ATV

Category: Lajme

  • I jepet lamtumira e fundit Hyrije Hysenit, gruas që dyshohet se u vra nga djali i saj në Pejë

    I jepet lamtumira e fundit Hyrije Hysenit, gruas që dyshohet se u vra nga djali i saj në Pejë

    Hyrije Hyseni frymoi për herë të fundit dje rreth orës 16:00, para se të vritej nga i biri i saj, Urimi.

    58 vjeçarja u varros sot në varrezat e qytetit të Pejës.

    Në varrimin e saj morën pjesë qindra qytetarë.

    E ndjera u vra dje nga djali i saj nga motive akoma të paqarta.

    Ky i fundit u dërgua në masë të paraburgimit prej 30 ditësh, me urdhër të Gjykatës Themelore në Pejë.

    Indeksonline ju sjell pamje nga varrimi i Hyrije Hysenit.

  • Abazoviq: Krenarë me ushtarët malazezë që shërbejnë në KFOR

    Abazoviq: Krenarë me ushtarët malazezë që shërbejnë në KFOR

    Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në ditën e tretë të qëndrimit në Kosovë ka takuar Komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Ristuccia.

    Abazoviq me këtë rast tha se është krenarë për ushtarët malazez që shërbejnë në KFOR.

    “Mali i Zi është i përkushtuar për stabilitetin rajonal dhe paqen në Ballkanin Perëndimor. Jemi krenarë për ushtarët tanë që janë në një mision serioz dhe që përfaqësojnë denjësisht Maqedoninë e Veriut. Ishte kënaqësi të bisedoja me komandantin e sapozgjedhur të KFOR-it, gjeneralin Angelo Ristuccia”, ka shkruar Abazoviq në Twitter.

  • Kosova dhe FMN arrijnë marrëveshje për program të ri mbështetës në vlerë deri në 260 milionë euro

    Kosova dhe FMN arrijnë marrëveshje për program të ri mbështetës në vlerë deri në 260 milionë euro

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se janë mbyllur me sukses diskutimet për program të ri mbështetës nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, për çështjen e ndërtimit të kapaciteteve të reja për energji të ripërtëritshme me erë dhe diell. Sipas tij, programi ka vlerën deri në 260 milionë euro.

    Në një shkrim në Facebook, Murati ka thënë se programi fillimisht vë në dispozicion 80 milionë euro në kuadër të “instrumentit më të ri të FMN-së të quajtur Resilience and Sustainability Fund, dhe me mundësinë e zgjerimit për edhe 80 milionë euro tjera”.

    “Në momentin e miratimit nga Bordi i FMN-së, Kosova do të bëhet vendi i parë në Evropë që do të përfitojë nga ky lloj programi me FMN-në. Mjetet nga programi RSF pritet t’i vihen në dispozicion Kosovës për investime në ndërtim të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtërishme me erë dhe diellore”, ka shkruar Murati. Sipas tij, pjesa tjetër e mbështetjes do të jetë në formën e një Aranzhimi për Gatishmëri në vlerë prej 100 milionë eurosh për 2 vjetët e ardhshëm.

    Për këtë mbështetje, Murati ka thënë se pikënisje ka qenë “suksesi në konsolidimin e shpejtë të financave publike dhe vendimmarrjen e matur fiskale”.

    “Kjo është edhe një dëshmi që reformat tona po vlerësohen edhe nga institucionet ndërkombëtare si FMN”, ka shkruar ai.

  • Vrasja e rëndë në Pejë, një muaj paraburgim për të dyshuarin

    Vrasja e rëndë në Pejë, një muaj paraburgim për të dyshuarin

    Është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji për të dyshuarin për vrasjen e nënës së tij gjatë ditës së djeshme në Pejë.

    Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, njofton ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit U.H, i dyshuar për vepër penale vrasje e rëndë.

    “Të pandehurit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, pasi që gjykata konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, duke pas parasysh se i pandehuri është duke u hetuar për vepër të rëndë penale për të cilën Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dhe se i pandehuri posedon leje qëndrimi jashtë shtetit, rrethana këto të cilat gjykata ka vlerësuar se tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve”, thuhet në njoftim.

    “Po ashtu, duke pas parasysh peshën e veprës penale, mënyrën tejet mizore të kryerjes së veprës penale nga ana e të pandehurit, pasojat e rënda të kësaj vepre si dhe faktin se në këtë çështje pritet që të dëgjohen dëshmitarët okular të cilët janë familjarë të pandehurit, gjykata vlerësoj se të gjitha këto janë rrethana të posaçme që tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes, do të mund të përsërisë veprën e njëjtë apo të ngjashme penale apo do të mund të ndikoj në dëshmitarë dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve por edhe procedurës penale në përgjithësi”, përfundon njoftimi.

    Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

  • ​Prokuroria për vrasjen në Pejë: Hetime intensive, një rast i tillë s’ka ndodhur më parë

    ​Prokuroria për vrasjen në Pejë: Hetime intensive, një rast i tillë s’ka ndodhur më parë

    Prokuroria Themelore e Pejës është duke vijuar hetime intensive në lidhje me rastin e rëndë që ndodhi pasditen e së premtes në lagjen “Kapeshnicë” të Pejës ku djali 30-vjeçar vrau të ëmën për arsye ende të paditura.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, deklaroi për KosovaPress se i pandehuri është në ndalim prej 48 orësh, ndërsa prokurorja e rastit do të kërkojë paraburgim prej një muaji.

    Ai tha se hetimet janë në fazën konfidenciale dhe deri më tani nuk mund të bëjnë publike asgjë.

    “I pandehuri është rreth moshës 30 vjeçare… Një rast i tillë është rast që nuk ka ndodhur më parë… Ne me Policinë e Kosovës jemi duke bërë hetime intensive që të ndriçohet në plotni kjo çështje e rëndë penale. Në vendin e ngjarjes Policia e Kosovës, është përgjigjur në afat shumë të shpejtë dhe ka arritur ta lokalizojë personin e dyshuar më pas dhe ta arrestojë. I njëjti me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë… Ne nuk mund t’i bëjmë hetimet publike, ku hetimet janë në fazën konfidenciale. Prokurori i shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që kjo çështje të ndriçohet”, potencoi ai.

    Nikçi shtoi se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, ndërkaq tashmë po presin raportin e mjekut ligjor.

    “Trupi i pajetë i viktimës është dërguar t’i bëhet autopsia në Institutin të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe jemi në pritje të raportit nga mjeku ligjor lidhur me këtë çështje… Një rast i tillë është rast që nuk ka ndodhur më parë. Rasti është shumë i ndjeshëm dhe duhet t’i kursejmë anëtarët e familjes, që mos t’i lëndojmë më shumë”, u shpreh ai.

    Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, ka kërkuar që i pandehuri të vijojë qëndrimin në paraburgim për një muaj ndërsa seanca është mbajtur gjatë ditës së sotme (e shtunë).

    “Sipas procedurës penale i njëjti duhet të qëndrojë 30 ditë paraburgim. Prokurori në koordinim me gjyqtaren paraprake do të kërkojnë që të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit derisa të përfundojë i gjithë procesi hetimor, më pas do gjykohet me veprën penale, ku prokurori i shtetit do kërkojë nga gjyqtari që i njëjti të shpallet fajtor dhe të marrë dënimin e merituar”, theksoi ai.

    Vrasja që tronditi të gjithë Kosovën ndodhi rreth orës 16:00 të premtes.

  • Myslimanët hanë iftar në “Times Square”

    Myslimanët hanë iftar në “Times Square”

    Amerikanët myslimanë, si të gjithë amerikanët, përfaqësojnë kultura dhe tradita të ndryshme që gjenden në mbarë botën. Ramazani e shfaq këtë diversitet në shumë mënyra, duke përfshirë ushqimin e përgatitur për syfyr herët në mëngjes dhe iftarin në perëndim të diellit.

    Nga rreth 3.45 milionë amerikanë myslimanë të të gjitha moshave që jetojnë në Shtetet e Bashkuara në vitin 2017, 58 për qind kanë lindur në një vend tjetër, sipas Qendrës Kërkimore Pew.

    Sot, myslimanët zezakë përfaqësojnë 20 për qind të myslimanëve në Shtetet e Bashkuara. Gati 70 për qind e myslimanëve zezakë kanë lindur në Shtetet e Bashkuara dhe 49 për qind identifikohen si të konvertuar në Islam.

    Për të festuar fillimin e Ramazanit të këtij viti, qindra myslimanë u mblodhën në Times Square më 2 prill në qytetin e Nju Jorkut për të bërë iftar dhe për t’u lutur së bashku.

    Organizatorët shpërndanë 1,500 vakte dhe theksuan mesazhet e paqes, bamirësisë dhe unitetit në intervistat në media, shkruan ShareAmerica, transmeton Klankosova.tv.

    Njëri i tha CBS News, “Ne jemi këtu për t’ua shpjeguar fenë tonë të gjithë atyre që nuk e dinë se çfarë është Islami”, tha ai. “Islami është fe e paqes.”

    Në Kaliforni, Rida Hamida përqafon identitetin e saj mysliman dhe latin me iniciativën e saj #TacoTrucksInEveryMosque.

    Në Oregon, Sahla Denton – e cila e përshkruan veten si gjysmë xhamajkane dhe gjysmë meksikane – thotë se familja e saj ka përshtatur pjatat për t’i bërë ato hallall.

    Këtë Ramazan familja e saj do të hajë një pjatë të preferuar të quajtur escovitch, një pjatë xhamajkane e bërë me peshk dhe e mbushur me qepë, karrota dhe speca.

    Ajo tha se një kujtim i preferuar i Ramazanit ishte shkuarja në xhami për iftar kur ishte e re.

    “Ushqimi ishte i gjithi shumë i mirë, sepse zakonisht kishte shumë ushqim, kështu që kishte ushqim meksikan, kishte ushqim pakistanez, kishte ushqim nga e gjithë vendi në një tavolinë”.

    Islami është feja me rritjen më të shpejtë në Amerikë. Deri në vitin 2050, popullsia myslimane amerikane pritet të dyfishohet, nga 3.5 milionë sot në 8.1 milionë.

    Kjo rritje do t’i bënte myslimanët grupin e dytë fetar më të madh në Shtetet e Bashkuara.

    Myslimanët latinë janë komuniteti i konvertuar në rritje më të shpejtë në Shtetet e Bashkuara.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit gruas nga Peja, që dyshohet se u vra nga djali i saj

    Sot i jepet lamtumira e fundit gruas nga Peja, që dyshohet se u vra nga djali i saj

    E premtja e 14 prillit ishte e kobshme për familjen Hyseni nga lagja Kapeshnicë e Pejës, pasi ndodhi një krim makabër brenda mureve të shtëpisë së tyre pasi dyshohet se djali privoi nga jeta nënën e tij.

    I dyshuar për këtë krim makabër është Urim Hyseni nga Peja ndërsa viktima është Hyrije Broqi-Hyseni.

    Familjarët kanë njoftuar se sot do t’i jepet lamtumira e fundit viktimës të krimit.

    Sipas njoftimit, tashmë e ndjera do të varroset sot, ndërsa funerali do të niset nga shtëpia e 58-vjeçares në ora 17:00.

  • Digjen tri vetura në veri

    Digjen tri vetura në veri

    Shefi i stafit të Presidencës, Blerim Vela njoftoi se edhe tri vetura të tjera janë djegur në veri të vendit, herët në mëngjes.

    Vela përmes një postimi në Twitter tha se po targetohen qytetarët, për të cilët Serbia po konsideron se po bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

    “Vazhdon fushata kriminale e djegies së veturave në veri të Kosovës! Tre makina të tjera janë djegur sot herët në mëngjes. Strukturat ilegale të Serbisë tani po targetojnë serbët lokalë që ata konsiderojnë se po bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës. Çdo autor do të dalë para drejtësisë!”, ka shkruar Vela.

  • Krasniqi përkujton 24 vjetorin e masakrës në Sllovi të Lipjanit

    Krasniqi përkujton 24 vjetorin e masakrës në Sllovi të Lipjanit

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka përkujtuar 24 vjetorin e masakrën në Sllovi të Lipjanit, ku 45 civilë shqiptarë u masakruan nga forcat serbe.

    “Me dhembje kujtojmë 45 civilë shqiptarë, të cilët u masakruan mizorisht 24 vite më parë nga dora barabare serbe në Sllovi të Lipjanit”, ka shkruar Krasniqi.

    Kreu i PDK-së ka shtuar se së bashku me kolegë e bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe te varrezat e martirëve në Sllovi.

    Krasniqi ka treguar se kanë bërë homazhe dhe në fshatin Tërboc pranë lapidarit të dëshmores Zylfije Gashi në përvjetorin e 24-të të rënies së saj.

    “Nderimet më të larta për martirët e Sllovisë, për të gjitha viktimat e gjenocidit serb në Kosovë dhe për dëshmorët, të cilët u flijuan për ditët e bardha të lirisë që i jetojmë sot. E përjetshme qoftë lavdia për ta!”, ka theksuar Memli Krasniqi.

  • Kryeministri Kurti takoi Kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami

    Kryeministri Kurti takoi Kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dje në Maqedoninë e Veriut u mirëprit nga Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, njëherësh Kryetari i Lëvizjes BESA.

    Në këtë takim në të cilin kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga këshilltari i tij për marrëdhënie me Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku dhe ambasadori i Republikës së Kosovës, Florian Qehaja, u diskutua për politikat dhe qeverisjen lokale, me theks të veçantë për rëndësinë dhe statusin e projektit të rrugës që lidh Prizrenin dhe Tetovën dhe për bashkëpunimin e komunave rreth malit Sharr, sidomos Tetovës dhe Prizrenin në sferën e turizmit.

    Kryeministri Kurti, dje ishte në Tetovë të Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore në nderim të jetës së dëshmorit, Alban Ajeti në përvjetorin e 24-të të rënies së tij, organizuar në amfiteatrin kryesor të Universitetit të Tetovës.