ATV

Category: Lajme

  • Ra në kontakt me tensionin elektrik, vdes edhe një punëtor i KEK-ut në vendin e punës

    Ra në kontakt me tensionin elektrik, vdes edhe një punëtor i KEK-ut në vendin e punës

    Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook se një punonjës ka humbur jetën për shkak të kontaktit me tension elektrik.

    “Me dhimbje të thellë njoftojmë se sot, gjatë kryerjes së detyrave të punës, punonjësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arbenit Ahmeti, ka pësuar një aksident të rëndë. Sipas informatave fillestare, gjatë angazhimit në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV, ai ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda”, thuhet në njoftimin e KEK.

    Tutje thuhet se menjëherë pas ngjarjes janë ndërmarrë veprimet emergjente dhe punonjësi është dërguar për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, fatkeqësisht ai nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të marra.

    KEK-u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Ahmeti, të afërmve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën të ndjerin.

    Organet kompetente janë duke trajtuar rastin dhe rrethanat e aksidentit do të sqarohen në përputhje me procedurat përkatëse.

    I përjetshëm qoftë kujtimi për Arbenitin.

     

  • Pronarët e automjeteve do të paralajmërohen para skadimit të regjistrimit

    Pronarët e automjeteve do të paralajmërohen para skadimit të regjistrimit

    Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI), në bashkëpunim me Agjencinë e Regjistrit Civil (ARC), ka aktivizuar një shërbim të ri në platformën eKosova për pronarët e automjeteve.

    Përmes këtij shërbimi, qytetarët do të njoftohen 15 ditë para skadimit të afatit të regjistrimit të automjetit të tyre.

    Sipas njoftimit, shërbimi synon t’i informojë pronarët me kohë, në mënyrë që ata t’i kryejnë obligimet që lidhen me regjistrimin e automjetit brenda afatit të paraparë. Shërbimi i ri tashmë është aktiv në platformën elektronike eKosova.

     

  • Tentoi t’i vriste tre persona në Pejë, Prokuroria ngre aktakuzë

    Tentoi t’i vriste tre persona në Pejë, Prokuroria ngre aktakuzë

    Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.H., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas aktakuzës, më 17 tetor 2025, rreth orës 16:15, në rrugën “Miftar Zeqa” në Pejë, i pandehuri M.H., dyshohet se, nga hakmarrja, ka ndërmarrë veprime me qëllim të privimit nga jeta të tre personave, përkatësisht B.G., A.G. dhe B.G., duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.U.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri, pasi kishte siguruar dy armë të gjata të tipit AK-47, dy armë të shkurtra dhe një sasi të konsiderueshme të municionit, ka monitoruar lëvizjet e të dëmtuarve pranë Qendrës së Paraburgimit në Pejë. Më pas, kur të dëmtuarit ishin duke u larguar nga zona me një automjet, i pandehuri dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre, duke përdorur dy armë të gjata.

    Nga të shtënat me armë zjarri, sipas aktakuzës, kanë pësuar lëndime të rënda trupore i dëmtuari A.U., i cili ishte drejtues i automjetit, si dhe i dëmtuari B.G., ndërsa është rrezikuar jeta edhe e të dëmtuarve B.G. dhe A.G.

    Po ashtu, nga të shtënat janë dëmtuar automjeti në të cilin ndodheshin të dëmtuarit, dy automjete të tjera, si dhe është dëmtuar një xham dhe një pjesë e inventarit të Gjykatës Themelore në Pejë, pasi njëri nga fishekët ka depërtuar brenda objektit të gjykatës.

    Veprimet e të pandehurit janë ndërprerë pas intervenimit të Policisë së Kosovës, të cilët kanë arrestuar të pandehurin dhe kanë parandaluar vazhdimin e veprimeve të tij.

    Ndërkaq, sipas aktakuzës, i pandehuri M.H. dyshohet se ka poseduar pa autorizim disa armë dhe municion, përfshirë dy armë të gjata, një pistoletë të llojit RPX9, një revolver të llojit DEIT, si dhe municion të kalibrave të ndryshëm, të cilat janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.

    Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri M.H. ka përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara si më lartë.

    Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.

  • Ekstradohet nga Kosova për në Spanjë i kërkuari për rrëmbimin e një fëmije

    Ekstradohet nga Kosova për në Spanjë i kërkuari për rrëmbimin e një fëmije

    Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucione të tjera, sot ka bërë ekstradimin e një shtetasi të huaj nga Republika e Kosovës për në Spanjë.

    Sipas njoftimit, i dyshuari ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Spanjës për veprën penale ‘rrëmbim i fëmijës’.

    Ekstradimi, sipas njoftimit, u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Spanjës.

    “Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.”, thuhet në njoftim.

  • Armatim, municion e uniforma të konfiskuara në veri – policia thërret konferencë të jashtëzakonshme

    Armatim, municion e uniforma të konfiskuara në veri – policia thërret konferencë të jashtëzakonshme

    Policia e Kosovës ka paralajmëruar mbajtjen e një konference të jashtëzakonshme për media, ku do të prezantohen detaje lidhur me operacionet e fundit policore të zhvilluara në disa lokacione në veri të Mitrovicës.

    Konferenca do të mbahet sot, më 20 gusht, duke filluar nga ora 16:00, në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë.

    Sipas njoftimit, gjatë operacioneve policore është bërë gjetja dhe konfiskimi i një sasie të konsiderueshme të armatimit, municionit, uniformave dhe dëshmive të tjera relevante. Materialet e konfiskuara pritet të ekspozohen para mediave gjatë konferencës.

    Në konferencë pritet të jepen informacione edhe lidhur me veprimet policore në rastin e “Krimeve të Luftës ndaj Popullatës Civile” në Kosovë, për të cilin operacionet po zhvillohen në disa lokacione të dyshuara në Zubin Potok.

    Në konferencë do të marrin pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha. /Telegrafi/

  • “Ngërçi i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura”, ShBA-ja rithekson thirrjen për formimin e institucioneve në Kosovë

    “Ngërçi i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura”, ShBA-ja rithekson thirrjen për formimin e institucioneve në Kosovë

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar thirrjen ndaj udhëheqësve politikë të Kosovës që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

    Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se udhëheqësit politikë duhet të punojnë së bashku për tejkalimin e ngërçit institucional.

    “Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha zëdhënësi.

    Kjo është thirrja e dytë e ngjashme e bërë nga pala amerikane brenda pak kohësh, pasi kërkesë të ngjashme për bashkëpunim kishte shprehur edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë më 12 gusht.

    Thirrja e re amerikane vjen në kohën kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Seanca konstituive e legjislaturës së re nisi më 6 gusht. Deputetët bënë betimin, por procesi nuk kaloi në fazën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

    Albin Kurti, në cilësinë e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi kohë shtesë për konsultime me partitë, duke thënë se ende nuk kishte marrëveshje për formimin e institucioneve. Seanca u ndërpre dhe u caktua të vazhdonte më 8 gusht.

    Edhe në vazhdimin e 8 gushtit nuk pati kandidaturë për kryetar të Kuvendit. Kurti kërkoi sërish kohë shtesë për konsultime me partitë, por pas kësaj deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të tij. Pas këtij incidenti kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet.

    Që atëherë, procesi ka mbetur i bllokuar. Dehari ka thënë se seanca e radhës do të thirret kur partitë të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës, duke argumentuar se pa një marrëveshje politike nuk ka kuptim që seanca të mbahet vetëm si formalitet.

    Ndërkohë, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike, më 18 gusht Kurti u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, me fokus te zgjedhja e presidentit të ardhshëm; pas takimit, të dy thanë se kishte vullnet për të gjetur një zgjidhje, ndërsa u pajtuan që në takimin e radhës të shqyrtojnë emra konkretë për president.

    PDK-ja dhe Aleanca, në anën tjetër, kanë kërkuar që seanca të vazhdojë pa pritur një marrëveshje politike. Më 12 gusht, deputetë të këtyre dy partive u mblodhën në sallën e Kuvendit duke kërkuar nga Dehari që ta thërrasë vazhdimin e seancës, ndërsa pati edhe përplasje me deputetë të LVV-së.

    Përveç SHBA-së, edhe Bashkimi Evropian u ka bërë më herët thirrje partive politike që të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje për krizën institucionale. BE-ja ka paralajmëruar se ngërçi politik dhe vonesat në zbatimin e reformave mund ta kufizojnë aftësinë e Kosovës për të përfituar nga mbështetja evropiane.

    Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosovës i janë vënë në dispozicion 882.6 milionë euro në grante dhe kredi të favorshme deri në fund të vitit 2027, ndërsa pagesat lidhen me përmbushjen e hapave të përcaktuar në Agjendën e Reformave.

    Komisioni Evropian ka përcaktuar 111 hapa reformues për Kosovën. Për 13 prej tyre, me vlerë të përbashkët prej 90.8 milionë eurosh, afati i parë përmbushës ishte 30 qershori 2026, ndërsa 27 hapa të tjerë, me vlerë prej 165.9 milionë eurosh, kanë afat deri në fund të dhjetorit.

    Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se ngërçi i zgjatur politik ka kufizuar përparimin e Kosovës në zbatimin e agjendës së reformave të Planit të Rritjes dhe qasjen në financime të jashtme./REL

  • “Respektojeni Kushtetutën, konstituojeni Kuvendin”, deputetët e PDK-së u lënë letra atyre të LVV-së

    “Respektojeni Kushtetutën, konstituojeni Kuvendin”, deputetët e PDK-së u lënë letra atyre të LVV-së

    Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët po qëndrojnë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, u kanë lënë në tavolinat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga një letër me thirrje për respektimin e Kushtetutës dhe konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Letrat janë vendosur gjatë seancës së thirrur nga PDK, në kuadër të kërkesës së saj që seanca konstituive të vazhdojë çdo 48 orë deri në përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

    Deputetët e LVV-së nuk morën pjesë në seancë, ndërsa PDK përsëriti akuzat se partia që ka marrë shumicën në zgjedhjet e fundit, po refuzon ta marrë përgjegjësinë kushtetuese për krijimin e institucioneve.

    Në letrën drejtuar deputetëve të shumicës, PDK u kërkon atyre që mandatin ta ushtrojnë në emër të qytetarëve dhe jo sipas interesave apo urdhrave partiakë.

    “Kushtetuta është mbi partinë, Republika është mbi liderin politik dhe mandati qytetar mbi urdhrin politik”, thuhet ndër të tjera në letër.

    PDK u ka bërë thirrje deputetëve të shumicës që të marrin përgjegjësi individuale për funksionalizimin e Kuvendit, duke theksuar se një detyrim kushtetues nuk mund të kushtëzohet nga kalkulimet politike.

    Në letër përmenden edhe pasojat që bllokada institucionale po ua shkakton qytetarëve, në një periudhë kur familjet po përballen me përgatitjet për vitin e ri shkollor, shpenzimet e dimrit, çmimet, tatimet dhe problemet ekonomike.

    “Qytetarët tanë nuk mund të presin pafundësisht. Për këto probleme duhet të punojnë institucionet dhe për këto nevoja duhet të flasë Kuvendi”, thuhet në mesazh.

    Letra përfundon me një thirrje të drejtpërdrejtë për deputetët:

    “Respektoni betimin tuaj. Respektojeni mandatin tuaj. Respektojeni Kushtetutën. Konstituojeni Kuvendin. Bëjeni detyrën tuaj.”

    PDK ka paralajmëruar se do të vazhdojë të kërkojë mbajtjen e seancës konstituive sipas afateve procedurale, deri në funksionalizimin e Kuvendit.

    Ndryshe, paraprakisht deputetët e PDK-së për të gjashtën ditë me radhë kanë bllokuar hyrjen e objektit të Qeverisë së Kosovës, në përpjekje për ta takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

  • Për 24 orë: 35 vatra zjarri në Shqipëri, pesë mbeten ende aktive

    Për 24 orë: 35 vatra zjarri në Shqipëri, pesë mbeten ende aktive

    Në Shqipëri vazhdojnë përballjet me flakët që tash e disa ditë kanë përfshirë disa rajone.

    Sipas Ministrisë së Mbrojtjes gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 3 janë nën kontroll.

    Sipas njoftimit, për shuarjen e flakëve janë angazhuar 382 forca operacionale dhe 40 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 90 efektivë dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.

    Në njoftim thuhet se në zonën e Pukës, një familje është evakuuar, si pasojë e zjarrit që ka paraqitur rrezik për shtëpinë.

    “Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.”, thuhet në njoftim.

  • Në kujtim të dëshmorëve të gushtit, OVL-UÇK: Sakrifica e tyre nuk harrohet

    Në kujtim të dëshmorëve të gushtit, OVL-UÇK: Sakrifica e tyre nuk harrohet

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka përkujtuar me krenari dhe përulësi dëshmorët e kombit që ranë gjatë muajit gusht në luftën çlirimtare të Kosovës.

    Në një mesazh përkujtimor, OVL-UÇK ka vlerësuar lart sakrificën e dëshmorëve, duke theksuar se gjaku dhe përkushtimi i tyre mbeten pjesë e pandashme e historisë së lirisë së Kosovës.

    “Dëshmorët e rënë në muajin gusht gjatë luftës sonë çlirimtare” – thuhet në përkujtimin e organizatës, e cila ka renditur emrat e të rënëve si një dëshmi të sakrificës së brezave që luftuan për lirinë e vendit.

    Sipas OVL-UÇK-së, sakrifica e dëshmorëve nuk harrohet dhe mbetet “guri i qëndresës dhe vetë fryma e lirisë” që fryn sot mbi Kosovë.

    Në listën e të përkujtuarve janë: Faik Mjeku, Fatmir Hoti, Qamil Hoti, Sadik Hoti, Bajram Zymberi, Idriz Gucati, Ilir Xhemajli, Isuf Ahmeti, Jeton Hoxha, Kapllan Ahmeti, Muharrem Xhemajli, Musa Ahmeti, Rexhep Kadrijaj, Smajl Hyseni, Adem Jasiqi, Afrim Gashi, Agim Zekaj, Aze Brahimaj, Beqir Mehmetaj, Hilmi Shala, Isë Balaj, Milazim Zekaj, Mustafë Geci, Naim Gjukaj, Naim Bajraktari, Ramush Shala, Ruzhdi Haxhaj, Ruzhdi Haxhiaj, Sami Geci, Zenel Mëziu, Avni Zhabota, Ismail Bytyqi, Rexhep Morina, Zejnije Krasniqi, Bashkim Leku, Jeton Tersana, Jeton Tërstena, Kolë Lleshi, Mark Lleshi, Abedin Vojvoda, Asllan Rexhepaj, Bashkim Emini, Dinë Aliaj, Muhamet Zenunaj, Sokol Zenuni, Sokol Mustafaj, Sylejman Bajramaj, Agim Bajrami, Arben Hajdaraj, Bedri Shala, Bekim Berisha, Besnik Begunca, Jusuf Kelmendi, Përmet Vula, Xheladin Kurtaj, Agron Thaqi, Arton Hasanaj, Azem Ukaj, Elton Zherka, Enver Halilaj, Gezim Dervishaj, Haki Sejfijaj, Halil Sejfijaj, Hasan Osmani, Maxhun Çekaj, Naim Nimanaj, Naser Idrizaj, Nexhat Humaj, Orhan Halilaj, Bajram Hoxha, Halil Berisha, Arben Ahmetaj, Malë Zejnaj, Besart Kadrija, Shkëlzen Berisha, Adem Berisha, Ahmet Krasniqi, Ahmet Shala, Remzi Ademaj, Sadri Zeqiraj, Skender Çeku, Valon Shala, Agim Metaj, Muharrem Isufi, Nazmi Gashi, Shaban Demnika, Bastri Beqiri, Cenë Dugolli, Fadil Balaj, Sabit Lushaj, Zenel Curraj, Avni Sinanaj, Basri Beqiri, Din Temaj, Hazir Selimaj, Bekim Bekteshi, Njazi Ferizaj, Shaqë Ferizaj, Avni Saraqi, Hajdar Pepaj, Abedin Sumaj, Bahri Gollopeni, Bislim Zekolli, Ganimete Xhylani, Adem Morina, Afrim Buqaj, Agron Gjocaj, Gani Kastrati, Gani Murseli, Hajriz Morina, Mehmet Bytyqi, Mehmet Lumi, Milaim Gjocaj, Mustafë Lajçi, Nuhi Mazreku, Safet Kicaj, Xhemail Rexha, Astrit Rrushi, Besmir Brati, Fatmir Nika, Habib Zogaj, Ismet Jashari, Naim Qema, Ramiz Ukzmajli, Sabri Morina, Shaban Gashi, Zenun Mataj, Besim Krasniqi, Hamzi Bytyqi, Naim Berisha, Esat Berlajolli, Ismet Rrahmani, Zenel Morina, Besnik Krasniqi, Bilall Shala, Nexhmedin Elshani, Abedin Salihaj, Arben Salihaj, Hysen Salihaj, Hysni Salihaj, Isa Salihaj, Milaim Salihaj, Nazmi Gashi, Shaban Salihaj, Mehmet Rrustemaj dhe Rexhep Musa.

    Në përfundim të mesazhit, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka theksuar se emrat e dëshmorëve do të mbeten të skalitur në kujtesën kolektive të popullit të Kosovës.

  • Pengoi zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

    Pengoi zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

    Një person është arrestuar në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, pasi dyshohet se ka penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

    Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 21:30. I dyshuari, mashkull kosovar, është arrestuar dhe është intervistuar në lidhje me rastin.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “PENGIM I PERSONIT ZYRTAR GJATË KRYERJES SE DETYRES ZYRTARE

    “‘Rr. Xheladin Hana’, Prishtinë 19.08.2026-21:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar pasi që, ai ka penguar zyrtarët policorë gjatë detyrës. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.