ATV

Category: Lajme

  • Kim Jong-un lavdëroi ushtarët koreano-veriorë që kryen vetëvrasje për të mos u kapur rob në Ukrainë

    Kim Jong-un lavdëroi ushtarët koreano-veriorë që kryen vetëvrasje për të mos u kapur rob në Ukrainë

    Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, lavdëroi ushtarët që, duke luftuar krah forcave ruse në rajonin e Kurskut, kryen vetëvrasje për të mos rënë në robërinë ukrainase.

    Kim e tha këtë në ceremoninë e përfundimit të një memoriali kushtuar ushtarëve të vrarë koreano-veriorë, duke iu drejtuar zyrtarëve rusë dhe familjeve të të rënëve.

    Sipas një transkripti të publikuar të hënën nga agjencia shtetërore KCNA, ai foli për herë të parë publikisht për faktin se disa ushtarë kishin zgjedhur vetëshkatërrimin ose forma të tjera vetëvrasjeje në vend të kapjes, shkruan BBC.

    “Nuk janë vetëm heronj ata që pa hezitim zgjodhën rrugën e vetëshkatërrimit dhe vetëvrasjes për të mbrojtur nderin e madh, por edhe ata që ranë duke sulmuar në vijat e para të betejës. Edhe ata që u përpëlitën nga zhgënjimi sepse nuk arritën të përmbushin detyrën e tyre ushtarake, në vend që të duronin agoninë e trupave të copëtuar nga plumbat dhe granatat, gjithashtu mund të quhen luftëtarë besnikë të partisë dhe patriotë”, tha lideri koreano-verior.

    Sipas vlerësimeve, Koreja e Veriut ka dërguar rreth 14 mijë ushtarë për të luftuar krah forcave ruse në rajonin e Kurskut. Zyrtarë nga Koreja e Jugut, Ukraina dhe Perëndimi thonë se ata kanë pësuar humbje të mëdha, me më shumë se 6.000 ushtarë koreano-veriorë të vrarë në luftime.

    Raportet e inteligjencës dhe dëshmitë e dezertorëve më herët kishin treguar se ushtarët koreano-veriorë vendosnin të vetëhidhnin veten në erë ose të kryenin forma të tjera vetëvrasjeje për të shmangur kapjen. Në këmbim të dërgimit të ushtarëve dhe municioneve, Pheniani, sipas vlerësimeve të shërbimit të inteligjencës së Koresë së Jugut, ka marrë ndihmë ekonomike dhe teknologji ushtarake nga Rusia.

  • 2 vjet burgim e 15 mijë euro gjobë për serbin që sulmoi KFOR-in në veri

    2 vjet burgim e 15 mijë euro gjobë për serbin që sulmoi KFOR-in në veri

    2 vjet burgim edhe 15 mijë euro gjobë.

    Ky është dënimi i shqiptuar për Sllobodan Radenkoviq, i cili u shpall sot fajtor për sulmin ndaj KFOR-it në veri në maj të 2023-tës.

    Veprat për të cilat Radenkoviq ngarkohet janë “Sulm ndaj personit zyrtar në bashkëkryerje” dhe “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër pene dhe huliganizëm”.

    Vendimi u kumtua nga gjykatësja Medie Bytyqi.

    Me këtë rast i akuzuari e ka pranuar fajësinë për aktin.

  • Detaje nga vrasja në Lezhë, gjenden veshjet e përdorura nga autorët

    Detaje nga vrasja në Lezhë, gjenden veshjet e përdorura nga autorët

    Policia në Shqipëri ka bërë me dije se po vijojnë kontrollet për kapjen e autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim për vrasjen e çiftit Mujeci, ngjarje e ndodhur më 26 prill në fshatin Balldren. Sipas hetimeve policia ka arritur të gjejë dhe të sekuestrojë automjetin tip “Volkswagen Polo”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët për të qëlluar me armë zjarri ndaj viktimave.

    Automjeti është gjetur në fshatin Torovicë, në banesën e shtetasit B. K., ku ishte fshehur dhe mbuluar me bar për të humbur gjurmët. Gjatë kontrollit brenda në mjet, grupi hetimor ka sekuestruar dy gëzhoja model 56, ndërsa nga këqyrja rezultoi se mjeti kishte dëmtime të dukshme, përfshirë xhamin e pasmë dhe pjesë anësore të thyer.

    Në të njëjtin ambient është gjetur edhe një automjet tjetër identik, në pronësi të B. K., si dhe veshjet që dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së krimit. Hetimet kanë zbuluar se shtetasi Florin Mhillaj kishte marrë automjetin me qira në Rinas, i kishte hequr targat dhe, në bashkëpunim me një tjetër person të shpallur në kërkim, e kishte përdorur për t’i zënë pritë çiftit Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, raporton Euro News.

    Pas krimit, automjeti është fshehur në banesën e B. K., duke u kamufluar për të shmangur zbulimin. Në vijim, Policia ka shpallur në kërkim 22-vjeçarin B. K., i dyshuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”. Ndërkohë, është proceduar penalisht edhe babai i tij, N. K., 79 vjeç, për armëmbajtje pa leje.

  • Reuters pas dështimit të presidentit: Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme, në mes të një krize politike

    Reuters pas dështimit të presidentit: Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme, në mes të një krize politike

    Kosova është gati për zgjedhje të tjera të parakohshme pasi parlamenti dështoi të zgjedhë një president të ri të martën, duke e futur vendin më të ri të Evropës përsëri në mes të një krize politike.

    Kështu shkruan media ndërkombëtare Reuters rreth zhvillimeve të së martës ku nuk u arrit që Kosova të bëhet me shef të ri të shtetit.

    “Parlamenti kishte kohë deri në mesnatë të martën për të zgjedhur një kryetar shteti pasi mandati i Presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit, por kryeministri Albin Kurti dështoi të sillte në votim partitë opozitare për të votuar për kandidatin e tij.

    Dy të tretat e parlamentit me 120 vende duhet të jenë të pranishme që votimi të jetë i vlefshëm. Moszgjedhja e një presidenti të ri shkakton zgjedhje të parakohshme parlamentare” shkruan më tutje media ndërkombëtare.

    Mes tjerash në shkrim citohet edhe fjala e kryekuvendares Albulena Haxhiu duke e shpallur të shpallur të shpërndarë Kuvendin.

    “Bazuar në vendimin (e Gjykatës Kushtetuese), parlamenti konsiderohet i shpërbërë”, tha kryetarja e parlamentit dhe presidentja në detyrë Albulena Haxhiu në mesnatë.

    Haxhiu pritet të shpallë datën e zgjedhjeve së shpejti. Do të ishte votimi i tretë në pak më shumë se një vit.

    “Ky veprim zgjat një bllokim politik në Kosovë, e cila ka aspirata për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Vendi ballkanik nuk kishte qeveri funksionale për pjesën më të madhe të vitit të kaluar pasi parlamenti i përçarë dështoi të zgjidhte një kryetar për muaj të tërë, duke kërcënuar financimin ndërkombëtar shumë të nevojshëm.

    Një fitore e thellë zgjedhore nga partia Vetëvendosje e Kurtit në dhjetor dukej se do t’i jepte fund ngërçit politik që kishte kaluar më shumë se një vit.

    Zgjedhja e një presidenti, madje edhe e një presidenti që nuk ka kompetenca të rëndësishme politike, ka rezultuar gjithmonë sfiduese, pasi dy të tretat e ligjvënësve duhet të marrin pjesë në seancën e votimit, një kërkesë që e bën të lehtë pengimin e procesit”, theksohet në artikull.

  • Gënjeu se fëmija i saj ka kancer për të jetuar në luks, nëna dënohet me 4 vjet burg

    Gënjeu se fëmija i saj ka kancer për të jetuar në luks, nëna dënohet me 4 vjet burg

    Një nënë australiane që falsifikoi diagnozën e kancerit të djalit të saj gjashtëvjeçar për të mbledhur donacione dhe për të financuar stilin e saj të jetesës luksoze është dënuar me më shumë se katër vjet burg.

    45-vjeçarja nga Australia Jugore i rroi kokën dhe vetullat e djalit të saj, ia fashoi kokën dhe duart dhe i dha ilaçe si pjesë e një dredhie për të mashtruar familjen dhe miqtë që të mblidhnin mijëra dollarë.

    Gruaja – emri i së cilës nuk mund të përmendet për arsye ligjore, u deklarua fajtore për një akuzë për përfshirje në veprime që mund të shkaktonin dëm të birit të saj dhe 10 akuza për mashtrim.

    Në një seancë dëgjimore për dënimin të mërkurën, një gjyqtar i Gjykatës së Qarkut i përshkroi veprimet e saj si “mizore”, “të llogaritura” dhe “manipuluese”, shkruan BBC.

    Mashtrimi i gruas filloi pasi djali i saj shkoi të vizitohej nga një oftalmolog, një mjek specialist i syve, pas një aksidenti, dëgjoi gjykata.

    Pas këtij takimi, ajo i tha burrit të saj, familjes, miqve dhe komunitetit të shkollës se djali i saj kishte kancer në sy.

    Ajo e detyroi të birin të përdorte një karrocë me rrota dhe ia kufizoi aktivitetet e tij të përditshme për t’i bërë njerëzit të mendonin se po merrte trajtim me rrezatim. Ajo gjithashtu i dha atij qetësues dhimbjesh dhe suplemente shëndetësore, raportuan mediat lokale.

    Në gjykatë, prokuroria tha se nëna e kishte “përdorur në mënyrë egoiste djalin e saj si një mjet për të mashtruar” të dashurit dhe komunitetin e gjerë, pastaj kishte përdorur donacione në mënyrë që familja të mund të jetonte “jetën e të pasurve dhe të famshmëve”. Avokati i gruas tha se ajo kishte zhvilluar një varësi nga kumari pas pandemisë Covid-19 dhe “përfitoi” nga aksidenti i djalit të saj, por se ajo kurrë nuk kishte ndërmend ta lëndonte atë ose familjen.

    Përkundrazi, nëna e dy fëmijëve kishte bërë një “gabim monumental dhe të rëndë në gjykim për të lehtësuar në mënyrë egoiste stresin e saj financiar”, i tha avokati i saj gjykatës.

    Ata thanë se gruaja ishte diagnostikuar me çrregullim kufitar të personalitetit dhe pranoi gabimin e saj duke u deklaruar fajtore.

    “Ajo me keqardhje shpenzoi më shumë sesa lejonin të ardhurat e saj dhe jetonte përtej mundësive të saj”, tha avokati i saj, me një bindje “të pamend dhe të gabuar” se familja e saj kishte nevojë për “markat më të fundit”.

    Burri i saj u akuzua fillimisht, por policia më vonë e hoqi çështjen kundër tij.

    Në deklaratën e tij mbi ndikimin e viktimës, ai tha se gruaja e tij kishte “shkatërruar jetën time dhe të fëmijëve të mi”.

  • Dragone: S’ka plan për reduktim të trupave të NATO-s në Kosovë

    Dragone: S’ka plan për reduktim të trupave të NATO-s në Kosovë

    Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO, Giuseppe Cavo Dragone ka deklaruar se aktualisht nuk ekziston ndonjë plan për reduktimin e trupave të misionit të KFOR-it.

    Në një intervistë për RTK gjatë vizitës së tij në Kosovë, zyrtari i lartë i Aleancës Veri-Atlantike theksoi përkushtimin e NATO-s për një ambient të sigurt për gjithë Kosovën.

    Dragone mes tjerash tha se NATO-ja i rishikon rregullisht misionet e saj për të vlerësuar situatën në terren dhe për të përshtatur praninë ushtarake.

    “NATO-ja bën rishikimin e misioneve çdo vit për të vlerësuar se si funksionojnë, si angazhohet personeli në zona të caktuara operimi, e këtë e bëjmë në baza periodike, pra nuk ka ndonjë befasi. Për t’ju dhënë një shembull, në anën tjetër, në vitin 2023, në fund të vitit, kur ndodhi ai incidenti në pjesën veriore, NATO-ja vendosi që të zgjerojë, të rrisë misionin me 1000 trupa shtesë. Kjo do të thotë që jemi fleksibilë në këtë kuptim, por sinqerisht, për aq sa kuptoj unë deri më sot, nuk ka ndonjë plan reduktimi të trupave”.

    Vizita e tij në Kosovë u zhvillua së bashku me anëtarët e Komitetit Ushtarak të NATO-s, përfshirë 32 gjeneralë dhe admiralë nga vendet anëtare.

  • Dyshohet për deponim të parave të falsifikuara në BQK, nisin hetimet

    Dyshohet për deponim të parave të falsifikuara në BQK, nisin hetimet

    Policia e Kosovës ka raportuar për një rast të dyshuar që lidhet me para të falsifikuara.

    Sipas njoftimit, më 23 prill 2026 rreth orës 09:00, një ankues mashkull kosovar ka bërë të ditur se nga biznese të ndryshme janë deponuar dhe dorëzuar në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) një shumë e të hollave, për të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar fillimin e hetimeve.

    “Prishtinë / 16-23.04.2026 – 09:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se nga biznese të ndryshme janë deponuar dhe dorëzuar në BQK nje shume e te hollave qe dyshohet te jene te falsifikuara. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, I cili ka urdheruar fillimin e hetimeve”.

  • Miftaraj: Legjislatura e dhjetë duhet të njihet si “Legjislatura Karate”

    Miftaraj: Legjislatura e dhjetë duhet të njihet si “Legjislatura Karate”

    Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se legjislatura e dhjetë e kuvendit, e cila u shpërnda në mesnatë, duhet të njihet si “Legjislatura Karate”, duke ironizuar me procedurën e nisur nga partia në pushtet për zgjedhjen e presidentit, që në fund nuk u bë, në mungesë të kuorumit në kuvend.

    Miftaraj tha se deputeti i LVV-së, Naim Bardiqi, i cili u kap duke i shkruar dikujt në telefon se po e zgjidhnin presidentin “karate” ka lënë “trashëgimi diçka”.

    “Legjislatura e dhjetë në historinë e parlamentarizmit në Kosovë duhet të njihet ndryshe dhe si ‘Legjislatura Karate’”.

    “Naim Bardiqi mbase nuk do të njihet për ndonje punë të mirë si deputet i ‘Legjislaturës Karate’, por së paku ka lënë trashigimi diçka, na tregoi se si mund të zgjidhet presidenti i ‘Republikes Karate’ dhe si publiku dhe gazetarët nuk ia respektuan privatësinë në një vend publik i rrethuar me kamera në seancën plenare”, shkroi ai në një postim në Facebook.

  • Kurti nuk e përkrahu për mandat të dytë, reagon Osmani: Rrugët që u mbyllën nga padrejtësitë, hapen nga populli

    Kurti nuk e përkrahu për mandat të dytë, reagon Osmani: Rrugët që u mbyllën nga padrejtësitë, hapen nga populli

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar sot pasi Kuvendi i Kosovës është shpërndarë dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

    Osmani ka thënë se “rrugët që u mbyllën nga padrejtësitë, gjithmonë hapen nga populli”.

    “Mbrëmë ka qenë një natë e rëndë për Kosovën, por ky popull ka ditur të ngritët edhe nga momente shumë më të rënda. Ka ardhur koha për dashni. Mjaftë më me propagandë, përçarje e ndjellje të frikës. Aty ku ka urrejtje duhet të sjellim dashni, aty ku ka frikë duhet të sjellim shpresë. Aty ku ka propagandë e shpifje duhet ta mbrojmë të vërtetën”, ka thënë Osmani.

  • Zgjedhjet e reja, Haxhiu e pret në takim kryetarin e KQZ-së

    Zgjedhjet e reja, Haxhiu e pret në takim kryetarin e KQZ-së

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, do të presë sot në në takim Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqin.

    Kjo është bërë e ditur, përmes një njoftimi për media.

    Takimi do të fillojë nga ora 14:00.

    Ndërsa, mediat mund të marrin pamje ën fillim të takimit.