ATV

Category: Lajme

  • Sulmohet një person në Prishtinë, pëson lëndime të rënda në kokë

    Sulmohet një person në Prishtinë, pëson lëndime të rënda në kokë

    Një person është arrestuar në Prishtinë, pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar fizikisht një person tjetër, duke i shkaktuar lëndime të rënda në kokë.

    Rasti ka ndodhur rreth orës 15:00 tw sw martws në rrugën “Nikolla Tesla”.

    Viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa pas inicimit të rastit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Arrestohet mërgimtari në Gjakovë, dyshohet se sulmoi vajzën e tij

    Arrestohet mërgimtari në Gjakovë, dyshohet se sulmoi vajzën e tij

    Një person është arrestuar në Gjakovë, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht vajzën e tij.

    Sipas Policisë, i dyshuari është mashkull kosovar me shtetësi të Austrisë.

    Viktima ka refuzuar trajtimin mjekësor pas incidentit.

    Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin, i dyshuari është liruar dhe rasti do të hetohet në procedurë të rregullt.

  • Kërkohej nga Kosova për trafik droge, 32-vjeçari kapet në Rinas

    Kërkohej nga Kosova për trafik droge, 32-vjeçari kapet në Rinas

    Një 32-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës është arrestuar në Rinas, me qëllim ekstradimin e tij në Kosovë.

    Policia e Shtetit njoftoi se arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Wanted”, që synon kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

    Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe në bashkëpunim me Interpol Tiranën, lokalizuan dhe kapën në Rinas shtetasin A. Sh., 32 vjeç, banues në Kukës.

    Sipas policisë, ndaj tij Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër-arresti për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.

    Në momentin e ndalimit, 32-vjeçari dyshohet se është prezantuar me një identitet tjetër, me qëllim shmangien e identifikimit dhe arrestimit.

    Pas arrestimit, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, do të ndjekë procedurat ligjore për ekstradimin e tij në Kosovë.

  • Haxhiu takon Hargreaves, flasin për ‘‘nevojën e dialogut politik’’ për dalje nga ngërçi institucional

    Haxhiu takon Hargreaves, flasin për ‘‘nevojën e dialogut politik’’ për dalje nga ngërçi institucional

    U.D presidentja e vendit, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim, ambasadorin britanik, Jonathan Hargreaves.

    Në njoftim shtohet se, Haxhiu e Hargreaves kanë biseduar për zhvillimet e fundit politike, dhe, situatën institucionale në vend.

    ‘’ Në takim u diskutua për nevojën e dialogut politik dhe për përpjekjet për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi aktual institucional, me qëllim që institucionet të formohen sa më parë dhe vendi të ecë përpara në përputhje me rendin kushtetues’’, thuhet në njoftim.

    Postimi:

    U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves

    U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit politike dhe situatën institucionale në vend.

    Në takim u diskutua për nevojën e dialogut politik dhe për përpjekjet për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi aktual institucional, me qëllim që institucionet të formohen sa më parë dhe vendi të ecë përpara në përputhje me rendin kushtetues.

    U.D. Presidentja Haxhiu vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe rolin e saj si partner i rëndësishëm i vendit tonë.

  • Vazhdon rritja e çmimit të naftës në Kosovë

    Vazhdon rritja e çmimit të naftës në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës për ditën e sotme, 19 gusht 2026.

    Sipas vendimit të MINT-it, një litër naftë do të shitet me çmim maksimal prej 1.77 euro, duke u shtrenjtuar për një cent krahasuar me ditën e djeshme.

    Ndërkohë, benzina mbetet në 1.49 euro për litër, ndërsa gazi në 0.62 euro për litër.

    Pra, krahasuar me çmimet e 18 gushtit, ndryshimi i vetëm është te nafta, e cila është shtrenjtuar për 1 cent për litër.

    Çmimet e përcaktuara nga Ministria hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Sot rihapet gjykimi ndaj vëllezërve Mehmetaj për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

    Sot rihapet gjykimi ndaj vëllezërve Mehmetaj për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

    Sot, nga ora 10:00, rihapet gjykimi ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, të akuzuar për vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogjan në vitin 2021.

    Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohet se sulmin e kryen për motive hakmarrjeje, duke pasur në shënjestër shoferin e autobusit, tashmë të ndjerin Gani Gjokaj. Sipas Prokurorisë, familja Mehmetaj e fajësonte Gjokajn për vetëvrasjen e Heroina Mehmetajt.

    Sulmi ndodhi më 26 nëntor 2021, kur autobusi i linjës Gjakovë–Deçan u sulmua me armë zjarri në Gllogjan.

    Nga të shtënat mbetën të vrarë tre persona, përfshirë dy nxënës 17-vjeçarë, ndërsa një person tjetër u plagos rëndë.

    Prokuroria pretendon se sulmi ishte planifikuar paraprakisht dhe se ishte realizuar në bashkëveprim nga të tre të akuzuarit.

  • Zjarri përfshin një hotel në Indi, të paktën nëntë persona humbin jetën dhe gjashtë të tjerë lëndohen

    Zjarri përfshin një hotel në Indi, të paktën nëntë persona humbin jetën dhe gjashtë të tjerë lëndohen

    Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri që shpërtheu herët të mërkurën në një hotel në Kolkata, në lindje të Indisë.

    Sipas policisë lokale, zjarri ka shpërthyer rreth orës 01:45 në një hotel në qendër të qytetit. Flakët dhe tymi i dendur kanë përfshirë ndërtesën, duke vështirësuar përpjekjet e ekipeve të shpëtimit për të arritur te personat që ndodheshin në katet e sipërme.

    Në operacionin për shuarjen e zjarrit dhe shpëtimin e personave të bllokuar janë angazhuar pesë automjete zjarrfikëse dhe pjesëtarë të Policisë.

    Zjarri tashmë është vënë nën kontroll, ndërsa ekipet e emergjencës po vazhdojnë kërkimet në ndërtesë për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të bllokuar.

    Policia ka konfirmuar nëntë viktima, por ka paralajmëruar se numri i të vdekurve mund të rritet. Të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor.

    Shkaku i zjarrit ende nuk dihet. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat që çuan në shpërthimin e tij.

    Zjarri i dytë vdekjeprurës brenda pak ditësh

    Ngjarja në Kolkata është zjarri i dytë vdekjeprurës që raportohet në shtetin e Bengalit Perëndimor brenda pak ditësh.

    Të hënën, një zjarr në një hotel në qytetin e pelegrinazhit Tarapith la të vdekur të paktën shtatë persona dhe plagosi disa të tjerë.

    Zjarret me pasoja fatale janë të shpeshta në Indi, ndërsa instalimet elektrike me defekt dhe problemet me bombolat e gazit përmenden ndër shkaqet e zakonshme të zjarreve.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, të paktën 25 persona humbën jetën nga një zjarr që përfshiu një klub nate në shtetin indian të Goas.

  • Denoncimi që bëri AVONET: Arrestohet një person në Prizren, dyshohet se lëshoi diploma të rreme e fitoi gjysmë milioni euro

    Denoncimi që bëri AVONET: Arrestohet një person në Prizren, dyshohet se lëshoi diploma të rreme e fitoi gjysmë milioni euro

    Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar Ibish Çoçajn, nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim.

    Sipas Prokurorisë, i dyshuari, në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të Qendrës për Verifikim të Aftësive Profesionale “A.” në Prizren, dyshohet se ka lëshuar diploma të aftësimit profesional për profesione të ndryshme, pa zhvilluar trajnimet teorike dhe praktike.

    Hetimet dyshohet se kanë zbuluar se nga viti 2019 deri më tani janë lëshuar rreth 1,679 diploma, ndërsa pagesa për një diplomë dyshohet se ka qenë rreth 300 euro. Përfitimi i dyshuar nga kjo veprimtari arrin në rreth 500 mijë euro.

    Prokuroria thotë se diplomat dyshohet se janë përdorur për punësim brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe për plotësimin e kritereve në procedura të ndryshme të prokurimit.

    Gjatë një kontrolli të urdhëruar nga Gjykata Themelore në Prizren dhe të realizuar në bashkëpunim me inspektorët tatimorë, janë sekuestruar 333 diploma profesionale, dy kompjuterë, dy USB, tri vula të biznesit, një telefon, 11 fletë me shënime për borxhe dhe pagesa, 630 euro para të gatshme dhe nëntë kartëvizita.

    Sipas dyshimeve të hetimit, subjekti nuk ka qenë i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe nuk ka qenë i autorizuar për ofrimin, vlerësimin dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale.

    I dyshuari ndodhet në ndalim prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria do të vlerësojë nëse do të kërkojë caktimin e masës për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale.

    Prokuroria dhe Policia kanë bërë thirrje që qytetarët që dyshojnë se janë mashtruar apo dëmtuar lidhur me diploma ose dokumente të aftësimit profesional nga ky subjekt, ta raportojnë rastin në Prokurorinë Themelore në Prizren ose në stacionin më të afërt policor.

    Theksojmë se në fund të muajit korrik, rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET kishte ngritur shqetësime lidhur me diplomat dhe certifikatat e lëshuara nga Qendra për Verifikimin e Aftësive Profesionale “AFTËSIMI” në Prizren, duke kërkuar nisjen e hetimeve për të verifikuar bazën ligjore të funksionimit të këtij subjekti.

  • Trump poston një foto të Ngushticës së Hormuzit: Territori i ri i ShBA-së

    Trump poston një foto të Ngushticës së Hormuzit: Territori i ri i ShBA-së

    Presidenti amerikan Donald Trump publikoi të martën në rrjetet sociale një imazh ku Ngushtica e Hormuzit paraqitet si “Territor i ri i SHBA-së”.

    Në hartën e publikuar është rrethuar ngushtica strategjike, e cila ndodhet mes Iranit dhe Omanit, në hyrje të Gjirit Persik, ndërsa mbi këtë zonë janë vendosur fjalët “Territor i ri i SHBA-së”.

    Postimi i presidentit në Truth Social erdhi një ditë pasi ai tha se shpallja e ngushticës si territor amerikan ishte “një ide e shkëlqyer”.

    “Dua të them, ne e kontrollojmë atë”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale, kur u pyet se çfarë kishte dashur të thoshte javën e kaluar, kur deklaroi se së shpejti do ta shpallte ngushticën territor të SHBA-së.

    “Ne e kontrollojmë atë përmes bllokadës dhe më pëlqen ideja për ta shpallur territor”, shtoi presidenti.

    Ngushtica e Hormuzit është shndërruar në një mjet të rëndësishëm presioni në luftën me Iranin. Ngushtica me rëndësi strategjike është mbyllur praktikisht nga Irani që prej fillimit të luftimeve në fund të shkurtit, duke penguar një nga rrugët kryesore për transportin global të naftës.

  • Dyshohet se lëshoi 1,679 diploma pa trajnime, arrestohet një person në Prizren

    Dyshohet se lëshoi 1,679 diploma pa trajnime, arrestohet një person në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar personin me inicialet I.Ç., nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim.

    Sipas Prokurorisë, i dyshuari, në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të Qendrës për Verifikim të Aftësive Profesionale “A.” në Prizren, dyshohet se ka lëshuar diploma të aftësimit profesional për profesione të ndryshme, pa zhvilluar trajnimet teorike dhe praktike.

    Hetimet dyshohet se kanë zbuluar se nga viti 2019 deri më tani janë lëshuar rreth 1,679 diploma, ndërsa pagesa për një diplomë dyshohet se ka qenë rreth 300 euro. Përfitimi i dyshuar nga kjo veprimtari arrin në rreth 500 mijë euro.

    Prokuroria thotë se diplomat dyshohet se janë përdorur për punësim brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe për plotësimin e kritereve në procedura të ndryshme të prokurimit.

    Gjatë një kontrolli të urdhëruar nga Gjykata Themelore në Prizren dhe të realizuar në bashkëpunim me inspektorët tatimorë, janë sekuestruar 333 diploma profesionale, dy kompjuterë, dy USB, tri vula të biznesit, një telefon, 11 fletë me shënime për borxhe dhe pagesa, 630 euro para të gatshme dhe nëntë kartëvizita.

    Sipas dyshimeve të hetimit, subjekti nuk ka qenë i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe nuk ka qenë i autorizuar për ofrimin, vlerësimin dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale.

    I dyshuari ndodhet në ndalim prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria do të vlerësojë nëse do të kërkojë caktimin e masës për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale.

    Prokuroria dhe Policia kanë bërë thirrje që qytetarët që dyshojnë se janë mashtruar apo dëmtuar lidhur me diploma ose dokumente të aftësimit profesional nga ky subjekt, ta raportojnë rastin në Prokurorinë Themelore në Prizren ose në stacionin më të afërt policor.