ATV

Category: Lajme

  • PDK, LDK e AAK deklarohen kundër ndryshimeve buxhetore

    PDK, LDK e AAK deklarohen kundër ndryshimeve buxhetore

    Tri partitë opozitare në seancën e sotme, PDK, LDK dhe AAK, janë deklaruar kundër ndryshimeve buxhetore për vitin 2025.

    Gjatë seancës së jashtëzakonshme që po mbahet aktualisht, ato kanë kundërshtuar këtë propozim.

    PDK ka vlerësuar se bëhet fjalë për blerje të votës së qytetarëve.

  • Kurti për ofertën ndaj PDK-së dhe LDK-së për president: S’mund të thonë se dy partitë më të vjetra nuk i kanë tre emra

    Kurti për ofertën ndaj PDK-së dhe LDK-së për president: S’mund të thonë se dy partitë më të vjetra nuk i kanë tre emra

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar sërish se pret nga PDK-ja dhe LDK-ja që të propozojnë tre emra për postin e presidentit, duke theksuar se oferta duhet të konkretizohet deri të dielën në mbrëmje për shkak të afateve.

    Pas ceremonisë për fillimin e punimeve në projektin “Ndërtimi i rrugës Korishë–Kabash”, Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje ka diskutuar opsione të ndryshme dhe ka ndërmarrë hapa konkretë për të ecur përpara në zgjidhjen e çështjes së presidentit.

    “Kemi pasur mbrëmë deri vonë një mbledhje të Kryesisë së LVV ku kemi diskutuar opsione të ndryshme dhe me një gatishmëri të lartë për të ecur përpara kemi bërë edhe një hap më shumë. Jemi të vetmit që kemi ndërmarr hapa deri tani.

    Të gjitha takimet që i kemi pasur me PDK-në dhe LDK-në janë iniciuar nga unë. Asnjë takim nuk e kanë thirrur ata. Sido që të jetë kam pasur refuzim edhe për takime…

    Hapi i ri që kemi ndërmarrë e i cili duhet të konkretizohet deri nesër në mbrëmje sepse afatet janë të tilla është që LDK dhe PDK bashkërisht si dy parti që janë më të vjetra se LVV le të na i sjellin tre emra të personaliteteve unifikuese, të figurave që kanë reputacion të lartë për nga integriteti qytetar e kombëtar e po ashtu dhe për nga kontributi profesional në shoqëri dhe këtyre tre emrave mund t’ua sigurojmë nënshkrimet”, tha ai.

    Kurti shtoi se në rast se këto dy parti propozojnë tre emra të personaliteteve unifikuese jashtë skenës politike, atëherë Lëvizja Vetëvendosje do t’i tërhiqte kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha.

    “Ne po presim tre emra prej atyre dy partive bashkë”, tha ai.

  • Oferta e LVV-së për opozitën, Haradinaj: Ky ultimatum, pjesë e strategjisë për ta dërguar vendin në zgjedhje

    Oferta e LVV-së për opozitën, Haradinaj: Ky ultimatum, pjesë e strategjisë për ta dërguar vendin në zgjedhje

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kundërshtuar propozimin e kryeministrit Albin Kurti që opozita të propozojë kandidat për president, duke e cilësuar atë si jo serioz dhe pjesë të një strategjie për ta çuar vendin në zgjedhje, raporton Ekonomia Online.

    Haradinaj tha se ofertat e tilla nuk janë të besueshme dhe nuk zbatohen në praktikë.

    “Është një lojë realisht. Është një lojë me qytetarët, me shtetin e nuk janë, këtë oferta kredibile, sa askush nuk e beson, se këto që i thotë ai s’zbatohen. Ai po i thotë vetëm për një lloj alibie, me i mbulu fajin e tij, për faktin që po dërgon vendin në zgjedhje”, tha ai.

    Ai theksoi se situata aktuale po zhvillohet në prag të përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar qasjen e Kurtit si ultimatum dhe jo serioze.

    “Unë thashë se, jemi dy ditë para fundit të afatit kushtetues. Edhe kjo është një lloj ultimatumi tani i tij. E pjesë e strategjisë së tij, mos me e zgjedhë presidentin, me e dërgu vendin në zgjedhje. E një kryeministër që ja ashtë partia e shumicës si i thotë ai, këtë ide do ta kishte dhënë ditën e parë. Pra nuk kishte shku nuk ishte zgjatë duke nxjerrë xhevahire. Si po sillet kështu nuk është në rregull, nuk është aspak serioz, e s’ka kush e merr seriozisht atë çka flet ai. Sa na përket neve Aleancës, ne e kemi ndjerë, edhe nuk e kemi pa të mundshme me u bë pjesë e kësaj loje. Pra me u tall me institucionet e vendit, me gjëra, me negociata e diskutime që nuk janë të vërteta, pra që janë false. Edhe që janë mashtrim. Edhe e kemi ditë herët, qysh e thashë kjo lojë, e kemi paralajmëruar që po shkon në zgjedhje.

    Haradinaj bëri të qartë se nuk do të jetë kandidat për president.

    “Jo, nuk jam kandidat”, tha ai.

  • Pse duhet ta hiqni maskën nga telefoni gjatë karikimit të baterisë?

    Pse duhet ta hiqni maskën nga telefoni gjatë karikimit të baterisë?

    Shumica e përdoruesve nuk e heqin kurrë mbrojtësen (maskën) nga telefoni i tyre, madje as kur ai është duke u karikuar për orë të tëra.

    Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo është një nga zakonet më të këqija për pajisjen, sepse mund të ndikojë në mbinxehje dhe të shkurtojë jetën e baterisë.

    Problemi nuk qëndron te vetë maska, por te fakti që ajo e bllokon shpërndarjen e nxehtësisë.

    Gjatë karikimit, telefoni normalisht ngrohet, ndërsa maska e pengon ftohjen e tij.

    Kjo mund të çojë në rritje të temperaturës së brendshme dhe stres për baterinë.

    Ekspertët këshillojnë që, sidomos gjatë karikimit të gjatë, telefoni të hiqet nga maska për të lejuar ftohje më të mirë dhe për të shmangur dëmtimet afatgjata të baterisë. /Telegrafi/

  • Hamza e refuzon ofertën e VV-së: PDK-ja s’do të propozojë emra për president

    Hamza e refuzon ofertën e VV-së: PDK-ja s’do të propozojë emra për president

    Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Vetëvendosjes për propozimin e tre kandidatëve për pozitën e presidentit të shtetit bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    Kryetari i këtij subjekti, Bedri Hamza tha se kërkesa e LVV-së është manovër politike.

    “Ky ështe një nga propozimet e radhës me qëllim vetëm të gjejë fajtorë për të adresuar moasaftësinë e tij. Ka pasur kohë të mjaftueshme për të marrë veprimet e nevojshme jo për të tentuar me oferta të minutave të fundit. Andaj në PDK kjo çështje është e mbyllur, ështe diskutuar gjerë e gjatë, është bërë publike që përkundër rolit konstruktiv nuk kemi pasur mirëkuptim nga zotri Kurti dhe Vetëvendosje. Për PDK-në kjo çështje është e mbyllur. Nuk është ofertë kjo. Aspak nuk është serioze”, ka shtuar Hamza.

     

    Vetëvendosje kërkon tre emra për president nga PDK e LDK: Të jenë jashtë skenës aktuale politike

     

  • Palestinezët votojnë për herë të parë që nga fillimi i luftës

    Palestinezët votojnë për herë të parë që nga fillimi i luftës

    Palestinezët në Bregun Perëndimor dhe në Gaza po dalin sot në votime për të zgjedhur kryetarë komunash dhe këshilla bashkiake, në zgjedhjet e para që nga fillimi i luftës në Gaza. Këto zgjedhje zhvillohen në një atmosferë zhgënjimi të gjerë dhe me mundësi të kufizuara zgjedhjeje.

    Rreth 1.5 milion njerëz janë regjistruar për të votuar në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa rreth 70 mijë në zonën Deir el-Balah në Gazë, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor me seli në Ramallah.

    Shumica e listave zgjedhore janë të lidhura me Fatahun, partinë nacionaliste dhe sekulare të presidentit palestinez Mahmoud Abbas, ose janë të pavarura.

    Megjithatë, asnjë listë nuk deklaron lidhje me Hamasin, rivalin islamist të Fatahut, i cili kontrollon pjesë të mëdha të Gazës dhe sulmi i të cilit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 shkaktoi luftën, raporton france24.

    Një banor i qytetit Tulkarm tha se do të votojë pa iluzione, duke theksuar se as kandidatët e pavarur dhe as ata partiakë nuk do të ndryshojnë realitetin në qytet, i cili sipas tij kontrollohet nga okupimi izraelit.

    Në disa qytete të mëdha si Nablus dhe Ramallah garon vetëm një listë kandidatësh. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në 19:00 në Bregun Perëndimor, ndërsa në Deir el-Balah do të mbyllen më herët për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

    OKB-ja e ka përshëndetur mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, duke i cilësuar si një mundësi të rëndësishme që palestinezët të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike në një moment shumë të vështirë.

    Në Gaza, që kontrollohet nga Hamasi që nga viti 2007, këto janë zgjedhjet e para që nga ato parlamentare të vitit 2006. Sipas analistëve, votimi në Deir el-Balah po shihet si një “eksperiment” për të testuar mundësinë e zgjedhjeve më të gjera në të ardhmen.

    Presidenti Mahmoud Abbas është në pushtet që nga viti 2005 dhe premtimet për zgjedhje presidenciale dhe parlamentare nuk janë realizuar.

    Një banor 25-vjeçar i Gazës tha se është i lumtur që voton për herë të parë, duke e parë këtë si dëshmi se palestinezët vazhdojnë të ekzistojnë dhe të qëndrojnë në Gazë pavarësisht luftës. /Telegrafi/

  • Mot i qëndrueshëm dhe me diell, kushte të favorshme për bujqësinë

    Mot i qëndrueshëm dhe me diell, kushte të favorshme për bujqësinë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se vendi do të përfshihet nga mot i qëndrueshëm dhe kryesisht me diell gjatë fundjavës.

    Sipas parashikimeve, dita e shtunë do të karakterizohet nga ndikimi i një fushe të presionit të lartë atmosferik, duke krijuar kushte të qëndrueshme dhe pa vranësira të theksuara.

    Temperaturat minimale do të sillen ndërmjet 3 dhe 5 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë deri në 21 gradë. Era do të fryjë nga juglindja me intensitet të ulët deri mesatar.

    Edhe dita e diel pritet të sjellë mot të ngjashëm, por me një rritje të lehtë të temperaturave maksimale, të cilat mund të arrijnë deri në 22 gradë Celsius.

    Vranësirat do të jenë më të pranishme në zonat malore gjatë orëve të pasdites, ndërsa temperaturat minimale do të mbeten në të njëjtin interval si një ditë më parë.

    Era do të jetë e lehtë dhe me drejtim të ndryshueshëm.

    Instituti vlerëson se këto kushte janë të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore pranverore, por paralajmëron se temperaturat e ulëta minimale mund të paraqesin rrezik të lehtë për kulturat e ndjeshme në fazat e hershme të zhvillimit.

  • OKB paralajmëron: Uria globale ka arritur nivelin më kritik në vitet e fundit

    OKB paralajmëron: Uria globale ka arritur nivelin më kritik në vitet e fundit

    Uria globale po arrin nivelin më të lartë në vite, ndërsa ndihma humanitare ushqimore e Kombeve të Bashkuara po zvogëlohet për shkak të një rënieje të ndjeshme të fondeve, paralajmëron OKB.

    “Uria e rëndë është dyfishuar dhe në dy vende është shpallur gjendje zie buke. Të njëjtat vende janë bllokuar në një cikël shkatërrues urie, të nxitur nga konflikti dhe të përkeqësuar nga mungesa e fondeve”, tha drejtoresha e Programit Botëror të Ushqimit (WFP) të OKB-së, Cindy McCain, sipas Politico.

    Raporti paralajmëron se kjo shifër ndoshta nuk pasqyron situatën reale në terren, pasi 18 vende nuk kishin të dhëna të përdorshme, gjë që përfaqëson nivelin më të ulët të mbulimit në dekadën e fundit.

    Për herë të parë në historinë dhjetëvjeçare të raportit, uria është konfirmuar njëkohësisht në Gaza dhe Sudan, si rezultat i konfliktit dhe aksesit të kufizuar në ndihmë humanitare.

    Konflikti ka qenë një shkaktar kryesor i urisë në 19 vende, ku më shumë se 147 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë emergjente ushqimore, që përfaqëson më shumë se gjysmën e totalit global.

    Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme po prish tashmë tregjet globale të plehrave dhe energjisë, duke i rënduar më tej vendet që varen nga importet e ushqimit, të cilat tashmë ishin në krizë, shtohet në dokument.

    Sipas një raporti gjithëpërfshirës të OKB-së, numri i njerëzve në fazat më kritike të urisë akute është rritur ndjeshëm që nga viti 2016, edhe pse fondet për të adresuar problemin kanë rënë.

    Rreth 1.4 milion njerëz ishin në prag të urisë vitin e kaluar në gjashtë vende dhe territore, krahasuar me 155,000 në vitin 2016, sipas Raportit Global mbi Krizat Ushqimore të botuar nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së dhe Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së.

    Shpenzimet humanitare dhe të zhvillimit për krizat ushqimore kanë rënë në nivelet e viteve 2016-2017, me ndihmën amerikane që ka rënë me pothuajse 57 për qind vitin e kaluar dhe ulje të konsiderueshme në Gjermani, Francë, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

    Raportohet se përqindja e popullsisë që përballet me nivele të larta të urisë akute është pothuajse dyfishuar gjatë së njëjtës periudhë.

    Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së humbi më shumë se 2.6 miliardë dollarë në fonde dhe 6,000 vende pune vitin e kaluar pasi administrata e Presidentit të SHBA-së Donald Trump shkurtoi agjencinë kryesore të ndihmës së jashtme të SHBA-së, USAID, ndërsa agjenci të tjera të OKB-së, përfshirë FAO-n, u goditën gjithashtu rëndë.

  • Zjarr në një shtëpi në Angli, vdesin dy fëmijë

    Zjarr në një shtëpi në Angli, vdesin dy fëmijë

    Policia po heton pasi dy fëmijë të vegjël humbën jetën në një zjarr në një shtëpi në Wolverhampton, të premten në mbrëmje.

    Oficerët e Policisë së West Midlands u thirrën në zjarrin në Mason Street rreth orës 20:30 BST, së bashku me shërbimin zjarrfikës dhe shërbimin e ambulancës së West Midlands.

    Zjarrfikësit hynë në pronë dhe shpëtuan dy fëmijë të vegjël, por ata nuk arritën të mbijetojnë dhe u shpallën të vdekur në vendngjarje, tha policia, raporton BBC, transmeton Sinjali.

    Dy fëmijë të tjerë dhe një grua kishin dalë nga shtëpia para se të mbërrinin shërbimet emergjente dhe janë kontrolluar nga stafi i ambulancës, por nuk kanë pasur nevojë për trajtim spitalor.

    Shërbimi zjarrfikës tha se zjarrfikësit menjëherë u kanë dhënë ndihmën emergjente dy fëmijëve të vegjël pas nxjerrjes së tyre nga shtëpia.

    Mjekët kanë punuar “me shpejtësi për të aplikuar trajtim të avancuar të ringjalljes për të dy fëmijët, por fatkeqësisht të dy u konfirmuan të vdekur pak kohë më vonë”, tha Shërbimi i Ambulancës së West Midlands.

    Policia e West Midlands tha se ka rrethuar zonën ndërsa oficerët po punojnë për të përcaktuar rrethanat e sakta të zjarrit.

    Rrethimi pritet të mbetet në fuqi për disa kohë në pronën e cila është dëmtuar rëndë, ndërsa hetimet vazhdojnë.

    “Jemi me mendje te të afërmit e fëmijëve dhe të gjithë të prekurit nga ky incident zemërthyes”, tha një zëdhënës i policisë.

  • U ndalua nga dy persona të maskuar, nën kërcënimin e armës ia grabitën paratë, telefonin dhe çelësin e veturës – Policia me detaje

    U ndalua nga dy persona të maskuar, nën kërcënimin e armës ia grabitën paratë, telefonin dhe çelësin e veturës – Policia me detaje

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të grabitjes në Rahovec.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Tafil Zyberaj”, të premten në ora 21:25.

    “Viktima mashkull kosovar, ka njoftuar policinë se derisa ishte duke lëvizur me veturë është ndaluar nga dy persona të panjohur, të maskuar të cilët nën kërcënimin e armës i kanë grabitur viktimës 430€ para, një telefon celular dhe çelësin e veturës”, thuhet në raportin policor.

    Sipas viktimës njëri nga të dyshuarit gjatë incidentit ka shtënë me armë në tokë.

    Njësitë policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë.

    Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe mbetet në hetime. /Telegrafi/