ATV

Category: Lajme

  • Miratohet kredia prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën nga BE-ja

    Miratohet kredia prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën nga BE-ja

    Ukraina ka njoftuar se ka rifilluar pompimin e naftës ruse përmes një tubacioni drejt Hungarisë dhe Sllovakisë, duke i dhënë fund një bllokimi disa mujor që lidhej me një kredi prej 90 miliardë eurosh, e konsideruar jetike nga Bashkimi Evropian për Kievin.

    Pas këtij zhvillimi, ambasadorët e BE-së, të mbledhur në Qipro, dhanë miratimin paraprak për kredinë dhe për paketën e 20-të të sanksioneve ndaj Rusisë, sipas zyrtarëve të cituar nga BBC, transmeton EO.

    Udhëheqësit e BE-së pritet ta formalizojnë vendimin në një samit informal të enjten.

    Megjithëse marrëveshja për financimin ishte arritur që në dhjetor, kryeministri në largim i Hungarisë, Viktor Orban, kishte vendosur veto në shkurt, pasi Ukraina njoftoi se furnizimet ishin ndërprerë si pasojë e dëmeve.

  • Kryeministri i ri hungarez, Magyar pritet të betohet më 9 maj

    Kryeministri i ri hungarez, Magyar pritet të betohet më 9 maj

    Lideri i ardhshëm i Hungarisë, Péter Magyar pritet të betohet si kryeministër më 9 maj, pasi presidenti Tamas Sulyok njoftoi se parlamenti i ri do të mblidhet për seancën e tij inauguruese në atë datë.

    Sulyok e bëri të ditur dje vendimin përmes një postimi në “Facebook”.

    Partia “Tisza”e Magyar, siguroi 52% të votave në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në fillim të këtij muaji, duke i dhënë fund 16 viteve në pushtet të kryeministrit Viktor Orbán.

    Sipas sistemit zgjedhor hungarez, ky rezultat përkthehet në një shumicë prej dy të tretash në parlament, e mjaftueshme për të ndryshuar kushtetutën.

    Pas propozimit nga presidenti, parlamenti mund të zgjedhë kryeministrin me mbështetjen e të paktën 50% të deputetëve.

    Zgjedhja e Magyar në postin e kryeministrit konsiderohet një formalitet.

    Sulyok u zgjodh president nga parlamenti në vitin 2024 me mbështetjen e partisë populiste “Fidesz” të Orbán.

    Magyar ka deklaruar se e konsideron Sulyok “jo legjitim” dhe ka kërkuar dorëheqjen e tij pas formimit të qeverisë së re.

    Ai ka paralajmëruar se nëse kjo nuk ndodh, grupi parlamentar i “Tisza-s” do të paraqesë ndryshime kushtetuese që do të mundësonin shkarkimin e tij nga detyra.

  • Abazi: Kurti nuk do afërsinë me SHBA, kushdo që ka ai ia pret rrugën e komunikimit

    Abazi: Kurti nuk do afërsinë me SHBA, kushdo që ka ai ia pret rrugën e komunikimit

    Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi tha se qeveria e Kurtit nuk po ndërton marrëdhënie të drejtpërdrejta dhe të qëndrueshme me SHBA. Abazi shtoi se Kosova po humb pozicionin e saj si partner i preferuar i SHBA-së në rajon, ndërsa kritikon distancimin e qeverisë nga aleanca strategjike.

    Për Abazin, SHBA e cilëson Kosovën si projektin më të rëndësishëm të diplomacisë.

    “Kurti nuk do të hyjë në marrëdhënie me SHBA dhe kushdo që ka, ia pret rrugën e komunikimit. Nëse e lë ambasadorin pa shofer, pa fonde minimale dhe për 6 vite qeveria nuk arrin të komunikojë me instancat, shkeput kontratat e lobimit. Lobimi është formë e vetme e angazhimit të Kongresit dhe Senatit.

    Osmani operon ndryshe, amerikanët kanë dashur formë të komunikimit të sinqertë; për amerikanët Kosova ka qenë projekti më i suksesshëm i diplomacisë.

    Shihni Afganistanin ku është, në Ballkan është duke u kërkuar partneri racional i SHBA dhe preferenca është të jenë shqiptarët. Por po i ofrojnë serbëve të krijojnë marrëdhënie për energji, po i kërkojnë grekëve. Kurti nuk e do afërsinë me SHBA.”, tha Abazi.

  • Ukraina propozon riemërtimin e pjesës së Donbasit në “Donnyland”

    Ukraina propozon riemërtimin e pjesës së Donbasit në “Donnyland”

    Zyrtarët ukrainas, gjatë negociatave të fundit për përfundimin e luftës, kanë propozuar një ide jo të zakonshme – riemërtimin e mundshëm të një pjese të Donbasit, ku ende po zhvillohen luftime, në “Donnyland”.

    Nisma u paraqit në kuadër të diskutimeve për të ardhmen e rajonit dhe për kompromiset e mundshme në procesin e paqes, shkruan thenewyorktimes.

    Propozime të ngjashme kanë dalë edhe më herët në praktikën ndërkombëtare, kur emra gjeopolitikë ose simbolikë janë lidhur me Donald Trump. Në veçanti, në vitin 2018, Polonia kishte propozuar që një bazë ushtarake amerikane në territorin e saj të quhej “Fort Trump”.

    Një shembull tjetër është regjistruar vitin e kaluar, kur Armenia dhe Azerbajxhani nënshkruan një marrëveshje paqeje në Shtëpinë e Bardhë. Në atë rast, një korridor i ri transporti u emërtua “Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar”.

    Propozimi për emrin “Donnyland” u bë një nga idetë informale të diskutuara gjatë kontakteve diplomatike. Ai lidhet me një pjesë të Donbasit që mbetet zonë aktive lufte dhe objekt i një përballjeje të zgjatur.

    Aktualisht nuk dihet se sa seriozisht po e shqyrtojnë palët në negociata këtë nismë, apo nëse ajo ka ndonjë shans për t’u zbatuar praktikisht. Megjithatë, vetë fakti i shfaqjes së saj tregon për një kërkim të zgjidhjeve jo të zakonshme në procesin e ndërlikuar të zgjidhjes së konfliktit.

    Diskutimet për opsionet e mundshme për të ardhmen e rajonit po vazhdojnë, dhe ide të tilla mund të konsiderohen si pjesë e një kuadri më të gjerë diplomatik që synon arritjen e kompromisit.

  • Maqedonci në Gjermani diskuton për thellimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes

    Maqedonci në Gjermani diskuton për thellimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes

    Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci zhvilloi një takim të veçantë me Sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes, Nils Schmid.

    Gjatë takimit, Maqedonci bëri të ditur se u diskutua mbi avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke vlerësuar lart mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kuadër të KFOR-it.

    Po ashtu, sipas ministrit u trajtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe zgjerimin e programeve të përbashkëta të trajnimit.

    “Shpreha mirënjohjen e thellë për përkrahjen e vazhdueshme dhe rolin konstruktiv të Gjermanisë, duke ritheksuar përkushtimin tonë për forcimin e partneritetit strategjik, zhvillimin sipas standardeve të NATO-s dhe kontributin e përbashkët në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal”, tha ai.

  • Bordi i ZRRE-së shqyrton ankesat e konsumatorëve, aprovon edhe disa vendime

    Bordi i ZRRE-së shqyrton ankesat e konsumatorëve, aprovon edhe disa vendime

    Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka mbajtur seancën e tretë për vitin 2026.

    Në këtë seancë, bordi ka shqyrtuar dhe aprovuar dokumentet si në vijim: Bilanci i energjisë elektrike për vitin 2026; Rregulla mbi kompensimin financiar për kufizimin sipas skemave mbështetëse; Rregulla për garancitë e origjinës; Plani 5-vjeçar për zhvillimin e rrjetit të transmetimit për periudhën 2026-2030; Plani 10-vjeçar për zhvillimin e rrjetit të transmetimit për periudhën 2026-2035 dhe Raporti i vlerësimit të konkurrencës në sektorin e energjisë për vitet 2024-2025.

    Bordi ka shqyrtuar po ashtu edhe amandamentimin e rregullave të tregut dhe përgjigjet ndaj komenteve ne raportin e monitorimit të HC “Ujmani”.

    Në këtë seancë është bërë edhe shqyrtimi i propozimit për vendosjen e obligimit të shërbimit publik për furnizim me shërbim universal me ç’rast ky obligim i është caktuar KESCO-s për periudhë 2-vjeçare, përkatësisht deri më 31 mars 2026.

    Është bërë edhe shqyrtimi i propozimitvendimit për përcaktimin e përgjegjësive të operatorit të energjisë së ripërtëritshme.

    Sa përket prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, është aprovuar lëshimi i autorizimit për subjektin juridik LE KOSOVO RENEWABLE ENERGY JSC dhe janë aprovuar edhe 53 kërkesa për marrjen e autorizimit për vetëkonsum, përkatësisht 38 persona fizikë dhe 15 subjekte juridike, me kapacitet total prej 2 MW.

    Në fund fare, ZRRE-ja deklaron se është bërë edhe shqyrtimi i ankesave të konsumatorëve dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

  • Kërkohet paraburgim për gruan që dyshohet ia vodhi rreth 180 mijë dollarë mërgimtarit nga Amerika

    Kërkohet paraburgim për gruan që dyshohet ia vodhi rreth 180 mijë dollarë mërgimtarit nga Amerika

    Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës A.K., e cila dyshohet për vjedhje të rëndë.

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura këtë vepër penale e ka kryer në fund të vitit 2025 dhe në fillim të vitit 2026 në një shtëpi banimi në Pejë.

    “Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, mes datave 29 nëntor 2025 dhe 26 janar 2026, në rrugën ‘Ndue Pёrlleshi’ nё Pejё, në një shtëpi banimi, duke pasur çelësin e kasafortës të pronarit dyshohet t’i ketë vjedhur shumën e parave prej 176.900 (njëqind e shtatëdhjetë e gjashtëmijë e nëntëqind) dollarë amerikanë dhe 3750 ( tremijë e shtatëqind e pesëdhjetë) euro dhe me pas largohet nga shtëpia pa u vërejtur nga askush. Andaj, sipas Prokurorisë, e njëjta me këto veprime do të kryente veprën penale “Vjedhje e rëndë” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themlore në Pejë.

    Ndryshe, ajo ishte arrestuar më 21 prill 2026 dhe ndodhet në ndalim në kohëzgjatje prej 48 orësh.

    Në njoftim thuhej se ankuesi, i cili është me banim të përkohshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar se në shtëpinë e tij në ‘sef’ ka lёnё njё shumё tё hollash prej 176.900 dollarë amerikanë dhe 3750 euro, tё cilat i janë vjedhur.

  • ​Komisioni për Punë të Jashtme i jep “dritën e gjelbër” Marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

    ​Komisioni për Punë të Jashtme i jep “dritën e gjelbër” Marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

    Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

    Për të gjithë anëtarët e komisionit, paraprakisht, komisioni kishte mbajtur një mbledhje të grupit punues ku u vendos që marrëveshja të miratohet siç ka ardhur në Kuvend pa ndryshimet për të cilat ishte diskutuar në mbledhjen e kaluar.

    Mazhoranca synonte të ndryshonte paragrafin dy të nenit dy të ujdisë./kp

  • Inspektohen 110 vendpunishte, Azemi: Gjobat ndaj pronarëve duhet të ashpërsohen

    Inspektohen 110 vendpunishte, Azemi: Gjobat ndaj pronarëve duhet të ashpërsohen

    Aksioni i Ministrisë së Punës në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës për inspektimin e sektorit të ndërtimtarisë po vazhdon.

    Sipas raporteve të 48-orëve të para, janë inspektuar 110 vendpunishte, janë ndaluar punimet në 50 prej tyre dhe janë dhënë 33 vërejtje.

    Bazuar në të njëjtat raporte, në Prishtinë janë inspektuar 12 vendpunishte, në Fushë Kosovë 10, në Ferizaj 13, në Gjilan 12, në Mitrovicë 13, në Lipjan 12, në Podujevë 11, në Drenas 11 dhe në Gjakovë 16.

    E si shkaktar kryesor për vdekjet në vendin e punës, nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, po vlerësohet mungesa e vigjilencës dhe nga pakujdesia e pronarëve të kompanive ndërtimore.

    Madje, ai potencon faktin që gjobat që i marrin këta pronarë nga Gjykatat ose inspektorët janë të buta dhe se duhet të ashpërsohen.

    “Edhe dënimet e gjykatave edhe të inspektorëve janë aq të buta sa që s’mund të marrësh me mend. Kur e shohim që një punëtor vdes në vendin e punës, një pronar ose menaxher i kompanisë mund të mbahet për 48 orë në stacionin e policisë dhe pastaj është i lirë. Mendoj që Inspektorati Qendror i Punës duhet të pajiset më shume me inspektorë të punës, inspektorë që dinë të zbatojnë Ligjin mbi Sigurinë dhe Shëndetin në rend të parë. Në rend të dytë, të jenë më vigjilent dhe rastet që i shohin se janë me rrezikshmëri duhet t’i mbyllin deri në një kohë të caktuar”, theksoi Azemi.

    Azemi thekson se 70 për qind të vdekjeve në vendin e punës vijnë nga sektori i ndërtimtarisë dhe mosha mesatare e viktimave është 38 vjeç.

    “Pjesa më e madhe e të vdekurve në vendin e tyre të punës vjen nga ndërtimtaria, ku 70 për qind të vdekjeve vjen nga ky sektor, ndërsa mosha mesatare e të vdekurve është 38 vjeç”, tha tutje ai.

    Azemi shton se pronarët e kompanive duhet të vetëdijësohen më shumë rreth këtyre problematikave dhe çdo pronar kompanie duhet të edukohet më shumë rreth rreziqeve në vendin e punës. Sipas tij, nëse të njëjtit respektojnë Ligjin mbi Sigurinë dhe Shëndetin, këto raste do të shmangeshin dhe nuk do të ndodhnin shpesh.

    Ky aksion i nisur në fillim të javës do të zgjasë gjithsej 15 ditë dhe do të zhvillohet në shtatë rajone.

  • Tahiri i përgjigjet Kurtit: Proceset serioze s’kryhen me WhatsApp, s’dërgoi letër zyrtare

    Tahiri i përgjigjet Kurtit: Proceset serioze s’kryhen me WhatsApp, s’dërgoi letër zyrtare

    Shefi i deputetëve të PDK-së, Arian Tahiri i është përgjigjur kryeministrit të vendit, Albin Kurti, pas deklaratave të tij për partitë opozitare dhe refuzimit të tyre për propozimet rreth gjetjes së një marrëveshjeje për çështjen e presidentit.

    Tahiri ka thënë se PDK-ja nuk ka refuzuar asnjë takim, por sipas tij, Kurti ka refuzuar ta konkretizojë iniciativën e re të tij përmes një letre zyrtare dhe për shkak të këtij refuzimi, sipas Tahirit, nuk janë zhvilluar më takime.

    Ai ka thënë se tashmë kjo çështje është e përfunduar, pasi që Këshilli Drejtues ka vendosur ta konsiderojë të përmbyllur kontributin e PDK-së në këtë proces.

    “Kemi shkuar në të gjitha takimet ku jemi ftuar në raundin e parë, në secilën ditë dhe në secilin vend. Kemi pritur katër javë të plota në raundin e dytë, pas afatit 34 ditor të Gjykatës Kushtetuese dhe asnjë ftesë zyrtare në adresë të PDK-së nuk ka ardhur. Mos të flasim pastaj për mesazhet e Ëhatsapp-it, me kërkesa për pazare, të cilët, thënë butësisht ishin edhe qesharakë. PDK-ja e trajton me seriozitet shtetin, të cilin ka dhënë kontribut kyç për ta formuar dhe ndërtuar. Zgjedhjet, nëse shkojmë, janë kryekëput pasojë e papërgjegjësisë së tij, mungesës së vullnetit politik dhe dëshirës për kontroll absolut institucional prej tij.”, ka thënë Tahiri.

    Ndërsa, lidhur me deklaratën e kryeministrit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, Tahiri ka thënë se është vetë Kurti ai që thoshte “Shko Hashim” dhe si kryeministër nuk e ka marrë mundin as t’i vizitojë në Hagë.