ATV

Category: Lajme

  • Inspektimet në ndërtimtari, për dy ditë në 27 raste u ndaluan punimet

    Inspektimet në ndërtimtari, për dy ditë në 27 raste u ndaluan punimet

    Inspektorati Qendror i Punës, ka ndërmarrë aksion të jashtëzakonshëm inspektues në sektorët me rrezikshmëri të lartë, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    Sipas raportit 48-orësh nga Inspektorati Qendror i Punës, brenda dy ditësh u ndaluan punimet në 27 objekte, ndërsa në 32 të tjera u shqiptuan vërejtje.

    Në njoftim thuhet se këtë 48 orësh fokus i Inspektimit ka qenë sektori i ndërtimtarisë andaj edhe realizimi i inspektimeve është bërë në 100% në këtë sektor.

  • U.D. Presidentja Haxhiu: Gratë forcojnë demokracinë dhe shoqërinë

    U.D. Presidentja Haxhiu: Gratë forcojnë demokracinë dhe shoqërinë

    Rrjeti i Grave të Kosovës ka mbajtur Kuvendin e 23-të Vjetor të Anëtareve, ku u vlerësua roli i grave në avancimin e të drejtave, forcimin e demokracisë dhe promovimin e barazisë në vend, raporton Ekonomia Online.

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, tha se kontributi i grave nuk kufizohet vetëm në momente historike, por edhe në përditshmërinë e tyre në shoqëri.

    “E kuptova se dhimbja e tjetrit nuk është e huaj, se kohëve të vështira u bëhet ballë, dhe se kur gratë përfshihen, shoqëria përparon”, tha ajo.

    Ajo theksoi se Rrjeti i Grave të Kosovës ka luajtur një rol të rëndësishëm në fuqizimin e grave dhe në ndikimin në politika publike ndër vite.

    “Ligjet bëhen më të mira kur mbështeten në dije. Politikat bëhen më të drejta kur mbështeten në përvojë”, u shpreh ajo.

    Anëtarja e Bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës, Gjylieta Mushkolaj, tha se përkundër përparimeve, mbetet nevoja për angazhim të vazhdueshëm për barazi dhe drejtësi.

    “Për të ndërtuar Kosovën si një vend i lirë, ku secili individ të ketë mundësi të jetojë në mirëqenie e me dinjitet, pa diskriminim, ku barazia dhe mundësitë e barabarta i garantohen gjithësecilit. Përkundër përparimeve, sidomos këto vitet e fundit, edhe ky takim sot është një moment për të njohur përparimet, për të reflektuar mbi plagët e pashëruara dhe për të riafirmuar angazhimin tonë për një të ardhme ku gratë janë të sigurta, të barabarta dhe të përfaqësuara në çdo vendimmarrje. E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja janë të ndërlidhura, kur flasim për drejtësinë nuk mund të anashkalojmë drejtësinë tranzicionale. Po tashmë në fund e kemi edhe strategjinë shtetërore për drejtësi tranzicionale, që vërtet është një hap i rëndësishëm. Për një strategji sado e mirë në letër, mbetet e pamjaftueshme nëse nuk kthehet në drejtësi konkrete. Dhe kjo është veçanërisht e vërtet”, tha ajo.

    Drejtoresha e NDI në Kosovë, Nancy Soderberg, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me rrjetet e grave për forcimin e demokracisë dhe rritjen e përfshirjes së grave në politikë.

    “Dhe ne e dimë që kjo është thelbësore për forcimin e vetë demokracisë. Partneriteti ynë me Rrjetin e Grave të Kosovës është thelbësor për lidhjen e këtyre përpjekjeve në nivel kombëtar me realitetet në terren. Dhe janë pikërisht këto rrjete të forta që e bëjnë gjithë punën tonë më të përforcuar, më të fuqishme dhe me ndikim më të madh.Në Kosovë, puna jonë fokusohet në mbështetjen e proceseve politike gjithëpërfshirëse, forcimin e rolit të grave brenda partive politike dhe institucioneve, si dhe krijimin e rrugëve për të dalë në pah liderë të rinj”, tha ajo.

  • Kuvendi nuk miraton dy pikat e fundit të rendit të ditës në seancën e jashtëzakonshme

    Kuvendi nuk miraton dy pikat e fundit të rendit të ditës në seancën e jashtëzakonshme

    Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës nuk janë miratuar as dy pikat e fundit të rendit të ditës, raporton Ekonomia Online.

    Me 60 vota për, 47 kundër dhe një abstenim, Kuvendi nuk miratoi propozimin që shqyrtimi i projektligjit për energjinë të bëhet me shmangie nga afatet procedurale.

    Me 62 vota për, 48 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk miratoi shmangien e trajtimit të projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me shmangie nga afatet e përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.

  • Presidenti Begaj takim me kongresmenin Keith Self: ShBA, partner strategjik për rajonin

    Presidenti Begaj takim me kongresmenin Keith Self: ShBA, partner strategjik për rajonin

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një takim me kongresmenin amerikan në Teksas, Keith Self.

    Takimi u fokusua tek rëndësia e pranisë së SHBA-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe forcimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve.

    Në një reagim në platformën X, presidenti Begaj shkroi se “Ishte kënaqësi të takoja kongresmenin @RepKeithSelf në Teksas, të cilin e falënderova për vëmendjen e tij ndaj çështjes shqiptare dhe Ballkanit Perëndimor. Shkëmbyem mendime dhe perspektiva mbi rëndësinë e pranisë së SHBA-së në rajon, rolin e vetë rajonit, NATO-s dhe KFOR-it, si dhe forcimin e partneritetit strategjik midis dy vendeve tona.”

  • Rritet çmimi i naftës në Shqipëri

    Rritet çmimi i naftës në Shqipëri

    Bordi i Transparencës publikoi të shtunën çmimet e reja tavan për shitjen e karburanteve. Sipas njoftimit zyrtar çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 206 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 194 lekë/litër.

    Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 181 ekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër.

    Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 26 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

  • Nuk miratohet shmangia e afateve procedurale për buxhetin 2026

    Nuk miratohet shmangia e afateve procedurale për buxhetin 2026

    Ka dështuar propozimi i Vetëvendosjes për shmangie nga afati procedural për rishikimin e Ligjit për Buxhetin 2026.

    Mocioni mori 57 vota për, ndërsa 48 ishin kundër.

    Para votimit pati debat mes pushtetit dhe partive opozitare. Pushteti dhe Qeveria thanë se rishikimi parasheh pakon mbështetëse për qytetarët, ndërsa opozita kundërshtoi procedurat e ngutura.

  • Hoti kritikon rishikimin e buxhetit: Kjo çasje është abuzuese me paranë publike

    Hoti kritikon rishikimin e buxhetit: Kjo çasje është abuzuese me paranë publike

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar rishikimin e buxhetit në Kuvendin e Kosovës.

    Hoti tha kjo çasje e pushtetit është abuzim me paranë publike duke potencuar që kjo është në kundërshtim me ligjin për menaxhimin e financave, raporton KlanKosova.tv.

    “Kush ka punu me financat publike e ka të qartë që kjo çasje e rishikimit të buxhetit është abuzuese me paranë publike dhe është në kundërshtim të plotë me ligjin për menaxhimin e financave publike. Ajo që më shqetëson, mungesa e etikës që del në foltore dhe thotë që është në përputhje me ligjin”, tha Hoti.

  • Nagavci: Presim propozime nga PDK dhe LDK deri të dielën për presidentin

    Nagavci: Presim propozime nga PDK dhe LDK deri të dielën për presidentin

    Shefja e Grupit Parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, para mediave ka thënë se zgjedhjet duhet të shmangen, raporton Ekonomia Online.

    Nagavci, para seancës së jashtëzakonshme në hollin e Kuvendit, u shpreh se LVV ka dalë me propozimet e sotme me qëllim që t’i shmangë zgjedhjet.

    “Meqenëse asnjëra nga dy partitë e tjera opozitare nuk ka qenë e gatshme që të ecim përpara me dy propozimet tona, ne sot kemi dalë edhe me një propozim të ri, ku jemi të gatshëm që të marrim dhe t’i shqyrtojmë seriozisht tri propozimet për kandidatët, të cilët janë kandidatë përbashkues, kandidat ose kandidate përbashkuese, që do të vijnë si propozim nga PDK dhe LDK. Dhe ne jemi të gatshëm që, në momentin që kemi tri propozime nga PDK dhe LDK për emrin e presidentit apo presidentes, pra persona të cilët janë përbashkues, persona të cilët kanë një reputacion të lartë dhe kontribut edhe kombëtar, edhe shtetëror, persona të cilët nuk janë aktualisht në skenën politike, ne jemi të gatshëm që të tërheqim dy nominimet tashmë të zotit Glauk Konjufca dhe zonjës Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, dhe të japim edhe nënshkrimet tona. Pra, të jenë 80 nënshkrime, sa janë të nevojshme për tre kandidatët, me të cilët do të merrnim pjesë pastaj në seancën për zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, u shpreh ajo.

    Ajo tha se deri ditën e diel presin një përgjigje nga opozita.

    “Pavarësisht kohës në të cilën jemi dhe ku, sipas Gjykatës Kushtetuese, afati i fundit për të zgjedhur presidentin është data 27, ndërsa më 28 shpërndahet Kuvendi, në këtë linjë ne kemi përcaktuar që dita e diel, mbrëmja e ditës së diel, është koha kur ne presim përgjigje dhe, respektivisht, propozime nga këto dy parti.

    Jemi të bindur që edhe një palë zgjedhje të reja, përveçse kanë një kosto të lartë — janë 10 milionë euro të cilat do të shpenzoheshin për zgjedhje — në anën tjetër janë dhjetëra miliona euro të tjera të cilat po presin të miratohen nga Kuvendi. Dhe përtej kësaj, përveç aspektit financiar, një palë zgjedhje të reja nuk do të sillnin asnjë ndryshim në raport me situatën që mund të vijë përsëri pas zgjedhjeve të reja”, tha Nagavci.

  • ​Nuk do të jem njëri nga kandidatët për president, thotë Haradinaj

    ​Nuk do të jem njëri nga kandidatët për president, thotë Haradinaj

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ai nuk do të jetë njëri nga tre të propozuarit eventualë për president të Kosovës.

    “Jo, nuk do të jem”, tha ai kur u pyet nga gazetari i KosovaPress, të shtunën, para seancës së Kuvendit të Kosovës.

    Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Vetëvendosje, Albin Kurti doli sot me një propozim të ri në raport me PDK-në dhe LDK-në, duke u thënë që nëse këto dalin me tri propozime për kryetar të shtetit, njëri nga të cilët edhe mund të zgjidhet në krye të shtetit, partia e tij do ta tërheq kandidatin e saj për këtë pozitë.

    Haradinaj i AAK-së dhe kryetari i PDK-së, Bedi Hamza, e quajtën sot këtë propozim të Kurtit joserioz, të vonuar, lojë dhe tallje me qytetarët.

  • Turqia mund të ndihmojë në çminimin e Ngushticës së Hormuzit pas marrëveshjes së paqes

    Turqia mund të ndihmojë në çminimin e Ngushticës së Hormuzit pas marrëveshjes së paqes

    Turqia mund t’i bashkohet operacioneve për pastrimin e minave në Ngushticën e Hormuzit pas një marrëveshjeje paqeje mes SHBA-së dhe Iranit, ka thënë ministri i Jashtëm i saj.

    Hakan Fidan deklaroi se çdo punë për çminimin do të kryhej nga një ekip teknik i përbërë nga vende të ndryshme dhe se Turqia “nuk do të kishte problem” të marrë pjesë, raporton skynews, transmeton Sinjali.

    Ai shtoi se çështjet lidhur me programin bërthamor të Iranit mund të zgjidhen në raundin e ardhshëm të bisedimeve në Pakistan.