ATV

Category: Lajme

  • Ushtarakët e FSK-së diplomojnë në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar

    Ushtarakët e FSK-së diplomojnë në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar

    Dy oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë diplomuar jashtë vendit. Një në Mbretërinë e Bashkuar dhe tjetra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu thuhet në postimin e ninistrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka theksuar se kjo arritje dëshmon nivel të lartë profesionalizmi dhe përgatitjeje.

    Siç njoftohet, nëntogeri Endi Sherifi ka përfunduar një nga trajnimet më sfiduese të këmbësorisë në Ushtrinë Britanike, PCBC (Platoon Commander Battle Course), në Brecon, Uells, ku për performancën e tij është vlerësuar me Mirënjohje të Veçantë nga Komandanti i Shkollës së Këmbësorisë.

    Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ermonda Meshi ka diplomuar nga “The Adjutant General Basic Officer Leader Course” (AGBOLC), një trajnim i avancuar për përgatitjen e oficerëve në fushën e menaxhimit të personelit dhe mbështetjes administrative në operacione ushtarake.

    Postimi i tij i plotë:

    Ushtarakët e FSK-së po vazhdojnë të shkëlqejnë në akademitë e vendeve të NATO-s. Gjatë muajit prill, dy oficerë kanë diplomuar me sukses në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi dhe përgatitjeje.

    Nëntoger Endi Sherifi ka përfunduar me sukses një nga trajnimet më sfiduese të këmbësorisë në Ushtrinë Britanike, PCBC (Platoon Commander Battle Course), në Brecon, Uells, ku për performancën e tij është vlerësuar me Mirënjohje të Veçantë nga Komandanti i Shkollës së Këmbësorisë.

    Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ermonda Meshi ka diplomuar me sukses nga The Adjutant General Basic Officer Leader Course (AGBOLC), një trajnim i avancuar për përgatitjen e oficerëve në fushën e menaxhimit të personelit dhe mbështetjes administrative në operacione ushtarake. Për arritjet e saj, ajo është nderuar me medaljen “United States Diplomatic Medal”.

    Këto suksese janë dëshmi e përkushtimit dhe profesionalizmit të lartë të ushtarakëve tanë, por njëkohësisht edhe rezultat i investimeve të vazhdueshme të Ministrisë së Mbrojtjes në trajnim, edukim ushtarak dhe zhvillim profesional. Duke zgjeruar mundësitë për shkollim dhe specializim në akademitë dhe qendrat më prestigjioze ushtarake të vendeve partnere, ne po ndërtojmë një ushtri gjithnjë e më profesionale, më të përgatitur dhe të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të kohës sipas standardeve më të larta të NATO-s.

    Jemi krenarë për secilin ushtarak të FSK-së që me punë, disiplinë dhe përkushtim po përfaqëson me dinjitet Republikën e Kosovës në akademitë dhe shkollat ushtarake të vendeve aleate. Arritjet e tyre janë arritjet e shtetit tonë, të ushtrisë sonë dhe të rrugëtimit tonë të sigurt drejt forcimit të mëtejmë të kapaciteteve tona mbrojtëse.

  • Ky është parashikimi i motit për javën e fundit të prillit

    Ky është parashikimi i motit për javën e fundit të prillit

    Java e fundit e prillit pritet të jetë me mot të paqëndrueshëm. Sipas njoftimit të lëshuar nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, intervalet me diell dhe vranësira kohë pas kohe do të shoqërohen edhe me reshje shiu e shkarkesa elektrike.

    “Era gjatë gjithë javës do të jetë kryesisht nga drejtimi verior (veriperëndim dhe verilindje), me intensitet të dobët deri mesatar, duke reflektuar praninë e një fushe relativisht të dobët presioni, por me ndikim të vazhdueshëm të masave ajrore më të freskëta”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

    Të hënën moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të sillen rreth 1-3 gradë celsius, ndërsa maksimalet rreth 18-21.

    Të martën mot me diell dhe vranësira të shpërndara, të cilat gjatë ditës vende-vende priten të sjellin riga shiu.

    Temperaturat minimale nga 1-4 gradë celsius, ndërsa maksimalet nga 19-22.

    Të mërkurën pritet të mbajë mot i ngjashëm, por me temperatura më të ulëta. Ndonëse ato minimale do të shënojnë ngritje deri në 8 gradë celsius, maksimalet do të sillen nga 15-18 gradë.

    Të enjten po ashtu do të ketë mot me vranësira e reshje shiu në disa vende. Temperaturat minimale do të jenë të ngjashme si të një dite më parë, ndërsa maksimalet do të shënojnë rënie në 13 gradë celsius.

    Të premten edhe pse pritet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët e pa reshje shiu, temperaturat minimale do të bien në 0-3 gradë celsius, ndërsa maksimalet në 11-13.

  • Nga dreka, te plumbat që u morën jetën në makinë – Detajet e fundit nga atentati në Lezhë

    Nga dreka, te plumbat që u morën jetën në makinë – Detajet e fundit nga atentati në Lezhë

    Një atentat i rëndë me armë zjarri ka ndodhur të dielën në rrugën Balldren-Torovicë në Lezhë, ku kanë mbetur të vrarë Kreshnik Mujeci, 39 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Gentiana Mujeci, 32 vjeçe.

    Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes, çifti po lëvizte me një automjet tip Audi Q7, kur është qëlluar me breshëri plumbash.

    Dyshohet se mbi 30 plumba janë shkrepur në drejtim të automjetit, i cili është bërë shoshë.

    Bazuar në të dhënat paraprake të grupit hetimor, autorët dyshohet se kanë përdorur dy automjete dhe kanë monitoruar lëvizjet e viktimës gjatë ditës, para se të kryenin sulmin.

    Hetuesit po punojnë për identifikimin e mjeteve të përdorura nga autorët, ndërsa kamerat e sigurisë në zonë pritet të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.

    Informacioneve fillestare tregojnë se, çifti kishte qenë duke drekuar në një restorant para sulmit, ndërsa dyshohet se autorët i kishin vëzhguar që nga momenti i daljes nga lokali.

    Kreshnik Mujeci rezulton emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare, ai ishte arrestuar në vitin 2016 bashkë me vëllanë e tij për vrasjen e Genc Mëhillit, por më pas ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër për mungesë provash.

    Çështja ishte rikthyer për rigjykim nga Gjykata e Lartë në tetor të vitit 2024.

    Policia po heton disa pista, përfshirë konflikte të mundshme të fundit të viktimës, si dhe dyshime për përfshirje në aktivitete të paligjshme në fushën e narkotikëve.

    Hetimet për zbardhjen e atentatit po vazhdojnë.

  • Nagavci e VV-së thotë se po i presin edhe sonte PDK e LDK-në të propozojnë tre emra për president

    Nagavci e VV-së thotë se po i presin edhe sonte PDK e LDK-në të propozojnë tre emra për president

    Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nga PDK e LDK, deri më tani, nuk kanë pranuar zyrtarisht asnjë propozim konkret karshi ofertës së tyre për t’i dhënë vendit një president konsensual e unifikues.

    Ajo tutje shkruan se për shkak të peshës së situatës dhe rëndësisë së afateve, mbesin në pritje të propozimeve konkrete edhe sonte, dhe i fton dy partitë opozitare të propozojnë tre emra për president.

    Postimi i saj:

    Lëvizja VETËVENDOSJE! dje e bëri edhe një hap tutje për të mundësuar tejkalimin e ngërçit në zgjidhjen e presidentit, duke hequr dorë nga kjo pozitë dhe duke ftuar dy partitë më të mëdha opozitare që të vijnë me 3 propozime të kandidaturave unifikuese jashtë skenës politike, me integritet e kontribut të dëshmuar.

    Përtej deklaratave në media e rrjete sociale nga PDK e LDK, deri më tani, ne nuk kemi pranuar zyrtarisht asnjë propozim konkret karshi ofertës sonë për t’i dhënë vendit një president konsensual e unifikues.

    Për shkak të peshës së situatës dhe rëndësisë së afateve, ne mbesim në pritje të propozimeve konkrete edhe sonte, dhe i ftojmë edhe njëherë PDK-në e LDK-në që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës me propozimin e 3 emrave, dhe t’i vënë në dispozicion nënshkrimet e të gjithë deputetëve të tyre dhe t’i japim fund krizës dhe t’i ofrojmë qytetarëve stabilitetin institucional që vendi e meriton.

  • Propozohet që kryetarja e Speciales të thirret për raportim në komision të Kuvendit

    Propozohet që kryetarja e Speciales të thirret për raportim në komision të Kuvendit

    Nesër do të mbahet mbledhja e radhës e Komisionit për Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione.

    E në këtë mbledhje pritet të shqyrtohet për votim një propozim i deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami.

    Ai për Klankosova.tv bëri të ditur se ka propozuar dërgimin e një ftese zyrtare për raportim të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

    Mirëpo, në këtë komision pritet që të ketë edhe pika të tjera të rendit të ditës, si ai i shqyrtimit të draft-planit të punës së Komisionit për sesionin pranveror të vitit 2026.

    E pak ditë më parë, ishte pikërisht deputeti Artan Behrami, ai i cili kritikoi Gjykatën Speciale dhe kryetaren e saj, Ekaterina Trendafilova.

    Në fjalën e tij para Kuvendit, Behrami ishte shprehur Gjykata Speciale dhe Bashkimi Evropian e trajtojnë Kuvendin e Kosovës si “nënë surrogate”.

    “Që nga themelimi i Dhomave të Specializuara të Republikës së Kosovës, ky është komunikimi i parë i kësaj gjykate me neve. A e dini pse?”

    “Sepse Trendafilova dhe Bashkimi Evropian Kuvendin e Kosovës e konsiderojnë si një nënë surrogate, derisa ‘prindër ligjor’ e konsiderojnë EULEX-in, UNMIK-un dhe Rezolutën 1244. Gjykata Speciale është duke bërë një devijim të tmerrshëm të mandatit që ia ka dhënë ky Kuvend”, kishte deklaruar Behrami.

    Ndërkaq, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, na maj të vitit të kaluar ishte për vizitë në Kosovë, mirëpo konferenca e saj ishte anuluar.

    Sipas njoftimit zyrtar të asaj kohe, ajo konferencë ishte anuluar në interes të sigurisë publike dhe sipas këshillave të Policisë së Kosovës.

    Deri te anulimi kishte ardhur pasi veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin mbledhur pranë hotelit ku qëndronte Trendafilova, dhe më pas kishin bllokuar edhe hyrjen për të kundërshtuar vizitën e saj në Kosovë.

    Lidhur me këtë, ishte deklaruar edhe kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati i cili ishte shprehur se “tollovia” atje nuk ka qenë protestë, por reagim për vizitën e saj.

  • Mustafa e pyet VV’në për ofertën e Abdixhikut me emrin e Vjosa Osmanit:  A i keni 66 vota a jo?

    Mustafa e pyet VV’në për ofertën e Abdixhikut me emrin e Vjosa Osmanit: A i keni 66 vota a jo?

    Afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit po i vjen fundi.

    Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti ka kërkuar nga PDK dhe LDK të propozojnë tre emra jopartiakë për President.

    Me pas, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se mund ta propozojnë Vjosa Osmanin nëse VV i ka 66 vota për të.

    Por, kjo kërkesë është komentuar nga deputetë të pushtetit, duke thënë se VV ka kërkuar emra jopartiakë.

    E Besian Mustafa, deputet i LDK-së ka pyetur pushtetin nëse i kanë 66 vota për Osmanin.

    “Ku mbetën qato 66 vota? A i keni a jo?”, ka thënë ai.

  • Qeveria mban mbledhje elektronike, ky është vendimi që mori

    Qeveria mban mbledhje elektronike, ky është vendimi që mori

    Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka zhvilluar sot një mbledhje elektronike.

    Në këtë mbledhje, ekzekutivi ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar sot mbledhje elektronike, në të cilën ka:Miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë nr.24/11, të datës 20 prill 2026, për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës”, thuhet në komunikatën për media.

  • Zhduket 17-vjeçari në Mitrovicë, familja kërkon ndihmë për gjetjen e tij

    Zhduket 17-vjeçari në Mitrovicë, familja kërkon ndihmë për gjetjen e tij

    Një 17 vjeçar nga Mitrovica është raportuar i zhdukur, ndërsa familja e tij kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij.

    Sipas njoftimit të familjarëve, bëhet fjalë për Muhamed Bala, i cili për herë të fundit është parë më 25 prill 2026, rreth orës 13:45, në afërsi të Xhamisë Isa Beg në Mitrovicë.

    Njoftimi:

    Emri: MUHAMED BALA

    Mosha: 17 vjeçar

    Gjinia: Mashkull

    Përshkrimi fizik: Gjatësia 1.80, ngjyra e flokëve kafe e mbylltë, ngjyra e syve e kaltër, veshja e fundit, duks i zi me patent, maicë të gjelbër, trenerkat e poshtme ngjyrë e zezë e përzier me ngjyre hiri, puma të zeza!

    Është parë për herë të fundit më: 25.04.2026 ora 13:45 tek XHAMIA ISA BEG në Mitrovicë.
    Çdo informacion, sado i vogël, mund të jetë shumë i rëndësishëm per ne.

    Ju lutem kontaktoni në: 044 288 211, ose 045 985 859, 049 203 741 ose lajmëroni stacionin policor më të afërt.

  • Mbi 30 plumba u shkrepën në veturën ku u vranë burrë e grua

    Mbi 30 plumba u shkrepën në veturën ku u vranë burrë e grua

    Pasditja e së dielës ka troditur Shqipërinë, si pasojë e një vrasjeje të rëndë që ka ndodhur në Lezhë.

    Nga të shtënat me armë zjarri, një makinë është goditur me mbi 30 plumba, duke lënë të vrarë dy persona.

    Nga të dhënat paraprake, dyshohet se nga të shtënat kanë mbetur të vrarë burrë dhe grua.

    Rrethanat dhe motivi i këtij rasti ende nuk dihet. Paraprakisht, dyshohet se atentati ka ndodhur teksa viktimat kanë qenë në lëvizje.

    Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po merret me hetimin e rastit. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Lezhës, Arben Nasufi, ka reaguar në lidhje me atentatin e rëndë.

    “Është konstatuar që një mjet në lëvizje është qëlluar me breshëri armësh dhe dyshohet dhe mjekët kanë konfirmuar se kanë humbur jetën dy persona, një burrë dhe një grua. Lajmi është shumë i rëndë. Nën drejtimin e prokurorit është ngritur grupi hetimor, janë marrë të gjitha masat. Po punojmë intensivisht, po fiksojmë çdo provë me qëllim hetimin e plotë, zbardhjen e gjithë dinamikës dhe zbulimin e autorëve dhe vënien para përgjegjësisë së tyre.”, ka thënë ai.

  • Deputetja e LDK-së: Rryma në veri më e lirë se në pjesën tjetër të Kosovës

    Deputetja e LDK-së: Rryma në veri më e lirë se në pjesën tjetër të Kosovës

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka deklaruar se në Kosovë ekzistojnë dallime në çmimin e energjisë elektrike mes komunave veriore dhe pjesës tjetër të vendit.

    Në një reagim publik, ajo ka thënë se “në Kosovë, nën pushtetin ‘cep m’cep’, nëse je në komunat veriore, rryma, gjegjësisht tarifa është deri në 18.3% më lirë sesa në pjesën ku jetojmë ne, me shumicë kosovare”.

    Ymeri ka shtuar se “çdo faturë që e keni në shtëpi do të ishte më e lirë në Mitrovicën e Veriut dhe komunat tjera ku operon ElektroSeveri, brenda territorit të vendit”.

    Ajo gjithashtu ka pretenduar se qytetarët në pjesët tjera të Kosovës mbajnë barrë shtesë, duke deklaruar se “ne paguajmë edhe shpenzime operative të KEDS-it për komunat veriore të Kosovës”.