandidatëve. Pas një diskutimi të shkurtër, deputetët janë pajtuar për pyetje të njëjta, të cilat janë parashtruar me rotacion.

    Gjatë shqyrtimit janë ngritur çështje që lidhen me plotësinë e dokumentacionit dhe përmbushjen e kritereve të konkursit. Komisioni kishte vendosur që kandidatëve t’u jepet mundësia për plotësim të dokumentacionit. Vendimmarrja për lejimin e plotësimit të dokumentacionit tregon për një qasje më fleksibile, por njëkohësisht ngre çështje për konsistencën dhe barazinë në trajtimin e kandidatëve.

    Po ashtu, në disa situata deputetët diskutonin se sa anëtarë duhet të dërgohen, nëse janë bashkuar listat që janë gjeneruar nga disa shpallje dhe sa prej tyre janë nga komunitetet, iskutime që tregojnë qartë se deputetët ishin të painformuar dhe të papërgatitur për zhvillimin e këtij procesi.

    Paqartësitë rreth metodologjisë dhe nxitimi për ta përfunduar këtë proces sa më shpejt kanë krijuar një situatë ku disa kandidatë janë tërhequr, duke mos ardhur fare në intervistë, ndërsa një kandidat është tërhequr pasi është paraqitur në parlament për shkak të vonesave.

    Rikthimi i ish-anëtarëve të KPM-së

    Ndër kandidatët e rekomanduar për seancë plenare, dy persona kanë histori problematike me KPM-në. Besnik Berisha është ish-kryetar i kundërligjshëm i KPM-së, i cili u zgjodh më 17 janar 2025, vetëm tre ditë para skadimit të mandatit të kryetarit aktual, Jeton Mehmeti, përmes ndryshimit të kundërligjshëm të rregullores. Sipas padive të Institutit për Drejtësi të Kosovës, Gjykata Supreme ka anuluar ndryshimin ligjor dhe më pas Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shpallur të paligjshëm vendimin e KPM-së për zgjedhjen e tij në pozitën e kryetarit.

    Po ashtu, Luljeta Aliu Krasniqi, ish-anëtare dhe mbështetëse e hapur e pushtetit para dhe gjatë mandatit të saj në KPM, ka mbrojtur për vite të tëra Lëvizjen Vetëvendosje në debate publike. Këtë qëndrim ajo e ka vazhduar edhe gjatë zhvillimeve kyçe në institucion, përfshirë dëgjimet publike në Kuvend, në të cilat kritikohej pa të drejtë nga politikanët e pushtetit ish-kolegu i saj nga KPM-ja, Jeton Mehmeti.

    Rrjedhimisht, konsiderojmë që rikthimi eventual i ish-kryetarit të kundërligjshëm Besnik Berisha dhe mbështetëses së pushtetit Luljeta Aliu Krasniqi e vendos KPM-në në rrezik të drejtpërdrejtë të presionit politik dhe krijon precedent që persona që kanë shkelur ligjin të favorizohen sërish politikisht.

    Përfundim

    Ne konsiderojmë që mungesa e metodologjisë, nxitimi i deputetëve dhe favorizimi i personave që në mandatin e kaluar kanë shkelur ligjin dhe kanë mbështetur haptazi pushtetin e bëjnë këtë proces tërësisht të komprometuar dhe e politizojnë edhe më shumë KPM-në.

    Shkeljet e lartpërmendura kanë qenë lehtësisht të evitueshme dhe janë rezultat i nxitimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të emëruar anëtarët e KPM-së, duke sakrifikuar parimet e meritokracisë dhe ofrimit të mundësive të barabarta për të gjithë kandidatët.

    Një muaj më parë, Platforma e Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, pas një misioni faktmbledhës, konstatoi rënie të lirisë së medias në Kosovë dhe zhvillimet që kanë të bëjnë me KPM-në, sidomos sa i përket legjislacionit, ishin një ndër arsyet e këtij vlerësimi negativ. Pavarësia institucionale e KPM-së është kyçe për pluralizmin e medias dhe mund të garantohet vetëm përmes një komisioni të zgjedhur në një proces të rregullt dhe sipas meritokracisë. Komprometimi i këtij procesi, së bashku me atë për përzgjedhjen e anëtarëve të RTK-së, do të kontribuojë në përkeqësimin e mëtejmë të lirisë së medias në vend.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Lëvizja FOL

    Kosovo Law Institute – Instituti i Kosovës për Drejtësi

    Flutura Kusari – Aktiviste

  • Tahiri: Ura e Vranidollit është kthyer në torturë të përditshme për qytetarët e Llapit

    Tahiri: Ura e Vranidollit është kthyer në torturë të përditshme për qytetarët e Llapit

    Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ka ngritur shqetësimin për gjendjen në Urën e Vranidollit.

    Sipas tij, kjo urë është shndërruar në një “torturë të përditshme”, ku qytetarët përballen me rrezik të vazhdueshëm, pritje të gjata dhe stres të madh gjatë lëvizjes së tyre.

    “Rrezik, pritje të gjata dhe stres pa fund – kjo është ‘normalja’ që po u imponohet çdo ditë qytetarëve të Llapit,” ka deklaruar Tahiri.

    Ai ka bërë thirrje për reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se situata kërkon veprim urgjent dhe jo justifikime.

    Tahiri ka kërkuar që të merren masa konkrete për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të garantuar sigurinë dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve në këtë segment rrugor të rëndësishëm.