ATV

Category: Lajme

  • Kurti mbërrin në Kuvend, takohet me Abdixhikun për konstituimin e institucioneve

    Kurti mbërrin në Kuvend, takohet me Abdixhikun për konstituimin e institucioneve

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.

    Takimi zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje politike për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të të Kuvendit.

    Para takimit, Kurti tha se synimi është që me mirëbesim dhe në një atmosferë pozitive të diskutohet për mënyrën se si mund të ecet përpara drejt konstituimit të institucioneve.

    “Do të takohem me udhëheqësin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun kryetar dhe do të shohim si mund të ecim përpara që t’i konstituojmë institucionet e legjislaturës së 11-të, natyrisht me mirëbesim dhe me atmosferë pozitive si gjithmonë”, deklaroi Kurti.

  • ​ASK: Tregtia me pakicë shënon rënie mbi 6 për qind

    ​ASK: Tregtia me pakicë shënon rënie mbi 6 për qind

    Qarkullimi në tregtinë me pakicë në Kosovë shënoi rënie prej 6.19 për qind në qershor 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në këtë sektor u zvogëlua edhe numri i të punësuarve për 6,79 për qind, ndërsa fondi i pagave dhe mëditjeve u rrit për 3,52 për qind, përcjell KosovaPress.

    Rritja më e madhe e qarkullimit u regjistrua në tregtinë me pakicë të produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit në dyqane të specializuara, me 21,42 për qind.

    Sipas ASK-së, tregtia jashtë dyqaneve, tezgave ose tregjeve, përfshirë shitjet përmes postës apo internetit, u rrit për 14,91 për qind. Përparim pati edhe te mallrat kulturore dhe të argëtimit, me 4,89 për qind, si dhe te produktet e tjera në dyqane të specializuara, me 4,43 për qind.

    Në anën tjetër, qarkullimi në dyqanet jo të specializuara ra për 20,33 për qind, kurse tregtia e pajisjeve të tjera shtëpiake pësoi tkurrje prej 3,16 për qind.

    Sa i përket punësimit, shtim të numrit të punonjësve pati në tregtinë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, me 10,90 për qind. Te pajisjet e tjera shtëpiake u shënua rritje prej 6,72 për qind, ndërsa te pajisjet informatike dhe të komunikimit 5,41 për qind.

    Punësimi në tregtinë jashtë dyqaneve, përfshirë shitjet përmes postës ose internetit, u rrit për 2,59 për qind, kurse te mallrat e tjera në dyqane të specializuara për 1,24 për qind.

    Rënia më e theksuar e numrit të të punësuarve u regjistrua në tregtinë me pakicë të karburanteve për automjete, me 24,45 për qind. Tkurrje pati edhe në dyqanet jo të specializuara, me 20,19 për qind, dhe te mallrat kulturore e të argëtimit, me 4,12 për qind.

    Ndërkohë, fondi i pagave dhe mëditjeve u rrit më së shumti në tregtinë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, me 31,91 për qind. Pasoi sektori i pajisjeve të tjera shtëpiake me 24,24 për qind dhe ai i pajisjeve informatike e të komunikimit me 17,10 për qind.

    ASK tha po ashtu se rritje u shënua edhe te tregtia e mallrave të tjera në dyqane të specializuara, me 14,52 për qind; shitjet jashtë dyqaneve, përmes postës ose internetit, me 10,19 për qind; si dhe te produktet kulturore e të argëtimit, me 3,54 për qind.

    Fondi i pagave dhe mëditjeve ra në tregtinë e karburanteve për automjete me 15,94 për qind dhe në dyqanet jo të specializuara me 14,69 për qind.

  • Komandanti i KFOR-it takohet me shefen në detyrë të BE-së në Kosovë, diskutojnë situatën e sigurisë

    Komandanti i KFOR-it takohet me shefen në detyrë të BE-së në Kosovë, diskutojnë situatën e sigurisë

    Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në selinë e KFOR-it në “Camp Film City” në Prishtinë shefen në detyrë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova.

    Gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe është vlerësuar rëndësia e forcimit të koordinimit ndërmjet KFOR-it dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

    KFOR ka bërë të ditur se Ulutaş ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet misionit të NATO-s dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

    Në njoftim është rikujtuar se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me qëllim të kontribuimit në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe garantimit të lirisë së lëvizjes.

    Misioni i KFOR-it thekson se vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të roleve të tyre për reagimin ndaj çështjeve të sigurisë.

    Takimi vjen në kuadër të bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve ndërkombëtare të sigurisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë.

  • Më 1 shtator komunat në protestë, Ibrahimi: Kërkesat tona janë injoruar ndër vite nga niveli qendror

    Më 1 shtator komunat në protestë, Ibrahimi: Kërkesat tona janë injoruar ndër vite nga niveli qendror

    Kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave të Kosovës kanë vendosur të protestojnë më 1 shtator, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kundërshtuar, siç thonë, neglizhimin e kërkesave të tyre nga niveli qendror.

    Asociacioni i Komunave të Kosovës(AKK) thekson se problemet financiare, moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ndërhyrjet në kompetencat komunale kanë bërë që dialogu të shterojë.

    Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi në një itervistë për Ekonomia Online, ka thënë se ky vendim është marrë pas takimit të Këshillit të Kryetarëve, i cili është mekanizëm në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

    “Sot patëm takimin e Këshillit të Kryetarëve, i cili është mekanizëm në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, dhe njëzëri kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave prezentë në takim morën vendim që më 1 shtator, në ora 11:00, në sheshin “Skënderbeu”, afër ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, të organizohet protestë e komunave”, tha ai.

    Ibrahimi ka thënë se vendimi për protestë ka ardhur pasi, sipas tij, janë shterur pothuajse të gjitha rrugët e dialogut me nivelin qendror.

    “Kemi shumë arsye sa i përket kësaj proteste, sepse të gjitha rrugët e dialogut pothuajse janë shterur me nivelin qendror. Pothuajse që disa vite kërkesat e komunave janë injoruar në mënyrë totale. Nuk ka pasur një bashkëpunim të sinqertë me komunat. Në takimet të cilat janë zhvilluar me nivelin qendror vetëm kërkesat e komunave janë dëgjuar, mirëpo nuk ka pasur asnjë impakt nga takimet të cilat i kemi organizuar me nivelin qendror. Dhe kështu që përfundimisht erdhi vendimi i kryetarëve të komunave prezentë në takimin e Këshillit që më 1 shtator, në ora 11:00, të kemi protestën e komunave, ku protesta do të ketë qëllimin që problemet të cilat janë adresuar nga komunat e Republikës së Kosovës ndër vite të miratohen apo të merren parasysh nga niveli qendror”, tha Ibrahimi.

    Ibrahimi ka thënë se një prej kërkesave kryesore të komunave lidhet me mjetet financiare për kontratat kolektive.

    “Kërkesa e parë normal është që me qindra miliona euro komunave u janë marrë në mënyrë të padrejtë nga kontratat kolektive. Pastaj kemi edhe moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga niveli qendror sa i përket normës së kompensimit për përvojën e punës. Domethënë, nga marsi i vitit 2023, 2024, 2025, niveli qendror nuk e ka zbatuar këtë aktgjykim, edhe pse është kërkuar nga Gjykata Kushtetuese. Pastaj kemi çështjen e dëmit nga vërshimet, që nga viti 2022 kemi bujq, fermerë, qytetarë, të cilët nuk u janë kompensuar nga niveli qendror, edhe pse përgjegjësia institucionale është e nivelit qendror. Pastaj është problemi i rishikimit të grantit për arsim, sepse vetëm këtë vit komunat do të jenë të obliguara që t’i mbulojnë shpenzimet e rreth mbi 3 mijë mësimdhënësve, që vlera totale është rreth 24 milionë euro. Nga moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, komunat do të dëmtohen në vlerë deri në 60 milionë euro. Gjithashtu edhe kontratat kolektive me qindra miliona euro. Domethënë, komunat janë në një situatë jashtëzakonisht të vështirë sa i përket financave.”, tha ai.

    Ibrahimi ka thënë se një pjesë e rëndësishme e protestës lidhet edhe me, siç e ka quajtur ai, tendencën e nivelit qendror për marrjen ose ndërhyrjen në kompetencat e komunave.

    “Gjithashtu edhe tendenca e marrjes së kompetencave apo ndërhyrja e nivelit qendror në kompetencat e komunave ka një impakt të jashtëzakonshëm në qëllimin e kësaj proteste. Domethënë ndalja e centralizimit të kompetencave; kemi pasur Inspektoratin e Tregut, kemi pasur procesin e rekrutimit, tash edhe me çështjen e pronave publike, por gjithashtu edhe themelimi i grantit të katërt për investime kapitale, e cila është një kërkesë që disa vite e kërkuar nga kryetarët e komunave, mirëpo niveli qendror nuk i ka përkrahur kryetarët e komunave në themelimin e grantit të katërt për investime kapitale. Gjithashtu edhe një krijim i një fondi emergjent për komuna”, tha ai.

    Ai ka bërë të ditur se motoja e protestës do të jetë “Mos u merrni komunave atë që u takon qytetarëve!”.

    “Motoja e protestës së komunave, e cila do të mbahet më 1 shtator në ora 11:00, është: “Mos u merrni komunave atë që u takon qytetarëve!” Domethënë, edhe çështjen e buxheteve, edhe çështjen e kompetencave, dhe po besojmë se do të jetë një protestë masive. Normale që është apolitike, kjo është në mbrojtje të interesave të qytetarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të komunave, sepse komunat janë më afër qytetarëve në zgjidhjen e problemeve.”

    I pyetur për deklaratën e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati i cili deklaroi se buxheti vitin e ardhshëm do të arrijë 900 milionë euro, Ibrahimi ka thënë se ndarja e tyre përcaktohet me legjislacionin në fuqi dhe me formula të përcaktuara.

    “Shikoni, çështja e buxheteve është e ndërlidhur me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës. Që disa vite kemi trumbetim nga niveli qendror se buxhetet për komuna po rriten. Neve i kemi formulat të cilat e përcaktojnë ndarjen e buxheteve ndaj komunave, dhe ato formula nuk mund të ndryshohen nga ndonjë ministër pa aprovim apo miratim të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me automatizëm, për qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të elaborohet kjo çështje, sepse trumbetohet që po rritet buxheti për nivelin lokal. Por, nëse buxheti i Republikës së Kosovës është 3 miliardë euro, me automatizëm granti i përgjithshëm në bazë të legjislacionit në fuqi,  nuk është kjo në vullnetin e një ministri është rreth 10% e buxhetit total të Republikës së Kosovës, që i i bie pe marr shembull 300 milionë euro. Nëse buxheti i Republikës së Kosovës është 4 miliardë, me automatizëm në bazë të legjislacionit në fuqi komunave, në bazë të legjislacionit, i shtohen edhe 100 milionë euro. Jo që është vullneti i ministrit në këtë rast”, u shpreh Ibrahimi për Ekonomia Online.

    Ibrahimi ka folur edhe për çështjen e grantit të arsimit dhe kompetencat komunale në arsimin parauniversitar.

    “Çështja e grantit të arsimit: po shihet që përpara niveli qendror ka trumbetuar se kompetencë ekskluzive është e nivelit qendror çështja e arsimit parauniversitar, ju e dini rastin me ish-kryetarin e Kamenicës, Kastrati, apo? Ku ministrja Nagavci e ka humbur rastin në Gjykatën Kushtetuese, ku ka bërë një intervenim të drejtpërdrejtë në kompetencat e komunave. Dhe ajo ka dalë që është kompetencë e komunës, e jo e nivelit qendror. Po tash çka ka ndodhur? Tash niveli qendror, në të kaluarën ka thënë që është kompetencë e nivelit qendror, tash po u thotë komunave “Largoni ju 3.300 punëtorë arsimorë”. Domethënë tash po t’ia bartë përgjegjësinë komunave, po edhe ato që t’i largojnë mësimdhënësit potencialisht, edhe pse kanë kontratë pune. Për këtë duhet një bashkëpunim i nivelit qendror dhe nivelit lokal”, tha Ibrahimi.

    Ai ka deklaruar se, pavarësisht deklaratave të ministrit Murati, sipas tij, nuk ka pasur zgjidhje të problemeve të komunave.

    “Deklarata të tilla kemi dëgjuar ndër vite, mirëpo zgjidhje të problemeve nuk kemi pasur asnjëherë. E kanë centralizuar kompetencën e Inspektoratit të Tregut, Sanitar, Veterinar, procesin e rekrutimit. Ka pasur tendencë ndërhyrjeje në marrjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake. Domethënë, këto probleme të cilat janë akumuluar ndër vite, kryetarët nuk kanë mundur t’i zgjidhin përmes dialogut dhe kanë vendosur që të protestojnë”, ka thënë ai.

    Ibrahimi ka thënë se protesta do të jetë kërkesë e komunave për mbrojtjen e buxheteve dhe autonomisë së tyre.

    “Protesta jonë është kërkesë e komunave të Republikës së Kosovës në mbrojtjen e buxheteve vetanake dhe në mbrojtjen e autonomisë sa i përket kompetencave”, deklaroi në fund ai.

  • Gërvalla: Kush kërkon zgjidhje, nuk i ikën tavolinës së dialogut

    Gërvalla: Kush kërkon zgjidhje, nuk i ikën tavolinës së dialogut

    Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka bërë thirrje për përgjegjësi politike, dialog dhe bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike, me qëllim të tejkalimit të situatës aktuale institucionale në vend.

    “Ejani në takim! Të flasim! Aty kontribuohet për zgjidhjen që i duhet shtetit! Kjo është pjekuri politike e përgjegjësi shtetërore. Gjithçka tjetër jashtë saj është ikje nga kjo përgjegjësi e përbuzje e besimit dhe vullnetit qytetar”, tha Gërvalla duke përmendur takimin e thirrur nga Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.

    Sipas Gërvalles, përgjegjësia politike nënkupton gatishmërinë për t’u ulur në tryezën e dialogut dhe për të kontribuar në gjetjen e një zgjidhjeje konkrete.

    “Kush kërkon zgjidhje, nuk bën zhurmë dhe nuk i ikën tavolinës së dialogut. Kush kërkon përgjegjësi, nuk bën zhurmë dhe nuk i shmanget një takimi që mund të prodhojë marrëveshje. Dhe kush e vendos Republikën mbi interesin partiak e personal, nuk bën zhurmë dhe nuk e përdor krizën institucionale si instrument politik”, theksoi ajo.

    Ajo deklaroi se Kosova nuk ka nevojë për një tjetër krizë institucionale, por për përgjegjësi politike, dialog dhe marrëveshje, duke theksuar se interesat partiake duhet t’i lënë vend interesit të Republikës.

    “Marrëveshja nuk është dobësi politike. Është përgjegjësi shtetërore. Shmangia e krizës institucionale nuk është çështje e një partie, por detyrim i të gjitha subjekteve politike ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ndaj vetë Republikës”, tha Gërvalla.

    Tutje, Gërvalla vlerësoi se të gjitha subjektet politike duhet të kontribuojnë maksimalisht për zgjidhjen e çështjes së Presidentit, përmes propozimit të emrave konkretë për një president konsensual.

    “Nuk kërkohet që të pajtohemi për gjithçka. Kërkohet të kemi guximin politik të gjejmë dakordimin për atë që është e domosdoshme për funksionimin e shtetit”, tha Gërvalla. /Telegrafi/

  • KE për hapjen e urës mbi Ibër: Presim konsultime dhe koordinim

    KE për hapjen e urës mbi Ibër: Presim konsultime dhe koordinim

    Komisioni Evropian (KE) tha të martën se pret “koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës” për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër – që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

    Zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper, tha në një konferencë për media më 18 gusht se qëndrimi i Bashkimit Evropian (BE) për urën është i qartë.

    “Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, deklaroi Hipper.

    Duke folur për gjendjen aktuale, ajo rikujtoi se ura është e hapur për këmbësorë, por jo ende për qarkullimin e automjeteve.

    “Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, tha Hipper.

    Deklarata e saj vjen pasi misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, njoftoi më 10 gusht se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme në urë.

    KFOR-i tha se vendimi lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë, dhe se procesi do të jetë gradual dhe në varësi të kushteve. Ky mision, megjithatë, do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut, si dhe në veri të Kosovës, në përgjithësi.

    Ura kryesore mbi Ibër ishte bllokuar pas luftës së vitit 1999 dhe, ndër vite, ka qenë vatër e tensioneve etnike.

    Kosova dhe Serbia u pajtuan për hapjen e urës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Sipas planit të zbatimit, të dakorduar më 2016, ura duhej të hapej për trafik në janar të vitit 2017.

    Punimet për revitalizimin e saj, në të cilat u investuan rreth 1.5 milion euro, përfunduan më 2018. Megjithatë, ura nuk u hap asnjëherë për automjete, shkruan Rel.

    Në vitin 2024, përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e saj nxitën kundërshtime nga serbët lokalë, dhe kërkesa nga bashkësia ndërkombëtare që çdo veprim të bëhej përmes koordinimit.

  • Vezir Haziraj përfundon në paraburgim për një muaj, ndaj tij rëndojnë 12 aktakuza

    Vezir Haziraj përfundon në paraburgim për një muaj, ndaj tij rëndojnë 12 aktakuza

    Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Vezir Hazirajt, i cili ishte arrestuar të shtunën.

    Vendimi është marrë më 16 gusht 2026, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

    Lajmin e ka konfirmuar Gjykata Themelore në Pejë, përmes një përgjigjeje për mediat.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të kërkesës për caktim të masës së paraburgimit, me Aktvendimin me shenjën DKR.PP.nr.135/26 të datës 16.08.2026, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të njëjtit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

    Haziraj, i cili ishte arrestuar gjatë fundjavës, rezulton të ketë pasur probleme me drejtësinë që nga mosha 16-vjeçare.

    Sipas të dhënave të publikuara, ndaj tij janë ngritur gjithsej 12 aktakuza për vepra të ndryshme penale.

    Në vitin 2018, ai ishte dënuar me 6 vjet e 6 muaj burgim për tentim-vrasje të rëndë ndaj të dashurës së tij 17-vjeçare, të cilën, sipas rastit, e kishte sulmuar me thikë.

    Po ashtu, për arratisje nga vuajtja e dënimit ishte dënuar me 4 muaj burgim. Një tjetër dënim prej 4 muajsh e kishte marrë për një vepër penale të kryer gjatë kohës sa ishte në burg.

    Aktakuzat e tjera ndaj tij lidhen kryesisht me raste të vjedhjeve të lehta dhe të rënda, ndërsa disa prej rasteve të ngritura që nga viti 2016 ende nuk janë gjykuar.

    Ndaj tij aktualisht është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

  • E uroj për Kurban Bajram pastaj e goditi në qafë me thikë – ngritet aktakuzë për vrasjen e rëndë në Mitrovicë

    E uroj për Kurban Bajram pastaj e goditi në qafë me thikë – ngritet aktakuzë për vrasjen e rëndë në Mitrovicë

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet A.S., për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 27 maj 2026, në rrugën “Adem Voca” në Mitrovicë, në banesën e viktimës E.I.

    Prokuroria pretendon se i pandehuri ka shkuar në banesën e viktimës, ku në atë moment ndodheshin edhe i dëmtuari S.I., dëshmitari I.M. dhe vajza e tij gjashtëvjeçare.

    Sipas përshkrimit të aktakuzës, pasi viktima i ka hapur derën, A.S. i ka folur, e ka përqafuar dhe i ka uruar festën e Kurban Bajramit. Më pas, pasi ka hyrë në kuzhinë, dyshohet se ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur viktimën në pjesën e përparme të qafës, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

    Viktima, sipas Prokurorisë, nuk ka arritur të dërgohet në spital dhe ka vdekur si pasojë e plagëve të marra.

    Pas këtij veprimi, i pandehuri dyshohet se ka tentuar ta sulmojë edhe të dëmtuarin S.I., duke synuar ta godasë në pjesën e fytit. S.I. ka arritur t’i shmanget goditjes, ndërsa, sipas aktakuzës, është goditur në fytyrë, përkatësisht në hundë dhe buzë, duke pësuar lëndime të lehta trupore.

    Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka kërkuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor për veprat penale që i vihen në barrë dhe të dënohet sipas ligjit.

    I pandehuri konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata. /Telegrafi/

  • Shqetësuese shifrat e Prokurorisë, 64 aktakuza ndaj 82 personave brenda 24 orëve

    Shqetësuese shifrat e Prokurorisë, 64 aktakuza ndaj 82 personave brenda 24 orëve

    Numri i lartë i rasteve të dyshuara për vepra penale vazhdon të jetë shqetësues, ndërsa vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë ngritur dhjetëra aktakuza ndaj personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

    Sipas raportit 24-orësh të Prokurorit të Shtetit, gjatë kësaj periudhe janë ngritur gjithsej 64 aktakuza kundër 82 personave.

    Përveç ngritjes së aktakuzave, Prokuroria ka ndërmarrë edhe masa të tjera procedurale ndaj personave të dyshuar. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar 18 persona, të cilët dyshohen për përfshirje në vepra të ndryshme penale.

    Në kuadër të procedurave të ndërmarra gjatë kësaj periudhe, prokurorët kanë parashtruar edhe tri kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, kundër tre personave.

    Po ashtu, është parashtruar edhe një kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj një personi.

    Të dhënat janë bërë publike nga Prokurori i Shtetit në raportin e tij për 24 orët e fundit, përkatësisht për datën 18 gusht 2026.

    Shifrat tregojnë një aktivitet të konsiderueshëm të organeve të ndjekjes penale brenda një periudhe të shkurtër. Megjithatë, aktakuzat, ndalimet dhe kërkesat për masa të sigurisë janë pjesë e procedurave penale dhe nuk nënkuptojnë se personat e përfshirë janë shpallur fajtorë.

    Procedurat ndaj të dyshuarve vazhdojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa përfundimi i përgjegjësisë penale përcaktohet nga gjykatat përkatëse.

  • Gjobë 500 euro ndaj një personi në Sojevë për ndotje të mjedisit dhe rrezikim nga zjarri

    Gjobë 500 euro ndaj një personi në Sojevë për ndotje të mjedisit dhe rrezikim nga zjarri

    Një person është gjobitur me 500 euro nga Policia në Ferizaj, pasi dyshohet se kishte djegur materiale të ndryshme në oborrin e një shtëpie në fshatin Sojevë, duke shkaktuar ndotje të mjedisit dhe rrezik për përhapjen e zjarrit.

    Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, rasti është raportuar më 16 gusht, rreth orës 22:00, pas ankesave të qytetarëve për djegien e materialeve në një oborr në rrugën “Bau Beiden”.

    Njësia policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka identifikuar personin e dyshuar, SH.SH., 55-vjeçar.

    Policia ka bërë të ditur se ndaj tij është shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 eurosh, në bazë të Ligjit Nr. 08/L-071, neni 49.

    Masa është shqiptuar për shkak të ndotjes së mjedisit dhe rrezikut që zjarri paraqiste për pronat përreth.

    Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar te qytetarët që të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarre, ndotje të mjedisit apo rrezikim të pronës dhe jetës, veçanërisht gjatë temperaturave të larta.

    Rastet e tilla mund të raportohen në numrat 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406, si dhe përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.

    Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, duke theksuar se informacionet e pranuara trajtohen me konfidencialitet të plotë.