ATV

Category: Lajme

  • Vrasja e trefishtë në Gjilan, të dyshuarit ende në arrati, IPK-ja duke hetuar zyrtarët policor

    Vrasja e trefishtë në Gjilan, të dyshuarit ende në arrati, IPK-ja duke hetuar zyrtarët policor

    Anëtarët e familjes Shkodra, të kërkuar për vrasje të rëndë, janë ende të pakapshëm për institucionet e drejtësisë. Derisa policia thotë se ka ndërmarr të gjitha masat, për arrestimin e tyre, IPK-ja vazhdon të mbajë të suspenduar por me pagesë, zyrtarët policor që dyshohet se janë të përfshirë në rastin e tyre.

    Kanë kaluar 9 muaj që nga vrasja e trefishtë në komunën e Gjilanit, ndërkohë që të dyshuarit ende nuk janë kapur nga institucionet e drejtësisë.

    Mefail Shkodra së bashku me dy djemtë e tij, Edonis e Engjull Shkodra vazhdojnë të jenë të paarritshëm, derisa nga policia e Kosovës thonë se i kanë marr të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë edhe flet arrestin ndërkombëtar.

    “Referuar kërkesës suaj të mëposhtme ju informojmë se lidhur me rastin Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme duke përfshirë edhe flet arrestin ndërkombëtar, ndërsa sa i përket çështjes së zyrtarëve policorë ju lutem që ti adresoheni IPK-së.”

    E pas vrasjes që ndodhi në gusht të vitit të kaluar, në një kafene në qytet ishin aktivizuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët thanë se edhe më tutje katër zyrtarët policor vazhdojnë të jenë të suspenduar.

    “Duke ju referuar kërkesës suaj gjeni përgjigjen nga IPK-ja si në vijim: Sa i përket zyrtarëve policorë IPK ju konfirmon se të njëjtit janë ende të suspenduar me pagesë dhe se kjo do të vazhdojë deri sa të jetë në interes të hetimit penal të cilin është duke e zhvilluar IPK-ja. Rasti në fjalë është ende në hetim dhe hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës janë duke kryer disa veprime hetimore në koordinim me prokurorinë kompetente.”

    IPK-ja kishte rekomanduar suspendimin e një rreshteri policor dhe një hetuesi nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan, një rreshter policor që ishte shef i hetimeve në Stacionin Policor të Novobërdës, dhe një zyrtar policor të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Gjilan.

    Avokati Valdet Hoxha thotë se mungesa e bashkëpunimit juridik me shtetin e Serbisë që potencialisht mund të jetë strehë për të dyshuarit, sjellë sfida për arrestimin e tyre.

    “Natyrisht që është sfidë e jashtëzakonshme edhe në rastet kur të dyshuarit mund të mos jenë brenda shtetit dhe mund të kenë kaluar kufirin atëherë sfida e radhës për institucionet e vendit tonë është edhe mungesa e bashkëpunimit ndërkombëtar me disa shtete ku eventualisht të dyshuarit mund të strehohen, prandaj këto janë sfidat që ballafaqohen mekanizmat kompetent, por nuk duhet të pushojnë dhe duhet të marrin veprimet që parashihen me kornizën ligjore”, ka deklaruar Hoxha.

    Kompetencat për këtë rast kanë kaluar në Prokurorinë Speciale, derisa kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje, rreth hetimeve të këtij rasti.

    Anëtarët e familjes Shkodra të kërkuar për vrasje të rëndë, ishin të njohur për institucionet e drejtësisë edhe për rastet e fajdeve meqë ishin arrestuar në të kaluarën, e që më pas ishin liruar./Tv Dukagjini

  • Nesër afati i fundit për presidentin – Si u përplasën të dielën mbrëma VV e LDK

    Nesër afati i fundit për presidentin – Si u përplasën të dielën mbrëma VV e LDK

    Nesër është dita e fundit e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Deri tash, partitë politike nuk kanë gjetur konsensus rreth një emri që do të siguronte pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit për president.

    Lëvizja Vetëvendosje të shtunën doli me një propozim të ri, duke kërkuar nga PDK dhe LDK tre emra jopartiakë dhe njërin prej tyre të zgjedhin President.

    Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti u dha afat deri të dielën mbrëma kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës e atij të LDK-së, Lumir Abdixhikut për të propozuar tri emra për postin e presidentit. Por, ky afat tashmë ka kaluar dhe këto dy parti opozitare nuk kanë propozuar tre emra.

    Ndërsa mbrëmë janë përplasur përmes deklaratave Vetëvendosje dhe LDK, shkruan Reporteri.net.

    Shefja e Grupit Parlamentar të LVV, Arbërie Nagavci mbrëmë deklaroi se “akoma po presin emra konkretë nga dy partitë opozitare”.

    “Për shkak të peshës së situatës dhe rëndësisë së afateve, ne mbesim në pritje të propozimeve konkrete edhe sonte (mbrëmë), dhe i ftojmë edhe njëherë PDK-në e LDK-në që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës me propozimin e 3 emrave, dhe t’i vënë në dispozicion nënshkrimet e të gjithë deputetëve të tyre dhe t’i japim fund krizës dhe t’i ofrojmë qytetarëve stabilitetin institucional që vendi e meriton”, ka shkruar ndër tjerash Nagavci në Facebook.

    Por, dy deputetët e LDK-së Jehona Lushaku dhe Besian Mustafa, të dielën pyetën pushtetin nëse i kanë 66 vota.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, përmes një postimi në Facebook ka theksuar se tashmë emri është bërë i ditur, duke kërkuar nga shumica parlamentare të sqarojë nëse i ka votat e nevojshme.

    “A deshët emra? Emrin e keni. Kallxoni a i keni 66 vota!”, ka shkruar shkurt Lushaku.

    Kurse deputeti tjetër i LDK-së, Besian Mustafa, përmes një statusi ka pyetur VV-në se ku mbetën qato 66 vota.

    “Ku mbetën qato 66 vota? A i keni a jo?”, ka shkruar ai.

    Poashtu ka reaguar edhe deputeti tjetër i LDK-së Avdullah Hoti, i cili tha se janë dy ditët vendimtare, ku ose zgjedhet Presidenti apo mandati i kthehet deputetëve.

    Kujtojmë se të shtunën kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook i bëri të qartë Kurtit duke i thënë se mund ta propozojnë edhe Vjosa Osmanin për presidente nëse Lëvizja Vetëvendosje i garanton 66 vota për të.

    Abdixhiku theksoi se Kurti duhet të vendosë nëse synon bashkëpunim me LDK-në apo sigurimin e 90 votave në Kuvend edhe me përfshirjen e PDK-së.

    Kurse, nga Partia Demokratike e Kosovës refuzuan ofertën e Vetëvendosjes.3

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i është kundërpërgjigjur Kurtit edhe përmes një videoadresimi publik.

    Hamza ka thënë se dje pamë një tentim tjetër nga Kurti për t’ia hedhur fajin opozitës lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri.

    Ndryshe, një ditë para se Kuvendi të shpërndahet në rast se nuk zgjidhet presidenti, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se janë gati për organizimin e zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas afatit kushtetues do të duhej të mbaheshin më së voni më 7 qershor.

    Në rast se zgjedhjet shpallen, ato do të ishin të pestat brenda 16 muajve.

  • KQZ-ja gati për zgjedhje, megjithatë nuk është ndarë buxhet për organizimin e tyre

    KQZ-ja gati për zgjedhje, megjithatë nuk është ndarë buxhet për organizimin e tyre

    Dy ditë para se Kuvendi të shpërndahet në rast se nuk zgjidhet presidenti, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se janë gati për organizimin e zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas afatit kushtetues do të duhej të mbaheshin më së voni më 7 qershor.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se meqë në këtë vit nuk janë planifikuar zgjedhje, nuk është ndarë as buxhet për organizimin e tyre. Sipas tij, kostoja e përafërt do të jetë 10 milionë euro.

    “Në rrethana të tilla, pra gjithmonë nëse do të kemi zgjedhje, KQZ-ja i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesë për mjetet që janë të nevojshme për mbulimin e shpenzimeve. Ne nuk mund ta dimë aktualisht se sa mund të jetë kostoja e zgjedhjeve të mundshme, pasi aktualisht nuk kemi ndonjë planifikim. Një shumë e tillë duhet të miratohet nga KQZ-ja dhe kjo do të ndodhë vetëm në rast se do të kemi një proces zgjedhor”, ka thënë Elezi.

    Në rast se zgjedhjet shpallen, ato do të ishin të pestat brenda 16 muajve.

    Ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, ka thënë se institucioni nuk ka pasur kohë të hartojë plane e procedura për t’i shmangur parregullsitë që përcollën procesin e fundit zgjedhor të 28 dhjetorit.

    “Sfidojnë KQZ-në dhe Komisionet Komunale Zgjedhore për arsye se do të duhej që një proces elektoral të përgatitej më shpejt sesa në rrethana normale brenda mandatit katërvjeçar bie fjala. Duhet, në situata të tilla, në mënyrë të përshpejtuar të bëhen përgatitjet, të realizohen projektet, trajnimet e ndryshme. Pra me një fjalë të gjitha përgatitjet e duhura për një cikël zgjedhor i cili kërkon mesatarisht, të paktën, gjashtë muaj përgatitje”, është shprehur Baraliu.

    Ndonëse dita e zgjedhjeve të 28 dhjetorit ka kaluar me pak parregullsi, procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë është shoqëruar me manipulime në shkallë të gjerë.

    Sipas një raporti të Demokracisë në Veprim, rinumërimi gjeti se mbi 242 mijë vota u tjetërsuan gjatë numërimit fillestar. Kjo çoi në arrestimin e qindra komisionerëve.

    Përtej aspektit organizativ, sociologu Genc Xërxa ka deklaruar se ciklet e shpeshta zgjedhore e dobësojnë besimin e qytetarëve në institucione dhe në demokraci.

    “Këto mund të vijnë në shprehje shumë më shumë se zëri i qytetarëve apo grupeve të cilat presin, me të drejtë, nga ky sistem. Ashtu që shumë parti të ndryshme, ideologji të ndryshme mund të vijnë në shprehje, e të cilat në disa raste mund të jenë jodemokratike”, ka thënë Xërxa.

    E marta është dita e fundit e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Deri tash, partitë politike nuk kanë gjetur konsensus rreth një emri që do të siguronte pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit për president.

  • Dita e të Zhdukurve, Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe

    Dita e të Zhdukurve, Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe

    Në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur, sot ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu do të bëjë nderime pranë Monumentit dedikuar Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës.

    Bashkë me të, homazhe do të kryejë edhe kryeministri Albin Kurti.

    Ngjarja do të zhvillohet me fillim nga ora 11:30 para ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

  • 27 vjet nga rënia e dëshmorit Enver Musa – “DIVI”

    27 vjet nga rënia e dëshmorit Enver Musa – “DIVI”

    Sot shënohet 27-vjetori i rënies heroike të dëshmorit Enver Musa “DIVI”, pjesëtar i Zonës Operative të Shalës (ZOSH), në kuadër të Brigadës 141 “Mehë Uka”.

    Ai ra më 27 prill 1999 në Betejën e Melenicës, pas 47 ditësh përballje të ashpër me forcat serbe.

    Enver Musa, i njohur me nofkën “DIVI”, në një moshë të re zgjodhi t’i bashkohej luftës për liri, duke lënë pas çdo gjë për idealin e çlirimit të vendit. Sipas bashkëluftëtarëve, ai luftoi deri në momentet e fundit vetëm pak metra larg armikut, duke treguar vendosmëri dhe guxim të jashtëzakonshëm.

    Në këtë përvjetor, bashkëluftëtarë, familjarë dhe qytetarë kujtojnë me nderim jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se figura e “DIVI”-t mbetet shembull i trimërisë, vendosmërisë dhe dashurisë për atdheun.

  • Kuvendi mblidhet për dy seanca, njëra i kushtohet Rexhep Qosjes

    Kuvendi mblidhet për dy seanca, njëra i kushtohet Rexhep Qosjes

    Kuvendi i Kosovës sot do të mblidhet për të zhvilluar dy seanca.

    Me fillim nga ora 09:00, të zgjedhurit e popullit bëhen bashkë për ta nderuar akademikun e ndjerë, Rexhep Qosjen.

    Ndërsa nga ora 12:00 Parlamenti do të mbajë seancë të rregullt plenare.

  • E hënë me diell dhe temperatura të larta

    E hënë me diell dhe temperatura të larta

    Të hënën pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Temperaturat minimale, sipas Institutit Hidrometeorologjik do të lëvizin ndërmjet 1 dhe 3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 18 deri në 21 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi prej 1 deri në 5 metra në sekondë.

  • Arrestohet në Prishtinë 43-vjeçari i dënuar për vrasje në tentativë

    Arrestohet në Prishtinë 43-vjeçari i dënuar për vrasje në tentativë

    Policia e Prishtinës ka njoftuar se ka arrestuar një person të kërkuar, i dënuar për veprën penale “vrasje në tentativë”.

    Spas postimit në Facebook, bëhet fjalë për A.E., 43 vjeç, shtetas i Kosovës, i cili ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim.

    Arrestimi është realizuar nga Njësia e Arrestimeve e Stacionit Policor Veriu në Prishtinë, në kuadër të veprimeve të vazhdueshme për kapjen e personave të kërkuar dhe të dënuar për vepra penale.

    “Pas ndalimit, i njëjti është dërguar për vuajtje të dënimit”, thotë PK.

  • Hoti: Nesër i kthehemi Kuvendit në dy ditët finale, president i ri ose zgjedhje

    Hoti: Nesër i kthehemi Kuvendit në dy ditët finale, president i ri ose zgjedhje

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka qëndruar të dielën në Prizren, nga ku ka përcjellë një mesazh në prag të seancave vendimtare në Kuvend.

    “E diel e këndshme në Prizren. ☀️ Nesër i kthehemi Kuvendit në dy ditët finale për t’i dhënë vendit Presidentin e ri ose për ta kthyer mandatin sërish te qytetarët”, ka shkruar Hoti.

    Ai ka theksuar se dy ditët në vijim do të jenë përcaktuese për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, ndërsa ka lënë të hapur edhe mundësinë e kthimit të mandatit te qytetarët në rast se procesi nuk përmbyllet në Kuvend.

  • Jehona Lushaku i kërkon VV’së të deklarohen për Vjosa Osmanin: Emrin e keni

    Jehona Lushaku i kërkon VV’së të deklarohen për Vjosa Osmanin: Emrin e keni

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, i ka reaguar Lëvizjes Vetëvendosje pasi po kërkojnë emra jopartiakë për President.

    Të dielën, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se nuk kanë pranuar zyrtarisht asnjë emër për President nga dy partitë opozitare, PDK dhe LDK – duke shtuar se edhe sonte janë në pritje.

    Por, Lushaku ka shkruar në Fascebook se emrin e kanë, duke e pyetur Lëvizjen Vetëvendosje nëse i kanë 66 vota për Vjosa Osmanin.

    “A deshtët emra? Emrin e keni. Kallxoni a i keni 66 vota”, ka shkruar ajo