ATV

Category: Lajme

  • Haradinaj: Të rënët janë dëshmi se sa e shtrenjtë është liria

    Haradinaj: Të rënët janë dëshmi se sa e shtrenjtë është liria

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar sot të rënët për liri në 24-vjetorin e Betejës e Zhegocit dhe martirët e rënë në Sllovi të Lipjanit.

    Haradinaj ka kujtuar edhe ngjarjet e kësaj dite në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë.

    “Armiku, për të shfryer egërsinë dhe mllefin e humbjeve në frontet e luftës, pikërisht gjatë Betejës së Zhegocit, do të sulmonte popullatën e paarmatosur në Sllovi të Lipjanit. Njëjtë do të pësonin edhe motrat e vëllezërit tonë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.

    Postimi i plotë:

    Të rënët e tokës sonë janë dëshmi se sa e shtrenjtë është liria!Kujtojmë sot Betejën e Zhegocit, nderojmë kontributin e Zonës Operative të Karadakut – rezistencën, sakrificën dhe rënien e luftëtarëve më të zotë të saj!Armiku, për të shfryer egërsinë dhe mllefin e humbjeve në frontet e luftës, pikërisht gjatë Betejës së Zhegocit, do të sulmonte popullatën e paarmatosur në Sllovi të Lipjanit. Njëjtë do të pësonin edhe motrat e vëllezërit tonë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë. Sot, çdo përpjekje e jona në ndërtimin e vendit, frymëzim ka heroizmin e luftëtarëve të lirisë dhe sakrificën e martirëve.Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të Kosovës!

  • Macron nënshkruan ligjin për reformën në pensione, pavarësisht protestave

    Macron nënshkruan ligjin për reformën në pensione, pavarësisht protestave

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka nënshkruar ligjin për reformën në pensione, duke sfiduar tre muaj protesta dhe zotimet e sindikatave se nuk do ta zbatojnë vendimin e ri.

    Ligji ka hyrë në fuqi menjëherë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

    Ky publikim është bërë disa orë pasi Këshilli Kushtetues i ka dhënë dritën jeshile fuqizimit të ligjit, i cili parasheh rritjen e moshës së pensionimit nga 62 në 64 vjeç.

    Beteja për të nënshkruar këtë ligj është kthyer në sfidën më të madhe për Macronin, përgjatë mandatit të tij të dytë si president.

    Kjo temë i ka kushtuar atij edhe me rënie të popullaritetit.

    Sondazhet kanë treguar se dy në tre franceze janë kundër vazhdimit të punës për dy vjet më shumë./REL/

  • ​Osmani priti kryeministrin Abazoviq, diskutime për zhvillimet e fundit

    ​Osmani priti kryeministrin Abazoviq, diskutime për zhvillimet e fundit

    Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar të shkëlqyeshme, teksa të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për thellimin e tyre.

    Në këtë kontekst, Osmani ka përshëndetur marrëveshjen për shërbime ajrore të Kosovës dhe Malit të Zi, të nënshkruar dje.

    Sipas komunikatës së lëshuar nga Presidenca, Osmani ka theksuar se Kosova me Malin e Zi ndajnë pikëpamjet e njëjta mbi rëndësinë e integrimit euroatlantik të shteteve të rajonit si garanci për paqe e prosperitet në rajon.

    Sipas presidentes Osmani, Mali i Zi është shtet mik dhe partner i Kosovës, ndaj ka shfaqur besimin se do ta mbështesë Kosovën edhe më tej në përpjekjen për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar duke përfshirë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, për të cilën gjë ka marrë mbështetjen e kryeministrit Abazoviq.

    Në takim u tha se është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon dhe dialogun me Serbinë.

    Presidentja Osmani ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore, megjithëse ka theksuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur.

    Pavarësisht kësaj, presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët ndërkombëtarë rreth zbatimit të marrëveshjes dhe se është e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.

    Ndër të tjera, në takim, nga të dy palët u tha se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe ai malazez në Kosovë janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dy shteteve.

    Presidentja Osmani dhe kryeministri Abazoviq diskutuan edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

  • Arrestohet anesteziologu që publikoi video të pacienteve nga Gjinekologjia

    Arrestohet anesteziologu që publikoi video të pacienteve nga Gjinekologjia

    Policia e Tetovës e ka arrestuar të premten pasmesnate një mjek anesteziolog në Spitalin e Tetovës, pasi kishte xhiruar një video nga Reparti i Gjinekologjisë, të cilën më pas e kishte postuar në rrjetin e videove të shkurtra TikTok.

    Arrestimi i mjekut është bërë pas denoncimit të bërë nga drejtori i Spitalit klinik të Tetovës, Pëllumb Vela.

    Ai e ka cilësuar publikimin e videos si “të papranueshme”.

    “Ky veprim për ne është i pakuptueshëm. Dënojmë çdo sjellje joprofesionale të stafit mjekësor ndaj pacientëve”, ka thënë për TV21, drejtori i spitalit, Vela.

    Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, anesteziologu (V.D) 43 vjeç, është ndaluar në fshatin Odër të Tetovës.

    “Për rastin është njoftuar prokurori publik, dhe pas dokumentimit të tij do të merren masa adekuate”, është thënë në njoftimin e Policisë.

    Oda e Mjekëve e Maqedonisë së Veriut, e ka dënuar ashpër incidentin me anesteziologun dhe ka kërkuar marrjen e masave nga institucionet përkatëse.

    “Kërkesa për respektimin e të drejtave personale nis nga respektimi i të drejtave të të tjerëve, në këtë rast të të drejtave të pacientëve. Në një kohë sa më të shkurtër do të thirren organet e Odës për shqyrtimin e rastit, dhe marrjen e veprimeve dhe masave”, është thënë në reagim.

    “Mjekët janë të obliguar ta kryejnë profesionin e tyre me ndërgjegje dhe përgjegjësi, të respektojnë dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e të sëmurëve dhe të ruajnë besimin e tyre”, ka thënë mes tjerash Oda.

    Ky rast ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, pasi qytetarët kanë kërkuar masa urgjente nga institucionet përkatëse, por edhe masa tjera për parandalimin e publikimeve të tilla që cenojnë privatësinë e njerëzve./REL

  • Në Ferizaj të fejuarit rrahën mes vete, përfundojnë në spital

    Në Ferizaj të fejuarit rrahën mes vete, përfundojnë në spital

    Një çift i fejuar në Ferizaj kanë përfunduar në spital pas rrahjes mes vete që kanë pasur.

    Policia ka konfirmuar rastin, duke njoftuar se kjo ka ndodhur në rrugën “Reçaku”.

    “Është raportuar se të dyshuarit një femër kosovare dhe një mashkull kosovar, të fejuar, pas një mosmarrëveshje janë përleshur në mes vete. Të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftim.

    Më tej, Policia bën të ditur se pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

  • Konjufca përkujton 24 vjetorin e masakrës në Sllovi të Lipjanit

    Konjufca përkujton 24 vjetorin e masakrës në Sllovi të Lipjanit

    Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca ka përkujtuar masakrën në Sllovi të Lipjanit.

    Ai përkujtoi 45 martirët shqiptarë, të cilët u vranë dhe u masakruan 24 vjet më parë në krimin e gjenocidit të kryer nga ushtria dhe policia serbe.

    “Viktima të kësaj ploje mizore qenë burra, gra, të rinj dhe pleq të paralizuar. Hasanin 18 vjeç e ekzekutuan në sy të babait, ndërsa nënë Halimen 84 vjeçare e dogjën të gjallë”, ka shkruar Konjufca.

    “Shumicën e kufomave i zhdukën me dhunë dhe i fshehën në Serbi, disa u zbuluan vite më vonë në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit. Ende mungon drejtësia për viktimat e këtij krimi të gjenocidit”, ka shtuar kryeparlamentari Konjufca.

    Tutje, Konjufca theksoi se dëshmorët, martirët dhe lufta jonë çlirimtare do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e lavdishme kombëtare.

    “Janë vetë liria dhe pavarësia e Republikës së Kosovës. Lavdi e përjetshme!”, përfundon ai.

  • 11 raste të reja me COVID-19 sot në Kosovë

    11 raste të reja me COVID-19 sot në Kosovë

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka publikuar raportin e fundit për gjendje me COVID-19 në Kosovë.

    Në njoftimin e IKSHPK-së thuhet se nga 82 testime 11 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me koronavirus.

    Në raport thuhet se 18 qytetarë janë shëruar, ndërsa 10 janë të hospitalizuar.

    Aktualisht në Kosovë janë 42 raste aktive.

  • Haradinaj këmbëngul: Zgjedhjet në veri s’duhet të mbahen

    Haradinaj këmbëngul: Zgjedhjet në veri s’duhet të mbahen

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, këmbëngul se zgjedhjet në veri që pritet të mbahen më 23 prill duhet të shtyhen. Sipas tij, ky skenar është në dobi të Kosovës, në të kundërtën mbajtja e tyre, siç thotë Haradinaj, është humbje për vendin. Ai thotë se me mbajtjen eventuale rrezikohet edhe më tej policët që operojnë në veri.

    Ish-kryeministri i Kosovës, mes tjerash thotë për KosovaPress se, duhet të tregohet mençuri dhe që proceset që i bëjnë dëm Kosovës të ndalen me kohë.

    “Duhet bërë kujdes, opsioni i ndaljes së këtij procesi është i mençur, është në dobi të Kosovës dhe e shpëton edhe fytyrën tonë si shtet. Ndërsa, insistimi për t’i mbajtur zgjedhjet realisht na thellon humbjet, por edhe na merr fytyrën sepse vërtetohet në ditën e zgjedhjeve që nuk jemi në situatën e duhur… Ne duhet të kemi guxim edhe politik, por edhe intelektual, që proceset që i sjellin humbje vendit të ndalen me kohë, mos të mbesim peng prej situatës që po ndodh atje”, thekoi Haradinaj.

    Haradinaj thotë se fakti se zgjedhjet mbahen qendra jo të rregullta e të zakonshme votimi, e vështirëson pjesëmarrjen e qytetarëve për të votuar, derisa shton se në këtë formë rrezikohet edhe siguria e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

    “Po, duhet me marrë vendim me ndërpre procesin tani çfarë është, për shkak se nuk mundemi me mbajt zgjedhje e vendvotimi me qenë në stacion të policisë. Sikurse dihet, stacion i policisë në veri janë njësitë speciale dhe s’ka shumë logjikë kutitë me qenë aty ku rrinë policia. Po ashtu është vështirë të kualifikohen zgjedhjet si të lira, demokratike, nëse ato mbahen në Stacionin e Policisë, ku janë vetëm njësitë elite të policisë. Fakti se mbahen në stacionin e policisë e vështirëson pastaj edhe pjesëmarrjen, sado e vogël që është, mundet me qenë edhe më e vogël dhe kësisoj dita e zgjedhjeve nuk është ndonjë sukses për ne si Kosovë, por do të jetë një humbje”, thotë Haradinaj për KosovaPress,

    Haradinaj konsideron se vendimi për t’i mbajtur zgjedhjet pa koordinim me aleatët ndërkombëtarë, është i gabuar për vendin.

    “Besoj se gabim është se kemi hyrë në këtë rrugë pakrye, pa aleatët, ishte edhe hera parë dhe njëjtë edhe tash. Megjithatë kjo është veç dëm për Kosovën një gjendje e tillë. Policia e Kosovës është në një situatë mjaftë të tensionuar në veri, ata edhe ndërrimet i kanë të gjata, dhe janë të rrezikuar. Ka plot raste kur në Policinë e Kosovës shtihet me armë zjarre, gjatë natës ata i ekspozohen rreziqeve të shumta dhe është gabim të vazhdohet një situate humbëse për Kosovën… Duhet të kthehet një diskutim serioz me aleatët tonë, pra me Amerikën, aleatet tjerë të QUINT-it dhe të gjendet formula që të gjithë të bien dakord për mbajtjen e zgjedhjeve, përfshirë edhe të gjitha partitë politike në veri”, thotë mes tjerash Haradinaj.

    Mes tjerash, Haradinaj thotë se agjenda e Serbisë për të qenë kundër Kosovës do të vazhdojë çdoherë, porse sipas tij, e rëndësishme është që për veriun te ketë koordinim me ndërkombëtarët.

    “Agjenda e Serbisë, e aleatëve të Serbisë, e atyre që vërtetë janë kundër Kosovës do të vazhdon çdoherë, por sa herë që ne kemi marrëveshje me aleatet tonë të sigurisë, rezultati do të jetë në favor tonin. Pra, pa marrë parasysh çfarë bëjnë pala tjetër, ne e dimë formulën e suksesit dhe formula e suksesit për në veri, sepse është çështje e sigurisë po ashtu, është veprimi me koherence, marrëveshje me aleatët tonë të sigurisë të prirë nga Amerika”, tha për fund Haradinaj.

    Zgjedhjet në katër komunat veriore u shpallën pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.

    Fillimisht ishin parashikuar që të mbahen më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por u shtynë me vendim të presidentes Vjosa Osmani për 23 prill edhe për shkak të situatës së tensionuar dhe barrikadave që i ngritën nga grupe të dyshuara kriminale.

  • Një grua raportoi në Polici se u sulmua fizikisht nga bashkëshorti, vjehrri dhe kunati i saj

    Një grua raportoi në Polici se u sulmua fizikisht nga bashkëshorti, vjehrri dhe kunati i saj

    Një grua ka raportuar në Polici se pas një mosmarrëveshje në familje, ajo është sulmuar fizikisht nga vjehrri, bashkëshorti dhe kunati i saj.

    “Malishevë 14.04.2023-15:40. Viktima femër kosovar ka pranuar tretman mjekësor pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshje në familje është sulmuar fizikisht nga tre të dyshuarit meshkuj kosovarë (vjehrri, bashkëshorti dhe kunati)”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

    Tutje, Policia njoftoi se tre të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, ata janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

    Përveç këtij rasti, gjatë 24 orëve të fundit në Polici janë raportuar edhe katër raste të tjera të dhunës në familje./atvlive.tv./

     

     

  • Krim i rëndë në familje, 42 vjeçari shqiptar vret bashkëshorten në Zvicer

    Krim i rëndë në familje, 42 vjeçari shqiptar vret bashkëshorten në Zvicer

    Viktima është 39 vjeçare ndërsa i arrestuari, bashkëshorti i saj është një 42-vjeçar.

    Të dy janë shtetas të Maqedonisë së Veriut.

    Paraditen e së premtes, Policia e Kantonit Thurgau ka gjetur një grua 39 vjeçare të pajetë në një banesë në Erlen, Kantoni TG, për të cilën supozonte se ishte e vrarë, transmeton albinfo.ch.

    Pak pas orës 11:00, një burrë ka telefonuar në qendrën kantonale të thirrjeve të urgjencës, për të treguar se kishte plagosur për vdekje gruan e tij.

    Burri në fjalë është arrestuar në vend. Ai nuk ka rezistuar, shkruan policia kantonale e Thurgaut.

    I arrestuari është një 42-vjeçar, shtetas i Maqedonisë së Veriut. Prokuroria publike ka nisur një hetim penal ndërsa policia ka nisur hetimet.

    Gruaja gjithashtu ka rrënjët në Maqedoninë e Veriut, thonë të afërmit, shkruan 20minuten.ch. Burimet e albinfo.ch konfirmojnë se bëhet fjalë për një çift shqiptrar nga Maqedonia e Veriut. Çifti kanë tri vajza adoleshente.

    Duket të ketë pasur debate të përsëritura ditët e fundit mes çiftit, thotë një i afërm, sipas të cilit, divorci mes tyre ishte i afërt.

    Burri kohët e fundit ka qenë i paaftë për të punuar për shkak të një sëmundjeje.

    “Kjo e shqetësonte atë”, thotë më tutje i afërmi. “Dikur ishin shumë të lumtur, qeshnin shumë. Por në javët e fundit marrëdhënia mes tyre është përkeqësuar”.

    “Jemi në shok”, thotë një fqinj. Ai e përshkruan të dyshuarin si “një person të sinqertë, të këndshëm dhe normal”. Ai qeshte shpesh dhe ishte në disponim të mirë. Por në ditët e fundit ai kishte ndryshuar. “Ai nuk na përshëndeste më dhe mezi fliste”.