ATV

Category: LAJME

  • Besimtarët katolikë sot festojnë Pashkët

    Besimtarët katolikë sot festojnë Pashkët

    Besimtarët katolikë në të gjithë botën sot festojnë Pashkët.

    Pashka është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike Romake dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.

    Kjo festë është e lëvizshme, që do të thotë se nuk ndodh në të njëjtën datë çdo vit. Pashka llogaritet në bazë të fazave të hënës dhe ardhjes së pranverës.

    Në praktikë, kjo do të thotë që Pashkët janë gjithmonë të dielën e parë pas hënës së parë të plotë që bie më ose pas 21 marsit. Pashkët mund të shfaqen që në fillim të 22 marsit dhe deri më 25 prill, varësisht se kur ndodh hëna e plotë e Pashkës.

    Sot në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, me fillim nga ora 11, do të mbahet mesha kryesore e Pashkës. Ndërkaq, në orën 19 Ipeshkvi i Kosovës organizon pritjen solemne me rastin e festës së Pashkës.

  • LDK dhe AAK po shpresojnë që Gjykata Kushtetuese do të shpallë të pavlefshëm Ligjin për Paga

    LDK dhe AAK po shpresojnë që Gjykata Kushtetuese do të shpallë të pavlefshëm Ligjin për Paga

    Edhe pse u deshën më shumë se dy vjet për miratimin e Ligjit për Paga, i njëjti përfundoi në Gjykatën Kushtetuese.

    Pas 104 ankesave, Institucioni i Avokatit të Popullit ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për pagat në Sektorin Publik, me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

    “Ne besojmë që Gjykata Kushtetuese do të jap drejtësi, do të rrëzojë këtë ligj dhe do të ruajë të drejtat e punëtorëve në sektorin publik në atë mënyrë që paga e tyre të jetë e dinjitetshme për punën që ata e bëjnë dhe po ashtu të mos ketë kaq shumë diskriminime në sektorin publik ashtu siç ka propozuar kjo qeveri. Prandaj, ne presim që Gjykata Kushtetuese ta kthejë prapa është këtë ligj duke vërtetuar edhe njëherë se kjo qeveri vazhdon të jetë një shkelëse serike, përsëriste, recidiviste e Kushtetutës”, tha Xhafer Tahiri nga LDK.

    Paralajmërimet se Ligji do të përfundonte në Kushtetuese, ishin dhënë qysh në kohën kur Qeveria e mbante sekret vlerën monetare të koeficientit. Ato ishin shtuar më shumë ditën kur ishte vendosur vlera e koeficientit, e që është 105 euro për këtë vit dhe 110 për vitin e ardhshëm.

    “Mendoj që gjykata Kushtetuese do ta kthej prapa këtë ligj sepse nuk e di që ka afektuar qytetarët. Nëse iu është rritur një dozë e vogël e pagës, jau ka ndal shtesat, mëditjet e benefitet”, tha Time Kadrijaj nga AAK.

    Ankesat e pranuara në Institucionin e Avokatit të Popullit kishin të bënin kryesisht me uljen e koeficienteve, rrjedhimisht me zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave apo trajtimin joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj.

    Ky ligj, prek pagat e më shumë se 80 mijë punonjësve. /atvlive.tv

  • Ish pjesëtarët e UÇK-së do të duhej të dëmshpërblehen nëse shpallen të pafajshëm

    Ish pjesëtarët e UÇK-së do të duhej të dëmshpërblehen nëse shpallen të pafajshëm

    Akuzat ndaj tyre janë të shumta. Por, në rast se shpallen të pafajshëm nga Gjykata Speciale, ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të duhej dëmshpërblehen për secilën ditë që e kanë kaluar prapa grilave gjatë periudhës së paraburgimit.

    “Ligji për Gjykatë Speciale por edhe rregullorja e procedurës së provave, e parasheh mundësinë që personat që kanë qëndruar në paraburgim, por që në fund janë shpallur të pafajshëm, të kenë të drejt ta kërkojnë shpërblimin e dëmit, me ligj është përcaktuar se ky dëmshpërblim paguhet nga buxheti i Kosovës”, tha Artan Qerkinaj, avokat i akredituar nga Gjykata Speciale.

    Pagesa do të bëhet për çdo ditë që kaluan në qelitë e Hagës.

    “Nëse shpallen të pafajshëm, të njëjtit kanë të drejtë t’i drejtohen Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për të realizuar të drejtën e tyre për dëmshpërblim. Në bazë të tarifave që ka këshilli gjyqësor, të njëjtit kanë të drejtë t’i marrin nga 15 euro për çdo ditë që kanë qëndruar në paraburgim”, tha Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Por, sipas Artan Qerkinajt, avokatit të akredituar nga gjykata speciale, shuma mund të shkojë edhe më lart, nëse do të merren parasysh edhe disa faktorë.

    “Dëmi do të varet nga kohëzgjatja, intensiteti i dhimbjeve shpirtërore gjatë asaj periudhe, kohëzgjatja e paraburgimit, dëmet materiale, e po ashtu edhe humbjet e mundësisë për t’u ngritur në karrierë”, tha Qerkinaj.

    Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke qëndruar në Dhomat e Specializuara që nga nëntori i vitit 2020, ndërkaq me 3 prill filloi gjykimi ndaj tyre. /atvlive.tv

  • Dhjetë muaj që nga licencimi, Elektrosever nuk ka filluar faturimin e rrymës në komunat veriore

    Dhjetë muaj që nga licencimi, Elektrosever nuk ka filluar faturimin e rrymës në komunat veriore

    Gati dhjetë muaj qw nga licencimi i kompanisë Elektrosever, faturimi i energjisë elektrike nuk ka filluar. Elektrosever, ende nuk ka përmbushur disa prej obligimeve, duke shkelur të gjitha afatet e parapara.

    “Në proces janë marrëveshjet komerciale me KEDS për Ofrimin e Shërbimeve në katër komunat veriore, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me ofrimin e qasjes ne nënstacionin e Vallaqit dhe në infrastrukturën e transmetimit (KOSTT) dhe shpërndarjes (KEDS)”, thuhet në shkresën e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

    Pa specifikuar kur, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se Kosova do t’i kërkojë Serbisë dëmshpërblim 320 milionë euro për energjinë e papaguar në katër komunat me shumicë serbe në veri.

    Edhe pse bëhet fjalë për territorin e Kosovës, sipas Bislimit, reparacioni do kërkohet meqë Serbia ka penguar faturimin dhe inaksimin.

    “Energjia e shpenzuar në veri, e cila i është faturuar Qeverisë deri sot, ka një faturë prej 320 milionë euro. E gjithë kjo faturë, në një moment të caktuar do të prezantohet si kërkesë në procesin e repereacioneve ndaj Serbisë”, tha Bislimi.

    Teksa njoftoi se kanë marrë një sinjal pozitiv në Bruksel për nisjen e faturimit, Bislimi fajësoi Beogradin për mosnënshkrimin e marrëveshjes komerciale Elektrosever-KEDS, e cila do të mundësonte nisjen e faturimit.

    “Për Brukeslin është e qartë se pala Bllokuese është Serbia. Është e qartë arsyeja, sepse marrin energji falas. Përshtypja e z. Lajcak, pas bisedave që ka pasur me z. Vucic, është që shumë shpejtë pritet që Elektrosever të nënshkruaj kontratën e dërguar nga KEDS-i”, theksoi Bislimi.

    Bislimi tha se nëse vazhdohet me refuzim, ZRRE-ja mund të detyrohet t’ia tërheqë licencën Elektroseverit. Diçka të tillë nuk përjashtoi as ZRRE-ja.

    “Në rast të mos përmbushjes së kërkesave sipas udhërrëfyesit për energji, ZRRE-ja do te ndërmerr te gjitha veprimet ligjore që parashihen në legjislacionin në fuqi”, thuhet në shkresën e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

    Për dhjetë muaj Elektrosever ka nënshkruar marrëveshjen kornizë për aderim në rregullat e tregut në Kosovë, atë mbi detyrimet e balancimit dhe ka marrë kodin e identifikimit të energjisë.

    Ndërkaq, përmes BE-së i ka dhënë KEDS-it dhe KOSTT-it një bazë të dhënash për konsumatorët. Vetëm për periudhën Janar-Nëntor 2022, Qeveria pagoi 64 milionë euro për energjinë shpenzuar në katër komunat në veri. /atvlive.tv

  • Komandanti i KFOR-it viziton monitoruesit në Gjilan

    Komandanti i KFOR-it viziton monitoruesit në Gjilan

    Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, vizitoi Komandën Rajonale-Ushtarët Lindor të ekipit turk monitorues të ndërlidhjes (LMT) në Gjilan.

    Gjenerali Ristuccia u njoftua mbi aktivitetet e vazhdueshme dhe diskutoi me ta situatën e përgjithshme në zonë.

    “LMT-të e KFOR-it janë burimi kryesor i informimit për situatën në terren, duke lejuar KFOR-in të kuptojë më mirë situatën dhe të përqendrojë përpjekjet e tyre. Këto ekipe janë mjete themelore për krijimin dhe mbajtjen e lidhjeve të përhershme dhe besimin mes KFOR-it dhe autoriteteve lokale, udhëheqësve dhe organizatave ndërkombëtare në nivel komunal”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

  • Policia e arreston të dyshuarin për lëndim trupor

    Policia e arreston të dyshuarin për lëndim trupor

    Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka arrestuar personin e dyshuar për një rast të lëndimit trupor që ka ndodhur të enjten në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.

    Të njëjtit dje Policia ia publikoi fotografitë dhe i luti qytetarët që të ndihmojnë për identifikimin e tij.

    “Bashkëpunimi i qytetarëve me Policinë e Kosovës, ka mundësuar që të arrestohet personi i dyshuar për lëndim trupor, që ka ndodhur me 06.04.2023, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë. Aktualisht hetuesit policor të stacionit qendra, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në koordinim me prokurorinë përkatëse, lidhur me rastin që dyshohet të jetë i përfshirë i arrestuari”, thuhet në njoftim.

  • Avokatja Marija Ristic thotë se UÇK-ja ishte grup gueril pa strukturë të qartë komanduese

    Avokatja Marija Ristic thotë se UÇK-ja ishte grup gueril pa strukturë të qartë komanduese

    Analistja e Amnesty International dhe avokatja e njohur Marija Ristic, e cila ka përcjellë gjyqet për krime lufte në Tribunalin për ish-Jugosllavi ka vënë në dyshimin vërtetësinë e akuzës për përgjegjësi komanduese të krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Ne një analizë rreth fillimit të procesit në Hagë, ajo shtron pyetjen se si prokurorët do ta dëshmojnë përgjegjësinë komanduese: “Cili është roli që Thaçi dhe figurat e tjera të fuqishme të UÇK-së kanë pasur në fakt në urdhërimin e krimeve?”, thotë ajo.

    “Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një grup gueril, pra nuk kanë pasur një strukturë shumë të qartë, nuk ka pasur aq shumë dokumente etj., siç kemi me ushtritë e tjera, siç kemi pasur për shembull për ushtrinë jugosllave. Do të jem shumë kurioz të shoh se cilat janë provat”, ka theksuar ajo për platformën ndërkombëtare Justice.

    Për Gjykatën Speciale ajo thotë se kjo “gjykatë hibride më e re në Ballkan” është në fakt “e vetmja e dedikuar vetëm për Kosovën dhe e fokusuar vetëm në një grup specifik”.

    Ajo ka potencuar se Gjykata e Hagës ndjek vetëm UÇK-në dhe kjo ka ngjallur pakënaqësi tek qytetarët e Kosovës.

    Ky fakt, krahasuar me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) e cila ka paditur pa dallim serbët, boshnjakët, kroatët dhe kosovarët dhe fakti që “vetëm ata që ishin anëtarë të UÇK-së mund të ndiqen penalisht, për shumë njerëz në Kosovë. shihet si diçka shumë e padrejtë”, thotë ajo.

    “Shumica e krimeve të kryera në Kosovë në fakt janë kryer nga forcat jugosllave dhe ushtria serbe,” thotë Ristiq.

    “Dhe në përgjithësi, drejtësia për krimet e kryera në Kosovë ka qenë mjaft e ngadaltë”, ka vlerësuar ekspertja e njohur në arenën ndërkombëtare.

  • Ish-ambasadori Bosch: Pres që ish-krerët e UÇK-së të lirohen nga akuzat e Speciales

    Ish-ambasadori Bosch: Pres që ish-krerët e UÇK-së të lirohen nga akuzat e Speciales

    sh-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch pret që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët po akuzohen për krime të pretenduara të luftës nga Dhomat e Specializuara, të shpallen të pafajshëm.

    Diplomati holandez mendon se edhe veprimi i Shqipërisë për të pasur një rezolutë tjetër për të mbivendosur atë të senatorit Dick Marty në Këshillin e Evropës, që shërbeu si bazë për themelimin e Dhomave të Specializuara, është i duhuri.

    Bosch ngre pikëpyetje nëse do të duhej të ekzistonte Specialja pasi u konfirmua se nuk qëndrojnë akuzat për trafikim organesh mbi të cilat ishte ngritur kjo gjykatë.

    “Unë pres që të gjithë të lirohen, natyrisht”, thotë Bosch.

    Ai mendon se edhe veprimet e shtetit të Kosovës duhej të ishin ndryshe pas publikimit të raportit të seantorit Marty.Sipas tij, Dhomat e Specializuara të Kosovës duhet të hetojnë të gjitha rastet, përfshirë edhe ato vrasje, masakra, përdhunime, rastet e personave të pagjetur e dëmtime pronash nga ana e serbëve.

    “Gabimi që ka bërë Qeveria e Kosovës ka qenë se nuk kanë krijuar grupin e tyre hetues, nuk e kanë bërë pas raportit të Marty. Ata është dashur të thonë, kjo është marrëzi, por ne do të krijojmë një grup hetimi, ata nuk e bënë këtë”, thotë diplomati holandez.

    Bosch ngre pyetjen pse duhet të ekzistojë një gjykatë për të hetuar vetëm disa raste dhe të injorohen mbi 13 mijë civilë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    “Dhe çfarë thotë prokurori, tani flet për 100 raste, sepse sigurisht 100 raste janë shumë, mirëpo nëse kemi midis 16 dhe 12 mijë njerëz të vrarë, pse të kemi një gjykatë të tërë për 100 raste? Çfarë është kaq e rëndësishme për këto 100? Pra, 15 mijë minus 100 raste, a nuk ia vlen të hetohen, është pak e çuditshme”, thotë ish-ambasadori holandez.Bosch thotë se puna me këtë gjykatë nuk do të duhej të vazhdonte pasi prokurori amerikan Clint Williamson kishte nxjerrë raportin në të cilin vërtetoi se nuk ka dëshmi për trafikim të organeve.

    Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë flet edhe për situatën aktuale në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas tij kjo e fundit një ditë do të duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

    Ai thotë se në Serbi nuk ka liri të shtypit, rrjedhimisht propaganda është shumë e zhvilluar dhe njerëzve u transmetohet sikur serbët në Kosovë nuk trajtohen mirë.

    Në Gjykatën Speciale në Hagë të martën fillon paraqitja e provave në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët akuzohen për krime të pretenduara të luftës.

    Gjykimi i madh pritet të marrë disa vjet meqë prokuroria ka paralajmëruar qindra dëshmitarë që do të flasin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

  • Osmani uron Ditën e Romëve: Vlerësojmë kontributin e vazhdueshëm të tyre në Kosovë

    Osmani uron Ditën e Romëve: Vlerësojmë kontributin e vazhdueshëm të tyre në Kosovë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar komunitetin rom në ditën ndërkombëtare të tyre.

    Osmani tha se e vlerëson kontributin e vazhdueshëm të romëve në Kosovë, duke shtuar se do të bëhet më shumë për të vazhduar avancimin e barazisë dhe përfshirjes për të gjithë.

    “Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ne festojmë kulturën e pasur, historinë dhe arritjet e komunitetit tonë rom dhe vlerësojmë kontributin e tyre të vazhdueshëm në Kosovë. Sot, ne gjithashtu reflektojmë mbi punën që duhet bërë për të vazhduar avancimin e barazisë dhe përfshirjes për të gjithë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

  • Szunyog uron romët, thotë se janë një nga prioritetet e BE-së

    Szunyog uron romët, thotë se janë një nga prioritetet e BE-së

    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka uruar komunitetin rom në Ditën Ndërkombëtare të Romëve.

    Szunyog tha se përfshirja e romëve në jetën sociale, ekonomike e politike të Kosovës vazhdon të jetë një nga prioritetet e BE-së.

    “Ne do të vazhdojmë të punojmë për të avancuar në këtë agjendë me të dyja qeveritë. dhe joqeveritare. institucionet në Kosovë”, tha Szunyog.