ATV

Category: Lajme

  • Kurti s’i përgjigjet Abdixhikut për emrin e Osmanit për Presidente, në LVV përsërisin kërkesën për “tre emra”

    Kurti s’i përgjigjet Abdixhikut për emrin e Osmanit për Presidente, në LVV përsërisin kërkesën për “tre emra”

    LVV-ja kërkoi nga PDK-ja dhe LDK-ja tre emra për President, si propozim “konkret dhe përbashkues” për zgjidhjen e kësaj çështjeje që po rrezikon ta çojë vendin sërish në zgjedhje. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ia paraqiti Albin Kurtit emrin e Vjosa Osmanit. I kërkoi kryeministrit garanci se 66 deputetë të mazhorancës do ta votonin atë. Ende nuk ka ardhur asnjë reagim nga kryetari i LVV-së, ndërkohë që deputetë të partisë në pushtet i përmendin zgjedhjet e reja dhe përsërisin kërkesën për “tre emra”.

    Mund të jetë dukur se, pas zgjedhjeve parlamentare të fundvitit të kaluar Kosova po ecte drejt një rrugëdaljeje nga ngërçi politik i cili e përcolli vendin gjatë gjithë vitit 2025.

    Por tani vendi duket se po shkon drejt zgjedhjeve të reja, edhe një herë tjetër, për herë të tretë brenda rreth një viti e gjysmë.

    Pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re, ngecja tani erdhi te zgjedhja e Presidentit të ri. Partia e kryeministrit Albin Kurti nuk i dha mbështetjen presidentes Vjosa Osmani për edhe një mandat në karrigen e shefes së shtetit, ndërsa këtë përgjegjësi u mundua ta shpërndante edhe te partitë opozitare, të cilat u akuzuan se gjithashtu s’e donin rizgjedhjen e saj.

    Në vend të Osmanit, për pozitën e shefit të shtetit, Kurti në mars vendosi ta kandidojë Glauk Konjufcën, zëvedësin e tij në parti dhe në qeveri.

    Pasi diskutimet për zgjedhjen e Presidentit nuk shkuan siç deshi ai, Kurti iu drejtua qytetarëve me një video të publikuar në Facebook të premten.

    Në diskutimet për zgjedhjen e Presidentit, Kurti të premten në mbrëmje i akuzoi partitë opozitare për bllokim. Tha se nuk po respektohej vullneti i shprehur në zgjedhje, ndërsa paralajmëroi bllokadë tjetër edhe pas zgjedhjeve të reja.

    “Meqënëse problemi kryesor mbetet nevoja për 80 deputetë për kuorum te çështja e Presidentit, zgjedhjet nuk do të sjellin zgjidhje. Rezultati i zgjedhjeve duhet të pranohet dhe të respektohet, sepse ai përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe bazën e demokracisë. Lëvizja VETËVENDOSJE! (LVV) ka siguruar shumicën e votave dhe të deputetëve, prandaj kërkon që ky rezultat të merret parasysh në proceset politike dhe në vendimmarrje. Nëse shkojmë në zgjedhje në qershor, dhe LVV me partnerët (GUXO, Alternativa e pakicat) nuk i mbërrin 80 deputetë, atëherë do të shkojmë sërish në zgjedhje në vjeshtë a dimër. Kujt i konvenon kjo?!”, tha ai.

    Kurti u kishte bërë oferta partive opozitare, duke ua ofruar pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe që posti i Presidentit t’i takonte partisë së tij.

    U ankua se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në takimet me të nuk ofruan asnjë emër për kandidat për President.

    Atë mbrëmje të së premtes, LVV-ja mbajti një mbledhje të Kryesisë, dhe dje në mëngjes dolën me një ide tjetër: kërkuan nga PDK-ja dhe LDK-0ja që “së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të”. Ky propozim u konsiderua “konkret dhe përbashkues”.

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i kërkoi Kurtit dje pasdite që të përcaktohej se a do marrëveshje me këtë parti, apo “i doni 90 vota edhe me PDK-në”.

    Më konkretisht, ai tha se mund ta propozojnë Vjosa Osmanin, nëse LVV-ja i garanton 66 votat e mazhorancës pë të.

    “I nderuar Kryeministër Kurti, Meqë po komunikojmë në distancë, Ju lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë. Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot pergjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të. Ju faleminderit!”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, reagoi i pari me një video ku i kërkonte sërish LDK-së dhe PDK-së “tre emra për president mbipartiak”.

    “Tash është momenti. Dërgoni tre emra. Tre emra kërkohet nëse i keni. Ne i tërheqim emrat tanë”, tha ai në videon e publikuar mbrëmë në Facebook. Tha se “topi është te ju”, duke iu referuar dy partive më të mëdha opozitare.

    Bashkëpartiakja e tij, deputetja tjetër e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu, menjëherë pas Bajqinovcit i tha Abdixhikut se “nuk po e di se a do t’përgjigjet Kryeministri jonë Kurti dhe kur”.

    E përsëriti vendimin e LVV-së për të kërkuar “tre emra” për President, ndërsa përmendi propozimin e tyre: Glauk Konjufcën. Në një situatë kur opozita do të propozonte tre emra dhe LVV-ja do ta mbante Konjufcën si kandidat, zëvendëskryeministri dhe nënkryetari i partisë në pushtet do t’i merrte 61 votat e nevojshme në rundin e tretë të votimit dhe do të zgjidhej President.

    “3 emra që janë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike – Kjo ishte oferta e re e LVV’së. Ne jemi të bindur që pas zgjidhjes ideale, pra Murat Jashari, kandidati më i mirë dhe më i zoti dhe me mbështetje të gjerë popullore për President Republike është Glauk Konjufca, të cilin e votuan 318 mijë qytetarë – krahasojeni këtë me komplet votën e LDK’së, për të cilën votuan 126 mijë qytetarë, pra 2.5 herë më pak! Mirëpo meqë kjo po refuzohet sepse Glauku na qenka LVV (po çka tjetër?!), ne e ndërmorëm edhe një hap. Me 3 kandidatë në garë që ju do t’i propozonit bashkë me PDK’në si opozitë, do të ishim dukshëm mbi 80 deputetë si prag për kuorum. Kjo ishte ofertë që opozita ta merr bajrakun për gjetjen e 3 kandidatëve konsensual, me merita e vlera kombëtare, kurse Lëvizja duke ju mbështetur që ta realizoni këtë akt. Pra, ju bashkë propozimin e kandidatëve, ne mbështetjen. Kjo është oferta për zgjidhje, kurse çfardo refuzimi apo qëndrimi ndryshe tregon se nuk doni zgjidhje, por zgjedhje”, shkroi deputetja.

    Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, tha se LVV-ja, që i deshi emrat, e ka tashmë një emër – duke iu referuar Vjosa Osmanit – dhe e shtroi pyetjen se a do ta votojnë atë deputetët e mazhorancës.

    “A deshtët emra? Emrin e keni. Kallxoni a i keni 66 vota!”, shkroi ajo mbrëmë në një postim në Facebook.

    Elvis Hoxha, anëtar i LVV-së, tha në një video të publikuar sot në Facebook se LDK-ja “nuk i ka dhënë” votat për Vjosa Osmanin presidente.

    Duke folur nga një kafene diku, ai i përmendi zgjedhjet e reja parlamentare si punë të kryer, ndërsa e quajti opozitën “depozita e bllokimit”.

    I akuzoi edhe mediat, të cilat, sipas tij, “nuk duan kurrsesi që të ketë zhbllokim të politikës së Kosovës dhe të ketë qeverisje”.

    Nëse deri të martën nuk zgjidhet Presidenti i ri, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

  • Alarm për bombë në një qendër tregtare në Tiranë, evakuohen punonjësit dhe qytetarët

    Alarm për bombë në një qendër tregtare në Tiranë, evakuohen punonjësit dhe qytetarët

    Një alarm për bombë është dhënë mesditën e kësaj të diele në një qendër tregtare në kryeqytet, ku menjëherë janë evakuuar të gjithë punonjësit dhe qytetarët që ndodheshin brenda ambienteve.

    Pas njoftimit, forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur kontrollet dhe verifikimet përkatëse, për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një alarm të rremë apo një kërcënim real.

    Kujtojmë se një alarm i ngjashëm u dha edhe në një tjetër qendër tregtare në kryeqytet, një ditë më parë, të shtunën pasdite. /euronwes/

  • Të shtënat ku ishte Trump, në të njëjtin hotel ku u plagos ish-presidenti Reagan në vitin 1981

    Të shtënat ku ishte Trump, në të njëjtin hotel ku u plagos ish-presidenti Reagan në vitin 1981

    Incidenti me të shtëna që ndodhi në hotelin Washington Hilton në Connecticut Avenue – i njëjti hotel ku Ronald Reagan u qëllua dhe u plagos në vitin 1981.

    Ngjarja e atëhershme ndodhi më 30 mars 1981, kur autori, John Hinckley Jr., qëlloi drejt Reagan-it teksa ai po kthehej drejt limuzinës së tij pas një fjalimi brenda hotelit.

    Reagan mbijetoi, por u plagos rëndë nga një plumb që u përplas në anën e limuzinës presidenciale dhe e goditi në pjesën e trupit, duke i thyer një brinjë dhe duke i dëmtuar një mushkëri. Ai u dërgua me urgjencë në spitalin George Washington University dhe më vonë u lirua më 11 prill.

    Sekretari për shtyp i Shtëpisë së Bardhë në atë kohë, James Brady, u plagos gjithashtu në të njëjtin incident, si edhe një agjent i Shërbimit Sekret dhe një oficer policie.

    Brady pësoi dëmtime në tru gjatë incidentit dhe mbeti me aftësi të kufizuara për pjesën tjetër të jetës. Pasojat e plagëve e shoqëruan gjatë gjithë jetës dhe kontribuuan në vdekjen e tij në vitin 2014.

    Një vit më pas, Hinckley u shpall i pafajshëm për shkak të gjendjes mendore, por u vendos në një repart të sigurisë së lartë në spitalin St. Elizabeth’s në Uashington, ku qëndroi deri në lirimin e tij në vitin 2016.

    Një pllakë përkujtimore ende shënon vendin e ngjarjes në anën e hotelit.

  • Nga 2024 deri sot, katër incidente të armatosura, Trump vazhdon të jetë në shënjestër

    Nga 2024 deri sot, katër incidente të armatosura, Trump vazhdon të jetë në shënjestër

    Një sulm me armë ndodhi mbrëmë në Darkën e Korrespodentëve në Shtëpinë e Bardhë ku ishte dhe presidenti amerikan, Donald Trump. Aty mbeti i plagosur një oficer i Shërbimit Sekret të ShBA-së, ndërsa i dyshuari u arrestua.

    Në vitet e fundit, kanë ndodhur disa incidente sigurie që kanë përfshirë Donald Trump.

    Në korrik të vitit 2024, ai u qëllua në veshin e djathtë gjatë një tubimi elektoral në Butler, Pensilvani. Ndërsa largohej nga skena i shoqëruar nga sigurimi, ai thërriste “Fight! Fight! Fight!” (Luftoni! Luftoni! Luftoni!). Një person në turmë humbi jetën.

    Disa muaj më vonë, në shtator 2024, presidenti i atëhershëm u evakuua me urgjencë pasi një person i armatosur u pa duke u fshehur në shkurre pranë klubit të tij të golfit në West Palm Beach, Florida. Trump tha vetë se ishte “i sigurt dhe mirë”.

    Incidenti më i fundit para mbrëmjes së djeshme ndodhi në shkurt 2026. Një person i armatosur u vra nga policia pasi kishte hyrë në perimetrin e sigurisë së rezidencës së Trump në Mar-a-Lago. Presidenti në atë kohë ndodhej në Uashington DC.

    “Personat që kanë ndikimin më të madh janë ata që bëhen shënjestër. Nuk i sulmojnë ata që nuk bëjnë shumë,” tha Trump në një përgjigje kur u pyet nga një gazetar se pse diçka e tillë po i ndodhte atij vazhdimisht.

  • Haradinaj pas të shtënave në Washington: Edhe një sulmues u mposht, ashtu siç do të mposhten çdo herë

    Haradinaj pas të shtënave në Washington: Edhe një sulmues u mposht, ashtu siç do të mposhten çdo herë

    Ish-kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me të shtënat e regjistruara gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, duke thënë se “reagimi i institucioneve të sigurisë të Amerikës, na bëri krenarë”.

    Haradinaj ka shkruar se Kosova qëndron përherë krah institucioneve të sigurisë së Amerikës dhe popullit amerikan.

    Postimi i plotë:

    Reagimi i institucioneve të sigurisë të Amerikës, na bëri krenarë dje. Edhe një sulmues u mposht, ashtu siç do të mposhten çdo herë.

    Kosova qëndron përherë krah institucioneve të sigurisë së Amerikës dhe popullit amerikan.

  • “Murat Jashari për president”, mblidhen mbi 1 mijë nënshkrime peticionin online

    “Murat Jashari për president”, mblidhen mbi 1 mijë nënshkrime peticionin online

    Në mënyrë online ka nisur një peticion i titulluar “Murat Jashari për president”, përmes të cilit kërkohet që Jashari të jetë në krye të presidencës.

    Deri më tani, mbi 1 mijë qytetarë kanë nënshkruar online një peticion publik përmes të cilit kërkohet që në procesin e zgjedhjes së Presidentit të merret seriozisht në konsideratë kandidatura e profesorit nga familja Jashari e Skenderajt, Murat Jashari.

  • Pas humbjes në zgjedhje, Orban heq dorë nga mandati në Parlament

    Pas humbjes në zgjedhje, Orban heq dorë nga mandati në Parlament

    Kryeministri hungarez në largim, Viktor Orban, ka thënë se nuk do të zërë vendin e tij në parlamentin e ri pas humbjes në zgjedhje, duke njoftuar se do të përqendrohet në riorganizimin e “lëvizjes patriotike” të vendit.

    Orban tha në një deklaratë video të shtunën se mandati parlamentar që ai fitoi si kreu i listës Fidesz-KDNP “është në fakt mandati parlamentar i Fidesz” dhe se për këtë arsye ai ka vendosur ta “kthejë atë”.

    “Tani nuk më nevojitet parlamenti, por riorganizimi i lëvizjes patriotike”, tha ai.

    Ky veprim vjen më pak se dy javë pasi partia Fidesz e Orbanit, e cila dominonte prej kohësh, u shtyp nga partia Tisza e Peter Magyar, e cila fitoi 141 nga 199 vendet në zgjedhjet parlamentare të Hungarisë më 12 prill.

    Orban tha se fraksioni parlamentar i Fidesz do të “transformohet rrënjësisht” dhe se Gergely Gulyas do të udhëheqë grupin e ri kur të formohet të hënën. Ai tha gjithashtu se partia do të mbajë një asamble kombëtare javën e ardhshme dhe do ta çojë “kongresin e saj të ripërtëritjes” në qershor.Pavarësisht largimit nga parlamenti, Orban e bëri të qartë se synon të mbetet në krye të partisë, duke thënë se udhëheqja propozoi që ai të vazhdojë si president i Fidesz dhe se është gati ta bëjë këtë nëse kongresi rinovon besimin tek ai.

    Orban përdori një ton sfidues në vend të tërheqjes, duke u thënë mbështetësve se “ky kamp ka mbetur komuniteti politik më i bashkuar dhe koheziv i Hungarisë”.

    Humbja në zgjedhje shënoi përmbysjen më të madhe të karrierës së Orbanit dhe pritet të riformësojë marrëdhëniet e Hungarisë me BE-në dhe SHBA-në, si dhe me Rusinë dhe Ukrainën.

  • FSK ka udhëtuar drejt Gazës për të realizuar rikonicionin e zonës ku do të operojnë trupat e saj

    FSK ka udhëtuar drejt Gazës për të realizuar rikonicionin e zonës ku do të operojnë trupat e saj

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka dërguar një ekip të FSK-së në Gaza për të realizuar rikonicionin e zonës ku do të operojnë trupat e FSK-së.

    Gjatë kësaj vizite ekipi do të bëjë vlerësimin paraprak dhe koordinimin e aktivititeteve të dislokimit për kontigjentin e FSK-së, që do të operojë në kuadër të misionit paqeruajtës të Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF) në Gaza, thuhet në komunikatën për media.

    “Gjatë kësaj vizite, delegacioni ka zhvilluar një sërë takimesh dhe diskutimesh me autoritete nacionale për administrimin e Gazës dhe ekipet përkatëse, si dhe me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Civilo-Ushtarake (CMCC), e cila operon nën mbikëqyrjen e Bordit të Paqes, në përputhje me Rezolutën 2803 të OKB-së. Gjatë këtyre takimeve është diskutuar rreth procesit të integrimit të kontingjentit të FSK-së, zhvillimit të operacioneve të përbashkëta, si dhe koordinimit të mbështetjes logjistike”, vijon komunikata.

    “FSK mbetet e përkushtuar për të kontribuar në paqe dhe stabilitet global, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke forcuar partneritetet strategjike, promovuar sigurinë kolektive, si dhe duke vepruar në përputhje me standardet dhe vlerat ndërkombëtare për ruajtjen e paqes”, përfundon njoftimi.

  • Autori pasi shtiu në sallën ku Trump po darkonte me gazetarët: Doja të qëlloja zyrtarët e administratës

    Autori pasi shtiu në sallën ku Trump po darkonte me gazetarët: Doja të qëlloja zyrtarët e administratës

    Autori, Cole Tomas Allen që hapi zjarr jashtë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë (WHCD), në të cilën po merrte pjesë edhe Presidenti Donald Trump u tha oficerëve pas arrestimit se donte të qëllonte zyrtarët e administratës Trump.

    Darka vjetore e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë sapo kishte filluar kur një rrëmujë e madhe u dëgjua në hyrje të sallës. Më pas dëgjuan britma: “Poshtë! Poshtë!”.

    Të pranishmit menjëherë u shtrinë në dysheme, shumë prej tyre duke mbajtur lart telefonat celularë për të regjistruar video, ndërsa presidenti dhe zonja e parë Melania Trump, të cilët ishin ulur në tryezën qendrore në një vend të ngritur përballë mysafirëve, u larguan nga rojet e sigurisë.

    Agjentët e shërbimit sekret hynë në dhomë të armatosur rëndë. Forcat e sigurisë më pas urdhëruan mysafirët, gazetarë, ministra, politikanë dhe personalitete të ndryshme, të largoheshin nga salla e madhe që ndodhej në bodrumin e parë të hotelit.

    Në videot që janë bërë publike, Presidenti Trump është ulur në tryezën e nderit me, ndër të tjerë, zëvendëspresidentin J.D. Vance dhe zëdhënësen e tij Caroline Levitt, si dhe gazetarë, ndërsa dëgjohen shpërthime.

  • Inspektimet në ndërtimtari, për dy ditë në 27 raste u ndaluan punimet

    Inspektimet në ndërtimtari, për dy ditë në 27 raste u ndaluan punimet

    Inspektorati Qendror i Punës, ka ndërmarrë aksion të jashtëzakonshëm inspektues në sektorët me rrezikshmëri të lartë, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    Sipas raportit 48-orësh nga Inspektorati Qendror i Punës, brenda dy ditësh u ndaluan punimet në 27 objekte, ndërsa në 32 të tjera u shqiptuan vërejtje.

    Në njoftim thuhet se këtë 48 orësh fokus i Inspektimit ka qenë sektori i ndërtimtarisë andaj edhe realizimi i inspektimeve është bërë në 100% në këtë sektor.