ATV

Category: LAJME

  • Vdes një 31-vjeçare në Obiliq, dyshohet për vetëvrasje – Prokurori i Shtetit nis hetimet

    Vdes një 31-vjeçare në Obiliq, dyshohet për vetëvrasje – Prokurori i Shtetit nis hetimet

    Një 31-vjeçare ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

    Viktima është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq, e më pas është transportuar në Qendrën Kryesore Universitare të Kosovës, ku aty edhe është kontaktuar vdekja e saj.

    Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se mbështetur në hetimet preliminare, ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje.

    “Dje rreth orës 14:30, kemi pranuar informatën për një person të plagosur nga arma e zjarrit nga QKMF në Obiliq. Personi i lënduar ( femër 31 vjeç) më pas është transportuar në QKUK, ku dhe është konstatuar vdekja e saj”, ka thënë Ahmeti.

    Ahmeti ka njoftuar se Policia në koordinim me prokurorin e shtetit kanë nisur hetim mbi vdekjen.

    Mbështetur në hetimet preliminare, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen, si dhe po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes, si dhe sqarimin e plotë të rastit”, ka shtuar ajo.

  • 24-vjetori i Betejës së Koshares, Haradinaj: UÇK i dha mesazh të qartë armikut se shqiptarët asnjëherë nuk e pranojnë robërinë

    24-vjetori i Betejës së Koshares, Haradinaj: UÇK i dha mesazh të qartë armikut se shqiptarët asnjëherë nuk e pranojnë robërinë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar heronjtë e kombit Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu dhe dëshmorët tjerë në 24-vjetorin e Betejës së Koshares.

    Haradinaj ka thënë se kjo betejë është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroike e UÇK-së.
    “Beteja e Koshares, është njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

    Ai ka shtuar se kjo betejë i ndërroi rrjedhën historisë dhe i dha mesazh të qartë armikut se shqiptarët asnjëherë nuk e pranojnë robërinë.
    “Në 24-vjetorin e saj, i kujtojmë me respektin më të lartë heronjtë; Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu dhe dëshmorët e tjerë, që me guximin dhe gjakun e tyre shënuan njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme të luftës të luftës sonë për liri. Thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar, ndërroi rrjedhën historisë dhe i dha mesazh të qartë armikut se shqiptarët asnjëherë nuk e pranojnë robërinë”.

    “Përgjithmonë mirënjohës kontributit të luftëtarëve të lirisë dhe të përulur para sakrificës së dëshmorëve të Kombit”, ka përfunduar Haradinaj.

  • ShBA-ja për Ditën e Kushtetutës: Krenar që mbështesim popullin dhe institucionet e Kosovës

    ShBA-ja për Ditën e Kushtetutës: Krenar që mbështesim popullin dhe institucionet e Kosovës

    Ambasada e ShBA-së në Prishtinë ka bërë një postim të dielën në 15-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës Kosovës.

    Përmes rrjetit social “Facebook”, ambasada amerikane ka uruar qytetarët e Kosovës në Ditën e Kushtetutës.

    Për më tepër, ambasada e ShBA-së u shpreh krenare për mbështetjen ndaj popullit dhe institucioneve të Kosovës.

    “Ne, populli i Kosovës, jemi të vendosur për të ndërtuar një të ardhme të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës që do të jetë atdhe për të gjithë qytetarët e saj… Gëzuar Ditën e Kushtetutës, Kosovë! Krenar që mbështesim popullin dhe institucionet e Kosovës”, thuhet në postim.

  • Krasniqi: Beteja e Koshares shënon fillimin e një prej betejave më të lavdishme të UÇK-së

    Krasniqi: Beteja e Koshares shënon fillimin e një prej betejave më të lavdishme të UÇK-së

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka kujtuar 24-vjetorin e Betejës së Koshares.

    Krasniqi në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se Beteja e Koshares e forcoi shpresën dhe ngriti moralin në mesin e popullit të Kosovës.

    “24 vite qëkur ushtarët e Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të udhëhequr nga heroi Agim Ramadani, i dhanë fund ndarjes së kombit shqiptar, duke thyer kufirin Kosovë – Shqipëri. Kjo ngjarje shënon fillimin e një prej betejave më të lavdishme të UÇK-së – Betejës së Koshares, e cila forcoi shpresën dhe ngriti moralin në mesin e popullit të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

    Postimi i plotë:

    24 vite qëkur ushtarët e Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të udhëhequr nga heroi Agim Ramadani, i dhanë fund ndarjes së kombit shqiptar, duke thyer kufirin Kosovë – Shqipëri.

    Kjo ngjarje shënon fillimin e një prej betejave më të lavdishme të UÇK-së – Betejës së Koshares, e cila forcoi shpresën dhe ngriti moralin në mesin e popullit të Kosovës.

    Përherë mirënjohës për veprën e dëshmorëve dhe veteranëve të Betejës së Koshares!

  • Osmani: Beteja e Koshares, njëra ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së

    Osmani: Beteja e Koshares, njëra ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Beteja e Koshares është një ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së.

    Ajo ka kujtuar rënien e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi.

    “Sot shënojmë përvjetorin e Betejës së Koshares, njërës ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë, kujtojmë me respekt heronjtë e Betejës së Koshares dhe të luftës çlirimtare të UÇK-së. Beteja e Koshares dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim. Rënia heroike e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi dhe komandantëve e luftëtareve të tjerë, dëshmoi se Beteja e Koshares ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive. Përulemi para trimërisë dhe sakrificës së luftëtarëve të lirisë nga Poroji i Tetovës, Tirana e Tropoja, Tuzi e Presheva dhe vullnetarëve nga vende të tjera, të cilët iu bashkuan luftës së popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet. Manifestimet “Ditët e Shqipes”, që i kushtohen kësaj beteje të lavdishme, organizohen nën përkujdesin e Presidentes së Republikës së Kosovës. I përjetshëm qoftë kujtimi dhe e pavdekshme lavdia për heronjtë e Koshares dhe luftën e popullit të Kosovës për liri”, ka thënë ajo.

  • Kurti kujton të rënët në Betejën e Koshares: Ishte beteja më e rëndësishme për lirinë

    Kurti kujton të rënët në Betejën e Koshares: Ishte beteja më e rëndësishme për lirinë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar 24-vjetorin e Betejës së Koshares, duke thënë se për dy muaj, nga 9 prilli deri më 10 qershor 1999, mijëra ushtarë të UÇK-së do të përballeshin në luftime të ashpra me trupat serbe, çka do të rezultonte me shumë të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur nga të dyja palët.

    “Më shumë se 100 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të binin dëshmorë gjatë luftimeve të atyre ditëve, kurse edhe më shumë se kaq do të plagoseshin. Në anën tjetër, mbi 100 pjesëtarë nga forcat serbe u vranë dhe trefishi i këtij numri prej tyre u plagosën”, shkroi ai ndër të tjera.

    Kurti përmendi faktin se përveç ushtarëve të UÇK-së në këtë betejë humbën jetën edhe shumë vullnetarë të huaj që u ishin bashkuar luftës për lirinë e Kosovës.

    “Mes nderimeve për dëshmorët e lirisë, sot themi lavdi për dëshmorët e rënë në luftimet e Betejës së Koshares si dhe nderime atyre të plagosurve që nga atëherë e deri sot kanë bartur plagët e luftës për lirinë e Kosovës. Kujtime e histori, nderime dhe krenari!”, shkroi ai në Facebook.

  • E pranojnë edhe njerëzit e Millosheviqit, akuza për “Shtëpinë e Verdhë” ishte e rrejshme

    E pranojnë edhe njerëzit e Millosheviqit, akuza për “Shtëpinë e Verdhë” ishte e rrejshme

    Opinioni serb është shokuar nga deklarata e ish-presidentit Hashim Thaçi në seancën e 4 prillit në Hagë se retë e zeza mbi Kosovën tanimë janë hequr, përkatësisht akuzat monstruoze nga Raporti i Dick Martyt. Pyetja më e shpeshtë e gazetarëve serbë qëkur filloi procesi gjyqësor ndaj katër krerëve të UÇK-së është se ku mbetën akuzat për trafikim organesh dhe Shtëpinë e Verdhë.

    Këto akuza që i shkaktuan dëme aq të mëdha Kosovës, por edhe NATO-s dhe perëndimit, si dhe dërguan në Hagë udhëheqësit e UÇK-së, tani po kualifikohen si të pavërteta dhe inekzistente edhe nga përkrahës të mëdhenj të kryekriminelit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq, shkruan Demokracia.com.

    Mes personaliteteve të ndryshme serbe në Beograd, këto ditë, akuzat që patën tronditur edhe opinionin botëror, të lansuara përmes Raportit të Dick Marty-t, i quan të paqena është edhe shefi i zyrës për Kosovën, Milovan Drecun.

    Ai ka deklaruar më 5 prill në një intervistë për B82, se sipas prokurorëve të Gjykatës Speciale nuk ka qenë e mundur të bëhet asgjë rreth akuzave për trafikim organesh.

    Duke iu shmangur disa herë pyetjeve të moderatorit serb se çfarë ndodhi me akuzat për Shtëpinë e Verdhë, Drecun tani thotë se “që nga fillimi e ka vërejtur se nuk ka interesim të madh për këtë çështje të prokurorëve të Gjykatës Speciale për shkak se ka mungesë të provave”.

    Se akuzat për trafikim ilegal me organe që i ishte mveshur UÇK-së ishin trillime, e pranon edhe avokati i kryekriminelit serb, Slobodan Millosheviq.

    “Për atë shtëpinë e verdhë, unë jam konsultuar edhe me shumë mjekë ekspertë. Në atë shtëpi të verdhë nuk ka qenë e mundur të bëhet transplantimi i organeve”, ka thënë ai për Tv Kurir.

    Avokati serb thotë se tani nuk ka dëshmitarë për të ngritur akuza për trafikim organesh.

    “Gjëja më e rëndësishme tek ne është që nuk kemi aktakuzë për Shtëpinë e Verdhë. Nuk kemi asnjë aktakuzë ndaj Shqipërisë, e cila qëlloi mbi popullin tonë. Nuk kemi të mbijetuar. Kemi dëshmitarë se dikush është rrëmbyer dhe marrë dhe nuk është më aty. Kemi dëshmitarë që dikush është marrë me dhunë dhe nuk janë më as kufomat e tyre. Shtëpia e Verdhë ka rënë. Këtë e kemi të qartë të gjithë”, ka thënë Fila.

    Ndërkaq, në intervistën për televizionin tjetër serb, K1, avokati Fila në pyetjen e gazetarit se si është e mundur që tani nuk ka akuza për Shtëpinë e Verdhë, kur është thënë se ka aq dëshmitarë për këtë, që është folur aq shumë, Fila thotë: “Nuk ekziston asnjë dëshmitar që e ka parë këtë. Nuk e kemi asnjë dëshmitar që e ka parë këtë”, ka thënë ai.

    “E çfarë do të thotë kjo për ty?” , e ka pyetur gazetari.

    “Nuk e di. Ndoshta kjo ka qenë (vetëm) ndonjë rrëfim, i vërtetë ose i pavërtetë. Në atë Shtëpi të Verdhë nuk ka mundur të bëhet asgjë. Ndoshta e kanë zgjedhur ndonjë njeri që më vonë do të vritet”, thotë pjesëmarrësi në gjykimet e serbëve në Hagë, Toma Fila.

    Ai shtoi se edhe prokurori i Gjykatës Speciale ka thënë se s’ka gjë nga kjo punë.

    I dëshpëruar që akuzat e Dick Martyt nuk ishin pjesë e aktakuzës në Hagë kundër liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, avokati serb Toma Fila tani tërë shpresat për dënim të tyre i ka varur në, siç thotë ai, dëshmitë e shqiptarëve në këtë proces.

    “Ata janë dëshmitarë kundër Thaçit dhe kompanisë së tij”, ka deklaruar Fila, në një intervistë për Tv Kurir të Beogradit.

    Që të dy, avokati Fila dhe agjenti i shërbimit sekret të ushtrisë serbe, Milovan Drecun, kanë qenë ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Millosheviqit dhe zyrtarë të partisë së tij famëkeqe, SPS.

    Edhe Fila, edhe Drecun, si dhe gazetarët serbë në këto tri intervista shprehen të pakënaqur që ish presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar në seancën gjyqësore më 4 prill se është fitore e madhe dhe ia ka vlejtur të sakrifikohet 13 vite që akuzat për trafikim organesh të Dick Martyt të dalin të pavërteta.

  • Përkujtohet “Eksodi i Bllacës”, vlerësohet si burim i shtetësisë së Kosovës

    Përkujtohet “Eksodi i Bllacës”, vlerësohet si burim i shtetësisë së Kosovës

    Me vendosjen e kurorave me lule në Memorialin përkujtimor “Bllaca 99”, Drejtuesit e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe Fondacionit “Hasan Prishtina” – Prishtinë, kanë përkujtuar “Eksodin e Bllacës”, raporton Ekonomia Online.

    Llogaritet se rreth 440 mijë refugjatë shqiptarë të dëbuar nga forcat serbe, pas nisjes së bombardimeve të NATO-s, kanë kaluar nëpër Kampin e Bllacës.

    Duke i përkujtuar refugjatët, Skender Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, vuri në dukje se Kompleksi memorial “Bllaca 99” (Muri i Kujtesës, Parku Hasan Prishtina dhe Treni i të zhvendosurve), tash e tutje i shërbejnë kujtesës sonë, jo vetëm për të freskuar të kaluarën, por për të mësuar edhe hapat nga duhet të shkojmë në të ardhmen

    “Shqiptarët kanë pësuar shumë keq ndër shekuj dhe kufijtë e tyre tronditje. Por, me luftën e UÇK-së dhe ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, Kosova e fitoi lirinë. Prerja historike ka ndodhur pikërisht në këtë vend ku makineria serbe shpërnguli 500 mijë shqiptarë. Janë pikërisht ngjarjet e Bllacës të prillit të vitit 1999 që kanë bërë që bashkësia ndërkombëtare të jetës afër shqiptarëve. Ky tren dhe kjo qendër memoriale na kujtojnë të kaluarën. Ky është vendi qe buron shteti i Kosovës dhe duhet të ndërtohet një qendër memoriale për ta kujtuar të shkuarën”, u shpreh Asani, teksa nuk la pa kritikuar institucionet e Kosovës dhe ato të Maqedonisë së Veriut.

    “Ka munguar një seriozitet me i madh i institucioneve si të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për të ndërtuar një qendër memoriale, qe t’i përkujtojmë karvanët e mijëra shqiptarëve”, tha Asani.

    Mehmet Prishtina nga Fondacioni “Hasan Prishtina”, kërkoi që në këtë vend të krijohet një muze me atë që ka ndodhur atë vend.

    “Sot pas 24 vitesh Bllaca na bashkon. ‘Bllaca 99’, ndoshta duhej të quhej 98-99. Përvjetorë të tille të gjithëve na kthejnë ne histori qe me dëshirë do të donim mos të përsëritej asnjëherë. Ata që e harrojnë të kaluarën mund të përsëritet”.

  • Osmani: Kushtetuta jonë është frymëzim për liritë e të drejtat e qytetarëve

    Osmani: Kushtetuta jonë është frymëzim për liritë e të drejtat e qytetarëve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës është frymëzim për liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

    Osmani në përvjetorin e 15-të të miratimit të Kushtetutës, ka thënë se ka thënë se është detyrë e prioritet që të respektohen dhe zbatohen vlerat kushtetuese.

    “Sot festojmë miratimin e Kushtetutës së Republikës Kosovës- Aktit themeltar të shtetit tonë. Kushtetuta jonë është frymëzim për liritë dhe të drejtat qytetare, për barazi para ligjit dhe vlera të tjera, përmes të cilave, kjo kushtetutë na mban brenda familjes së madhe evropiane. Është detyrë e përbashkët, që nëpërmjet ruajtjes së sovranitetit, integritetit territorial, respektimit të vullnetit të popullit, garantimit të lirive qytetare pa dallim, t’i mbrojmë dhe avancojmë këto vlera, duke u bazuar gjithnjë në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës. Mbetet detyrë dhe prioritet i yni i përbashkët që me punë e përkushtim, t’i respektojmë dhe zbatojmë këto vlera kushtetuese, të cilat ndër të tjera janë edhe shpërfaqje e identitetit tonë”, ka thënë Osmani.

  • Osmani uron Pashkët: Fuqia e shpresës, besimit dhe dashurisë triumfon mbi sfidat më të mëdha

    Osmani uron Pashkët: Fuqia e shpresës, besimit dhe dashurisë triumfon mbi sfidat më të mëdha

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Pashkët. Ajo ka thënë se festat e tilla na rikujtojnë se fuqia e shpresës, besimit e dashurisë triumfon mbi sfidat e mëdha.

    “Festat sikur Pashkët, na rikujtojnë se fuqia e shpresës, besimit e dashurisë, gjithmonë triumfon mbi sfidat më të mëdha. Pashkët janë manifestim i vlerave tona të përbashkëta njerëzore, mbështetjes, humanizmit e solidaritetit, të cilat populli ynë vazhdon t’i kultivojë në vazhdimësi. Uroj që Pashkët sot të jenë të mbushura me festë e gëzim, e shtëpitë tuaja me begati!”, thuhet në urimin e presidentes.