ATV

Category: Lajme

  • “Serbia po krijon perceptim të rremë për krizë”, Maqedonci për praninë e KFOR-it në Urën e Ibrit

    “Serbia po krijon perceptim të rremë për krizë”, Maqedonci për praninë e KFOR-it në Urën e Ibrit

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci thotë se optimizimi gradual i pranisë së KFOR-it mbi Urën e Ibrit është reflektim i situatës së sigurisë në Kosovë.

    Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci tha se Kosova ka ndërtuar institucione profesionale dhe të besueshme të sigurisë.

    Ai theksoi se bashkëpunimi dhe koordinimi me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtar vazhdon të jetë i ngushtë, transmeton Klankosova.tv.

    “Optimizimi gradual i pranisë së KFOR-it, përfshirë përshtatjen e pranisë në urën mbi Ibër, është para së gjithash reflektim i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe i rritjes së kapaciteteve të institucioneve tona të sigurisë. Ky është një proces i bazuar në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Republikën e Kosovës.Kosova ka ndërtuar ndër vite institucione profesionale dhe të besueshme të sigurisë, ndërsa bashkëpunimi dhe koordinimi me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdon të jetë i ngushtë. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, është dhe mbetet përgjegjësi dhe prioritet i institucioneve tona”, shkroi Maqedonci në Facebook.

    Ndër të tjera, Maqedoni tha se përpjekjet e lidershipit të Serbisë për ta paraqitur optimizimin e pranisë së KFOR-it si kërcënim për komunitetin serb apo si dëshmi të një situate të paqëndrueshme në Kosovë nuk përputhen me realitetin në terren

    “Përkundrazi, ato synojnë të krijojnë perceptimin e një krize atje ku vlerësimet profesionale të sigurisë tregojnë progres”.

  • Ngjarje e rëndë në një shkollë suedeze, sulmuesi me shpatë plagos disa persona

    Ngjarje e rëndë në një shkollë suedeze, sulmuesi me shpatë plagos disa persona

    Një sulmues i armatosur me shpatë ka hyrë në shkollën e mesme Brinellskolan në Fagersta të Suedisë, duke plagosur disa persona. I dyshuari është ndaluar nga policia, ndërsa sipas mediave lokale, ai është qëlluar në këmbë nga efektivët.

    Bashkia e Fagerstas konfirmoi ngjarjen dhe u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë perimetrin e sigurisë dhe udhëzimet e policisë.

    “Një sulmues i armatosur me shpatë ka hyrë në Brinellskolan dhe ka plagosur disa persona”, thuhet në njoftimin e autoriteteve lokale.

    Sipas raportimeve të mediave suedeze, i dyshuari dyshohet se ishte i armatosur me një hanxhar. Numri i saktë i personave të plagosur ende nuk është bërë i ditur.

    Policia vijon kontrollet në ambientet e shkollës, ndërsa disa institucione arsimore në afërsi janë vendosur në bllokim si masë paraprake.

    Sipas transmetuesit publik suedez SVT, në zonën përreth shkollës është mobilizuar një prani e madhe e forcave të emergjencës, përfshirë ambulanca, automjete policie dhe një helikopter.

    Ngjarja ka ndodhur në Fagersta, qytet me rreth 12 mijë banorë në Suedinë qendrore.

  • Përfundojnë gërmimet në Zubin Potok, konfirmohen mbetje mortore të 23 personave

    Përfundojnë gërmimet në Zubin Potok, konfirmohen mbetje mortore të 23 personave

    Ka përfunduar procesi katërjavor i gërmimeve vlerësuese dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore në tri lokacione të konfirmuara si varre masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

    Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, në lokacionin e tretë të varrit masiv është konfirmuar prania e mbetjeve mortore të gjashtë individëve. Me këto gjetje, në tri lokacionet e shqyrtuara janë konfirmuar mbetje mortore të gjithsej 23 personave, të dyshuar si viktima të zhdukjes me forcë.

    Gjatë katër javëve të punës në terren janë kryer gërmime vlerësuese, zhvarrosja e mbetjeve mortore, dokumentimi mjekoligjor dhe vlerësimi i plotë i hapësirave me interes.

    Në këtë proces kanë marrë pjesë ekipet e Institutit për Mjekësi Ligjore, Sektorit të Policisë për Persona të Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, si dhe njësi të tjera përkatëse të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë.

    Procesi është zhvilluar me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Qeverisë së Kosovës, në zbatim të urdhrit të gjykatës kompetente, pas kërkesës së prokurores së rastit në Departamentin për Krime Lufte të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Në proces kanë kontribuar edhe ekipet mjekoligjore të EULEX-it në kuadër të Institutit për Mjekësi Ligjore.

    Pas përfundimit të punës në terren, procedurat do të vijojnë me ekzaminimet mjekoligjore dhe identifikimin përmes analizës së ADN-së. Qëllimi është konfirmimi i identitetit të viktimave dhe më pas ndërmarrja e hapave të mëtejmë, përfshirë informimin zyrtar të familjeve.

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka shprehur mirënjohje për të gjitha ekipet dhe institucionet e angazhuara në këtë proces, si dhe për familjet e personave të zhdukur dhe Shoqatën e Familjeve “Zëri i Prindërve” për bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe.

  • 147 çifte i dhanë fund martesës brenda një muaji në Kosovë

    147 çifte i dhanë fund martesës brenda një muaji në Kosovë

    Divorcet në Kosovë kanë shënuar një rritje të konsiderueshme në muajin qershor 2026, duke arritur në 147 raste, krahasuar me 117 raste të regjistruara në muajin maj.

    Kjo nënkupton se vetëm brenda një muaji janë regjistruar 30 divorce më shumë, ndërsa në përqindje rritja ka qenë 25.6 për qind.

    Të dhënat administrative të publikuara për muajin qershor tregojnë kështu një rritje të dukshme të numrit të çifteve që kanë përfunduar martesën përmes procedurës së shkurorëzimit.

    Në maj janë regjistruar 117 shkurorëzime, ndërsa në qershor numri ka arritur në 147.

    Rritja e divorceve është regjistruar në një muaj kur në Kosovë është rritur edhe numri i martesave.

    Gjatë qershorit 2026 janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 279 kurorëzime, brenda dhe jashtë Kosovës. Krahasuar me majin, kur numri i kurorëzimeve ishte rreth 1 mijë e 37, numri i martesave është rritur me 23.3 për qind.

    Megjithatë, rritja e shkurorëzimeve në përqindje ka qenë pak më e lartë se rritja e kurorëzimeve. Shkurorëzimet u rritën me 25.6 për qind, ndërsa kurorëzimet me 23.3 për qind.

    “Në muajin qershor 2026 janë regjistruar gjithsej 1 279 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës). Krahasuar me muajin maj 2026, në muajin qershor 2026 numri i kurorëzimeve u rrit me 23,3%. Ndërsa, gjatë muajit qershor 2026, janë regjistruar 147 raste të shkurorëzimeve në Kosovë Krahasuar me muajin maj 2026, numri i shkurorëzimeve u rrit me 25,6%”.

    Ndërsa, gjatë muajit qershor 2026, janë regjistruar 147 raste të shkurorëzimeve në Kosovë Krahasuar me muajin maj 2026, numri i shkurorëzimeve u rrit me 25,6%.

    Në qershor, për çdo 100 kurorëzime të regjistruara janë evidentuar rreth 11.5 raste shkurorëzimi. Ky raport është vetëm një krahasim i numrit të regjistrimeve gjatë të njëjtit muaj dhe nuk do të thotë se 11.5 për qind e martesave të lidhura në qershor janë prishur, pasi shkurorëzimi mund t’u referohet martesave të lidhura në vite të ndryshme.

    Ndryshimet demografike gjatë qershorit nuk janë kufizuar vetëm te martesat dhe shkurorëzimet.

    Sipas të dhënave të publikuara, gjatë qershorit 2026 janë regjistruar 2 mijë e 674 lindje, brenda dhe jashtë Kosovës. Prej tyre, 1 mijë e 399 kanë qenë meshkuj dhe 1 mijë e 275 femra.

    Krahasuar me majin, numri i lindjeve është rritur për 14.9 për qind.

    Në të njëjtën kohë, janë regjistruar edhe 920 raste të vdekjeve, prej të cilave 494 meshkuj dhe 426 femra. Edhe te vdekjet është shënuar rritje krahasuar me muajin paraprak, prej 5.6 për qind.

    Të dhënat për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet publikohen në bazë të të dhënave administrative./Monitor

  • Dy vatra zjarri në Rrëshen, evakuohen katër familje

    Dy vatra zjarri në Rrëshen, evakuohen katër familje

    Dy vatra zjarri në përmasa të mëdha janë aktivizuar në zonat e Tenës dhe Kodër Rrëshenit, në bashkinë Mirditë.

    Flakët po përhapen me shpejtësi, të favorizuara nga bimësia e dendur dhe temperaturat e larta, duke iu afruar banesave në zonë.

    Top Channel bën me dije se deri tani janë evakuuar 4 familje, ndërsa situata mbetet e vështirë dhe pritet që, në varësi të përhapjes së flakëve, të ketë edhe evakuime të tjera.

    Strukturat e emergjencës dhe shërbimet zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit.

  • Rihapja e Urës së Ibrit për automjete, NATO: Çdo vendim të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve

    Rihapja e Urës së Ibrit për automjete, NATO: Çdo vendim të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve

    NATO-ja ka bërë të ditur se KFOR-i ka nisur tërheqjen graduale nga prania e përhershme në urën e Ibrit duke e lidhur këtë proces me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

    Për Klankosova, një zyrtar i Aleancës Veri-Atlantike ka bërë të ditur se KFOR-i ka nisur tranzicionin gradual nga prania e përhershme në urë, transmeton Periskopi.

    Sipas NATO-s, ky proces po zhvillohet për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë dhe do të jetë gradual, i bazuar në kushtet në terren dhe i kthyeshëm nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është në kontakt të rregullt me ​​Presidentin Vuçiç. KFOR-i ka filluar kalimin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore në Mitrovicë, në përputhje me situatën e përmirësuar të sigurisë në Kosovë. Kjo është pjesë e procesit për optimizimin e qëndrimit të KFOR-it, i cili po kryhet me transparencë të plotë të të gjithë palëve të interesuara të përfshira dhe nën udhëheqjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të Gjeneral Major Ulutas, Komandant i KFOR-it.

    KFOR-i thotë se procesi do të jetë gradual, i kushtëzuar dhe i kthyeshëm, në varësi të zhvillimeve të sigurisë. Procesi po koordinohet me institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

    NATO thekson se edhe Lista Serbe është informuar dhe se komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ulutash, është takuar me përfaqësuesit e saj më 11 gusht.

    KFOR-i garanton se do të vazhdojë të ketë prani të dukshme në veri dhe jug të Mitrovicës dhe në veri të Kosovës, për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet.

    Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushte dhe i kthyeshëm nëse kërkohet nga zhvillimet përkatëse të sigurisë. Ai po koordinohet ngushtë me të gjithë palët e interesuara përkatëse, duke përfshirë përfaqësuesit e Institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Palët e interesuara lokale janë angazhuar dhe informuar gjithashtu rregullisht, përfshirë Listën Serbe, të cilën Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Ulutas, e takoi më 11 gusht, me kërkesën e tyre. Gjeneral Major Ulutas vazhdon të mbajë kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë në të gjitha institucionet në Kosovë, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura Serbe. Personeli ynë është i përgatitur mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi përkatës, në përputhje me mandatin e gjatë të KFOR-it në OKB. KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në Jug dhe Veri të Mitrovicës dhe në veri të Kosovës dhe do të vazhdojë kontributet e tij për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet.

    Sa i përket hapjes së urës për automjete, NATO thotë se çdo vendim duhet të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale, ndërsa për statusin e urës i referohet BE-së dhe institucioneve të Kosovës.

    NATO gjithashtu thekson se KFOR-i nuk ka mandat për zbatimin e ligjit, por vazhdon bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë.

    KFOR-i nuk ka mandat për zbatimin e ligjit. Vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me organizatat e sigurisë në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës, në përputhje me standardet më të larta operacionale dhe parimin e trajtimit të drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve. KFOR-i mban një prani të fortë dhe të dukshme në veri të Kosovës, për të mirën e të gjitha komuniteteve, përfshirë komunitetin serb. Gjithashtu, Ekipet Ndërlidhëse dhe Monitoruese të KFOR-it vazhdojnë aktivitetet e tyre të përditshme në të gjithë Kosovën, përmes angazhimeve të rregullta me të gjitha komunitetet lokale. Kjo ndihmon të sigurohet që KFOR-i të mbetet i pozicionuar mirë për të adresuar nevojat lokale të sigurisë, në përputhje me mandatin e tij të gjatë të OKB-së.

  • Ekstradohet në Shqipëri një kosovar i kërkuar nga Interpoli

    Ekstradohet në Shqipëri një kosovar i kërkuar nga Interpoli

    Një shtetas i Kosovës, i kërkuar ndërkombëtarisht nga autoritetet e Shqipërisë për veprën penale “Kontrabandim me migrantë”, është ekstraduar nga Kosova drejt Shqipërisë.

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe në bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datën 21 gusht 2026, përmes pikës kufitare në Vërmicë, ka bërë ekstradimin e një shtetasi të Kosovës nga Republika e Kosovës për në Shqipëri.

    I dyshuari ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Shqipërisë, për veprën penale ‘kontrabandim me migrantë’.

    Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Shqipërisë.

  • Një muaj paraburgim personin që dyshohet se posedonte mbi një kilogram marihuanë në Brezovicë

    Një muaj paraburgim personin që dyshohet se posedonte mbi një kilogram marihuanë në Brezovicë

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit N.B., i dyshuar për posedim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

    Rasti ka ndodhur më 19 gusht 2026, rreth orës 23:30, në Brezovicë të Shtërpcës. Policia ishte njoftuar nga qytetarët se në një vilë të pabanuar ishte gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

    Pas daljes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë vërejtur një person duke ikur në drejtim të malit. Pas ndjekjes, ata kanë ndaluar të pandehurin N.B., i cili ishte duke lëvizur me një skuter të tipit “NAS”.

    Gjatë kontrollit, sipas gjykatës, atij i është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, si dhe dy peshore digjitale. Më pas është kontrolluar edhe një vilë e një familjari të tij, ku është gjetur një sasi tjetër e marihuanës.

    Në total, nga i pandehuri dhe vendi i ngjarjes janë sekuestruar 1.063 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, të ndarë në disa qese.

    Po ashtu, janë sekuestruar një çantë e zezë, dy peshore digjitale dhe një thikë metalike, për të cilat ekziston dyshimi se kanë qenë të destinuara për përgatitjen dhe ndarjen e substancës narkotike me qëllim të shitjes.

    Gjykatësi i procedurës paraprake, Ilir Bytyqi, pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorit dhe shkresave të lëndës, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale dhe ka caktuar ndaj N.B. masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

    Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese, por ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e tij.

  • Shërbimi Korrektues i Kosovës ashpërson rregullat në burgje, ndryshojnë kriteret për pushimet e të dënuarve

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ashpërson rregullat në burgje, ndryshojnë kriteret për pushimet e të dënuarve

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka vendosur rregulla të reja për sjelljen dhe sigurinë në institucionet korrektuese, ndërsa janë përcaktuar edhe kritere më të qarta për shfrytëzimin e pushimeve jashtë burgut.

    Drejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, ka nënshkruar Kodin e Mirësjelljes së personave të burgosur dhe Udhëzuesin për zbatimin e kritereve për shfrytëzimin e pushimit jashtë institucionit korrektues.

    Kodi përcakton standardet që duhet të respektojnë të dënuarit dhe të paraburgosurit gjatë qëndrimit në institucion, duke përfshirë respektimin e rendit dhe disiplinës, komunikimin korrekt me stafin, shmangien e dhunës dhe kërcënimeve, si dhe respektimin e të drejtave dhe dinjitetit të personave të tjerë.

    Ndërkohë, pushimet jashtë institucionit do të vlerësohen në mënyrë individuale dhe profesionale, duke u bazuar në të dhëna konkrete dhe nivelin e rrezikut.

    Në vlerësim do të përfshihen vepra penale për të cilën personi është dënuar, sjellja gjatë vuajtjes së dënimit, respektimi i rregullave, pjesëmarrja në programet rehabilituese, niveli i përgjegjësisë dhe besueshmërisë, rreziku për sigurinë publike dhe mundësia e përsëritjes së veprës penale.

    Gjithashtu, do të shqyrtohet historiku i tentimeve për arratisje, rrethanat familjare dhe mbështetja që personi i dënuar ka jashtë institucionit.

    Vlerësimi do të kryhet nga një ekip multidisiplinar, i cili pas shqyrtimit të kritereve dhe intervistimit të personit të dënuar do t’i rekomandojë drejtorit të institucionit aprovimin ose refuzimin e kërkesës.

    Vendimi përfundimtar do të merret në bazë të vlerësimit të dokumentuar dhe legjislacionit në fuqi.

    Sipas SHKK-së, këto masa synojnë forcimin e sigurisë, rendit dhe disiplinës, krahas rehabilitimit dhe përgatitjes së të dënuarve për riintegrim në shoqëri.

  • Rriten çmimet e derivateve të naftës

    Rriten çmimet e derivateve të naftës

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e derivative për ditën e sotme.

    Sipas MINT-it një litër naftë sot do të shitet 1.79 euro, një litër benzinë 1.52 euro dhe një litër gaz 0.62 euro.

    Këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.