ATV

Category: Lajme

  • Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së: Prokuroria i zhvlerëson dëshmitë për krimet serbe në Kosovë

    Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së: Prokuroria i zhvlerëson dëshmitë për krimet serbe në Kosovë

    Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në një parashtresë të përbashkët ka thënë se Prokuroria Speciale po synon që krimet serbe që po prezantohen si fakte t’i kategorizojë si jo-relevante.

    Në parashtresën në fjalë, mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve kujton se edhe vetë Prokuroria e ka pranuar se serbët po kryenin krime gjatë kohës së përcaktuar për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së.

    “Në formë të parashikueshme, ZPS përsëri kërkon të përjashtojë provat e krimeve të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Për shumicën dërrmuese të fakteve të propozuara nga mbrojtja, i vetmi argument kundërshtues është relevanca. Megjithatë, faktet janë qartësisht të rëndësishme për kontekstin, përfshirë deklaratat përkatëse publike, motivimin e luftëtarëve të UÇK-së dhe të akuzuarve dhe motivimin e hakmarrjes së autorëve individualë të krimeve të supozuara”, thuhet në parashtresë.

    Mbrojtja potencon se ZPS-ja po i konsideron si jo-relevante edhe faktet që lidhen me Masakrën e Reçakut.

    “ZPS-ja po jep qëndrime qesharake kur po thotë se faktet janë jo-relevante. Ta zëmë, ngrit parashtresë pa shpjegim se fakti 60, i cili lidhet me Masakrën e Reçakut, është jo-relevant. Përkundër kësaj, ZPS-ja po vazhdon të thërrasë dëshmitarë që dëshmojnë për Masakrën e Reçakut dhe i referohen si ngjarje kryesore. Qartazi, fakti 60 është relevant”, potencon mbrojtja e ish-krerëve, percjell Demokracia.com.

    Mbrojtja argumenton tutje se ofenzivat dhe krimet e caktuara serbe gjatë verës së 1998-ës dhe pranverës së 99-ës ndikuan në çrregullimin e strukturës së UÇK-së. Mbrojtja thotë se kjo është e rëndësishme për të shpjeguar edhe efektivitetin e kontrollit në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

    “Këtu, Prokuroria po tenton që të akuzuarit t’i parandalojë edhe ne paraqitjen e provave, në mënyrë që trupi gjykues të mos i shohë kurrë. Siç ka theksuar më parë mbrojtja, ZPS nuk është në gjendje të përmend asnjë rast kur gjykatat ndërkombëtare ia kane mohuar ndonjëherë një të akuzuari të drejtën për të paraqitur prova për mbrojtjen, përfshirë edhe mbrojtjen në heshtje”.

    Në parashtresën e së martës, mbrojtja kujton se si është pajtuar kryetari i Gjykatës Speciale me deklaratën e Gregory Kehoe, avokatit të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili tha se do të shpërfaqen krimet serbe për ta kontekstualizuar rastin.

    “Pasi z. Kehoe u përgjigj se “në kohën e duhur ne do të diskutojmë rëndësinë e krimeve të veçanta serbe në kontekst me atë që po ndodh në terren”, kryetari i trupit gjykues konfirmoi “kjo është kërkesa jonë e vetme””.

  • Policia kërkon ndihmë për identifikimin e këtyre persoanve

    Policia kërkon ndihmë për identifikimin e këtyre persoanve

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e dy personave të dyshuar për veprën e zjarrvënies.

    “Njësiti i hetimeve të stacionit Jugu në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar që shihen në fotografi.”, thotë policia.

    Ky është njoftimi i plotë:

    Kërkesë për bashkëpunim – identifikim të personit të dyshuar

    Njësiti i hetimeve të stacionit Jugu në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar që shihen në fotografi.

    Personat kërkohen për përfshirje në një rast të zjarrvënies, që është raportuar në fund të muajit mars Prishtinë.

    Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personave apo vendodhjes së tyre, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192.

  • “Politika është sikur droga, të qorron” – Besnik Tahiri tregon se si politikanët dehen për pushtet

    “Politika është sikur droga, të qorron” – Besnik Tahiri tregon se si politikanët dehen për pushtet

    Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ishte i ftuar të premten në emisionin “LIBERO”, ku rrëfeu shumë të pathëna për sa i takon jetës personale, duke mos anashkaluar as jetën politike.

    Në lidhje me politikën, ai befasoi kur tha se shpeshherë e ka tjetërsuar si person.

    “…Politika të ndryshon, të qorron. Ajo është si droga, e sheh që po të bën dëm dhe vazhdon ta konsumosh…”, potencoi Tahiri.

    Gjithashtu, ai foli edhe për liderin e tij partiak, Ramush Haradinaj, për të cilin tha se ka mësuar shumë gjëra për sa i takon politikës.

    “…Prej tij e kam mësuar se për ta arritur një qëllim duhet të kesh konsistencë, qëndrueshmëri në qëllimet tua profesionale politike. E kam mësuar se pa sakrificë suksesi i shpejt, përfundon shpejt…”, theksoi Tahiri.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Sveçla: Policia e gatshme të ofrojë siguri gjatë zgjedhjeve

    Sveçla: Policia e gatshme të ofrojë siguri gjatë zgjedhjeve

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Lista Serbe është kundër mbajtjes së zgjedhjeve në veri të vendit, sepse ajo e ka humbur mbështetjen e komunitetit serb atje.

    Ai ka thënë se Kosova nuk guxon të bjerë në shantazh të atyre të cilët, sipas tij, ndihen të rrezikuar nga sundimi i ligjit.

    Derisa ka raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane, Sveçla ka thënë se nuk ka arsye të mos mbahen zgjedhjet e 23 prillit.

    Ministri i Brendshëm duke iu përgjigjur shqetësimeve të kryetares së Komisionit, Rrezarta Krasniqi, ka deklaruar se Policia e Kosovës është e gatshme të ofrojë siguri në mënyrë që zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në katër komunat në veri të mbahen.

    Shqetësime për sigurinë rreth mbajtjes së zgjedhjeve në veri ka ngritur edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

    Por, Sveçla ka insistuar se nuk ka arsye që zgjedhjet të mos mbahen për shkak të sjelljes kriminale, siç është shprehur ai, të disa bandave që veprojnë në atë pjesë të Kosovës.

    Duke folur për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në pjesën veriore të vendit, Sveçla ka thënë se gjendja nuk është e kënaqshme, por ka përmirësim në sundimin e ligjit dhe sigurisë.

    Ndërsa, sukses të Policisë së Kosovës në veri i ka vlerësuar aksionet kundër keqpërdorimeve të energjisë elektrike për t’i kultivuar kriptovalutat.

  • Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për sulmin ndaj Valon Sylës

    Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për sulmin ndaj Valon Sylës

    Nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ku erdhën në mëngjesin e së premtes, tre të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, u dërguan në Qendrën e paraburgimit.

    Gjyqtari i Procedurës Paraprake atyre ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, për secilin.

    Seanca e paraburgimit, gjatë së cilës mbrojtja kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë Speciale, u mbajt e mbyllur për publikun.

    Të dyshuarit, dy nga ta vëllezër, K.H, O.H., dhe L.D., sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, të siguruar nga ATV-ja po dyshohen se të motivuar me ideologji ekstreme radikale islame e me motiv të nxitjes së urrejtjes fetare, sulmuan Sylën.

    Televizioni merr vesh se fillimisht të dyshuarit nuk kishin dashur të pranojnë avokatët e caktuar sipas detyrës zyrtare, duke thënë se “nuk kanë nevojë, se për këtë i mbron Zoti”.

    “Për shkak të një postimi në rrjetin social “Facebook”, për profetin Muhamed dhe profetin Isa, paraprakisht e përcjellin të dëmtuarin nga TV “T7” dhe me të arritur afër restorantit “Image”, në lagjen “Bregu i Diellit”, në Prishtinë, duke ia rrezikuar sigurinë, e sulmojnë fizikisht me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, për çka edhe si rast urgjent dërgohet në QKUK”, thuhet në kërkesën e PRSK-së.

    Më tej, kërkesën për paraburgim prokurori special, Afrim Shefkiu, e ka arsyetuar në raportet mjekësore, në deklaratat e dëshmitarëve, me rrezikun e asgjësimit të provave dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.

    “Ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, duke marrë për bazë peshën e veprës penale për të cilën është paraparë dënimi me burg 1 deri në 8 vjet, rrethanat në të cilat ata kanë vepruar, e duke marrë për bazë edhe karakteristikat e tyre personale, duke mos u penduar për veprimet e bëra, e veçmas rrezikshmërinë shoqërore të fjalës”, thuhet në kërkesën e PRSK-së.

    Gazetari Valon Syla u sulmua në mbrëmjen e 11 prillit.

    Duke e konsideruar sulm ndaj lirisë së shprehjes, sulmin e dënuan Kryetari i Kuvendit, kryeministri Albin Kurti, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e organizata të tjera, përfshirë edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez.

  • KEDS-i në heshtje, ZRRE-ja duhet të vendosë për formën e kompensimit

    KEDS-i në heshtje, ZRRE-ja duhet të vendosë për formën e kompensimit

    KEDS-i ende nuk është deklaruar për aktgjykimin e Gjykatës Supreme, që e detyron atë t’i kompensojë konsumatorët nga 34 komuna për dëmin nga faturimi shtesë për katër komunat në veri, në vlerë 40.8 milionë euro, në periudhën 2012-2017.

    Zyra e Rregullatorit, e cila ka rreth dy javë kohë të caktojë formën e kompensimit, nuk ka dhënë detaje pos konfirmimit fillestar të pranimit të vendimit.

    Kompensimi në faturat e ardhshme, sipas ekspertit të energjisë Visar Azemi, është opsioni më i mundshëm.

    “Unë e shoh më reale që kjo kosto të shkëputet nga faturimi, pra të do të ketë minusim në faturat e energjisë elektrike për muajt në vazhdim. Kjo do jetë ndoshta situata më reale, jo të tërhiqen para kesh”, tha njohësi i çështjeve të energjisë, njëherësh edhe anëtar i LDK-së, Visar Azemi.

    Pavarësisht se aktgjykimi i Supremes detyron KEDS-in ta bëjë kompensimin, sipas tij, fakti se faturimi ishte kryer me vendim të ZRRE-së mund të përfshijë edhe Qeverinë në diskutime.

    “Nuk mund të themi që gjithçka përfundon me këtë vendim të gjykatës dhe KEDS-i është i obliguar t’i paguaj ato. KEDS-it iu është dhënë kjo mundësi me anë të marrëveshjes që ka pasur me ZRRE-në. Tani ajo është hudhë poshtë, ato mjete duhet t’i kompensojë dikush”, tha Azemi.

    Për pesë vjet e tetë muaj, nga Shkurti 2012 e deri në fund të Tetorit 2017, konsumatorët e 34 komunave, përmes faturave të fryra të energjisë, paguan për qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

    Në një llogaritje jozyrtare, një konsumator i cili gjatë kësaj periudhe ka paguar mesatarisht 30 euro në muaj, mund të kompensohet në total rreth 70 euro. /atvlive.tv

  • Prokuroria jep detaje për ngjarjen tragjike në Pejë: Djali që dyshohet se vrau nënën e tij, nuk ishte në gjendje të flasë

    Prokuroria jep detaje për ngjarjen tragjike në Pejë: Djali që dyshohet se vrau nënën e tij, nuk ishte në gjendje të flasë

    Prokurorja e rastit të rëndë që ka ndodhur në Pejë ka dhënë detaje lidhur me rastin ku ka konfirmuar se i biri ka vrarë nënën e tij.

    Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Mbreti Zog”, derisa prokurorja e rastit ka thënë se i dyshuari është arrestuar dhe është parandaluar mundësia që ai t’i shkaktojë dikujt tjetër ndonjë dëm.

    “Sot jam para jush dhe bashkëqytetarëve të Pejës lidhur me një rast tragjik dhe të dhimbshëm që ka ndodhur në Pejë dhe familjes i shprehim ngushëllime. Sot rreth orës 16:00 jemi njoftuar se ka ndodhur një vrasje në qytetin e Pejës ku dyshohet se i biri ka privuar nga jeta të ëmën. Duke iu falënderuar reagimit të shpejt të Policisë është arritur që i njëjti të arrestohet në mënyrë që të mos i shkaktojë dikujt tjetër ndonjë dëm ose vetës.”, ka thënë Prokurorja.

    Prokurorja e rastit ka bërë të ditur se janë mbledhur të gjitha provat dhe është urdhëruar autopsia e të ndjerës. Po ashtu ka pasur dëshmitarë okularë.

    “Kemi dalur së bashku me njësitin e forenzikës në vendin e ngjarjes ku janë mbledhur të gjitha provat, kemi urdhëruar autopsinë e të ndjerës. Kemi siguruar dëshmitarë okularë. I dyshuari nuk ka qenë në gjendje të merret në pyetje, kemi urdhëruar që nesër në prezencë të psikologut dhe avokatit mbrojtës të merret në pyetje. Po ashtu do të vazhdojmë me hetime. Në bazë të të gjitha rrethanave, do të urdhërojmë edhe ekzaminimin në Institutin e Psikiatrisë të të dyshuarit.”, tha Prokurorja e rastit.

    I dyshuari nuk ka qenë në gjendje të merret në pyetje gjatë ditës së sotme, ndersa nesër është urdhëruar në prezencë të psikologut dhe avokatit mbrojtës që i njëjti të merret në pyetje.

    I dyshuari gjithashtu do të ekzaminohet edhe për shëndetin e tij mendor.

  • Detaje të reja: Ky dyshohet të jetë motivi që shkaktoi konfliktin nënë e bir

    Detaje të reja: Ky dyshohet të jetë motivi që shkaktoi konfliktin nënë e bir

    Një grua është vrarë në Pejë pasditen e së premtes, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

    Gazetari i ATV-së, në një lidhje direkte për edicionin qendror të lajmeve, ka raportuar konfirmimin e Policisë së Kosovës për vrasjen e një 63-vjeçareje, në lagjen Kapeshnicë, në rrugën “Mbreti Zogu” në Pejë dhe arrestimin e të dyshuarit.

    Ndonëse policia nuk ka dhënë detaje rreth raportit familjar që viktima me të dyshuarin, që tashmë është i arrestuar, jo zyrtarisht ATV ka mësuar se kemi të bëjmë me një raport fëmijë – nënë.

    Në vendin e ngjarjes shihen dy vetura të policisë, ndërsa janë parë edhe hetues të policisë të cilët kanë hyrë dhe kanë dalur nga kjo shtëpi.

    Deri më tani nuk janë konfirmuar motivet e kësaj ngjarjeje, por jo zyrtarisht kemi mësuar se kemi të bëjmë me një ngatërresë familjare. /atvlive.tv

  • Direkt nga vendi i ngjarjes: Policia ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen e 63-vjeçares

    Direkt nga vendi i ngjarjes: Policia ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen e 63-vjeçares

    Një grua është vrarë në Pejë pasditen e së premtes, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

    Gazetari i ATV-së, në një lidhje direkte për edicionin qendror të lajmeve, ka raportuar konfirmimin e Policisë së Kosovës për vrasjen e një 63-vjeçareje, në lagjen Kapeshnicë, në rrugën “Mbreti Zogu” në Pejë dhe arrestimin e të dyshuarit.

    Ndonëse policia nuk ka dhënë detaje rreth raportit familjar që viktima me të dyshuarin, që tashmë është i arrestuar, jo zyrtarisht ATV ka mësuar se kemi të bëjmë me një raport fëmijë – nënë.

  • Policia sekuestron 174 pajisje të kriptovalutave

    Policia sekuestron 174 pajisje të kriptovalutave

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar të premten se Policia e Kosovës ka sekuestruar 174 pajisje të paligjshme për mihje të kriptovalutave në Zubin-Potok.

    Përmes Twitterit, Rizvanolli ka thënë se mospagesa e faturave të energjisë elektrike nxit aktivitete të tilla. Dhe ka shtuar se për këtë arsye Serbia po e bllokon zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë.

    “Policia ka sekuestruar 174 pajisje të paligjshme të kripto-minimit në Zubin-Potok. Mospagesa e faturave të energjisë elektrike nxit aktivitete të tilla të paligjshme. Kjo është arsyeja pse Serbia bllokon zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë”, ka shkruar Rizvanolli.

    Tutje, ajo ka shkruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha angazhimet, ndërsa tani është “koha që edhe pala tjetër të bëjë të njëjtën gjë, urgjentisht”.