ATV

Category: Lajme

  • KQZ-ja mban mbledhjen e radhës, në rend dite raporti vjetor dhe analizat e zgjedhjeve

    KQZ-ja mban mbledhjen e radhës, në rend dite raporti vjetor dhe analizat e zgjedhjeve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë mbledhjen e radhës më 27 prill 2026, duke filluar nga ora 13:30, në zyrat e institucionit në Prishtinë.

    Sipas njoftimit zyrtar, mbledhja do të kryesohet nga kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ndërsa në rend dite janë një sërë çështjesh që lidhen me funksionimin dhe aktivitetin zgjedhor.

    Në kuadër të këshillit për operacione zgjedhore, anëtarët do të shqyrtojnë dhe miratojnë raportin vjetor të KQZ-së për vitin 2025, i cili më pas i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Po ashtu, në rend dite janë edhe shqyrtimi i agjendës së punëtorisë lidhur me mësimet e nxjerra nga zgjedhjet lokale 2025 dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvend, si edhe analizat e votave me asistencë për këto procese zgjedhore.

    KQZ-ja do të trajtojë edhe ndryshime dhe plotësime në disa rregullore zgjedhore, përfshirë ato për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, qendrën e numërimit dhe rezultatet, votimin dhe menaxhimin e vendvotimeve, si dhe për vëzhguesit e zgjedhjeve.

    Në këtë mbledhje pritet të shqyrtohet edhe raporti për realizimin e planit të punës së KQZ-së për vitin 2026.

  • “Djalin e ndiqnin për ta vrarë”, flasin prindërit e 30-vjeçarit që u ekzekutua në Memaliaj

    “Djalin e ndiqnin për ta vrarë”, flasin prindërit e 30-vjeçarit që u ekzekutua në Memaliaj

    Prindërit e Endri Goxhaj, 30-vjeçarit që u vra javën e kaluar në Memaliaj, kanë ndarë detaje për Top Channel.

    I ati i tij invalid, Astrit Goxhaj rrëfen me dhimbje se për të rritur të birin ka bërë sakrifica të mëdha, duke mbledhur lule në mal për të siguruar jetesën.

    Ai tregon se çdo përpjekje dhe mund i jetës së tij kishte vetëm një qëllim, të ndërtonte një të ardhme më të mirë për Endrin, por sot, pas vrasjes së të birit, ai shprehet se gjithçka i është shkatërruar.

    Mes lotësh dhe dhimbjes së thellë, thotë se humbja e Endrit i ka rrënuar jetën dhe i ka marrë çdo shpresë, ndërsa kërkon me ngulm që drejtësia të vihet në vend.

    Edhe nëna e tij, e tronditur thellë nga kjo humbje, kërkon drejtësi për djalin e saj. Me zë të dridhur, ajo apelon që autorët të zbulohen dhe të marrin dënimin që meritojnë, duke theksuar se asgjë nuk mund ta kthejë më Endrin, por drejtësia është e vetmja gjë që mund t’i japë sadopak qetësi shpirtit të saj ajo shton se djalin ja ndiqnin për ta vrarë.

    Mësohet se Endri kishte pak kohë që ishte fejuar, duke e bërë edhe më të rëndë këtë tragjedi për familjen dhe të afërmit, pasi jeta e tij u ndërpre pikërisht në momentin kur po niste një kapitull të ri.

  • Ndahet nga jeta ish-luftëtari i UÇK-së dhe pjesëtari i Policisë së Kosovës, Sami Gashi

    Ndahet nga jeta ish-luftëtari i UÇK-së dhe pjesëtari i Policisë së Kosovës, Sami Gashi

    Është ndarë nga jeta ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherësh pjesëtar i Policisë së Kosovës, Sami Gashi.

    Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Gashit, teksa shtoi se ai do të kujtohet gjithmonë për kontributin e tij të çmuar në shërbim të atdheut, si dhe për angazhimin e tij në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

    “Në këto momente të rënda, ju shpreh ngushëllimet e mia më të thella dhe bashkëndjej dhimbjen me ju. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

  • Njëjtë si dje, çmimi i naftës sot

    Njëjtë si dje, çmimi i naftës sot

    Çmimi i naftës për ditën e sotme është 1.66 euro për litër.

    Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila ka publikuar përditësimin e çmimeve të derivateve.

    Sipas njoftimit, benzina kushton deri në 1.44 euro për litër, ndërsa gazi 0.86 euro.

    Të njëjtat çmime kanë qenë në fuqi edhe dje, si dhe në ditën e parë të kësaj jave.

  • Detaje nga atentati në Lezhë: Vetura e çiftit Mujeci u qëllua me mbi 30 plumba në ecje

    Detaje nga atentati në Lezhë: Vetura e çiftit Mujeci u qëllua me mbi 30 plumba në ecje

    Një atentat i dyfishtë ka ndodhur ditën e djeshme në Balldre të Lezhës, ku mbetën të vrarë Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij, Gentjana Mujeci, prindër të katër fëmijëve.

    Makina me të cilën ata po lëviznin u godit më mbi 30 plumba, duke i lënë të vdekur në vendngjarje.

    Mësohet se viktima, në tetor të vitit 2017 u arrestua si i dyshuar për vrasjen e shtetasit Genci Mhillaj në Shkodër. 30 vjeç në atë kohë, Mujeci u akuzua për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.

    Po ashtu, raportohet se viktima, Kreshnik Mujeci kishte denoncime në polici edhe nga vetë prindërit për dhunë në familje.

    Ndërkohë Arben Nasufi, kreu i Policisë Lezhë konfirmon se mjeti u godit me breshëri plumbash ndërsa ishte në lëvizje.

    Policia ndërkohë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për kapjen e autorëve, raporton Top Channel.

  • Pesë raste të dhunës në familje për 24 orë në Kosovë

    Pesë raste të dhunës në familje për 24 orë në Kosovë

    Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.

    Policia bën të ditur përmes raportit se dy raste janë regjistruar në Prishtinë, një në Podujevë, një tjetër në Pejë dhe një në Gjakovë, me ç’rast janë arrestuar katër persona.

    Njoftimi i policisë:

    Prishtinë / 26.04.2026 – 06:00. Janë arrestuar një mashkull dhe një femër kosovare pasi të njëjtit dyshohet se janë përleshur fizikisht në mes vete. Me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    Prishtinë / 26.04.2026 – 16:30. Është raportuar se pas një mosmarrëveshje i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, kurse i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    Gjakovë / 26.04.2026 – 10:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi kishte kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Podujevë / 26.04.2026 – 09:00. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Rasti në procedurë hetimore.

    Pejë / 26.04.2026 – 06:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se kishte kryer veprën e lartcekur ndaj familjarëve të tij. Me vendim të prokurorit ndaj të njëjtit është lëshuar vendim për ndalim dhe i njëjti është dërguar në trajtim mjekësor.

  • Kurti shkon në veri, hapen zyrat e reja të Ministrisë së Bujqësisë

    Kurti shkon në veri, hapen zyrat e reja të Ministrisë së Bujqësisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar sot në veri të vendit, ku ka marrë pjesë në hapjen e zyrave të reja të Ministrisë së Bujqësisë.

    Kurti u prit nga ministri Armend Muja, si dhe nga Xhelal Sfeqla dhe Elbert Krasniqi. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, si dhe deputetja Arjeta Fejza.

    Në objektin e ri do të vendosen Drejtoria Rajonale e Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë dhe Drejtoria Rajonale e Agjencisë Pyjore të Kosovës, të cilat deri më tani kanë operuar në objekte me qira.

    Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi rëndësinë e sektorit të bujqësisë për ekonominë e vendit, duke bërë të ditur se ky sektor përbën rreth 7 për qind të Bruto Produktit Vendor. Ai rikujtoi edhe sloganin “buka jonë në sofrën tonë nga toka jonë”, duke shtuar se institucionet po ofrojnë mbështetje përmes granteve që tashmë janë më të qasshme për qytetarët, pa diskriminim.

    Ky zhvillim vjen në vazhdën e vendimit të fundit të Ministrisë së Bujqësisë, të bërë të ditur nga ministri Muja, sipas të cilit të gjitha drejtoritë rajonale të agjencive vartëse që aktualisht funksionojnë në objekte me qira do të zhvendosen në objekte shtetërore.

  • 27 vjet nga Masakra e Mejës ku u ekzekutuan 376 persona

    27 vjet nga Masakra e Mejës ku u ekzekutuan 376 persona

    Sot mbushen 27 vjet nga masakra në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill 1999 u vranë 376 persona.

    27 vjet më parë, forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovë.

    Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

    Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

    Grumbullimi i djemve dhe burrave në grupe nga mosha 15-60 vjeç filloi në orët e hershme të mëngjesit.

    Në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë djemtë dhe burrat shtëpi për shtëpi.

    Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Slobodan Millosheviqit më 27 prill 1992.

    Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi.

    Përkundër kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë.

  • Mblidhet Komisioni për të Drejtat e Njeriut

    Mblidhet Komisioni për të Drejtat e Njeriut

    Sot në ora 08:30, pritet të mblidhet Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione.

    Në rendin e ditës janë disa pika, përfshirë miratimin e rendit të ditës dhe shqyrtimin e draft-planit të punës së komisionit për sesionin pranveror të vitit 2026.

    Gjithashtu, komisioni do të shqyrtojë dhe votojë propozimin e deputetit Artan Behrami për dërgimin e ftesës zyrtare për raportim në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trandafilova.

    Rendi i ditës:

    Miratimi i rendit të ditës;
    2. Shqyrtimi i draft-planit të punës së Komisionit për sesionin pranveror të vitit 2026;
    3. Shqyrtimi dhe votimi i propozimit të deputetit Artan Behrami, për dërgimin e ftesës zyrtare për raportim në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara znj. Ekaterina Trandafilova;
    4. Të ndryshme.

  • Sot shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarës për spiunazh, Jelena Gjukanoviq

    Sot shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarës për spiunazh, Jelena Gjukanoviq

    Në Gjykatë Themelore të Prishtinës sot do të shpallet aktgjykimi ndaj ish-punëtores së OSBE-së Jelena Gjukanoviq, e cila akuzohet për veprën penale të spiunazhit.

    Në fjalën përfundimtare, Prokuroria ka kërkuar dënim prej 25 vjetësh (dënim maksimal) në këtë rast që konsiderohet si një ndër më të rëndësishmit në fushën e sigurisë që është trajtuar në Kosovë

    Ndryshe, shpallja e aktgjykimit ndaj Gjukanoviqit pritet të shpallet nga ora 13:15.