ATV

Category: Lajme

  • Tahiri: Kosova po hyn në fazën e absurditeteve veç pse Kurti nuk e dëshiron unitetin politik

    Tahiri: Kosova po hyn në fazën e absurditeteve veç pse Kurti nuk e dëshiron unitetin politik

    Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka e ka kritikuar ashpër kryeministri Albi Kurti.

    Ajo ka bërë me dije se për shkak të tekeve të tij Kosova po hyn në fazën e absurditeteve.

    Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se unitetin që Kosova kishte në fazat e mëhershme.

    “Kosova serish po hyn ne fazen e absurditeteve vec pse lideri i partise ne pushtet nuk e njeh dhe nuk e deshiron unitetin politik – ndonse dihet se uniteti politik e beri Kosoven shtet te pavarur, demokratik e sovran me vizion euroatlantik”, ka shkruar Tahiri.

  • Policia e Kosovës trajnohet bashkë me KFOR-in për situata emergjente mjekësore

    Policia e Kosovës trajnohet bashkë me KFOR-in për situata emergjente mjekësore

    Zyrtarët e Policisë së Kosovës morën pjesë në trajnimin emergjent mjekësor të udhëhequr nga ushtarët e KFOR-it në Mitrovicën e Veriut.

    Trajnimi u përqendrua në teknikat e shpëtimit të jetës, duke përfshirë menaxhimin e rrugëve ajrore dhe lëvizjen e viktimave, forcimin e aftësisë së reaguesve për të ofruar kujdes të menjëhershëm në situata kritike

    “Aktivitete të tilla pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it me reaguesit e sigurisë lokale, përkrahjen e zhvillimit profesional dhe rritjen e efektivitetit operacional në mbështetje të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë“.

  • Çfarë dihet për anijet kontejnerë të sulmuara nga Irani?

    Çfarë dihet për anijet kontejnerë të sulmuara nga Irani?

    Dy anije evropiane me kontejnerë janë sulmuar gjatë kalimit në Ngushticën e Hormuzit.

    Sky News raporton se anijet janë MSC Francesca dhe Epaminondas.

    Qendra e Operacioneve Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) tha se të dy anijet me kontejnerë janë qëlluar nga një anije luftarake (gunboat).

    MSC Francesca operohet nga MSC, një kompani me bazë në Zvicër që menaxhon flotën më të madhe të anijeve me kontejnerë në botë.

    Epaminondas është në pronësi të kompanisë greke Kalmar Maritime.

    Zgjatet armëpushimi mes amerikanëve dhe iranianëve – MINUTË PAS MINUTE

    Të dy anijet po udhëtonin drejt lindjes, në drejtim të Gjirit të Omanit, herët këtë mëngjes kur u sulmuan.

    Të dhënat e MarineTraffic të Mbretërisë së Bashkuar tregojnë se të dyja anijet e kaluan ngushticën me sistemet e tyre të gjurmimit të fikura, përpara se t’i aktivizonin sërish rreth kohës kur ndodhën sulmet.

    Një anije e tretë me kontejnerë ndodhej në të njëjtën zonë në atë kohë, dhe të dhënat e saj të gjurmimit sugjerojnë se mund të jetë shënjestruar gjithashtu.

    UKMTO tha se një anije mallrash që po dilte nga zona u qëllua rreth tetë milje detare në perëndim të Iranit, por më pas u ndal në ujë dhe të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë të sigurt dhe të llogaritur.

    Në një përditësim të veçantë, u tha se një anije me kontejnerë ka pësuar “dëme të mëdha” pasi iu afrua nga një anije luftarake e Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) rreth 15 milje detare në verilindje të Omanit, e cila hapi zjarr dhe goditi urën e anijes. /Telegrafi/

  • Lufthansa shkurton 20,000 fluturime për shkak të rritjes së kostove të karburantit për aeroplanë

    Lufthansa shkurton 20,000 fluturime për shkak të rritjes së kostove të karburantit për aeroplanë

    Lufthansa ka thënë se 20,000 fluturime me distanca të shkurtra po shkurtohen nga orari i saj këtë verë, duke i lejuar asaj të kursejë nga kostoja në rritje e karburantit për aeroplanë.

    Shumica e shkurtimeve vijnë nga mbyllja e flotës së saj CityLine, e cila rezulton në humbje, dhe nxjerrja në pension e 27 aeroplanëve të saj, transmeton Telegrafi.

    Ajo fajësoi koston e karburantit për aeroplanë, e cila tha se ishte më shumë se dyfishuar, si dhe mosmarrëveshjet e punës me fuqinë punëtore të saj.

    Shumica e linjave ajrore po përballen me kosto në rritje, ndërsa furnizimet me naftë në Lindjen e Mesme mbeten kryesisht të ndërprera për shkak të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit.

    Konsumatorët gjithashtu po e ndiejnë presionin me çmimet e biletave që fillojnë të tregojnë rritje të ndjeshme.

    Shefi i Ryanair, Michael O’Leary, i tha Sky News këtë muaj se ekziston rreziku që furnizimet me karburant të ndërpriten nga maji nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur.

    Ai tha se kostot e naftës ishin pjesë e “pasojave më të gjera”, por “shqetësimi më i menjëhershëm” ishin furnizimet me karburant për aeroplanë.

    Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë i tha gjithashtu Associated Press javën e kaluar, se Evropës i kishin mbetur “ndoshta gjashtë javë karburant për avionë”.

    Në një deklaratë të martën, Lufthansa tha se 20,000 fluturimet e anuluara do të kursenin 40,000 ton karburant për aeroplanë gjatë periudhës deri në tetor – duke shtuar se shkurtimet përfaqësonin vetëm 1% të “kilometrave të vendeve të disponueshme”.

    Kompania tha se po konsolidonte rrjetin e saj evropian dhe se rrugët e pafitimprurëse nga qendrat e saj të Frankfurtit dhe Mynihut po anuloheshin, ndërsa rrugët ekzistuese nga Cyrihu, Brukseli dhe Vjena po zgjeroheshin.

    Transportuesi gjerman tha se pasagjerët do të ishin ende në gjendje të hynin në rrjetin e saj global të rrugëve dhe lidhjet e gjata.

    Megjithatë, kapaciteti i fluturimeve të gjata i Lufthansës do të zvogëlohet disi në fund të verës, kur të humbasë gjashtë aeroplanë ndërkontinentalë.

    Dy Boeing 747 ikonikë do të lihen në tokë për dimër përpara lamtumirës së tyre të fundit diku në vitin 2027. Katër Airbus A340-600 gjithashtu do të dalin në pension përgjithmonë në tetor. /Telegrafi/

  • Krijimi i Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, Kurti: Është aleancë ndërmjet qytetarëve dhe shtetit

    Krijimi i Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, Kurti: Është aleancë ndërmjet qytetarëve dhe shtetit

    Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është mbajtur aktiviteti për themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës.

    Pjesëmarrës në këtë zhvillim ishte kryeministri Albin Kurti, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla e ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, transmeton Klankosova.tv.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kjo gardë e sjell shtetin më afër terrenit.

    “Garda është shprehje e ndryshimi të thellë një shtet që reagon dhe parandalon me kohë kjo shërben si masë paraprake ndaj dëmve që tashmë janë shkaktuar. Natyra ka qenë hapësirë pa zot nuk ka dominuar ligji. Mandatin e kaluar janë investuar mbi 10 milionë euro për lumenjtë.Do të mbyllim të gjitha deponitë ilegale do të ketë ndëshkime të ashpra për ndotësit. Një Republikë nuk mbrohet në ajër të ndotur e lumenj të degraduar. Garda është aleancë ndërmjet qytetarëve dhe shtetit për të parandaluar çdo dëm, e sjell shtetin më afër terrenit”, tha Kurti.

    Në anën tjetër ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli tha se garda është instrument konkret që ndihmon në parandalimin e krimeve mjedisore.

    “Po ndërtojmë një qasje të re për të natyrën si pasuri të përbashkët. Garda është instrument konkret që ndihmon në parandalim të krimeve mjedisore dhe këtu do të nënshkruajmë memorandum për krijimin e kësaj garde. Nga sot janë rreth 100 gardian shpejt do bëhemi 1000 e pse jo edhe 90000. Nga sot ju jeni aleatët tanë kjo gardë është e hapur për çdo qytetar”, tha ajo.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se kjo marrëveshje është mekanizëm që çdo abuzim të mos mbetet pa përgjegjësi.

    “Marrëveshja përmes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit është mekanizëm që çdo abuzim të mos mbetet pa përgjegjësi. Fokusi ynë është edhe parandalimi do të ndërtojmë një sistem ku dëmtimi i mjedisit do bëhet më i vështirë”, tha ai./KlanKosova.tv.

  • Zgjedhjet e reja? KQZ: Do të veprojmë në përputhje me mandatin kushtetues

    Zgjedhjet e reja? KQZ: Do të veprojmë në përputhje me mandatin kushtetues

    Në rast se deri më 28 prill deputetët e Kuvendit nuk arrijnë të zgjedhin presidentin, Kosova pritet të hyjë në një proces të ri të zgjedhjeve të parakohshme.

    E, këto zgjedhje do të ishin një angazhim i ri për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që gjatë vitit 2025 organizoi zgjedhjet e rregullta për Kuvend të 9 shkurtit, zgjedhjet lokale të 12 tetorit, përfshirë raundin e dytë për kryetarë komunash më 9 nëntor dhe zgjedhjet e parakohshme për Kuvend më 28 dhjetor.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për EkonomiaOnline se mbajtja e zgjedhjeve të reja në një periudhë kaq të shkurtër përbën sfidë për KQZ-në, por si institucion kushtetues ajo është e obliguar t’i organizojë ato sa herë që kërkohet, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

    “Mbajtja e një tjetër procesi zgjedhor, në një interval kaq të shkurtër pas zgjedhjeve të fundit dhe pas gjithë atyre proceseve zgjedhore të vitit të kaluar, natyrisht se paraqet një ngarkesë dhe sfidë të konsiderueshme për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe administratën e tij. Megjithatë, si institucion i përhershëm me përgjegjësi themelore organizimin e zgjedhjeve, KQZ mbetet e përkushtuar të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për zhvillimin e çdo procesi të ri zgjedhor, sa herë që kjo kërkohet”, tha Elezi.

  • Spitali i Pejës nis zbatimin e sistemit të triazhimit në Emergjencë nga 1 maji

    Spitali i Pejës nis zbatimin e sistemit të triazhimit në Emergjencë nga 1 maji

    Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se nga data 1 maj 2026 do të fillojë zbatimi i sistemit të triazhimit në Repartin e Emergjencës, me synim rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe menaxhimin më efikas të rasteve.

    Sipas njoftimit, të gjithë pacientët që paraqiten në Emergjencë do t’i nënshtrohen procesit të triazhimit që në hyrje, në përputhje me protokollet e standardizuara, për të përcaktuar nivelin e urgjencës. Trajtimi do të ofrohet në bazë të prioritetit mjekësor, duke filluar nga rastet me rrezik të menjëhershëm për jetën.

    Pacientët që nuk klasifikohen si raste emergjente do të orientohen për trajtim në kujdesin parësor shëndetësor ose në shërbimet përkatëse specialistike.

    Spitali ka bërë të ditur edhe rregulla të reja për hyrjen dhe qarkullimin në këtë repart. Hyrja në Emergjencë do të lejohet vetëm për rastet emergjente, ndërsa ndalohet përdorimi i këtij reparti si hyrje për në repartet tjera të spitalit. Po ashtu, pacientët dhe vizitorët nuk do të mund të kalojnë nga Emergjenca në repartet tjera.

    Për qasje në repartet e tjera, qytetarët obligohen të përdorin hyrjet zyrtare, përfshirë hyrjen për bllokun kirurgjik dhe atë për bllokun internistik.

    Në kuadër të rregullave shtesë, është theksuar se hyrja në Emergjencë do të jetë e kufizuar vetëm për pacientët, ndërsa lejohet vetëm një përcjellës dhe vetëm në raste të domosdoshme. Personat e tjerë duhet të qëndrojnë jashtë hapësirave të këtij reparti.

    Mosrespektimi i këtyre rregullave do të konsiderohet shkelje dhe do të trajtohet sipas rregulloreve në fuqi.

    Sipas Spitalit të Pejës, ky organizim synon të sigurojë funksionim më të rregullt, të sigurt dhe efikas të Repartit të Emergjencës, duke garantuar shërbime profesionale dhe të barabarta për të gjithë pacientët.

  • Monopol në pistë: Kush përfiton nga furnizimi me karburante në Aeroportin e Prishtinës?

    Monopol në pistë: Kush përfiton nga furnizimi me karburante në Aeroportin e Prishtinës?

    Në një aeroport ku çdo ditë ngrihen dhe ulen mbi 40 fluturime, një pjesë e rëndësishme e zinxhirit ekonomik mbetet e pandryshuar prej 15 vjetësh: furnizimi me karburante.

    Vendimi më i ri për zgjatjen e kontratës së furnizimit me kerozinë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” (ANP) nuk ishte thjesht një akt administrativ – ai riktheu në qendër të debatit një çështje më të thellë: mënyrën se si menaxhohen shërbimet kritike në aeroport dhe mungesën e konkurrencës në treg.

    Kontrata që zgjatet, tregu që nuk hapet

    Kompania Exfis do të vazhdojë të jetë furnizuesja e vetme me karburante e avionëve në ANP deri në fund të vitit 2032.

    Kontrata, të cilën Radio Evropa e Lirë e siguroi nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), përcakton se ajo ka hyrë në fuqi më 1 janar 2026 dhe do të mbetet e vlefshme deri më 31 dhjetor 2032.

    Në praktikë, kjo nënkupton zgjatje prej shtatë vjetësh e pozitës ekskluzive të kësaj kompanie në tregun e furnizimit me karburante në ANP – një rol të cilin e mban pa konkurrencë që nga viti 2011.

    AAC-ja thekson se miratimi i kërkesës së kompanisë Exfis përbën vazhdim të një vendimi të mëparshëm dhe se ai është bërë pas vlerësimit të të gjitha kërkesave rregullatore në fuqi.

    Sipas AAC-së, institucioni nuk është përgjegjës për përzgjedhjen e operatorit, por vetëm për mbikëqyrjen e sigurisë dhe përputhshmërisë rregullatore.

    Në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë, ajo sqaron se kjo kompetencë është e përcaktuar në kontratën e koncesionimit të aeroportit, të nënshkruar në vitin 2010, sipas së cilës vendimmarrja për përzgjedhjen e operatorëve për shërbimet në tokë i takon operatorit të aeroportit – në këtë rast Limak Kosovo International Airport.

    REL-i iu drejtua kompanisë Limak me pyetjen nëse ka pasur ndonjë tender të hapur apo procedurë konkurruese për përzgjedhjen e operatorit që ofron shërbimin e furnizimit me karburante në ANP, por nuk mori përgjigje.

    Ngjashëm, nuk u përgjigj as Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

    Aeroporti i Prishtinës iu dha me koncesion operatorit turk, Limak, për 20 vjet, me obligim investimi deri në 100 milionë euro dhe me kthim prej mbi 39% të të hyrave bruto për shtetin.

    Në vitin 2024, afati u zgjat edhe për 20 muaj shtesë nga Qeveria e Kosovës, për shkak të ndikimit të pandemisë COVID-19.

    Rregullorja kërkon konkurrencë, por tregu mbetet i mbyllur

    Zgjatja e kontratës për Exfis-in justifikohet me rregulloren 04/2011 për qasjen në tregun e shërbimeve në tokë, e plotësuar në vitin 2019.

    Por, pikërisht kjo rregullore parasheh që, pasi aeroporti të kalojë pragun prej dy milionë udhëtarësh, ai duhet të operojë me më shumë se një operator ekonomik për ofrimin e shërbimeve.

    Sipas të dhënave të AAC-së, gjatë vitit 2025 janë realizuar 14.981 fluturime, ose mesatarisht mbi 41 në ditë, ndërsa numri i udhëtarëve ka kaluar 4.6 milionë.

    Rregullorja e ndryshuar lejon edhe kufizimin e numrit të operatorëve, por jo më pak se dy.

    AAC-ja konfirmon se nuk ka pranuar asnjë kërkesë për kufizimin e numrit të furnizuesve.

    Radio Evropa e Lirë iu drejtua edhe Qeverisë së Kosovës me pyetje lidhur me masat që mund të ndërmarrë për hapjen e tregut dhe zbatimin e rregullores në fuqi, por nuk mori përgjigje.

    Institucionet me përgjegjësi të paqarta

    Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka deklaruar më 12 mars se Exfis nuk është licencuar nga AAC-ja për këtë shërbim, duke shtuar se përgjegjësia për furnizimin me karburante buron nga kontrata e koncesionit të aeroportit, e nënshkruar në vitin 2010.

    Sipas tij, kompania koncesionare Limak Kosovo International Airport e ka për detyrë të sigurojë funksionimin e këtij shërbimi.

    “As Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës dhe as Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e Kosovës nuk vendosin për këtë çështje. Kjo kompetencë është përcaktuar në kontratën e koncesionimit të aeroportit, të nënshkruar në vitin 2010, ku, sipas asaj kontrate, Limak-u është përgjegjës të sigurojë që gjatë gjithë kohës të ekzistojë shërbimi i furnizimit me karburant në aeroport”, ka shkruar Basha në rrjetet sociale.

    Procesi për hapjen e tregut i ndërprerë

    Ish-drejtori i AAC-së, Eset Berisha, thotë se përpjekjet për të hapur tregun kishin nisur vite më parë, por nuk u finalizuan.

    “Disa kompani kishin plotësuar kushtet për certifikim. Ky ishte një hap paraprak për organizimin e tenderit, por pas largimit tim nuk kam informacione se si ka vazhduar procesi”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Berisha u shkarkua në vitin 2020, pas rreth një viti në detyrë, nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr edhe atëkohë nga Lëvizja Vetëvendosje, me arsyetimin për shkelje të detyrave profesionale, por vetë Berisha e cilësoi vendimin si politik.

    Ndërkohë, asnjë nga kompanitë e derivateve të naftës, të kontaktuara nga REL-i, nuk pranoi të deklarohet publikisht nëse do të hynte në tregun e furnizimit me karburant në aeroport, në rast se ai do të hapej.

    Nga AAC-ja konfirmojnë se gjatë viteve të kaluara kanë pranuar aplikime nga kompani të ndryshme të interesuara për të ofruar shërbime të tilla.

    Por, sipas saj, këto aplikime nuk kanë rezultuar me aprovime të plota, pasi aplikuesit nuk kanë përmbushur të gjitha kërkesat e përcaktuara në kornizën rregullatore në fuqi.

    Institucioni shton se kompanitë përkatëse janë njoftuar se mund të riaplikojnë sapo t’i plotësojnë kushtet.

    Këto kushte duhet të dëshmojnë përputhje me standardet e sigurisë së aviacionit – nga infrastruktura për magazinim të karburantit deri te stabiliteti financiar i dëshmuar.

    Bizneset kërkojnë thyerjen e monopolit

    Përfaqësues të komunitetit të biznesit thonë se operatorët e sektorit të derivateve kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për mungesën e konkurrencës në furnizimin me karburante në Aeroportin e Prishtinës.

    Sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, ata kërkojnë që institucionet të hapin tregun dhe të mundësojnë pjesëmarrjen e kompanive të tjera.

    Ai vlerëson se monopoli ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në çmimet e biletave.

    “Në Kosovë janë së paku tri kompani që mund t’i ofrojnë këto shërbime pa problem dhe janë të gatshme për furnizim. Ka pasur ankesa të vazhdueshme në AKB, por ky është problem politik dhe duhet zgjidhur urgjentisht për të thyer monopolin”, thotë Shahini për Radion Evropa e Lirë.

    Edhe eksperti i aviacionit, Albion Idrizi, e konsideron situatën si monopol de facto.

    “Kjo kufizon konkurrencën dhe rrit kostot për linjat ajrore, të cilat më pas reflektohen në çmime më të larta për udhëtarët”, thotë ndërmarrësi në fushën e udhëtimeve dhe turizmit.

    Sipas tij, përgjegjësia kryesore i takon shtetit të Kosovës, i cili nuk e ka adresuar me kohë këtë çështje.

    E, Remzi Ejupi, themelues i kompanisë ajrore Eurokoha, nuk ndalet te debati për konkurrencën, por thotë se është i kënaqur me shërbimet ekzistuese.

    Ai vlerëson se tregu i Kosovës është i vogël për konkurrencë më të gjerë.

    “Kompania është serioze dhe ka eksperiencë në këtë fushë. Konkurrenca është e mirë kur është e mirëfilltë dhe sjell cilësi, por kur është e dobët vetëm e prish tregun”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Tarifat e koncesionit dhe zinxhiri i përfitimeve

    Përfitimet nga struktura aktuale e menaxhimit të ANP-së nuk kufizohen vetëm tek operatori i furnizimit me karburante.

    Në këtë skemë përfshihet edhe kompania menaxhuese e aeroportit, Limak, e cila përfiton përmes tarifave të vendosura në kuadër të Marrëveshjes së Partneritetit Publiko-Privat.

    Sipas të dhënave të nxjerra nga dokumentet e AAC-së, nga çdo litër karburant i shitur, 0.10 euro shkojnë në favor të Limak-ut, si tarifë e aplikueshme në kuadër të operimit.

    Exfis, ndërkaq, i paguan 0.12 euro për litër Limak-ut, ndonëse në Marrëveshjen e Partneritetit Publiko-Privat parashihet një tarifë prej vetëm 0.02 eurosh për këtë shërbim.

    AAC-ja, në vitin 2021, e ka obliguar kompaninë menaxhuese të aeroportit që të mos aplikojë tarifa që nuk janë të miratuara nga autoriteti rregullator i aviacionit.

    Pas këtij vendimi, Limak-u e ka paditur AAC-në, por Gjykata Komerciale e ka refuzuar si të pabazuar padinë e tij në vitin 2024.

    Nga Gjykata Komerciale konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë se rasti ndodhet në procedurë në dhomën e shkallës së dytë të kësaj gjykate.

    Kompania Exfis nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me tarifën që paguan aktualisht. Përgjigje për këtë çështje nuk dha as AAC-ja.

    Ndikimi në kosto dhe çmimet e biletave

    Ekspertët e aviacionit theksojnë se karburanti mbetet komponenti më i madh i kostos operative të linjave ajrore.

    Sipas tyre, çdo rritje prej 10 centësh për litër përkthehet në kosto të konsiderueshme shtesë për çdo fluturim.

    Idrizi shpjegon se me një konsum mesatar prej 10.000 deri në 14.000 litra kerozinë për një fluturim vajtje-ardhje, tarifat aktuale mund të rrisin çmimin e biletave me mbi 4 për qind, varësisht nga destinacioni.

    Sipas tij, kostoja e lartë e operimit në Prishtinë ka ndikuar në humbjen e konkurrencës rajonale, duke bërë që një pjesë e konsiderueshme e udhëtarëve nga Kosova të zgjedhin aeroportet në Tiranë apo Shkup.

    Ai thekson se Aeroporti i Tiranës ka rreth 2.5 herë më shumë pasagjerë se Prishtina, ndërsa vlerësohet se rreth dy milionë udhëtarë me origjinë ose destinacion Kosovën fluturojnë nga aeroportet fqinje, për shkak të çmimeve më të favorshme dhe rrjetit më të gjerë të destinacioneve.

    Pavarësisht pyetjeve të drejtuara nga Radio Evropa e Lirë, Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk ka dhënë përgjigje lidhur me masat e mundshme që do të ndërmerren për adresimin e kësaj çështjeje, e cila prek drejtpërdrejt koston e udhëtimit ajror dhe konkurrencën në treg.

  • Kosova dhe Maqedonia e Veriut avancojnë bashkëpunimin ndërkufitar për menaxhimin e ujërave

    Kosova dhe Maqedonia e Veriut avancojnë bashkëpunimin ndërkufitar për menaxhimin e ujërave

    Institucionet e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut kanë zhvilluar një tryezë të përbashkët dyditore, me fokus forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar në menaxhimin e ujërave në pellgjet lumore Lepenc dhe Vardar.

    Takimi është organizuar me mbështetjen e Programit IWRM-K dhe Programit për Menaxhimin, Përdorimin dhe Mbrojtjen e Ujërave Nëntokësore në Maqedoninë e Veriut, duke bashkuar përfaqësues të ministrive përkatëse, autoriteteve të pellgjeve lumore, shërbimeve hidrometeorologjike dhe ekspertëve teknikë nga të dy vendet.

    Gjatë tryezës, diskutimet janë përqendruar në analizimin e përvojave nga bashkëpunimi ekzistues ndërkufitar, përmirësimin e shkëmbimit të të dhënave dhe informacionit, si dhe në identifikimin e prioriteteve konkrete për bashkëpunim në të ardhmen.

    Sipas organizatorëve, ky takim përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të besimit dhe krijimit të një kornize më praktike bashkëpunimi në nivel lokal për pellgjet lumore Lepenc dhe Vardar, me theks në mësimin e përbashkët dhe shkëmbimin teknik.

    Programi IWRM-K ka theksuar se mbetet i përkushtuar për të mbështetur procese që kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar, përmirësimin e qeverisjes së ujërave dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve të përbashkëta ujore.

  • “Fatmirësisht pshtoj”: Kurti përcjell nga afër një operim në repartin e Kardiologjisë

    “Fatmirësisht pshtoj”: Kurti përcjell nga afër një operim në repartin e Kardiologjisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar sot në QKUK për përurimin e disa hapësirave të reja në repartin e Kardiologjisë.

    Gjatë qëndrimit aty, Kurtit i ka rastisur që ta shoh edhe një ndërhyrje në zemër që po realizohej nga mjekët në klinikë.

    Një prej mjekëve që dukej se njihej personalisht me Kurtin, pasi përshëndetet, i jep edhe disa informacione për operimin dhe pacientin.

    “Operacion shumë i rëndë. Fatmirësisht pshtoj, 82-sh”, dëgjohet teksa i thotë mjeku-Kurtit.