ATV

Category: LAJME

  • E rrahën një të mitur, arrestohen dy persona

    E rrahën një të mitur, arrestohen dy persona

    Dy persona janë arrestuar dje në Pejë, pasi kanë bërë për spital një të mitur.

    Policia ka informuar se viktima ka pranuar tretman mjekësor.

    “Janë arrestuar një mashkull dhe një femër kosovarë, pasi që dyshohet se kanë rrahur viktimën mashkull kosovar i mitur. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.”, ka informuar Policia.

  • Prizren: Ushtroi dhunë në vazhdimësi ndaj babit të tij, arrestohet i dyshuari

    Prizren: Ushtroi dhunë në vazhdimësi ndaj babit të tij, arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar dje në Prizren pasi dyshohet se ka shkaktuar dhunë ndaj babait të tij.

    Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit i janë konfiskuar 0.9 gramë marihuanë.

    “Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se djali i tij i dyshuari mashkull kosovar, në vazhdimësi është duke shkaktuar dhunë ndaj tij. Gjatë kontrollit në trup të dyshuarit i është gjetur dhe konfiskuar 0.9 gram substancë narkotike e llojit marihuanë.”, ka informuar Policia.

  • Harrohet Projektligji për Pagën Minimale, prej se u votua më nuk u përmend

    Harrohet Projektligji për Pagën Minimale, prej se u votua më nuk u përmend

    Kanë kaluar dhjetë muaj që kur Kuvendi i ka dhënë miratimin në parim projektligjit për Pagën Minimale, por shqyrtimi i tij në lexim të dytë ende nuk ka ndodhur.

    Ani pse do të duhej të procedohej brenda tre muajsh, Ligji për Pagën Minimale po qëndron në sirtarët e Kuvendit.

    As Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk e ka diskutuar e as pranuar këtë Projektligj.

    Lidhur me vonesat, kanë folur anëtarë të këtij komisioni.

    Sipas deputetit të Vetëvendosjes, Visar Korenica vonesat me këtë Projektligj po i bënë Qeveria.

    Madje për këtë çështje, deputeti që vjen nga partia në pushtet, ka thënë se përgjigje duhet të jep vet ekzekutivi.

    “Ky Projektligj është shumë i rëndësishëm, sepse ndryshon skajshmërish pagën minimale që është në fuqi. Arsyeshmërinë pse nuk ka ardhur ende në Kuvend duhet të kërkohet tek Qeveria, në momentin e parë që na vjen në lexim të dytë, ne kemi me e procedu në Kuvend për me u votu. Varet prej Qeverisë, në momentin e parë që neve na vjen në Komision, atëherë ne e procedojmë tutje, nuk varet prej nesh”, u shpreh ai

    Tutje ai shton se sa më shpejt që vjen ligji për pagën minimale, është aq më mirë.

    “Sa më shpejt që të vie, aq më mirë”, thotë për Front Online, deputeti Korenica.

    Lekaj: Ligji për Pagën Minimale i ka kaluar të gjitha afatet kohore, e paprecedent

    Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, vonesën e Projektligjit për Pagën Minimale e ka quajtur të paprecedent.

    Ai tha se kjo tregon për papërgjegjshmërinë e Qeverisë Kurti.

    “Fatkeqësisht Projektligji nuk ka ardhur në Komision për shqyrtim të dytë, dhe i ka kaluar të gjitha afatet kohore të mundshme. Është ndër rastet e paprecedent që ka ndodhur kjo. Dhe qytetarët le ta dinë që ende në Kosovë rroga minimale është 170 euro. Kjo tregon pa përgjegjshmërinë e Qeverisë Kurti, që po e bënë ndaj 100 mijë qytetarëve të Kosovës në lidhje me pagën minimale. Këtu më së shumti po e pësojnë qytetarët që punojnë në sektorin privat”, tha ai

    Lekaj thotë se kjo zvarritje po ndikon tek qytetarët, i cili po ashtu kërkoi që paga minimale të jetë 370 euro.

    “Qeveria dhe shumica parlamentare po i frikësohen kësaj dhe janë duke kalkuluar politikisht me këtë zvarritje. Qeveria duhet ta dijë që ky mos veprim i tyre për rritjen e pagës minimale po ndikon për keq në mirëqenien e qytetarëve të vendit. Ne e lusim shumicën parlamentare dhe Qeverinë që ti lëvizin gurët lidhur me këtë projektligj, dhe që paga minimale të mos jetë 250euro neto, por 370 euro neto ashtu siç kemi propozuar që nga fillimi”, u shpreh ai.

    Deputetja Balje për Ligjin për Pagën Minimale: Prej se e kemi votuar, më se kemi parë

    Informacione se kur ky Projektligj do të vie në Komision e më pas në Kuvend, nuk ka as deputetja Duda Balje.

    Ajo thotë se që nga hera e parë që e kanë votuar, nuk e kanë prek më atë ligj.

    “Asnjë informatë për Projektligjin për Pagën Minimale nuk e kam. Kemi votuar herën e parë dhe mandej më nuk kemi parë. Pas leximit të parë në Kuvend, Projektligji duhet me shku në Komision për Buxhet, unë jam anëtare në atë komision, por ne nuk e kemi prekur hiq atë ligj”, tha ajo

    Front Online ka kërkuar përgjigje edhe nga Kuvendi i Kosovës por deri në momentin e publikimit të shkrimit ata nuk kanë kthyer përgjigje.

    Në interesimin e portalit nuk është përgjigjur as kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja, anipse dha fjalë se do të përgjigjet.

    Paga minimale në Kosovë aktualisht sillet prej 130 deri në 170 euro.

    Projektligji i ri parasheh që ajo të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

    Projektligji është kundërshtuar nga disa parti opozitare, të cilat kanë kërkuar që paga minimale neto të rritet në 370 euro.

  • Gjenden dy trupa pas shembjes së ndërtesës nga shpërthimi në Francë

    Gjenden dy trupa pas shembjes së ndërtesës nga shpërthimi në Francë

    Dy trupa u gjetën pas një shpërthimi që rrafshoi një ndërtesë katërkatëshe të dielën në qytetin jugor francez të Marsejës.

    Autoritetet lokale thanë se gjashtë persona mbetën të pagjetur dhe se përpjekjet e shpëtimit po vazhdojnë.

    Shpërthimi ndodhi në lagjen La Plaine.

    Pesë persona nga ndërtesat fqinje pësuan lëndime të lehta në shpërthim dhe rreth 200 njerëz u desh të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre. Dy blloqe aty pranë u shembën pjesërisht disa orë më vonë pa shkaktuar lëndime shtesë.

    Shkaku mbetet i paqartë, por hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e një rrjedhjeje gazi.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh në Twitter se ai “po mendonte për të prekurit dhe të dashurit e tyre” dhe falënderoi punonjësit e urgjencës për përpjekjet e tyre, shkruan BBC, përcjell KosovaPress

    Kryetari i bashkisë së Marsejës, Benoît Payan tha se ekipet e shpëtimit mbetën “të vendosur” për të gjetur njerëz të gjallë. “Shpresa duhet të na mbajë”, tha ai.

    Ndërtesa besohet të ketë pasur nga një apartament në çdo kat, dhe zyrtarët e qytetit thanë më herët se njerëzit e zhdukur përfshinin një çift të ri.

  • Dy persona shoqërohen në Polici, sekuestrohen dy armë zjarri dhe një thikë

    Dy persona shoqërohen në Polici, sekuestrohen dy armë zjarri dhe një thikë

    Policia ka informuar dje se dy persona janë shoqëruar në stacione policore, ndërsa janë sekuestruar dy armë zjarri dhe një thikë në rajonin e Prishtinës.

    Siç ka informuar Policia, sekuestrimi i armëve është kryer në dy raste dhe lokacione të ndryshme.

    Njëri rast ka ndodhur në lagjen “Sofalia”, ndërsa tjetri në rrugën “Ilir Konushevci”.

    “Në rastin e parë në lagjen Sofalia, në Prishtinë, pas raportimit për të shtëna me armë, menjëherë kanë reaguar njësi të stacionit Qendra, të cilët kanë shoqëruar një person dhe sekuestruar, një armë zjarri. I dyshuari, mashkull, pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, ndaj tij është iniciuar rast për armëmbajtje pa leje, dhe përdorim të armës. Ndërsa rasti i dytë i sekuestrimit të një arme zjarri dhe një thike, është realizuar nga njësite të stacionot Veriu, në rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë, ku për veprën sulm dhe armëmbajtje pa leje është shoqëruar i dyshuari: F.C, mashkull, 25 vjeç, i cili pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.”, ka bërë të ditur PK.

  • Mbi 80 raste aktive me COVID-19 në Kosovë

    Mbi 80 raste aktive me COVID-19 në Kosovë

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në përditësimin e fundit lidhur me COVID-19, ka njoftuar se kanë realizuar 41 testime, prej të cilave katër raste janë konfirmuar pozitiv me COVID-19.

    Sipas institutit, nuk janë konfirmuar raste të vdekjes, derisa janë shëruar 12 persona.

    20 persona janë të hospitalizuar. Kurse, gjithsej rastet aktive në vendin tonë janë 84.

  • Përkujtohet 24-vjetori i eksodit në Bllacë

    Përkujtohet 24-vjetori i eksodit në Bllacë

    Sot do të shënohet 24-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, ata janë detyruar nga forcat serbe të shpërnguleshin në Maqedoninë e Veriut.

    Për ta shënuar këtë ditë, sot në Qendrën Përkujtimore Bllacë në Han të Elezit, duke nisur nga ora 10.00, do të mbahet manifestimi përkujtimor “Eksodi Bllaca 99”, me ç’rast, Shoqata për Kthimin e Shqiptareve te Shpërngulur nga Trojet e Veta do të ndajë çmimin “Hasan Prishtina” për 24 komuna, bashkësi lokale, shoqata humanitare, organizata joqeveritare e mediume nga RMV, që kanë ndihmuar refugjatët kosovarë gjatë kohës së luftës të vitit 1998-99.

    Gjithashtu në Bllacë, fotografi Asllan Krasniqit do të nxjerrë nga arkivi i tij për herë të parë pas 24 vitesh, dhe do të hapë ekspozitë me 24 fotografi të “Eksodit’99 në Bllacë, Stenkoc dhe Çegran”.

    Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kanë kaluar kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

    Ata kanë qenë fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që ka marrë përmasa biblike, në Kukës përkujtohet e në dy vjetët e fundit edhe simbolikisht prej pandemisë, kjo dramë vuajtjesh nga më të tmerrshmet që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke.

    Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, ka arritur kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi), transmeton KosovaPress.

    Para dy vitesh, për të kujtuar ditët e shpërnguljes më dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit është inauguruar monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina”.

    Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kontribuuan në çlirimin e Kosovës, një vepër kjo artistike-monumentale që shpreh më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur.

    Eksodi i shqiptarëve shënohet edhe në Kukës, çdo 16 prill.

  • Ende s’është caktuar data për takimin Kurti -Vuçiq, palët në pritje të ftesës nga Borell

    Ende s’është caktuar data për takimin Kurti -Vuçiq, palët në pritje të ftesës nga Borell

    Është raportuar se më 20 prill do të ketë takim të nivelit të lartë në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Por drejtori i të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë gjatë një interviste për Blicin serb se ende nuk ështa caktuar datë për takimin e radhës në mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ai thotë se Bashkimi Evropian është mikpritësi dhe ata i përgjigjen ftesave të tyre.

    “Tani gjithçka varet nga Bashkimi Evropian, ata janë mikpritësit e të gjitha atyre takimeve në Bruksel. Ata dërgojnë një ftesë zyrtare, ne i përgjigjemi. Natyrisht, është e nevojshme të bien dakord për të gjitha kushtet e Lajçakut dhe Borrellit, veçanërisht kur bëhet fjalë për nivelin e lartë. Nga ana tjetër, Vuçiq dhe Kurti. Kur të arrihet gjithçka, pres që në periudhën e ardhshme të vijë një ftesë e re për një takim të nivelit të lartë. Ne do t’ju njoftojmë si gjithmonë, kur kjo të ndodhë”, ka thënë Petkoviq, të dielën.

    Javën e kaluar ishte zhvilluar një takim i nivelit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.

    Ndërkaq, më 18 mars në Ohër ka pasur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, ndonëse nuk është nënshkruar.

    Tani bashkësia ndërkombëtare po kërkon që marrëveshja të zbatohet dhe për këtë janë paralajmëruar takime të nivelit të lartë në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe atij teknik.

  • Macroni thotë se BE-ja s’duhet të rreshtohet as me SHBA-në e as me Kinën sa i përket Tajvanit

    Macroni thotë se BE-ja s’duhet të rreshtohet as me SHBA-në e as me Kinën sa i përket Tajvanit

    Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se BE-ja duhet të mbajë një politikë të jashtme të pavarur , në një intervistë për të përditshmen franceze të biznesit Les Echo.

    “Ne nuk duam të futemi në një bllok kundër logjikës së bllokut”, tha ai, duke argumentuar se Evropa “nuk duhet të kapet nga një çrregullim i botës dhe kriza që nuk janë tonat”.

    Komentet pasojnë një vizitë në Kinë nga Macroni dhe zyrtarë të tjerë të BE-së, e cila përfshinte një takim me presidentin kinez Xi Jinping. Ndër të tjera, udhëheqësit diskutuan tensionet rreth Tajvanit dhe pushtimin rus të Ukrainës.

    Macron theksoi se një përshkallëzim në Tajvan nuk ishte në interes të BE-së.

    “Pyetja që na bëhet ne evropianëve është kjo: a është në interesin tonë që të ketë përshpejtim në temën e Tajvanit? Jo. Gjëja më e keqe që ne evropianët mund të bënim do të ishte të ishim ndjekës në këtë temë dhe të përshtateshim me ritmin amerikan dhe një reagim të tepruar kinez. Pse duhet të shkojmë në një ritëm të zgjedhur nga dikush tjetër?”, pyeti ai.

    Kreu i shtetit francez theksoi atë që ai e konsideronte nevojën që BE të zhvillojë “autonomi strategjike”, një term i përdorur për t’iu referuar bllokut që mban një linjë të pavarur të politikës së jashtme.

    Macron tha se vendet anëtare të BE-së duhet të shmangin të bëhen “vasalë” dhe se blloku mund të funksionojë si një “pol i tretë” në gjeopolitikë së bashku me SHBA-në dhe Kinën. Ai paralajmëroi kundër ndjekjes së politikës së jashtme amerikane si një “refleks paniku”.

    Presidenti i Francës bëri thirrje gjithashtu për rritjen e shpenzimeve ushtarake, duke thënë: “Historia po përshpejtohet, ekonomia evropiane e luftës duhet të përshpejtohet paralelisht”.

    “Industria e mbrojtjes e Evropës nuk i plotëson të gjitha nevojat tona dhe mbetet shumë e fragmentuar,” tha ai, duke argumentuar se kjo bën që BE të mbështetet te furnizuesit amerikanë dhe aziatikë.

    Macron tha se ishte e rëndësishme që Brukseli të “kuptojë” arsyetimin e Kinës kur bëhet fjalë për Tajvanin.

    “Si evropianë, shqetësimi ynë është uniteti ynë”, tha ai. “Kinezët janë gjithashtu të shqetësuar për unitetin e tyre dhe Tajvani është një komponent [i këtij uniteti] nga këndvështrimi i tyre”.

    Tensionet mbi Tajvanin janë rritur gjatë disa muajve të fundit. Kina aktualisht po kryen një seri stërvitjesh ushtarake rreth ishullit, shkruan DW, transmeton Klankosova.tv.

    Të premten, Macron – së bashku me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe zyrtarë të tjerë – u takua me presidentin kinez Xi Jinping.

    Udhëheqësit e BE-së shpresojnë të bindin Pekinin që të marrë një rol më të madh në përpjekjet për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës.

  • Lajçak: Me kryenegociatorët u dakorduam për zbatim të menjëhershëm të marrëveshjes

    Lajçak: Me kryenegociatorët u dakorduam për zbatim të menjëhershëm të marrëveshjes

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se java që po e lëmë pas ka qenë e ngarkuar me takimin i cili u zhvillua në kuadër të kryenegociatorëve në dialogun Kosovë Serbi.

    Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se pala kosovare dhe ajo serbe në kuadër të takimit diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit dhe çështjet urgjente aktuale.

    Ai ka thënë se lidhur me takimin e ka informuar edhe këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.

    “U takova gjithashtu me Këshilltarin e Departamentit të Shtetit Derek Chollet. Ishte mirë të flitej për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor. Unë gjithashtu e informova atë për takimin e dialogut dhe të kryenegociatorëve. Ne ramë dakord për nevojën e zbatimit të menjëhershëm në mirëbesim. Unë jam shumë mirënjohës për partneritetin dhe koordinimin e fortë me Shtetet e Bashkuara kur bëhet fjalë për Dialogun”, ka thënë ai.