ATV

Category: Lajme

  • Komandanti i KFOR-it pret ambasadorin britanik në Kosovë, diskutohet për situatën e sigurisë

    Komandanti i KFOR-it pret ambasadorin britanik në Kosovë, diskutohet për situatën e sigurisë

    Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në selinë e KFOR-it në kampin Film City në Prishtinë ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Sipas njoftimit të KFOR-it, takimi u fokusua në situatën e sigurisë në rajon dhe angazhimin e misionit të NATO-s për ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

    “Gjatë takimit, Gjeneral Major Ulutaş shprehu vlerësimin e tij për kontributin e gjatë dhe të vlefshëm të Mbretërisë së Bashkuar në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO“, thuhet në njoftim.

    KFOR ka theksuar se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me synim garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë, si dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë në Kosovë.

    Në njoftim thuhet gjithashtu se KFOR-i vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX-in, në përputhje me përgjegjësitë e tyre për sigurinë.

  • Tërmet me magnitudë 3.8 godet Shqipërinë

    Tërmet me magnitudë 3.8 godet Shqipërinë

    Një tërmet me magnitudë 3.8 është regjistruar sot në Shqipëri.

    Sipas të dhënave paraprake, lëkundjet janë regjistruar në orën 12:44, me epiqendër rreth 8 kilometra në verilindje të Lushnjës dhe rreth 29 kilometra në jugperëndim të Elbasanit.

    Lëkundjet janë ndier në zonën përreth, ndërsa deri më tani nuk është raportuar për dëme materiale apo persona të lënduar.

     

  • Mbyllet shqyrtimi gjyqësor për rastin e Gllogjanit, vendimi shpallet më 24 gusht

    Mbyllet shqyrtimi gjyqësor për rastin e Gllogjanit, vendimi shpallet më 24 gusht

    Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur të mbyllur shqyrtimin gjyqësor për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan.

    Pas përfundimit të seancës, gjykata ka njoftuar se vendimi do të shpallet më 24 gusht, në ora 14:30.

    Vendimi vjen pas përfundimit të rihapjes së gjykimit, gjatë të cilit gjykata ka shqyrtuar dhe administruar provat e paraqitura në këtë proces.

    Në seancën e sotme, gjykata kishte vendosur gjithashtu që si provë të administrohej një videoincizim ku shihet Kreshnik Mehmetaj duke shtënë me armë në një bjeshkë të Deçanit.

    Rasti lidhet me vrasjen e trefishtë të ndodhur në Gllogjan në vitin 2021, ndërsa vendimi i gjykatës pritet të shpallet javën e ardhshme.

  • 55 raste të të shtënave festive në vetëm dy muaj, 48 persona u shoqëruan në Polici

    55 raste të të shtënave festive në vetëm dy muaj, 48 persona u shoqëruan në Polici

    55 qytetarë kanë raportuar raste të të shtënave festive gjatë muajve qershor dhe korrik në Kosovë. Në kuadër të këtyre rasteve, Policia e Kosovës ka shoqëruar 48 persona dhe ka konfiskuar 47 armë zjarri.

    Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se raportimet lidhen kryesisht me të shtënat festive në dasma dhe ahengje familjare.

    MPB-ja ka falënderuar qytetarët që kanë raportuar rastet dhe i ka inkurajuar që të vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë, në kuadër të fushatës “Festo me zemër, jo me armë”.

    Sipas ministrisë, qëllimi i fushatës është rritja e vetëdijes për rrezikun e keqpërdorimit të armëve dhe krijimi i një ambienti më të sigurt gjatë ahengjeve familjare.

  • Ramadani kërkon hetim nga Prokuroria: Mbi gjysmë milioni euro në muaj po shpenzohen për të emëruarit politikë

    Ramadani kërkon hetim nga Prokuroria: Mbi gjysmë milioni euro në muaj po shpenzohen për të emëruarit politikë

    Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po vazhdon me shkelje ligjore, kushtetuese dhe financiare, duke pretenduar se mbi gjysmë milioni euro nga buxheti i Kosovës shpenzohen çdo muaj për pagat dhe shpenzimet përcjellëse të të emëruarve politikë në institucionet qeveritare, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media, Ramadani tha se bëhet fjalë për 463 të emëruar politikë, përfshirë kabinetet, këshilltarët dhe shoferët, të cilët, sipas tij, kanë qenë të emëruar para zgjedhjeve të 7 qershorit.

    “Lëvizja Vendvendosje e Kosovën, ka zinxhir të shkeljeve, pra shkeljet edhe ligjore edhe kushtetuese edhe financiare janë në zinxhir, pra nuk po ndalen, dhe si të tillë sot kemi thirrë konferencën që përmes jush të ngrisim shqetësimin dhe alarmin për zhvatje buxhetore që po i ndodh Kosovës gjatë kësaj periudhe jo-kushtetuese. Dhe jemi duke folur për gjysmë milioni euro zhvatje vetëm për pagat e militantëve të lëvizjes vendvendosje në zyrat e qeverisë. Është e qartë se janë 463 të emëruar politikë në institucionet qeveritare, pra po flasim për kabinetet, këshilltarët, shoferët, etj., të cilët kanë qenë të emëruar ligjërisht para zgjedhjeve të 7 qershorit. Por sikurse është e qartë me kushtetutë në nenin 72 dhe në ligjin për qeveri, në nenin 26, ai i cili certifikohet si deputet dhe jep mandat betimin si deputet, nuk ka të drejtë të ushtrojë detyrën e ministrit në qeverinë e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, ky audit as nuk i punësuar nga këta ministra uzurpatorë tashmë, nuk kanë të drejtë të futen në zyrat e qeverisë”, tha ai.

    Ramadani tha se vetëm pagat e këtyre të emëruarve arrijnë në rreth 486 mijë euro në muaj, ndërsa sipas tij, me shpenzimet për telefon, automjete, karburant dhe reprezentacion, shuma e përgjithshme e kalon gjysmë milioni euro.

    “Shuma e përafërt e pagave të këtyre militantëve të lëvizjes vendvendosje në zyrat qeveritare është 486.150 euro në muaj, pra po flasim për shumën 486.150 euro në muaj, të cilave i shtohen edhe mbushjet e telefonave, i shtohen veturat e karburantit, i shtohet reprezentacioni e të tjera, dhe rrjedhimisht e kalon shifrën prej gjysmë milioni euro zhvatje të buxhetit të popullit të Kosovës. Në aspektin ligjor, nuk kanë fare të drejtë, është shkelje flagrante ata edhe ato s’kanë të drejtë fare as të futen në zyrat qeveritare, e në aspektin profesional as mos të flasim. Ka raste kur shoferët janë emëruar këshilltarë vetëm për t’iu rritur paga, dhe kjo pagë vjen në kurriz të popullit të Kosovës, në kurriz të buxhetit të popullit të Kosovës”, tha ai.

    Ai kërkoi nga Prokuroria e Shtetit që të nisë hetim për këto pretendime dhe të identifikojë personat përgjegjës.

    “Sa e sa të rinj e të reja kanë diplomuar dhe nuk kanë mundësi punësimi në Kosovë, derisa 463 të emëruar politikë që kanë qenë legal e sot janë ilegal paguhen nga buxheti i popullit të Kosovës. Ne ftojmë prokurorinë e shtetit që menjëherë qysh sot të merrë veprimet e nevojshme hetimore për të gjetur përgjegjësit dhe për t’i vendosur para drejtësisë këta që po e zhvatin buxhetin e popullit të Kosovës”, tha ai.

    Ramadani e krahasoi shumën mujore të pagave të pretenduara me pagat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe zjarrfikësve.

    “Dhe fjalia e famshme e cila po ndodh sot është gjakderdhja financiare. Pra pikërisht këta që e kanë ngritur këtë fjali në publik sot në mënyrë tepër të qartë po bëjnë gjakderdhje financiare në Kosovë. Kjo është shumë prej gjysmë milioni, po e bëj pak me krahasim, është e barabartë me pagën që e marrin 769 policë në Kosovë. Ose me pagën që e marrin 862 ushtarë në Kosovë. Ose me pagën që e marrin 909 zjarrfikës në Kosovë”, tha ai.

  • Aksident me fatalitet në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, vdesin dy të rinj

    Aksident me fatalitet në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, vdesin dy të rinj

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur për një rast të aksidentit të rëndë në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë përkatësisht në segmentin rrugor në fshatin Smrekonicë, ku si pasojë, dy të rinj kanë humbur jetën.

    Policia njofton se aksidenti ka ndodhur rreth orës 02:53.

    “Sipas të dhënave të para nga vendi i ngjarjes, në aksident është përfshirë një veturë, në të cilën ndodheshin shoferi dhe pasagjeri. Të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tyre”, thuhet në njoftim.

    Me urdhër të prokurorit kompetent, trupat e pajetë të viktimave, meshkuj të moshës 22 dhe 24 vjeç, janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Njësia Rajonale e Trafikut, në koordinim dhe nën udhëheqjen e prokurorit kompetent, është duke ndërmarrë veprimet hetimore për rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. /Telegrafi/

     

  • Arrestohet një person në Skenderaj, dyshohet se sulmoi zyrtarin policor

    Arrestohet një person në Skenderaj, dyshohet se sulmoi zyrtarin policor

    Një person është arrestuar në Skenderaj, pasi dyshohet se ka sulmuar një zyrtar policor gjatë një ndërhyrjeje në një fjalosje.

    Rasti ka ndodhur mbrëmjen e 18 gushtit, në rrugën “28 Nëntori”, ku zyrtari policor kishte ndërhyrë pasi i dyshuari ishte përfshirë në një fjalosje me disa persona.

    Sipas Policisë, i dyshuari e ka kapur për dore dhe e ka tërhequr zyrtarin policor.

    Pas konsultimit me prokurorin dhe inicimit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

  • Katër linja autobusësh nga Fushë Kosova drejt Prishtinës pezullohen, banorët pa transport

    Katër linja autobusësh nga Fushë Kosova drejt Prishtinës pezullohen, banorët pa transport

    Tri kompani transporti nga Fushë Kosova kanë njoftuar se nga sot do të pezullojnë përkohësisht shërbimin e transportit në katër linja drejt Prishtinës.

    Banorët e Grabovcit, Harilaqit, Hencës dhe Miradi së Epërme do të ballafaqohen me mungesë transporti.

    Bëhet fjalë për linjat: Grabovc – Prishtinë – Grabovc, Harilaq – Prishtinë – Harilaq, Hencë – Prishtinë – Hencë, Miradi e Epërme – Prishtinë – Miradi e Epërme.

    Në njoftimin e përbashkët, kompanitë theksuan se vendimi është marrë për shkak të pamundësisë për të përballuar shpenzimet e karburantit dhe kostot e tjera operative. Ato kanë theksuar se banorët e këtyre lokaliteteve, në komunën e Fushë Kosovës, varen çdo ditë nga këto linja për të udhëtuar drejt Prishtinës dhe anasjelltas.

    Kompanitë kanë bërë të ditur se para marrjes së vendimit u janë drejtuar institucioneve kompetente për të kërkuar një zgjidhje për vazhdimin e shërbimit. Ato shpresojnë që kërkesa të merret seriozisht dhe të gjendet sa më shpejt një zgjidhje, në mënyrë që transporti të rikthehet në funksion.

  • Arrestohet një shtetas algjerian pas vjedhjes në një market në Prishtinë

    Arrestohet një shtetas algjerian pas vjedhjes në një market në Prishtinë

    Një shtetas algjerian është arrestuar në Prishtinë, pasi dyshohet se ka kryer vjedhje në një market.

    Sipas Policisë, gjatë incidentit i dyshuari ka nxjerrë një mjet të mprehtë para punëtores së marketit, por është ndaluar dhe arrestuar nga një zyrtar policor.

    Gjatë kontrollit, nga i dyshuari është sekuestruar një mjet i mprehtë metalik dhe dy telefona celularë, njëri prej të cilëve rezulton të jetë i vjedhur.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Rasti është iniciuar si “Vjedhje grabitqare”.

  • Ushtroi dhunë fizike ndaj nënës së tij, arrestohet i dyshuari në Mitrovicë

    Ushtroi dhunë fizike ndaj nënës së tij, arrestohet i dyshuari në Mitrovicë

    Një person është arrestuar në Mitrovicë të Jugut, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.

    Rasti është raportuar më 18 gusht, rreth orës 12:35.

    Policia njoftoi se me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.