ATV

Category: Lajme

  • Aktakuzë ndaj tre personave për kontrabandim me migrantë

    Aktakuzë ndaj tre personave për kontrabandim me migrantë

    Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër tre personave nën dyshimet se kanë kryer veprën ‘’kontrabandim me migrantë’’.

    Në njoftim shtohet se, i dyshuari S.D, në afërsi të vendkalimit kufitar të Vërmicës, konkretisht tek ura e fshatit Shkozë, ka organizuar dhe drejtuar veprimet për kontrabandimin e 10 migrantëve, të gjithë shtetas të Egjiptit, të cilët kishin kaluar në mënyrë të kundërligjshme kufirin Kosovë – Shqipëri.

    ‘’ Rreth orës 01:50min, B.D., dhe A.F., kishin ndaluar me automjet në shiritin emergjent të autostradës, në afërsi të urës së fshatit Shkozë, ku kishin pritur migrantët. Në momentin e afrimit të zyrtarëve policorë, në afërsi të automjetit janë vërejtur 10 persona të shtrirë në tokë, të cilët kishin kaluar ilegalisht kufirin dhe ishin duke pritur për t’u transportuar më tej’’, thuhet në njoftim.

    Njoftimi:

    Aktakuzë kundër tre personave për kontrabandim me migrantë

    Prizren, 20 Gusht 2026 – Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër S.D., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”, nga neni 164, paragrafi 5 i KPRK-së, ndërsa B.D., dhe A.F, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë” nga neni 164, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas aktakuzës, më 23 shtator 2025, në afërsi të vendkalimit kufitar të Vërmicës, konkretisht tek ura e fshatit Shkozë, S.D., ka organizuar dhe drejtuar veprimet për kontrabandimin e 10 migrantëve, të gjithë shtetas të Egjiptit, të cilët kishin kaluar në mënyrë të kundërligjshme kufirin Kosovë – Shqipëri.

    I akuzuari S.D., kishte marrë me qira një automjet, të cilin më pas ua kishte dorëzuar B.D., dhe A.F., me qëllim që këta të fundit të kryenin transportimin e migrantëve nga zona e Vërmicës në drejtim të pikës kufitare Kosovë – Serbi. Për realizimin e këtij qëllimi, të pandehurit ishin nisur në drejtim të zonës kufitare, ndërsa S.D., kishte komunikuar me B.D., dhe e kishte udhëzuar lidhur me vendin dhe kohën e pritjes së migrantëve.

    Rreth orës 01:50min, B.D., dhe A.F., kishin ndaluar me automjet në shiritin emergjent të autostradës, në afërsi të urës së fshatit Shkozë, ku kishin pritur migrantët. Në momentin e afrimit të zyrtarëve policorë, në afërsi të automjetit janë vërejtur 10 persona të shtrirë në tokë, të cilët kishin kaluar ilegalisht kufirin dhe ishin duke pritur për t’u transportuar më tej.

    Sipas aktakuzës, 10 migrantët kishin paguar në total 25,000 euro për rrugëtimin nga vendi i origjinës deri në Serbi.

    Veprimet e dyshuara janë ndërprerë nga zyrtarët policorë, me ç’rast B.D.,

    dhe A.F., janë ndaluar, ndërsa S.D., është larguar nga vendi i ngjarjes pasi kishte vërejtur ndërhyrjen e policisë.

    Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit e lartëcekur, për veprën penale për të cilën akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • Dyfishohen çmimet e gazit në Evropë, rezervat bien në nivelin më të ulët historik

    Dyfishohen çmimet e gazit në Evropë, rezervat bien në nivelin më të ulët historik

    Çmimet e gazit në Evropë janë rritur me 120% në vitin 2026, ndërsa nivelet e ulëta të rezervave dhe rreziqet për furnizimin e lënë Evropën të ekspozuar ndaj një dimri të kushtueshëm.

    Temperaturat rekord po rrisin kërkesën për energji elektrike, ndërsa thatësira dhe nxehtësia po kufizojnë prodhimin nga hidrocentralet dhe centralet bërthamore. Kjo po detyron centralet me gaz të mbulojnë një pjesë të mungesës, pikërisht në kohën kur Evropa duhet të jetë duke shtuar rezervat e gazit për dimër.

    Kontratat e së ardhmes për Dutch TTF, treguesi kryesor i çmimit të gazit në Evropë, janë rritur me rreth 120% që nga fillimi i vitit 2026, duke arritur në rreth 63.7 euro për megavat-orë (MWh) më 18 gusht.

    Çmimet e gazit mbeten shumë më të ulëta se kulmi prej 350 euro/MWh i arritur gjatë krizës energjetike të vitit 2022, të shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Por Evropa po i afrohet dimrit me rezervat e zbrazura dhe me pak hapësirë për të përballuar një tjetër goditje në furnizim.

    Zakonisht, gjatë verës Evropa rimbush rezervat e gazit përpara se familjet të fillojnë t’i përdorin ato për ngrohje gjatë dimrit. Këtë vit, procesi i rimbushjes është përballur me një sërë ndërprerjesh dhe problemesh.

    Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur, Norvegjia ka zgjatur ndërprerjet në disa fusha gazmbajtëse, ndërsa thatësira ka reduktuar prodhimin hidroelektrik dhe atë bërthamor.

    Centralet me gaz kanë mbuluar një pjesë të kësaj mungese, ndërsa kërkesa për energji elektrike është rritur gjatë valës së të nxehtit. Kjo po rrit kërkesën për të njëjtin gaz që Evropës i nevojitet për ta ruajtur për dimër.

    “Disa rreziqe të pafavorshme nga ana e furnizimit janë materializuar dhe nivelet e rezervave të gazit janë historikisht të ulëta përpara sezonit të ngrohjes”, tha Daniel Kral, ekonomist në Oxford Economics, në një analizë të fundit.

    Firma pret të rrisë parashikimin e saj për çmimet e gazit në Evropë në shtator, potencialisht në një mesatare prej rreth 60 euro/MWh gjatë tremujorit të katërt të 2026 dhe tremujorit të parë të 2027, nga 45 euro/MWh që parashikonte më parë.

    Evropa ka ulur konsumin e gazit me rreth 15%-20% krahasuar me vitin 2021. Industria ka reduktuar përdorimin e gazit, energjitë e rinovueshme janë zgjeruar dhe pompat e nxehtësisë kanë zëvendësuar një pjesë të ngrohjes me gaz.

    Edhe furnizimi global me LNG është rritur. Evropa ka më shumë terminale importi dhe mund të tërheqë ngarkesa shtesë kur çmimet rriten. Kjo e bën një mungesë të plotë fizike të gazit shumë më pak të mundshme sesa gjatë krizës së viteve 2021–2022.

    Të dhënat e Gas Infrastructure Europe treguan se niveli ishte 57.1% më 1 gusht, niveli më i ulët për atë periudhë të vitit në serinë historike të të dhënave.

    Rregullat e BE-së vazhdojnë të synojnë një nivel rezervash prej 90%, megjithëse vendet tani kanë më shumë fleksibilitet për sa i përket kohës kur duhet ta arrijnë këtë nivel. Objektivi prej 90% mund të arrihet midis 1 tetorit dhe 1 dhjetorit, ndërsa kushtet e vështira të tregut lejojnë fleksibilitet shtesë.

    Brukseli gjithashtu ka inkurajuar vendet që ta përdorin këtë fleksibilitet dhe ta ulin objektivin në 80% kur kushtet e tregut e bëjnë më të vështirë mbushjen e rezervave.

    Ndërkohë, gazi rrezikon të përbëjë problem për Bankën Qendrore Evropiane, ku mund të kthehet në inflacion. Çmimet e gazit në tregun me shumicë ndryshojnë më shpejt se faturat e familjeve, sepse kompanitë energjetike shpesh i sigurojnë blerjet e tyre disa muaj përpara.

    Oxford Economics vlerëson se ndikimi mesatar i çmimeve të gazit me shumicë te çmimet e konsumatorit arrin kulmin rreth gjashtë muaj pas ndryshimit fillestar të çmimit. Por kjo mbrojtje dobësohet nëse çmimet mbeten të larta. Ndërsa kontratat skadojnë dhe kompanitë energjetike i rinovojnë ato, çmimet me pakicë gradualisht afrohen me çmimet e tregut me shumicë.

    Sipas tyre, inflacioni i përgjithshëm në eurozonë mund të jetë rreth 3.5% në gjysmën e dytë të vitit 2026 nëse çmimet aktuale të gazit me shumicë vazhdojnë, krahasuar me pak mbi 3% në parashikimin e fundit bazë.

    BQE-ja tashmë ka rritur normat e interesit në përgjigje të një goditjeje inflacioniste të shkaktuar nga energjia. Tregjet presin gjerësisht një tjetër rritje prej 0.25 pikë përqindjeje të normës së interesit në shtator, shkruan Euronews.al.

    Projeksionet e vetë BQE-së të qershorit treguan se inflacioni i përgjithshëm do të mbetet i lartë për shkak të çmimeve më të larta të energjisë. Sipas këtyre parashikimeve, inflacioni pritet të arrijë në 3.4% në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2026.

  • Nafta shtrenjtohet për 1 cent, publikohen çmimet e reja

    Nafta shtrenjtohet për 1 cent, publikohen çmimet e reja

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës për ditën e sotme.

    Sipas vendimit të MINTI-t, nafta do të shitet me çmim maksimal prej 1.78 euro për litër, duke u shtrenjtuar për një cent krahasuar me një ditë më parë.

    Ndërkohë, çmimi maksimal i benzinës mbetet 1.49 euro për litër, ndërsa gazi 0.62 euro për litër.

    Çmimet e reja hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

    Një ditë më parë, çmimi maksimal i naftës ishte 1.77 euro për litër.

  • Gruda pas vizitës te Thaçi në Hagë: “16 shtatori do të jetë dita e lirisë për Hashim Thaçin”

    Gruda pas vizitës te Thaçi në Hagë: “16 shtatori do të jetë dita e lirisë për Hashim Thaçin”

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka vizituar në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pak javë para shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Pas vizitës, Gruda tha se Thaçi ishte në gjendje të mirë dhe me disponim pozitiv, duke e cilësuar atë si një nga figurat kryesore të historisë së re të Kosovës.

    “Sapo përfundova vizitën te Presidenti Hashim Thaçi në Hagë. Ishte me disponim të mirë dhe me vullnet të madh. Biseduam gjatë për tema të ndryshme. Kthjelltësia, intuita dhe forca e tij janë të jashtëzakonshme”, ka shkruar Gruda.

    Ai tha se vizita i la përshtypjen se në Hagë po mbahet i burgosur jo vetëm një individ, por edhe një pjesë e historisë së Kosovës.

    “Po largohem nga këtu me ndjenjën se pas shpinës sime po mbetet i mbyllur jo thjesht një njeri, por një pjesë e historisë më të re të Kosovës dhe lirisë sonë”, u shpreh Gruda.

    Duke iu referuar vendimit të pritshëm, deputeti i PDK-së tha se 16 shtatori do të jetë dita e lirisë për Thaçin dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së.

    “16 shtatori do të jetë dita e lirisë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin”, shkroi ai.

    <iframe src=”https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fperparim.gruda.7%2Fposts%2Fpfbid0xQ8NXCWfp1ujzosvNEzPsyzHRhNw9qu48crxqRey32XsevELKHDHLCCeDFxdvEZvl&show_text=true&width=500″ width=”500″ height=”737″ style=”border:none;overflow:hidden” scrolling=”no” frameborder=”0″ allowfullscreen=”true” allow=”autoplay; clipboard-write; encrypted-media; picture-in-picture; web-share”></iframe>

    Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit pritet të shpallet më 16 shtator 2026.

    Fillimisht, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës kishte paraparë që vendimi të shpallej deri më 19 maj. Për shkak të kompleksitetit të çështjes, afati ishte shtyrë fillimisht deri më 20 korrik, ndërsa më pas është caktuar 16 shtatori si data përfundimtare e shpalljes së aktgjykimit.

  • Aksident në Istog, tre persona të lënduar

    Aksident në Istog, tre persona të lënduar

    Një aksident trafiku ka nodhur sot në fshatin Zallq në Istog.

    Aksidenti ndodhi rreth orës 15:40, ku u përfshin tre vetura.

    Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtin janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës për tretman mjekësor.

    “Sot rreth orës 15:40, Policia është njoftuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në fshatin Zallq-Istog, në këtë aksident ishin të involvuara 3 vetura dhe si pasojë e aksidentit 3 persona kanë pësuar lëndime trupore të njëjtit me autoambulancë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, për tretman mjekësor”, tha zëdhënësi i Policisë në Pejë, Driton Rugova.

  • Dhimbja e fytit nuk po të lë rehat? Këto ushqime mund të të ndihmojnë

    Dhimbja e fytit nuk po të lë rehat? Këto ushqime mund të të ndihmojnë

    Dhimbja e fytit është një ndjenjë tejet e bezdisshme dhe shpesh mundohemi të bëjmë gjithçka për t’u lehtësuar nga ky shqetësim.

    Një mënyrë e thjeshtë për të qetësuar fytin është të zgjedhim me kujdes ushqimet dhe pijet që konsumojmë, pasi disa prej tyre mund të sjellin lehtësim, ndërsa të tjera mund ta përkeqësojnë irritimin.

    Qetësojeni dhimbjen e fytit me ushqime të buta dhe ushqyese, si supat e ngrohta dhe ‘smoothiet’ e ftohta. Shmangni ushqimet krokante dhe acidike që mund ta irritojnë fytin, për të lehtësuar shqetësimin dhe për të ndihmuar në rikuperim.

    Ushqimet dhe pijet që duhen shmangur kur keni dhimbje fyti

    Disa ushqime mund ta përkeqësojnë dhimbjen e fytit. Shmangni ushqimet që janë të ashpra, pikante, acidike ose me përmbajtje të lartë të produkteve të qumështit. Këtu përfshihen:

    Ushqimet krokante, të thata dhe të forta: Shmangini, pasi janë të vështira dhe të dhimbshme për t’u gëlltitur kur keni dhimbje fyti. Shmangni ushqime si patatinat, biskotat e thata, gjevrekët, arrat, drithërat e thata dhe perimet e pagatuara derisa dhimbja e fytit të qetësohet.

    Frutat dhe lëngjet acidike: Këto mund ta irritojnë fytin dhe ta përkeqësojnë ndjesinë e djegies. Shmangni fruta dhe lëngje si rrushi, grejpfruti, ananasi dhe portokalli. Edhe lëngu dhe salca e domates janë acidike.

    Ushqimet e tharta ose turshitë: Ushqimet me bazë uthulle, si turshitë, salcat e sallatave dhe marinadat, mund të rrisin inflamacionin e fytit.

    Erëzat dhe salcat pikante: Shmangni salcat djegëse, salcat pikante, specat djegës dhe pluhurin e specit djegës kur keni dhimbje fyti. Këto mund ta shtojnë dhimbjen e fytit, ndaj zgjidhni ushqime me shije të butë.

    Kafeja: Edhe pse pihet e ngrohtë, kafeina mund të jetë irrituese dhe aciditeti i saj mund ta përkeqësojë dhimbjen e fytit. Kafeja gjithashtu mund të shkaktojë dehidratim, duke tharë dhe irrituar më tej indet e fytit.

    Alkooli: Alkooli është acidik dhe shkakton tharje, duke irrituar potencialisht fytin. Gjatë rikuperimit, shmangni pijet alkoolike si birra, vera dhe pijet e gazuara me alkool. Zgjidhni ujë dhe çaj.

    A duhet të shmangni produktet e qumështit kur keni dhimbje fyti?

    Një studim zbuloi se një dietë pa produkte qumështi uli nivelet e sekrecioneve nazofaringeale të raportuara nga vetë pjesëmarrësit. Megjithatë, kërkimet tregojnë se qumështi dhe produktet e qumështit nuk shkaktojnë prodhim të tepërt të mukusit.

    Produktet e qumështit ose çdo lëng i trashë mund t’ju japin ndjesinë se mukusi është më i trashë dhe më i vështirë për t’u gëlltitur, por ato nuk shkaktojnë prodhim të tepërt të mukusit. Nëse e keni të vështirë të gëlltisni qumështin ose produktet e qumështit, kufizojini ato derisa fyti të përmirësohet.

    Çfarë të hani dhe të pini për të lehtësuar dhimbjen e fytit?

    Ashtu siç ka ushqime që mund ta përkeqësojnë dhimbjen e fytit, ka edhe ushqime që mund ta qetësojnë fytin ose, të paktën, të jenë më pak irrituese. Në përgjithësi, këto përfshijnë ushqime të buta, të ngrohta ose të ftohta. Ushqimet dhe pijet e ngrohta mund të ndihmojnë në hidratimin dhe lubrifikimin e fytit, ndërsa ushqimet dhe pijet e ftohta mund të ulin inflamacionin dhe të mpijnë disi dhimbjen.

    Provoni si ushqimet e ngrohta, ashtu edhe ato të ftohta, për të gjetur atë që ju sjell më shumë rehati dhe lehtësim. Mund të provoni:

    Supa dhe lëngje të ngrohta: Lëngjet e ngrohta qetësojnë fytin e irrituar dhe të enjtur. Supat, veçanërisht ato të përgatitura në shtëpi, ofrojnë vlera ushqyese gjatë rikuperimit. Natriumi mund të ndihmojë në qetësimin e fytit, ndërsa ngrohtësia ndihmon në lehtësimin e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes, duke reduktuar rrjedhjen e sekrecioneve nga hunda drejt fytit dhe dhimbjen e lidhur me të.

    Ëmbëlsira të ngrira: Akulloret në shkop dhe akullorja mund të qetësojnë dhimbjen e fytit. Zgjidhni akullore në shkop të përgatitura me fruta të bëra pure ose me 100% lëng frutash, pa sheqerna të shtuara ose ngjyrues artificialë. Nëse akullorja ju shton bllokimin e rrugëve të frymëmarrjes, provoni sorbet ose sherbet në vend të saj. Produktet e gatshme janë një ushqim i përshtatshëm kur nuk ndiheni mirë.

    Smoothie: Një smoothie mund të jetë një vakt i plotë kur nuk ndiheni mirë, pasi mund të sigurojë proteina, yndyra të shëndetshme dhe lëndë ushqyese. Smoothiet janë të lëngshme, të ftohta dhe qetësuese për një fyt të irrituar. Mund të përzieni lakër jeshile ose spinaq, ujë ose qumësht me bazë bimore, pluhur proteinash, manaferra të ngrira ose banane, si dhe avokado ose gjalpë arrash.

    Kosi: Ashtu si smoothiet, kosi është i butë dhe i ftohtë, ndaj mund ta qetësojë fytin. Probiotikët që përmban mund të mbështesin sistemin imunitar dhe të ndihmojnë në rikuperim. Nëse kosi ju jep ndjesinë se mukusi trashet ose e keni të vështirë ta gëlltisni, provoni një alternativë me bazë bimore.

    Xhelatina: Xhelatina tradicionale ose alternativat vegane janë të ftohta, të buta dhe qetësuese për dhimbjen e fytit. Mund të gjeni si versione në kuti, ashtu edhe produkte të gatshme në dyqanet ushqimore.

    Çaji: Çaji i ngrohtë, por jo i nxehtë, mund ta qetësojë dhimbjen e fytit. Çdo lloj çaji mund të ketë efekt qetësues, veçanërisht çaji i gjelbër, çaji i mentes, i xhenxhefilit, i shafranit të Indisë dhe i kamomilit. Shtimi i mjaltit përmirëson shijen dhe i jep çajit veti natyrale antibakteriale.

    Perimet e gatuara: Në vend të perimeve të pagatuara, zgjidhni perime të gatuara, të cilat janë ushqyese dhe më të lehta për t’u konsumuar kur keni dhimbje fyti. Provoni ushqime veçanërisht të buta pas gatimit, si pureja e patateve, patatet e ëmbla dhe kungulli.

    Frutat e buta: Shembuj të frutave të buta dhe të lehta për t’u gëlltitur janë bananet, pureja e mollës, pjepri i pjekur dhe pjeshkët ose dardhat e konservuara.

    Vezët: Vezët e rrahura dhe vezët e ziera fort janë zgjedhje shumë të mira kur keni dhimbje fyti. Ato përgatiten shpejt dhe lehtë dhe gëlltiten pa shumë vështirësi. Mund të provoni edhe vezë të ziera në ujë, të cilat janë edhe më të buta dhe pak më të lëngshme.

    Ushqime të buta dhe ngopëse: Ushqimet e buta dhe ngopëse, si pureja e patateve, tërshëra, kaçamaku i gatuar dhe makaronat, janë zgjedhje të mira. Këto ushqime kanë një rol të dyfishtë: ju mbajnë të ngopur kur mund të mos keni shumë dëshirë për të ngrënë dhe, njëkohësisht, e qetësojnë fytin gjatë gëlltitjes.

     

  • Sot varroset 22-vjeçari që humbi jetën në aksidentin tragjik në Smrekonicë

    Sot varroset 22-vjeçari që humbi jetën në aksidentin tragjik në Smrekonicë

    Lamtumira e fundit për Rinor Zejnullahun, 22-vjeçarin që humbi jetën së bashku me Qëndrim Xhemajlin në një vetaksident në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, do t’i jepet sot në fshatin Llaushë.

    Ceremonia mortore për të ndjerin do të mbahet nga ora 17:00, në vendlindjen e tij.

    Dy të rinjtë humbën jetën si pasojë e një vetaksidenti të rëndë që ndodhi në orët e para të së mërkurës, në fshatin Smrekonicë.

  • PDK këmbëngul për vazhdimin e seancës konstituive, i shkuran sërish Deharit

    PDK këmbëngul për vazhdimin e seancës konstituive, i shkuran sërish Deharit

    Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka dërguar sërish letër kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, duke i kërkuar sërish që ta thërrasë vazhdimin e seancës.

    Çitaku i ka kërkuar Deharit që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive për nesër në orën 11:00.

    Letra:

    I nderuar z. Dehari,

    Në cilësinë tuaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës, në përputhje me Nenin 9 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës në emër të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkojmë nga ju që të përmbushni obligimin tuaj kushtetues dhe procedural dhe që, më 20 gusht 2026, në ora 11.00, të thirrni vazhdimin e seancës konstituive, ashtu siç kërkohet edhe me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë.

    Duhet të keni parasysh se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij.

    Prandaj, duke e thirrur vazhdimin e seancës konstituive, ju keni mundësinë dhe detyrimin që të parandaloni një shkelje të radhës dhe të mundësoni vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

    Ju rikujtojmë se roli juaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit. Përgjegjësia juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit. Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit.

    Vlerësimet dhe negociatat politike u takojnë forcave politike dhe ato mund e duhet të zhvillohen vetëm brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilën të gjithë jemi të obliguar ta respektojmë.

    Për këtë arsye, ju kërkojmë që, pa vonesa të mëtejshme, të thirrni vazhdimin e seancës konstituive më 20 gusht 2026, në ora 11.00, dhe të mundësoni ushtrimin e mandatit kushtetues të deputetëve të zgjedhur të Republikës së Kosovës.

     

  • Arrestohen tre të dyshuar për fajde në Prizren, policia publikon pamjet e aksionit

    Arrestohen tre të dyshuar për fajde në Prizren, policia publikon pamjet e aksionit

    Policia e Kosovës, gjegjësisht Sektori Rajonal i Hetimeve/DRP- Prizren, së bashku me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, dje ka realizuar operacionin policor për arrestimin e personave të dyshuar të përfshirë në veprën penale ‘Fajde’.

    Gjatë veprimeve operative të ndërmarra janë arrestuar 3 persona të dyshuar: B. S., F. S. dhe A. D. I dyshuari B. S. përveç veprës penale të ‘fajdesë’ është i dyshuar edhe për veprën penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘aksident trafiku me lëndime’, pasi që gjatë tentimit të tij për të shmangur arrestimin, duke goditur me veturë ka lënduar një zyrtar policor dhe një qytetare.

    Të dyshuarit lidhur me këtë rast në vazhdimësi kanë ushtruar presion ndaj viktimës, me qëllim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdesë, duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme të dyshuarit i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale viktimës.

    Gjatë operacionit policor janë kontrolluar vendbanimet e të dyshuarve në 3 lokacione të ndryshme në komunën e Prizrenit, me ç‘rast janë sekuestruar dëshmi të ndryshme materiale, të cilat do të përdoren në procedurën penale.

    Ndaj tre personave të dyshuar, pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prizren, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

     

     

  • Zhdukja e 45 vjeçares në Gjakovë, policia kërkon ndihmë për gjetjen e saj

    Zhdukja e 45 vjeçares në Gjakovë, policia kërkon ndihmë për gjetjen e saj

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin dhe gjetjen e Makfirete Kamer Avdylajt, e cila është raportuar e zhdukur në Gjakovë.

    Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, 45-vjeçarja, e lindur më 18 shtator 1980, është banore e lagjes “Brekoc” në Gjakovë.

    Me autorizim të prokurorit të shtetit, Policia ka bërë thirrje për bashkëpunim me qytetarët dhe mediat, në kuadër të përpjekjeve për gjetjen e saj.

    “Luten të gjithë qytetarët që kanë ndonjë informacion për vendndodhjen e personit të zhdukur apo çfarëdo të dhënë tjetër që mund të ndihmojë në gjetjen e saj, të njoftojnë menjëherë Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se çdo informacion mund të raportohet në numrat pa pagesë 192 dhe 0800 19999, përmes adresës elektronike [email protected], si dhe përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”.

    Policia ka falënderuar qytetarët paraprakisht për bashkëpunimin dhe ndihmën në lokalizimin e personit të zhdukur.