ATV

Category: Lajme

  • Zgjedhjet në veri: Kjo është lista me qendrat e votimit dhe lokacionet e tyre

    Zgjedhjet në veri: Kjo është lista me qendrat e votimit dhe lokacionet e tyre

    Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi listën e qendrave të votimit dhe lokacionet e tyre për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok si dhe për zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023.

    Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtyre zgjedhjeve, më 14 prill 2023, KQZ-ja
    miratoi listën e qendrave të votimit për zgjedhjet e 23 prillit.

    Sipas vendimit të KQZ-së, numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.

    Lista e qendrave të votimit është përgatitur në bashkëpunim dhe koordinim me organet e sigurisë./atvlive.tv/

    Kliko në link për të parë listën me qendrat e votimit:

    https://kqz-ks.org/wp-content/uploads/2023/04/Lista-e-Qendrave-te-Votimit-per-Zgjedhjet-e-dates-23.04.2023.pdf

     

  • Zvicra ndan 2 miliardë dollarë për Ukrainën

    Zvicra ndan 2 miliardë dollarë për Ukrainën

    Zvicra ka thënë se do të shpenzojë 2 miliardë dollarë për të dërguar ndihmë humanitare dhe asistencë për zhvillim të Ukrainës në gjashtë vjetët e ardhshëm.

    Ky vendim është marrë, pas kritikave të Perëndimit ndaj Bernit, që të bëjë më shumë për të mbrojtur veten kundër pushtuesve rusë.

    Qeveria zvicerane ka konfirmuar për ndarje të 2 miliardë dollarëve deri më 2028, përveç 300 milionë dollarëve që tashmë i ka ndarë për këtë, dhe vitin tjetër.

    Rreth 650 milionë dollarë tashmë janë rezervuar për të ndihmuar në rindërtim të Ukrainës.

    Shumë vende e kanë kritikuar Zvicrën edhe pse nuk ka dhënë autorizim për dërgim të armëve të prodhuara nga ajo në fushëbetejën në Ukrainë.

    Mirëpo zviceranët kanë argumentuar se kushtetuta e tyre parasheh neutralitet, dhe ndalon dërgimin e armëve në zona të luftës, siç është ajo në Ukrainë.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Produktet vendore më të shtrenjta se ato të importit, ankohen prodhuesit

    Produktet vendore më të shtrenjta se ato të importit, ankohen prodhuesit

    Produktet e prodhuara në Kosovë në disa raste çmimet i kanë më të larta se ato të importit në tregun kosovar. Prodhuesit vendorë nuk po i bëjnë ballë konkurrencës së padrejtë në treg. Për këtë, prodhuesit kritikojnë tregtarët se po ndikojnë me marzhën e fitimit të tyre.

    Klubi i Prodhuesve fajëson tregtarët, ndërkaq Oda Ekonomike e Kosovës fton institucionet përgjegjëse të bëjnë një analizë në treg për të parandaluar këtë fenomen.

    Megjithatë, për një nga prodhuesit vendor në vend, është e papranueshme që çmimi i produkteve vendore të jetë më i lartë se ai i importuar.

    Kryetari i Klubit të Prodhuesve, Berat Mustafa ka akuzuar tregtarët, të cilët, sipas tij, po vendosin njëanshëm marzhën e fitimit.

    “Analizat që i bëjmë ne si prodhues, asnjëherë prodhuesit vendorë nuk i kanë të ngritura çmimet. Çdoherë çmimet e prodhuesve vendorë janë më konkurrues se prodhimet që vijnë nga importi… Rrjeti i maketeve në shitje, për shkak se ata i kanë marzhën, kostot më të larta, hapësira e madhe, numri i madh i punëtoreve, qiratë e ndryshme dhe ata janë të detyruar t’i rrisin çmimet më lartë, ndryshe prodhuesit janë konkurrues. Sepse, po mos të ishim konkurrues nuk mund të ia dilnim si prodhues me këtë prodhim të vogël që e kemi”, tha Mustafa.

    Pronari i njërës prej bizneseve vendore në Kosovë, Shaqir Palushi thotë se kurrsesi nuk bën që një produkt i prodhuar në vend të jetë më i lartë me çmim sesa ai i importuar.

    “Një prej faktorëve që ndodh kjo është se prodhuesit vendorë, një pjesë e tyre janë prodhues të vegjël dhe kostoja e produkteve është shumë më e lartë se e atyre të kompanive që janë korporata ndërkombëtare dhe kanë një treg dhe prodhim të konsoliduar, por kjo nuk e arsyeton, sepse konsumatorit nuk i intereson nëse je prodhues i madh apo i vogël, atij i intereson çmimi të jetë konkurrues. Në asnjë mënyrë nuk bën që një produkt i prodhuar në vend të jetë më i lartë me çmim sesa ai i një kompanie, aq me tepër nëse është fjala për kompani që janë me renome dhe me produkte dhe cilësi të dëshmuara”, tha Palushi.

    Mes tjerash, Palushi kërkon më shumë kontrolle nga ana e inspektorëve në treg, pasi sipas tij ka raste kur keqpërdoret edhe çmimi dhe marzha normale nga ana e tregtarëve.

    “Ka raste kur keqpërdoret edhe çmimi dhe marzha normale nga ana e tregtarëve dhe besoj se kjo duhet të ketë më shumë kontroll nga ana e Inspektoratit të tregut në mënyrë që të mos abuzohet, sidomos në këtë kohë krize ku është prekur xhepi i konsumatorëve”, tha mes tjerash Palushi.

    Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna duke kërkuar nga qeveria mbështetje për kompanitë vendore, ai ka ftuar institucionet përkatëse të bëjnë një analizë në treg për të ndikuar në uljen e çmimeve të produkteve.

    “Duhet pas parasysh se ne nuk prodhojmë lëndën e parë, atë e importojmë dhe kjo luhatja e çmimeve gjatë kohës së pandemisë, me pas lufta në Ukrainë-Rusi, që shkaktoi një inflacion shumë të lartë, preku ngritjen e çmimit të lëndës së parë, por edhe ngritjen e shpenzimeve të transportit ndërkombëtar. Për këtë arsyeje institucionet duhet të bëjnë një analizë dhe të shohin se ku dhe si munden të kontribuojnë në mënyrë që me ndërmarr një veprim të politikes fiskale, qoftë për ulje të ndonjë tatimi, këtë rast TVSh-së në lëndë të parë, aty ku është e implementueshme ose të shihet edhe mundësia tjetër e ndonjë subvencionimi të normave të interesit të kredisë për prodhuesit, jo vetëm për eksporte por edhe për prodhime që prodhohen për tregun tonë me qëllim që ai produkt t’i bëjë ballë konkurrencës së produktit të importuar, për arsyeje se ai produkt që vjen nga rajoni ai subvencionohet në forma të ndryshme nga vendi ku prodhohet”, tha Rafuna.

    Produktet vendore mbesin nën “hijen” e produkteve të importuara. Konsumimi i produkteve, “Made in Kosova”, në tregun vendor, me gjithë faktin që ka shënuar rritje viteve të fundit, vazhdon të mbetet i ulët.

    Mustafa nga Klubi i Prodhuesve ka ftuar qeverinë që të përkushtohet më shumë për zhvillim ekonomik të vendit.

    “Kjo mbetet në duar të qeverisë, ku ne ftojmë që të kemi takime sy më sy me qeverinë dhe t’i diskutojmë të gjitha problemet, sepse tashmë gjendja me Marrëveshjen e Ohrit përfundon, dhe duhet të kalojmë në sferën ekonomike dhe t’i përkushtohemi zhvillimit ekonomik të vendit, kryesisht me fokus bujqësinë dhe prodhimtarinë, si forca të vetme të zhvillimit ekonomik të vendit”, tha ai.

    Produktet, të cilat importohen nga vendet e rajonit dhe më gjerë, vazhdojnë të dominojnë në tregun e Kosovës dhe të konsumohen në masë të madhe nga qytetarët.

    Ndërkohë, vendi ynë vazhdon të ketë një deficit të lartë tregtar./kp

  • “The Times”: Shqipëria, ky vend i jashtëzakonshëm turistik

    “The Times”: Shqipëria, ky vend i jashtëzakonshëm turistik

    Shqipëria është një vend i jashtëzakonshëm turistik, shkruan Paul Bloomfield për gazetën e njohur britanike “The Times”.

    Autori, i cili ka bërë një tur me biçikletë në Shqipëri, tregon përvojën e kaluar në shumë zona të vendit, të cilën e konsideron të jashtëzakonshme.

    “Në mes të një ekspedite çiklizmi rreth jugut të këtij vendi ballkanik, të izoluar prej kohësh, do të isha mësuar me rreziqet e rrugës. Shumica e shoferëve shqiptarë janë të respektueshëm për ata që ngasin biçikletat, madje mirëpritës, dhe gropat e dikurshme që gëlltitnin kamionët janë, në përgjithësi, të mbushura tani. Përkundrazi, pengesat tani janë më piktoreske: tufa rosash, fermerë të nderuar me gomerë që mbajnë arka me pjepra ose mollë, madje edhe një breshkë e pakujdesshme që dremit në asfaltin e ngrohtë”, shkruan Bloomfield.

    ”Turizmi në Shqipëri është një fraksion i, të themi, ai i Kroacisë, dhe pjesa më e madhe është e përqendruar në qytetet kryesore ose përgjatë bregdetit. Megjithatë, në jugun kryesisht bujqësor të Shqipërisë, çiklizmi është një gëzim – dhe kryesisht i pazbuluar. Turi im tetëditor me guidë në qytetet, peizazhet dhe vendet antike më magjepsëse të Shqipërisë së Jugut, duke qëndruar në bujtina karakteristike dhe hotele me katër yje, më lejoi të shihja këtë vend të jashtëzakonshëm nga malet dhe qytetet e tij në majë të kodrave”, shton Bloomfield.

    ”E nisëm në Tiranë. Në sheshin e gjerë ”Skënderbej”, statuja e heroit të saj kombëtar të shekullit XV është nën hijen e Muzeut Historik Kombëtar të bllokuar, ku punëtorët socialistë, gratë dhe luftëtarët krenarë shohin ashpër këmbësorët nga mozaiku triumfalist mbi hyrjen e muzeut; xhamia elegante e shekullit XVIII e Et’hem Beut përtej sheshit dukej e turpshme në krahasim muzeun dhe statujën.

    Një histori e gjatë pushtimi dhe grindjesh – ku përfshihen ilirët, grekët, romakët, bizantinët, venecianët, turqit, italianët, Gjermania naziste dhe regjimi represiv i diktatorit komunist Enver Hoxha, i ndjekur nga anarkia në vitin 1997 – mund të mos ketë lënë shumë bukuri urbane.

    Por, ajo ka krijuar një kulturë dhe gjuhë të ndërlikuar magjepsëse. Me jo më pak se 36 shkronja dhe një gramatikë të pakuptueshme për të gjithë, përveç folësve amtare, shqipja nuk është për fillestarët.

    Isha mirënjohës që udhërrëfyesi vendas, Erlisi lexoi menunë dhe mbushi tryezën tonë me perime të pjekura në skarë, byrek, qofte perimesh dhe sallata me domate, kastravec dhe djathe të ngjashme me feta – një djathë që u shfaq gjithashtu i pjekur me spinaq, në një pjatë balte dhe me speca të kuq dhe qepë në fërgese të shijshme.

    Rruga jonë e parë e lehtë ishte zbritja nga Qafë Thana në liqenin e Ohrit, e cila shkëlqente me trofta unike dhe të shijshme… Duke iu afruar kufirit të Maqedonisë së Veriut në skajin jugor të liqenit, një tjetër kulturë u bë e dukshme: bunkerët. Nga vitet 1960, kur Hoxha u ndesh fillimisht me Bashkimin Sovjetik dhe më pas me Kinën, ”kërpudhat” dhe tunelet e betonit u shumuan. Me vdekjen e tij në 1985, qindra mijëra kishin mbirë në të gjithë vendin.

    Në Korçë, bredhim në pazarin e restauruar ku, dy shekuj më parë, qindra dyqane shisnin mallra të ndryshme të Perandorisë Osmane. Dhe në një restorant, duke ngrënë djathë të pjekur, u gëzuam me këngë popullore melankolike që kujtonin thënien “Qyteti i Serenatave”.

    Si kudo ushqimet dhe pijet freskuese ishin me çmime të volitshme.

    Dita pasuese na çoi mes majave të mbuluara me ah dhe pisha, statujat e kaluara që përkujtonin partizanët e Luftës së Dytë Botërore që luftuan pushtimin gjerman. Atë natë hëngrëm troftë në një bujtinë, në fermë, përpara se të vendoseshim në kabina druri.

    Më pas, ne arritëm në një terren alpin më të lartë, ku muri i bardhë gëlqeror i maleve të Nemerckës ngrihej përpara nesh ndërsa pedalonim lart mbi lumin Vjosa, pastaj midis rrushit të zi të errët për të arritur në Bënjë. Këtu kaluam një urë madhështore osmane për t’u zhytur në ujërat termale sulfurore – që supozohet se janë të mira për veshkat, mëlçinë dhe stomakun – dhe sigurisht qetësuese për gjymtyrët.

    Duke vazhduar në jug, pemishtet u zëvendësuan me ullishte përpara ngjitjes sonë përfundimtare në qendrën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në Gjirokastër.

    Ky qytet i lashtë ofron pamje spektakolare nga lugina e Drinos deri në malin e Lunxhërisë dhe mbi shtëpitë osmane të lagjes së vjetër, me çatitë e tyre të veçanta me pllaka guri.

    Pazari dhe rrugët me kalldrëm të qytetit më tërheqës të Shqipërisë janë dëshmi e një kulmi osman. Më pas, tregtarët e pasur ndërtuan pallate impozante si Shtëpia e Skendulëve, e cila ende përmban një dhomë martese të pikturuar bukur me lule shege.

    Qendra e vërtetë historike e Shqipërisë, megjithatë, shtrihet 25 milje në jug, Butrinti, ku një traget me zinxhirë kërcitës na çoi në zonën arkeologjike.

    Te ”Eneida”, Virgjili shkroi për të se “Unë pashë para meje Trojën në miniaturë”.

    Dhe kjo ishte përpara se grekët, romakët, bizantinët, venecianët dhe osmanët të shtonin banja, teatro, tempuj, mozaikë, ujësjellës, kulla dhe mure të fuqishme kështjellash.

    Megjithatë, për shumë njerëz, plazhet apelojnë më shumë se bazilikat, dhe bregdeti jonian i Shqipërisë, që shtrihet në veri nga Butrinti, tërheq masat që adhurojnë diellin.

    Duke ecur me biçikletë lart mbi breg gjatë dy ditëve në vijim, ne soditëm me mall blutë prusiane dhe ngjyrat e kaltërta të shndritshme që rrethonin plazhet e shumta, joshëse si çdo tjetër në Cefaloni apo Korfuz.

    Në Sarandën plot zhurmë, një vendpushim tipik mesdhetar, me diell, det dhe rërë, hëngrëm ushqime deti të shkëlqyera.

    Por, unë preferova ndalesën tonë të parafundit, Himarën – një grup shtëpish dhe hotelesh me ngjyrë rozë oleandri në një liman të qetë, në të cilin dielli shkrihej plot shkëlqim.

    Pika më e lartë erdhi në ditën tonë të fundit. Ngjitja prej 1 000 metrash në Qafën e Llogorasë paraqet një sfidë të vështirë për çiklistët dhe unë isha mirënjohës për shpërqendrimet e pamjeve gjithëpërfshirëse të bregdetit, ndërsa kaloja koshere bletësh blu dhe të verdha dhe vendasit që mblidhnin rigon të egër buzë rrugës.

    Ujqërit, drerët dhe shqiponjat e arta mund të dallohen në pyjet me pisha të Parkut Kombëtar të Llogorasë. Isha i pavëmendshëm ndaj jetës së egër, në vend të kësaj më emociononte një tatëpjetë e gjatë dhe e shpejtë në Gjirin e Vlorës dhe pishinën e lezetshme të hotelit që na priste”, përfundon Bloomfield.

  • 21 milionë euro eksport drejt Gjermanisë për tre muaj, këto janë produktet më të eksportuara

    21 milionë euro eksport drejt Gjermanisë për tre muaj, këto janë produktet më të eksportuara

    Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka publikuar të dhënat e përpunuara prej raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës dhe Doganës së Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2023, në raportin e tregtisë së jashtme me Gjermaninë.

    Sipas kësaj ode, eksporti në periudhën Janar-Mars 2023 ka arritur vlerën e rreth 21 milionë eurove, që ka pjesëmarrje prej 9.8% në eksportin e përgjithshëm të vendit.

    Produktet më të eksportuara nga Kosova drejt Gjermanisë kanë qenë: Dyer dhe dritare, materiale ndërtimi prej plastikës dhe Kasaforta të blinduara apo të përforcuara.

    Në anën tjetër është vërejtur një vlerë shumë më e madhe e importit nga Gjermania, në lartësinë e rreth 152 milionë eurove, që përbën 7.8% të gjithë importit në vend.

    Produktet më të eksportuara nga Gjermania në drejtim të Kosovës kanë qenë autoveturat.

    Më pas vijnë shufrat, shkopinjtë apo profilet prej polimereve të vinil kloridit dhe në fund vijnë cigaret që përmbajnë duhan.

  • Regjimenti i këmbësorisë përfundon trajnimin “Lufta në qendrat e banuara”

    Regjimenti i këmbësorisë përfundon trajnimin “Lufta në qendrat e banuara”

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se kompania 1B e Regjimentit të parë të këmbësorisë ka përfunduar trajnimin “Lufta në qendrat e banuara” me instruktorët e Operacioneve Speciale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Mehaj në një postim në Facebook shkruan se qëllimi i këtij trajnimi ka qenë stërvitja e pjesëtareve për luftë në qendrat urbane, e që është një nga detyrat kryesore të këmbësorisë për përmbushje të misionit.

    “Gjatë ekzekutimit të trajnimi pjesëtarët kanë praktikuar disiplinat ushtarake, qitje me armë individuale dhe në ekip si dhe janë trajnuar për lufte në qendra të banuara në kushte të ditës dhe të natës, si një nga metodat me komplekse të luftës.

    Trajnimi u përmbyll me realizimin e skenarit të ‘kordon-kërkimit’ dhe ‘pastrimit të dhomave’ ku pjesëmarrësit treguan nivel të lartë të përgatitjes profesionale”, shkruan Mehaj.

  • Presidentja Osmani pret në takim kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq

    Presidentja Osmani pret në takim kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të shtunën në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, raporton Ekonomia Online.

    Takimi ndërmjet Osmanit dhe Abazoviqit është duke u zhvilluar në presidencë.

    Kryeministri Abazoviq dje ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin Albin Kurti, ku kanë nënshkruar edhe marrëveshjen bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës, shkruan EO.

    Kryeministri i Malit të Zi, dje gjatë ditës ka pasur takime edhe me zyrtarë të ndryshëm shtetëror, biznese si dhe ka takuar edhe liderët e partive politike.

    Abazoviq gjatë vizitës së punës në Kosovë sot do ta vizitojë edhe komunën e Pejes, ku do të takohet me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri dhe do ta shoh nga afër zbatimin e projekti të IPA-s, i cili po realizohet ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës.

    Abazoviq për vizitë zyrtare ka mbërritur në Kosovë gjatë së enjtes.

  • ​“Në emër të popullit pa dëgjuar populli”, seancat e Speciales vlerësohen jotransparente

    ​“Në emër të popullit pa dëgjuar populli”, seancat e Speciales vlerësohen jotransparente

    Për tri ditë me radhë në seancë private është dëgjuar dëshmia e dëshmitares së parë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi në Hagë. Por, ky vendim i trupit gjykues po kritikohet nga njohës e monitorues të këtij procesi gjyqësor të cilët po konsiderojnë se këto veprime të Gjykatës Speciale flasin për mungesë të transparencës në këtë gjykim.

    Nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së thonë se kjo gjykatë që vendimet i merr “në emër të popullit” nuk e lejon që populli të dëgjojë asnjë fjalë nga dëshmitë e dëshmitarëve. Sipas tyre, asnjë dëshmitarë nuk ka pse të ketë frikë dhe të fshihet.

    Avokati Florim Shefqeti shprehet se duke marr parasysh masat e sigurisë për mbrojtjen e identitetit dhe personalitetit për dëshmitaren anonime nuk është dashur të privohet publiku kosovar nga dëgjimi i marrjes në pyetje të dëshmitares.

    “Ne kemi parë fillimin e deklaratës së dëshmitarit të parë i cili ka qenë i fshehur identiteti dhe personaliteti i tij, respektivisht edhe pamja edhe zëri kanë qenë të mbrojtura. Prandaj, në kuptim të peshës dhe rëndësisë së parimit të publicitetit nën masat e siguruara që janë krijuar për fshehjen e identitetit dhe dukjes së tij ne vlerësojmë se nuk është dashur të privohet publiku i gjerë, edhe kosovar, edhe të tjerë, nga dëgjimi i deklaratave të dëshmitarit të parë dhe besojmë që kjo do të vazhdojë si praktikë në të gjithë gjykimin. Pra, do ta kemi një gjykim jopublik dhe që nuk ndikon çfarëdo vendimi të jetë që të krijohet perceptimi publik lidhur me procesin gjyqësor”, shtoi Shefqeti.

    Shefqeti konsideron po ashtu se me këto vendime të trupit gjykues procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po bëhet jotransparent.

    Ai madje beson që këtë praktikë të mbylljes së seancave me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarëve Specialja do ta përdori deri në fund të gjykimit.

    “Ne besojmë se si në çdo lloj gjykimi që nuk është publik ne kemi parë edhe në aspektin vendor raste kur është bërë mbyllja e seancave ka pas reagime për mungesë transparence, dhe prandaj edhe kjo patjetër ndikon në mungesën e transparencës dhe po flas personalisht nuk do të kemi mundësi të gjykojmë çfarëdo vendimi apo të japim mendim për atë vendim në mungesë të dëgjimit të dëshmitarëve dhe rrethanave që deklarohen… Mbi bazën e kësaj që ka filluar me dëshmitarin e parë me arsye se janë dhënë gjoja se në mbrojtjen e dëshmitarëve ne besojmë që deri në fund do të vazhdojë në këtë formë“ u shpreh ai.

    Monitoruesi i procesit gjyqësor në Hagë nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), Amer Alija shprehet se gjatë kësaj jave 99% seancat gjyqësore në rastin e ish-krerëve të UÇK-së kanë qenë të mbyllur për publikun me arsyetimin e mbrojtjes së dëshmitarit.

    Sipas tij, trupi gjykues duhet të kujdeset që përveç deklaratave që mund ta zbulojnë identitetin e dëshmitarit, pjesa tjetër e dëshmisë të jetë e hapur për publikun.

    “Sa i përket parimit të publicitetit apo transparencës së këtyre proceseve gjyqësore për arsye se këto raste kanë mjaftë vëmendje dhe kanë mjaftë interes për publikun kosovar gjykatat duhet të kujdeset që informatat apo deklaratat, pjesë të deklaratave të cilat nuk lidhen me identitetin e familjarëve apo të dëshmitarit të jenë të hapura për publikun për arsye se edhe publiku, mediat dhe monitoruesit kanë të drejtë që të kenë një opinion të vetë, një përshtypje se nëse në fund të shpalljes të aktgjykimit ka pas mjaftueshëm prova qoftë për një vendim lirues apo dënues… Mbyllja të themi e plotë e seancave ku dëgjohen dëshmitarët anonim nuk është në rregull, jo krejt dëshmia e dëshmitarit duhet të jetë e mbyllur ne edhe në të kaluarën në proceset gjyqësore para misioneve ndërkombëtare kemi pas redaktime të seancave, kemi pas ndryshim të zërit e fotografisë, janë marr masa që të ruhet identiteti, por të themi shumica e dëshmisë ka qenë e hapur për publikun dhe monitoruese për arsye se jo çdo pyetje dhe jo çdo përgjigje ka të bëjë me identitetin. Publiku më shumë i intereson brumi i deklaratës nëse ka pas mjaftueshëm prova, inkriminim apo cila ka qenë deklarata në të cilën bazohet prokuroria. Kryetari i trupit gjykues dhe trupi gjykues duhet të kujdesen të mos i redaktojnë në tërësi seancat kur kemi dëshmitarët anonimë”, shprehet Alija.

    Për dëgjimin e dëshmitarit të parë ne rastin e Thacit dhe të tjerëve në seancë private për publikun shprehen të shqetësuar edhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.

    Xhavit Jashari nga kjo dhoqatë thotë se këto veprime të Speciales dëshmojnë se kjo gjykatë është e njëanshme dhe politike dhe synon kriminalizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Nuk di se si është e rregulluar me ligjet e Kosovës të thirret një gjykatë në emër të popullit dhe Republikës së Kosovës dhe dëshmitarët të mos jenë të hapur për publikun, kjo dëshmon edhe më shumë se kjo gjykatë është e njëanshme dhe politike siç e kemi trajtuar dhe kemi thënë në vazhdimësi dhe siç i kemi arsyet tona pse nuk e njohim këtë gjykatë…. Gjithë këto që po ndodhin në këtë proces tash presim ta shohim sepse është vetëm fillimi argumenton fuqishëm që këto tendenca janë për të kriminalizuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës… Shqetësuese është gjithsesi sepse nëse dikush është, siç po thotë prokuroria, dhe po merren si dëshmitarë është e mbyllur seanca kalon në privat dhe nuk njihet dëshmitari dhe nëse janë dëshmitarë që kanë qenë pjesëtarë të UÇK ata duhet të dalin hapur dhe nuk kanë pse të fshihen megjithatë këtu kemi të bëjmë me njerëz të shitur dhe janë edhe njerëz të blerë dhe shumë ka punuar kjo gjykatë me prokurorinë serbe”, shprehet Jashari.

    Që nga 11 prilli në Dhomat e Specializuara të Hagës ka nisur prezantimi i provave të Prokurorisë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

    Ndërsa, më 3 prill në Hagë pas dy vitesh të procedurës paraprake, nisi gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzën për krime të pretenduara lufte.

    Qysh në nisjen e procesit gjyqësor, ish-krerët e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm për të gjitha akuzat me të cilat i ngarkon Prokuroria Speciale në Hagë. Ndërsa, edhe mbrojtja e tyre mohoi të gjitha akuzat që rëndojnë mbi klientët e tyre./KP

  • Sot bëhen 158 vjet nga vrasja e presidentit amerikan Abraham Lincoln

    Sot bëhen 158 vjet nga vrasja e presidentit amerikan Abraham Lincoln

    Sot bëhen 158 vjet nga vrasja e presidentit amerikan Abraham Lincoln. Ai u vra më 15 prill të vitit 1865.

    Lincoln vazhdon të mbetet dhe konsiderohet si një nga udhëheqësit më të dashur të Amerikës, legjitimiteti i të cilit vazhdon të frymëzojë presidentët amerikanë dhe udhëheqësit botërorë.

    Lincoln u vra përderisa bashkë me të shoqen po shikonte një shfaqje në kinemanë Ford në Uashington.

    Ndërsa vrasësi i tij, John Wilkes Booth largohej nga skena e krimit, zotin Linkoln e çuan në një shtëpi pranë kinemasë, ku ai vdiq mëngjesin e së nesërmes.

    Vdekja e tij ndodhi pikërisht në momentet kur ai po e udhëhiqte vendin drejt daljes nga Lufta Civile, gjatë së cilës u vranë mbi 620 mijë ushtarë amerikanë.

  • Java nisë me shi – Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Java nisë me shi – Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Ditën e sotme do të kemi kryesisht reshje të shiut dhe kthjellime të herë pas hershme.

    Temperatura minimale do të jetë në Gjakovë me 4 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prishtinë me 16 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë kryesisht me reshje të shiut. Temperatura minimale do të jetë serish në Gjakovë me 7 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prizren me 16 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Erza Hotin në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme: