ATV

Category: Lajme

  • Izraeli vret militantin e Hamasit që ishte përfshirë në sulmet e vitit 2023

    Izraeli vret militantin e Hamasit që ishte përfshirë në sulmet e vitit 2023

    Një palestinez që mori pjesë në sulmin e udhëhequr nga Hamas më 7 tetor 2023 është vrarë pasi iu afrua forcave izraelite në jug të Rripit të Gazës dje, njoftojnë ushtria izraelite dhe shërbimi i sigurisë Shin Bet

    Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), ai u identifikua duke vepruar pranë të ashtuquajturës “Vija e Verdhë” dhe duke iu afruar njësive të Divizionit të Gazës “në një mënyrë që përbënte kërcënim të menjëhershëm”, pas së cilës u shënjestrua dhe u vra në një sulm ajror.

    Pas një rishikimi të inteligjencës, IDF dhe Shin Bet e identifikuan personin si Khamis Muhammad Khamis Qassas, i cili sipas tyre kishte marrë pjesë në inkursionin e 7 tetorit dhe kishte hyrë në Kibucin Nir Oz gjatë atij sulmi.

    Sulmi i 7 tetorit 2023 konsiderohet si një nga ngjarjet më të rënda në historinë e fundit të konfliktit izraelito-palestinez.

    Atë ditë, militantë të udhëhequr nga Hamas ndërmorën një sulm të koordinuar nga Rripi i Gazës drejt territorit të Izraelit, duke depërtuar në komunitete kufitare, baza ushtarake dhe zona civile në jug të vendit. Gjatë sulmit u përdorën armë zjarri, raketa dhe mjete të tjera luftarake, ndërsa pati edhe rrëmbime të civilëve dhe ushtarëve izraelitë.

    Sipas autoriteteve izraelite, qindra civilë u vranë në atë ditë dhe dhjetëra persona u morën peng dhe u dërguan në Gaza, duke shkaktuar një përshkallëzim të madh të luftës në rajon.

    Ushtria izraelite thotë se Qassas më vonë kishte “udhëhequr militantë të tjerë drejt zonës së Vijës së Verdhë për të avancuar plane për sulme ndaj trupave të IDF-së”. Gjithashtu, gjatë konfliktit, ai dyshohet se ka marrë pjesë dhe ka udhëhequr sulme të tjera ndaj ushtarëve dhe civilëve izraelitë, sipas deklaratës së ushtrisë.

    Ngjarja e fundit, sipas IDF-së dhe Shin Bet, ndodhi gjatë një operacioni në jug të Gazës, ku forcat izraelite vepruan ndaj një personi që e konsideruan si kërcënim të drejtpërdrejtë në terren.

  • Detaje të reja për vrasjen e trefishtë në Podgoricë

    Detaje të reja për vrasjen e trefishtë në Podgoricë

    25-vjeçari Vehid Muriç është i dyshuari për vrasjen e vëllezërve Denis (28) dhe Nezir Hoti (35) nga Rozhaja dhe Kenan Miraljemoviqit nga Novi Pazari, të martën në Podgoricë.

    Krimi që ndodhi në një banesë me qira në Podgoricë, ku katër punëtorë ndërtimi jetonin së bashku, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Malit të Zi, është paraprirë nga “mosmarrëveshje personale mes personave të privuar nga jeta dhe të dyshuarit”.

    Pas rastit, 25-vjeçari dyshohet se më pas ka shkuar në vendlindjen e tij në Rozhajë tek familja e tij.

    Pak pas orës 20:00 mbrëmë, Policia e Malit të Zi njoftoi se Muriç ishte arrestuar.

    “Vijesti” raporton se katër punëtorët e ndërtimit ishin përfshirë në një debat për borxh.

    Policia ka bërë të ditur zyrtarisht se vrasjes, në të cilën është përdorur armë e ftohtë, i kanë paraprirë “mosmarrëveshje personale mes personave të vrarë dhe të dyshuarit”.

  • Kryeministri në ardhje i Hungarisë: Do ta arrestoj Netanyahun

    Kryeministri në ardhje i Hungarisë: Do ta arrestoj Netanyahun

    Kryeministri në ardhje i Hungarisë, Peter Magyar, ka deklaruar se Hungaria do ta arrestonte kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, nëse ai do ta vizitonte vendin nën udhëheqjen e re.

    Magyar ka thënë se vendi do të respektonte detyrimin e tij për të ndaluar udhëheqësit në territorin e tij, nëse ata janë të kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC).

    Magyar gjithashtu ka thënë se do të anulojë vendimin e paraardhësit të tij Viktor Orban për të dalë nga gjykata me seli në Hagë.

    ICC-ja ka lëshuar një urdhër arresti për Netanyahun për krime të dyshuara kundër njerëzimit, në lidhje me luftën në Gazë.

    Hungaria, nën udhëheqjen e Orbanit, është bërë vendi i parë evropian që ka sfiduar urdhrin e ICC-së, duke refuzuar të arrestojë liderin izraelit kur ai mbërriti në aeroportin e Budapestit vitin e kaluar.

    Ekspertët ligjorë kanë thënë se kjo lëvizje mund ta shndërrojë Hungarinë në një strehë për kriminelë ndërkombëtarë lufte.

    Orban gjithashtu ka sugjeruar se ishte i gatshëm të mirëpriste Vladimir Putinin, gjithashtu subjekt i një urdhri arresti nga ICC-ja për krime të dyshuara lufte në Ukrainë, për bisedime paqeje me Donald Trumpin.

    Por Magyar, i cili fitoi zgjedhjet e 12 prillit me një shumicë të thellë dhe është bërë kryeministri më i ri i Hungarisë pas 16 vjetësh të Orbanit në pushtet, e sheh përmbysjen e këtyre vendimeve si pjesë të planit për të rikthyer marrëdhëniet e Hungarisë me BE-në.

    Duke rikthyer aleancat në Bruksel, ai shpreson të sigurojë miliarda euro financim nga BE-ja.

    Në një konferencë për shtyp të hënën, Magyar është pyetur për një ftesë që i kishte bërë Netanyahut për të marrë pjesë në një ngjarje që përkujton kryengritjen e dështuar të vitit 1956 kundër Bashkimit Sovjetik.

    “Çdo lider është i mirëpritur të marrë pjesë në këtë përkujtim të rëndësishëm”, ka thënë Magyar për gazetarët.

    Duke iu referuar urdhrit të arrestimit të ICC-së ndaj liderit izraelit, ai ka shtuar se: “Ne kemi detyrim ligjor të zbatojmë vendimet e gjykatës, dhe jam i sigurt se ai e di këtë”.

  • Emërimi i anëtarit të fundit në KQZ, Haxhiu: Do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë

    Emërimi i anëtarit të fundit në KQZ, Haxhiu: Do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë

    11 prilli ishte afati i fundit kur duhej të emërohej anëtari i fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), raporton Ekonomia Online.

    Por, edhe pse kanë kaluar të gjitha afatet emërimi i tij nuk ka ndodhur ende.

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu ka folur sot për këtë çështje duke thënë se ky proces është dashur të përmbyllet nga presidentja Vjosa Osmani-Sadriu.

    Ajo, ka shtuar se për këtë çështje do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë.

    “Në raport me këtë çështje, janë tejkaluar të gjitha afatet, mendoj që ka qenë një proces kushtetues që është dashur të përmbyllet nga Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu. Do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë. Unë kam thënë që proporcionaliteti, përfaqësimi dhe fuqia politike nuk mund të shkelen. Nuk mund unë që ta mohoj vullnetin e qytetarëve, nuk mund që ta shtyp atë, ose që me një vendim timin të veproj në kundërshtim”, ka shtuar Haxhiu.

  • Vdekja e Auron Thaqit, vazhdon gjykimi ndaj dy të akuzuarve

    Vdekja e Auron Thaqit, vazhdon gjykimi ndaj dy të akuzuarve

    Seanca gjyqësore për rastin e vdekjes tragjike të Auron Thaqit në Prizren pritet të vazhdojë nesër në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

    Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj Enes Ay dhe Hajrullah Brcanit, të cilët në seancën fillestare janë deklaruar të pafajshëm.

    Seanca e radhës është caktuar të mbahet të enjten, më 23 prill 2026, duke filluar nga ora 13:15.

  • Rama takohet me Mitsotakis në Athinë: Do kapërcejmë çështjet e mbartura Shqipëri-Greqi

    Rama takohet me Mitsotakis në Athinë: Do kapërcejmë çështjet e mbartura Shqipëri-Greqi

    Kryeministri Edi Rama ndodhet në Greqi, ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit.

    Rama ka zhvilluar një takim me homologun e tij Kyriakos Mitsotakis, me të cilin ka diskutuar një sërë çështjesh, mes të cilash edhe kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes Shqipërisë dhe Greqisë.

    “Me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri. Përgjatë kësaj rruge jo vetëm momentet më të mira, po edhe ato më të vështirat janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka, ndërkohë që po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik”, shkruan Rama.

  • Kuvendi i KMSHK-së mori vendim për tetë ankesa

    Kuvendi i KMSHK-së mori vendim për tetë ankesa

    Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 8 ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohen tri nga to, një të miratohet pjesërisht, dy të refuzohen dhe dy ankesa të shpallen të patrajtueshme.

    Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përkatësisht Kapitullit II – Raportimi i së vërtetës, Kapitullit IV – E drejta për t’u përgjigjur, Kapitullit V – Personat e përfshirë në incidente, aksidente, të arrestuar apo të akuzuar për vepra penale, Kapitullit VI – Trajtimi i tragjedive personale, mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve dhe Kapitullit VII – Privatësia dhe mbrojtja e burimeve.

    KMShK ka miratuar ankesën e Nasuf Hasanit kundër Insajderi.org shkrimi me titull “’Tragjedia’ e Avokatit të Kryeparlamentares: Kur Oda e Avokatëve të lë pa ‘Kënaqësi Jete’”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur.

    KMShK ka miratuar ankesën e Kushtrim Reshitajt kundër Rahoveci24.com për publikimin e fotografisë së një mituri dhe cilësimeve ndaj tij, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli VI i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjnë me raportimin për të miturit.

    KMShK ka miratuar ankesën e Fatjon Bytyqit kundër Sinjali.com për publikimin e fotografisë së një qytetari, bashkë me pretendimet se ai është kryes i veprave penale, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli V i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjnë me prezumimin e pafajësisë,

    KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën Ministrisë së Sportit dhe Rinisë kundër Nacionale.com, lidhur me pretendimet për largimin e një fotografie nga zyra e ministrit, duke konstatuar se është shkelur pjesërisht Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës.

    KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Granit Gojanit kundër Nacionale.com lidhur me publikimin e disa shkrimeve, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe VII të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht mbrojtjen e burimeve dhe privatësinë, ashtu siç pretendon pala ankuese.

    KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Ardian Berishës kundër Buletiniekonomik.com për shkrimin me titull “Konsulencat për ZRrE përfunduan te kompania e ish-drejtorit të tarifave”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, ashtu siç pretendon pala ankuese.

    KMShK e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Limi Project Sh.P.K dhe Rinesa Sh.P.K
    kundër Berat Buzhalës, pasi që KMShK nuk ka kompetencë të merret me ankesat ndaj individëve, në këtë rast ndaj një gazetari.

    KMShK e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Adriana Hoxhiqit, përfaqësuar nga avokati Arbër Shala, kundër faqes në Facebook “Veriu i Kosovës”, pasi që nuk ka kompetencë të trajtojë përmbajtjet e publikuara në rrjetet sociale.

  • Shpërthimi i deputetit Geci, iu drejtua me fjalë të rënda edhe Vlora Çitakut

    Shpërthimi i deputetit Geci, iu drejtua me fjalë të rënda edhe Vlora Çitakut

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, përdori gjuhë denigruese ndaj deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, përgjatë seancës për energjinë elektrike.

    Teksa kritikohej për deklaratën që dha, duke uruar që ish-presidenti Hashim Thaçi të dënohet në Hagë sikurse Naim Murseli me burgim të përjetshëm, iu drejtua me gjuhë denigruese deputetes Çitaku.

    “I ke bë 100 vjet, ke mbetë pa martu. Gru e keqe”, dëgjohet duke i thënë Çitakut, derisa kjo e fundit dëgjohet tek i thotë: “Mos ashtu”.

    I njëjti deputet dje, përdori fjale te renda drejtuar ish-presidentit të Kosovës Hashi Thaçi i cili ndodhet në Hagë.

    Ai ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për ish-presidentin Hashim Thaçi, gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës.Geci tha se Thaçin do ta ndjek fati i Naim Murselit, i cili u dënua sot me burgim të përjetshëm.

    “Sot, dua të përshëndes vendimin e gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murseli. Dhe ju (duke iu drejtuar deputetëve të PDK-së) që shpresoni se lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat. Por, edhe nëse lirohet ai nuk ka kurrfarë kredibiliteti përball Albin Kurtit”, deklaroi Geci mes të tjerash.

  • Presidenti libanez thotë se po zhvillohen komunikime për të zgjatur armëpushimin Izrael-Liban

    Presidenti libanez thotë se po zhvillohen komunikime për të zgjatur armëpushimin Izrael-Liban

    Janë duke u zhvilluar komunikime “për të zgjatur afatin e armëpushimit” mes Izraelit dhe Libanit, ka thënë presidenti i Libanit, Joseph Aoun.

    Kjo vjen para raundit të dytë të bisedimeve në Uashington DC të enjten mes dy vendeve, të cilat ndodhen në një armëpushim të përkohshëm 10-ditor që hyri në fuqi në orën 17:00 EST (21:00 GMT, mesnatë sipas kohës lokale) më 16 prill.

    Në një postim në X, Aoun thotë se bisedimet që po përgatiten janë “të bazuara në ndalimin e plotë të agresioneve izraelite, arritjen e tërheqjes së Izraelit nga territoret libaneze, kthimin e të burgosurve, vendosjen e ushtrisë në kufijtë ndërkombëtarë dhe fillimin e rindërtimit të asaj që u shkatërrua gjatë kësaj lufte”.

    Aoun thotë se qëndrimi i Libanit për “negociatat është i qartë: pa lëshime, pa pazare dhe pa dorëzim, përveç asaj që garanton sovranitetin e Libanit dhe interesat e të gjithë libanezëve”.

    Mbështetja nga SHBA-ja i ka ofruar Libanit një “mundësi që nuk duhet ta humbasim”, thuhet në postimin e zyrës së tij.

  • Takimi Hoti – Vataj, diskutohen sfidat e sigurisë në sektorin e ndërtimit

    Takimi Hoti – Vataj, diskutohen sfidat e sigurisë në sektorin e ndërtimit

    Kryetari i Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë, Valon Vataj, pas takimit me Ministrin për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se kanë diskutuar për problematikat me të cilat po përballet ky sektor, raporton Ekonomia Online.

    Duke folur për temat e trajtuara në takim, ai theksoi problematikat që po përballet ky sektor.

    “Fillimisht e falënderuam ministrin për gatishmërinë që pati për me na prit sot për me i diskutu problematikat që kemi si sektor i ndërtimit. Ne si Shoqatë e Ndërtimit nuk përfaqësojmë vetëm ndërtuesit në Kosovë, përfaqësojmë komplet sektorin e ndërtimit duke përfshirë edhe qytetarët që kanë të bëjnë me sektorin e ndërtimit. U diskutua për problematikat aktuale të cilat janë sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë. Ne erdhëm me disa kërkesa sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë duke përfshirë nga shpërndarja e përgjegjësisë, duke pasë parasysh praktikat e Bashkimit Evropian që janë punëdhënësi, punëtori dhe institucioni. Ju ofruam bashkëpunim ministrit dhe ministrisë sa i përket neve si shoqatë, do të jemi një urëlidhëse mes institucioneve dhe sektorit të ndërtimit“, tha ai.

    I pyetur për rastet e fundit të vdekjeve në vendin e punës dhe zgjidhjet e mundshme, Vataj tha se i kanë përmendur edhe masat që duhet të ndërmerren.

    “Ne gjatë takimit i ngritëm të gjitha këto problematika duke pasë parasysh që edhe punëtorët duhet me u bë pjesë e përgjegjësisë sa i përket sigurisë në punë për respektimin e standardeve të sigurisë. Normalisht sa i përket punës së vendosjes së elementeve të sigurisë ato janë të padiskutueshme, ne nuk kemi ardhë që të kërkojmë diçka për lehtësim se ato janë standarde që nuk diskutohen. Mirëpo sa i përket punës së zbatimit të tyre do të kenë përgjegjësi edhe punëtorët sigurisht, ata që janë pjesë e punës; në qoftë se ato nuk zbatohen atëherë është problem shumë. Njëkohësisht një shqetësim për neve si shoqatë është edhe puna e certifikimeve, në këtë rast edhe puna e trajnimeve për siguri në punë, e cila kohët e fundit po shihet si një lloj formaliteti. Dhe e ngritëm si shqetësim te ministri për të marrë masa më të rrepta sa i përket certifikimit për sigurinë dhe shëndetin në punë“, tha ai.

    Ndërsa lidhur me përgjegjësinë e punëdhënësve për rastet në vendin e punës, ai tha se e kanë diskutuar edhe këtë çështje.

    “Ne e ngritëm këtë si problem, se për neve si shoqatë është jashtëzakonisht… është njëra prej sfidave më të mëdha kjo. Edhe tash pritet me u bë plotësim-ndryshimi në ligj edhe ne do të jemi pjesë e këtij ndryshimi, plotësim-amendamenteve të cilat kanë me qenë për me e plotësu ligjin, kuptohet konform standardeve të Bashkimit Evropian. Besoj që këto kanë me u bë edhe pjesë e diskutimeve dhe njëkohësisht u diskutua dhe u pajtuam bashkërisht që në ditët në vijim të fillojmë një fushatë sensibilizuese, vetëdijësuese për ndërtimin, kompanitë e ndërtimit dhe sigurinë dhe shëndetin në vendpunishte“, përfundoi ai.