ATV

Category: Lajme

  • Tre persona arrestohen në Suharekë për sulm ndaj zyrtarëve policorë

    Tre persona arrestohen në Suharekë për sulm ndaj zyrtarëve policorë

    Policia e Kosovës ka arrestuar në Suharekë tre personave të dyshuar lidhur me veprat “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.

    Sipas raportit, dje janë arrestuar tre të dyshuar, dy meshkuj dhe një femër kosovare, pasi që të njëjtit kanë rezistuar arrestimit dhe kanë sulmuar zyrtarët policorë gjatë ndërhyrjes.

    Si pasojë, zyrtarët policorë kanë pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Suharekë 27.04.2026-16:30. Lidhur me rastin, me 28.04.2026 janë arrestuar tre të dyshuar, dy meshkuj dhe një femër kosovare, pasi që të njëjtit kanë rezistuar arrestimit me ç’rast edhe kanë sulmuar zyrtarët policor, të cilët edhe kanë pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje”.

  • Rrahje mes tri grave brenda një familje në Pejë, njëra bëhet për spital

    Rrahje mes tri grave brenda një familje në Pejë, njëra bëhet për spital

    Tri gra janë arrestuar në Pejë pasi janë ofenduar dhe sulmuar mes vete.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, njëra nga to ka pranuar tretman mjekësor.

    Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Çështja Veliaj, Kushtetuesja kalon në seancë plenare ankimin e Ajola Xoxës

    Çështja Veliaj, Kushtetuesja kalon në seancë plenare ankimin e Ajola Xoxës

    Gjykata Kushtetuese vendosi të kalojë në seancë plenare ankimin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut Veliaj, ndaj vendimeve gjyqësore për kontroll dhe sekuestro, raporton A2 CNN.

    Shqyrtimi do të bëhet mbi bazë dokumentesh.

    Xoxa pretendon se vendimet e shkallëve më të ulëta për kontrollet e sekuestrot janë antikushtetuese, pasi i është cenuar procesi i rregullt ligjor. Në këtë çështje palë është edhe SPAK që do të paraqesë me shkrim prapësimet kundër pretendimeve të Xoxës.

  • Valon Murati: Kurti, duke e mbajtur të përçarë e të çarë shoqërinë llogarit në fitore të vazhdueshme

    Valon Murati: Kurti, duke e mbajtur të përçarë e të çarë shoqërinë llogarit në fitore të vazhdueshme

    Valon Murati e ka analizuar situatën aktuale politike dhe dështimin për të zgjedhur presidentin e vendit.

    Ish-ministri dhe profesori universitar e ka kritikuar qasjen e Kurtit në këtë proces.

    Murati ka thënë se Kurti duke e mbajtur të përçarë e të çarë shoqërinë llogarit në fitore të vazhdueshme.

    Postimi i plotë:

    “O temora, o mores!
    O kohë, o zakone!, kjo frazë e latinëve që ka ardhë deri në ditët e sotme përmes Ciceronit, i shkon shumë kohës, në të cilën po jetojmë. Pra kur Kryeministri Kurti nuk i kishte votat e popullit dhe LVV ishte pakicë parlamentare, sidoqoftë duke e konsideruar veten si kategori morale superiore në Kosovë, ndër shqiptarë dhe në botë, i jepte vetes të drejtën t’ia vinte flakën vendit, parlamentit, dhe të bojkotonte e kundërshtonte me forcë çdo proces. Por sidoqoftë nuk e trajtonte veten anti -institucionalist, antishtet e as antikombëtar. Përkundrazi! E kur sot e ka përkrahjen e votën popullore, por punon pak e aspak për të mirën publike, e mbi të gjitha nuk denjon të vendos ura të sinqerta bashkëpunimi me askënd, sepse kështu duke e mbajtur të përçarë e të çarë shoqërinë llogarit në fitore të vazhdueshme, dhe kur të tjerët si rezultat shfrytëzojnë vetëm institucionin e bojkotit të një procesi politik, ata kryeministri i trajton si anti-institucionalist, antishtet e natyrisht nga fillimi në fund antikombëtar. Kjo nuk flet vetëm për Kryeministrin, por edhe për kohën në të cilën po jetojmë, kur memoria për veprimet e tjetrit është shumë e shkurtër dhe kur përmes mediave e rrjeteve sociale ne krijojmë botën tonë, e cila jetohet vetëm sot, harrojmë si ka qenë e djeshmja dhe të nesërmen nuk e mendojmë dhe në të cilën jemi rehat dhe nuk shohim përtej hundës sonë” shkruan Murati në reagim.

  • “Askush nuk më kërcënoi për ta pranuar fajin”- Del para gjykatës i dyshuari për sulm ndaj KFOR-it në veri

    “Askush nuk më kërcënoi për ta pranuar fajin”- Del para gjykatës i dyshuari për sulm ndaj KFOR-it në veri

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seancë dëgjimore ndaj të dyshuarit Sllobodan Radenkoviq, i akuzuar për sulm ndaj zyrtarëve të KFOR-it, në veri.

    I pandehuri ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar në bashkëkryerje” dhe “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër pene dhe huliganizëm”, transmeton IndeksOnline.

    Gjyqtarja Medije Bytyqi bëri me dije se Radenkoviq ka shprehur gatishmërinë për të pranuar fajësinë.

    Prokuroria Speciale i ka propozuar prova Gjykatës, të cilat do të shërbejnë përgjatë procesit gjyqësor.

  • Hasani: Votimi i VV për Presidentin puç kushtetues, Albulena Haxhiu ushtroi “funksione policore” ndaj deputetëve

    Hasani: Votimi i VV për Presidentin puç kushtetues, Albulena Haxhiu ushtroi “funksione policore” ndaj deputetëve

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, profesori Enver Hasani, tha se përpjekja e mbrëmshme e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Presidentit pa numrat e nevojshëm, ishte tentim për puç kushtetues.

    “Ajo e mbrëmshit ishte qartë tentim për puç kushtetues, për përmbysjen e rendit kushtetues”.

    Ai tha se presioni që bëri kryeparlamentarja Albulena Haxhiu me thirrjet e saj se deputetët e kanë detyrim të shkojnë në sallë për zgjedhjen e Presidentit, duke cituar pjesë aktgjykimesh ishte ushtrim i një funksioni policor.

    “Ato elaborime në arsyetim të Gjykatës që ajo i thotë, ato nuk kanë pasë asnjëherë dhe nuk mund të kenë për qëllim abuzim dhe terrorizimin e deputetëve: me iu thënë çdo pesë minuta. Këto quhen funksione policore, të cilat s’mund t’i ushtrojë kryetarja e Kuvendit e aq më tepër që ka edhe funksionin e shefit e shtetit. Kjo është tërësisht e papranueshme”, tha Hasani mbrëmë në ATV.

    Ai shtoi se një aktgjykim i Kushtetueses herën e fundit e ka bërë të qartë që s’mund të detyrohen deputetët që të rrinë në sallë apo të votojnë në drejtim të caktuar.

    “Presidenti është organi legjitimues, ai pushtet s’është. Ai s’është pushtet, por i ka çelësat e të gjitha pushteteve, prandaj ai është balancuesi kryesor”, tha ai.

  • Edhe 2026 vit i humbur për ekonominë e Kosovës

    Edhe 2026 vit i humbur për ekonominë e Kosovës

    Bllokada politike dhe skenat e krijuara mbrëmjen e 27 prillit për zgjedhjen e presidentit të ri kanë ngjallur shqetësim tek qytetarët në Kosovë. Ata vlerësojnë se subjektet politike me veprimet e tyre po ua vështirësojnë dhe rrezikojnë mirëqenien e tyre.

    “Pasha zotin topin na e kane hupë…”, tha një qytetar.

    “Këta si me i pagu dikush me punu kundër interesit të shtetit…”, u shpreh një tjetër qytetar

    “Kriza krejt botën, çmimet në qiell këta shkaktojnë edhe krizë politike nuk është mirë kjo…”, tha një tjetër qytetar.

    Rezultati zgjedhor i 28 dhjetorit u cilësua si një mundësi që Kosova të dalë nga kriza politike që kishte hyrë për gjatë gjithë vitit 2025, megjithatë një gjë e tillë nuk ndodhi. Në këtë situatë edhe viti 2026 po cilësohet si i humbur në aspektin zhvillimor të vendit. Ndërkohë, drejtori i dhomës së tregtisë Kushtrim Ahmeti, thotë se situata bëhet edhe më e rëndë marr parasysh gjendjen ekonomike të krijuar në Kosovë si pasojë e zhvillimeve globale.

    “Ne po shohim zhvillimet në lindje të mesme na shtrenjtuan naftën në Kosovë. Asnjë masë për qytetarët që ta përballojnë më lehtë këtë krizë nuk u ndërmor. Kemi një premtim për një pako 200 milionë në kohë të zgjedhjeve që as nuk po dihet se çfarë përmban. Dhe në fund qytetarët po ballafaqohen me rritje të varfërisë,…”, tha Ahmeti për rtv21

    Krizat politike të shkaktuara siç thuhet qëllimshëm nga subjektet politike vlerësohet se janë arsyeja kryesore që qytetarët në Kosovë nuk dëshirojnë të jetojnë në Kosovë. Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu numëron humbjet ekonomike si pasojë e bllokadave politike.

    “As agjendat më të rrezikshme anti Kosovë nuk do të mund t’i shkaktonin kaq shumë dëme Kosovës sa po i shkaktojnë politikanët. As vendet Evropiane nuk mund t’i përballojnë 5 palë zgjedhje në dy vjet e lëre më një shtet si Kosova…”, u shpreh Gërxhaliu.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova ka rritur varësinë ndaj produkteve të importit. Vetëm në mars u importuan mallra mbi 651 milionë euro, ndërsa eksportet arritën në 88.4 milionë euro, duke shënuar deficit tregtar mbi 560 milionë euro. Sipas ekspertëve të ekonomisë, varësia e krijuar nga produktet e importit është shkaktari kryesor i inflacionit dhe deficiti tregtar duhet të jetë shqetësim institucional, pasi Kosova po vazhdon të eksportojë para të gatshme.

  • Shqipëria firmos me SHBA-në marrëveshje për gazin në vlerë prej 6 miliardë dollarësh

    Shqipëria firmos me SHBA-në marrëveshje për gazin në vlerë prej 6 miliardë dollarësh

    Një marrëveshje prej 6 miliardë dollarësh në fushën e sigurisë energjetike është nënshkruar në Tiranë në prani të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe ambasadores së Shteteve të bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle.

    Marrëveshja u firmos mes kompanisë shqiptare Albgaz me dy kompanive të mëdha ndërkombëtare, njëra amerikane dhe tjetra greke.

    Dokumenti parashikon zhvillim e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe marrëveshjen kornizë për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror, si hapa të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si edhe ndërveprim me Greqinë.

    Nënshkrimit të marrëveshjes i parapriu një postim në X të ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle.

    “… në Tiranë për të avancuar agjendën energjetike të presidentit të SHBA dhe për t’iu bashkuar kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje historike midis Shqipërisë, Venture Global dhe Aktor LNG USA për një marrëveshje 20-vjeçare për gazin e lëngshëm natyror amerikan”, theksoi ambasadorja.

    Ajo tha se angazhimi prej 6 miliardë dollarësh forcon sigurinë energjetike dhe sigurinë kombëtare në të gjithë rajonin.

    “Kur Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku, ky rajon është më i lidhur, më i sigurt dhe më i begatë”, tha ambasadorja Guilfoyle.

    Marrëveshja synon ndërtimin e infrastrukturës në Vlorë për importin e gazit të lëngshëm nga SHBA-ja dhe rigazifikimin e tij për furnizimin e Evropës Jugore.

    Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës i Shqipërisë, Enea Kakaraçi, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes tha se partneriteti me SHBA-në reflekton një vizion të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme energjetike të sigurt dhe të qëndrueshme.

    “Një shtyllë qendrore e këtij vizioni është zhvillimi i Qendrës Energjetike të Vlorës që është një komponent, një projekt shumë komponencial që do të ripërcaktojë rolin e Shqipërisë në këtë hartë energjetike”, tha ai.

  • Çitaku: Presioni qytetar e detyroi Kurtin të tërhiqet, por sërish abuzoi me zyrën e Presidentit

    Çitaku: Presioni qytetar e detyroi Kurtin të tërhiqet, por sërish abuzoi me zyrën e Presidentit

    Anëtaria e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se “reagimi publik dhe presioni qytetar e detyruan Albin Kurti të tërhiqet nga përpjekja e tij për ta zgjedhur Presidentin në stil ‘karate’ dhe për ta permbysur rendin kushtetues”.

    Ajo shkroi në Facebook se përkundër kësaj, kryeministri në detyrë “bëri aq sa mundi”, duke iu referuar një konference pas mesnate të mbajtur në Presidencë.

    “Po, edhe mbrëmë bëri aq sa mundi. Doli dhe abuzoi me zyrën e Presidentit. Albin, nga ajo sallë qytetarëve u drejtohet Presidentja apo Presidenti i zgjedhur. Jo Kryeministri dhe as kandidatja e shumicës”, shkroi Çitaku.

    “Shfaqja e mbrëmshme e ilustroi qartë, me zë dhe figurë, se ju në fakt e shihni veten si autoritetin e vetëm në këtë vend: edhe President, edhe Kryeministër, edhe Ministër, edhe Kryeprokuror, edhe gjithçka tjetër. Një shfaqje e turpshme”, shtoi ajo.

  • Kuvendi del me njoftim pas dështimit të zgjedhjes së presidentit

    Kuvendi del me njoftim pas dështimit të zgjedhjes së presidentit

    Pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, Kuvendi ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me zhvillimet e së martës.

    Në këtë njoftim thuhet se, në hapje të seancës së parë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka rikujtuar edhe një herë kushtet dhe procedurat për zgjedhjen e presidentit të Republikës.

    “Duke iu referuar serish Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, me theks të veçantë Aktgjykimit në rastin Nr. KO2911, opinioneve të Komisionit të Venecias dhe dokumenteve të tjera relevante lidhur me pjesëmarrjen e deputetëve në këtë proces, kryetarja Haxhiu përsëriti disa herë ftesën për deputetët që mungonin, që të vijnë në sallë dhe të votojnë. Ajo tha se deputetët të cilët nuk ishin prezentë, përkatësisht deputetët e grupeve parlamentare opozitare, nuk kanë marrë leje nga kryetarja e Kuvendit për të munguar në seancën për zgjedhjen e presidentit”, thuhet në njoftim.

    Haxhiu ndërpreu tre herë seancën. Në vazhdimin e fundit të orës 23:00, ajo ripërsëriti ftesën për deputetët.

    “Po presim nëse deputetët e opozitës do të vijnë dhe t’i lënë anash barrikadimet. Kjo është arsyeja pse në vazhdimësi kam bërë thirrje që deputetët e opozitës të vijnë këtu. Janë minutat e fundit të kësaj legjislature. Kjo rrugë e nisur mbarë nuk meritonte të ndërpritej”, theksoi kryeparlamentarja pak kohë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

    “Duke marrë fjalën në seancë, ministri i Financave, Hekuran Murati, foli për humbjet që sipas tij vendi do të pësojë nga shkuarja në zgjedhje të reja. Ai tha se pos 10 milionë eurove që do të kushtojë organizimi i zgjedhjeve, do të humbin edhe dhjetëra miliona të tjerë”, thuhet mes tjerash, transmeton Klankosova.tv.

    Fjalën e mori edhe Kryeministri Albin Kurti, i cili mbrëmjen e së martës në seancë foli për ofertat që u ka dhënë partive opozitare.

    “Ai tha se Republika e Kosovës praktikisht e ka presidentin, por nuk e ka konstruktivitetin elementar të opozitës për këtë gjë”, vazhdon njoftimi.

    “Feride Rushiti është e gatshme dhe gatishmëria e saj është nder. Unë e falënderoj që, si lidere e shoqërisë civile, ka pranuar të kandidohet”, tha Kurti.

    Në prag të skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit, kryeparlamentarja tha se kjo seancë fatkeqësisht shënon fundin e këtij procesi dhe fundin e kësaj legjislature.

    “Sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese Kuvendi konsiderohet i shpërndarë dhe zgjedhjet do të shpallen brenda afatit kushtetues”, theksoi kryeparlamentarja.